By: Dr. Muhamed Sherif Salim

Abuzimi seksual me fëmijët


Abuzimi seksual me fëmijët është shndërruar në një realitet të dhimbshëm në botën ku jetojmë. Ai është një fenomen shumë herë më i përhapur seç mendojnë njerëzit. Sipas sondazheve dhe anketimeve të ndryshme, është vërtetuar se një në çdo pesë gra kanë pranuar se është abuzuar me ta seksualisht gjatë fëmijërisë. Ndërkohë, tek burrat përqindja ndryshon, një në njëzet.

Përkufizimi: Çfarëdo akti me natyrë seksuale që i adresohet fëmijës, nga një person i rritur, ose një fëmijë më i madh se ai. Akti në fjalë, mund të jetë prekje e organeve gjenitale të fëmijës, ose detyrimi që fëmija ti prekë një më të rrituri, burrë apo grua, organet e tij/saj gjenitale. Ekzistojnë dhe forma të tjera abuzimi seksual, si detyrimi i fëmijës të shohë organe gjenitale, fragMente të aktit seksual në një video-regjistrim etj...

Përgjithësisht, abuzimi seksual me fëmijët ndodh nga një person i rritur të cilët fëmijët e njohin dhe që ka pushtet ndaj tyre. Abuzuesi e detyron fëmijën të lidhet me të, duke e joshur me dhurata e marifete të ndryshme, ose thjesht e detyron të bëhet pjesë e aktit seksual.

Ti si prind mund të besosh se fëmija do të tregojë ty ose dikujt tjetër për çfarë i ndodh, por në përgjithësi, abuzuesi e bind atë, ose duke e kërcënuar ose me dhurata, që të mos i tregojë askujt për çfarë ka ndodhur. Përgjithësisht, mënyra si reagon dhe shprehet fëmija ndaj abuzimit është e paqartë dhe enigmatike, ai mund të mjaftohet duke e lënë të nënkuptohet.

Por mund të ndodhë që ai tu tregojë shokëve të tij, të cilët nga ana e tyre i tregojnë një më të rrituri. Ose mund të tregojë pasi të shohë një program i cili trajton mënyrat si të ruhen fëmijët nga ngacmimet dhe abuzimet e këtij lloji.

 

Sinjale që mund të nënkuptojnë një abuzim seksual ndaj fëmijës:

Frikë nga një person ose një vend i caktuar.

Reagim i çuditshëm ose i papritur kur pyetet nëse dikush e ka prekur.

Frikë e pajustifikueshme nga një kontroll fizik.

Vizatime me sinjalistikë seksuale

Ndryshime të befasishme në sjellje, humbja e kontrollit, urinim i pavullnetshëm etj...

Njohja e befasishme e emrave të organeve seksuale, terma seksual dhe manifestim të pozicioneve të aktit seksual.

Orvatje për të detyruar fëmijët e tjerë që të marrin pjesë në akte seksuale.

Mund të vihen re nga doktori sëmundje seksualisht të transmetueshme, si sekrecione, ose deformim anatomik të anusit dhe organeve seksuale.

Hapi i parë nëse je mësues dhe ballafaqohesh me një abuzim seksual, është njohja e shenjave të abuzimit. Një prej tyre është e pamjaftueshme, prandaj lipset të jenë komplekse dhe të përsëritura. Ato të bëjnë të thellohesh më shumë për atë që i ndodh fëmijës tënd.

Fëmija:

Përkeqësim i papritur i sjelljes dhe rënie në mësime.

Nuk pranon përkujdesin shëndetësor të mjaftueshëm, edhe pse prindërit vërejnë se e ka të nevojshme.

Vështirësi në përqendrim dhe komunikim, e pashpjegueshme kjo nga ndonjë gjendje fizike apo shëndetësore e caktuar.

Gjithmonë është në ankth, sikur pret ti ndodhë diçka e keqe.

Nuk gëzon mbikqyrjen dhe vëmendjen prindërore.

U përgjigjet urdhërave në mënyrë të ekzagjeruar, ose vetëmbyllet dhe nuk reagon.

Vjen herët në shkollë ku qëndron gjatë, pa shprehur ndonjë dëshirë për tu kthyer në shtëpi.

Babai ose nëna indiferent/e

Manifeston mungesë interesi ndaj fëmijës.

Dënon dhe fajëson fëmijën për çdo problem në shtëpi.

U kërkon mësuesve ose stafit pedagogjik që të ushtrojnë dhunë fizike ndaj fëmijës së tij si formë ndëshkimi, sa herë që sillet keq.

E shohin fëmijën si të pavlerë, si një barrë të rëndë.

I kërkon fëmijës të korrë rezultatet më të larta akademike ose sportive, rezultate që janë më të larta se mundësitë e tij reale.

Nevojat e tij emocionale dhe rehatllëku, kanë gjithmonë prioritet ndaj atyre të fëmijës.

Komunikimi i fëmijës me një prind të tillë:

Rrallë herë e shohin në sy ose e prekin njëri-tjetrin.

Gjithmonë lënë të nënkuptohen marrëdhëniet e tyre pasive.

E pranojnë se nuk e duan njëri-tjetrin.

 

Keqkomunikimi me fëmijët:

Dallohen disa shenja të cilat shoqërojnë abuzimin ose neglizhimin e fëmijëve: Dhuna fizike, neglizhimi, abuzimi seksual, ndrydhja emocionale dhe shpesh herë hasen më shumë se një lloj në një rast.

Shenjat e dhunës fizike:

Djegie të pajustifikueshme, shenja kafshimi, mavijosje, thyerje, sy të nxirë.

Mungesa të përsëritura në shkollë dhe shenja mavijosjeje.

Urren kohën kur i duhet të kthehet në shtëpi dhe trembet kur i kujtojnë prindërit.

Frikësohet nga të rriturit.

E pranon se plagët janë shkaktuar nga rrahja e njërit prej prindërve.

Shenjat që shfaqen tek prindi abuzues:

Jep arsye dhe justifikime aspak bindëse dhe kontradiktore lidhur me plagët e të birit.

Flet për të birin në mënyrë ofenduese dhe fyese.

Përdor ndëshkimin fizik.

Edhe ai vetë është rritur në një atmosferë të dhunshme.

Shenjat e neglizhimit tek fëmija:

Bën shumë mungesa në shkollë.

Lyp ose vjedh të holla, ëmbëlsira ose ushqim për shokët.

I mungon përkujdesi i duhur shëndetësor, vaksinat, syzet dhe përkudesi për dhëmbët.

Përgjithësisht, është i pistë dhe me erë të keqe.

Veshjet e tij nuk përkojnë me kushtet atmosferike.

Mund të konsumojë lëndë narkotike në adoleshencë.

Pohon se askush nuk interesohet për të në shtëpi.

Babai indiferent dhe neglizhues:

Nuk pyet fare për nevojat e fëmijës së tij.

Duket njeri i akullt në ndjenja, ose i depresuar.

Sillet çuditshëm dhe në mënyrë jo logjike.

Përgjithësisht, merr ilaçe qetësuesë, ose drogëra.

Shenjat e abuzimit seksual tek fëmijët:

Ka vështirësi në të ecur ose në qëndrimin ulur.

Befasisht refuzon të shkojë në sallën e lodrave ose të marrë pjesë në çfarëdo aktiviteti fizik.

Pranon prezencën e anktheve gjatë natës, ose lag shtratin.

Pëson çrregullim të oreksit.

Flet mbi gjëra me karakter seksual dhe bën sjellje të çuditshme dhe të papërshtatshme për moshën e tij.

Shtatzëni ose sëmundje seksualisht të transmetueshme tek vajzat nën moshën 14 vjeçe.

Arratisja nga shtëpia.

Pranon se është abuzuar seksualisht me të nga një rritur, ose nga njëri prej prindërve.

Abuzuesi seksual:

Manifeston sjellje protektive dhe ndjeshmëri të lartë  karshi fëmijës, duke e vëzhguar atë në aktivitetet sociale dhe ndërveprimi me fëmijët e tjerë, sidomos të seksit tjetër.

Duket i vetëmbyllur dhe plot sekrete.

Shumë xheloz dhe dominues ndaj anëtarëve të tjerë të familjes.

 

Si ta mbrosh fëmijën tënd nga abuzimet seksuale:

1 – Këshilla e zakonshme si “Mos u fol njerëzve të huaj” nuk vlen në këtë rast, pasi zakonisht, abuzuesi është një person i afërt me fëmijën.

2 – Mësoja fëmijës njohuritë bazë rreth seksit, mësoji se ka disa organe intime të cilat nuk duhet të lejojë t’ia prekë askush. Nëse prindërit nuk janë rehat ose ndihen në siklet nga kjo, le ta bëjnë njerëzit e tjerë më të afërm,  xhaxhai ose halla, daja ose tezja, mësuesi ose mësuesja. Edhe psikologu ose psikiatri mund t’ia përcjellin këto njohuri fëmijës.

3 – Tregoji fëmijës se nëse dikush i afrohet dhe orvatet ta prekë në organet seksuale, diçka e tillë është gabim i rëndë dhe ndëshkohet me ligj. Furnizoje me besim që të mund të vetëmbrohet përballë një personi që orvatet ta shfrytëzojë dhe abuzojë me të.

4 – Mos e detyro t’ju japë të afërmve përqafime e puthje vend e pavend. Lëre ti shprehë ndjenjat e tij në formën që i përshtatet atij.

5 – Jepi urdhra të qarta dhe të prera që të mos hipë në makinë me njerëz të huaj, pa lejen tuaj të drejtpërdrejtë.

Mos harroni se abuzimi seksual nuk shoqërohet gjithmonë me dhunë dhe se fëmijët kanë tendencë të natyrshme të kenë besim dhe të mbështeten tek të tjerët. Ata mund ti ekzekutojnë urdhërat  që u jepen nëse kjo u fal pranueshmëri dhe dashuri.

Çfarë të bësh nëse dyshon për abuzim seksual?

1 – Nëse fëmija të tregon se dikush ka abuzuar seksualisht me të, gjëja më e rëndësishme është që fjalën e tij ta marrësh seriozisht. Në të kundërt, fëmija i abuzuar do të humbasë besimin tek të gjithë. Nëse ai kërkon ndihmë dhe injorohet, ai do të heqë dorë nga kjo formë dhe nuk do e tregojë më abuzimin, e për rrjedhojë do të vazhdojë të jetë viktimë për muaj e vite me radhë.

2 – Dëgjoje interpretimin e fëmijës tënd teksa e shpjegon abuzimin.

3 – Siguroje se nuk do e lësh me kaq dhe se gjithçka që ka ndodhur nuk ka qenë për faj të tij. është shumë e rëndësishme që mos ta bëni  të ndihet  fajtor për atë çka po i ndodh.

4 – Fali sa më shumë dashuri, qetësi dhe siguri. Nëse je nevrikosur dhe zemëruar, sigurohu që fëmija ta kuptojë se kjo zemëratë nuk i adresohet fëmijës. Thuaji se je krenar për guximin dhe kurajon e tij, se ti e kupton që ai ka frikë dhe është i tmerruar, aq më tepër që abuzimi i ka ardhur nga një person i afërt brenda farefisit.

5 – Drejtohu tek specialisti për ndihmë, një pediatër, një psikolog këshillues për fëmijë, oficer policie, punonjës social apo mësues.

6 – Nëse abuzuesi është një mik apo pjesëtar familjeje, mund të mashtrohesh dhe të orvatesh ta zgjidhësh problemin vetë. Përgjithësisht, kur familjarët rreken ta zgjidhin problemin vetë, thjesht bëjnë një vrimë në ujë, pra dështojnë.

 

Trajtimi:

1 – Përballu me realitetin me kurajo.

2 – Mbaje nën kontroll situatën.

3 – Përballu me problemin që të mënjanosh përsëritjen e një abuzimi të dytë.

4 – Diskutoje dhe pleqëroje problemin me terapistin tënd, ai mund të orfojë mbështetje dhe këshillat e duhura.

5 – Patjetër që çështja duhet çuar edhe në organet kompetente, të cilave u duhet kërkuar të ndërhyjnë.

Kij parasysh se biseda rreth abuzimit seksual mund të jetë shumë e rëndë me fëmijën, nëse është kërcënuar nga abuzuesi, i cili përgjithësisht e njeh shumë mirë fëmijën. E njëjta vështirësi mund të haset edhe tek ti personalisht, nëse e njeh personin abuzues. Megjithatë, organet kompetente duhen njoftuar me qëllim që mos kemi më viktima të tjera fëmijë. Duhet vlerësuar dhe marrë në konsideratë abuzimi dhe lëndimi që ka prekur fëmijën.

 

Rreziqet e abuzimit me fëmijët:

1 – Rreziqet akute, fizike dhe psikologjike për shkak të ekspozimit ndaj dhunës së personave abuzues, tutorëve apo klientëve.

2 – Rreziqet afatgjata; rreziqe fizike, vartësi ndaj lëndëve narkotike, sëmundje mendore e ndonjëherë dhe vdekje. Fëmijë të tillë janë gjithmonë të ekspozuar ndaj dhunës fizike dhe akteve perverse. Në raste të tilla, disa fëmijë kanë frikë të kërkojnë ndihmë pasi mund të arrestohen, ose i frikësohen hakmarrjes së abuzuesve.

Shkaqet e një krimi të tillë:

Mungesa e strehës familjare, varfëria, problemet mendore dhe emocionale, destabiliteti familjar, vartësia e njërit prej prindërve ndaj lëndëve narkotike, dështime në shkollë ose punë etj... radhiten tek shkaqet më të përhapura të abuzimit me fëmijët në industrinë e seksit. Sa më e vogël të jetë mosha e fëmijës dhe sa më pak përvojë jetësore të ketë për tu ballafaquar i vetëm në rrugë, aq më shumë shtohet mundësia për shkëmbim të seksit me para, veshje dhe strehë. Duke u rritur në një ambient dhe atmosferë të tillë, ai e ka më të lehtë të përfshihet në rrjete kriminalistike dhe përdorim të drogës, aq më tepër  që e ka humbur besimin tek të rriturit përreth.

Abuzuesi mund ta marrë fëmijën në një qytet larg vendit ku banon, për të shmangur demaskimin. Nuk duhet të harrojmë se këta fëmijë janë viktima dhe u lipset nevojë emergjente.

Këshillat e Komisionit Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Fëmijëve nga Abuzimi Seksual

Mësoja fëmijës tënd privacinë dhe intimitetin e organeve të trupit.

Dëgjoje fëmijën kur orvatet të tregojë diçka, sidomos nëse vihet në siklet nga ajo që kërkon të thotë.

Jepi fëmijës kohën dhe vëmendjen e mjaftueshme.

Njihu me personat me të cilët fëmija kalon kohën e lirë dhe bëj kujdes nëse ai qëndron me njerëz të panjohur në vende të izoluara. Çdo ditë pyete si e kaloi ditën në kopësht me edukatoren. “Një herë në klinikë më erdhi një nënë me fëmijën e saj, i cili manifestonte akte të turpshme dhe shqiptonte fjalë të pista rreth organeve seksuale. Gjatë seancës dhe pyetjeve me fëmijën, zbulova se sanitarja e cila pastronte banjot e kopështit, e merrte çdo ditë në banjo me pretekstin për të kryer nevojat fiziologjike dhe atje i mësonte fjalët e pista. Ajo i kërkonte ti përsërisë fjalët e piste, teksa i fërkonte organet e saj gjenitale. Në këmbim, i jepte lëngje frutash, pepsi dhe çokollata.”

5 – Interesohu nëse administrata e shkollës është e sensibilizuar lidhur me ngacmimet seksuale me fëmijët dhe fëmijët. Nëse nuk janë, bëj diçka që ata të sensibilizohen, mjafton të fotokopjosh këtë lëndë dhe t’ua japësh drejtorisë së shkollës apo kopështit, për tu shpërndarë më pas tek të gjithë mësuesit.

6 – Bisedo me fëmijën tënd rreth ngacmimit seksual. Për këtë, zgjidh një kohë të përshtatshme, para një pikniku me shkollën për shembull, ose pasi të keni dëgjuar për një ndodhi të tillë në gazetë apo televizion.

Mbrojtja nga ngacmimet seksuale, duhet të fillojë që në fazën parashkollre. Më poshtë, do sjellim një plan për parandalimin e abuzimit seksual sipas grupmoshës së fëmijëve:

1 – 1.5 vjeç, mësoji fëmijës emrat e gjymtyrëve të trupit.

3 – 5 vjeç, mësoji fëmijës organet intime dhe si të bërtasë nëse dikush orvatet t’ia prekë ato. Përgjigju drejtpërdrejt për çdo pyetje që shtron fëmija rreth trupit dhe seksit.

5 – 8 vjeç, diskuto me fëmijën rreth sigurisë larg shtëpisë. Diskuto lidhur me privacinë e trupit, sidomos të atyre organeve që duhen mbuluar me peshqir pas dushit. Motivoje të flasë për përvojat e tij të frikshme.

8 – 12 vjeç, konfirmoja rëndësinë e sigurisë personale dhe vendet ku zakonisht ndodhin probleme, si dhomat e ndërrimit të rrobave, pazaret, vendet e izoluara etj... Diskuto me të rreth etikës publike dhe vlerat e familjes lidhur me çështjet seksuale.

13 – 18 vjeç, konfirmoja herë pas here sigurinë personale dhe vendet problematike. Diskuto me fëmijën tënd rreth problematikës së përdhunimit, lidhjet mes një djali e një vajze dhe tejkalimet e shkeljet që mund të ndodhin, hallallin, haramin, uljen e shikimit, refuzimin e qëndrimit krejt vetëm me një person të seksit tjetër, kufijtë e bisedës me një person të huaj.

 

Ndikimi i abuzimit seksual tek fëmija:

Ekziston një bindje se dëmet dhe efektet e shkaktuara nga një abuzim seksual, shtrihen gjatë gjithë jetën. Në fakt, falë një mbështetjeje dhe ndihmese efikase, fëmija i abuzuar mund të shërohet dhe të bëjë një jetë normale, të ekuilibruar dhe plot marrëdhënie të shëndetshme e të besueshme. Por ekzistojnë disa faktorë të cilët mund ta rëndojnë efektin e ngacmimit seksual tek fëmija:

1 – Mosha e fëmijës në zanafillën e ngacmimeve seksuale. Sa më i vogël të jetë fëmija në çastin kur fillojnë ngacmimet seksuale, aq më shumë i mban mend kujtimet fizike të ngacmimit. Përgjithësisht, ai e ka të pamundur ta shprehë aktin, nuk i ka aftësitë verbale për të shprehur zemëratën e tij. Pra, sa më parë moshës së pubertetit dhe moshës së përcaktimit të identitetit seksual të ndodhë abuzimi, aq më i thellë është ndikimi dhe efekti i tij.

2 – Marrëdhënia mes abuzuesit dhe fëmijës; Besimi i fëmijës tek kujdestari i tij i parë është i domosdoshëm dhe i rëndësishëm për çdo marrëdhënie më pas. Prandaj, sa më i afërt të jetë abuzuesi, aq më e rëndë dhe e madhe bëhet tradhëtia.

3 – Kohëzgjatja e abuzimit; Sa më gjatë të vazhdojë periudha e abuzimit, aq më shumë e fajëson fëmija veten e tij pasi beson se e kishte të mundur ta ndërpresë dhe ti ndalojë, e për rrjedhojë shtohet bindja e tij se është fëmijë i keq dhe fajtor.

4 – Shoqërimi i abuzimit me dhunë. Në shumicën e rasteve, abuzimi seksual shoqërohet me dhunë dhe kërcënime. Nëse fëmija nuk bashkëpunon, dhuna psikologjike bëhet më e madhe.

5 – Ambienti social ku gjendet fëmija gjatë abuzimit. Kur fëmija ka dikë i cili i flet rreth ngacmimit seksual dhe i tërheq vëmendjen, kjo është shumë herë me e dobishme kur atij i mungon dikush që i flet për gjëra të tilla. Në disa familje, fëmija nuk flet nga frika rreth pasojave, p.sh mund të mendojë se nëse u tregon prindërve se vëllai i madh abuzon me të seksualisht, mund ta lëndojë, vrasë ose dërgojë në burg.

Është shumë e rëndësishme që reagimi i prindërve pasi të marrin vesh abuzimin seksual të fëmijës, të jetë sa më i qetë. Po, është normale të nervozoheni dhe të ndiheni të rrënuar shpirtërisht, por fëmija mund ta marrë sikur ia faturoni atij fajin. Fëmija duhet të ndihet i qetë dhe i sigurtë me qëllim që të shprehet dhe të flasë. Ai përfiton shumë nëse i thuhet se kjo u ka ndodhur edhe shumë fëmijëve të tjerë, djem dhe vajza.

6 – Identiteti seksual. Nëse fëmija e ka formuar tashmë identitetin e vet seksual, pasojat e abuzimit seksual do të jenë më të lehta. Kur ngacmimi ose abuzimi ndodh brenda të njëjtit seks (mashkull-mashkull) ose (femër-femër) kjo mbjell frikë dhe pasiguri rreth identitetit seksual. Ne duhet ta dimë se trupi ynë është plot qeliza nervore dhe kur këto qeliza stimulohen nëpërmjet të prekurit) pavarësisht faktit nëse stimuluesi është burrë apo grua) ne e ndjejmë këtë dhe kjo nuk do të thotë absolutisht se jemi homoseksualë.

Këtë mund t’ia shpjegojmë fëmijës duke i kujtuar gudulisjen, e cila na bën të qeshim pavarësisht personit i cili na gudulis.

Por edhe nëse abuzuesi i përket seksit tjetër, kjo mund të ngrejë sërish pikëpyetje rreth identitetit seksual. Kështu, nëse një djalë ngacmohet nga një femër dhe ai nuk reagon dhe nuk eksitohet, ai mund të dyshojë lidhur me burrërinë e tij. E njëjta gjë vlen dhe për vajzat. Sa më e lartë të jetë ndjeshmëria e fëmijës për veten në kohën e ngacmimit, aq më të lehta do të jenë pasojat, madje ai është në gjendje që edhe ti thotë jo aktit dhe të refuzojë.

 

Reagimi yt ndaj abuzimit seksual të fëmijës

Mos e neglizho dhe mos e interpreto si diçka të pamundur.

Mos e ekzagjero reagimin dhe mos lejo të mbërthehesh nga paniku.

Mos e kritiko dhe mos e fajëso fëmijën tënd.

Respektoje privacinë e fëmijës tënd.

Jepi mbështetjen që i lipset me qëllim që t’ia lehtësosh të shprehurit.

Manifestoje ndjeshmërinë tënde emocionale karshi tij, tregoji se e do dhe je i dhembshur me të, me fjalë dhe me vepra.

Shpjegoji se ai s’ka bërë ndonjë gabim dhe se nuk ishte faji i tij.

Ndihmoje ta konceptojë si një krim të personit abuzues, se ai e ka fajin dhe është përgjegjës për çfarë ndodhi.

Kije parasysh se fëmija rrallë herë mund të gënjejë lidhur me abuzimin seksual.

Krijoni një farë komunikimi mes jush.

Dërgoje tek një specialist dhe dije se fëmijës por dhe familjes i lipset të këshillohet me një psikolog profesionist.

Njoftoji organet kompetente lidhur me abuzimin seksual.

Materialet pornografike për fëmijët:

Janë materiale që përmbajnë foto, vizatime, gdhendje, panorama, filma, video etj... të cilat tregojnë aktin seksual me fëmijë ose të rritur, brenda të njëjtit seks ose mes dy sekseve të kundërt.

Imazhet dhe videot me materiale pornografike me fëmijë është një fenomen në rritje dhe një pjesë e madhe tyre përhapen nëpërmjet internetit. Bota e internetit është vështirë të kontrollohet lidhur me materialet pornografike për fëmijë, gjë e cila është shndërruar në një biznes të pavarur. Për këtë , lipset që prindërit dhe kujdestarët e fëmijëve të kontrollojnë dhe vëzhgojnë aktivitetin e fëmijëve në internet dhe të instalojnë programe mbrojtëse në kompjuterët e tyre.

Çfarë e shtyn një person të furnizohet me materiale të tilla?

Joshja dhe eksitimi nga fëmijët e vegjël (pedofilia)

Perversiteti seksual, ata janë gjithmonë në këkrim të përvojave të reja.

Kureshtja seksuale për të provuar mënyra të reja kënaqësie.

Biznesi dhe babëzia për tu pasuruar duke shitur materiale të tilla.

Mosha e fëmijëve të përdorur në këtë lëm:

38 % e fëmijëve të fotografuar dhe filmuar ishin mes 6 dhe 12 vjeç.

39 % nga 3 deri 5 vite.

19 % e fëmijëve ishin nën tre vjeç.

Gjinia e përdorur:

62 % e fotove ishin të vajzave.

14 % e fotove ishin djem.

15 % e tyre ishin të djemve dhe vajzave bashkë.

Cila është përmbajtja e këtyre materialeve?

92 % e fotove përmbanin organe gjenitale të fëmijëve.

80 % ishin foto të aktit seksual mes fëmijëve, por edhe akte të seksit oral.

71 % e materialeve përmbanin aktin seksual mes fëmijëve, por edhe mes tyre dhe të rriturve.

21 % e tyre përmbanin dhunë gjatë aktit seksual, përdhunim, lidhje gjymtyrësh dhe tortura.

1 % përmbanin foto të fëmijëve me organet gjenitale të mbuluara.

 

Ndikimi i pornografisë në jetën e fëmijëve:

Një fëmijë i cili është ekspozuar ndaj një abuzimi të tillë, do të vuajë pasoja shkatërruese gjatë jetës së tij. Madje, besoj se jeta e tij tashmë ka ndryshuar përgjithmonë, jo vetëm për shkak të abuzimit seksual, por edhe për shkak të regjistrimit të këtij akti. Gjatë ngacmimit seksual, përgjithësisht abuzuesi e regjistron aktin e tij në një kasetë videoje, ose bën foto, të cilat i përdor për të ushtruar presion mbi fëmijën me qëllim që ti bindet dhe të mos tregojë. Gjithashtu, ai i regjistron këto akte, me qëllim që ta ruajë të freskët këtë përvojë perverse të tij, edhe kur është larg fëmijës. Kur fotot hidhen në internet,  ato nuk mund të fshihen dhe të hiqen më që aty, gjë e cila e bën fëmijën të jetojë në vuajtje dhe lëndime të pafund, sa herë që i dalin para fotot e tij.

Si i gjejnë fëmijët këta abuzues?

Për fat të keq, këta njerëz nuk e kanë të vështirë të gjejnë prenë e tyre të rradhës, pasi u mjafton të hyjnë në dhomat e chattit që janë vetëm për fëmijë. Aty ata u marrin të gjithë informacionin që fëmijët ua ofrojnë dhe më pas i ruajnë kontaktet me këta fëmijë. Gjatë çdo komunikimi me fëmijët, herë pas here ata orvaten ta miminizojnë kujdesin dhe rezervat e fëmijëve për materialet seksuale. Ata u dërgojnë materiale erotike, derisa fëmijët dhe shokët e tyre të besojnë se janë sjellje të pranueshme. Kështu fillon abuzimi seksual i fëmijës.

Asnjëherë mos harroni se nuk ka fëmijë të mbrojtur nga abuzimet seksuale. Çdo moshë dhe gjini janë të ekspozuar ndaj një problemi të tillë. Abuzuesi e bën për vete fëmijën me anë të dhuratave dhe emocioneve që i fal për një farë kohe. Kjo e ndihmon që të fitojë simpatinë e familjes së fëmijës dhe besimin e tyre. Më kujtohet se një nënë sollin djalin e saj, me të cilin kishte abuzuar vetë xhaxhai i tij. Ai – xhaxhai – manifestonte dashuri dhe dhembshuri të madhe për të gjithë fëmijët e familjes, djem e vajza. Insistonte ti puthë të gjithë, u sillte dhurata dhe ëmbëlsira, si dhe zemërohej shumë kur një nga nënat e fëmijëve, i refuzonte dhuratat dhe ëmbëlsirat e tij, ose manifestonte pakënaqësi ndaj puthjeve të tij të dyshimta. Në fund, të gjithë mbetën të shtangur kur u zbulua se kishte abuzuar me djalin e vëllait të vet.

Prostitucioni: Është një akt ku dikush ofron trupin për kënaqësi seksuale, në këmbim të një përfitimi, para apo çfarëdo tjetër me vlerë. Prostituimi i femrave ka qenë gjithmonë në qëndër të vëmendjes së publikut për shkak të përhapjes së tij. Pothuaj në të njëjtin nivel përhapje dhe rreziku, është dhe prostituimi i fëmijëve.

Si ti mbrojmë fëmijët tanë? Cilat janë efektet e një abuzimi seksual ndaj një fëmije? Si të veprojmë me fëmijën e abuzuar? Cilat janë cilësitë e një abuzuesi?

Këto janë pyetje të cilat u vijnë në mendje shumë prindërve, gjë e cila tregon mbi frikën se mos fëmijët e tyre bien pre e perversitetit të dikujt. Shumë njerëz ndihen në panik pasi kanë lexuar krimet e abuzimeve seksuale, ngacmimeve dhe përdhunimeve të fëmijëve të vegjël, nxënës dhe parashkollorë.

Përdhunuesi mund të jetë një person i cili e ka humbur besimin në vetvete në aspektin seksual, pasi mendon se është impotent dhe i paaftë të kryejë aktin seksual. Duke përdhunuar, ai kërkon të konfirmojë se nuk është impotent dhe se është i aftë seksualisht. Burimi i kënaqësisë dhe eksitimit të tij është pikërisht momenti i përdhunimit, kur ushtron dhunë dhe vë nën kontroll palën tjetër, teksa sheh tmerrin dhe panikun në sytë e viktimës. Kjo i fal siguri, pasi i konfirmon një koncept të rëndësishëm, se ai vetë nuk ka frikë, përkundrazi, është ai që u kall datën të tjerëve. Kështu, fakti që viktima frikësohet, nga përdhunuesi merret si konfirmim se ai është burrë i vërtetë dhe kjo e eksiton në maksimum.

 

Si duket një përdhunues?

Një përdhunues manifeston gjithmonë shenja dhe gjeste frike, ankthi dhe stresi. Fytyra e tij nuk duket e vrazhdë, aq sa duket e përçmuar dhe përbuzur. Personaliteti i një përdhunuesi është i ngjashëm me një psikotik. Ai mund të këtë probleme edhe me orientimin seksual, pra të jetë pervers. Të zbulosh prirjen e dikujt drejt përdhunimit është diçka e vështirë. Megjithatë, një përdhunues karakterizohet nga shumë cilësi, të cilat nëse pikasen janë tregues se personi është i tillë. Këtu mund të përmendim për shembull: Sjelljen agresive të vazhdueshme, egoizëm absolut në kurriz të tjerëve etj... Në raste të tilla, mund të presim prej tij sjellje të turpshme dhe jo domosdoshmërisht vetëm përdhunim dhe pedofili.

Përdhunuesi është një njeri i sëmurë psikologjikisht, mund të ketë vuajtur nga dhuna në fëmijëri, nga privimi emocional, mund të jetë rritur në një familje të shpërbërë. Ai mund të jetë dhe impotent, gjë e cila e shtyn drejt hakmarrjes ndaj shoqërisë. Ai mund të jetë keq edukuar, gjë e cila shkakton tek ai tendenca të forta perversiteti.

 

Disa të vërteta të rëndësishme:

1 - Shumica e abuzimeve seksuale që ndodhin tek fëmijët, abuzuesi është një person tek i cili familja ka besim, një i afërm, një mik ose kujdestari i fëmiijës.

2 – Fëmijët e vegjël, nën moshën dhjetë vjeçare, janë më të ekspozuar ndaj abuzimit seksual, djem apo vajza qofshin.

3 – Abuzimi seksual nuk është kusht të jetë vetëm fizik, por mund të jetë dhe verbal, me prekje, pëlqim i fëmijës, i tregohen fëmijës pamje ose foto me përmbajtje seksuale dhe pornografike etj... e mandej i kërkohet ti veprojë ato që sheh.

4 – Hyrja e një të rrituri në banjo bashkë me fëmijën, e lehtëson abuzimin seksual. Një prind më pati treguar se shërbëtorja e tyre hynte gjithmonë në banjë me djalin e tij pesëvjeçar, ku qëndronin për një kohë të gjatë. Ata luanin shpesh me njëri-tjetrin nën tavolinë, ose nën krevat. Fëmija u kishte treguar se dora e tij mbante një erë të keqe dhe se i vinte për të vjellë kur i merrte erë. Më pas, prindërit kishin kuptuar se shërbëtorja i kërkonte të masturbojë me të gjatë këtyre lojrave.

5 – Përdhunimi i fëmijëve ndodh nga një person i cili është i paaftë të ndërtojë marrëdhënie të ekuilibruar me një person të pjekur, prandaj ai përdor fëmijën.

Prindërit duhet të kenë parasysh se është gabim të përpiqen të sensibilizojnë fëmijët e vegjël (çerdhes) lidhur me këto akte perverse, për faktin se fëmijët nuk e perceptojnë dot konceptin e përdhunimit para moshës 12 vjeçare. Prandaj, lipset të ekzistojë komunikimi i rregullt mes familjes dhe shkollës. Mbikëqyrja nuk duhet të mungojë nga të dy institucionet, të cilat duhet ti vëzhgojnë të gjitha lëvizjet e fëmijës. Nëna dhe babai duhet të shkojnë herë pas here në shkollë për tu siguruar lidhur me sjelljen e fëmijëve të tyre atje. Këto vizita ndihmojnë në konstatimin e sjelljeve të reja dhe të pamësuara të fëmijëve. Po ashtu, e një rëndësie të veçantë është dhe mbikëqyrja e mësueses, e cila duhet të jetë e vëmendshme dhe të garantojë mbrojtje për fëmijët.

Sakaq, sensibilizimi i efektshëm fillon me fëmijët pak para moshës së adoleshencës, gjë të  cilën duhet ta bëjë nëna me vajzën dhe babai me djalin, duke përdorur fjalë të cilat para se të mbërrijnë në mendje, të kalojnë nga zemra.

Fëmijëve u duhet folur herë pas here mbi vlerat dhe virtytet e tyre, tu tregojmë se kemi besim tek ta dhe tek aftësitë e tyre, se për prindërit janë gjithçka dhe se mund të jenë të sigurtë dhe të qetë nga rreziqet.

Fëmijëve u duhet mësuar diferenca mes një prekje rastësore nga dikush dhe një prekje të qëllimishme e cila i kalon kufijtë e normalitetit.

Atyre u duhet thënë se trupi i tyre është pronë e veta, nuk duhet ta dëmtojnë dhe duhet ta mbrojnë nga çdo i huaj.

Nuk kanë përse të frikësohen për të thonë “Jo” ndaj çdo akti jonormal, edhe nëse vjen nga një person i afërt me familjen.

Duhet të zgjedhin shokët dhe duhet që gjithmonë të jenë në mes të një grupi. S’ka nevojë për shoqëri të izoluar larg pjesës tjetër dhe larg syve të rriturve.

U duhet mësuar se disa njerëz përreth, mund të jenë të këqinj, prandaj duhet tu qëndrojnë sa më larg.

U duhet mësuar se nëse dikush u kërkon të mos e tregojnë në familje një akt apo ndodhi të caktuar, duhet t’ua tregojnë prindërve menjëherë, cilido qoftë sekreti mes tyre dhe personave të tjerë.

Duhet tu mësojmë emrat e organeve të trupit, me qëllim që ta kenë më të lehtë të shprehen në rast abuzimi.

Fëmijët duhet ta dinë se nëse ekspozohen ndaj një abuzimi ose thjesht orvatjeje, kjo nuk do të thotë se janë të fëmijë të këqinj dhe nuk duhen fajësuar për këtë akt. Ata thjesht duhet të vënë në dijeni familje dhe të mos frikësohen për pasojat.

 

Përse e fshehin fëmijët abuzimin seksual?

Fëmijët vuajnë dhe lëndohen shumë nga abuzimi seksual me ta dhe mund të mos kenë mundësi ta tregojnë kur u vjen nga një person brenda familjes, ose një i besueshëm për prindërit. Shkaqet përse nuk mund ta tregojnë janë:

Mosha e tyre është e vogël dhe nuk e shprehin dot atë që ka ndodhur.

Mund të jenë kërcënuar me qëllim që të mos tregojnë.

U përzihen gjërat kur abuzuesi manifeston dhembshuri dhe vëmendje me ta.

Mendojnë se familja nuk do i besojë në atë që thonë, mund t’ju vijë turp ose e interpretojnë atë që ndodhi si një ndëshkim për faktin se janë fëmijë paedukatë. Ndonjëherë i frikësohen një problemi më të madh duke i ekspozuar familjarët ndaj një rreziku të paralajmëruar. Për fat të keq, heshtja e fëmijës së abuzuar, e dëmton shumë atë dhe familjarët e tij, e nga ana tjetër mbron abuzuesin.

Nëse fëmijët përgjithësisht nuk tregojnë nëse është abuzuar seksualisht me ta, a ekzistojnë simptoma të cilat mund të ndihmojnë familjen të kuptojë çfarë ka ngjarë?

 

Zakonisht ngacmimet dhe abuzimet me fëmijën fillojnë në mënyrë graduale dhe vetëm rrallë herë ushtrohet dhunë ndaj fëmijës. Në përgjithësi, abuzuesi i kërkon fëmijës bindje të plotë dhe të mos bëjë pyetje fare. Prandaj dhe abuzimi, zakonisht ndodh tek fëmijët që kanë prirje të binden kollaj. Shenjat fizike të abuzimit nuk shfaqen veçse në raste të rralla, por abuzimi mund të zbulohet nëpërmjet ankesave dhe simptomave fizike të pajustifikueshme, siç janë dhimbjet në anus, të qarat, ndjesia e frikës, mungesa e dëshirës për të parë persona dhe vende të caktuara, çrregullime në gjumë, dhimbje koke, tërheqje nga familja, shokët dhe aktivitetet, tendenca agresiviteti ndaj vetes, eufori etj... Ndonjëherë ndodh që këta fëmijë të kryejnë aktin seksual me forcë me fëmijët e tjerë, flasin rreth kësaj teme ose e manifestojnë para familjes.

Çfarë duhet të bëjnë prindërit nëse fëmija u tregon për abuzimin seksual?

Kur fëmija kërkon ndihmën tonë dhe na tregon se është ekspozuar ndaj abuzimit, kjo do të thotë se ai ka besim tek ne dhe kërkon mbështetjen tonë, prandaj duhet të mos e zhgënjejmë, të ruajmë qetësinë dhe të mos i lëmë të kuptojë se jemi zemëruar me të. Fëmija është shumë i ndjeshëm dhe e kupton menjëherë valën e zemëratës që na përfshin dhe të cilën ai e merr si të adresuar ndaj tij. Prandaj, është mirë që ti jepet një mesazh pozitiv duke i thënë:”Unë e di që ti nuk kishe ç’të bëje: “Unë jam krenar që ti më tregove çfarë ka ngjarë” e mandej ti thuhet fëmijës se ai vetë s’ka asnjë faj. Është shumë e rëndësishme që të respektohet fëmija dhe prindërit të mos u tregojnë të tjerëve ç’ka ngjarë në sytë e tij. Ajo që ndodhi duhet të mbetet sekret mes tyre dhe fëmijës.

Një pikë tjetër e rëndësishme është mos ushtrimi i presionit ndaj fëmijës, pasi informacionet që mund të nxirren me zor prej tij, mund ta lëndojnë më shumë. Ai duhet lënë të rrëfejë vetë çfarë ka ndodhur me mënyrën e tij, ndërkohë që ne e dëgjojmë me qetësi dhe pa e ndërprerë.

Çdo babai, nëne dhe njeriu që ka në kujdestari fëmijë të vegjël:

Këto ngjarje tronditëse kanë si autorë individë perversë dhe nuk janë fenomen i përgjithshëm. Autorët e këtyre akteve kriminale janë të sëmurë dhe meritojnë të trajtohen. Prandaj, nuk ka vend për frikë dhe panik të ekzagjeruar. Nuk është me vend që ndodhi dhe ngjarje të tillë të rrëfehen në sytë e fëmijëve, për të shmangur çdo lloj forme histerie tek ta, panik, tmerr dhe ankth. Megjithatë, familja duhet të marrë qëndrim të prerë dhe të marrë përgjegjësitë duke njoftuar organet kompetente që ti japin fund abuzimit të këtyre personave me fëmijët e tjerë dhe të marrin dënimin e merituar. Familja duhet ti bëjë një kontroll mjekësor fëmijës, që të sigurohet se nuk është dëmtuar fizikisht të paktën dhe të shërbejë si argument për organet kompetente që do të merren me çështjen.

Këto raste duhen trajtuar me ndjeshmëri të lartë dhe qetësi, me qëllim që të mos lejohen persona me probleme që të kryejnë krime të tilla makabre, duke përhapur pasiguri, frikë dhe panik në shoqëri. Administrata e shkollës dhe kopshtit duhet të ketë nën kontroll të plotë stafin përkatës, të mbajë nën vëzhgim klasat dhe të përzgjedhë elementët më të shëndoshë për tu siguruar fëmijëve rendin dhe qetësinë e duhur. Gjithashtu, komuniteti duhet të luajë rolin e tij duke kontribuar në frenimin e abuzimit dhe përdhunimit si fenomen, jo në përhapjen e tij. sidomos familja dhe nëna, duhet ti kushtojë vëmendje aparencës së fëmijës dhe veshjeve të tyre. Nuk e kuptoj përse një fëmijë i vogël vishet me rroba tepër të shkurtra dhe të tejdukshme. Me këto veshje, ajo mund të tërheqë vëmendjen dhe të joshë një person të sëmurë e me probleme. Prindërit s’kanë përse ti lënë fëmijët me orë të tëra rrugëve, edhe pasi është errësuar, me pretekstin se kanë besim tek ta.

Përderisa mbrojtja e fëmijëve nga abuzimi seksual është përgjegjësi e të rriturve, ne si prindër duhet tu mësojmë fëmijëve mënyrën si të vetëmbrohen, duke ua zhvilluar aftësitë dhe rezistencën, por jo duke i frikësuar. Ata duhen paralajmëruar nga ngacmimet dhe abuzimet seksuale, ashtu siç i paralajmërojmë prej zjarrit, korrentit dhe rreziqeve të tjera. Edhe nëse udhëzimet tona kanë shumë mangësi dhe nuk u sigurojnë mbrojtje të plotë, mjafton që ata do të kenë gatishmërinë të shprehen dhe të na tregojnë nëse dikush orvatet ti ngacmojë ose pas abuzimit.

Me qindra mijëra fëmijë bien pre e abuzimit seksual nga njerëz të afërm, miq, shërbëtorë e shërbëtore, shoferë shtëpie, komshinj apo dhe mësues e mësuese. Ngjarje të tilla rrallë herë dalin në dritë dhe zbulohen nga prindërit dhe kjo për shkak:

Frika e fëmijës nga prindërit.

Frika për shkak se abuzuesi i ka bwrw shantazh dhe e ka kërcënuar.

Ndonjëherë fëmija e fsheh krimin pasi nuk e percepton realitetin e ngacmimit seksual për shkak të moshës së njomë.

Theksojmë se është shumë e rëndësishme që prindërit ta zbulojnë sa më herët nëse me fëmijën e tyre është abuzuar seksualisht, e për rrjedhojë të ndërhyjnë duke e kuruar fëmijën dhe duke e mbrojtur nga problemet psikologjike që mund tu shkaktohen më vonë. Imazhi i aktit të përdhunimit mbetet i ngulitur në trurin e fëmijës dhe nuk fshihet kurrë përderisa nuk është trajtuar në kohën e duhur. Por, po sikur fëmija mos e tregojë abuzimin? Si mund ta kuptosh këtë ngjarje të dhimbshme?

Nga babai apo nëna nuk lipset më shumë sesa vëzhgim i sjelljeve të fëmijëve. Zakonisht, të vegjlit nuk manifestojnë simptoma të qarta të cilat tregojnë abuzimin seksual, por mund të thonë ose veprojnë diçka që e nënkupton.

Simptoma dhe shenja që nënkuptojnë abuzim seksual tek fëmija:

Ndryshim në sjellje.

Luhatje e humorit.

Tendencë për tu vetëmbyllur.

Periudha paniku.

Kriza paniku.

Të qara me dënesë.

Urinim gjatë gjumit.

Ëndrra të frikshme dhe ankthe gjatë natës, prej të cilave zgjohet i frikësuar.

Sjellje të turpshme me dorë apo me pjesët e tij të turpshme.

Tregon interes të pazakontë për çështjet me natyrë seksuale dhe flet rreth tyre vazhdimisht.

Manifeston lëvizje emocionale të befasishme dhe të dhunshme, si p.sh të puthura të papritura ose zbulim të organeve gjenitale.

Rebelohet shpejt dhe për shkaqet më të dobëta.

Sillet sikur të ishte në moshë më të vogël.

Kërkon gjëra që nuk përkojnë me moshën e tij.

Shkakton probleme të shumta me nxënësit e tjerë në shkollë.

Ndryshon zakonet e tij lidhur me përdorimin e banjës.

Pushtohet nga frika nga persona, vende dhe aktivitete të caktuara, kjo edhe pse më parë nuk i ka pasur frikë.

I shfaqen plagë, shenja, mavijosje dhe puçrra të pashpjegueshme.

Nëse fëmija juaj i ka këto simptoma ose shumicën e tyre, ka shumë mundësi që të jetë përdhunuar dhe abuzuar seksualisht me të. Prandaj, prindërit duhet të shpejtojnë dhe ta trajtojnë psikologjikisht për të hequr efektet e abuzimit sa më shpejt.

 

Perktheu: Elmaz Fida

Submitting your vote...
Not rated yet. Be the first who rates this item!
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus
21/04/2014
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
04:0605:4812:4716:3119:3321:03

Hutbe

Flash is required!

Urtësi

“Është shumë e lehtë të rrojmë

në botë sipas opinionit të botës,

është shumë e lehtë të rrojmë

në vetmi sipas opinionit tonë;

por njeri i madh është ai që në mes të turmës

prapë e ruan me plot

ëmbëlsi, lirinë e vetes së tij”.

L.W.Emerson

Grafika - Pa koment

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook