A është e dhunshme shoqëria shqiptare?


 “E kaluara dhe mungesa e drejtësisë kanë kriminalizuar shoqërinë”


Mendoj që po. Dhuna duket e pranishme në një masë të konsiderueshme në shoqërinë shqiptare dhe në një mënyrë a në një tjetër na rrethon kudo. Kjo dëshmohet jo vetëm në kronikat e zeza, por në përditshmërinë tonë. Mjaft të hipësh në autobuz apo të lëvizësh me makinë, lëre pastaj nëse të ndodh të ndeshesh me gjykatat, zyrat shtetërore, apo hipotekat. Madje jo vetëm në rrugët e qyteteve tona, por edhe në podiumet politike, në ekranet e televizioneve, në faqet e gazetave, në forumet dhe blogjet e internetit... Ngado ndeshesh me njerëz të acaruar, që prodhojnë dhe imponojnë konfliktualitet. Ja psh. Të ndodh që të lexosh ndonje koment apo analizë, vërtetë interesante në shtypin shqiptar dhe mendon se vërtetë autori ia ka qëlluar të ofrojë një ide me vlerë. Sapo hap internetin dhe shikon komentet, do të ndeshësh në një shpërthim agresiviteti, përbaltjeje e prepotence, të cilat janë gati ta cojnë autorin në burg për agjitacion e propagandë. Eshtë vërtetë shqetësuese, të mendosh se në cfarë mjedisi të duhet të diskutosh problemet e kësaj shoqërie. Në njëfarë mënyrë, jo vetëm që agresiviteti është bërë pjesë e sjelljes së përgjithshme të shoqërisë, por duket se njerëzit e kanë humbur besimin se e drejta e tyre, marrëdhëniet njerëzore mund të rregullohen me mjete te tjera përvec forcës. Në fakt, agresiviteti i kultivuar në media, është edhe më problematik, pasi ushqen shoqërinë me një frymë që prodhon polarizime të pashëndetshme shoqërore, të cilat, nëse pompohen vazhdimisht, bëhen një gangrenë e vërtetë për zhvillimin e shoqërisë.

Mund të tolerohet agresiviteti i shfaqur tek njerëzit e thjeshtë, apo tek komentuesit amatorë të blogjeve, por është e pafalshme ai i shfaqur tek elitat, të cilat do të duhet të kishin për armë arsyen e jo fishkëllimat. Fatkeqësisht mjedisi shqiptar, e për më tepër opinioni publik në Shqipëri, duket i ngarkuar ndjeshëm me tensione, që e pengojnë arsyen të zërë vend.

Ne pamë përpara syve tanë fytyrën e trishtuar të gjithë kësaj në 21 janar. Ishte gjithcka e mjerueshme, të mendosh se për sa pak janë gati të vriten njerëzit në këtë vend. Dhe më e frikshme është të mendosh se, e gjithë kjo tragjedi bëhet, ndërkohë që shumë pak njerëz janë të përfshirë. Pjesa më e madhe qëndron e heshtur jashtë, por gjendet e viktimizuar prej kësaj pakice, që mban peng qetësinë e të gjithëve. E gjithë kjo nuk është thjesht një ngjarje. Ajo nuk ndodhi befash dhe nuk shpërtheu rastësisht. Ajo është një tregues i tensioneve të brendshme që kjo shoqëri akumulon brenda vetes, e që, në momentin që gjejnë një pikë të dobët në tollumbacen e nënvetëdijes, shëpërthejnë vrrullshëm duke provokuar tragjedira.

Cilat janë shkaqet e këtij realiteti që prodhon dhunë?

Janë shumë. Por normalisht disa duket të jenë më kryesore. Sigurisht, e kaluara tragjike e 50 viteve diktaturë është jo pa peshë në këtë realitet. Një popull i ndrydhur, i shtypur, i kërcënuar sistematikisht për një gjysëm shekulli, e ka të vështirë të përmbahet dhe të kontrollojë impulset e veta gjatë lirisë. Gjithashtu, një sërë vesesh të fituara gjatë diktaturës si psh. militantizmi, paragjykimet, mungesa e racionalitetit, mostoleranca ndaj diversitetit, demaskimet publike, prirja për të parë kudo armiq të jashtëm e të brendshëm, por mbi të gjitha, ngurtësimi i shpirtit që kultivoi “njeriu i ri” i prodhuar nga laboratorët e inxhinierisë shoqërore komuniste, kanë lënë ende pas shkretëtirën e tyre, ku lulëzon ky lloj kaktusi komunikimi si ky që zhvillojmë sot.

Për rrjedhojë, në këtë linjë mendimi mund të shohim edhe shumë shkaqe të tjera. Një prej më të rëndësishmëve, mund të themi se është mungesa e drejtësisë. Natyrisht, kur nuk ka drejtësi, kur institucionet nuk funksionojnë dhe kur njeriu nuk gjen mjete dhe gjuhë për të zgjidhur problemet e tij, ai mendon ti zgjidhë gjërat me forcë. Më pas forca pjell forcë dhe dhuna kthehet në rregullatorin e vetëm të marrëdhënieve shoqërore. Kemi parë shpesh dukurinë e vetgjyqësisë, apo, sic pretendohet shpesh, rikthimin e gjakmarrjes. Kjo nuk është gjë tjetër vetëm se tregues i mosfunksionimit të sistemit të drejtësisë. Njerëzit kanë nevojë për ligj dhe rend, dhe kur shteti nuk e ofron këtë, kur gjykatat nuk dënojnë kriminelin, atëherë njeriu mendon ti dalë vetë për zot hakut të vet, duke e cuar drejtësinë në vend, sipas mendjes së tij. Si rrjedhim, njerëzit krijojnë drejtësi paralele, kur drejtësia nuk ekziston, njerëzit krijojnë shtet paralel kur shteti nuk ekziston.

Një tjetër shkak i shtimit të dhunës është edhe mungesa e arsyes. Përgjithësisht arsyeja është ajo që i bën njerëzit të përmbajtur, dhe mungesa e saj prodhon agresivitet. Përgjithësisht, kultura shqiptare sot dëshmon një nivel të ulët të zhvillimit të arsyes, e për rrjedhojë një nivel të lartë emotiviteti. Po të shihni, thuajse kudo në debatin publik, mbretëron militantizmi dhe, thuajse asgjë, asnjë ide nuk pritet pozitivisht dhe në mënyrë qytetare. Natyrisht, kjo buron nga fakti që mendimi shqiptar është ende i pacliruar nga skemat doktrinore të trashëguara, ndaj dhe funksionon në mënyrë dogmatike, gjë që e paralizon arsyen. Kjo bën që shqiptarët, opinioni publik shqiptar të jenë skeptik ndaj mendimit, ideve, debatit, por të mendojnë gjithnjë për të triumfuar ndaj të tjerëve, në pavarësi nga niveli i argumenteve që secili ofron. E gjithë kjo bën që njerëzit të synojnë tu imponohen njëri-tjetrit nëpërmjet dhunës dhe jo nëpërmjet arsyes.

A është kjo një dukuri vetëm shqiptare apo është normale të jetë kështu

Nuk besoj që dhuna ka ndonjë lidhje gjenetike me shqiptarët, për të qenë tipar i qenësishëm i kësaj shoqërie. Më tepër ajo është tipar karakteristikë i kohëve dhe problemeve të shumta sociale që kjo shoqëri po kalon. Në një plan historik, natyrisht nuk ka qenë gjithmonë kështu. Trashëgimia tradicionale shqiptare, megjithë luftërat e shumta që shqiptarët janë detyruar të bëjnë, në thelb shfaq karakteristikat e një shoqërie të përmbajtur. Agresiviteti i sotëm, është më tepër një dukuri moderne e ndërthurur me probleme të tranzicionit. Shumë vende shqetësohen për nivele të larta të kriminalitetit. Përgjithësisht vendet e industrializuara kanë shumë probleme në këtë drejtim. Kjo vjen për shumë arsye. Sipas një pjese të mirë të studiuesve, si psh. Nisbet, kjo vjen për shkak të pasigurisë dhe vetmisë që karakterizon njeriun modern, si pasojë e mosfunksionimit të strukturave tradicionale që mbështesin frymën komunitare mes njerëzve. Njeriu modern, i gjendur përballë ndërprerjes së lidhjeve sociale, përballë pasigurive në rritje të botës moderne, përjeton një gjendje ankthi të vazhdueshme, prej nga burojnë pjesa kryesore e shqetësimeve psiko-sociale, ku mund të përfshijmë edhe kriminalitetin, shpesh patologjik, që haset në shoqëritë e sotme të industrializuara. Mënyra moderne e të jetuarit bën që njeriu sot të mos jetojmë më në bashkësi, por në vetmi. Atomizmi shoqëror, një problem mjaft i diskutuar sot mes sociologëve dhe filozofëve, prodhon dukuri të cilat sjellin mjaft shqetësim. Jo vetëm mosfunksionimi reagimit shoqëror që do të duhej të ekzistonte nëse do të kishim një jetë komunitare funksionale, por edhe mosfunksionimi i zbutjes së tensioneve që sjell një komunitet i shëndetshëm, bën që njeriu modern të jetë mjaft i ekspozuar ndaj alternativave devijante të jetesës që ofron krimi, si dhe ndaj problemeve psiko-sociale që shpesh i shtyjnë njerëzit drejt sjelljeve të tilla.

A po ndodh e njëjta gjë në Shqipëri

Deri diku po, për sa kohë shoqëria shqiptare po ecën me ritme të shpejta drejt modernizimit. Megjithatë, janë faktorë të tjerë që e bëjnë këtë shoqëri të jetë më ndryshe, duke bërë që përmasat e kriminalitetit dhe agresivitetit të jenë shumë më të mëdha. Agresiviteti shqiptar është më tepër një mpleksje e problemeve të modernitetit të sotëm, të implementuar në mënyrë krejtësisht kaotike, me një të kaluar mjaft problematike që buron nga trashëgimia diktatoriale. Ai është më tepër një produkt i tranzicionit. Një shoqëri e tillë, është në një moment ku vlerat shkuara janë zvetënuar, ndërkohë që njerëzit nuk po dijnë ende të gjejnë të rejat. Kjo bën që njerëzit ta kenë të vështirë të gjejnë gjuhën e konsensusit në lidhje me shumë cështje, në punë, në familje, në jetën e përditshme, gjë që bën që marrëdhëniet e tyre të karakterizohen në një masë të konsiderueshme nga konfliktualiteti. Për sa kohë që njerëzit nuk kanë vlera të qendrueshme të cilave u referohen, ata do ta kenë të vështirë të ndajnë sic duhet jetën e tyre. Ata do ta kenë të vështirë të merren vesh se ku qëndron e drejta e njërit e ku e tjetrit dhe kjo nuk do të mund të kalojë pa probleme. Por megjithatë, ajo që mbetet të bëhet, në kushte të tilla, është përmbajtja dhe kultivimi i racionalitetit, si të vetmet mjete, të cilat bëjnë të mundur krijimin e një klime më bashkëpunuese, e cila do të mund të kultivojë mundësitë për tu marrë vesh. Të gjitha këto, kërkojnë në rradhë të parë angazhimin e një klase intelektuale, të aftë për të ofruar orientime të pranueshme, gjë që nuk po e shohim. Këtu mendoj që qëndron edhe problemi më i madh. Mbetet vetëm të shpresojmë që brezi i ri të mos marrë veset e të sotmit, për të shpresuar që në një të ardhme, shoqëria shqiptare të mund të gjejë rrugët e veta drejt përmirësimit.

Intervistoi Bledar Lumani

 

Marre nga www.e-zani.com

Submitting your vote...
Rating: 5.0 of 5. 1 vote(s).
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

22/10/2014
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
05:22 06:5512:3215:2817:5719:19

Kujtesë

Ju kujtojmë që

Dt. 25 Tetor

është dita e parë

e muajit Muharrem,

Viti i ri  Hixhri 1436

sipas kalendarit Hënor.

 

--------------------------

 

Ju kujtojmë që

ditën e Dielë

dt. 26 Tetor 2014

pritet të bëhet 

ndryshimi i orës 60' prapa.

Kjo do të ndikojë

në ndryshimin e orareve

të faljes.

 

Urtësi

Kur ia bën dikujt me gisht,

mos harro se vetes

po i drejton tre gishta.

Proverb anglez

Hutbe

Flash is required!

Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook