By: Rushit Musallari

Çfarë lejohet gjatë agjërimit


1- Larja dhe zhytja në ujë (freskimi apo noti): Njëri nga sahabët thotë: “E kam parë të Dërguarin e Allahut (Paqja qoftë mbi të) duke hedhur ujë në trup, ndërkohë që ishte agjërueshëm. Ai e bënte këtë për shkak të etjes dhe nxehtësisë së madhe”.([1]) Aishja dhe Umu Selemeh (Allahu qoftë i kënaqur me ta) kanë thënë: “I Dërguari i Allahut gdhihej xhunub, pasi kishte pasur marrëdhënie intime - pra jo si pasojë e ejakulimit në ëndërr - dhe më pas agjëronte”.([2]) Nëse uji kalon pa dashje në fyt, agjërimi nuk prishet.

 

2- Lyerja e syve me Kuhl: Kjo gjë nuk e prish agjërimin, edhe nëse Kuhli depërton në sy. Një person shkoi tek i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Më dhembin sytë! A mund të përdor Kuhlin, duke qenë agjërueshëm”?! I Dërguari i Allahut (Paqa qoftë mbi të) tha: “Po”.([3]) Enesi (r.a) e përdorte Kuhlin, duke qenë agjërueshëm.([4])

 

3- Puthja e gruas: Ky veprim nuk e prish agjërimin e atij, i cili e përmban veten, qoftë i ri apo plak. Aishja (r.a) tregon: “I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) na puthte duke qenë agjërueshëm, prekte lëkurën (tonë) duke qenë agjërueshëm, mirëpo ai ishte më i përmbajturi”.([5]) Sidoqoftë, më e mira është, që agjëruesi t`i shmanget veprimeve të tilla. Nëse nga organi i agjëruesit/agjërueses del Medhj, agjërimi nuk prishet, pasi nuk ka argument për këtë gjë.

 

4- Gjilpërat (injeksionet): Disa dijetarë bëjnë dallim mes gjilpërave ushqyese dhe gjilpërave jo ushqyese. Ndoshta mendimi më i mirë është, se gjilpërat në përgjithësi nuk e prishin agjërimin, por nëse dikush i merr ato, me qëllim që të ushqehet, agjërimi i tij prishet. Ky është gjykimi edhe për supostet. Këtu përfshihen edhe gjilpërat e anestezisë. Gjithsesi, i sëmuri nuk e ka detyrë agjërimin, derisa të shërohet.

 

5- Hixhameja apo dhurimi e gjakut: Ibn Abasi (r.a) tregon, se Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka nxjerrë gjak nga trupi (ka bërë Hixhame), duke qenë agjërueshëm.([6])

 

6- Shpërlarja e gojës dhe hundës: Ky veprim lejohet, por urrehet që të shpërlahet goja dhe hunda duke e thithur fort ujin. I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të)thotë: Kur të marrësh abdes, pastroje hundën thellë duke thithur ujin, por nëse je agjërueshëm, mos e bëj këtë.([7]) Goja dhe hunda shpërlahen gjatë marrjes së abdesit, sepse kjo gjë është sunet. Ibn Abeseh (r.a) ka thënë: “Kam parë të Dërguarin e Allahut (Paqja qoftë mbi të) duke shpërlarë gojën dhe hundën në Ramazan (pra kur ishte agjërueshëm)”.([8])

 

7- Përdorimi i Misvakut: Nuk ka ndonjë problem, nëse agjëruesi përdor misvak, pa marrë parasysh nëse misvaku është i njomë apo i thatë. Amir ibn Rabia (r.a) ka thënë: “E kam parë të Dërguarin e Allahut (Paqja qoftë mbi të) duke përdorur misvakun - ndërkohë që ishte agjërueshëm - aq herë sa nuk numërohen dhe nuk llogariten”.([9]) I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Misvaku pastron gojën dhe kënaq Zotin”.([10]) Ibn Umeri (r.a) e përdorte misvakun në fillim të ditës së Ramazanit dhe në fund të saj, mirëpo nuk e gëlltiste pështymën.([11])

 

8- Provimi i ushqimit pa e kapërdirë: Lejohet që amvisa, apo kuzhineri të provojë ushqimin, mirëpo të mos e gëlltisë atë. Ibn Abasi (r.a) ka thënë: “Nuk ka ndonjë problem, që agjëruesi të provojë ushqimin në enë”.([12])

 

8- Gjërat nga të cilat është e pamundur të mbrohesh: Këto gjëra nuk e prishin agjërimin. Disa prej tyre janë: gëlltitja e pështymës, pluhurat, mizat etj.

Hasan Basriu thotë: “Agjërimi nuk prishet, nëse agjëruesi e gëlltit mizën (pa dashje)”.([13]) Nuk pëlqehet përdorimi i çamçakëzit. Umu Habibeh (r.a) nuk e pëlqente që dikush të mbllaçitej gjatë agjërimit”.([14]) Ata`u thotë: “Nuk duhet të mbllaçitet “El Ilk - lëndë xhelatinoze prej qumështi, apo çamçakëzi”, por nëse dikush e gëlltit lëngun e tij, nuk them se atij i prishet agjërimi, gjithsesi “El Ilk” nuk duhet përdorur”.([15]) Nuk prishet agjërimi me lyerjen e trupit, parfumosjen, përdorimin e tymërave (temjan) e të ngjashme me to. Ibn Mesudi (r.a) thotë: “Nuk ka asnjë problem, nëse një agjërues gdhin me trup të lyer apo me flokë të rregulluara (vajisura)”.([16]) Nëse gjatë larjes së gojës dhe hundës futet ujë në fyt, agjërimi nuk prishet. Ata`u thotë: “Nëse një agjërues lan hundën dhe pa dashje i kalon uji në fyt, agjërimi i tij nuk prishet”.([17])

 

9- Ushqimi, pija dhe marrëdhëniet intime nga mbrëmja deri në agim: Lejohet që agjëruesi të gdhihet xhunub, por më pas duhet patjetër që të lahet. Lejohet që gratë me menstruacione apo lehonat ta vonojnë larjen deri në mëngjes, kuptohet pas ndërprerjes së menstruacioneve apo lehonisë. Aishja dhe Umu Selemeh (Allahu qoftë i kënaqur me ta) kanë thënë: “I Dërguari i Allahut gdhihej xhunub, pasi kishte pasur marrëdhënie intime dhe jo në ëndërr dhe më pas agjëronte”.([18])

 



([1]) - Hadith i vërtetë. Ebû Dâûdi (2365), Nesâiu në Kubrâ (3017) dhe Ahmedi (3/475).

([2]) - Hadith i vërtetë. Buhâriu (1925), Muslimi (1109), Ebû Dâûdi (2388), Tirmidhiu (779), Nesâiu në Kubrâ (2947), Ibn Mâxheh (1703), Ibn Khuzejmeh (2011), Ibn Hibâni (3487 dhe Ahmedi (1/211).

([3]) - Hadith i dobët. Tirmidhiu (726), Ibn Khuzejmeh (2008) dhe Taberâniu në Kebir (939).

([4]) - Thënie e pranuar. Ebû Dâûdi (2378) dhe Ibn Ebi Shejbeh (3/47).

([5]) - Hadith i vërtetë. Buhâriu (1927), Muslimi (1106), Ebû Dâûdi (2382), Tirmidhiu (727), Nesâiu në Kubrâ (3052), Ibn Khuzejmeh (2000) dhe Ahmedi (6/39).

([6]) - Hadith i vërtetë. Buhâriu (1939), Ebû Dâûdi (2372), Tirmidhiu (778, 777), Nesâiu në Kubrâ (3205) dhe Ibn Hibâni (3531).

([7]) - Hadith i vërtetë. Ebû Dâûdi (142), Tirmidhiu (788), Nesâiu në Muxhtebâ (87), Ibn Mâxheh (407), Ibn Hibâni (1054) dhe Ahmedi (4/211).

([8]) - Hadith i dobët, por për këtë veprim ka dëshmi përforcuese. Ahmedi (4/111). Hejthemiu në Mexhmauz`zeuâid (3/165) nr (4956) thotë: “E shënon Ahmedi. Kethir ibn Zijadi nuk e ka takuar Ibn Abesen”. Shiko dëshmitë përforcuese të hadithit tek musnedi i Ahmedit (1/21).

([9]) - Hadith i pranuar për shkak të dëshmive përforcuese. Ebû Dâûdi (2364), Tirmidhiu (725), Ibn Khuzejmeh (2007) dhe Ahmedi (3/445). Ibn Khuzjemeh e vlerëson këtë hadith të vërtetë, ndërsa Tirmidhiu dhe Ibn Haxheri e vlerësojnë hadithin të pranuar. Shiko si dëshmi përforcuese hadithin e Ibn Abasit (r.a) në El`Metalibul alije (1066).

([10]) - Hadith i vërtetë. Nesâiu (5), Ibn Khuzejmeh (135), Ibn Hibani (1067) dhe Buhâriu si informatë para hadithit (888).

([11]) - Thënie e vërtetë. Buhariu si informatë para hadithit (1930) dhe Ibn Ebi Shejbeh (3/36) me fjalë të përafërta.

([12]) - Thënie e pranuar, në dashtë Allahu i Madhëruar. Buhariu si informatë para hadithit (1930) dhe Ibn Ebi Shejbeh (3/47).

([13]) - Thënie e pranuar. Buhariu si informatë para hadithit (1933) dhe Ibn Ebu Shejbeh (3/107). Ibn Ebi Shejbeh e shënon këtë edhe si thënie të Ibn Abasit (r.a) me varg të pranuar, mirëpo në vargun e kësaj thënie është Abdullah ibn Ebi Nexhih, rreth të cilit ka debate.

([14]) - Thënie e dobët. Ibn Ebi Shejbeh (3/38).

([15]) - Thënie e vërtetë. Buhariu si informatë para hadithit (1935) dhe Abdurrazâku (7498).

([16]) - Buhariu si informatë para hadithit (1930). Për këtë thënie nuk kam hasur ndonjë vlerësim, përveç faktit që Buhariu e shënon si informatë të sigurtë.

([17]) - Vargu i thënies është i vërtetë. Buhariu si informatë para hadithit (1933) dhe Ibn Ebi Shejbeh (3/70).

([18]) - Hadith i vërtetë. Buhâriu (1925), Muslimi (1109), Ebû Dâûdi (2388), Tirmidhiu (779), Nesâiu në Kubrâ (2947), Ibn Mâxheh (1703), Ibn Khuzejmeh (2011), Ibn Hibâni (3487) dhe Ahmedi (1/211).

Submitting your vote...
Not rated yet. Be the first who rates this item!
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

22/07/2019
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
03:22 05:2112:5416:5020:1522:00

Urtësi Profetike

Gjërat që i çojnë njerëzit

më shumë në Xhennet

janë devotshmëria

dhe mirësjellja.


Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook