By: Selman ibn Fehd el Aude

Allahu është dhuruesi


Nga emrat e Allahut Lavdiplotë është “El Ueh-heb-dhuruesi”. Këtë atribut e shohim në Kuranin fisnik, në fjalën e Lavdiplotit: Zoti ynë, mos na i lako zemrat tona pasi na drejtove, na dhuro mëshirën Tënde, pse vetëm Ti je dhuruesi i madh”[1], në fjalën e Tij: “A mos ata i kanë depot e mëshirës së Zotit tënd, Ngadhënjyesit, Dhuruesit!”[2] dhe në fjalën e Tij: (Sulejmani) Tha: ‘Zoti im, më fal (gabimin), më dhuro të tillë pushteti që askush pas meje nuk do ta ketë; vërtet, Ti je dhuruesi më i madh”[3].

Allahu Lavdiplotë gjithashtu thotë: Çdo të mirë që keni, ajo është prej Allahut, madje edhe kur ju godet e keqja, ju vetëm te Ai e ngrini zërin (me lutje). Pastaj, kur Ai e largon prej jush dënimin, ja, një grup prej jush i përshkruajnë (i bëjnë) shok Zotit të tyre”[4].

Robërit ngazëllehen dhe ndihen mirë në mirësinë e dhuratave të Tij pa mbarim, madje ndodh edhe të abuzojnë me to shprehimisht ose përmes mënyrës sesi sillen. Allahu i Lavdishëm dhe i Lartmadhëruar e ka mohuar mundësinë e robërve, që të arrijnë t’i bëjnë një bilanc mirësive dhe dhuntive të Tij, duke thënë: “Edhe nëse përpiqeni t'i numëroni dhuntitë (të mirat) e Allahut, nuk do mund të arrini t'i përcaktoni ato. Me siguri Allahu shumë fal dhe shumë mëshiron”[5] dhe duke thënë: “…Nëse përpiqeni t'i numëroni të mirat e Allahut, nuk do të mund të arrini t'i përkufizoni (në numër). Vërtet, njeriu është i padrejtë dhe shumë përbuzës”[6].

Aftësitë e njeriut nuk mund të arrijnë t’i bëjnë një bilanc mirësive të Allahut të Lavdishëm dhe Lartmadhëruar.

Për shembull: Në trupin e njeriut ka njëqind trilion qeliza, numër ky që nuk presupozon se ai përbën njëqind trilion mirësi, porse brenda çdo qelize ka aq e aq  mirësi më vete. Çdo qelizë i ekspozohet një shifre të panumërt epidemish dhe anomalish, që kanë mundësi ta prekin. Allahu është Ai, që me aftësinë dhe mëshirën e Tij e mbron këtë qelizë nga këto sëmundje.

Po kështu, nëse njeriu do bënte të numëronte mirësitë e Allahut të Lartësuar të fiksuara në trupin e njeriut, do shikonte se është i paaftë t’i numërojë. Edhe nëse supozojmë, se njeriu arrin të fiksojë një numër për mirësitë e Allahut në trupin e tij; por si do arrijë njeriu të numërojë mirësitë e Allahut të Lavdishëm dhe të Lartmadhërishëm, që kanë të bëjnë me shpagime, nga të cilat Allahu i Lavdishëm dhe i Lartmadhëruar e mbrojti njeriun, mirësi për të cilat Allahu nuk kërkon shpagim. Vetëm me disa prej këtyre shpagimeve dhe dënimeve Allahu i Lavdishëm dhe i Lartmadhëruar i sprovoi disa prej robërve të Tij dhe këtë e bëri për haqet e shumta hyjnore, që ata kanë lënë pas dore.

Le të shikojmë sesi Allahu i Lartësuar e përkujton profetin e Tij me disa nga mirësitë e Tij. Allahu i Lartësuar i thotë të dërguarit të Tij: “Pasha paraditen! Pasha natën kur shtrinë errësirën! Zoti yt nuk të ka lënë, as të ka përbuzur. Dhe bota e ardhshme është shumë më e mirë për ty se e para”[7]; pra Allahu i Lartësuar të dha ty vërtet shumë në dynja. Ai nuk të la, nuk të braktisi, nuk të bëri të përbuzur siç pretendojnë për ty kundërshtarët dhe armiqtë, por Allahu i Lavdishëm dhe i Lartësuar është pranë teje: “E Zoti yt do të të japë ty, e ti do të kënaqesh”[8], do të japë nga larmia e mirësive, dhuntive dhe kualiteteve, nderimeve dhe përsosmërive; e në realitet Allahu i Lartësuar bëri që profeti Muhamed (a.s) të kujtohet në jetë të jetëve.

Profetësi vulosëse për t’u patur zili,

Nga Allahu, Poseduesi i dritës, verifikuesi, dëshmuesi.

Hyjnia e bashkëngjiti emrin e tij tek Emri i Vet, 

Kur muezini dëshminë në pesë namazet thërret,

Emrin e tij nga Emri i Vet e nxori, që ta madhëroj,

Me “Mahmudun-i Lëvduari”, Poseduesi i Arshit emrin e  Tij e shoqëroi

Ndërsa profetin e Tij  të fundit “Muhamed-i Lavdëruar” e emërtoi.

 

Allahu i dha atij pasues të ndershëm, shokët e tij (sahabet) dhe dy gjeneratat pasuese të tyre (tabi-inët), si dhe mbarë besimtarët që erdhën pas tyre.

Allahu i dha atij kombin madhështor, që do mbetet në këmbë deri sa të shkatërrohet kjo gjithësi.

Allahu i dha atij Kuranin, Shpalljen, Përkujtimin dhe Urtësinë.

Allahu i dha atij moralin madhështor: “Vërtet ti (o Muhamed) je në një shkallë supreme të moralit”[9].

Allahu i Lavdishëm dhe i Lartmadhëruar i dha atij pozitën e madhe madhështore tek Ai; ai është profeti më i merituar, është prijësi i profetëve dhe vulosësi i tyre, është i pari prej tyre që do të hyjë në Xhenet dhe poseduesi i pozitës më madhështore. Ai gëzon tek Allahu i Lavdishëm dhe i Lartmadhëruar, edhe në këtë botë edhe në tjetrën, një pozitë të cilën nuk mund ta arrijë absolutisht asnjë nga krijesat e Allahut. Megjithatë Allahu e quajti atë “rob”, Allahu i Lartësuar ka thënë: “I lartmadhëruar është Ai-Allahu, që ia shpalli Furkanin (Kur'anin, dallues të së vërtetës nga e pavërteta) robit të vet (Muhamedit) që të bëhet profet botëror (këshillues)[10], ka thënë: E në qoftë se jeni në dyshim në atë që Ne ia shpallëm gradualisht robit tonë...”[11] dhe ka thënë: Pa të meta është Lartmadhëria e Atij që robin e Vet e kaloi në një pjesë të natës prej Mesxhidi Haramit (prej Qabes) gjer në Mesxhidi Aksa (Bejti Mukaddes)...[12]. Allahu e quajti profetin e Tij Muhamedin (a.s) rob, gjë që përbën një mirësi madhështore specifike dhe ekskluzive për të.

Pastaj Allahu i Lavdishëm dhe i Lartmadhëruar tha: “A nuk të gjeti ty jetim, e Ai të bëri vend (të dha përkrahje)[13]; sepse siç dihet profeti (a.s) u rrit jetim, i ati i vdiq para se të lindte dhe e ëma i vdiq në foshnjërinë e tij.

Në këtë situatë atë e strehon Allahu i Lavdishëm dhe i Lartmadhërishëm, Ai ia garantoi mbrojtjen dhe përkujdesjen, e rriti dhe zhvilloi nën mbikëqyrjen e Tij Hyjnore, derisa profeti (a.s)arriti në atë pozitë të lartë. Allahu e mbrojti atë nga çdo gjë, që dominonte në atë kohë injorance tek njerëzit.

Pastaj Allahu i Lavdishëm i tha: “Dhe të gjeti të pa udhëzuar e Ai të udhëzoi”[14].

Profeti (a.s), përpara se Allahu i Lavdishëm dhe i Lartmadhëruar t’ia zbriste këtë shpallje, këtë Kuran, këtë shpirt dhe frymë nga Allahu i Lavdishëm dhe i Lartmadhëruar, nuk e dinte se ç’ishte Libri (Kurani) dhe as se ç`ishte besimi islam... Me të ai u udhëzua nga humbja për në udhëzim, me të u mësua pasi qe në padituri, me të vështroi pasi qe në verbëri... Pasuesit e tij u bënë zotërinjtë e botës, liderët e historisë dhe bijtë e lavdisë dhe civilizimit.

Pastaj Allahu i Lavdishëm tha: “Dhe të gjeti të varfër, e Ai të begatoi”[15].

Profeti (a.s) në aspektin ekonomik të dynjasë, bëri një jetë të varfër, aq sa kur ai vdiq një parzmore e tij, (për arsyer borxhi), gjendej peng tek një çifut[16]. Ai nuk posedonte para dhe mall, madje ai për sojin e tij profetik tha: “Ne nuk trashëgohemi, çfarë lemë shkon për sadaka (bamirësi)[17].

Kur Umeri (r.a) erdhi një herë në shtëpinë e profetit (a.s), apo thënë më mirë në dhomën e tij të veçantë, gjeti në të një shtrojë të thjeshtë, gjeti të varur pakëz lëkurë në regjje e sipër dhe gjeti disa grushte thekër që nuk arrinin asnjë safë, gjë që e bëri Umerin (r.a) të qajë[18].

Në ato shtëpi nuk gjendeshin larmitë e gjërave, me të cilat kënaqen njerëzit sot, por ato shtëpi ishin në kulmin e modestisë dhe thjeshtësisë. Megjithatë pavarësisht nga kjo, Allahu i tha atij: Dhe të gjeti të varfër, e Ai të begatoi (pasuroi). Profetit të Allahut, Muhamedit (a.s), iu hap dynjaja me dy kanatet dhe atij i erdhën të gjitha begatitë e saj. Edhe male ari po të kishte dashur t’i vinin, ai do e kish lutur Zotin e tij dhe Ai do ia jepte ato, por ai (a.s) u kënaq të ishte rob profet.

Kur dynjaja me pasuritë e saj, me bagatitë, floririn dhe argjendin e saj iu nënshtrua profetit (a.s), ai ia shpërndau këto gjëra njerëzve. Një herë sapo profeti (a.s) fali namazin, direkt pas selamit doli me nxitim, sepse iu kujtua ca flori i papërpunuar që e kishte në shtëpi, të cilin aty për aty urdhëroi të shpërndahej. Kjo histori tregohet me detaje nga Ukbeja (r.a) i cili lidhur me këtë ka thënë: “Fala asrin (ikindinë) pas profetit (a.s) në Medine. Profeti dha selam pastaj u ngrit me nxitim, kaloi mbi qafat e njerëzve dhe shkoi tek njëra nga dhomat e grave të tij. Njerëzit u trembën nga nxitimi i tij. Doli tek njerëzit dhe kur pa se qenë çoroditur nga nxitimi i tij u tha: “Kujtova diç nga tibri[19] që ishte tek ne, s`më pëlqeu të më mbajë peng ndaj dhe urdhërova të ndahet[20].

Profeti (a.s) nuk kishte në posedim asgjë nga kjo dynja dhe nuk kishte asnjë varësi ndaj saj, por të mirat e dynjasë me dëshirë i shpërndante dhe shpenzonte në rrugë të Allahut të Lavdishëm dhe Lartmadhërishëm. Ai ka thënë: “Sa do doja të kisha sikurse Uhudi (mal) me flori dhe ta shpërndaja të gjithin përveç tre dinarëve (monedha ari)[21]

Kur profeti (a.s) u kthye nga Hunejni (beteja e Hunejnit ku u fitua shume plaçkë lufte), beduinët iu qasën të merrnin nga plaçka e luftës, derisa e detyruan të spostohej gjatë një peme të gjatë sermaje, që ia kapi rrobën e tij. Profeti i Allahut u pozicionua dhe tha: “Jepmani rrobën time. Për Allahun, nëse do kisha të mira materiale sa numri i këtyre gjetheve të kësaj peme do t’ua shpërndaja e s’do më gjenit as koprrac, as gënjeshtar dhe as frikacak”[22]. Kjo pozitë e tij ishte falë lavdërimit dhe falënderimit përkushtues të tij për Allahun e Ladvdishëm dhe Lartmadhërishëm.

Mirësitë e mia kanë pllakosur tuajat me tre: Dorën, gjuhën dhe vetëdijen e padepërtueshme.

Ai (a.s) e falënderonte Zotin e tij të Lavdishëm dhe të Lartmadhëruar me zemrën e tij, me falënderimin special të lavdëruesit të vetëdijshëm për mirësinë që i është dhënë, që është i vetëdijshëm, se mirësia është vepër e Allahut Lavdiplotë, se Ai begaton me të, Ai e ka në dorë atë dhe Ai e drejton dhe komandon boshtin e saj, se mirësia është prej Allahut të Lavdishëm e të Lartmadhëruar dhe i dedikohet Atij.

Nga udhëzimi i profetit (a.s) dhe biografia e tij, vijnë një mori formash përdëllimesh dhe falënderimesh. Ai (a.s) thoshte: “O Allahu im, Ty të takon falënderimi, Ti je drita e qiejve dhe e tokës dhe e kujt është në to, Ty të takon falënderimi në vlerat e qiejve dhe të tokës dhe të kujt është në to, Ty të takon falënderimi, Ti je i vërtetë, premtimi Yt është i vërtetë, fjala Jote është e vërtetë, takimi me Ty është i vërtetë, Xheneti është i vërtetë, zjarri është i vërtetë, momenti (i Kijametit) është i vërtetë, profetët janë të vërtetë dhe Muhamedi është i vërtetë. O Allahu im, Ty të jam dorëzuar, mbi Ty jam mbështetur, në Ty kam besuar, tek Ti jam strehuar, në emrin Tënd bëj debat dhe nga Ti e marr gjykimin. Falma atë çfarë kam gabuar më parë dhe çfarë do gaboj më pas, atë që e kam bërë fshehurazi dhe atë që e kam bërë haptazi. Ti je i hershmi dhe Ti je i fundmi, nuk ka hyjni veç Teje”[23].

Gjithashtu profeti (a.s) thotë: “O Allahu im, me kënaqësinë Tënde mbrohem nga zemërimi Yt, me mirësinë Tënde mbrohem nga ndëshkimi Yt, mbrohem me Ty  prej Teje, nuk mund ta përmbush falënderimin Tënd, Ti je siç e lëvdove veten Tënde”[24].

Larmi përgjërimesh dhe përdëllimesh drejtuar Zotit të Lartmadhëruar, Krijuesit të pashoq, Furnizuesit. Këto lutje u trashëguan nga shokët e tij (sahabet) dhe besimtarët pas tyre.

Gjymtyrët dhe organet na u dhanë, që këto mirësi t’i përdorim në funksion të bindjes karshi Allahut të Lavdishëm dhe të Lartmadhëruar. Profeti (a.s) e jetoi jetën e tij totalisht për Allahun e Lavdishëm dhe të Lartmadhëruar, siç e urdhëroi Zoti i tij: “Thuaj: ‘Namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë vetëm për Allahun, Zotin e botëve. Ai nuk ka shok (nuk adhuroj tjetër veç Tij). Me këtë (njësim të adhurimit vetëm për Zotin) jam i urdhëruar dhe jam i pari i myslimanëve (i pari që pranoj dhe bindem)!”[25].

Kur Profeti (a.s) ngrihej, ulej, zgjohej, flinte, lëvizte, qëndronte, në vendbanim apo rrugëtim, në pasuri apo varfëri, në çdo situatë dhe transformim, ishte robi model besimtar lavdërues i Allahut të Lavdishëm dhe Lartmadhëruar. Kjo hyn tek kuptimet e fjalës së Allahut të Lavdishëm dhe Lartmadhëruar: “Dhe të gjeti të pa udhëzuar e Ai të udhëzoi. Dhe të gjeti të varfër, e Ai të begatoi”[26].

Pastaj Allahu i Lavdishëm dhe i Lartmadhëruar sqaroi detyrimin respektiv të këtyre mirësive, duke thënë: “Pra, mos e përul jetimin!”[27]; me kuptimin: ishe vetë jetim, kështu që mëshiroji jetimët, tregohu i ndjeshëm ndaj tyre, lëmojua flokët, trego butësi ndaj tyre dhe ji në mbështetje të jetimëve, tanimë që kanë humbur baballarët e tyre... Kujto se ti ishe i tillë, jetim, e Allahu i Lavdishëm dhe i Lartmadhëruar të strehoi; kështu që strehoi edhe ti robërit e Allahut që janë jetimë.

“As lypësin mos e përzë!”[28]. Nëse të vjen një i varfër apo lypës, tek i cili shquhen shenjat e përuljes, varfërisë, mjerimit dhe nevojës, mos e përzë atë dhe mos u trego kryelartë me të... Në gjetsh gjë për t’i dhënë jepi, përndryshe largoje atë me qetësi dhe paqësisht.

Ngjashëm, nëse një lypës vjen për të marrë mendim rreth gjykimit të Allahut të Lavdishëm, ose për një gjë që përbën problem për të; mos e përzë atë, mos e mposht atë, mos u mërzit prej tij dhe mos e kritiko as mos e shaj atë; por mësoje atë, ashtu siç Allahu i Lavdishëm dhe i Lartmadhëruar të mësoi ty.

Pastaj tha: “E me të mirat që t'i dha Zoti yt, trego (udhëzo njerëz)!”[29]; pra fol mbi këto mirësi të mëdha, me të cilat të ka nderuar Zoti yt i Lavdishëm dhe i Lartmadhëruar. Fol mbi to jo duke u mburrur me këto mirësi, sepse ato nuk janë të tuat, por janë dhuntia e pastër e Zotit të Lavdishëm dhe të Lartmadhëruar, përndryshe dije se robi nuk ka të drejta karshi Zotit të tij për asgjë.

Robërit karshi Tij asnjë të drejtë nuk kanë,

Jo, s’e kanë në dorë ecejakun, me kok në qyp janë,

N`u ndëshkofshin falë drejtësisë së Tij, e n`u vjen begati,

Falë dhuntisë së Tij, Allahut, Bujarit të pa kufi.

 

Allahu i Lavdishëm dhe i Lartmadhëruar të dha ty, madje të dha shumë. Ai është i pasur; kënaqet që kur ti të hash, ta falënderosh për këtë, kur të pish një gllënjkë, të falënderosh edhe për këtë....

Fol mbi mirësinë e Allahut të Lavdishëm dhe të Lartmadhëruar, falendëroje dhe lëvdoje Zotin tënd, sa herë që të përjetosh ndonjë të mirë prej mirësive të Tij, sa herë që të gjesh ndonjë dhunti prej dhuntive të Tij. Ti vetë je prej mirësive dhe dhuntive të Tij: “Dhe çdo të mirë që e keni, ajo është prej Allahut, madje edhe kur ju godet e keqja, ju vetëm te Ai e ngrini zërin (me lutje)[30].

Medito se si po reagon ti karshi mirësive të Allahut të Lavdishëm, mbi dimensionin e falënderimit dhe lavdërimit tënd ndaj Tij karshi këtyre mirësive, mbi orientimin e tyre nga ana jote në bindjen ndaj Allahut të Lavdishëm dhe të Lartësuar dhe dije se Allahu i Lavdishëm dhe i Lartësuar ka të drejtën e Tij ekskluzive karshi çdo të mire që të ka dhënë:

Në pasurinë tënde ka të drejtë i varfëri...

Në fizikun tënd ka të drejtë shëndetligu...

Në aftësitë e tua ka të drejtë i paafti...

Në diturinë tënde ka të drejtë i padituri...

Gjithkush nga njerëzit ka të drejta në çfarë ti mundesh e ata nuk munden...

 

Falënderoje Allahun e Lavdishëm dhe të Lartmadhëruar, që të aftësoi ty për çfarë ata nuk kanë aftësi për të. Konsidero se prej falënderimit të kësaj mirësie është, që edhe ata të kenë pjesë dhe hise në këtë mirësi, si dhe të dish, se ose ajo një ditë prej ditëve do të ikë prej teje, ose ti do të ikësh prej saj.

Mikpritja jote karshi kësaj mirësie është, që ta falënderosh Allahun e Lavdishëm dhe të Lartmadhëruar për të, ashtu siç i takon ta falënderosh dhe lavdërosh, si dhe ta përdorësh atë në bindje ndaj Allahut, duke mos thënë siç tha Karuni, i cili të urtëve të popullit të tij që i thanë: “Mos u kreno aq fort, sepse Allahu nuk i do të shfrenuarit!”[31], u tha: “Më është dhënë vetëm në sajë të dijes sime!”[32]. Në fund Allahu i Lartësuar tha: “Po a nuk e di ai se Allahu shkatërroi para tij nga popujt e lashtë kë ishte edhe më i fuqishëm e më i pasur se ai, po mëkatarët kriminelë as që do të pyeten për fajet e tyre (meqë Allahu i di ato)[33].

Robi kënaqet me mirësitë e Allahut dhe mendon për to vetëm kur i humbet apo kur është gati për t`i humbur. Sa e sa organe, gjymtyrë, aftësi dhe dhunti në tru, zemër dhe trup, dukshëm dhe fshehurazi, në shpirt dhe materie, tek uni, pasuria, familjarët dhe fëmija, kemi.

Pastaj sa prej mirësive që ke: familja, fisi, shokët, punët, pozita, lidhjet, ambiciet dhe ëndrrat, madje edhe ky univers gjigant i krijuar në formë të përshtatshme për jetën në të gjithë nevojat që jeta kërkon, saqë planetët i gjejmë gjigante me disa herë dimensionet e tokës, por i gjejmë të shkretë, thatësira të errëta, të pajetë dhe të pabanuar, i gjejmë të mos ofrojnë kushte për jetë dhe njerëzit nuk mund të jetojnë mbi to.

Ja, njeriu i cili thuhet se arriti në sipërfaqen e hënës, me fotot e kozmonautëve që u shpërndanë në agjencitë dhe kanalet e ndryshme, priten me një lloj reagimi të çuditshëm nga njerëzit, pamje që jepnin përshtypjen se i përkasin një epoke të hershme, që as ngacmon dhe as stimulon reagim.

Falënderuar qofsh o Ti, që sundon pafundësisht, sikurse mirësitë, dhuntitë dhe bamirësitë e Tua, falënderim të shumtë të dëlirë të begatuar, që i vjen për shtat mirësive të Tua. Për Ty është falënderimin sa të arrihet kënaqësia Jote, për Ty është falënderimi kur të kënaqesh dhe për Ty është falënderimi, pasi të kënaqesh. 

 

 


[1] Ali Imran: 8.

[2] Sad: 9.

[3] Sad: 35.

[4] Nahl: 53-54.

[5] Nahl: 18.

[6] Ibrahim: 34.

[7] Duha: 1-4.

[8] Duha: 5.

[9] Kalem: 4.

[10] Furkan: 1.

[11] Bekare: 23.

[12] Isra: 1.

[13] Duha: 6.

[14] Duha: 7.

[15] Duha: 8.

[16] Shiko “Sahihul Bukhari” (4467) dhe “Sahihul Muslim” (1603).

[17] Publikuar nga Bukhariu dhe Muslimi.

[18] Shiko “Sahihul Bukhari” (2468, 1913) dhe “Sahihul Muslim” (1479).

[19] Flori i papërpunuar, i parrahur.

[20] Publikuar nga Bukhariu (851).

[21] Publikuar nga Bukhariu (1408) dhe Muslimi (992).

[22] Publikuar nga Bukhariu (3148).

[23] Sahihul Bukhari (6317) dhe Sahihul Muslim (769).

[24] Sahihul Muslim (486).

[25] Enam: 162-163.

[26] Duha: 8.

[27] Duha: 9.

[28] Duha: 10.

[29] Duha: 11.

[30] Nahl: 53.

[31] Kasas: 76.

[32] Kasas: 78.

[33] Kasas: 78.

Submitting your vote...
Not rated yet. Be the first who rates this item!
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

05/03/2021
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
04:34 06:0511:5915:0717:4119:02

Urtësi Profetike

Gjërat që i çojnë njerëzit

më shumë në Xhennet

janë devotshmëria

dhe mirësjellja.


Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook