By: Amer Halid

El-xhebbar (I gjithefuqishmi)


Nëse do të kërkonim prej dikujt të përmendë emrin që tregon kulmin e mëshirës, faljes, dashurisë, dhembshurisë... askujt nuk do t’i shkonte mendja tek emri i Zotit, El-Xhebbar. Kjo, pasi në mendjet tona është krijuar ideja se emra të tillë janë emra që tregojnë fuqinë e All-llahut të Madhërishëm për ndëshkimin e kriminelëve dhe njerëzve të këqinj.

Është për të ardhur keq që të gjithë ne, jetojmë me vite të tëra pa e ndierë kuptimin e vërtetë të emrave më të bukur të All-llahut të Madhërishëm. Emri El-Xhebbar është përmendur vetëm një herë të vetme në Kur’an, në ajetin që përmban shumë emra të Zotit: “Ai është All-llahu që nuk ka zot tjetër përveç Tij, Sundues i përgjithshëm, i Pastër (prej të metave), Shpëtimtari, Siguruesi, Mbikëqyrësi, i Gjithëfuqishëm, Mbizotërues, i Madhërishëm. I lartësuar është All-llahu nga ajo që i shoqërojnë!” (El-Hashr: 23)

El-Xhebbaru është Ai që u kthen buzëqeshjen zemrave të dëshpëruara. Është Ai që ngjit zemrat e thyera. Ky emër është për të gjithë njerëzit që janë të hidhëruar, për të gjithë ata që u është bërë padrejtësi, është për të gjithë jetimët që vuajnë, është për të gjithë ata që ndihen të përbuzur dhe të nënshtruar, është për këdo që i është thyer zemra padrejtësisht. El-Xhebbaru është Ai që kur i qan hallin, ta zgjidh menjëherë. Kujt tjetër mund t’i drejtohet dikush, që i është thyer zemra nga hallet dhe shqetësimet, përveç El-Xhebbarit?

Origjina e fjalës El-Xhebbar vjen nga “el xhebr”, që është ngjitja e eshtrave të thyera. Asaj gruaje që i bëhet padrejtësi, ajo motër që akuzohet padrejtësisht në çështje nderi... kush tjetër, përveç El-Xhebbarit, mund ta ndihmojë? Ata jetimë që i ka lodhur kjo botë, ato gra të veja, ato gra të divorcuara me të cilat njerëzit sillen keq... kush tjetër, përveç El-Xhebbarit, mund t’i qetësojë nga këto halle? Është e pamundur t’i qash hallet me zemrën tënde të thyer dhe Ai mos të vijë në ndihmë.

Ashtu siç thyhen eshtrat tona, thyhen edhe zemrat. Ata që rregullojnë thyerjet e kockave janë doktorët dhe Ai që rregullon thyerjet e zemrave është All-llahu i Madhërishëm. Madje, edhe thyerjet e kockave është Zoti Ai që i rregullon dhe i ngjit përsëri. Ajo që bën doktori i eshtrave në një thyerje të krahut, është se i bashkon dy kockat e thyera dhe i lidh. Ajo që ndodh më pas, është gjithçka detyrë e El-Xhebbarit. Me t’u bashkuar dy kockat e thyera, riprodhohen qelizat kockore. Qelizat kockore nga dita që lind njeriu, janë në aktivitet të plotë, me qëllim që të garantojnë rritjen e fizikut. Kur njeriu mbush moshën njëzet e një vjeçare, Zoti, El-Xhebbaru, i urdhëron këto qeliza ta ndërpresin riprodhimin dhe të flenë. Nëse do të vazhdonin aktivitetin, njeriu do të arrinte përmasa gjigande. Kështu, me të mbushur moshën njëzet vjeçare, ato ndërpresin riprodhimin dhe njeriu nuk rritet më. Në çastin që një kockë thyhet, këto qeliza zgjohen përsëri, sipas urdhërit të El-Xhebbarit, dhe fillojnë aktivitetin për ngjitjen e kockës së thyer. Me të përfunduar ngjitja e kockës së thyer, qelizat kockore i kthehen përsëri gjumit të thellë.

Nëse El-Xhebbari ngjit kockat e thyera, ç’mendon për zemrat e thyera? Nëse për të ngjitur eshtrat e thyera, El-Xhebbari përdor qelizat kockore, po për zemrat e thyera, çfarë përdor? Çfarë përdor për zemrën e thyer të një jetimi, të cilit ia kanë marrë pasurinë padrejtësisht?

Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] kur lutej, thoshte: ”O Ti që i ngjit zemrat dhe shpirtrat e thyer...”

Kurse në një hadith, thotë: ”Njerëzit e dobët dhe ata që janë të friksuar, janë nën mbrojtjen e Zotit.” Për këtë, Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] lutej shpesh: ”O Zot! Më bëj t’i dua dhe të më duan njerëzit e dobët.”

Kush mund t’i thajë lotët e vuajtjeve, përveç El-Xhebbarit? Kush mund ta rregullojë zemrën dhe shpirtin e thyer, perveç El-Xhebbarit? A e ke ndierë veten të thyer ndonjëherë? A i ke ngritur duart drejt qiellit dhe i ke thënë Zotit: “O El-Xhebbar, jam thyer prandaj më ndihmo!”

A e ndien se sa vite të kanë shkuar dëm, pa e njohur El-Xhebbarin? Emrin e Zotit El-Xhebbar, më së miri e njohin njerëzit e dobët, e njohin fukarenjtë, e njohin hallexhinjtë, e njohin jetimët, e njohin ata që vizitojnë Qabenë posaçërisht për ta lutur Atë, e njohin ata që u është thyer zemra dhe shpirti...

Kur kërkon një nder nga dikush, i lutesh, i flet me butësi dhe i kërkon që, për hatrin tënd, ta plotësojë kërkesën. Përse të mos e bëjmë diçka të tillë edhe me El-Xhebbarin?

Fjala El-Xhebbar është në shkallën sipërore, gjë që tregon se Ai të ndihmon dhe ta qetëson zemrën sa herë të thyhet. Ai të përkrah sa herë të trokasësh në derën e Tij.

Njerëzit mund t’i quajnë fëmijët me emrin Xhabir, por është e ndaluar rreptësisht që t’i quajnë me emrin El-Xhebbar. Nëse i kërkon një njeriu më shumë se një herë të të ndihmojë, ai do të mërzitet dhe herët e tjera do të refuzojë të ndihmojë. Kurse All-llahu i Madhërishëm, El-Xhebbari, nuk të refuzon kurrë.

Nga ndihma dhe përkrahja e El-Xhebbarit është se të bën t’i harrosh shumë shqetësime dhe halle. Nëse dikush të ofendon, ditën e parë nuk të zë gjumi nga inati. Ditën e dytë vazhdon ta ndjesh, por të paktën do të flesh. Kurse ditën e tretë do e kesh harruar.

Është e habitshme se si ne shkojmë tek njerëzit dhe u kërkojmë ndihmë dhe përkrahje dhe nënvleftësojmë Atë që ka në dorë gjithçka, El-Xhebbarin Madhështor! Si mund të kërkohet shpëtimi nga një i mbytur?! Si mund të kërkojë pasuri një fukara nga një fukara tjetër?!

Vetë emri El-Xhebbar kërkon që të ketë njerëz me zemër dhe shpirt të thyer, me qëllim që t’i ndihmojë dhe t’i përkrahë. Vetë emri Er-Rezzak kërkon të ketë njerëz të vuajtur ekonomikisht, me qëllim që t’i furnizojë me të mirat e Tij. Emri Mëshirues kërkon të ketë njerëz që të mëshirohen. Emri Falës gjynahesh kërkon të ketë njerëz që veprojnë gjynahe.

Prandaj, mos pretendo të jetosh në këtë botë pa probleme, pa halle dhe zemër të thyer. Kënaqësinë më të madhe në këtë botë, e ndien në ato çaste kur i kërkon ndihmë All-llahut të Madhërishëm. Namazi më i bukur, të cilin nuk e harron kurrë, janë ato dy rekate që fal kur zemra dhe shpirti të janë thyer dhe i kërkon përkrahje dhe ndihmë El-Xhebbarit. Provoje diçka të tillë sonte dhe do e besosh këtë që themi.

Vetë All-llahu i Madhërishëm kërkon që ty të thyet zemra dhe të shkosh t’i qash hallin El-Xhebbarit. Fatkeqësia më e madhe është që të thyhet zemra dhe të mos i kërkosh El-Xhebbarit të ndihmojë. Adhurimin më të ëmbël e ndien kur je i thyer dhe në hall: “Kush tjetër i përgjigjet nevojtarit kur e lut?” (En-Neml: 62)

Kurrë nuk mund të ndodhë që të jesh në hall, të jetë thyer zemra dhe shpirti, të kenë rrethuar telashet... ti kërkosh ndihmë, ta adhurosh, ta lusësh, të qash... dhe të mos të përgjigjet dhe të ndihmojë. Përulu në sexhde dhe qaja hallin që të ka zënë.

Unë do ju tregoj një histori, personazhin e së cilës e njoh personalisht. Atij i ndodhi një problem dhe u detyrua të largohej nga vendi i tij. Problemi ishte se nuk kishte asnjë vend që pranonte t’i ofrojë vizë, për të qëndruar. Meqë ishte muaji i Ramazanit, i erdhi një rast për të vizituar Qabenë. Viza që kishte marrë, i përfundonte më 30 të muajit Ramazan dhe nuk kishte ku të shkojë askund. Ai tregon se ditën e njëzet e shtatë të Ramazanit, ndodhesha në Qabe dhe ndihesha i thyer shpirtërisht. Çdo ajet Kur’ani që dëgjoja më bënte të qaj. Po kryeja Tavafin dhe në mendje nuk më vinte asnjë lutje e veçantë, edhe pse kisha mësuar shumë të tilla. Përpiqesha të kujtoj diçka të përshtatshme për t’u lutur, por asgjë nuk më vinte në mendje. Fjalët e vetme që shqiptoja në ato çaste, teksa rrotullohesha rreth Qabesë, ishin: ”O Zot, më ndihmo!” Shtatë rrotullimet që bëra, nuk shqiptova fjalë dhe lutje tjetër. Ai betohet në Zot dhe thotë se në njërin nga rrotullimet, e ndalon dikush dhe e pyet: ”A ti je filani? Unë ka tre ditë që po të kërkoj. Kam një mesazh për ty dhe nuk dija ku të gjej. Nuk e imagjinoja kurrë se mund të takohemi këtu dhe në këtë kohë. Ka tre ditë që e kam parë të Dërguarin e Zotit në ëndërr, duke më thënë: ”I thuaj filanit se je në rrugë të drejtë. Duro për pak kohë! Do të vuash për një vit dhe më pas Zoti do të t’i hapë dyert e mirësive!” Tregon personazhi i kësaj historie: ”Teksa ai fliste, unë qaja me të madhe. Para disa minutave i lutesha Zotit të më ndihmojë, kurse tani e shihja ndihmën e Tij të vinte nga nuk e prisja.” Më pas doli nga Qabeja dhe, teksa qëndronte jashtë mureve, një i njohur e merr në telefon dhe i thotë: ”Gëzohu se filan shtet pranoi të japë vizë për të qëndruar.”

Nëna e Musait [alejhis-selam] mbeti shtatzënë pikërisht në kohën kur Faraoni kishte urdhëruar që çdo fëmijë mashkull, i cili lind tek çifutët, të vritej. Kushedi sa ka shpresuar nëna e Musait [alejhis-selam] që fëmija i saj të jetë vajzë, me qëllim që të mos vritet. Kushedi sa ka vuajtur nëna e Musait [alejhis-selam], teksa jetonte me ndjenjën se mund të jetë djalë dhe do e vrasin. Pasi lindi dhe e pa se është djalë, All-llahu i Madhërishëm e frymëzoi: Ne nënën e Musait e frymëzuam: Ushqeje me gji dhe kur të kesh frikë, atëherë hidhe në lumë. (El-Kassas: 7) O Vëlla, a e imagjinon se sa të thyer e ka pasur zemrën ajo, teksa hidhte foshnjen e saj në lum?

Kur’ani në suren El-Kassas përshkruan konfliktin që po ndodhte në Egjipt, mes Faraonit mizor dhe hebrenjvë që jetonin të shtypur nën thundrën e tij. Është një histori që tregon vuajtjet e një populli të tërë. Fillimi i kësaj sureje është: “Me të vërtetë, Faraoni ka ngritur kokën lart në tokë, e popullin e tij e ka grupëzuar dhe një grup prej tyre e shtyp, ashtu që djemtë e tyre ua mbyt, e gratë e tyre ua lë të jetojnë. Vërtet, ai ishte prej më shkatërrimtarëve. E Ne duam t’i lartësojmë ata që u shtypën në tokë, t’i bëjmë udhëheqës dhe t’i bëjmë trashëgues. Dhe atyre t’u japim pushtet në tokë, kurse Faraonit, Hamanit dhe ushtrisë së tyre t’ua tregojmë atë që i ruheshin.” (El-Kassas: 4-6)

Teksa flet mbi vuajtjet e një populli, All-llahu i Madhërishëm në ajetin tjetër fillon të flasë mbi nënën e Musait [alejhis-selam]: Ne nënën e Musait e frymëzuam: Ushqeje me gji dhe kur të kesh frikë, atëherë hidhe në lumë dhe mos u frikëso, as mos u pikëllo, se Ne do të ta kthejmë ty dhe do ta bëjmë atë nga të dërguarit.” (El-Kassas: 7)

Sureja El-Kassas kalon nga shqetësimet e një populli të vuajtur, tek shqetësimi dhe zemra e thyer e një nëne. Sureja El-Kassas kalon nga historia e një populli, me të cilin do të ndryshojë rrjedha e historisë më pas, në historinë e një nëne të vetme. E gjitha kjo, për shkakun se zemra e kësaj nëne ishte thyer dhe ishte shqetësuar për të ardhmen e djalit të saj.

Pasi nëna e hedh Musanë [alejhis-selam] foshnje në lum, ai përfundon në familjen e Faraonit. Foshnja, pasi kishte pirë nga qumështi i nënës, nuk pranonte asnjë nënë tjetër për t’u ushqyer nga gjiri i saj: “Dhe ashtu e kthyem te nëna e vet që ajo të jetë e kënaqur e jo e pikëlluar dhe ta kuptojë se premtimi i All-llahut është i vërtet , i sigurt, por shumica e tyre nuk e dinë.” (El-Kassas: 13)

El-Xhebbaru ishte përkrah profetit Muhammed [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ditën që vajti në Taif. Atje Profetin e gjuajtën me gurë, e shanë dhe e ofenduan. Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] së bashku me Zejdin, vraponin dhe përpiqeshin t’u ruhen gurëve që hidheshin mbi ta. Vetë Zejdi e mbulonte Profetin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] me trupin e tij, me qëllim që gurët të mos preknin Profetin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], por atë. Me të gjetur një vend ku mund të pushonin, Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] me këmbët dhe trupin e gjakosur, iu drejtua El-Xhebbarit me lutje: ”O Zot! Unë ankohem tek Ti për fuqinë time të dobët, për mundësitë e pakta që kam dhe për pamundësinë time tek njerëzit. Ti je Zoti i botërave, Ti je Zoti i të dobëtëve, Ti je Zoti im! O Zot, në dorë të kujt më le?! Në dorë të një të largëti (fisit Thekif) të ngrysur apo në dorë të një të afërti (fisit Kurejsh), të cilit ia ke lënë në dorë çështjen time. Nëse nuk je i zemëruar me mua, nuk pyes për gjë tjetër. Kërkoj mbrojtje nga drita Jote, e cila ka ndriçuar errësirat dhe që me të është rregulluar çështja e kësaj bote dhe botës tjetër, që të mos bjerë mbi mua zemërimi Yt dhe pakënaqësia Jote. Tek Ti pendohem, derisa të kënaqesh dhe nuk ka forcë përveç forcës Tënde.” Ajo që ndodhi më pas është se një djalosh skllav, vjen tek Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] për t’i ofruar një cep rrushi. Më pas ky skllav do të pranojë Islamin dhe do t’i puthë këmbët Profetit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], pasi besoi se ai është i Dërguari i Zotit. Ndihma dhe përkrahja e Zotit mund mos të vijë e plotë. Ajo mund të vijë pjesë-pjesë. Ka mundësi që Zoti mos ta japë njëherazi të drejtën që të takon. Këtë e bën për shkaqe që i di vetëm Ai, megjithatë të çon mesazhe dhe sinjale për të qetësuar. Herë të çon një fëmijë të vogël që të puth duart. Herë të tjera të kënaq me përqafimin dhe përkëdheljen e fëmijëve të tu.

Ndodhia me Addasin që besoi në Profetin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ishte një sinjal i ndihmës dhe përkrahjes së madhe. Më vonë, Profetit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] i erdhi ndihma e madhe, Israja dhe Miraxhi. O i Dërguari i Zotit, nëse banorët e tokës janë sjellë keq me ty, tani do të shohësh gradën dhe vendin tënd tek Zoti i Madhërishëm. Nëse banorët e tokës të gjuajnë me gurë, tani do të udhëtosh në lartësi, të cilat nuk i ka parë askush nga njerëzit.

Umeti musliman po kalon periudha të vështira, në të cilat ka nevojë për ndihmën dhe përkrahjen e El-Xhebbarit.

Një pikë tjetër e rëndësishme tek emri El-Xhebbar është se Zoti, që të shërojë thyerjen e zemrës tënde dhe të ndihmojë, duhet të hakmerret ndaj atij që të ka bërë padrejtësi. Ai do të ndihmojë ty dhe do të ndëshkojë atë që të ka shkaktuar dhimbje dhe vuajtje. Kështu, emri El-Xhebbar u vjen në ndihmë hallexhinjve dhe ndëshkon kriminelët dhe të padrejtët. Ai është emër për të gjithë të vuajturit, të shqetësuarit, hallexhinjtë dhe të gjithë atyre që u është thyer zemra.

Emri El-Xhebbar ndryshon nga emri El-Muntekim (Hakmarrës), pasi El-Xhebbar shërben edhe për ata që u është bërë padrejtësi, edhe për ata që kanë bërë padrejtësi. Kurse emri El-Muntekim ëshë vetëm për të ndëshkuar ata që kanë bërë padrejtësi.

Një fjalë e urtë arabe thotë: ”Më mirë të të bëhet padrejtësi, se sa të bësh padrejtësi.” Është më mirë të rrjedhin lotë nga padrejtësitë e shumta që të bëhen, se sa të presësh kur do të vijë ndëshkimi dhe hakmarrja e Zotit, për padrejtësitë që u ke bërë të tjerëve. Në atë çast që të është bërë padrejtësi, dije se ndihmën dhe përkrahjen e Zotit e ke me vete. 

Nëse ke shërbëtorë në shtëpi ose punëtorë në kompaninë që drejton, ruhu se mos sillesh padrejtësisht me ta. Atyre mund t’u rrjedhin lotë dhe mund t’ia zgjasin duart El-Xhebbarit, duke i kërkuar drejtësi dhe ti mund të ndëshkohesh.

Sa mirë do të ishte që njerëzimi të jetonte dhe t’i përjetonte emrat e bukur të All-llahut të Madhërishëm! Nëse emrin El-Xhebbar do ta përjetonim siç duhet, do të kishim frikë t’i bëjmë padrejtësi dikujt. Menjëherë do të shkonim t’i kërkonim të falur dhe do t’i puthnim duart.

Ata njerëz që favorizojnë të afërmit e tyre dhe i emërojnë në poste, edhe pse ka të tjerë më të aftë, të kenë frikë nga El-Xhebbari.

Le të përmendim edhe një kuptim tjetër të emrit El-Xhebbar: Ndodh që t’u bësh padrejtësi të tjerëve dhe Zoti të ndëshkon, për të vendosur të drejtën në vend. Ndëshkimi të bën të vuash, të thyen zemrën dhe të rrjedhin lotë. Për këtë, kërkon ndihmën dhe përkrahjen e El-Xhebbarit. Ndëshkimin e Tij, Zoti e kthen në mëshirë, përkrahje dhe mirësi për ty.

“Thuaj: O Zot, Sundues i çdo sendi, Ti ia jep pushtetin atij që do, Ti ia heq pushtetin atij që do, e lartëson atë që do dhe e përul atë që do. Çdo e mirë është vetëm në dorën Tënde, vërtet, Ti ke mundësi për çdo gjë!” (El-A’raf: 26)

Musai [alejhis-selam] goditi një njeri me grusht dhe ai vdiq. Për këtë, u detyrua të largohej nga vendi. Kjo ishte një thyerje e rëndë për Musanë [alejhis-selam]. Por kjo u kompensua me një nga mirësitë më të mëdha, pasi këto dhjetë vite që kaloi larg vendit të tij, e përgatitën për t’u bërë profet më vonë.

Tregohet se një burrë i martuar, me dy fëmijë, ishte shumë i dhënë pas humorit dhe i bënte të gjithë për të qeshur. Për këtë, ai përdorte njerëzit e tjerë, të cilët i vinte në lojë. Nuk tregonte asnjë interes për familjen, nuk ishte fetar dhe humori zinte pjesën më të madhe të jetës së tij. Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë: ”Një njeri mund të thotë një fjalë, pa i kushtuar rëndësi, por që shkakton zemërimin e Zotit, dhe është ajo fjalë që e gremis në zjarrin e Xhehenemit për shtatëdhjetë vite.” All-llahu i Madhërishëm na i fal shumë fjalë dhe veprime që i bëjmë, por ka disa që nuk kalojnë pa ndëshkim. Një ditë, personazhi ynë zgjodhi për të vënë në lojë një të verbër. Me të parë të verbrin duke kaluar rrugës, i vajti nga pas dhe, duke ecur, filloi të imitonte çdo lëvizje të tij, me qëllim që të qeshin shokët e vet. Padyshim që i verbri e ndieu dhe u largua me zemër të thyer. Të gjithë shokët e vet qeshën për momentin dhe jeta vazhdoi si më parë. Pas disa muajsh, gruaja e tij mbetet shtatzanë dhe lind një djalë të verbër. Tregon vetë personi: “Kur lindi djali i verbër, vazhdova i mërzitur dhe i dëshpëruar për disa muaj. Më pas, fillova të mësohem dhe e injorova plotësisht djalin tim. Kujdesesha vetëm për dy fëmijët e tjerë dhe vazhdoja të frekuentoj kafenetë. Me djalin e tretë nuk komunikoja pothuajse fare; ishte gruaja ajo që kujdesej për të. Djali filloi të rritej dhe unë pothuaj nuk bisedoja fare më të. Një ditë, gruaja me dy fëmijët e tjerë, kishin dalë në treg. Kur u zgjova në mëngjes, u gjenda vetëm me djalin e verbër. Duke parë se nëna e tij me vëllezërit po vonoheshin, djali më thotë: ”O baba! Sot është ditë e xhuma, a mundesh të më çosh në xhami të falem?!” - “Unë, – tregon i ati, – u shtanga. Si ka mundësi që djali im shtatë vjeçar dhe i verbër të shkojë të falet në xhami, në një kohë që unë nuk shkoj asnjëherë?! I habitur e pyeta: ”Po ty kush të ka mësuar të shkosh në xhami?” - “Mamaja!” - ma ktheu. “Mirë, – i thashë, – eja të çoj në xhami. Rrugës ndieja se jam në shoqërinë e një të dituri të madh që po më mëson dhe po më udhëzon. Me të hyrë në xhami, djali më kërkoi që t’i lexoj suren El-Kehf. Duke lexuar Kur’an, fillova të qaj me të madhe dhe që nga ajo ditë fillova të falem.”

 

Ndëshkimin dhe thyerjen e zemrës, All-llahu i Madhërishëm e kthen në mirësi

Një njeri, teksa lutej thoshte disa fjalë të bukura dhe interesante: ”O Zot! Habitem me ata që të njohin, si kanë frikë nga njerëzit dhe krijesat e Tua, duke e ditur se Ti je El-Xhebbari! O Zot! Habitem me ata që të njohin, se si i frikësojnë robërit e Tu, duke e ditur se Ti je El-Xhebbari!”

 

 

 

El-Xhebbari Ditën e Kijametit

Momentet më të vështira të Ditës së Kijametit, janë ato momente kur njerëzit do të thërriten për t’u paraqitur përpara All-llahut të Madhërishëm. Gjithë njerëzimi do të jenë të grumbulluar dhe një e nga një do të thërriten emrat e tyre për të dalë përpara Tij. O vëlla dhe o motër, Do të vijnë melekët të marrin edhe ty. Do të dalësh përpara Zotit dhe do të bisedosh direkt me Të, pa ndërmjetës. Melekët do të dallojnë në mesin e miliarda njerëzve, pasi me t’u përmendur emri yt, ty do të kaplojë frika, tmerri dhe turpi. Forma e thirrjes do të jetë: ”Filani, biri i filanit, të vijë të paraqitet përpara El-Xhebbarit.”

Shkaku përse përmendet emri i bukur i Zotit, El-Xhebbar, në këto momente, është se në këtë botë ose të është bërë padrejtësi, ose u ke bërë të tjerëve padrejtësi. Ose ua ke thyer zemrën të tjerëve, ose ta kanë thyer zemrën të tjerët. Ose do të kërkosh të drejtat e tua, ose do të japësh llogari për të drejtat që u ke marrë të tjerëve.

Njeriu është krijuar i dobët dhe besimi i tij herë rritet dhe herë zvogëlohet. Për këtë, njeriu duhet të kërkojë nga El-Xhebbari që ta shijojë adhurimin dhe përkushtimin ndaj Tij. Lute All-llahun e Madhërishëm që të rrjedhin lotë, teksa lexon Kur’an, teksa falesh, teksa lutesh... Kërkoji All-llahut të Madhërishëm ta shijosh adhurimin e Tij.

Musai [alejhis-selam] i kërkoi Zotit t’ia mundësojë ta shohë: E kur Musai erdhi në kohën që ia caktuam dhe i foli Zoti i vet, ai tha: “Zoti im! Ma mundëso pamjen tënde e të shikojë!” Ai (Zoti) i tha: “Ti nuk ke mundësi të më shohësh, por shiko kodrën, e nëse ajo qëndron në vendin e vet, ti do të më shohësh Mua.” Kur u drejtua kah kodra, një pjesë e dritës nga Zoti i tij e bëri atë (kodrën) thërrmi, e Musait i ra të fikët. Kur erdhi në vete, tha: “E lartë është madhëria Jote, pendohem te Ti (për atë që kërkova), dhe unë jam i pari i besimtarëve!” (El-A’raf: 143)

Meqë Zoti nuk ia plotësoi këtë dëshirë dhe kënaqësi, Ai ia kompensoi me diçka tjetër. Këtë e përmend në ajetin pasardhës, ku thotë: ”O Musa, Unë të zgjodha nga të gjithë njerëzit, të bëra profet dhe të flas direkt.” (El-A’raf: 144)

Musai [alejhis-selam] dëshironte ta shohë Zotin, por Ai nuk ia plotësoi këtë dëshirë dhe ia kompensoi me diçka tjetër.

Njerëzit që përfitojnë më shumë nga përkrahja dhe ndihma e All-llahut të Madhërishëm janë prindërit. Prandaj, kurrë mos u sill ashpër me ta. Mos ua thyej zemrën dhe mos i bëj të lotojnë. Kurrë mos të vijë turp nga prindërit dhe të mos duash t’i prezantosh me shokët e tu.

El-Xhebbari t’i lehtëson streset dhe vuajtjet dhe të udhëzon të pendohesh. Ai i plotëson mangësitë e namazit tënd, me namazet nafile që falje. Ai i udhëzon besimtarët dhe njerëzit e mirë të veprojnë punë të mira, të cilat ua fshijnë veprat e këqia. Ai e ndihmoi umetin musliman kur u pushtua nga mongolët dhe i bëri mongolët të pranojnë Islamin. Ai është në ndihmën e skllevërve, saqë ka caktuar lirimin e tyre si mënyrë për faljen e gjynaheve. Ai është në ndihmën dhe përkrahjen e shërbëtorëve, për të cilët Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë: ”I ushqeni me ato që ushqeheni ju dhe mos i ngarkoni me gjëra që nuk kanë mundësi t’i kryejnë.”

Ai përkrah të drejtat e grave, pasi i urdhëron burrat të sillen mirë me to dhe u caktoi pjesën e tyre të trashëgimisë, pasi para Islamit nuk përfitonin nga trashëgimia.

Ai është në përkrahjen e jetimëve duke nxitur besimtarët t’i ndihmojnë dhe t’i përkrahin. Madje, Ai i shpërblen edhe ata që përkrahin jetimët, pasi Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë: ”Unë dhe ai që përkrah jetimin do të jemi si këta dy gishta në Xhennet.”

 

Obligimet tona ndaj emrit El-Xhebbar

  1. Nëse të është bërë padrejtësi dhe je me zemër të thyer, ngriji duart në këto çaste dhe lute

            El-Xhebbarin të ndihmojë dhe të përkrahë.

  1. Nëse i ke bërë padrejtësi dikujt tjetër, shko dhe kërkoji falje, para se të ndëshkojë El-Xhebbari.
  2. Ndihmo dikë që është në hall dhe në telash. Nëse njeh një jetim, ndihmoje dhe përkrahe. Nëse ke një të afërm të varfër, ndihmoje me pasurinë tënde. Nëse shikon një hallexhi dhe në nevojë, zgjidhja problemin që ka. Ditën e Kijametit, kur të dalësh para Zotit, i thuaj: ”O El-Xhebbar, ashtu siç i zgjidha hallin robit Tënd në dynja, ma zgjidh Ti tani hallin tim.”
Submitting your vote...
Not rated yet. Be the first who rates this item!
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

19/10/2018
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
05:19 06:5112:3315:3218:0219:24

Urtësi Profetike

Gjërat që i çojnë njerëzit

më shumë në Xhennet

janë devotshmëria

dhe mirësjellja.


Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook