Çfarë nuk duhet të veshë haxhiu


Abdullah ibnu Umer tregon për një burrë, i cili pyeti: “O i Dërguar i Allahut, çfarë rrobash duhet të veshë haxhiu?” I Dërguari i Allahut tha: “Ai nuk duhet të veshë këmishë, çallmë, pantallona, pelerinë me kapuç, dhe as meste, përveç atij personi i cili nuk gjen shoshone. Nëse nuk gjen atëherë le të veshë meste, por duhet t’i presë ato që të mos ia kalojnë kyçet e këmbëve. Po ashtu ai nuk duhet të veshë ato rroba, që janë parfumosur ose ngjyrosur me shafran. Ndërsa gruaja nuk duhet të veshë perçe dhe as dorashka”[1]

 

Kuptimi i disa termave:

Çallmë: është fjala për çdo gjë që vendoset në kokë, si çallmë, takije, kapele..etj.

Pantallona: fjala arabe “sir’ual” e përdorur në këtë hadith është më gjithëpërfshirëse, pasi ajo ka kuptimin për mbathjet, pantallonat e gjata të shkurta e treçerekëshe.

Shoshone: është qëllimi për shapka dhe sandale.

Perçe: perçja është ndryshe nga shamia. Ajo mbulon fytyrën, ndërsa shamia flokët.

Dorashka: sido që të jenë, prej lëkure, leshi..etj.

Kuptimi i përgjithshëm i hadithit:

Shokët e profetit (a.s) e dinin, se veshja e haxhiut ndryshon nga veshja e zakonshme, prandaj Abdullah ibnu Umer tregon në këtë hadith, se një burrë erdhi dhe e pyeti profetin (a.s) për gjërat që haxhiu duhet të veshë. Pyetja më e drejtë do të ishte që ky burrë të pyeste për ato gjëra që janë të ndaluara, prandaj edhe përgjigja e profetit (a.s) përqendrohet tek veshjet e ndaluara. Në të njëjtën kohë, përgjigja e profetit (a.s) përfshin edhe veshjet e lejuara.

Veshjet e ndaluara për mashkullin janë: këmisha, çallma, pantallonat, pelerina me kapuç, mestet dhe rrobat e parfumosura me shafran

Veshjet e ndaluara për femrën janë: perçja dhe dorashkat.

Për atë njeri i cili nuk ka shoshone për të veshur, profeti (a.s) vjen me një dispozitë lehtësuese. Në vend të shoshoneve haxhiu mund të veshë meste, por me kusht që ai t’i presë, në mënyrë të atillë që kur t’i veshë mos t’i kalojnë sipër kyçeve të këmbëve.

Dijetari i shquar Ibnu Tejmije (Allahu i mëshiroftë) thotë: “Haxhiu nuk duhet të veshë gjërat, të cilat profeti (a.s) i ka ndaluar, përveçse në rast nevoje. Nevojë konsiderohet i ftohti prej të cilit haxhiu ka frikë që nëse nuk e mbulon kokën, atëherë ai do të sëmuret. Atëherë ai e mbulon kokën aq sa duhet. Në momentin që nuk ka më nevojë, detyrimisht duhet ta heqë. Pas kësaj ai ka detyrë që të japë fidjen (shpagimin); të agjërojë tre ditë, ose të bëjë kurban një dele, ose të ushqejë 6-të të varfër. Haxhiu mund ta japë fidje përpara ose pasi ta veshë gjënë e ndaluar”.

Urtësia e ndalimit të veshjes së gjërave të përmendura në këtë hadith profetik qëndron në faktin, se haxhiu duhet të heqë dorë nga luksi i veshjes së tij të zakonshme, për të qenë më asket dhe për të qenë të gjithë të barabartë. Në këto kushte nuk ka vend për krenari e mburrje. Gjithashtu haxhiu duke qenë në këtë gjendje, kujtohet se është duke kryer një rit dhe një adhurim madhështor, prandaj bën sa më shumë dhikër, i lutet Allahut me përgjërim dhe largohet nga mëkatet.

Përfitimet e nxjerra nga hadithi:

1 – Dëshira e madhe e sahabëve për të mësuar dijen që ta adhuronin Allahun sa më mirë.

2 – Pyetja për të ditur një informacion rreth një çështjeje fetare është obligim.

3 – Nëse ai i cili i përgjigjet një pyetjeje, shikon se pyetja është formuluar gabim, atëherë e ka për detyrë që të japë përgjigjen e duhur.

4 – Dhënia e dijes është obligim.

5 – Retorika dhe përgjigja goditëse e dhënë nga profeti (a.s)

6 – Ndalimi i veshjes së këmishës, çallmës, pantallonave, pelerinës me kapuç dhe meste për haxhiun. Përjashtohen rastet e veçanta.

7 – Veshjet për të cilat haxhiu është i ndaluar t’i veshë janë shumë herë më pak se veshjet që i lejohet për t’i veshur.

8 – Gruas i lejohet që të veshë gjërat e sipërpërmendura. Ajo duhet të veshë një rrobë që e mbulon komplet trupin e saj, përveç fytyrës dhe duarve.

9 – Gjatë kryerjes së haxhit, gruaja e ka të ndaluar ta mbulojë fytyrën me perçe si dhe të veshë dorashka.

10 – Ky hadith profetik përfshin atë person, që kryen Haxhin dhe po ashtu edhe atë që kryen Umren.

11 – Përmendja e ndalimit të pelerinës me kapuç pas përmendjes së çallmës është argument i qartë, që haxhiut nuk i lejohet të mbulojë kokën.

12 – Të gjithë juristët muslimanë pohojnë njëzëri se: Pantallonat dhe këmisha nënkuptojnë rrobat që kanë pe; çallma dhe pelerina me kapuç nënkuptojnë mbulimin e kokës dhe mestet nënkuptojnë mbulimin e këmbëve.

13 – Nëse për gruan është e domosdoshme që të mbulojë fytyrën, ngaqë është shumë nxehtë, ftohtë apo për t’u mbrojtur nga shikimet e të huajve, atëherë ajo e tërheq hixhabin nga koka për të mbuluar fytyrën por duke mos e shtrënguar. Një veprim të tillë e ka vepruar Aishja (r.a.) në hadithin Hasen të transmetuar nga imam Ebu Daudi. Aishja thotë: “Në kohën e haxhit, kur ne ishim bashkë me profetin (a.s), kalonin shumë burra. Kur ata afroheshin, ne tërhiqnim hixhabin nga koka për të mbuluar fytyrën. Kur ata largoheshin, ne zbulonim fytyrat”.

14 – Gruas i lejohet që të veshë çfarëdo lloj rrobe, por brenda normave të përcaktuara nga Sheriati.

15  - Haxhiut i lejohet të veshë meste, nëse nuk gjen shapka apo sandale, por me kusht që t’i presë deri në lartësinë e kyçeve të këmbëve.

16 – Lejohet për haxhiun që të mbajë orën e dorës, unazën, celularin, syzet, ipodin, kuletën, rripin për të shtrënguar rrobat e Ihramit, mallin sipër kokës dhe çadër. Të gjitha këto gjëra janë të lejuara për të, sepse nuk ka asnjë argument që e ndalon mbajtjen e tyre.

17 – Gjithëpërfshirja dhe lehtësia e sheriatit.

 


[1] Transmetojnë imam Buhariu dhe imam Muslimi.

Submitting your vote...
Not rated yet. Be the first who rates this item!
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

17/11/2019
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
04:4806:2411:3214:0516:2817:54

Urtësi Profetike

Gjërat që i çojnë njerëzit

më shumë në Xhennet

janë devotshmëria

dhe mirësjellja.


Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook