By: Nga: Selman ibn Fehd el Aude

Allahu, Shpikësi


Nga emrat e Zotit tonë të Lavdishëm dhe Lartmadhëruar është emri “El Bedi’i-Shpikësi”. Allahu e përmend këtë emër në Kuranin fisnik: “Ai është Shpikësi i qiejve e i tokës (pa kurrfarë modeli të mëparshëm) e kur dëshiron diçka, ai vetëm i thotë: ‘Bëhu!‘, në atë moment bëhet“[1], dhe “Ai (Allahu) është Shpikësi (që i krijoi në një mënyrë origjinale) qiejt dhe tokën (e duke qenë i tillë), si të ketë Ai fëmijë, duke mos pasur bashkëshorte?! Çdo send Ai e krijoi dhe Ai është i gjithëdijshëm për çdo gjë“[2].

“El Bedi’i-Shpikësi“: vjen me kuptimin autori i origjinales, (i diçkaje të pashembullt dhe të paimitueshme). Allahu është Autori origjinal, që shpiku qiejt dhe tokën, duke i bërë ato në një model origjinal, jo nga një model apo shembull i mëparshëm.

Nëse njeriu do të ndërtojë një shtëpi qoftë edhe të vogël në madhësi dhe hapësirë, ai do të bazohet në modele, ku janë bazuar njerëzit më parë. Mundet të bëjë ndonjë ndryshim andej-këtej, të zgjedhë çfarë i vjen për shtat shijes së tij, kushteve apo konsideratave të tij specifike, por ai sërish ngelet peng i asaj çfarë qe para tij dhe asaj çfarë është rrotull tij. Do të mbetet i robëruar nga eksperiencat e shkuara dhe nga trajta të përcaktuara. Ky është njeriu, përsa i përket dobësisë së tij dhe aftësisë së tij të kufizuar.

Ndërsa Allahu i Lavdishëm dhe i Lartëmadhërishëm është Hyjnia, Krijuesi, Shpikësi, që krijoi qiejt dhe tokën, si dhe gjithë sa gjendet në to, galaktikat dhe yjet, sendet, njerëzit, kafshët, shpendët, bimët, ujin, ajrin, dritën dhe gjërat e tjera, që jehojnë anë e mbanë këtij universi. Ato na japin faktet e besimit, dëlirësimit, pranimit dhe madhërimit të  Allahut të Lavdishëm dhe të Lartësuar, këtij Shpikësi të Urtë, që është “Shpikësi i qiejve dhe i tokës“, Krijuesi dhe shpikësi i tyre në një model dhe në një shembull, që nuk ka ekzistuar më parë.

Nëse njeriu nuk do e shihte ujin me sytë e vet, pastaj të vinte dikush dhe t’ia përshkruante këtë ujë, të cilin syri e shikon dhe dora e prek, ndoshta do mendonte, se ky person po flet në tym, po fantazon apo mund të mendojë se ai është i çmendur, ose se po e mashtron dhe tallet me të.

Ti do të habiteshe më shumë, nëse një njeri do të ta përshkruante dritën, falë së cilës arrihet të shquhen gjërat që na rrethojnë dhe me të cilën arrihet ndriçimi i tyre, në mënyrë që njeriu të ketë mundësi t`i shikojë dhe t`i perceptojë, megjithëse drita s’është një trup material, që mund ta kapet me dorë. Pas kësaj ai njeri tenton të të përshkruajë zjarrin dhe të bëjë dallimin midis dritës dhe zjarrit, sesi zjarri djeg, flakëron dhe gllabëron, ndryshe nga drita, që më shumë anon tek ndriçimi dhe nxjerrja në pah e gjërave. Në këtë rast çështja do të ishte vërtet pështjelluese.

Çudia do të ishte edhe më e madhe, nëse dikush do të përshkruante atmosferën dhe ajrin që thith njeriu, si dhe ndikimin që kanë këto në jetën e tij, në ekzistencën e tij dhe në një sërë gjërash tërësisht të perceptueshme dhe të kapshme nga shqisat, pavarësisht se ajri dhe atmosfera nuk mund të shihen me sy dhe as të preken me dorë.

 

Por këto gjëra që thamë, janë shndërruar për njeriun në gjëra normale. Pikërisht konsiderimi i këtyre mrekullive si normale dhe të zakonshme, ka dëmtuar madhështinë dhe shkëlqimin e panoramave të krijimit origjinal dhe të mrekullueshëm të krijesës së Shpikësit, të Urtit, Krijuesit të Lavdishëm dhe të Lartësuar. Nëse njeriu do meditojë në këtë univers me larminë e tij përfshirëse, atëherë ai do arrijë të perceptojë një aspekt prej aspekteve të kuptimit të fjalës së Allahut të Lavdishëm: “Shpikësi i qiejve dhe i tokës”.

Allahu i Lavdishëm dhe i Lartësuar përmend në shumë vende në Kuran, argumentimin përmes fakteve të Tij universale, që gjenden në horizonte, në univers dhe në vetë qenien njerëzore. Përmes këtyre fakteve, Allahu i Lartësuar jep argumente mbi madhështinë dhe aftësinë e Tij Lavdiplotë, sesi universi është krijesë e Tij dhe i dedikohet Atij. Me to Ai argumenton ringjalljen pas vdekjes, sikurse bën në rastin e argumentimit përmes qiellit (dhe më gjerë): “A nuk shikojnë ata me vëmendje kah qielli, se si mbi ta e kemi ndërtuar atë, e kemi zbukuruar atë duke mos pasur në të ndonjë zbrazëti. Edhe tokën se si e kemi shtrirë, e në të kemi vendosur kodra përforcuese dhe kemi bërë që në të të mbijnë gjithfarë bimësh të bukura. (I bëmë) Dëshmi të dukshme dhe përkujtesë për çdo njeri, që ka drejtuar mendjen (te Zoti). Nga qielli lëshuam shiun e dobishëm dhe me të bëmë, që të kultivohen kopshte e drithëra që korren. Dhe rritëm trungje të gjata hurmash me fruta të stivosur njëra mbi tjetrën. Ushqim për njerëz dhe me të (shiun) Ne e ngjallëm tokën e vdekur dhe kështu do të jetë edhe ringjallja“[3].

Argumenti në fjalë është një argument i pakontestueshëm mbi aftësinë e plotë hyjnore, është një argument mbi ringjalljen e njerëzve pas vdekjes së tyre dhe daljes së tyre nga varret.

Nëse mediton mbi rruazat e kuqe të gjakut, që notojnë në damarët e trupit tënd dhe që kryejnë detyrën e tyre madhështore në formën më të mirë, do të shohësh, se këto rruaza të vogla që s’mund të shihen me sy të lirë, janë të shumta në numër. Nëse do të viheshin në gjerësinë e një linje të vetme, do kishin një gjatësi sa 5-fishi i diametrit të tokës, megjithëse janë aq të vogla. Numri i tyre arrin pesë milion rruaza të kuqe gjaku në çdo milimetër kub gjak. Kjo qelizë e vogël, prej të cilës formohet trupi i njeriut, që është vetëm një trup mikroskopik, përshkruan afërsisht 1150 kilometra në qarkullimin e saj në trupin e njeriut. Mendo mbi këtë distancë gjigande të këtij qarkullimi madhështor, kundrejt të cilit ti o njeri je krejt i pavëmendshëm, as e percepton dhe as e ndjen dot.

Kemi gjithashtu zemrën, që pompon gjakun në trup, pa u ndaluar asnjëherë për shtatëdhjetë, tetëdhjetë vite të gjata apo edhe më shumë. A e dini se në një moshë njerëzore prej gjashtëdhjetë apo shtatëdhjetë vitesh, zemra e njeriut pompon 56 milion litra gjak, skaj më skaj në trup. Pavarësisht kësaj, kjo zemër nuk ka nevojë për asnjë servis dhe punë ekzekutive, gjë që e gjejmë evidente tek shumica e aparaturave bashkëkohore më fine dhe të teknologjisë më të fundit. Për çudinë tonë, kjo zemër nuk ka nevojë të pushojë dhe ndalojë, por punon pa pushim dhe kryen punën e saj thelbësore, edhe nëse ti o njeri nuk ia di asaj emrin apo funksionin. 

Dëshmojmë gjithashtu, krijesa në dukje paradoksale, zjarrin dhe ujin, dritën dhe errësirën, por që Allahu i Lartësuar ka bërë, që të jenë në harmoni dhe përputhje të ndërthurur, në një panoramë dhe pamje origjinale, të mrekullueshme dhe të bukur, që e bën njeriu që instinktivisht të lavdërojë dhe madhërojë këtë Krijues, Shpikës dhe të Urtë, që i bëri këto materie të ndryshme, të plotësojnë njëra-tjetrën, i krijoi në harmoni dhe në përputhje të plotë me njëra-tjetrën, i bëri të formojnë një panoramë dhe syri nuk mërzitet kurrë duke e vështruar dhe eksperimentuar atë.

Lëvduar qoftë Ky Krijues, që bëri këtë krijim të përsosur, me të cilin sytë çlodhen dhe mrekullohen.

Për çdo ditë që kalon, shkenca vazhdon të zbulojë aspekte të ndryshme të madhështisë dhe mrekullisë në krijimin e Këtij Krijuesi të Lavdishëm. Ka shumë njerëz sot, që mund të mendojnë se shkenca është si një person i thyer në moshë, që ka bërë të tijin një spektër shumë të gjerë të njohurive dhe se për çdo pyetje ajo e ka një përgjigje. Por realiteti dëshmon, se shkenca është ende një njomëzak në vitet e para të rinisë, vështrimi i të cilit është tepër i kufizuar, përsa i përket botës gjigante universale, botë e cila është ende e panjohur për të, prej të cilës ka zbuluar vetëm disa gjurmë të pakta.

Krijesa mund të shpikë diçka, por shpikja e tij është në një vlerë të caktuar dhe brenda kuadrit të krijimtarisë së Allahut të Lartësuar. Shpikja angazhuese dhe e standardizuar është një angazhim human i domosdoshëm, ku hyn edhe shpikja në lëmin e didaktikës dhe shprehive, teksa dihet se prej mrekullive të veprës së mrekullueshme të Shpikësit të Lavdishëm dhe të Lartësuar është: aftësimi i species humane që të flasë. Nëse njeriu do meditonte thellë, mbi mënyrën sesi arrihet të bëhet dalja e zërit, sesi ky timbër ndryshon nga një njeri tek tjetri dhe sesi lindën dhe u zhvilluan gjuhët tek folësit e tyre, do pushtohej nga habia dhe çudia.

Njeriu mund të sjellë risi në botën e krijimtarisë letrare, në të shkruar dhe ligjëruar, mund të posedojë larmishmëri në një fushë të caktuar. Gjithashtu ai mund të jetë novator në lëmin e teknologjisë, prodhimit dhe shpikjes, në lëmin e zbulimeve dhe administrimit ekzekutiv, në artet e ndryshme praktike dhe në mbarë çështjet e jetës. Porse gjithsesi, e gjitha kjo nismë e re është brenda kuadrit të gjerë të lejueshmërisë dhe brenda kuadrit të horizonteve të begatisë hyjnore, që Allahu i Lartësuar i ka hapur për robërit e Tij, me kushtin që ata të tregojnë bindje ndaj Tij, duke ditur se nuk u lejohet atyre, të dalin nga bindja ndaj Tij dhe angazhimi me urdhrin të Tij. Gjithashtu (robërit e Allahut duhet të jenë të ndërgjegjshëm se) Allahu i Lartësuar, ua ka mbyllur atyre derën e shpikjes – apo bidatit (sajesës dhe risisë) – në çështjet specifike hyjnore, që kanë të bëjnë me adhurimin. Nuk është e drejtë njerëzore, që njeriu të shpikë adhurime specifike nga koka e tij, për t’u afruar me to tek Zoti i tij, pasi asnjë njeri nuk di sesi të afrohet tek Allahu i Lavdishëm dhe i Lartësuar. Këtë afrim mund ta bëjë vetëm përmes rrugës së atyre, të cilët Allahu i Lavdishëm dhe i Lartësuar i mësoi dhe i orientoi, (profetëve fisnikë), duke u zbritur aspektet e ndryshme të adhurimit në Librin e Tij, si namazin, rukunë dhe sexhden. Po të thellohesh, do gjesh se ky (orientim hyjnor mbi adhurimin e saktë) është njëjtë me atë (tolerancën për shpikjet e ndershme jashtë lëmit të adhurimit) dhe është prej hapësirës së madhe, që Krijuesi u ka dhënë robërve të Tij.

Hapësira, që Allahu i Lavdishëm u jep njerëzve, fsheh urtësinë që t’ua hapë atyre horizontet e shpikjes dhe novacionit, t’ua vërë në lëvizje mendjet, pasionet dhe dhuntitë e tyre në rrugët e risisë dhe novacionit, në mbarë lëmenjtë e jetës, ndërkohë që në krahun tjetër, Allahu i privon njerëzit të ndërhyjnë në aspektin e adhurimit, me qëllim që jeta e tyre të mos transformohet në adhurime të trajtave të sajuara “ ...lidhur me të cilat Allahu nuk shpalli asnjë fakt (vendim hyjnor)...“[4].

 


[1] Kuran, Bekare: 117.

[2] Kuran, Enam: 101.

[3] Kuran, Kaf: 6-11.

[4] Kuran, Jusuf: 40.

Perktheu: Altin Torba

Submitting your vote...
Not rated yet. Be the first who rates this item!
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

29/09/2020
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
04:57 06:2912:3815:5618:3519:56

Urtësi Profetike

Gjërat që i çojnë njerëzit

më shumë në Xhennet

janë devotshmëria

dhe mirësjellja.


Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook