Ankesa e Habab ibnul Eretit


Transmetohet nga Ebu Abdulla Habab ibnul Eret, i cili ka thënë: “Iu ankuam të Dërguarit të Allahut (për persekutimet nga idhujtarët), ndërkohë që ai kishte mbështetur kokën në një nga rrobat e tij nën hijen e Qabes. Ne i thamë: A nuk do të kërkosh ndihmë për ne? A nuk do të lutesh për ne? Mirëpo ai tha: “Vërtet, tek ata (besimtarë) që kanë qenë përpara jush, merrej një burrë, hapej një gropë në të cilën e vendosnin atë. Më pas e merrnin sharrën, ia vendosnin në kokë dhe e ndanin në dy pjesë, pastaj ia rripnin mishin dhe lëkurën me krehër hekuri, por as kjo nuk e largonte nga feja e tij. Betohem në emër të Allahut, se Allahu do ta plotësojë këtë fe, saqë kalorësi do të udhëtojë nga San’aja deri në Hadremeut, duke mos patur frikë askënd përveç Allahut, apo ujkun për kopenë e vet, mirëpo ju nguteni”.[1]

Ndërsa në një transmetim tjetër thuhet: “Ndërkohë që ai ishte mbshtetur në një rrobë, e ne kishim përjetuar tortura nga idhujtarët.”[2]

Jetëshkrimi i transmetuesit të hadithit:

Ai është Habab ibnul Eret ibnu Xhendele Et Temimi. Ai është prej sahabëve të parë, që e përqafoi fenë Islame, më saktësisht një prej gjashtë besimtarëve të parë. Ai e përqafoi Islamin bashkë me Ebu Bekrin, Suhejbin, Bilalin, Amarin dhe Sumejen, nënën e Amarit. Po ashtu ai është prej atyre sahabëve, që u persekutua dhe u torturua nga idhujtarët e Mekes, për shkak se kishte pranuar fenë e Muhamedit a.s. Megjithëse torturat ndaj tij ishin çnjerëzore, ai u bëri ballë dhe qëndroi i paepur ndaj tyre.

Në periudhën e injorancës ai punonte si farkëtar, duke punuar shpata. Mirëpo më vonë atë e zunë rob dhe e shitën në Meke tek Umu Enmar El Huzaije. Kur përqafoi fenë islame, idhujtarët e Mekes e torturuan shumë, me qëllim që ai ta braktisë fenë, mirëpo ai duroi dhe nuk ua dhuroi atyre kënaqësinë që dëshironin. Prej torturave çnjerëzore që ata ushtruan ndaj tij ishin gurët e nxehtë, që ishin pjekur nga dielli apo nga zjarri, të cilët ia vendosnin në shpinë, derisa i rripej mishi. Prijësi i besimtarëve, Omer ibnul Hatabi më vonë do ta pyeste rreth torturave të idhujtarëve ndaj tij. Ai zbuloi shpinën e tij dhe i tha: Shiko! – o prijës i besimtarëve. Kur prijësi i besimtarëve hodhi vështrimin mbi shpinën e tij, tha: Kurrë nuk kam parë si shpina jote! Hababi u përgjigj: Për mua është ndezur zjarri, të cilin e ka shuar vetëm yndyra (dhjami) e shpinës time.

Njëherë ai shkoi tek El As ibnu Uail Es Sehmi, për të marrë hakun që ai i kishte. Mirëpo, El Asi i tha: “Nuk ta jap hakun tënd, derisa ta mohosh Muhamedin”. Jo! – u përgjigj ai, edhe sikur të vdesësh e të ringjallesh. E pasi të vdes do të ringjallem?! – pyeti ai me habi. Po – u përgjigj Hababi. Atëherë – tha ai, atje unë do të kem pasuri dhe fëmijë e do të ta kthej hakun tënd. Hababi shkoi tek Profeti (a.s) dhe i tregoi për këtë ndodhi. Më pas, Allahu i Lartësuar do të zbriste ajetin kuranor: Vallë, e ke parë atë që nuk beson në shenjat Tona dhe thotë: Mua do të më jepet (Ditën e Kijametit) edhe pasuria edhe fëmijët?!”[3]

Hababi është prej muhaxhirëve të parë, që emigruan për në Medine. Kur Profeti (a.s) shkoi në Medine, e vëllazëroi me Temim Meula Harash ibnus Sime. Mori pjesë së bashku me Profetin (a.s) në betejën e Bedrit, Uhudit, Hendekut dhe të gjithë betejat e tjera.

Vdiq në Kufe në vitin 37 të hixhretit, duke qenë sahabi i parë që është varrosur në të. Pas vdekjes së tij, imam Ali ibnu Ebu Talib tha: “Allahu e mëshiroftë Hababin, e përqafoi Islamin me dëshirë, emigroi duke zbatuar urdhërin, jetoi si luftëtar trim, u sprovua në trupin e tij, e Allahu nuk ia humb kurrë shpërblimin atij që bën vepra të mira”.

Ai ka transmetuar 32 hadithe nga Profeti (a.s.).

Allahu e mëshiroftë.

 

Shpjegimi i hadithit:

Nën hijen e shtëpisë së shenjtë, Qabes dhe në flladin e mëngjesit, I Dërguari i Allahut (a.s.) i mbështetur mbi një rrobë që e kishte bërë si jastëk, ishte shtrirë për të shijuar rrezet e para të diellit. Mirëpo shumë shpejt përpara tij erdhën disa besimtarë, për t’iu ankuar nga keqtrajtimet dhe torturat, që idhujtarët ushtronin ndaj tyre. Ankesa e tyre nuk nënkuptonte dobësi apo kundërshtim të parimeve të fesë, por ata erdhën për t’i kërkuar ndihmë Profetit (a.s), që ta luste Allahun ne qëppim që t’i shpëtonte nga e keqja e armiqve të fesë, që i persekutonin ata, vetëm sepse kishin përqafuar fenë islame dhe kishin ndjekur Muhamedin (a.s). Ndoshta këta besimtarë të pafuqishëm ndaj kësaj dhune menduan se çasti më i përshtatshëm që Profeti (a.s) t’i lutej Allahut për t’i ndihmuar ata ishte ky moment, momenti ku ai (a.s) po qëndronte në Qabe.

Kushdo prej nesh do të mendonte, se Profeti (a.s) do t’i përgjigjej kërkesës së tyre, ashtu siç menduan edhe këta besimtarë. Ai (a.s) nuk i lutet Allahut të Lartësuar që t’i ndihmojë ata, sepse lutja është e pranuar tek Allahu, përderisa ata vazhdojnë të rezistojnë dhe të jenë të durueshëm. Nuk duhet të harrojmë, se ata të cilët i kërkuan ndihmë Profetit (a.s) ishin Bilali, Hababi, Suhejbi, Jasiri dhe Amari, për të cilët Allahu i Lartësuar e këshilloi të Dërguarin e Tij me fjalët: Dhe qëndro me ata që i luten Zotit të vet në mëngjes dhe mbrëmje, duke dëshiruar Fytyrën (kënaqësinë) e Tij dhe mos i shmang sytë nga ata (tek të tjerët) , duke dëshiruar stolitë e shkëlqimin e kësaj jete.”[4]

Mirëpo ajo ç’ka Profeti (a.s) u dha atyre ishte një mësim i mirë për durimin, qëndrueshmërinë e besimit dhe parimeve. Për t’ia bërë atyre më të qartë këtë gjë, u tregon një shembull nga besimtarët e mëparshëm, që kanë përjetuar tortura më çnjerëzore se të tyret. Ajo ç’ka u tregon, nuk është një ilustrim por ngjarje e vërtetë. Profeti (a.s) u tregon atyre për disa besimtarë, të cilët janë sharruar me sharrë si të ishin copa druri e jo njerëz, janë djegur si të ishin mish për gatim, janë rrjepur me krehër prej hekuri, si të ishin pula, e janë sprovuar me lloj – lloj torturash nga më të paimagjinueshmet, por megjithatë ata nuk u lëkundën e as nuk u dorëzuan përpara këtyre sprovave të vështira. Ata qëndruan të fortë, duke u kapur fort pas besimit të tyre, duke sakrifikuar veten dhe pasurinë e tyre në rrugë të Allahut dhe duke kërkuar kënaqësinë e Tij. Ata i përballuan me durim këto sprova dhe tortura çnjerëzore, nuk u treguan për asnjë çast të dobët dhe nuk iu gjunjëzuan për asnjë moment përpara tiranëve dhe armiqve të fesë. E nuk ka dyshim se në fund ata dolën fitimtarë, sepse Allahu i Lartësuar është me durimtarët. Kjo panoramë të cilën Profeti (a.s) ua tregoi shokëve të tij të persekutuar, flet për të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen, duke na dhënë shembullin më të mirë të durimit dhe sakrificës për hir të besimit dhe triumfit të të vërtetës.

Mësimi që Profeti (a.s) u dha shokëve të tij të persekutuar, kishte një rëndësi tepër të madhe. Megjithatë Profeti (a.s) nuk e mjaftua me kaq, por u dha edhe një sihiariq të mirë, se feja islame do të triumfojë ndaj të gjitha feve të tjera nga lindja deri në perëndim. Sado që të tiranët dhe armiqtë e fesë do të përpiqen për ta shuar dritën e Allahut, nuk mund ta shuajnë atë, sepse Allahu i Lartësuar e përhap fenë e Tij edhe nëse jobesimtarët nuk e dëshirojnë një gjë të tillë.

Në fakt, ajo që Profeti (a.s) u tha shokëve të tij ndodhi në të vërtetë., Allahu e shndërroi në siguri frikën që kishin myslimanët e parë dhe dobësinë e tyre e ktheu në forcë, sepse myslimanët më pas do të udhëhiqnin botën, pasi njerëzit e përqafuan fenë e Allahut grupe - grupe. E gjithë mirësia e përhapjes së fesë islame i takon myslimanëve të brezit të parë, të cilët sakrifikuan duke u bërë ballë me durim sprovave të ndryshme, vetëm që fjala e Allahut të triumfojë ndaj çdo gjëje tjetër. E Allahu i Lartësuar ka thënë të vërtetën kur ka thënë në Librin e Tij: Dhe ushtritë Tona do të jenë me siguri fitimtare!”[5] Dijetari i shquar Muhamed ibnu Uthejmin (Allahu e mëshiroftë), duke komentuar këtë hadith, thotë: [Më pas Profeti (a.s) betohet në emër të Allahut, se Allahu i Lartësuar ka për ta plotësuar këtë fe, që nënkupton se Ai ka për ta plotësuar fenë me të cilën erdhi i Dërguari i Allahut, derisa kalorësi do të lëvizë nga San’aja deri në Hadrameut, duke mos patur frikë askënd përveç Allahut dhe ujkut për kopenë e vet. “mirëpo ju nguteni”: që do të thotë: bëni durim dhe prisni, derisa Allahu t’ju gjejë rrugëdalje, sepse Ai do ta plotësojë këtë  fe dhe në të vërtetë, ndodhi ashtu siç u betua Profeti (a.s). Ky hadith është mrekulli e Allahut, sepse u realizua ajo ç’ka Profeti (a.s) paralajmëroi. Po ashtu, ky hadith është një dëshmi për Profetin (a.s), sepse Allahu e vërtetoi atë që ai (a.s) paralajmëroi. Kjo dëshmon për profetësinë e Muhamedit (a.s), ashtu siç citohet në një ajet kuranor: Por Allahu dëshmon për atë që të ka shpallur ty (o Muhamed), se Ai ta ka shpallur atë me dijeninë e Tij, po ashtu edhe ëngjëjt dëshmojnë për këtë. Allahu ësht ë i mjaftueshëm si dëshmitar.”[6]][7]

 

Nga bukuritë leksikore të hadithit :

Duke medituar në bukuritë leksikore të këtij hadithi profetik, arrijmë të kuptojmë se çdo shkronjë, fjalë apo fjali është përdorur në vendin e duhur, duke dhënë një kuptim sa më domethënës. Përzgjedhja e fjalëve shpreh shumë kuptime, që na pasqyrojnë realitetin e dhimbshëm dhe rrezikun e madh që i kanosej gjeneratës së parë të sahabëve, të cilët ishin kapur fort pas fesë, sikur të ishin kapur fort pas prushit. Vetë transmetuesi i këtij hadithi, Hababi është shembulli praktik, i cili bëri qëndresë të fortë dhe refuzoi të dorëzohej, apo të lëshonte sadopak pe nga besimi i tij.

Shprehja “Iu ankuam të Dërguarit të Allahut” vjen në numrin shumës, ndërkohë që personi i cili i foli Profetit (a.s) ishte Hababi. Ankesa është përgjithësuese dhe jo specifike apo vetiake. Kjo ankesë nuk ka të bëjë me një nevojë të momentit, apo nga padrejtësia e tiranëve, por kjo ankesë qëndron shumë herë më lart se këto arsye. Ajo buron nga dëshira e madhe për të ruajtur besimin dhe për të rezistuar përballë armiqve të fesë. Po ashtu përzgjedhja e vendit se ku u drejtua kjo ankesë, dëshmon për përzgjedhjen e vendit dhe kohës më të mirë për t’u lutur e për të kërkuar ndihmë.

Shprehja “A nuk do të”  është përmendur dy herë (A nuk do të kërkosh ndihmë për ne? A nuk do të lutesh për ne?) tregon dëshirën e madhe që ata kishin, për të vazhduar në besimin e tyre. Shprehja “Për ne” përsëritet dy herë, për të treguar se ata kërkonin ndihmë nga Allahu i Lartësuar, I Cili u ka premtuar robërve të Tij besimtarë e durimtarë: Vërtet, Allahu e ndihmon këdo që e ndihmon Atë. Allahu është vërtet i Fortë dhe i Plotfuqishëm.”[8]

“merrej një burrë” përfaqëson një njeri besimtar, që ka qenë ndjekës i Profetëve, që janë dërguar përpara Profetit Muhamed (a.s).

 

Rregulla dhe dispozita fetare:

A i lejohet myslimanit që të thotë fjalë, që nënkuptojnë mohimin, në çastet kur ndaj tij ushtrohet dhunë?

Juristët janë të një mendimi, se në të tilla raste është më mirë që myslimani të bëjë durim e mos të thotë fjalë që nënkuptojnë mohim.

Mirëpo ata nuk ndajnë të njëjtin mendim për atë mysliman, i cili i thotë fjalët që nënkuptojnë mohim, duke u bazuar tek lehtësimi që është prej rregullave të fesë.

Juristët e medh’hebit Hanefi janë të mendimit, se një fjalë e tij të thuhet me kuptim të dyfishtë, por me kusht që me zemër të mos ta besojë atë që detyrohet ta thotë. Fjalët e mohimit me këtë kusht janë mëse të domosdoshme që të thuhen, kur njeriu kërcënohet me jetë. Juristët e këtij medh’hebi thonë: “Ai, i cili kërcënohet me jetë dhe nuk e thotë fjalën e mohimit, konsiderohet mëkatar”.

Ndërsa juristët e medh’hebit Hanbeli janë të mendimit, se atij në asnjë mënyrë nuk i lejohet që të thotë fjalët e mohimit, cilado qoftë arsyeja.

Megjithatë mendimi më i drejtë është mendimi, se lejohet që këto fjalë të thuhen, kur njeriu rrezikon jetën e tij, sepse Allahu i Lartësuar thotë: Kushdo që mohon Allahun, pas pranimit të besimit (do të dënohet ashpër), përveç atij që është i detyruar me forcë, ndërkohë që zemra e tij është plot besim.”[9] Ndërsa Profeti (a.s.) thotë: “Ndaj popullit tim janë hequr tre gjëra (që nuk llogariten): gabimi, harresa dhe për atë ç’ka detyrohen ta bëjnë me forcë”.

 

Mësimet e nxjerra nga hadithi:

1 – Qëndrueshmëria e sahabëve

2 – Edukimi që i dha Profeti (a.s) sahabëve në raste sprovash

3 – Sprova është ligj i Allahut ndaj besimtarëve

4 – Durimi i besimtarit në raste sprovash

5 – Betimi

6 – Sihariqi se feja islame do të triumfojë.

7  - Perceptimi i drejtë i ligjit që ka vendosur Allahu në univers

8 – Mirëpo ju nguteni

 

1 – Qëndrueshmëria e sahabëve :

Reagimi i parisë së kurejshëve ndaj fesë islame ishte mjaft i ashpër dhe i vazhdueshëm. Atyre nuk u vinte mirë, që një pjesë e arabëve po përqafonin fenë e re. Për t’i larguar këta arabë nga kjo fe e re, ata ndërmorrën një sërë hapash. Në fillim ata u përpoqën që t’i mashtronin, duke u premtuar para dhe pozitë, vetëm që ata të braktisnin fenë e tyre. Kur e panë që ky plan nuk u funksionoi, ndërmorrën një hap të dytë, duke i privuar nga pasuria dhe plaçka e tyre. Mirëpo as ky plan nuk pati rezultat, sepse sahabët ishin të kapur fort pas fesë islame. Tashmë ata vendosën të përdornin metodën e frikës, kërcënimit dhe dhunës. Filluan me keqtrajtimet, persekutimet e torturat ndaj shumicës së sahabëve, qofshin ata të pasur apo të varfër, të lirë apo skllevër. Padyshim, se sprova me të cilën sahabët u përballën, ishte tejet e vështirë, veçanërisht për ata sahabë që ishin të dobët, të pafuqishëm e pa përkrahje. Më poshtë po përmendim keqtrajtimet dhe torturat që kurejshët ushtruan ndaj disa prej sahabëve të nderuar:

 

Dhuna e ushtruar ndaj Abdullah ibnu Mes’udit[10]:

Njëherë Abdullah ibnu Mes’udi qëndroi në këmbë para Qabes dhe filloi të këndojë ajete nga surja Rrahman. Kurejshët menjëherë e rrethuan dhe filluan ta godasin me ç’të mundin. Shokët e tij shkojnë dhe e shpëtojnë prej tyre. Megjithëse ishte rrahur keq, ai pa nga shokët e tij dhe u tha: “Për Zotin do e përsëris të njëjtën gjë të nesërmen”. Të nesërmen shkoi përsëri tek Qabja dhe me zë të lartë filloi të këndonte Kuran. Kurejshët e rrethojnë përsëri dhe e rrahin më keq se një ditë më parë. Pasi e shpëtojnë shokët e tij, ai thotë përsëri: “Për Zotin, do ta përsëris të njëjtën gjë të nesërmen”. Por Profeti (a.s.) i tha: “Jo, jo, mjafton me kaq”.

 

Dhuna e ushtruar ndaj Bilalit[11]:

Kurejshët e nxirrnin Bilalin në shkretëtirë, në kulmin e vapës. E shtrinin përtokë dhe i vendosnin sipër kraharorit një gur, që e mbanin dhjetë burra. E rrihnin me kamzhikë dhe i thoshin: Kështu do të vuash, derisa të vdesësh. Kurse ai thoshte vetëm një fjalë: I vetëm, i vetëm. Ata i thoshin: thuaj Lat dhe Uza! Kurse ai ua kthente: “Unë nuk di fjalë tjetër veç kësaj”. Ata e torturonin dhe më shumë pas kësaj. Ai ua kthente: “Dua ta them, por gjuha nuk e thotë dot”.

 

Dhuna e ushtruar ndaj Zubejr ibnu Avamit[12]:

Nga myslimanët që torturoheshin, ishte Zubejr ibnu Avami. Xhaxhai i tij e mbështillte në një rrogoz dhe poshtë tij ndizte zjarrin, derisa tymi e mbulonte dhe nuk merrte dot frymë. Xhaxhai i thoshte: “Braktise këtë fe”! Kurse ai ia kthente: “Nuk e braktis atë kurrë”. Në atë kohë ai ishte vetëm 16-të vjeç. Si pasojë e kësaj Zubejri u sëmur në mushkëri, saqë Profeti (a.s) ia lejoi të veshë mëndafshin.

 

Dhuna e ushtruar ndaj familjes së Jasirit[13]:

Nga shokët që u keqtrajtuan dhe vuajtën bashkë me Profetin (a.s) ishte familja e Jasirit. Sumejje bintu Hajjat, që ishte mbi 60 vjeç atëherë, burri i saj Jasiri dhe djali i tyre Ammari. Të tre kishin pranuar Islamin, por po keqtrajtoheshin dhe torturoheshin rëndë nga kurejshët. Gjatë kohës që po torturoheshin, Profeti (a.s) kaloi pranë tyre dhe u tha: “Duroni, oj familja e Jasirit, pasi vendtakimi ynë është Xheneti”. Këto fjalë e trimëruan Sumejjen. Ebu Xhehli nga zemërimi i madh, mori një heshtë dhe e goditi Sumejjen në vendin e nderit të saj. Kështu vdiq Sumejja, duke u bërë martirja e parë në Islam. Dy ditë pasi vdiq Sumejja, vdiq dhe burri i saj Jasiri. Profeti (a.s) kaloi pranë djalit të tyre Ammarit, i cili e pyeti: O i Dërguar i Allahut, a kështu do të vazhdojë kjo punë? Profeti (a.s) ia ktheu: “Duro, o Ammar”! Më pas ngre duart nga qiell dhe lutet: “O Zot, mëshiroje familjen e Jasiri, megjithëse e ke bërë këtë”.

 

Dhuna e ushtruar ndaj Hababit[14]:

Nga personat që u keqtrajtuan nga kurejshët, ishte edhe Habab inul Eret. Atij ia hiqnin rrobat dhe e shtrinin me shpinë sipër gurëve të nxehur në zjarr. Ishte mishi i trupit të tij, ai që e shunte nxehtësinë e gurëve.

Pavarësisht këtyre keqtrajtimeve dhe torturave çnjerëzore, asnjë prej sahabëve nuk u lëkund, por të gjithë vazhduan të qëndronin durimtarë përpara uraganit kurejsh. Çdokush që shikon qëndrueshmërinë e sahabëve, duhet t’i drejtojë vetes së tij një pyetje:

Cilat janë arsyet e qëndrueshmërisë së sahabëve ndaj keqtrajtimeve të kurejshëve?

Patjetër që duket të ketë arsye madhore, që njeriu të durojë kaq shumë, sepse një njeri që nuk ka arsye, ideale apo parime themelore, në të cilat mbështetet fuqimisht, nuk do të duronte që t’i prekej as maja e thoit, e jo më të duronte këto tortura çnjerëzore. Më poshtë po përmendim disa prej arsyeve të qëndrueshmërisë së tyre:

 

Aryeja e Parë: Besimi tek Allahu i Lartësuar:

Shkaku kryesor i qëndrueshmërisë së sahabëve ishte padyshim besimi vetëm tek Allahu i Lartësuar. Nëse besimi i vërtetë depërton në thellësi të zemrës, atëherë ai rëndon siç rëndojnë malet. Personi i cili posedon këtë besim dhe këtë bindje të palëkundur, sprovat e dynjasë sado të mëdha që të jenë, i shikon si ato algat që pluskojnë mbi ujë sipër një rrjedhe të rrëmbyeshme, që përplaset me digat e mëdha që qëndrojnë të forta e të palëkundura pres kësaj rrjedhe. Allahu i Lartësuar thotë: Ai e zbret shiun nga qielli, prandaj rrjedhin lumenjtë me masë dhe rrjedha bart mbeturinat mbi sipërfaqen e ujit. Edhe zgjyra, kur e shkrijnë njerëzit në zjarr që të bëjnë stoli ose vegla, është mbeturinë si ajo. Kështu, Allahu jep shembullin e së vërtetës dhe të së pavërtetës; Mbeturinat hidhen, ndërsa ajo që u shërben njerëzve mbetet në Tokë. Kështu, Allahu i shpjegon shembujt.”[15]

 

Arsyeja e Dytë: Lidershipi tek i cili mblidheshin:

I Dërguari i Allahut Muhamedi (a.s) është lidershipi i umetit mysliman. Tek ai gjenden të gjitha virtytet më të larta të moralit, ashtu siç thotë Allahu i Lartësuar në një ajet kuranor: “Vërtet, ti je i pajisur me moralet më të larta.[16] Profeti (a.s) ishte mësuesi dhe edukatori më i mirë për sahabët e nderuar. Ai rrënjosi në zemrat e tyre dashurinë për Allahun, ua pastroi zemrat nga gjynahet dhe mëkatet, i kushtoi shumë vëmendje vlerave të larta të moralit, duke i lidhur me kënaqësinë e Allahut të Lartësuar. U tregonte atyre për ngjarjet e profetëve me popujt e tyre. I mësoi që të falnin namaz[17] që është shtylla e fesë. Përcolli tek ta ndjenjën e përhapjes së mesazhit hyjnor, kështu që nëpërmjet tyre feja islame u përhap pothuajse në të gjitha familjet e Mekes. Pa më të voglin dyshim, prezenca e lidershipit shpirtëror, udhërrëfyes e edukator ishte një prej arsyeve kryesore të qëndrueshmërisë së sahabëve ndaj keqtrajtimeve që kurejshët ushtronin ndaj tyre.

 

Arsyeja e Tretë: Besimi në botën tjetër:

Padyshim, besimi në botën tjetër ka luajtur një rol mjaft të rëndësishëm në qëndrueshmërinë e sahabëve. Ata kishin bindje të plotë, se do të dilnin përpara Allahut të Lartësuar për të dhënë llogari për të gjithë veprat e vogla apo të mëdha qofshin ato. Ata e dinin me siguri të plotë, se në botën tjetër kishte vetëm dy rrugë: begatia e përjetshme ose ndëshkim në zjarr. Kështu që, ata herë jetonin me shpresën se Allahu do t’i mëshironte dhe herë me frikë nga ndëshkimi i Tij. Ata ishin të mirëinformuar, se dynjaja as që mund të krahasohej me botën tjetër. Pikërisht, kjo njohje e thellë i bëri ata që mos t’i kushtonin shumë rëndësi jetës së kësaj bote dhe të duronin ndaj sprovave të ndryshme të çfarëdo lloji dhe sado të mëdha të ishin ato.

 

Arsyeja e Katërt: Zbritja e Kuranit:

Në këtë periudhë të vështirë të dhunës dhe terrorit zbrisnin sure dhe ajete kuranore, që tregonin për vërtetësinë e parimeve të fesë islame. Ajetet kuranore i orientonin myslimanët e parë tek parimet dhe principet, që do të ishin të përjetshme përgjatë gjithë historisë së njerëzimit deri në Ditën e Gjykimit. Gjithashtu, ajetet kuranore që zbrisnin, u mësonin durimin dhe qëndrueshmërinë. Allahu i Lartësuar thotë: Vërtet, mendoni të hyni në Xhenet, pa provuar atë që kanë provuar të tjerët përpara jush? Ata i goditi mjerimi dhe sëmundje dhe, aq shumë u tronditën, saqë çdo i dërguar dhe ndjekës i tij, thirrën: Kur do të arrijë ndihma e Allahut?! Ja, ndihma e Allahut është afër!”[18]Elif, Lam, Mim. Vërtet mendojnë njerëzit, se do të lihen të thonë: Ne besojmë, pa u vënë në provë?! Ne i kemi sprovuar ata që kanë qenë para tyre, në mënyrë që, Allahu të dallojë ata, që thonë të vërtetën dhe, ata që gënjejnë.”[19]

Arsyeja e Pestë: Sihariqet për triumfin e myslimanëve:

Megjithëse brezi i parë i myslimanëve torturohej dhe keqtrajtohej, ata e dinin shumë mirë se përqafimi i fesë islame nuk do të thoshte keqtrajtim dhe torturë e përhershme. Përkundrazi, synimi i fesë islame është çrrënjosja e plotë e paganizmit, për t’i nxjerrë njerëzit nga errësira në dritë. Ajetet kuranore, direkt apo indirekt, zbrisnin me sihariqe të tilla. Në ato kohë, vërtet të vështira për sahabët, zbrisnin ajete kuranore që tregonin, se çfarë u kishte ndodhur profetëve me popujt e tyre. Në përgjithësi, këto ajete kuranore flisnin për ngjarje që përputheshin plotësisht me atë ç’ka u ndodhte sahabëve në Meke. Fundi i ajeteve shpjegonte qartë përfundimin e mirë të profetëve dhe besimtarëve, si dhe përfundimin e keq të pabesimtarëve. Allahu i Lartësuar thotë: Shumë kohë më parë Ne u premtuam robërve Tanë të dërguar, se ata do të ndihmohen (prej Nesh) dhe se ushtritë tona do të jenë me siguri fitimtare! Andaj, largohu prej tyre për njëfarë kohe! Vështroji ata (kur t’u zbresë dënimi), se edhe ata do ta shohin (si janë pasojat e mosbesimit të tyre)! Vallë, a mos po kërkojnë ata shpejtimin e dënimit Tonë! Kur t’u bjerë në mesin e tyre, mëngjesi i atyre që janë paralajmëruar do të jetë shumë i shëmtuar.”[20]

 

Arsyeja e Gjashtë: Ndjenja e përgjegjësië:

Brezi i parë i myslimanëve e ndjenin plotësisht përgjegjësinë që mbartnin mbi supet e tyre. E ndjenin se ata kurrë nuk mund të devijonin nga kjo përgjegjësi. Ata e dinin, se nëse do të largoheshin nga kjo përgjegjësi, rezultatet do të ishin shumë herë më të dëmshme se nga rezultati i keqtrajtimeve.

 

2 – Edukimi që i dha Profeti (a.s.) sahabëve në raste sprovash:

Prej urtësive të politikës islame është se sprova, durimi dhe sakrifica bashkëshoqërohen me një optimizëm të madh. Këtë formë edukative të besimit e rrënjosi Profeti (a.s) tek sahabët. Në çastet më të vështira, Profeti (a.s) mbolli në zemrat e shokëve të tij optimizmin për të ardhmen e fesë islame. Një rast i tillë tregohet në betejën e Hendekut, kur myslimanët po hapnin hendekun. Amër Halid thotë: [Kur kishte mbetur vetëm pak nga hendeku për tu përfunduar, myslimanët përballen me një shkëmb të madh, të cilin nuk mundën ta thyejnë. U përpoq Ebu Bekri, por nuk mundi. U mundua dhe Omeri me Aliun, por edhe këta nuk mundën. Atëherë lajmërojnë Profetin (a.s) mbi këtë problem. Erdhi Profeti (a.s), kërkoi një kazmë dhe u kërkoi ta lagin shkëmbin me ujë. Mori kazmën dhe tha: “Bismilah”. Të pranishmit tregojnë: “Atëherë Profeti (a.s.) e goditi shkëmbin aq shumë, saqë të gjithë ne u tërhoqëm. Me goditjen e shkëmbit dolën shkëndija dhe Profeti (a.s.) thirri: “Allahu është më i madhi, më janë dhënë çelësat e Shamit. Për Zotin unë i shoh me sy kullat e kuqe.” Më pas e goditi përsëri fort dhe përsëri thirri: “Allahu është më i madhi. M’u dhanë çelësat e Persisë. Për Zotin që e shoh me sy kullën e bardhë të Medainit (qytet). Pastaj e godet gurin për të tretën dhe thotë: “Allahu është më i madhi. Më janë dhënë çelësat e Jemenit. Për Zotin i shoh me sy dyert e Sanasë, nga ky vend ku jam”.

Me këto fjalë Profeti (a.s.) u jepte vullnet dhe dëshironte t’ju ngrinte moralin myslimanëve. Njeriu më largpamës dhe më dobiprurës është ai, që u jep vullnet të tjerëve dhe që nuk shikon vetëm anën negative të gjërave. Ai që mendon se nuk ia vlen të punohet dhe të përpiqemi për ta përmirësuar gjendjen, nuk e zbaton traditën e Profetit (a.s)”.[21]

Le të imagjinojmë se çfarë ndikimi të madh kanë pasur këto fjalë tek zemrat dhe mendjet e sahabëve, që ishin të rrethuar nga ushtritë armike. Si rrjedhojë e këtyre fjalëve tepër optimiste, sahabët nuk u lëkundën, por u përballën me realitetin e hidhur, duke qenë shumë optimistë për të ardhmen e ndritur të fesë islame. Kjo shpresë optimizmi solli siguri, stabilitet dhe bindje. Allahu i Lartësuar thotë: Kur besimtarët e vërtetë panë ushtrinë e aleatëve, thanë: kjo është ajo që na ka premtuar Allahu dhe i Dërguari i Tij; sigurisht, premtimi i tyre u vërtetua! Kjo ua forcoi atyre besimin dhe përuljen.”[22]

 

3 – Sprova është ligj i Allahut ndaj besimtarëve:

Allahu i Lartësuar ka vendosur shumë ligje të pandryshueshme në këtë botë. Një prej këtyre ligjeve është edhe sprova ndaj robërve të Tij besimtarë, të cilët Ai i sprovon në varësi të besimit. Kjo sprovë kurrsesi nuk mund të konsiderohet si ndëshkim e përbuzje, por: E kështu, Allahu i dëlir besimtarët e i shuan jobesimtarët.”[23] Rreth ligjit të sprovës ndaj robërve besimtarë flet edhe ky hadith: “Vërtet, tek ata (besimtarë) që kanë qenë përpara jush, merrej një burrë, hapej një gropë në të cilën e vendosnin atë. Më pas e merrnin sharrën, ia vendosnin në kokë dhe e ndanin në dy pjesë, pastaj ia rripnin mishin dhe lëkurën me krehër hekuri, por as kjo nuk e largonte nga feja e tij.” Sprovat që Profeti (a.s.) dhe sahabët përjetuan përgjatë gjithë përhapjes së mesazhit hyjnor qenë nga më të ndryshmet dhe nga më të vështirat. Një prej këtyre sprovave ka qenë edhe ajo që ka ndodhur në betejën e Hendekut. Allahu i Lartësuar e ka përmendur në suren Ahzab vështirësinë e kësaj sprove: O besimtarë! Kujtoni dhuntinë e Allahut kur ju erdhi një ushtri (idhujtarësh). Ata ju sulmuan nga lart dhe nga poshtë, kështu që sytë tuaj u errësuan, zemrat ju erdhën në fyt dhe besimi juaj tek Allahu u lëkund. Aty besimatërt u vunë në provë dhe u tronditën si nga një tronditje e fuqishme. Por hipokritët dhe ata me zemra të sëmura e të dobëta, thanë: Allahu dhe i Dërguari i Tij nuk kanë premtuar asgjë, pos mashtrimit!”[24] Situata në betejën e Hendekut ishte aq e rëndë, saqë frika u kishte hyrë sahabëve deri në palcë. Mirëpo nëpërmjet kësaj sprove u zbulua besimtari i vërtetë nga hipokriti.

Kështu pra, sprova është një prej ligjeve, që Allahu ia zbret individëve apo popujve. Individi do të sprovohet dhe po ashtu edhe shoqëritë e popujt. Jeta në këtë botë nuk është vaj, por: Ai i ka krijuar jetën dhe vdekjen, për t’ju provuar se kush prej jush do të veprojë më mirë.”[25] Allahu nuk na ka krijuar për gjë tjetër, vetëm që të dallohet punëmiri nga punëkeqi. Duke qenë se sprova e keqtrajtimeve, dhunës e persekutimeve ka ndodhur, ndodh dhe do të ndodhë gjithmonë ndaj besimtarëve, atëherë cili duhet të jetë reagimi i besimtarëve ndaj tyre:

Strehimi tek Allahu i Lartësuar është çelësi i rrugëdaljes:

Në kësi rastesh, besimtari nuk gjen strehim tjetër përveçse tek Allahu i Lartësuar. Vetëm Allahu i Lartësuar mund ta ndryshojë situatën e keqe, vështirësinë ta kthejë në lehtësim e të gjejë një rrugdalje prej saj. Allahu i Lartësuar thotë: A ka më të mirë se Ai që i vjen në ndihmë nevojtarit të këputur, kur i lutet Atij, që jua largon të keqen dhe ju bën juve trashigmtarë në tokë?! Vallë, a ka  krahas Allahut zot tjetër?! Sa pak që reflektoni!”[26] Duke komentuar këtë ajet, Sejid Kutubi thotë: “Nevojtari në momentin që vuan dhe është në vështirësi, nuk gjen strehim tjetër vetëm se tek Allahu, duke iu lutur Atij që t’ia largojë të keqen. Kjo gjë ndodh pikërisht atëherë, kur çdo gjë sa vjen dhe ngushtohet më tepër, ankthi shtohet, fuqia humbet dhe njeriu e gjen veten pa përkrahje dhe pa shpëtim. Ai vetë nuk ka forcë, e as një forcë në botë nuk mund ta ndihmojë. Çdo gjë që ai mendonte se do ta përkrahte në momentet e vështirësisë, e ka lënë apo braktisur. Tek çdokush që ka shpresuar se do ta ndihmojë, i ka kthyer shpinën. Në këto momente të vështira, zgjohet instikti duke u drejtuar tek forca e vetme që e ndihmon dhe e përkrah. Njeriu i drejtohet Allahut edhe nëse e ka harruar Atë, kur ka qenë në mirëqënie. Ai i vjen në ndihmë nevojtarit, kur i lutet Atij. Vetëm Ai dhe askush tjetër nuk ia largon njeriut të keqen. Ai ia kthen qetësinë e sigurinë dhe e shpëton nga ngushtica që po ia merrte frymën. Në fakt, kur njerëzit janë në mirëqënie, e neglizhojnë shumë këtë të vërtetë, duke kërkuar forcë, përkrahje dhe mbrojtje tek një forcë tokësore e dobët. Mirëpo kur nga nevoja dhe vështirësia detyrohen, atëherë perdja e neglizhencës hiqet dhe kthehen tek Zoti, sado neglizhentë dhe mendjemëdhenj që të kenë qenë më parë”.[27]

Adhurimi dhe puna e mirë:

Një rrugëdalje tjetër nga koha e sprovave të rënda është edhe adhurimi dhe kryerja e veprave të mira. Njerëzit në kohë të vështira ndjekin egot e tyre dhe nuk e kanë mendjen fare tek zbatimi i fesë, duke u përngjasuar kështu injorantëve. Mirëpo nëse nga mesi i tyre shfaqet dikush, që kapet fort pas fesë, adhuron Allahun, kërkon kënaqësinë e Tij dhe i largohet zemërimit të Tij është në të njëjtën gradë me atë person, i cili e braktis injorancën dhe beson në profetësinë e Muhamedit (a.s), e ndjek dhe i zbaton urdhrat e tij. Profeti (a.s) thotë: “Adhurimi në kohë të vështira konsiderohet si emigrimi për tek unë.[28] Madje vetë Profeti (a.s) gjithmonë sa herë që përjetonte kohë të vështira, falte sa më shumë namaz.

Mendimi i mirë e sjell triumfin sa më shpejt:

Një gabim i madh që shpeshherë ndodh në kohë të vështira, është mendimi i keq, ku çdokush mendon t’ia hedhë fajin tjetrit. Mirëpo a i takon myslimanit që ta bëjë një gjë të tillë. Përkundrazi, myslimani duhet të ketë mendim të mirë për vëllain e tij, sepse Allahu i Lartësuar na ka porositur në Librin e Tij me fjalët: O ju që keni besuar! Mënjanoni shumë dyshime, se vërtet disa dyshime janë gjynah.”[29] Po ashtu edhe Profeti (a.s.) na këshillon me fjalët: “Kini kujdes nga dyshimi, sepse ai është mashtrimi më i madh”[30].

Feja jonë e pastër e ka ndaluar mendimin e keq për myslimanët, sepse kështu shoqëria bëhet më solide dhe e aftë për t’i kaluar vështirësitë me sukses dhe sa më shpejt. Në të kundërt, nëse ky ves i keq përhapet në shoqëri, atëherë kjo shoqëri i ngjan një pylli, ku më i forti mbizotëron ndaj më të dobëtit. Realisht, ne kemi shumë nevojë që të kemi mendime të mira për njëri-tjetrin! Nuk na takon neve që të nxitojmë, duke akuzuar të tjerët pa të drejtë. Allahu i Lartësuar në Kuranin Famëlartë na porosit me fjalët: O ju që keni besuar! Nëse ndonjë njeri i pandershëm ju sjell ndonjë lajm, sigurohuni mirë (në është i mirë), për të mos i bërë dëm ndokujt padashje, e të pendoheni pastaj për atë që keni bërë[31].

Shpresa dhe optimizmi:

Sado të rënda që të jenë sprovat, shpresa dhe optimizmi i japin njeriut frymëmarrjen e duhur. Në kohët e vështira, myslimani duhet ta shikojë të ardhmen me optimizëm dhe jo me pesimizëm, sespe pesimizmi është e kundërta e besimit. Hababi (Allahu qoftë i kënaqur me të) shkon tek Profeti (a.s) për t’iu ankuar ndaj kurejshëve. Megjithëse, për disa arsye nuk ishte koha dhe momenti i duhur, që myslimanët e brezit të parë t’i kundërpërgjigjeshin dhunës së kurjeshëve, Profeti (a.s) i mbushi ata me shpresë dhe optimizëm duke u thënë: “Betohem në emër të Allahut, se Allahu do ta plotësojë këtë fe, saqë kalorësi do të udhëtojë nga San’aja deri në Hadremeut, duke mos patur frikë askënd përveç Allahut, apo ujkut për kopenë e vet.”

 

4 – Durimi i besimtarit në raste sprovash:

Dijetari i nderuar Muhamed ibnu Uthejmin (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Njeriu e ka për detyrë që të durojë ndaj lëndimeve që ia shkaktojnë pabesimtarët, të kërkojë shpërblimin dhe të presë që t’i vijë shpëtimi. Ai nuk duhet të mendojë, se çështja mbaron shpejt dhe me lehtësi. Allahu i Lartësuar mund ta sprovojë besimtarin nëpërmjet jobesimtarëve, të cilët e lëndojnë atë, madje mund të tentojnë që edhe ta vrasin, ashtu siç ndodhi me hebrenjtë, të cilët vranë profetët që janë në gradë më të lartë se thirrësit dhe myslimanët. Kështu që, njeriu duhet të durojë, të presë shpëtimin, të mos e humbë shpresën e as të pezmatohet, por duhet të qëndrojë i fortë si një shkëmb, sepse përfundimi i mirë është për të devotshmit e Allahu i Lartësuar është me durimtarët.

Nëse ai bën durim, bëhet i qëndrueshëm dhe ndjek rrugën për të arritur synimin e tij, duhet të niset pa shkaktuar kaos, luftë e as provokim, me një mënyrë të organizuar, sepse armiqtë e myslimanëve, qofshin hipokritë apo jobesimtarë, ecin me hapa të sigurtë dhe të mirëorganizuar për të arritur synimin e tyre.

Ndërsa përsa i përket sipërfaqësorëve që emocionalisht nxitojnë, mund të humbasin shumë gjëra, ose mund të gabojnë dhe të shkatërrojnë gjithçka që kanë ndërtuar, nëse me të vërtetë ata kanë ndërtuar diçka.

Profeti (a.s.) u tha shokëve të tij që të bëjnë durim, sepse ata që kanë qenë përpara tyre, janë lënduar por kanë bërë durim. O umeti i Muhamedit ju jeni populli i durimit dhe i të mirës, prandaj bëni durim, derisa t’ju vijë urdhri i Allahut, se përfundimi i mirë është për të devotshmit”[32].

 

5 – Betimi:

Në pamje të parë duket sikur betimi nuk luan ndonjë rol të rëndësishëm. Në fakt, ai luan një rol mjaft të rëndësishëm në përcjelljen e mesazhit hyjnor tek njerëzit. Në këtë hadith Profeti (a.s) betohet, se Allahu i Lartësuar do ta plotësojë këtë fe, me qëllim që sahabët të jenë më të vendosur e më të qëndrueshëm tek feja e re që kishin përqafuar.

 

6 – Sihiariqi se feja islame do të triumfojë:

Këtë sihiariq  e jep Profeti (a.s)  kur thotë: “Allahu do ta plotësojë këtë fe, saqë kalorësi do të udhëtojë nga San’aja deri në Hadremeut, duke mos patur frikë askënd përveç Allahut, apo ujkut për kopenë e vet”.

Doktor Jusuf El Kardavi thotë: “Mendoj se që të flasim për lajmin e mirë, se feja Islame do të triumfojë, është mëse e domosdoshme, veçanërisht në ditët e sotme, dhe kjo për disa arsye:

1 – Është e domosdoshme, sepse në përgjithësi ne jemi urdhëruar që të japim lajme të mira dhe jo të largojmë, ashtu siç jemi urdhëruar që të lehtësojmë e të mos vështirësojmë. Kur Profeti (a.s) i dërgoi Muadhin dhe Ebu Musën në Jemen, i porositi me pak fjalë, por shumë kuptimplote: “Lehtësoni dhe mos vështirësoni, përgëzoni dhe mos largoni!”[33]

2 – Është e domosdoshme, sepse myslimanët, veçanërisht aktivistët e Islamit po kalojnë një periudhë të vështirë të historisë. Në këtë periudhë, pesimizmi mbizotëron pothuajse kudo dhe po ashtu edhe ndjenja e disfatizmit dhe zhgënjimt. Nëse njeriu dorëzohet përpara kësaj ndjenje, atëherë hovi i tij është i ndërprerë dhe aspiratat e tij janë shuar. Këto nocione janë promotorri i dëshirës për të punuar dhe për të sakrifikuar. Shkaku i kësaj ndjenje të keqe vjen nga sulmet e njëpasnjëshme dashakeqe dhe plot ligësi të armiqve të Islamit kundrejt rizgjimit dhe lëvizjes islame, duke dashur që ta fshijnë dritën e fesë islame. Padyshim që ata kanë gjetur përkrahje edhe tek disa qeveritarë të vendeve myslimane, të cilëve u kanë futur frikën rreth rizgjimit islam dhe i kanë urdhëruar që të sulmojnë thirrjen islame.

3 – Është e domosdoshme, sepse fuqitë armiqësore dëshirojnë të deklarojnë, madje tashmë e kanë deklaruar, një luftë të ashpër ndaj myslimanëve, duke ia humbur atyre shpresat për një të ardhme më të mirë. Një sërë fushatash të egra të drejtuara nga njerëz tepër aktivë nisën, duke akuzuar dhe njollosur githçka që është Islame. Thirësit e Islamit dhe bijtë e rizgjimit njëherë u akuzuan si ekstremistë, pastaj si fondamentalistë dhe herë tjetër si terroristë. Prandaj, ne na del si detyrë që t’i kundërpërgjigjemi këtyre fushatave të egra, duke publikuar gjithandej se feja Islame do të triumfojë.

4 – Është e domosdoshme sepse tek shumë praktikantë të fesë është përhapur ideja e gabuar se e ardhmja e umetit mysliman do të jetë përafërsisht e keqe. Kjo ide vjen si shkak i atyre haditheve që flasin rreth ngjarjeve të mëdha që do të ndodhin në përfundim të jetës së kësaj bote. Mirëpo kjo ide është krejt e gabuar. Pikërisht për këto arsye kemi shumë nevojë që të flasim haptazi për sihiariqet kuranore dhe ato profetike që shumica e njerëzve nuk i dinë. Këto sihiariqe duhet t’ua përcjellim myslimanëve që të ringjallim tek ta shpresën që është promotori i vendosmërisë për të qenë aktivë si dhe të shkatërrojmë pesimizmin vrastar”[34].

 

7  - Perceptimi i drejtë i ligjit që ka vendosur Allahu në univers:

Ai i cili nuk i njeh cilisitë dhe atributet e Allahut të Lartësuar, nuk mediton në ligjet e Tij të universit dhe nuk mendon rreth jetës së Profetit (a.s), ka devijuar nga rruga e drejtë, duke ndjekur një rrugë të shtrembër.

Allahu i Lartësuar nuk favorizon askënd dhe nuk i bën lajka askujt. Madje Allahu ka thënë për Profetin (a.s): Nëse i shoqëron Allahut diçka tjetër (në adhurim), me siguri që punët e tua do të zhvlerësohen dhe do të jesh ndër të humburit.”[35] Nëse Allahu i Lartësuar do t’i bënte lajka dikujt, atëherë personi i parë që do të përfitonte do të ishte Profeti (a.s). Allahu na ruajtë nga fakti që Ai t’i bëjë lajka ndokujt.

Ai i cili mediton tek fjalët e Hababit “A nuk do të kërkosh ndihmë për ne? A nuk do të lutesh për ne?” dhe mediton në përgjigjen e Profetit (a.s) “mirëpo ju nguteni” e kupton mjaft mirë, se Profeti (a.s) kishte shumë mundësi që t’i lutej Allahut për t’i ndihmuar, duke qenë se ata ishin të pakët në numër. Problemi nuk qëndronte tek triumfi i sahabëve ndaj gjithë botës, por tek fjalët që Musai (a.s) ia kumtoi popullit të tij, kur kërkuan të njëjtën gjë. Ai (a.s.) u tha: Ndoshta Zoti juaj do ta zhdukë armikun tuaj dhe do t’ju bëjë sundimtarë në Tokë, për t’ju parë se si do të veproni.”[36] Qëllimi i vërtetë nuk është që ata besimtarë që janë të shtypur, të ndihmohen nëpërmjet një mrekullie dhe pastaj vetëm thjesht të mbizotërojnë në Tokë. Qëllimi kryesor është vazhdimsia e qëndrueshmërisë edhe pas mbizotërimit: për t’ju parë se si do të veproni”.

Përsa i përket atyre që dëshirojnë të jenë mbizotërues në Tokë përpara se të testohen, çfarë do të bëjnë pasi Allahu t’ua mundësojë një gjë të tillë? Shoqëritë vazhdojnë akoma të jetojnë në kohën e injorancës. Shumica e njerëzve deri tani nuk falen dhe as e japin zekatin, përkundrejt këtyre veprave të mira ata akoma vazhdojnë të vjedhin, të merren me imoralitet, të bashkëveprojnë me sistemin e kamatës, të zhvishen lakuriq e t’i kthejnë shpinën Librit të Allahut dhe Sunetit të Profetit (a.s). Është e habitshme se ata, të cilët kërkojnë mbizotërimin në Tokë në këto kohë të vështira, e dinë shumë mirë se të gjitha shtresat e shoqërisë e refuzojnë haptazi ligjin e Allahut.

Pikërisht për këtë arsye, Allahu i Lartësuar ka vendosur ligje të pandryshueshme dhe na e ka treguar qartë rrugën e shpëtimit dhe të mbizotërimit: Sikur ata të qëndronin në rrugë të vërtetë, Ne do t’ju jepnim ujë të bollshëm[37]. Në Kuranin Famëlartë, Allahu i Lartësuar na e ka tërhequr vëmendjen nëse ne nuk e ndjekim ligjin e Tij duke thënë: E, nëse ju ia ktheni shpinën dhe i largoheni Atij, Ai do t’ju zëvendësojë me një popull tjetër, i cili nuk do ta ndjekë shembullin tuaj[38].

Ibnul Xheuzi thotë: “Imam Shafiu thotë: “Mbizotërimi në Tokë nuk vjen pa u sprovuar. Nëse njeriu sprovohet dhe bën durim, më pas vjen mbizotërimi. A nuk e shikon se Allahu i Lartësuar e sprovoi Ibrahimin, pastaj e bëri atë mbizotërues, po ashtu edhe Ejubin, Sulejmanin dhe Jusufin” Unë mendoj (d.m.th. Ibnul Xheuzi) se: kush mediton në një gjë të tillë, e kupton se kohëzgjatja e sprovës është ndërmarrje e disa hapave në mejdan dhe ai duhet të bëjë shumë durim, në mënyrë që t’i afrohet fundit”[39].

Kështu që, ata të cilët nuk meditojnë në ligjet e vendosura nga Allahu në univers dhe që nuk e njohin jetën e Profetit (a.s), apo që mendojnë se Allahu do ta ndryshojë ligjin për hir të dikujt, apo ndjekin rrugën e gabuar, ata përbëjnë një rrezik të madh për umetin mysliman, sepse akoma nuk ka ardhur koha, kur bijtë e tij duhet të sprovohen. E nëse ndodh që ata (bijtë) rrëzohen në këtë sprovë të rëndë, imagjinoni se çfarë katastrofe mund të ndodhë?!

Shkurtimisht themi, se njeriu e do të mirën, por ai nuk e njeh mirë ligjet, që Allahu ka vendosur në univers. Ai i shikon gjërat përreth tij jo reale, sepse është dritëshkurtër. Ai kujton se nëse zë një pozitë të lartë në shoqëri do të ketë mundësi që të zbatojë ligjin e Allahut. Mirëpo realiteti e kundërshton një gjë të tillë. Shembulli më i mirë i kësaj që po themi është ajo ç’ka bëri Profeti (a.s) në paktin e Hudejbijes, duke pranuar disa kushte, që në pamje të parë ishin të papranueshme. Mirëpo Allahu i Lartësuar këtë pakt e quajti  “Fitore të qartë”.

8 - Mirëpo ju nguteni:

“Mirëpo ju nguteni”. Sa fjalë të bukura dhe domethënëse?! Këto fjalë kanë një ndikim të madh në zemrat e besimtarëve të pafuqishëm në çdo vend dhe kohë. Një korrigjim me vend nga ana e Profetit (a.s) për t’i treguar të gjithë brezave, se durimi është furnizmi i tyre i duhur për rrugën e gjatë e tepër të vështirë. Rruga që ata duhet të ndjekin, është rruga e drejtë e fesë islame, e cila është e mbushur me gjemba dhe pengesa.

Kur sahabët erdhën tek Profeti (a.s), për të kërkuar ndihmë tek Allahu, ai (a.s) u tregon një model të durimit tek besimtarët që kanë qenë përpara tyre. Përveç kësaj, Allahu i Lartësuar nuk u pati premtuar brezit të parë të sahabëve në periudhën e Mekes se do t’i ndihmonte. E gjitha kjo ndodhi, që ata të edukoheshin drejt dhe saktë. Ky edukim hyjnor do të përfshinte përpjekjen dhe sakrificën e sahabëve në rrugën e Zotit, larg synimeve për përfitimet materiale të kësaj bote. Detyrë e çdo thirrësi është, që të vazhdojë rrugën që ka nisur dhe të rendë vetëm pas kënaqësisë së Allahut. Në fakt, ky është objektivi i vërtetë dhe fryti, të cilin çdokujt ia ka ëndja ta shijojë. Për ta nuk është e rëndësishme nëse vjen apo jo ndihma e Allahut, e rëndësishme është vetëm ajo ç’ka ata mbartin mbi supet e tyre.

Shembulli dhe modeli më i mirë janë Profetët e Allahut. Profeti Nuh (a.s) qëndroi në mesin e popullit të tij 950 vjet, duke i thirrur që të adhurojnë Allahun dhe të braktisin adhurimin e idhujve, e në fund numri i atyre të cilët i besuan thirrjes së tij ishte i pakët. Prandaj thirrësit në rrugë të Allahut duhet të bëjnë durim e të vazhdojnë rrugën që kanë nisur pa përtim. Ata duhet ta marrin furnizimin e tyre nga Kurani dhe Tradita Profetike.

“Mirëpo ju nguteni” Në fakt, ngutja është në natyrën e njeriut, sepse një gjë të tillë e dëshmon edhe Allahu i Lartësuar në Kuranin Famëlartë: Njeriu është krijuar i ngutur[40]. Ngutja është e kundërta e ngadalësimit. Ajo është një veprim i rrëmbyer, i pamatur mirë e i pa peshuar mirë. Në një proverb thuhet: “Ngutja është prej shejtanit”. Kurani Famëlartë e ka kritikuar të nguturin. Allahu i Lartësuar thotë: Sikur Allahu t’ua shpejtonte të keqen njerëzve, ashtu siç dëshirojnë shpejt të mirën, me të vërtetë ata do të zhdukeshin.”[41] Jo vetëm kaq, por Allahu i Lartësuar e ndaloi Profetin (a.s) të ngutej në lexim, kur Xhibrili i zbriste shpalljen. Allahu i Lartësuar thotë: Mos nxito për ta lexuar Kuranin para se të përfundojë shpallja e tij[42].

Nëse njeriu i përgjigjet instiktit të tij duke u ngutur, ka mundësi që mos të përfitojë të mira, madje ngutja mund ta çojë drejt shkatërrimit dhe përfundimit të keq. Në njërën prej betejave ndërmjet myslimanëve dhe jobesimtarëve, në krahun e myslimanëve ishte një njeri që po luftonte me trimëri dhe guxim, saqë myslimanët dëshmuan për trimërinë e tij. Mirëpo ky luftëtar nga plagët e tepërta që kishte marrë, u ngut në vendimarrje, duke mos pritur që vdekja t’i vinte atëhrë kur ishte caktuar, por vrau veten. Duke qenë se ai u ngut, e meritoi ndëshkimin në zjarrin e Xhehenemit, ashtu siç dëshmoi Profeti (a.s). Për këtë njeri Profeti (a.s.) tha: “Njeriu vepron vepra që e meriton Zjarrin e Xhehenemit, por në fund ai është prej banorëve të Xhenetit. Ose njeriu vepron vepra duke e merituar Xhenetin, por në fund ai është prej banorëve të Zjarrit të Xhehenemit. Me të vërtetë, veprat janë të lidhura me përfundimin (e mirë ose të keq).”[43]

Profeti Adem (a.s) u ngut, kur kërkoi që të jetonte përjetësisht në Xhenet, duke ngrënë nga frutat e pemës dhe si rrjedhojë ai dhe pasardhësit e tij zbritën në Tokë. Allahu i Lartësuar thotë: Ne bëmë besëlidhje edhe me Ademin më parë, por ai harroi, sepse nuk ishte i vendosur.”[44] Dijetarët myslimanë kanë aprovuar një rregull të përgjithshëm, që thotë: “Ai i cili ngutet duke kërkuar diçka përpara kohës së duhur, do të privohet prej saj”. Prandaj në udhëtimin që Profeti Musa (a.s) bëri me Hidrin, u  ngut duke mos duruar ndaj veprimeve të këtij të fundit dhe përfundimi ishte, që ky udhëtim mbaroi shumë shpejt. Nëse Profeti Musa (a.s) do të kishte duruar dhe nuk do të ngutej, atëherë udhëtimi do të zgjaste më tepër dhe ne do të kishim mësuar më shumë gjëra të reja.

Sa e sa gjëra mund të humbasë njeriu për shkak të ngutjes dhe në fund ai pendohet për ngutjen e tij. Pikërishtë për këtë arsye, Profeti (a.s) i ka porositur myslimanët, që përpara se atë të nguten në vendimarrje për një gjë të caktuar, është më mirë për ta që të falin namazin e “Istihares”, duke iu lutur Allahut që ta ndihmojë, që vendimi që po merr të jetë mirësi për të në çështjen e fesë dhe të dynjasë, e nëse vendimi që po merr i sjell dëm në çështjen e fesë dhe të dynjasë, atëherë i lutet Allahut që t’ia largojë atë. Më poshtë po flasim për disa prej formave të ndaluara të ngutjes:

 

Forma e parë: Ngutja për të ndryshuar realitetin e umetit mysliman:

Një pjesë e madhe e entuziastëve të këtij umeti kanë patur orvatje të mira për të bërë ndryshimin. Çdonjëri prej tyre në fushën e tij ka plotësuar një boshllëk. Entuziazmi për të ndryshuar realitetin e umetit është një domosdoshmëri, sepse përbuzja e poshtërimi që i bëhet atij nga armiqtë, prek zemrën e çdo myslimani që e do fenë e tij. Kjo dhunë ndërkombëtare që po ushtrohet kundrejt  umetit mysliman, e personifikuar në vrasjet e të pafajshmëve qofshin këta burra e gra, të mëdhenj apo të vegjël vetëm sepse ata janë myslimanë, ngadonjëherë e detyrojnë njeriun që të ngutet. Situata nëpër të cilën po kalon umeti mysliman, është e dhimbshme dhe shumë e hidhur: vrasje, shpërngulje me forcë nga shtëpitë e tyre, përdhosje të të drejtave të tyre. Mjafton si shembull i kësaj që po themi masakrat e përgjakshme që ndodhin në Palestin dhe Siri. Kjo gjendje e vështirë, në të cilën po kalon umeti mysliman, i ka detyruar disa njerëz që të mos përmbahen dhe të dëshirojnë ndryshimin me çdo kusht dhe në çfarëdo lloj forme.

Realiteti të cilin po përjeton umeti mysliman, nuk ka ardhur krejt rastësisht, por kjo gjendje ka ardhur si pasojë e një sërë planesh, kurthesh e intrigash të thurura nga armiqtë e fesë për vite të tëra. Dikush ka thurur plane, që ta rrënojë atë ekonomikisht, dikusht tjetër me anë të programeve artistike, duke e çuar drejt degjenerimit, një i tretë në aspektin ideor... e kështu me rradhë. Pas kuintave qëndrojnë shtete imperialiste, që dëshirojnë me çdo kusht shkatërrimin e umetit mysliman.

Tani me të drejtë lind një pyetje: Këto plane armiqësore dhe dashakeqëse që u thurën për rënien e hilafetit othman, duke e copëtuar botën islame në shtete dhe duke vazhduar një periudhë kohore tepër të gjatë, a është e mundur që për një muaj, një vit, apo dhjetë vet, çdo gjë të kthehet siç ka qenë më parë? A është e mundur që për dhjetë vjet realiteti i umetit myliman të ndryshojë? Ai i cili mendon kështu ka gabuar, sepse përderisa rënia nuk ka qenë për një kohë të shkurtër, kuptohet vetvetiu që ngjitja do më tepër kohë.

Ndryshimi i realitetit të umetit nuk mund të ndodhë për një vit, dy apo dhjetë. Që të vijë ky ndryshim, duhet shumë kohë, ndoshta përfshin një brez, dy apo më tepër. Detyra jonë në rradhë të parë është, që ta çrrënjosim të keqen dhe më pas ta përhapim të mirën e të dobishmen. Sa kohë na duhet për çrrënjosjen e të keqes dhe sa kohë na duhet për ta përhapur të mirën?! .. “Mirëpo ju nguteni”

Ku janë intelektualët dhe specialistët, të cilët duhet të mbushin boshllëkun e krijuar? Ku janë energjitë e duhura, që duhet kontribojnë në çdo fushë të aktivitetit njerëzor? Në fakt, distanca është tepër e largët. Me këto fjalë nuk dëshiroj që të mbjell pesimizmin në zemrat e myslimanëve, por ne duhet ta dimë mirë se ndryshimi i gjendjes së umetit myslima nuk vjen me lehtësi. Madje ngutja në këtë pikë do të shkaktonte rezultate tepër negative, të cilat do t’i vuanim për shumë kohë pasojat e saj. Gjendja në të cilën po kalon umeti, ka nevojë për një analizë shumë të thellë dhe në fund të fundit përderisa e keqja ka vite që ekziston edhe të mirës i duhen vite që të mbizotërojë. Allahu i Lartësuar thotë: Ato ditë (fitoreje dhe humbje) Ne i ndërrojmë midis njerëzve, që Allahu t’i dallojë besimtarët dhe për t’i bërë disa prej jush dëshmorë. Allahu nuk i do keqbërësit. E kështu, Allahu i dëlir besimtarët e i shuan jobesimtarët. A mendoni se do të hyni në Xhenet, pa i provuar Allahu ata që kanë luftuar prej jush dhe pa i provuar ata që kanë duruar”.[45] ...“Mirëpo ju nguteni”

 

Forma e dytë: ngutja për çrrënjosjen e të keqes nga zemrat e njerëzve:

Kjo formë është ngjashme me të parën, vetëm se e para ka të bëjë me shoqëritë në përgjithësi, ndërsa kjo formë ka të bëjë me ftesën individuale.

Disa thirrës të cilët kanë dhënë një kontribut të mirë në përhapjen e të mirës tek njerëzit dhe largimin e të keqes nga zemrat e tye, ndonjëherë nguten kur dëshirojnë që njerëzit të bëhen menjëherë të mirë. Kjo është gabim, sepse njerëzit janë të zhytur në mëkate dhe i duan ato. Njerëzit të cilët prej vitesh janë zhytur në mëkate, është shumë e vështirë që të largohen prej tyre për një kohë të shkurtër. Madje është krejt normale, që të shikosh me sytë e tu që ata të gabojnë, mëkatojnë, të neglizhojnë e të tregojnë çaste dobësie. Detyra e thirrësit është, që të bëjë durim dhe ndonjëherë edhe të lëshojë pe, derisa njerëzit pak e nga pak të kthehen tek feja e Allahut.

Vallë a mendon, se njeriu i cili ka qenë i zhytur në mëkate për dhjetë vjet apo më tepër, pasi është kthyer në rrugën e drejtë, nuk i ka ngelur ndonjë pasojë nga mëkati sado e vogël që të jetë ajo pasojë?! Nëse nuk e mendon këtë gjë, atëherë ke gabuar. Dijetari i Islamit Ibnu Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Po kështu, përsa i përket edhe atij, që sapo është penduar nga mëkatet, mësuesi apo edukatori nuk duhet ta urdhërojë që të kryejë të gjitha çështjet e fesë, sepse një gjë e tillë është e papërballueshme. Nëse ai nuk e përballon, atëherë nuk e ka për detyë dhe si rrjedhojë dijetari në fillim nuk duhet që t’ia mësojë të gjithë gjërat. Ai duhet të lëshojë pe tek urdhëresat dhe ndalesat, ashtu siç ka vepruar Profeti (a.s), deri kur ka ardhur koha e duhur. Ky veprim nuk do të thotë miratim i mëkateve dhe braktisje e urdhëresës për kryerjen e obligimeve, sepse obligimi dhe ndalesa kanë si kusht mundësinë e dijes dhe të zbatimit. Ky kusht duhet të plotësohet patjetër, prandaj mendo mirë rreth kësaj”![46]

Qysh prej sa kohësh media me të gjitha format e saj ka luajtur rolin kryesor në shthurjen dhe degjenerimin e njerëzve në të gjitha vendet?! Jo më tepër se 100 vjet. Në ditët e sotme, përdorimi i internetit është pëhapur në përmasa me të vërtetë mjaft të frikshme. Imagjino një djalë të ri (por edhe të tjerë) që kalon orë të tëra përpara internetit! Sa e sa gjëra janë akumuluar në mendjen dhe zemrën e njeriut nëpërmjet medias?! E gjitha kjo nuk ka ardhur brenda një nate, por pas një kohe shumë të gjatë. Prandaj të nguturit për të përmirësuar gjendjen është një veprim me pasoja të rënda. Kështu që është mëse e nevojshme, që t’i ftojmë njerëzit gradualisht, që ata të pranojnë parimet e fesë dhe më vonë t’i zbatojnë ato. Mësuesit dhe edukatorët duhet të jenë shumë të kujdesshëm në edukimin e nxënësve të tyre. Jo që në fillim duhet kërkuar prej nxënësve gjëra, që ata e kanë të vështirë t’i veprojnë, por duhet të merren gradualisht me edukimin e tyre... “Mirëpo ju nguteni”.

 

Forma e tretë: ngutja në përgjigjen e fetvave:

Ekzistojnë një sërë tekstesh qortuese për ata, të cilët japin fetva pa kurrfarë dije. Allahu i Lartësuar thotë: Thuaj: me të vërtetë, Zoti im ka ndaluar vetëm punët e pahijshme, qofshin të hapëta ose të fshehta dhe gjynahet, dhunimin pa të drejtë, t’i shoqërohet Allahut (në adhurim) diçka, për të cilën nuk ju ka dhënë kurrfarë të drejte dhe të thoni për Allahun atë që nuk e dini”.[47]

Në fakt, dijetarët e vërtetë nuk dëshirojnë që të tjerët t’i pyesin, sepse ata e dinë mjaft mirë rrezikshmërinë e dhënies së fetvasë. Sahabët asnjëherë nuk kanë pasur dëshirë që të jepnin fetva, nga frika se mos flisnin diçka rreth fesë dhe përgjigja e tyre do të ishte e pasaktë. Dhënia e fetvasë për një çështje të caktuar do të thotë se kjo është dispozita fetare për atë çështje. Vështirësia e fetvasë është më e madhe, atëherë kur çëshjta është më e komplikuar dhe jo e qartë. Kështu që ngutja në dhënien e fetvasë është një veprim i qortuar, të cilin e japin vetëm ata që janë injorantë.

Duke hedhur një vështrim në realitetin tonë, vërejmë se çdokush mund të flasë për çështjet e fesë, që të gjithë janë bërë dijetarë, saqë dhënia e fetvave nga më të ndyshmet është bërë si buka me djathë që e hamë.. “Mirëpo ju nguteni”.

 

Forma e katërt: Ngutja me akuza të pabaza ndaj personave apo organizatave:

Nuk ka asnjë dyshim, se edhe kjo formë e të nguturit është e papëlqyeshme dhe mjaft e rrezikshme. Allahu i Lartësuar na ka urdhëruar në Kuranin Famëlartë, që të sigurohemi dhe të mos e marrim për bazë mendimin e atij, që nuk është i besueshëm në mesin e njerëzve. Allahu i Lartësuar thotë: O ju që keni besuar! Nëse ndonjë njeri i pandershëm ju sjell ndonjë lajm, sigurohuni mirë (në është i vërtetë) për të mos i bërë dëm ndokujt padashje, e pastaj të pendoheni për atë që keni bërë”.[48]

Ngandonjëherë në shoqërinë tonë shfaqen disa njerëz, të cilët nuk kanë punë tjetër, por vetëm emërtojnë njerëzit, “Filani ka për qëllim këtë e këtë”, a thua se janë të obliguar për të qenë rojtarë ndaj njerëzve. Ky veprim është shumë i gabuar, sepse qëllimet nuk i di askush tjetër përveç Allahut të Lartësuar. Nuk e kemi ne për detyrë që të akuzojmë të tjerët pa fakte, e as të ngutemi pa u siguruar. Të nguturit në akuza pa u siguruar mirë, do të thotë të mbartësh mbi supe mëkatet e të tjerëve. “Mirëpo ju nguteni”

 

 

Forma e pestë: të nguturit në ndihmesë:

Ka disa njerëz që nguten, duke e kërkuar ndihmën (fitoren) sa më shpejt, duke mos hedhur hapat e përshkallëzimit të duhur. Bindja se Allahu i Lartësuar i ndihmon robërit e Tij është e padiskutueshme dhe çelësi i optimizmit. Ai i cili nuk e ka këtë bindje dhe e ka humbur shpresën tek fitorja, me të vërtetë ka devijuar nga rruga e drejtë. Madje kush dyshon tek fitorja qoftë edhe për një çast, ajo do të vonohet po aq. Allahu i Lartësuar thotë: Kush mendon se Allahu nuk do ta ndihmojë (Muhamedin) në këtë botë dhe në botën tjetër, le të lidhë një litar në tavan e të varet! Pastaj le të shohë nëse do t’ia largojë ky veprim hidhërimin. Dhe kështu, Ne e kemi zbritur Kuranin në vargje të qarta dhe, sigurisht, Allahu udhëzon kë të dojë në rrugë të drejtë.”[49] Ndihma e Allahut vjen për ata, të cilët e meritojnë atë. Të tillët janë besimtarët, të cilët rezistojnë deri në fund, duke mos u lëkundur për asnjë çast, sado që të fuqishme që të jenë erërat. Megjithëse ndihma e Allahut ndaj robërve të Tij është e padiskutueshme, në shumicën e rasteve ajo vonohet për disa arsye, sepse tullat e ndërtetësës së umetit akoma nuk janë pjekur, lidhja e ngushtë  e besimtarëve me Allahun, të kotës akoma nuk i janë shkulur rrënjët e mjedisi akoma nuk është i gatshëm për ta pranuar të vërtetën.

 

Argumentet dhe dobitë e hadithit:

1 – Vlera e durimit ndaj torturave që shkaktohen për hir të fesë.

2 – Të dobëtit dhe të pafuqishmit kërkojnë ndihmë, që ata që janë më të fortë të luten për ta, ashtu siç shkuan sahabët e pafuqishëm tek Profeti (a.s) që të lutej për ta.

3 – Lejohet të lutemi kundra jobesimtarëve, ose të kërkojmë prej dikujt tjetër që të lutet kundër tyre.

4 – Njeriu e ka të lejuar që të tregojë atë ç’ka po heq nga pabesimtarët. Një veprim i tillë nuk konsiderohet ankesë.

5 – Durimi dhe qëndrueshmëria e sahabëve ndaj torturave çnjerëzore.

6 – Është e lejuar për njeriun, që të tregojë shembuj nga besimtarët e popujve të mëparshëm.

7 – Marrja e besimtarëve të devotshëm si model të mirë, të cilët u sprovuan me forma nga më të ndryshmet, megjithatë nuk u lëkundën aspak përpara tyre, por i bënë ballë duke duruar dhe mos ia kthyer shpinën fesë.

8 – Armiqësia kundrejt besimit ekziston që nga lashtësia, prandaj besimtarët kudo dhe kurdoherë duhet të bëjnë durim dhe qëndresë ndaj torturave.

9 – Besimtari duhet të jetë i qëndrueshëm në fenë e tij, edhe nëse torturohet duke u sharruar me sharrë.

10 – Sprova është domosdoshmëri e besimit të njeriut.

11 – Ajo ç’ka lajmëroi Profeti (a.s) se feja islame do të përhapet dhe se siguria e paqja do të mbizotërojnë, u realizua. Kjo dëshmon për profetësinë e tij.

12 – E ardhmja është për fenë islame. Allahu i Lartësuar do ta ndihmojë fenë e Tij nëpërmjet autoritetit të fuqishmit ose përulësisë së poshtëruesit.

13 – Feja Islame është feja e sigurisë, stabilitetit dhe paqes.

14 – Ngutja nuk është e pëlqyeshme.

15 – Njeriu gjithmonë ngutet, sepse ai është krijuar që të jetë i tillë.

 

Epilog:

Në epilogun e këtij hadithi po përmendim dy hadithe të tjera të Profetit (a.s), që flasin rreth triumfit të fesë Islame:

Hadithi i Parë:

Temim Ed Dari ka dëgjuar Profetin (a.s) duke thënë: “Kjo fe do të arrijë atje ku ka arritur nata dhe dita. Allahu i Lartësuar nuk ka për të lënë shtëpi qytetari apo fshatari pa e futur këtë fe nëpërmjet autoritetit të fuqishmit ose nëpërmjet përulësisë së poshtëruesit. Nëpërmjet autoritetit ka për ta forcuar Islamin dhe nëpërmjet përulësisë duke e poshtëruar mosbesimin”. Et Temim Ed Dari ka thënë: Këtë gjë e provova tek pjesëtarët e familjes (fisit) tim. Ata që besuan prej tyre u erdhi e mira, nderimi dhe krenaria. Ndërsa ata të cilët ishin jobesimtarë, i kaploi përulësia, poshtërimi dhe pagesa e xhizjes”.[50]

Hadithi i Dytë:

Hudhejfe transmeton, se Profeti (a.s) ka thënë: “Profetësia do të vazhdojë të jetë në mesin tuaj, derisa të dëshirojë Allahu. Më pas Ai e largon atë, kur të dëshirojë. Më pas do të ketë hilafet që ndjek rrugën e profetësisë. Ai (hilafeti) do të vazhdojë, derisa të dëshirojë Allahu dhe më pas Ai do ta largojë atë, kur të dëshirojë. Më pas do të ketë mbretëri kafshuese (të egër), që do të vazhdojë derisa Allahu të dëshirojë të vazhdojë dhe më pas do ta largojë, kur të dëshirojë. Më pas do të ketë mbretëri diktatoriale, që do të vazhdojë derisa të dëshirojë Allahu që të vazhdojë dhe më pas do ta largojë, kur të dëshirojë. Më pas do të ketë hilafet, që ndjek rrugën e profetësisë”. Më pas ai (a.s) heshti.[51]

 


[1] Transmeton imam Buhariu, nr: 6943.

[2] Transmeton imam Buhariu, nr: 3582.

[3] Sure Merjem: 77. Kjo ngjarje është shpjeguar tek “Sahihul Buhari” nr: 4733.

[4] Sure El Kehf: 28.

[5] Sure Es safat: 173.

[6] Sure En Nisa: 166.

[7] Marrë nga libri “Komentimi i Rijadus Salihin” i Muhamed ibnu Uthejminit, fq: 1/252.

[8] Sure El Haxh: 40.

[9] Sure En Nahl: 106.

[10] Marrë nga libri: “Gjurmëve të të dashurit tonë” i Amër Halidit, fq: 103 bazuar tek përkthimi i Elmaz Fidës.

[11] Marrë nga libri: “Gjurmëve të të dashurit tonë” i Amër Halidit, fq: 104 bazuar tek përkthimi i Elmaz Fidës

[12] Marrë nga libri: “Gjurmëve të të dashurit tonë” i Amër Halidit, fq: 104 bazuar tek përkthimi i Elmaz Fidës

[13] Marrë nga libri: “Gjurmëve të të dashurit tonë” i Amër Halidit, fq: 105 bazuar tek përkthimi i Elmaz Fidës

[14] Marrë nga libri: “Gjurmëvet të të dashurit tonë” i Amër Halidit, fq: 105 bazuar tek përkthimi i Elmaz Fidës

[15] Sure Er Ra’d: 17.

[16] Sure El Kalem: 4

[17] Në atë kohë, namazi ishte obligim vetëm përpara lindjes dhe perëndimit të diellit me 2 rekate.

[18] Sure El Bekare: 214.

[19] Sure El Ankebut: 1-3.

[20] Sure ES Saffat: 171-177.

[21] Marrë nga libri “Gjurmëve të të dashurit tonë” fq: 300 bazuar tek përkthimi i Elmaz Fidës.

[22] Sure El Ahzab: 22.

[23] Sure Ali Imran: 141.

[24] Sure El Ahzabë: 9-12.

[25] Sure El Mulk:2.

[26] Sure En Neml: 62.

[27] Marrë nga libri: “Nën hijen e Kuranit” të Sejjid Kutubit, fq: 3390  nën korrektimin e hulumtuesit të Kuranit dhe Sunetit, doktor Ali ibnu Najif Esh Shehud

[28] Transmeton imam Muslimi, nr: 2268.

[29] Sure El Huxhurat: 12.

[30] Transmeton imam Buhari, nr: 6064.

[31] Sure El Huxhurat: 6.

[32] Marrë nga libri “Shpjegimi i Rijadus Salihin” i Muhamed ibnu Uthejminit, fq: 1/253.

[33] Transmetojnë imam Buhariu, nr: 3038 dhe imam Muslimi, nr: 1733.

[34] Marrë nga libri: “Sihiariqet se Islami do të triumfojë” i doktor Jusuf El Kardavit fq: 8-9.

[35] Sure Ez Zumer: 65.

[36] Sure El A’araf: 129.

[37] Sure El Xhin: 16.

[38] Sure Muhamed: 38.

[39] Marrë nga libri: “Kritika ndaj zellit për të mbizotëruar” i Ibnul Xheuzit, fq: 17.

[40] Sure El Enbija: 37.

[41] Sure Junus: 11.

[42] Sure Taha: 114.

[43] Transmeton imam Buhariu, nr: 6108.

[44] Sure Taha: 115.

[45] Sure Ali Imran: 140-142.

[46] Marrë nga libri “Përmbledhje fetvash” i Ibnu  Tejmijes, 20/60.

[47] Sure El A’rafë: 33.

[48] Sure El Huxhurat: 6.

[49] Sure El Haxh: 15-16.

[50] Transmeton imam Ahmedi, nr: 16957. Zinxhiri i transmetimit është i saktë.

[51] Transmeton imam Ahmedi, nr: 18406. Zinxhiri i transmetimit është Hasen.

Punoi: Elton Harxhi

Submitting your vote...
Not rated yet. Be the first who rates this item!
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

23/10/2021
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
05:22 06:5412:3215:2817:5819:20

Urtësi Profetike

Gjërat që i çojnë njerëzit

më shumë në Xhennet

janë devotshmëria

dhe mirësjellja.


Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook