By: Tarik Suvejdan

Bojkoti dhe viti i deshperimit


Shqetësimet nga komshinjtë

Ndër njerëzit që silleshin keq me Profetin a.s, ishin dhe komshinjtë, ku ndër më të pamëshirshmit ishin Ebu Lehebi, Hakem Ebul Asi, Ukbe ibnu Ebi Meit dhe Udej ibnu Hamra Thekafij. Ata ishin marrë vesh me njëri-tjetrin dhe të gjithë mbeturinat e tyre i hidhnin mu para derës së Profetit a.s. Sa herë që dikush prej tyre therte një dele apo deve, të gjithë të përbrendshmet i hidhnin para derës së Profetit a.s.

Vallë si mund të durohet një situatë e tillë? A mund të durohen komshinj kaq të pacipë? Vallë si do të reagoje po të ishe në vendin e Profetit a.s?

Sa herë që përballej me grumbullin e plehrave para derës së tij, Profeti a.s i largonte dhe me zë që dëgjohej u thoshte komshinjve:”A kështu e respektoni komshiun?!”

Një ditë, Profeti a.s ndodhej pranë Qabes duke u falur dhe lutur. Sakaq, kurejshët e shihnin plot mllef e neveri, me zemra që u vlonin nga inati. Diku aty pranë, disa njerëz therin një deve. Dikush nga kurejshët, u drejtohet të tjerëve me fjalët:”Kush prej jush i merr zorrët e kësaj deveje dhe ia hedh Muhamedit në shpinë, ndërkohë që falet me krye përtokë?”

Ishte Ukbe ibnu Ebi Meit ai që doli vullnetar për këtë vepër të shëmtuar. Kurejshët gajaseshin dhe e shtynin Ukben drejt kësaj vepre të ligë. Ukbe mori zorrët e devesë dhe priti derisa Profeti a.s të bjerë në sexhde dhe ia hodhi mbi kokë. Me ti hedhur zorrët sipër, Ukbe u kthye drejt kurejshëve të cilët mbanin barkun me dorë nga të qeshurat.

Sakaq, Profeti a.s nuk lëvizi fare nga sexhdeja, derisa erdhi vajza e tij Fatimeja e cila me lotë në sy, ia hoqi zorrët. Pasi përfundoi faljen, Profeti a.s iu drejtua kurejshëve dhe filloi ta lusë Zotin me fjalët:”O Zot, shkatërroje Ukbe ibnu ebi Meit! O Zot, shkatërroje Shejbe! O Zot, shkatërroje Utbe! O Zot shkatërroje Velid ibnu Utbe!” dhe vazhdoi të numërojë kurejshët prezentë në atë ndodhi një për një. Thonë transmetuesi i hadithit:”Pasha Zotin, të gjithë emrat e cituar nga Profeti a.s atë çast, i pashë të vrarë ditën e Bedrit.”

Kjo na e shton bindjen se Zoti i pranon lutjet e besimtarëve, edhe pse kjo mund të vijë pas një kohe të gjatë. Prandaj besimtari nuk ka përse të nxitohet dhe ta kërkojë pranimin e lutjes në çast. Zoti e di më mirë kur duhet të pranohet lutja.

Thotë Profeti a.s:”Zoti ia pranon lutjen dikujt prej jush, përderisa nuk nxiton.” Dikush e pyeti:”Si nxiton o i dërguar i Allahut?!” Profeti a.s tha:”Ai thotë se u luta e u luta, por nuk mu pranua lutja. Mandej nuk lutet më.”

Kështu, përgjigja e lutjes mund të bëhet në kohë të shkurtër, por mund edhe të vonohet. Profetit Muhamed a.s iu pranua lutja kushedi sa vite më pas, nga ngjarja e mësipërme.

Kurejshët bien në sexhde

Me shtimin e presionit ndaj myslimanëve në Mekë, numri i atyre që detyroheshin të lënë vendlindjen dhe të nisen për Abisini u shtua. Numri i myslimanëve në Abisini kishte arritur në 83 burra dhe gra.

Kur Profetit a.s i shpallen ajetet e fundit të sures Nexhm, ai shkon pranë Qabes në një moment kur ishin mbledhur shumë njerëz dhe fillon të recitojë pikërisht këto ajete:“dhe se Ai jep vdekjen dhe jetën; se Ai krijon çiftet, mashkull e femër, prej një pike fare kur derdhet, dhe se Atij i takon krijimi tjetër; se Ai jep pasuri dhe kënaqësi të mjaftueshme, Ai, që është Zoti i Siriusit; se Ai i ka shkatërruar fiset e lashta Ad e Themud, duke mos lënë askënd prej tyre, si dhe popullin e Nuhut më parë, sepse qe më i padrejtë dhe rebel; se Ai i asgjësoi edhe qytetet e përmbysura (të popullit të Lutit), të cilat i mbuloi ajo që i mbuloi?! Atëherë, në çfarë dhuntie të Zotit tënd dyshon ti? Ky (Profet) është paralajmërues si ata të mëparshmit. Ora e Kiametit po afrohet dhe askush, përveç Allahut, nuk mund ta zbulojë atë! Vallë, prej kësaj fjale po çuditeni dhe po qeshni e nuk po qani? Madje, jeni edhe të shkujdesur! Më mirë përuluni në sexhde për Allahun dhe adhurojeni Atë!” (Nexhm, 44-62)

Me të përfunduar këto ajete, vetë Profeti a.s bashkë me besimtarët e tjerë ranë në sexhde. Habia ishte se pas tyre edhe vetë kurejshët ranë në sexhde, të ndikuar dhe të prekur nga përmbajtja e ajeteve. Të gjithë të pranishmit, bashkë me elitën e kurejshëve ranë në sexhde, përveç një të moshuari, i cili mori një grusht dhe, e vuri mbi kokë dhe tha:”Kjo më mjafton!” 

Lajmi që kurejshët kishin rënë në sexhde kur kishin dëgjuar Kuranin, mori dhenë. Aq shumë filloi të përhapej ky lajm, saqë në Abisini myslimanët dëgjojnë se kurejshët kanë pranuar islamin. Kjo bëri që një numër prej tyre të marrin rrugën e kthimit për në Mekë. Vetëm kur mbërritën në Mekë, e kuptuan se kurejshët nuk kishin përqafuar islamin, por thjesht kishin rënë në sexhde.

 

Bojkoti ekonomik dhe social

Kurejshët, duke parë se fjalët e Muhamedit a.s, filluan të influencojnë edhe tek ata vetë, ndërmarrin një hap tjetër për izolimin e Profetit a.s dhe të myslimanëve. Kështu, ata nënshkruajnë një marrëveshje për të bojkotuar Profetin a.s dhe myslimanët e tjerë. Askush nga mekasit (jomyslimanë) nuk duhej të blinte dhe shiste me myslimanët, madje as të martohej me ta. Nëse dikush nga jashtë Mekës sillte ushqim, ai duhej ndaluar që tua shesë myslimanëve dhe Muhamedit a.s.

Xhaxhai i Profetit a.s, Ebu Talibi, duke ndjekur këto zhvillime mbledh njerëzit e barkut të tij, ata të Benu Abdul Menaf dhe Benu Hashim dhe u thotë:”A jeni të kënaqur me atë që po bën Meka me djalin tonë?!” “Jo” u përgjigjën. Atëherë të gjithë dhanë fjalën se do e përkrahin Profetin a.s.

Menjëherë Ebu Xhehli mbledh kurejshët dhe u thotë:”A e patë si veproi Ebu Talibi? Unë propozoj të bojkotojmë Benu Abdul Mutalib, Benu Hashim dhe Benu Abdul Menaf. Të bojkotojmë të gjithë ata që i zgjasin dorën e ndihmës Muhamedit.”

Kurejshët e pranuan propozimin e Ebu Xhehlit, madje të gjithë nënshkruan një kartë, mbi të cilën fillimisht shkruan:”Me emrin Tënd o Zot”.  Më poshtë, shkruan nenet e kësaj marrëveshje, ku ndër të tjera:

  • Askujt nuk i lejohet të blejë mall nga Benu Hashim, Benu Abdul Mena, Benu Abdul Mutalib, si dhe nga ata që i besojnë Muhamedit.
  • Askujt nuk i lejohet të martohet me vajzat e tyre, apo të japë vajzat tek ata.
  • Askujt jashtë Mekës, nuk i lejohet tu shesë ushqim dhe mall.

Karta e marrëveshjes për bojkot, u palos dhe u vendos brenda Qabes. Nga ana tjetër, Ebu Talibi dhe aleatët e tij, duke ndjerë rrezikun që i kanosej nipit të tyre, Profetit Muhamed a.s, vendosën të dalin nga shtëpitë e tyre dhe të vendosen në periferi të Mekës. Ky vend, njihet me emrin sokaku i Ebu Talibit. Atje të gjithë u solidarizuan me njëri-tjetrin, duke ofruar ushqim për nevojtarët.

Ky bojkot do të vazhdojë për tre vite rresht. Asnjë nga mekasit nuk pranonte të blejë nga myslimanët, apo tu shesë atyre diçka. Nëse dikush nga jashtë donte t’ju shesë ushqim, kurejshët e ngrinin çmimin shumëfish. Kështu, në mesin e myslimanëve dhe përkrahësve të tyre filloi uria.

Disa mekas, duke qenë se kishin lidhje miqësie me fisin e Profetit a.s, tentuan disa herë tu dërgojnë ushqim. Një prej tyre ishte dhe Hakim ibnu Huzam, i afërt me Benu Abdul Muttalib. Një ditë, ai përgatit disa çanta me ushqim, i ngarkon mbi deve dhe niset drejt sokakut të Ebu Talibit. Ebu Xhehli e sheh dhe duke e ndjerë, i thotë:”Për ku je nisur kështu o Hakim?!” Ai i përgjigjet:”Është puna ime ku shkoj!” Ebu Xhehli i tha:”Aha! Po u çon ushqim Muhamedit dhe shokëve të tij!” Hakim i përgjigjet:”Është puna ime çfarë bëj.” Ebu Xhehl ia kthen:”Jo, nuk është vetëm puna jote. Për Zotin, s’ke për tu çuar ushqim.” Dhe fillon ta pengojë. Në atë çast, vjen Ebu Buhturij ibnu Hisham, një nga elita e Mekes, i cili edhe pse nuk ishte mysliman, herë pas here shprehte solidaritet me myslimanët, me të cilët i lidhte gjaku. Duke parë Ebu Xhehlin që orvatej të ndalojë Hakim ibnu Huzam, ndërhyn dhe i pyet:”Çfarë keni kështu?!” Hakim i përgjigjet:”Ky është malli im dhe e çoj ku të dua.”

Kurse Ebu Xhehli i thotë:”Jo, ai dëshiron t’ia çojë Muhamedit dhe shokëve të tij.”

Ebul Buhturij thotë:”Ai është zotëri burrë. Kush je ti që kërkon ta ndalosh?!”

Një pjesë e elitës mekase nuk pranonte ti nënshtrohej Ebu Xhehlit. Ndër ta, ishte dhe vetë Ebul Buhturij.

Duke parë kundërshtinë e Ebul Buhturij, Ebu Xhehli inatoset dhe i thotë:”Unë nuk e lejoj këtë dhe e shtyu!” Atëherë Ebul Buhturij e qëllon Ebu Xhehlin dhe të dy fillojnë të shtyhen me njëri-tjetrin. Sakaq, Hakim ibnu Huzam largohet dhe arrin ta çojë ushqimin e përgatitur tek myslimanët.

Kishte edhe persona të tjerë që u dërgonin myslimanëve ushqim vjedhurazi, por në sasi të vogël dhe të pamjaftueshme.

Nevoja për ushqim në sokakun e Ebu Talibit ishte shumë e madhe. Tregon një nga të bojkotuarit:”Një natë, dola për të kryer nevojat personale dhe papritur këmbët me shkelën një lëkurë deveje. Menjëherë e mora lëkurën, e poqa mbi zjarr dhe e hëngra.”

Një nga solidarizuesit me myslimanët, Hisham ibnu Amr, një ditë fillon të mendojë më thellë lidhur me bojkotin. Ai po mendonte mbi një mënyrë si mund ti jepte fund kësaj situate, ku një pjesë e popullit të tij vuanin nga uria. Ai shkon tek Zuhejr ibnu ebi Umeje ibnul Mugire dhe i thotë:”O Zuhejr! A je i kënaqur me atë që po u ndodh Benu Hashim?!” Zuhejr iu përgjigj:”Jo, për Zotin.” Hisham i thotë:”Ka tre vite që vuajnë. Si është e mundur që ne ta pranojmë një vuajtje të tillë për popullin tonë?!” Ai u përgjigj:”E ç’të bëjmë? Ky është vendim i kurejshëve.” Hisham i thotë:”Përse të mos e grisim kartën dhe ta prishim marrëveshjen?” Zuhejr ia kthen:”E kemi të pamundur. Për këtë marrëveshje kanë dhënë fjalën e tyre të gjithë kurejshët. E ç’mund të  bëjmë ne të dy? A ka një të tretë përveç nesh?”  Hishami ia ktheu:”Jo, vetëm ne të dy jemi.” Zuhejr i tha:”Shih mos gjen dhe një të tretë!”

Hishami menjëherë vajti tek Mutim ibnu Adij, të cilit i tha:”A je i kënaqur me këtë që po u ndodh njerëzve tanë?” Edhe Mutim shfaqi pakënaqësinë e tij me këtë çështje dhe ra dakort për ta grisur kartën e marrëveshjes. Ai e pyeti Hishamin:”Kush tjetër është me ne?” Hisham u përgjigj:”Është Zuhejr ibnu Mugire.” Mutim i tha:”Na gjej dhe një të katërt!”  Hisham vajti tek Ebul Buhturij ibnu Hisham dhe i rrëfeu për planin e tyre, të cilin e pranoi pa mëdyshje. Ebul Buhturij e pyeti:”Kush është tjetër me ne?” Hisham iu përgjigj:”Zuhejr ibnu Mugire dhe Mutim ibnu Adij.” Ebul Buhturij i tha:”Na gjej dhe një të pestë!” Hisham vajti tek Zum’a ibnul Esved ibnul Muttalib. Edhe pse ishte nga Benu Hashim, ai kishte pranuar aleancën me kurejshët në dëm të farefisit dhe gjakut të tij. Hishami e pyeti:”O Zum’a, a je i kënaqur me atë që po i ndodh njerëzve tanë në sokakun e Ebu Talibit?!” Ai u përgjigj:”Jo.” Hisham i foli për planin e tyre dhe Zum’a pranoi të bashkohej me ta.

Një ditë më pas, teksa elita e kurejshëve kuvendonin pranë Qabes, Hisham ngrihet dhe fillon të flasë me zë të dëgjueshëm nga të gjithë:”O njerëz! Ne u kemi hyrë në hak njerëzve tanë. Si është e mundur që të bojkotojmë njerëzit dhe të afërmit tanë?! Si vallë kemi pranuar ti izolojmë dhe ti lëmë të vdesin urie për tre vite?! Pasha Zotin kjo është shumë e ulët dhe do të bëhemi gazi i të gjithë fiseve arabe. Pasha Zotin ajo kartë duhet grisur.”

Menjëherë brofi Ebu Xhehli i cili thirri:”Për Zotin ajo kartë nuk griset, pasi është një marrëveshje e nënshkruar nga të gjithë kurejshët! Vetëm kur Muhamedi me të tjerët ti kthehen fesë së parë, do ta prishim.”

Në çast brof Zuhejr ibnu Umeje dhe thotë:”Pasha Zotin, ajo kartë duhet grisur!”

Ebu Xhehli thirri me zë të lartë se karta nuk grisej. Nga një cep tjetër ngrihet Zuhejr ibnu ebi Umeje dhe thotë:”Për Zotin ajo kartë duhet grisur.” Sa herë që dikush ngrihej dhe miratonte fundin e marrëveshjes për bojkot, Ebu Xhehli klithte se ajo nuk duhej prishur. Nga një anë tjetjër, ngrihet Mutim ibnu Adij dhe i thotë:”Marrëveshja duhet prishur, të pëlqen apo jo ty o Ebu Xhehl!” Njëri pas tjetrit ngrihen dhe Ebul Buhturij dhe Zum’a, duke propozuar grisjen e kartës dhe prishjen e marrëveshjes. 

Nga kurejshët ishte vetëm Ebu Xhehli ai që e kundërshtonte haptazi prishjen e marrëveshjes. Sakaq të tjerët, nuk flisnin, por ishin kundër kësaj nisme. Duke parë pesë persona të ngrihen dhe të propozojnë prishjen e saj, kurejshët e tjerë menduan se të gjithë janë dakord për prishjen dhe heshtën. Tek të tubuarit u bë një tollovi dhe rrëmujë saqë nuk e merrte vesh i pari të dytin. Në një moment, Ebul Buhturij hyn brenda në Qabe ku ndodhej karta, me qëllim që ta grisë. Por kur iu afrua kartës së varur në mur, u befasua, pasi atë e kishte ngrënë krimbi. Nga karta kishin mbetur vetëm fjalët:”Me emrin Tënd o Zot!”

Që atë ditë, Benu Hashim, Benu Abdil Muttalib dhe Benu Abdil Menaf u kthyen në Mekë në shtëpitë e tyre.

Për tre vite, myslimanët dhe përkrahësit e tyre kishin jetuar të bojkotuar, të uritur dhe të etur. Që ditët e para të islamit, keqtrajtimet dhe vuajtjet nuk kishin të sosur. Megjithatë, Profeti a.s dhe myslimanët i përballonin me durim.

Vdekja e Ebu Talib

Vitin e dhjetë të profecisë, ndërron jetë Ebu Talibi, xhaxhai zemërbutë dhe i dashur i profetit Muhamed a.s. Vdekja e tij, e hidhëroi pa masë të dërguarin e Zotit a.s. Profeti a.s ishte rritur dhe edukuar në shtëpinë e Ebu Talibit. Ai kishte qenë babai i tij. Edhe pse Ebu Talibi nuk e pranoi islamin, ai e mbrojti Profetin a.s me vendosmëri dhe vuajti bashkë me të gjatë bojkotit të kurejshëve.

Në çastet e vdekjes së Ebu Talibit, Profeti a.s i qëndronte tek koka. Sakaq, Ebu Xhehli dëgjon se Ebu Talibi po jepte shpirt dhe menjëherë shkon ta shohë për herë të fundit. Ai u kërkoi leje familjarëve të hyjë brenda dhe ata e lejuan. Profeti a.s i thoshte:”O xhaxhai im! Thuaj:”Nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe Muhamedi është i dërguari i Allahut”. Me këtë fjalë, unë do të mbroj ditën e Kiametit.”

Ebu Xhehli ndërhyn dhe i thotë:”O Ebu Talib! Pasha Zotin, po e the atë fjalë do të bëhesh gazi i arabëve.” Sa herë që Profeti a.s i sugjeronte xhaxhait të tij të dëshmojë shehadetin, ndërhynte Ebu Xhehli duke e frikësuar. Ebu Talibi nuk dinte ç’të bëjë. Para se të mbyllë sytë, Ebu Talibi tha:”Kam frikë se do më tallin arabët.”

Vdekja e Hadixhes

Një muaj nga vdekja e Ebu Talibit, Profetit a.s i vdes një njeri tjetër shumë i afërt, gruaja e tij e dashur, Hadixheja. Ajo ishte personi më i afërt i Profetit a.s, ishte gruaja e tij e vetme dhe nëna e fëmijëve. Ajo ishte personi i parë që kishte pranuar islami dhe e kishte ndihmuar Profetin a.s në përmbushjen e misionit si askush tjetër. Që ditën e parë të profecisë, ajo e mbështeti moralisht dhe ekonomikisht. Pas profecisë, Hadixheja i kishte kërkuar Profetit a.s të merrej vetëm me përmbushjen e misionit të tij profetik duke mos u angazhuar me asgjë tjetër. Për këtë, ajo i kishte vënë në shërbim të gjithë pasurinë e saj.

Këto kanë qenë tiparet e shumë grave myslimane me burrat e tyre. Ato i mbështesnin burrat në çështjet e fesë, duke i përkrahur dhe nxitur për përhapjen e islamit. Jo si disa gra sot, të cilat xhindosen kur u vonohen burrat pasi marrin pjesë në aktivitete me natyrë propaganduese të ndryshme.

Tregon Profeti a.s:”Më erdhi Xhibrili a.s dhe më tha:”O Muhamed! Zoti të çon selam dhe të thotë:”Përgëzoje Hadixhen me një shtëpi diamanti në xhenet, ku nuk do të ndjejë as lodhje dhe as shqetësim.”

Për shkak të këtyre dy vdekjeve, ky vit njihet ndryshe si viti i dëshpërimit.

 

 

Submitting your vote...
Not rated yet. Be the first who rates this item!
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

20/09/2017
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
04:47 06:2012:4216:0718:5020:13

Urtësi profetike

“Ai që e agjëron Ramazanin

dhe gjashtë ditë të tjera nga muaji Sheval,

është sikur të ketë agjëruar gjithë vitin”.

(Hadith)

Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook