By: Dr. Kemal Elmisrij

APOSTAZIA, BRAKTISJE BESIMI APO REBELIM


Kur flasim mbi apostazinë, është gabim trashanik nëse do i qasemi vetëm në mënyrë të përgjithshme, pasi në këtë rast flasim për jetë të marra dhe gjak të derdhur. Feja na mëson, që për mesele të tilla, të tregohemi tepër të kujdesshëm dhe të marrim në konsideratë çdo detaj.

Për mendimin tim, ajo që i vë vulën debatit mbi apostazinë, ka të bëjë me përkufizimin e drejtë të saj, nëse është braktisje e Islamit apo rebelim ndaj tij. Nëse e kuptojmë siç duhet këtë pikë, do të binte çdo dyshim dhe keqkuptim ndaj apostazisë. Kështu do të mund t`i kuptonim drejt të gjithë tekstet dhe ngjarjet përkatëse në harmoni dhe larg keqkuptimeve. Gjithashtu do të afroheshin distancat mes refuzuesve të ndëshkimit të apostazisë dhe mbështetësve.

Mesa duket ekziston një konfuzion i madh tek ata persona, që besojnë se femohuesi duhet ekzekutuar, lidhur kjo me përkufizimin e drejtë të apostazisë, nëse ajo është braktisje e Islamit apo rebelim ndaj tij. Këto dy çështje janë trajtuar sikur të ishin një e vetme.

Në fakt, mes dy çështjeve ka diferencë të madhe, sepse të rebelohesh ndaj Islamit, do të thotë të dalësh kundër tij, të sillesh agresivisht dhe të abuzosh me fenë. Të rebelohesh ndaj Islamit, do të thotë edhe të prekësh sigurinë e umetit dhe rendit, të cenosh statusin social dhe politik, të shkaktosh përçarje, kaos dhe rrëmuja, të cilat janë të dënueshme në Kuran. Zoti thotë në Kuranin fisnik: ”Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe mos u grindni ndërmjet jush, sepse do të humbni guximin e do t’ju lërë fuqia. Bëhuni të durueshëm, se me të vërtetë Allahu është me të durueshmit”. (Enfal, 46)

“Le të dalë prej jush një grup, që të thërrasë për në mirësi, të urdhërojë për vepra të mira e të ndalojë prej veprave të shëmtuara! Këta njerëz do të jenë të shpëtuarit. Mos u bëni si ata, që pasi u erdhën provat e qarta, u përçanë dhe u grindën. Për këta do të ketë dënim të madh”. (Al Imran, 104-105)

S’ka dyshim se nëse ndodh rebelim ndaj Islamit, ai konsiderohet si krim ndaj rendit dhe shtetit islam. Në këtë rast ai është rebelim ndaj dispozitave të fesë, së cilës i beson i gjithë umeti mysliman. Një akti i tillë është sinonim i tradhtisë së madhe, krim i dënueshëm nga të gjithë kushtetutat, legjislacionet dhe kodet ligjore. Dënimi i një akti të tillë nuk ndodh vetëm tek ato shtete, të cilat kanë si referencë fenë, siç e hasim gjatë kohës së profetit Muhamed (a.s), katër kalifëve të drejtë e më pas, por përfshin edhe shtete të cilat nuk kanë burim kushtetues fenë. Këto shtete kanë sanksionuar ligje, të cilat dënojnë këdo që cenon ndjeshmëritë fetare dhe që ofendon ato rituale fetare, të cilat duhen respektuar.

Por gjykimi ndryshon dhe duhet të ndryshojë, kur kemi të bëjmë me braktisje dhe lëshim të fesë islame, në mënyrë individuale, pa ofendime dhe ironizim të fesë, si dhe duke mos përbërë rrezik për umetin dhe strukturën fetare. Një rast i tillë bëhet pa dashur të abuzohet me ritualet e myslimanëve, por thjesht sepse në këtë rast felëshuesi nuk është i bindur me Islamin dhe parimet e tij dhe se një fe tjetër i duket më e drejtë. Kështu, ai e braktis Islamin në mënyrë të qetë dhe individuale.

Nga një vështrim i shpejtë i argumenteve lidhur me personat që bëjnë apostazi, çështja bëhet më e lehtë për tu kuptuar.

Imam Buhariu dhe Muslimi shënojnë në librat e tyre të hadithit nga Xhabiri (r.a), i cili transmeton, se një beduin i dha besën si mysliman të dërguarit të Zotit. Gjatë qëndrimit në Medinë, beduini u sëmur dhe vajti tek Profeti (a.s), të cilit i tha:”Dua ta prish besën!” Profeti (a.s) e refuzoi. Beduini i erdhi dhe dy herë të tjera për të njëjtin qëllim dhe Profeti (a.s) refuzonte. Atëherë beduini u largua dhe Profeti (a.s) tha: ”Medina i ngjan zjarrit që pastron ndryshkun dhe pastron mallin”.

Nëse nuk do të kishte dallim mes braktisjes së Islamit dhe rebelimit ndaj tij, ky beduin nuk do të kishte fund tjetër veçse vrasjen.

Në këtë kuadër shohim ajetin:”Një grup ithtarësh të Librit thanë: “Besojeni në mëngjes atë që u është zbritur besimtarëve, por në mbrëmje mohojeni atë, se ndoshta edhe ata do ta braktisin...” (Al Imran, 72)

Ky është një ndër ajetet, që iu shpallën Profetit (a.s) lidhur me disa felëshues në kohën e tij. Imam Kurtubiu në tefsirin e tij thotë, se ky ajet u shpall për Kab ibnu Eshref, Malik ibnu Sajf dhe disa hebrenj të tjerë. Sipas Katade, hebrenjtë e thurën një plan të tillë, me qëllim që të mbjellin dyshim dhe pështjellim tek besimtarët myslimanë e si përfundim t`i kthehen fesë çifute. Kurse imam Ibnu Kethir thotë:”Ai ishte një kurth, me të cilin synonin që një shtresë e myslimanëve me besim të lig, të dyshonin në saktësinë e islamit. Hebrenjtë vendosën të hiqen si myslimanë në mëngjes, të falin sabahun bashkë me të tjerët dhe në fund të ditës, ta braktisin Islamin, që njerëzit e rëndomtë të thonë: Ajo që i bëri të heqin dorë nga Islami, është ndonjë e metë që kanë vërejtur”. Për këtë, ata thanë:” se ndoshta edhe ata do ta braktisin...”.

Lidhur me ajetin:” Kush kërkon tjetër fe përveç Islamit, nuk do t’i pranohet dhe ai në botën tjetër do të jetë i humbur”. (Al Imran, 85), Kurtubiu thotë se ky ajet është shpallur për Harith ibnu Suvejd. Ai ishte nga banorët e Medines, pranoi Islamin e pastaj e braktisi atë bashkë me dymbëdhjetë burra të tjerë. Më vonë, ai iu bashkëngjit kampit idhujtar të mekasve.

Këto dy ajete bëjnë me dije, se apostazia kishte natyrë kolektive dhe jo individuale. Edhe kur Zoti flet direkt për apostazinë, e cek atë në numrin shumës dhe jo njëjës. Zoti thotë në Kuran: ”E si t’i udhëzojë Allahu në rrugë të drejtë njerëzit që u bënë mohues, pasi më parë patën besuar e dëshmuar se i Dërguari është i vërtetë dhe u kishin ardhur provat e qarta?! Allahu nuk i udhëzon në rrugë të drejtë ata që janë keqbërës”. (Al Imran, 86)

Një rast tjetër janë dhe luftërat e riddes (apostazisë), të cilat u zhvilluan pas vdekjes së Profetit (a.s), në fillimin e kalifatit të Ebu Bekrit (r.a). Asokohe apostazia ishte kolektive, pasi felëshuesit deklaruan haptazi, se nuk i bindeshin shtetit islam dhe as dispozitave hyjnore. Kjo situatë u rëndua më shumë, kur në skenë dolën profetët e rremë, të cilët e refuzonin umetin dhe fenë. Shfaqja e tyre ishte me qëllim të rrënimit të Islamit. Hazreti Aliu (r.a) urdhëroi të digjeshin të gjithë ata, që pretendonin se ishin zota, pasi gjykoi se kjo përbënte rrezik për fenë dhe umetin. Ata nuk ishin një individ i vetëm, por shumë syresh.

Në hadithin që përligj vrasjen e felëshuesit, kriteri është: ”Ai që lëshon fenë e tij dhe ndahet nga xhemati (komuniteti)”.

Vetë fakti që ndahet nga komuniteti dhe xhemati, nënkupton se përveç braktisjes, kërkon dhe t`i dëmtojë. Kështu, thjesht braktisja e fesë nga dikush nuk është shkak që ai të meritojë dënimin me vdekje dhe derdhjen e gjakut.

Shejhul islam, Ibnu Tejmije në librin Essarimul Meslul thotë: ”Profeti (a.s) e ka pranuar pendimin e një grupi felëshuesish, ashtu siç ka urdhëruar ekzekutimin e një grupi tjetër, të cilët e shoqëruan apostazinë me akte të dëmshme për Islamin dhe myslimanët. Profeti (a.s) urdhëroi vrasjen e Mekis ibnu Hababa, ditën kur myslimanët hynë në Mekë si triumfatorë, sepse ai përveç apostazisë, kishte vrarë një mysliman, të cilin edhe e kishte plaçkitur. Meqë ai nuk ishte penduar para se të arrestohej, u vra. E njëjta gjë u ngjau Kurenijve, të cilët përveç apostazisë, vranë barinjtë e deveve. Ibnu Hatal u ekzekutua, kur e shoqëroi apostazinë me ofendime për fenë dhe vrasje të një myslimani. Ibnu Ebi Serh u ekzekutua, kur e shoqëroi apostazinë me sharje, ofendime dhe shpifje.

Sipas Bejhakij, kur Enesi (r.a) u kthye nga Tustur, vajti tek Umeri (r.a), i cili e pyeti: ”Çfarë ngjau me pesë burrat nga Bekr ibnu Vail, të cilët braktisën Islamin dhe iu bashkangjitën idhujtarëve?” Enesi (r.a) iu përgjigj:”O Prijës i Besimtarëve! U vranë gjatë betejës”. Umeri (r.a) tha:”Të Zotit jemi dhe tek Ai do të kthehemi!” Enesi (r.a) i tha:”E çfarë alternative mund të kishte tjetër përveç vrasjes?!” Umeri (r.a) u përgjigj:”Unë do u sugjeroja Islamin, por nëse e refuzonin do i mbyllja në burg”.

Këtë mendim ka edhe Ibrahim Nekhaij lidhur me vrasjen e felëshuesit. Nëse ndëshkimi i prerë i të gjithë felëshuesve do të ishte ekzekutimi, a mund të mendohej se Umeri (r.a) mund ta ndryshonte këtë ligj?!

Mos vallë Umeri (r.a) e kishte interpretuar hadithin e Profetit (a.s): ”Kush ndryshon fenë vriteni!” si gjykim i Profetit (a.s) nisur nga statusi i tij si lidership politik dhe udhëheqës shteti? Pra, e kishte kuptuar si një gjykim dhe vendim të pushtetit ekzekutiv, jo një ligj hyjnor i pandryshueshëm, të cilit duhet ti përmbahet umeti mysliman në çdo vend dhe kohë. Prandaj, ekzekutimi i felëshuesit është një e drejtë e lidershipit (imamit) dhe një nga kompetencat që ia garanton pushteti.

Disa fakihë e përjashtojnë gruan felëshuese nga gjykimi i hadithit që përmendëm më lart. Nëse terreni i përjashtimeve është i hapur, përse të mos e përjashtojmë nga ekzekutimi felëshuesin, i cili nuk e shoqëron këtë akt me vepra të dëmshme. Madje, një sërë dijetarësh as që e rendisin dënimin e apostazisë në kodin penal islam, por thjesht e shohin si një dënim parandalues dhe dënime të tilla – sipas këtyre dijetarëve – i lihen në dorë sovranit. Është sovrani ai, që përcakton edhe llojin e dënimit të përshtatshëm për këtë kategori. Ekzekutimi është veçse një nga dënimet dhe nuk është dënimi i vetëm, aq më tepër nëse kjo i është lënë në dorë sovranit. Askush nuk ka të drejtë të imponojë vetëm një formë ndëshkimi për një akt të caktuar, aq më tepër nëse rrethanat dhe situata sociale nuk përkojnë me të.

Lidhur me një të krishterë, që përqafon islamin thjesht për tu divorcuar nga e shoqja e krishtere, ose sepse dëshiron të martohet me një myslimane, të cilën e divorcin pasi e ka të pamundur e pastaj i kthehet sërish fesë së krishterë, shejh Ebu Zehre ka thënë:”Mund të dënohet me burg, me një gjobë, ose me të dyja”.

Çështja e apostazisë mund të jetë edhe siç mendon shejh Abdul Vehab Khalaf:”Një ligj i cili merr parasysh një ambient të caktuar, është një ligj kohor, i cili zbatohet vetëm në ambiente të ngjashme”.

Kurse dr. Muhamed Amara thotë: ”Apostazia ndëshkohet me dënime të kësaj bote, nëse shoqërohet me akte të dëmshme, si tradhtia kombëtare.

Nëse apostazia është një zgjedhje ideologjike dhe personi jeton në mesin e umetit, identifikohet me të, nuk del kundër dhe nuk bën kompromise me armiqtë, atij i kërkohet të pendohet gjatë tre ditëve. Disa dijetarë mendojnë, që me të zhvillohen biseda dhe debate gjatë gjithë jetës së tij. Sakaq, të tjerë mendojnë, se atij i kërkohet të pendohet brenda tre ditëve, të tjerë thonë gjatë një muaji, e të tjerë gjatë tre muajve. Sakaq, të tjerë thonë se i kërkohet të pendohet gjatë gjithë jetës, pasi ajo që i ka ndodhur konsiderohet si një sëmundje ideologjike, siç janë sëmundjet fizike, e cila mund të kurohet. Problemi qëndron, nëse felëshuesi bën thirrje për ateizëm, pasi duhet të kuptojmë që mes lirisë së besimit dhe lirisë për të ftuar në ateizëm ka dallim. Përse? Sepse nëse e konsiderojmë besimin fetar si një element social, ateizmi e shemb këtë element dhe çdo shoqëri ka parime të pandryshueshme, të cilat nuk lejojnë rrënimin e elementëve të saj social. Kjo nuk e ngushton lirinë, pasi ky veprim shihet si cenim i lirisë së të tjerëve”.

Ajo që e mbështet gjithçka thamë, është dhe mendimi i imamit Ibnul Kajjim, i cili teksa flet mbi dënimin e felëshuesit, e konsideron ekzekutimin e tij si një akt parandalues, por që nuk bën pjesë në kodin penal islam. Pra, ai e sheh si një çështje, e cila i shërben interesave të myslimanëve, duke u bërë pengesë përballë dredhive të armiqve të tyre. Vetë Kurani e sinjalizon diçka të tillë në ajetin: ”Një grup ithtarësh të Librit thanë: “Besojeni në mëngjes atë që u është zbritur besimtarëve, por në mbrëmje mohojeni atë, se ndoshta edhe ata do ta braktisin...”. (Al Imran, 72), si dhe në ajetin: ”Ata që në fillim besojnë dhe pastaj e mohojnë besimin, më pas sërish besojnë dhe sërish e mohojnë besimin dhe thellohen në mosbesim, Allahu, me të vërtetë, nuk do t’i falë dhe nuk do t’i shpjerë në rrugë të drejtë”. (Nisa, 137)

Një argument tjetër për këtë ndarje mes dy apostazive të cituara më lart, është se nëse dënimi përfundimtar i tij do të ishte ekzekutimi, atij nuk do i jepej rasti të hezitojë mes besimit dhe mosbesimit, siç ceket në ajet.

Së fundmi, urojmë që kjo ndarje ose dallim mes braktisjes së Islamit dhe rebelimit ndaj tij, si dhe koleksionimi i argumenteve të dy palëve, të ketë shërbyer në krijimin e hapësirave të përbashkëta mes dy rrymave. Çështja e ndërhyrjes mes teksteve, është një çështje që gëzon prioritet gjithmonë, gjë e cila ceket shpesh nga usulistët dhe fakihët.

Gjithsesi, Zoti e di më mirë.

http://ardhmeriaonline.com/artikull/article/a-shihet-apostazia-si-krim-ne-islam/

Submitting your vote...
Not rated yet. Be the first who rates this item!
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

20/07/2019
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
03:19 05:1912:5416:5020:1622:03

Urtësi Profetike

Gjërat që i çojnë njerëzit

më shumë në Xhennet

janë devotshmëria

dhe mirësjellja.


Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook