Allahu është i Bukur
Në “Sahihul Muslim” ka ardhur: “Fakt është se Allahu është i bukur dhe e do të bukurën”[1].
Bukuria: Nënkupton hijeshinë, antonimi i së ciës është “e shëmtuara”. Allahu i Lartësuar është i bukur në Vetveten e Tij, është i bukur në emrat e Tij dhe është i bukur në veprimet e Tij, i lëvduar dhe lartësuar është Ai.
Pikërisht për këtë fakt, mirësia më e madhe e Xhenetit është të shikuarit në Fytyrën e Tij fisnike: “Atë ditë do të ketë fytyra të shkëlqyera (të gëzuara). Që Zotin e tyre e shikojnë”[2]. Kjo vlen edhe për emrat e tij lavdiplotë. Që të gjithë janë të bukur dhe të hijshëm: “Allahu ka emrat më të mirë (më të bukur)…”[3].
Veprimet e Allahut janë të bukura, pasi ato vërtiten midis hijeshisë dhe dhuntisë, midis mirësisë dhe përkujdesjes, midis drejtësisë dhe urtësisë; në veprimet e Tij nuk ka vend për kotësinë, vështirësinë, rastësinë dhe dhunën: “Fjalët e Zotit tënd janë plotësisht të vërteta (në çka lajmërojnë) dhe plotësisht të drejta (lidhur me çka gjykojnë)…”[4]. Çdo gjë që Allahu i Lartësuar e krijoi, e bëri në formën më të bukur edhe njeriun e krijoi në formën më të bukur.
Argumentimi mbi bukurinë e Lavdiplotit spikatet gjithashtu tek bukuria e qenieve që ka krijuar në këtë botë, në terren dhe detin e saj, spikatet tek gjelbërimi dhe lulëzimi që dëshmojmë. Bukuria është dhuratë e Allahut, është krijesë e Tij, e Allahu i Lavdishëm dhe i Lartmadhëruar është më primar, për ta poseduar atë. Në mënyrë të njëjtë shprehemi për Xhenetin, botën e stolisjes, hijeshisë dhe bukurisë.
Bukurinë e Lavdiplotit Allah nuk mund ta nxënë mendjet, nuk mund ta kapin sytë, sikurse shprehet mbi këtë Profeti (a.s): “Nuk mundem ta katërcipëroj lavdërimin Tënd, Ti je ashtu siç e lëvdove Vetveten”[5].
Në një tjetër hadith të saktë vjen: “Manteli i Tij është dritë, nëse do e zbulonte, Madhështia e Fytyrës së Tij do kish djegur krijesat deri ku të arrinte Vështrimi i Tij” [6].
Ai është i Bukuri realisht, e si jo?
Çdo gjurmë e të bukurës për Zotin e saj,
të Bukurin, tregon.
Bukuria karakterizon universet mbarë,
Për të, i Gjithëdijshmi është më meritor, më primar.
Besimi në këtë emër i shton besimtarit dashuri për Allahun, i shton adhurim për Të dhe përmallim për takimin me Të. Diçka të tillë e shpreh vetë Profeti (a.s): “Të lus (o Allahu im) për kënaqësinë e shikimit tek Fytyra Jote fisnike dhe përmallimin për t’u takuar me Ty!”[7].
Gjithashtu ky emër na nxit, që të bukurën ta kemi cilësi tonën në veshje, paraqitje, vepra dhe fjalë, pasi ajo është e dashur tek Allahu. “Allahu i Lavdishëm do që ta shikojë gjurmën e të mirës së Tij tek robi i Vet”[8], gjë që del në pah sidomos me njohjen e shkakut të hadithit në fjalë, thënies së sahabëve (shokëve të Profetit), Allahu qoftë i kënaqur me ta: “Dikush nga ne do që rroba e tij të jetë e bukur e edhe këpuca e tij të jetë e bukur”...
Në këtë hadith hetojmë sesi sahabët, gjenerata më e mirë, e kishin për cilësi të bukurën. Edukata profetike është ajo, që lindi tek ata këtë lloj dashurie, dashurinë për të bukurën edhe në çështjen e rrobës dhe këpucës.
Profeti (a.s) e thekson interesimin e sahabëve me fjalën e tij: “Allahu është i Bukur dhe e do të bukurën”. Allahu e do të bukurën, shpërblen për të dhe i do poseduesit e saj, ashtu sikurse do diturinë, fisnikërinë, tolerancën dhe pastërtinë.
Përsa i përket bukurisë në dynja, Allahu i Lartësuar ka thënë: “Në to (në kafshët) ju shihni hijeshi, në mbrëmje kur i ktheni ato (nga kullosa) dhe në mëngjes kur i lëshoni (për në kullosë)”[9]. “Edhe kuajt (i krijoi), edhe mushkat edhe gomarët, për t’u bartur mbi to dhe si stoli…”[10], “…e Ne me të (shiun) bëmë të lulëzojnë kopshte të bukura…”[11], “Gjithçka që është mbi tokë, Ne e bëmë stoli të saj…”[12] “Dijeni (o njerëz) se jeta e kësaj bote nuk është tjetër vetëm se lojë, dëfrim, stoli…”[13].
Profetit të Allahut, Jusufit (a.s), i është dhënë gjysma e bukurisë[14]. Njëjtë vlen për profetin tonë Muhamedin (a.s). Ngjyra e lëkurës së tij ishte vezulluese dhe ai ishte njeriu me fytyrën më të hijshme[15]. Fytyra e tij ishte si hënë. Ebu Talibi e përshkroi kështu atë:
I bardhë, shiu bie nga fytyra e tij…
Po kështu, profeti (a.s) ishte i hijshëm në moralin e tij, në edukatën e tij, në turpin e tij, në durimin e tij dhe tolerancën e tij edhe me mosbesimtarët e deklaruar, për të mos folur pastaj me hipokritët, apo akoma më shumë me robërit besimtar të Allahut.
[1] Muslimi: 91.
[2] Kuran, Kijame: 22-23.
[3] Kuran, Araf: 180.
[4] Kuran, Enam: 115.
[5] Muslimi: 486.
[6] Muslimi: 179.
[7] Ahmedi: 18351, Nisaiu: 1305 dhe Ibn Hibani: 1971.
[8] “El Musned”: 7759, 19087; “Xhemiu et Tirmidhi”: 2819 dhe “Sahihu Ibn Hiban”: 5416, 5417.
[9] Kuran, Nahl: 6.
[10] Kuran, Nahl: 8.
[11] Kuran, Neml: 60.
[12] Kuran, Kehf: 7.
[13] Kuran, Hadid: 20.
[14] “Sahihul Muslim”: 162.
[15] “Sahihul Buhari”: 3547, “Sahihul Muslim”: 2330 dhe “Meal Mustafa” fq. 9-26.
Shenim: Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.