By: Elton Harxhi

Aromë Ramazani


Në këto rreshta të shkurtër do të përpiqem sadopak, që të flas për disa prej nocioneve të muajit të Ramazanit, për të kuptuar diçka nga madhështia e tij. Sa herë që në mendje më ngulitet një nocion, papritur më shfaqet një tjetër. Sa herë që ndjej aromën e këndshme të tij, të tjera aroma të tij më pushtojnë. Nuk e di nga t’ia filloj e ku të përfundoj. Sidoqoftë, më lejoni që të notoj për disa çaste me shpirtin dhe mendjen time në oqeanin e dritës, mirësisë e bukurisë, të notoj në detin e bujarisë së pakufishme hyjnore.

Hyrja e hënës së re dhe deklarimi se Ramazani tashmë ka filluar, më njofton se mëshira dhe mirësia më kanë përfshirë edhe mua. Më bëhet sikur dëgjoj një zë nga qielli, që thërret me gëzim të madh: "Portat e Xhenetit janë hapur, portat e Xhehenemit janë mbyllur dhe shejtanët janë prangosur".

Këtu ia vlen të ndalemi pak dhe të meditojmë: Hapja e portave bëhet në mënyrën më të mirë të mundshme, portat që mbyllen nuk ka kush që t’i hapë, kurse shejtanët prangosen fort që mos të kenë shumë liri dhe kjo ndodh vetëm në muajin e bekuar të Ramazanit.

Ramazani është festë në Tokë, festë në Qiell, festë në zemrat e atyre që kërkojnë faljen, mëshirën dhe kënaqësinë e Allahut. Një vit i tërë ka kaluar, gjatë të cilit besimtari ka qenë në luftë të hapur me shejtanin, nefsin dhe epshet e tij. Një vit i tërë ka kaluar me lodhje e stërmundime, ndërsa tani mes nesh vjen muaji i bekuar i Ramazanit, ku Allahu i Lartësuar i thotë robit të Tij: "Qetësohu sepse t’i kemi hapur portat e Xhenetit, t’i kemi mbyllur portat e Xhehenemit, ndërsa shejtanët i kemi prangosur. Përsa i përket nefsit tënd që është dhënë pas epsheve, ia kemi lënë në dorë barkut tënd duke agjëruar, në mënyrë që ti të qetësohesh, të rehatohesh e të lartësohesh. Ke rastin më të mirë që të furnizosh shpirtin, prandaj shfrytëzoje këtë sezon në maksimum".

Përpara nesh shpaloset agjërimi, i cili i bën të gjithë njerëzit të barabartë. Tashmë ata kanë vetëm një ndenjë. Agjërimi i vendos të gjithë njerëzit në një gjendje shpirtërore, qofshin ata në Lindje apo Perëndim. Tashmë, dëgjohet zëri i mëshirës, i keqardhjes dhe jo i barkut, i pasuri barazohet me të varfrin dhe jeta bëhet më e këndshme në mbarë shoqërinë njerëzore. Allahu i Lartësuar - nëpërmjet agjërimit - dëshiron, që ta fusë robin e Tij në Xhenetin e Amshueshëm. Për Zotin që është Një, a ka domethënie më të bukur se kjo?        

Dihet botërisht se mëshira apo keqardhja vjen si rrjedhojë e vuajtjes. Ndoshta ky është sekreti i madhështisë së agjërimit, i cili na privon nga disa gjëra për një kohë të caktuar. Kjo është mënyra e vetme e edukimit të nefsit. Në momentin që i pasuri ndjen keqardhje për të varfërin, zëri i brendshëm i njeriut ka fuqi ekzekutive.

Asnjë ideologji e asnjë forcë tokësore nuk ka pushtet që t’i mbledhë njerëzit përreth saj. E vetmja gjë që i grumbullon njerëzit është nënshtrimi, përulja dhe bindja ndaj vullnetit hyjnor. Agjërimi është bërë obligim për 29-30 ditë në vit, për të edukuar vullnetin e njeriut në praktikë e jo në imagjinatën e tij.

Aroma e agjërimit përhapet në llojet e ndryshme të adhurimit. Ai kultivon tek besimtari ndjenjën e mbikqyrjes së Allahut ndaj tij. Të gjitha adhurimet kryhen bashkarisht nga besimtarët, si falja e namazit, haxhi..etj, kurse agjërimi është një adhurim midis robit dhe Krijuesit të Madhërishëm. Ti nuk mund t’i thuash njerëzve: "Shiko unë po agjëroj". Agjërimi kultivon tek besimtari ndjenjën e sinqeritetit me Allahun. A nuk është i mjaftueshëm fakti, që besimtari lutet në kohën e çeljes së iftarit, ndërsa kjo lutje është e pranuar dhe nuk kthehet mbrapsht. Aroma e agjërimit ndihet në ndërmjetësimin që ai do të bëjë për besimtarët në ditën e Gjykimit, aroma e tij ndihet në leximin e Kuranit, ndihet në faljen e namazit të teravive, ndihet në natën e Kadrit që është e specifikuar me një bujari të pakufishme hyjnore. Aroma e agjërimit ndihet tek porta e Rejanit nga e cila do të hyjnë të gjithë agjëruesit. Allahu i Lartësuar thotë në hadithin kudsij: “Ai (agjërimi) është për Mua dhe vetëm Unë e jap shpërblimin për të”. Në krahun tjetër dëgjojmë qortimin e ashpër se kush e lë një ditë pa agjëruar - pa pasur ndonjë arsye të njohur nga Sheriati -  nuk e kompenson dot edhe sikur të agjërojë gjithë vitin. Prandaj gjatë muajit të Ramazanit, pavarësisht diversitetit të njerëzve në çështjen e besimit, vërejmë se agjëruesi nuk  guxon që të pijë qoftë edhe një gllënjkë uji, megjithëse agjërimi zgjat rreth 18 orë.

Nëse të gjithë njerëzit anembanë botës do ta kuptonin domethënien e agjërimit, bota do të pastrohej nga papastërtitë dhe ndytësitë e shumta. Ramazani është si shiu, që pastron pluhurat e tokës. Ramazani është si dushi që bën njeriu, kur dëshiron të largojë erën e keqe nga trupi i tij. Agjërimi në muajin e Ramazanit e ndihmon njeriun që ta largojë egoizmin, ndërsa kopracia nuk ka vend në zemrën e tij, fjalët e ndyta nuk janë pjesë e fjalorit të gjuhës, kurse grindjet e zënkat as që i shkojnë ndërmend e jo më të merret me to. Nëpërmjet agjërimit, besimtari thith aromën e durimit, qëndrueshmërisë, vullnetit e altruizmit, duke u ngritur në majat më të larta të vëllazërisë, lirisë, moralit, devotshmërisë..etj.

Njeriu arrin lirinë e vërtetë, atëherë kur çlirohet nga vargonjtë e epsheve të tij të shfrenuara. Kjo liri i jep besimtarit garanci edhe pas Ramazanit. Kushdo që agjëron gjatë Ramazanit, duke qenë i nënshtruar e i bindur ndaj Allahut, duke u përgatitur shpirtërisht dhe me vendosmëri për ta agjëruar të gjithë muajin dhe duke bërë durim, e ka shumë të lehtë që t’i nënshtrohet dhe t`i bindet Allahut me adhurime gjatë pjesës tjetër të vitit.

Ramazani është dhuratë nga Allahu, është një rast shumë i mirë, që duhet të shfrytëzohet në maksimum. Nëpërmjet tij, Allahu i Lartësuar e shpërblen njeriun me Xhenet, hapësira e të cilit është sa gjerësia e qiejve dhe Tokës. Nëse njeriu nuk i nënshtrohet dhe përulet Allahut me adhurime në këtë muaj, në cilin muaj tjetër të vitit do ta bëjë këtë?! Detyra e vetme e besimtarit gjatë muajit të Ramazanit është të shpëtojë veten nga Zjarri dhe të fitojë kënaqësinë e Allahut. Kush merret  me shqetësime e preokupime të tjera gjatë Ramazanit, realisht ka humbur shumë nga aroma e Ramazanit.

Një aromë tjetër që na dhuron muaji i Ramazanit është edhe në kuptimin gjuhësor të kësaj fjale nga arabishtja:

- Nga shkronja Ra vjen fjala Rahmet që ka kuptimin "mëshirë" dhe në fakt i gjithë Ramazani është mëshirë, ashtu siç thotë edhe Profeti (a.s) në një hadith se fillimi i Ramazanit është mëshirë.

- Nga shkronja Mim vjen fjala Magfire, që ka kuptimin "falje". Aroma e Ramazanit shpërndahet tek të gjithë agjëruesit për t’ia falur të gjitha mëkatet dhe kusuret.

- Nga shkronja Dad vjen fjala Daman, që ka kuptimin "garanci". Kush agjëron me bindje dhe duke shpresuar shpërblimin e Allahut, e ka të garantuar faljen e gjynaheve, shpërblimin e pakufishëm dhe hyrjen në Xhenet.

- Nga shkronja Elif vjen fjala Emane, që ka kuptimin "besnikëri". Kjo do të thotë, se besimtari e ruan amanetin, që i është ngarkuar prej Allahut.

- Nga shkronja Nun vjen fjala En-Nur, që ka kuptimin "dritë". I gjithë Ramazani është dritë, që shpërndahet tek të gjithë agjëruesit.

Ramazani është sistem jetese, që kuron sëmundjet fizike, mendore, shpirtërore dhe sociale të mbarë shoqërisë. Ramazani e shtyn shpirtin që të ecë përpara dhe të triumfojë ndaj materies. Ramazani është koha, kur dynjaja pastrohet dhe parfumoset me erë të mirë. Prandaj përfitoni sa më shumë që të mundeni nga aroma e këndshme e këtij muaji të bekuar.

 

 

 

 

 

 

           

           

           

           

           

           

            

Submitting your vote...
Not rated yet. Be the first who rates this item!
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

17/07/2018
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
03:15 05:1612:5416:5020:1822:06

Mirësevjen Ramazan

Unë e dua Zotin tim,

dhe agjëroj për të fituar kënaqësinë e Tij.

Duke patur gjithnjë këtë synim në mendje,

agjërimi bëhet shkas

që unë të ripërtërij

marrëdhënien time me Të,

e kështu ndihem më mirë.

Jeta shkon gjithnjë vale-vale,

herë ulje e here ngritje,

dhe lidhjet tona lëkunden,

prandaj le ta shohim këtë Ramazan

si një mundësi shkëputjeje për tu rilidhur,

një mundësi përtëritjeje shpirtërore,

një muaj ku dime ku të fokusohemi më së miri.

 

Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook