By: Rushit Musallari

AGJËRIMI


 

Agjërimi dhe parimet bazë të tij

 

Nga ana gjuhësorë, fjala “Saum” do të thotë: “përmbajtje, ndalim”. Në Fikhun Islam, agjërimi përkufizohet me fjalët: “Agjërimi është ndalimi nga ushqimi dhe marrëdhëniet intime nga agimi derisa të perëndojë dielli”.([1]) Agimi fillon, atëherë kur në horizont shihet pak dritë. Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe hani e pini, derisa të dallohet fija e bardhë (bardhësia) e agimit nga fija e zezë  (errësira e natës)...”. [Bekare: 187].

Agjërimi mbaron pas perëndimit të diellit, ndërkohë që në lindje fillon të duket errësira. Allahu i Madhëruar thotë: “…pastaj plotësojeni agjërimin, derisa të bjerë mbrëmja”. [Bekare: 187].

 

Gjykimi për agjërimin e muajit të Ramazanit

 

Agjërimi i Ramazanit është farz për çdo musliman dhe muslimane, që ka arritur moshën e pubertetit. Agjërimi është detyrë e vërtetuar nga Kurani, nga Suneti dhe nga Ixhmaja e muslimanëve. Allahu i Madhëruar thotë në Kuran: “O besimtarë! Ju është obliguar agjërimi, ashtu si u ishte obliguar atyre para jush, në mënyrë që të jeni të devotshëm”. [Bekare: 183] Allahu i Madhëruar thotë gjithashtu: “Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja). Pra, kushdo nga ju që e zë këtë muaj, le të agjërojë”. [Bekare: 185]

I Dërguari i Allahut ka thënë: “Islami është ndërtuar mbi pesë shtylla; dëshmia se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut, falja e namazit, dhënia e Zekatit, agjërimi i Ramazanit dhe Haxhi për atë që ka mundësi”.([2])

Të gjithë dijetarët e Umetit (popullit) islam janë të mendimit, se agjërimi i Ramazanit është detyrë dhe çdo musliman duhet të agjërojë. Agjërimi është nga detyrat, që duhet të njihet patjetër nga çdo musliman. Ramazani është bërë detyrë vitin e dytë Hixhri, dy ditë pas hyrjes së muajit Shaban.

 

Vlera e agjërimit në përgjithësi

 

1- Ebu Hurejrah (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Allahu i Lartësuar thotë: “Të gjitha punët që bën njeriu, i bën për veten e tij përveç agjërimit, i cili është për Mua dhe vetëm Unë jam Ai që e shpërblen. Agjërimi është mburojë. Kur të agjëroni mos shani dhe mos bërtisni. Nëse dikush të shan apo të ngacmon, thuaji:Unë jam agjërueshëm”. Pasha Atë, në Duart e të Cilit është Shpirti i Muhamedit, era e gojës së agjëruesit është më e dashur tek Allahu sesa era e miskut. Agjëruesi ka dy gëzime: kur çel Iftarin gëzohet me ushqimin dhe kur të takohet me Allahun, do të gëzohet me agjërimin e tij. Të gjitha punët e mira i shumëfishohen njeriut, e mira shpërblehet 10-fish deri në 700-fish. Ai lë ushqimin, pijen dhe marrëdhëniet bashkëshortore për Mua, agjërimi është për Mua dhe vetëm Unë e shpërblej atë. Kur njeriu takohet me Allahun, ai kënaqet me shpërblimin e agjërimit që gjen tek Allahu.([3])

 

2- Ibn Umeri (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Veprat tek Allahu janë shtatë llojesh, dy prej tyre meritojnë shpërblim ose dënim, dy të tjera shpërblehen njësoj, një punë që shpërbleht 10-fish, një punë që shpërblehet 700 herë dhe një punë që shpërblimin e saj nuk e di askush përveç Allahut.

E para dhe e dyta janë: Kush adhuron Allahun sinqerisht, duke mos i bërë shok Atij, meriton Xhenetin, ndërsa ai që i bën shok Allahut, meriton Zjarrin e Xhehenemit.

E treta dhe e katërta janë: Kush bën një punë të keqe, meriton vetëm dënimin për të. Kush dëshiron të bëjë një punë të mirë dhe nuk e bën, meriton shpërblimin e saj.

E pesta dhe e gjashta janë: Kush bën një punë të mirë, shpërblehet 10-fish. Kush shpenzon një qindarkë në rrugë të Allahut, shpërblehet 700 herë.

E shtata është: Agjërimi është për Allahun dhe askush nuk e di shpërblimin e agjërimit përveç Allahut”.([4])

 

3- Sehl ibn Sad (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: Në Xhenet është një derë, që quhet Rejjan. Në atë derë hyjnë vetëm agjëruesit dhe askush tjetër. Pasi agjëruesit të hyjnë aty, ajo derë mbyllet përgjithmonë.([5])

 

4- Ebu Hurejrah (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: Luftoni që të fitoni, agjëroni që të jeni të shëndetshëm dhe udhëtoni që të pasuroheni.([6])

 

5- Ebu Hurejrah (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të)  ka thënë: Agjërimi është mburojë dhe kështjellë mbrojtëse nga Xhehenemi.([7])

 

6- Abdullah ibn Amr (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: Agjërimi dhe Kurani ndërmjetësojnë për njeriun ditën e Kijametit, Agjërimi thotë: O Zot! Ka braktisur ushqimin dhe epshin për mua. Pranoje ndërmjetësimin tim”. Kurani thotë:O Zot! Ka lënë gjumin natën për mua. Pranoje ndërmjetësimin tim”. Agjërimit dhe Kuranit u pranohet ndërmjetësimi.([8])

 

7- Ebu Hurejrah (r.a) tregon, se i Dëguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Çdo gjë ka zekat (pastrim). Agjërimi është pastrim për trupin. Agjërimi është gjysma e durimit”.([9])

 

8- Ebu Umame (r.a) tregon: “I thashë të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të): “Më urdhëro për një vepër të mirë”. Ai (Paqja qoftë mbi të) më tha: “Agjëro, pasi asgjë nuk është si ai”. E pyeta dy - tre herë dhe ai më ktheu të njëjtën përgjigje”.([10])

 

9- Ebu Saidi (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Kush agjëron një ditë për hir të Allahut, Allahu ia largon atij Xhehenemin për 70 vjet”.([11])



([1]) - Enisul Fukha (fq: 47).

([2]) - Hadith i vërtetë. Buhâriu (8), Muslimi (16), Tirmidhiu (2609), Nesâiu në Muxhtebâ (5016), Ibn Khuzejmeh (309), Ibn Hibâni (158) dhe Ahmedi (2/120).

([3]) - Hadith i vërtetë. Buhâriu (1904) dhe Muslimi (1151).

([4]) - Hadith i pranuar. Ahmedi (4/322). Taberâniu në Kebir (4152) dhe Eusat (4071), Bejhakiu në Shuab (3316) dhe Ibn Hibani (6171). Hejthemiu në Mexhmauz’zeuâid (3/123) nr (5090) thotë: “E shënon Taberâniu në Eusat. Në vargun e përcjellësve është Jahja ibn Muteuekili, të cilin shumica e dijetarëve e vlerësojnë të dobët, ndërsa Ibn Maini e vlerëson herë të besueshëm dhe herë të dobët”.

([5]) - Hadith i vërtetë. Buhâriu (1896), Muslimi (1152) dhe Nesâiu në Muxhtebâ (2237).

([6]) - Hadith i pranuar. Taberâniu në Eusat (8312) dhe Ahmedi (2/380). Hejthemiu në Mexhmauz’zeuâid (3/179) nr (5070) thotë: “E shënon Taberâniu në Eusat me përcjellës të besueshëm”. Shejh Ahmed Shakiri në verifikimin e tij të musnedit të Ahmedit (8925) e vlerëson hadithin të pranuar. Ai thotë: “Nuk ia kanë qëlluar ata që e vlerësojnë tekstin të dobët, sepse nuk e kanë kuptuar domethënien e tij. Domethënia e hadithit është e vertetë. Nuk ka dyshim se udhëtimi, nga ana psikologjike ka ndikim shumë pozitiv për shëndetin, duke e aktivizuar trupin dhe mendjen. Ndërsa xhihadi, ka qenë thesari i madh i sahabëve. Në disa rivajete është edhe “Agjëroni që të jeni të shëndetshëm”. Dihet se agjërimi është ilaçi më i mirë për trupin, sepse balancon ushqyerjen dhe sistemon kohën e ushqimit”.

([7]) - Hadith i vërtetë. Ahmedi (2/402) dhe Bejhakiu në Shuab (3293). Hejthemiu në Mexhmauz’zeuâid (3/180) nr (5076) thotë: “E shënon Ahmedi dhe një pjesë e hadithit është në sahih, ndërsa vargu i Ahmedit është i pranuar”.

([8]) - Hadith i pranuar dhe i vërtetë. Ahmedi (2/174), Taberâniu në Kebir, Ibn Ebi Dunja në “El xhu’a” dhe Hâkimi (2036). Hejthemiu në Mexhmauz’zeuâid (3/181) nr (5081) thotë: “E shënon Ahmedi dhe Taberâniu në Kebir. Përcjellësit e Taberâniut janë të vërtetë”.

([9]) - Hadith i dobët. Ibn Mâxheh (1745).

([10]) - Hadith i vërtetë. Nesâiu (2221), Ibn Khuzejmeh (1893) dhe Hâkimi (1533).

([11]) - Hadith i vërtetë. Buhâriu (2480), Muslimi (1152), Tirmidhiu (2623) dhe Nesâiu (2244).

Submitting your vote...
Not rated yet. Be the first who rates this item!
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

21/11/2019
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
04:5206:2911:3314:0216:2517:51

Urtësi Profetike

Gjërat që i çojnë njerëzit

më shumë në Xhennet

janë devotshmëria

dhe mirësjellja.


Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook