By: Dr. Muhamed Imara

Ligji i gradualitetit në reforma


Gradualiteti është një ligj hyjnor dhe një rregull në univers, i cili nuk ndryshon dhe nuk transformohet. Ai është ligji i krijimit hyjnor, me të cilin është krijuar universi dhe bota mbarë me qiejt dhe tokën e saj. “Është Zoti juaj Allahu, Ai i Cili ka krijuar qiejt dhe tokën në gjashtë ditë..” (Araf: 54).

E gjithë kjo që Zoti ka krijuar në gjashtë ditë, është tregues i gradualitetit, megjithëse Ai është i Plotfuqishmi dhe nëse do të dëshironte, do t`i krijonte në një çast, duke thënë: “Bëhu”! dhe çdo gjë do të bëhej.

Gradualiteti është ligji i Zotit në krijimin e njeriut në pesë fazat e tij (dheu nga i cili u krijua Ademi (a.s), më pas uji, balta e tharë, balta e zezë dhe në fund baltë me aromë…) dhënia e shpirtit ishte një fazë tjetër, e cila mundësoi që kjo krijesë të quhet njeri.

Ademi (a.s) ishte njeriu i parë, për të cilin Zoti thotë: “Shembulli i Isait tek Zoti është si shembulli i Ademit, të cilin (Allahu) e krijoi nga dheu..” (Ali Imran: 59), si dhe: “Dhe përkujto kur Zoti yt iu tha engjëjve: Unë po krijoj njeriun nga balta e thatë, e zezë me aromë, e kur ta përsos atë (në formën e njeriut) dhe t’i jap atij shpirtin, që është krijesë e Imja, ju bini atij në sexhde.” (Hixhr: 28-29).

Zoti ka krijuar çdo pasardhës të Ademit (a.s) sipas ligjit të gradualitetit. Ai thotë: “Ne e krijuam njeriun nga një lëng (ajkë) prej balte e më pas atë e bëmë një pikë uji në një vend të sigurtë. Më pas atë pikë uji e bëmë copë gjaku, e gjakun e ngurtë e bëmë copë mishi, e copën e mishit e bëmë eshtra dhe eshtrat i veshëm me mish e më pas atë e bëmë krijesë tjetër (me shpirt), i lartë është Allahu, Ai është Krijuesi më i mirë”. (Muminun: 12-14).

Ligji i gradualitetit është një ligj i pandryshueshëm i Zotit në krijimin e universit, botës, njeriut të parë dhe mbarë njerëzimit. Zoti ka dashur gjithashtu, që ligji i gradualitetit dhe i evoluimit të jetë një ligj i pandryshueshëm për të gjitha shpalljet hyjnore, si një “bujari” e Zotit mbi njerëzit. Mejithëse Zoti ka zbritur një fe (në aspektin e besimit), Ai ka zbritur shumë të drejta, që iu përgjigjën aktualitetit dhe zhvillimit intelektual të atyre popujve.

Periudha profetike dhe ligji i gradualitetit

Në të drejtën islame, ligji i gradualitetit është gjithashtu një ligj i pandryshueshëm i cili është marrë në konsideratë. Islami, si një fe universale dhe e përjetshme, në periudhën e Mekës - që zgjati 13 vite -, filloi të trajtonte çështjet e formimit të njeriut, shoqërisë besimtare dhe brezit unik në përputhje me vlerat dhe parimet e tij. Islami filloi ndryshimin e madh, rrënjesor, të thellë dhe gjithëpërfshirës nga e brendshmja e njeriut, në mënyrë që më pas ky njeri të jetë i aftë të rregullojë aktualitetin e tij në përputhje me sistemin e vlerave të besimit “Zoti nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë vetveten e tyre”. (Rrad: 11).

Ligji i gradualitetit ishte prezent edhe në periudhën e Medines - që zgjati 10 vite. Shoqëria muslimane, megjithëse tashmë kishte ngritur civilizim dhe posedonte të gjithë mekanizmat dhe elementët e tij identifikues, nuk lejoi që rastësia të zërë vendin e gradualitetit dhe as revolucioni të zërë vendin e reformave në plotësimin e dispozitave dhe zbatimin e të drejtës islame. Krahas gradualitetit të shpalljes hyjnore, ishte dhe gradualiteti në zbatimin e të drejtës, në përputhje me gradualitetin e ndryshimit të njeriut, i cili do të mund ta zbatonte të plotë atë, ashtu siç ishte edhe gradualiteti në ndryshimin e aktualitetit, ku do të zbatohej e drejta islame.

Marrim si shembull sistemin e trashëgimisë, që është zbatuar në vitin e tretë Hixhri, rreth 16 vite pas fillimit të Shpalljes. Sistemi i së drejtës civile islame në lidhje me familjen, martesën, divorcin, kontributin dhe përkujdesjen monetare në familje, si dhe dispozitat e tjera që kanë të bëjnë me këtë fushë, në aspektin e zbritjes dhe zbatueshmërisë janë plotësuar në vitin e shtatë Hixhri, pra rreth 20 vite pas fillimit të shpalljes. E drejta penale - si në aspektin e dispozitave, ashtu edhe në zbatueshmërinë e saj - është plotësuar gradualisht në vitin e tetë Hixhri, rreth 21 vite pas fillimit të Shpalljes.

Gradualitet pati edhe në dispozitat e ndalimit të alkolit, ku në fillim u kritikua, pastaj u paralajmërua dhe më pas - në vitin e tetë hixhri, rreth 21 vite pas fillimit të Shpalljes – alkoli u ndalua përfundimisht.

Ndalimi i kamatës u bë në vitin e nëntë Hixhri, pasi në shoqërinë islame u krijua alternativa e sistemit ekonomik islam, i cili tashmë zuri vendin e sistemit ekonomik paraislam të vjetër. Tashmë,ishte e mundur, që të zbatohej një filozofi e re në sistemin ekonomik pa kamatë dhe në të gjithë transaksionet dhe veprimet e tjera të tij.

Ligji i gradualitetit ishte i pandryshueshëm, madje edhe në ritet dhe adhurimet islame. Namazi me formën e tij të plotë është bërë obligim natën e Israsë dhe Miraxhit, dy vite para Hixhretit, pra në vitin e njëmbëdhjetë të Shpalljes. Kështu ndodhi edhe me agjërimin, Zekatin dhe Haxhin, që u bënë obligim në periudhën e Medinës. Shoqëria njerëzore është gjithmonë në lëvizje, ajo ka ciklet e saj, në të cilat drejtësia dhe padrejtësia i lënë vendin njëra-tjetrës. Ky është ligji i ndryshimit në të gjithë historinë njerëzore.

Transmetohet se profeti Muhamed (a.s) ka përmendur një hadith, ku shpjegon shumë qartë të gjithë llojet e reformave dhe shenjat e tyre në shoqërinë njerëzore: “Shumë pak do të ketë drejtësi pas meje dhe më pas do të ketë shumë padrejtësi. Sa herë që shtohet padrejtësia, largohet drejtësia, derisa do të mendohet se nuk ka pasur drejtësi asnjëherë. Më pas Zoti do të sjellë drejtësi dhe sa herë që drejtësia do të shtohet, aq herë padrejtësia do të largohet dhe do të mendohet, se nuk ka pasur asnjëherë padrejtësi”. (Imam Ahmedi).

Përplasja e cikleve të drejtësisë dhe padrejtësisë, e rregullimit dhe shkatërrimit, është ligji që shoqëron njerëzimin dhe ndryshimi në këto përplasje vjen si pasojë e ligjit të gradualitetit. Aq sa do të jetë masa e të keqes dhe padrejtësisë në njërin krah, po aq do të jetë edhe masa e të mirës dhe drejtësisë që largohet në krahun tjetër. Ne jemi përballë gradualitetit edhe në fenomenin e lindjes dhe perëndimit të diellit, megjithëse dikujt mund t`i duket “rastësi” apo “spontanitet”. Asgjë nuk ndodh rastësisht, pasi gjithçka kalon nga rruga e ligjit të gradualitetit në ndryshim.


Submitting your vote...
Not rated yet. Be the first who rates this item!
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

09/12/2019
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
05:09 06:4811:3913:5716:1717:46

Urtësi Profetike

Gjërat që i çojnë njerëzit

më shumë në Xhennet

janë devotshmëria

dhe mirësjellja.


Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook