By: Rushit Musallari

AGJËRIMET (Sunet) VULLNETARE


Sunetet kanë vlera të mëdha, sepse ato janë shkak për të fituar dashurinë e Allahut dhe afrimin me Të. Besimtari nuk duhet të brakisë veprimet sunete, qofshin ato namaze, zekat, umra apo agjërim. Dihet se suneti ka funksion plotësues dhe kur kryhet si duhet, ai shpërblehet si farzi. Në lidhje me agjërimet sunete, do të ishte mëse i mjaftueshëm hadithi i Ebu Saidit (r.a), i cili tregon se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Kush agjëron një ditë për hir të Allahut, Allahu ia largon atij Xhehenemin për 70 vjet”. ”.([1])

I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka kryer agjërim vullnetar dhe ka nxitur për të. Nijeti për agjërimet vullnetare bëhet para hyrjes së kohës së namazit të Drekës. Aishja (r.a) tregon: “Një ditë, i Dërguari i Allahut  hyri në dhomë. Ai (Paqja qoftë mbi të) tha: “A keni ndonjë gjë për të ngrënë”? Ne i thamë: “Jo”. Ai tha: “Unë po agjëroj”. ([2]) Muslimani duhet të shfrytëzojëstinët e dimrit që të agjërojë sa më shumë. Ebu Said Khuderi (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Dimri është pranvera e besimtarit. Dita është e shkurtër dhe ai e agjëron, nata është e gjatë dhe ai e kalon në namaz nate”.([3])

Amir ibn Mesudi (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Plaçka më e mirë (në sevape) dhe më e këndshme e dimrit është agjërimi”.([4]) Nga këto agjërime përmendim:

1- Agjërimi i gjashtë ditëve të Sheualit (muajit që vjen pas Ramazanit): Ebu Ejubi (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Kush agjëron Ramazanin dhe e pason atë me agjërimin e gjashtë ditëve nga muaji Sheual, është njësoj sikur ka agjëruar të gjithë kohën (vitin)”. Ebu Ejubi (r.a) thotë: “E pyeta: “Çdo ditë është e barabartë me dhjetë ditë?! Ai (Paqja qoftë mbi të) tha: “Po”.([5]) Theubani (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Kush agjëron gjashtë ditë pas Bajramit, shpërblehet sikur ka agjëruar gjithë vitin. (Më pas lexoi ajetin kuranor) “Kush vjen me një të mirë e shpërblejmë me dhjetë të mira”. [En’am: 160].([6])

2- Agjërimi i ditës së Arafatit (9 Dhul Hixhe): Ebu Katade (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) është pyetur për agjërimin e ditës së Arafatit dhe ka thënë për të: “Shlyen mëkatet e vitit të kaluar dhe ditëve të mbetura të vitit (aktual)”.([7]) I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Kush agjëron ditën e Arafatit, i falen mëkatet e ditëve të mbetura të vitit (aktual) dhe vitit të kaluar”.([8]) Sehli (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Kush agjëron ditën e Arafatit, i falen mëkatet e dy viteve të kaluara”.([9])

Një burrë e pyeti Ibn Umerin (r.a) për agjërimin e ditës së Arafatit. Ai i tha: “Në kohën e të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të) ne e vlerësonim atë me agjërimin e dy viteve”.([10])

Ebu Hurejrah (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka ndaluar, që të agjërohet dita e Arafatit për atë që është në Arafat (për haxhilerët)”.([11])

3- Agjërimi i ditës së hënë dhe të enjte: Ebu Hurejrah (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Punët shfaqen (ekspozohen para Allahut) ditën e hënë dhe të enjte. Dua që punët e mia të shfaqen (para Allahut) duke qenë agjërueshëm”.([12]) Ebu Hurejrah (r.a) tregon: “I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) agjëronte të hënën dhe të enjten. Dikush e pyeti: “O i Dërguari i Allahut! Ti agjëron të hënën dhe të enjten”. Ai (Paqja qoftë mbi të) i tha: “Ditën e hënë dhe të enjte, Allahu fal mëkatet e çdo muslimani, përveç dy personave që mbajnë mëri me njëri-tjetrin, (ata nuk i fal) derisa të pajtohen”.([13])

Usamah (r.a) thotë, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) agjëronte të hënën e të enjten dhe thoshte: “Në këto dy ditë, punët shfaqen (para Allahut)”.([14]) Xhabiri (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Punët shfaqen para Allahut ditën e hënë dhe të enjte, ai që kërkon falje, falet, ai që pendohet, i pranohet pendimi, ndërsa ziliqarëve nuk u pranohet (nuk janë të falur), derisa të pendohen (dhe të braktisin zilinë)”.([15])

Aishja (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) e praktikonte shumë agjërimin e të hënës dhe të enjtes.([16])

4- Agjërimi i të mërkurës dhe të enjtes: Abullah ibn Muslim Kureshi përcjell nga babai i tij, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) është pyetur për agjërimin e çdo dite dhe ai ka thënë: “Mos agjëro çdo ditë. Ndaj familjarëve ke detyrime. Agjëro Ramazanin dhe ditët që pasojnë. Të agjërosh të mërkurën dhe të enjten, është njësoj si të agjërosh çdo ditë”.([17])

5- Agjërimi i të shtunës dhe të dielës: Ummu Selemeh (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) agjëronte më shumë ditën e shtunë bashkë me të dielën. Ai (Paqja qoftë mbi të) thoshte: “Këto dy ditë janë festa të jobesimtarëve, unë dua që të mos bëj si ata, dua të dallohem prej tyre”.([18])

6- Agjërimi një ditë po dhe një ditë jo: Abdullah ibn Amr (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Agjërimi më i mirë është agjërimi i Daudit, namazi më i mirë është namazi i Daudit. Ai flinte gjysmën e natës, pastaj falej në një të tretën e saj. Më pas flinte një të gjashtën e natës. Një ditë agjëronte, ndërsa ditën tjetër hante”.([19])

7- Agjërimi i tre ditëve të çdo muaji (ditët e bardha): Ebu Hurejrah (r.a) thotë: “Më ka këshilluar miku im (Paqja qoftë mbi të) me tre gjëra: të agjëroj tre ditë për çdo muaj, të fal dy rekate të namazit Duha dhe të mos fle pa falur namazin e Vitrit”.([20])

Abdullah ibn Amr (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Të agjërosh tre ditë për çdo muaj, është njësoj si të agjërosh të gjithë kohën (muajin)”.([21]) Ibn Abasi (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Agjërimi i muajit të durimit dhe agjërimi i tre ditëve të çdo muaji, largojnë cytjet dhe zilitë nga zemra”.([22]) Ebu Dherri (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Nëse agjëron tre ditë në muaj, agjëro ditën e 13të, 14të  dhe 15të”.([23]) Melhani (r.a) tregon: “I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) na urdhëronte të agjërojmë ditët e bardha, ditën e 13të, 14të,15të dhe thoshte për to: “Është njësoj si të agjërosh tërë kohën (muajin)”.([24])

Xheriri (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Të agjërosh tre ditë për çdo muaj, është si të agjërosh gjatë gjithë kohës.  Ditët e bardha fillojnë në mëngjesin e ditës së 13të, 14të dhe15të”.([25])

Nëse nuk agjërohen tre ditët e bardha, shpërblimi merret edhe duke agjëruar tre ditë të tjera brenda muajit. Xhabiri (r.a) tregon: “I Dërguari i Allahut më tha: “Më kanë thënë se ti falesh gjithë natën dhe agjëron çdo ditë”. I thashë: “O i Dërguari i Allahut! Kam pasur për qëllim të fitoj sevape”. I Dërguari i Allahut tha: “Nuk ka shpërblim agjërimi pa ndërprerje - në një rivajet - ...dhe përherë. Unë do të të tregoj, për atë që është e barazvlefshme në shpërblim me agjërimin e përhershëm. Agjëro tre ditë për çdo muaj”. I thashë: “O i Dërguari i Allahut! Unë mund të bëj edhe më shumë se aq”...([26]) Muadheh thotë: “E pyeta Aishen (r.a): “A agjëronte i Dërguari i Allahut tre ditë për çdo muaj”? Ajo mu përgjigj: “Po”. Unë e pyeta: “Çfarë ditësh agjëronte”? Ajo m`u përgjigj: “Nuk i kushtonte asnjë rëndësi asnjë lloj dite (agjëronte si të donte, si t`i vinte më mbarë)”.([27])

8- Agjërimi i ditës së Ashures: Katadeh (r.a) përcjell, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) është pyetur për agjërimin e Ashures dhe ka thënë: “Shlyen mëkatet e vitit të kaluar”.([28]) Ibn Abasi (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka agjëruar ditën e Ashures dhe ka urdhëruar që kjo ditë të agjërohet.([29]) Ibn Abasi (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Agjërimi nuk ka vlerë në asnjë ditë tjetër, ashtu siç ka në muajin Ramazan dhe ditën e Ashures”.([30]) Ebu Saidi (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Kush agjëron ditën e Arafatit, i falen mëkatet e një viti përpara dhe një viti pas. Kush agjëron ditën e Ashures, i falen mëkatet e një viti”.([31])

9- Agjërimi i muajit Muharrem: Ebu Hurejrah (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Agjërimi më i mirë pas muajit Ramazan, është agjërimi i muajit të Allahut – Muharremit. Namazi më i mirë pas namazeve farze, është namazi i natës”.([32])

10- Agjërimi i muajit Shaban: Usameh (r.a) tregon: “I thashë të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të): “O i Dërguari i Allahut! Nuk të kam parë të agjërosh ndonjë muaj përveç Ramazanit, ashtu siç agjëron në muajin Shaban”. Ai (Paqja qoftë mbi të) më tha: “Ky është një muaj, që njerëzit nuk i kushtojnë rëndësi, ai është mes Rexhepit dhe Ramazanit. Në këtë muaj punët ngrihen për tek Zoti i gjithësisë. Dua që punët e mia të ngrihen, kur unë jam agjërueshëm”.([33]) Aishja (r.a) thotë: “I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) agjëronte në Shaban më shumë sesa në muajt e tjerë. Ai linte vetëm disa ditë pa agjëruar, sepse ai e agjëronte pothuajse të gjithë Shabanin”.([34]) Ummu Selemeh (r.a) tregon: “Nuk e kam parë të Dërguarin e Allahut (Paqja qoftë mbi të) të agjërojë dy muaj rresht, përveç Shabanit dhe Ramazanit”.([35])

Muadhi (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Allahu i shikon (me mëshirë) njerëzit natën e mesit të muajit Shaban, Ai i fal të gjitha krijesat e Tij, përveç adhuruesit të idhujve dhe grindavecit (atij që grindet me njerëzit)”.([36])

11- Ndalohet të veçohet dita e Xhuma apo dita e shtunë me agjërim: I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) thotë: “Asnjëri prej jush të mos agjërojë ditën e Xhuma, përveç rastit kur agjëron një ditë para dhe një pas saj”.([37]) Ebu Hurejrah (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Mos e veçoni natën e Xhuma me namaz nate nga netët e tjera, mos e dalloni ditën e Xhuma me agjërim nga ditët e tjera, përveç rastit kur agjëroni sipas agjërimit të zakonshëm (një ditë po dhe një ditë jo, ose një ditë para dhe një ditë mbrapa)”.([38])

Amir ibn Ludejn Eshari (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Dita e Xhuma është ditë feste për ju, prandaj mos e agjëroni atë. Këtu përjashtohet ai, i cili bashkë me të agjëron një ditë para apo një ditë pas saj”.([39]) Sema (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Mos e agjëroni natën e shtunë, (agjëroni) përveçse kur e keni detyrë agjërimin. Nëse nuk keni për të ngrënë asgjë tjetër, përveç lëkurave të hurmave, hajini ato (dhe mos agjëroni)”.([40]) Sema (r.a) tregon gjithashtu: “I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka ndaluar, që të agjërohet dita e shtunë. Ai (Paqja qoftë mbi të) thoshte: “Nëse nuk keni për të ngrënë asgjë tjetër, përveç lëkurave të hurmave, hajini ato (dhe mos agjëroni)”.([41])

12- Ditët në të cilat ndalohet agjërimi: Ndalohet agjërimi i ditës së Fitër Bajramit, i ditës së Kurban Bajramit dhe agjërimi i tre ditëve pas ditës së Kurban Bajramit. Umeri (r.a) ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) e ka ndaluar agjërimin e dy ditëve: ditës së Fitër Bajramit - sepse në këtë ditë mbaron agjërimi - dhe ditës së Kurban Bajramit - pasi në këtë ditë duhet të hani nga mishi i kurbaneve tuaja”.([42]) Ebu Hurejrah (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) e ka dërguar Abdullah ibn Hudhafen (r.a), që të thërriste në Mina: “Mos i agjëroni këto ditë, sepse janë ditë ngrënie, pirje dhe përmendje të Allahut”.([43]) Ukbeh ibn Amir (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Për ne muslimanët, dita e Arafatit, dita e Kurban Bajramit dhe ditët e teshrikut janë ditë ngrënie dhe pirje”.([44])

Nuk lejohet agjërimi i çdo dite pa ndërprerje. I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Nuk ka agjëruar ai që agjëron çdo ditë”.([45]) Ndalohet të veçohet me agjërim: dita e Xhuma, dita e shtunë apo dita e dielë. Nuk lejohet vazhdimi i agjërimit pa çelur iftar, pra agjërimi 24 orë rresht. Aishja (r.a) ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka ndaluar agjërimin pandëprerje dhe këtë e ka bërësi mëshirë për besimtarët”. Dikush i tha: “Po ti agjëron pa ndërperje, o i Dërguari i Allahut?! Ai (Paqja qoftë mbi të) tha: “Unë nuk jam si ju, pasi Allahu im më ushqen dhe më jep të pi”.([46])

Nuk është e pëlqyeshme, që bashkëshortja të agjërojë nafile pa lejen e bashkëshortit të saj. Ebu Hurejrah (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Nuk lejohet që gruaja të agjërojë vullnetarisht pa lejen e bashkëshortit, as nuk i lejohet që të fusë dikë në shtëpi pa lejen e bashkëshortit”.([47])

 

 

 


([1]) - Hadith i vërtetë. Buhâriu (2480), Muslimi (1152), Tirmidhiu (2623), Nesâiu (2243-2249) dhe Ahmedi (2/300).

([2]) - Hadith i vërtetë. Muslimi (1154), Ebû Dâûdi (2455), Tirmidhiu (733), Nesâiu në Muxhtebâ (2321), Ibn Mâ‎xheh (1701), Ibn Khuzejmeh (2141), Ibn Hibâni (3628) dhe Ahmedi (6/49).

([3]) - Hadith me gjasa për të qenë i pranuar, në dashtë Allahu i Madhëruar. Ahmedi (3/75), Ebû Ja`lâ (1386, 1061), Bejhakiu në Kubrâ (4/297) dhe Shuab (3655). Hejthemiu në Mexhmauz`zeuâid (3/200) nr (5217) thotë: “E shënon Ahmedi dhe Ebû Ja`lâ. Vargu i hadithit është i pranuar”. Sujuti në “Ehadithush`shita” (1)  e vlerëson hadithin të pranuar.

([4]) - Hadith me gjasa për të qenë i pranuar, në dashë Allahu i Madhëruar. Ibn Ebi Shejbeh (3/100), Tirmidhiu (798), Ibn Khuzejmeh (2145), Bejhakiu në Kubrâ (4/296) dhe Ahmedi (4/335). Dijetarët kanë vlerësime të ndryshme për hadithin në fjalë.

([5]) - Hadith i vërtetë. Muslimi (1164), Ebû Dâûdi (2433), Tirmidhiu (759), Nesâiu në Kubrâ (2875), Ibn Mâ‎xheh (1716), Ibn Hibâni (3634) dhe Ahmedi (5/417).

([6]) - Hadith i vërtertë. Ibn Mâ‎xheh (1715), Ibn Khuzejmeh (2115), Ibn Hibâni (3635) dhe Ahmedi (5/280).

([7]) - Hadith i vërtetë. Muslimi (1162), Ebû Dâûdi (2425) dhe Ibn Mâ‎xheh (1730).

([8]) - Hadith i vërtetë. Ebû Dâûdi (2425), Tirmidhiu (749) dhe Ibn Mâ‎xheh (1731).

([9]) - Hadith i vërtetë. Ebu Ja’la (7548) dhe Taberâniu në Kebir (5923). Hejthemiu në Mexhmauz’zeuâid (3/189) nr (5141) thotë: “E shënon Ebu Ja’la dhe Taberâniu në Kebir. Përcjellësit e Ebu Ja’lasë janë të vërtetë”.

([10]) - Hadith i pranuar. Taberâniu në Eusat (751) dhe Nesâiu në Kubrâ (2828). Hejthemi në Mexhmauz’zeuâid (3/190) nr (5145) thotë: “E shënon Taberâniu në Eusat dhe hadithi është i pranuar”.

([11]) - Hadith i pranuar. Ebû Dâûdi (2440), Nesâiu në Kubrâ (2830), Ibn Khuzejmeh (2101), Ibn Mâ‎xheh (1732), Ahmedi (2/304) dhe Taberâniu në Eusat (2327) nga Aishja (r.a). Hejthemiu në Mexhmauz’zeuâid (3/189) nr (5138) thotë: “E shënon Taberâniu në Eusat. Në vargun e përcjellësve është Ibrahmin ibn Muhamed ibn Ebi Jahja, rreth të cilit ka shumë debate, por megjithatë është vlerësuar disi i besueshëm”.

([12]) - Hadith i vërtetë. Tirmidhiu (747).

([13]) - Hadith i vërtetë. Muslimi (2565), Ebû Dâûdi (4916), Tirmidhiu (2023), Ibn Mâ‎xheh (1740), Ibn Khuzejmeh (2120), Ibn Hibâni (3644) dhe Ahmedi (2/268).

([14]) - Hadith i vërtetë për shkak të dëshmive përforcuese. Ibn Khuzejmeh (2119).

([15]) - Hadith i pranuar. Taberâniu në Eusat (7419). Hejthemiu në Mexhmauz’zeuâid (8/66) nr (12967) thotë: “E shënon Taberâniu në Eusat. Përcjellësit e hadithit janë të besueshëm”.

([16]) - Hadith i vërtetë. Nesâiu (4/153), Tirmidhiu (745) dhe Ibn Mâ‎xheh (1739).

([17]) - Hadith i pranuar. Ebû Dâûdi (2432), Nesâiu në Kubrâ (2792) dhe Tirmidhiu (748). Disa dijetarë e vlerësojnë këtë hadith të pranuar, ndërsa disa të tjerë e vlerësojnë hadithin të dobët.

([18]) - Hadith i pranuar. Ibn Khuzejmeh (2167), Hâkimi (1593), Ibn Hibani (3646) dhe Ahmedi (6/324). Dhehebiu e  vlerëson vargun e hadithit të vërtetë.

([19]) - Hadith i vërtetë. Buhâriu (3420), Muslimi (1159), Ebû Dâûdi (2448), Nesâiu në Muxhtebâ (2387) dhe Ibn Mâ‎xheh (1712).

([20]) - Hadith i vërtetë. Buhâriu (1178) dhe Muslimi (721).

([21]) - Hadith i vërtetë. Buhâriu (1979) dhe Muslimi (1159).

([22]) - Hadith i vërtetë. Bezâri në Keshf (1057), Ibn Hibani (6557), Bejhakiu në Shuab (3575) dhe Ahmedi (3/77). Hejthemiu në Mexhmauz’zeuâid (3/196) nr (5188) thotë: “E shënon Bezâri me përcjellës të vërtetë”.

([23]) - Hadith i vërtetë. Tirmidhiu (761), Nesâiu në Muxhtebâ (2423), Ibn Mâ‎xheh (1708) dhe Ahmedi (5/162),

([24]) - Hadith i vërtetë për shkak të dëshmive përforcuese. Ebû Dâûdi (2449), Nesâiu në Kubrâ (2752), Ibn Mâ‎xheh (1707) dhe Ibn Hibâni (3651).

([25]) - Hadith i pranuar. Nesâiu në Muxhtebâ (2419) dhe Bejhakiu në Shuab (3570).

([26]) - Hadith i vërtetë. Muslimi (1159).

([27]) - Hadith i vërtetë. Muslimi (1160), Ebû Dâûdi (2453), Tirmidhiu (763), Ibn Mâxheh (1709), Ibn Khuzejmeh (2130), Ibn Hibâni (3654) dhe (Ahmedi (6/145).

([28]) - Hadith i vërtetë. Muslimi (1162) dhe Ebû Dâûdi (2425).

([29]) - Hadith i vërtetë. Buhâriu (2004) dhe Muslimi (1128, 1130).

([30]) - Hadith i pranuar. Taberâniu në Kebir (11253) dhe Bejhakiu në Shuabul iman (3502). Hejthemiu në Mexhmauz’zeuâid (3/186) nr (5123) thotë: “E shënon Taberâniu në Kebir me përcjellës të besueshëm”.

([31]) - Hadith i vërtetë për shkak të dëshmive përforcuese. Bezâri në Keshful estar (1053) dhe Taberâniu në Eusat. Hejthemiu në Mexhmauz’zeuâid (3/189) ne (5142) thotë: “E shënon Bezâri. Në vargun e përcjellësve është Umer ibn Sahbani, i cili vlerësohet i refuzuar. Taberâniu e shënon hadithin në Eusat, por shkurtimisht me pjesën ku flitet për agjërimin e Ashurasë. Vargu i përcjellëve të hadithit është i pranuar”.

([32]) - Hadith i vërtetë. Muslimi (1163), Ebû Dâûdi (2429), Tirmidhiu (740), Nesâiu në Kubrâ (1612) dhe Ibn Khuzejmeh (1134).

([33]) - Hadith i pranuar. Nesâiu (2356).

([34]) - Hadith i vërtetë. Buhâriu (1969), Muslimi (1156) dhe Ebû Dâûdi (2434).

([35]) - Hadith i vërtetë. Tirmidhiu (736), Ebû Dâûdi (2336) dhe Nesâiu në Kubrâ (2674).

([36]) - Hadith i vërtetë për shkak të dëshmive përforcuese. Taberâniu në Kebir (20/215) dhe Ibn Hibani (5665). Hejthemiu në Mexhmauz’zeuâid (8/65) nr (12960) thotë: “E shënon Taberâniu në Kebir dhe Eusat. Përcjellësit e tyre janë të besueshëm”.

([37]) - Hadith i vërtetë. Buhâriu (1985), Muslimi (1144), Tirmidhiu (743), Nesâiu në Kubrâ (2769), Ibn Mâ‎xheh (1723) dhe Ibn Khuzejmeh (2158).

([38]) - Hadith i vërtetë. Muslimi (1144) dhe Nesâiu në Kubrâ (2764).

([39]) - Hadith i pranuar. Bezâri në Keshful estar (1069). Hejthemiu në Mexhmauz’zeuâid (3/199) nr (5211) thotë: “E shënon Bezâri. Vargu i hadithit është i pranuar”.

([40]) - Hadith i vërtetë. Tirmidhiu (744), Nesâiu në Kubrâ (2772), Ibn Khuzejmeh (2164), Ebû Dâûdi (2421), Ibn Hibani (3615) dhe Ibn Mâ‎xheh (1726). Shejh Shuajbi në verifikimin e tij të Musnedit të Ahmedit (4/189) nr (17686) bën një analizë mbresëlënse dhe të hollësishme. Ai përmend aty edhe mendimet e dijetarëve në lidhje me agjërimin e ditës së shtunë. Mendimi dominues ndër dijetarët e Islamit është, se lejohet agjërimi i ditës së shtunë. Shiko Sahihul Buhâriu (1986, 1985), Muslimi (1144), Nesâiu në Kubrâ (2773, 2774) etj.

([41]) - Hadith i vërtetë. Ibn Khuzejmeh (2164).

([42]) - Hadith i vërtetë. Buhâriu (1990), Muslimi (1137), Ebû Dâûdi (2416), Tirmidhiu (771), Nesâiu në Kubrâ (2802), Ibn Mâxheh (1722), Ibn Khuzejmeh (2959), Ibn Hibâni (3600) dhe Ahmedi (1/24).

([43]) - Hadith i vërtetë për shkak të dëshmive përforcuese. Ahmedi (1/169) dhe Bezâri në Keshf (1067). Hejthemiu në Mexhmauz`zeuâid (3/202) nr (5233) thotë: “E shënon Ahmedi dhe Bezâri. Përcjellësit e tyre janë të vërtetë”.

([44]) - Hadith i vërtetë. Ebû Dâûdi (2419), Tirmidhiu (773), Nesâiu në Muxhtebâ (3004), Ibn Khuzejmeh (2964), Ibn Hibâni (3603) dhe Ahmedi (4/152).

([45]) - Hadith i vërtetë. Buhâriu (1977), Muslimi (1159), Nesâiu në Muxhtebâ (2372-2377) dhe Ibn Mâ‎xheh (1706).

([46]) - Hadith i vërtetë. Buhâriu (1965), Muslimi (1103), Tirmidhiu (778), Ibn Khuzejmeh (2069), Ibn Hibâni (3574) dhe Ahmedi (3/170).

([47]) - Hadith i vërtetë. Buhâriu (5192), Muslimi (1026), Tirmidhiu (782), Ibn Mâxheh (1761) dhe Ahmedi (2/245).

Submitting your vote...
Not rated yet. Be the first who rates this item!
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

27/06/2019
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
02:55 05:0412:5116:4920:2422:19

Urtësi Profetike

Gjërat që i çojnë njerëzit

më shumë në Xhennet

janë devotshmëria

dhe mirësjellja.


Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook