Deliresia virtyt i myslimanit


            Ebu Seid Sa’d ibnu Malik ibnu Sinan El Hudri transmeton se ka thënë: “Një grup njerëzish nga ensarët kërkuan nga profeti (a.s.) që t’u jepte diçka dhe ai u dha. Ata i kërkuan përsëri dhe ai përsëri u dha, derisa i mbaroi gjithçka kishte. Kur e harxhoi gjithçka kishte tha: “Çdo të mirë që e posedoj nuk do t’ua kursej, mirëpo ai i cili kërkon dëlirësi, Allahu ia jep atë, ai i cili kërkon pavarësi, Allahu ia jep atë dhe ai i cili kërkon durim, Allahu do t’ia japë atë. Askujt nuk i është dhënë dhuratë më e mirë dhe më të kompletuar se sa durimi.”[1]

            Shpjegimi i hadithit:

            Në këtë hadith profetik manifestohet mjaft qartë një prej virtyteve të larta të profetit (a.s.) që është bujaria e pakufishme e tij. Nuk ka dyshim se profeti (a.s.) ishte njeriu më bujar që ka parë historia e njerëzimit. Nuk ka pasur dhe nuk do të ketë njeri më bujar se profeti (a.s.).

            Në këtë hadith, profeti (a.s.) i këshillon dhe i porosit një grup njerëzish nga Ensarët se si duhet të jetë në të vërtetë myslimani. I këshillon se myslimani duhet të jetë i dëlirë nga harami, nuk duhet të lypë nga njerëzit, duhet të jetë i pavarur nga të tjerët si dhe të jetë i durueshëm për t’i bërë ballë vështirësive të jetës derisa të vijë ndihma nga Allahu i Lartësuar.

            Po ashtu në këtë hadith, vërehet mjaft qartë butësia, mirësia dhe sjellja e pashembullt e profetit (a.s.) me shokët e tij. Ai (a.s.) nuk u dëshpërua nga humbja e asaj që posedonte, madje me dashurinë më të madhe që kishte për ta u tha: “Çdo të mirë që e posedoj nuk do t’ua kursej” I tillë ishte profeti (a.s.), asnjëherë nuk kursehej për shokët e tij. Jo vetëm kaq, por ai nuk kursehej për askënd që vinte dhe i kërkonte diçka. Por, megjithatë, përkundrejt gjithë kësaj bujarie të pashmebullt nga ana e tij, ai (a.s.) nw tw njwjtwn kohw ishte mësues dhe edukonjës mjaft i mirë. Ai u jep shokëve të tij një mësim shumë të mirë në lidhje me durimin, mbështejten tek Allahu dhe rendjen pas shkaqeve. Pasi ua vërtetoi me fjalë dhe vepra se ai nuk kursen asgjë për ta nga ajo që posedon, tha: “mirëpo ai i cili kërkon dëlirësi, Allahu ia jep atë, ai i cili kërkon pavarësi, Allahu ia jep atë dhe ai i cili kërkon durim, Allahu do t’ia japë atë. Askujt nuk i është dhënë dhuratë më e mirë dhe më të kompletuar se sa durimi.” Këto orientime profetike rikthejnë çdo gjë në ekuilibër dhe formojnë personalitetin e myslimanit duke e ruajtur dhe mbrojtur karakterin e tij, sepse në të vërtetë Allahu është Furnizuesi më i mirë.

            Duke medituar në fjalët e profetit (a.s.) “ai i cili kërkon dëlirësi, ai i cili kërkon pavarësi dhe ai i cili kërkon durim” vërejmë se besimtari i cili i kërkon këto tre gjëra do të shpërblehet, dhe këtë shpërblim ia jep Allahu. Allahu do t’ia japë dëlirësinë, pavarsinë dhe durimin. A ka shpërblim më të madh për njeriun se sa shpërblimi që i jep Allahu?! Është më se e vërtetë dhe nuk ka pikw dyshimi se besimtari do ta marrë shpërblimin hyjnor të premtuar, por ky shpërblim nuk arrihet nëse besimtari nuk përpiqet dhe nuk sakrifikon për të qenë i dëlirë nga mëkatet, i pavarur nga të tjerët dhe durimtar ndaj sprovave.

            Profeti (a.s.) me mësimet e tij edukative dëshiron që besimtari të jetë i lidhur gjithmonë me Krijuesin e tij. Nëse besimtari i mbështet Allahut të Lartësuar dhe rend pas shkaqeve atëherë i bën ballë vështirësive të jetës, e kërkon riskun duke qenë krenar dhe e di mjaft mirë se Allahu nuk e humbet shpërblimin e vepërmirëve. Ndërtimi i fjalive të profetit (a.s.) është me të vërtet i habitshëm. Dijetarët thonë: Ai i cili kërkon dëlirësinë duke mos lypur, Allahu ia jep. Nëse njeriu arrin në këtë pozitë kalon në një tjetër më të lartë duke kërkuar që të krijojë pavarësi nga njerëzit, por nëse ato i japin nuk e refuzon, Allahu do ta pasurojë zemrën e tij. Pas kësaj, njeriu kërkon një pozitë më të lartë që është virtyti i durimit, nëse njerëzit i japin nuk e merr. Kjo është pozita më e lartë.

            Dhe në fund, profeti (a.s.) thotë: “Askujt nuk i është dhënë dhuratë më e mirë dhe më të kompletuar se sa durimi.” sepse durimi përmbledh të gjithë virtytet më të larta të moralit, është pjesë e besimit dhe ai është në pozitën e kokës në krahasim me trupin. Ai i cili nuk duron, në të vërtetë i mungon besimi. Durimi është ushqimi i besimtarit përgjatë gjithë jetës, sepse besimtari duron në adhurim, duron kur kërkon riskun, duron ndaj fatkeqësive, duron ndaj privimeve..duron e duron. Atëherë, padyshim që shpërblimi i durimtarëve është i pakufishëm duke u bazuar në thënien e Allahut: “Vetëm ata që janë të durueshëm, do të shpërblehen pa masë.”[2]

            Rregulla dhe dispozita fetare:

            Dispozita fetare në lidhje me lypjen:

Juristët islam kanë rënë dakord se lejohet për atë që është i varfër dhe për atë që është i zhytur në borxhe që të lypë lëmoshë aq sa për të ushqyer familjen apo për të larë borxhin. Por me kusht, kur ai nuk ka mundësi të punojë, ngaqë është i sëmurë apo rroga që merr nuk është e mjaftueshme. Megjithatë, për njeriun është më mirë që të jetë i dëlirë dhe mos të lypë lëmoshë, por të gjejë mbështetje tek Allahu i Lartësuar dhe të jetë i durueshëm derisa Allahu t’i largojë brengën që e mundon. Një kusht tjetër i domosdoshëm është që lypësi nuk duhet të kërkojë lëmoshë më tepër se aq sa i nevojitet për të kryer hallin e tij. Lypësi duhet të ketë parasysh edhe disa gjëra: nuk duhet të ngulmojë që tjetri t’i japë medeomos lëmoshë, ose ta imponojë atë.

Feja Islame e ndalon lypjen për atë person i cili ka mundësi të punojë dhe që i plotëson nevojat familjare. Në këtë rast, lypwsit nuk duhet me i dhënë. E nëse atij i jep dikush lëmoshë, ai obligohet që ta kthejë mbrapsht. Juristët e medh’hebit Hanbeli e kanë konsideruar si veprim të papëlqyeshëm lypjen dhe dhënien lëmoshë brenda në xhami.

Mësimet e nxjerra nga hadithi:

1 – Bujaria e profetit (a.s.)

2 – Këshilla për të bërë atë që është më e dobishme.

3 – Motivimi.

4 – Vlera e dëlirësisë.

5 – Pasuria e shpirtit.

6 – Vlera e durimit.

           

 

1 – Bujaria e profetit (a.s.):

            Bujaria është tregues i besimit dhe në të njëjtën kohë ajo dëshmon se personi i cili përshkruhet me këtë virtyt ka mendim të mirë për Allahun e Lartësuar. Profeti (a.s.) ka qenë njeriu më bujar që ka parë historia e njerëzimit. Një gjë të tillë e dëshmon edhe ky hadith i transmetuar nga Ebu Seid i cili thotë: “Një grup njerëzish nga ensarët kërkuan nga profeti (a.s.) që t’u jepte diçka dhe ai u dha. Ata i kërkuan përsëri dhe ai përsëri u dha, derisa i mbaroi gjithçka kishte.”

            Për bujarinë e profetit (a.s.) kanë dëshmuar të gjithë shokët e tij. Më poshtë po përmendim disa thënie të tyre:

            Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të) thotë: “Profeti (a.s.) ka qenë njeriu më i mirë, më bujari dhe më trimi.”[3]

            Ibnu Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të) thotë: “Profeti (a.s.) ka qenë njeriu më bujar në gjërat e hajrit. Ai ishte akoma më bujar në muajin e Ramazanit kur takohej me ëngjëllin Xhibril.”[4]

            Suhejl ibnu Sa’d thotë: “Një grua shkoi tek profeti (a.s.) me një rrobë dhe i tha: O i Dërguari i Allahut! Po ta jap këtë rrobën që ta veshësh. Profeti (a.s.) e morri sepse kishte nevojë për të dhe e veshi. Një prej shokëve të tij kur e pa rrobën që kishte veshur profeti (a.s.) i tha: O i Dërguari i Allahut! Sa e bukur qenka kjo! Ma jep mua! Profeti (a.s.) tha: Urdhëro! Kur profeti (a.s.) u çua shokët e qortuan duke i thënë: Nuk u kënaqe kur e pe profetin (a.s.) që kishte veshur atë rrobë për të cilën kishte nevojë, por shkove dhe ja kërkove?! Apo e dije se kur dikush i kërkon atij diçka, ai nuk e kthen duarbosh kurrë?! Mirëpo, ai u pwrgjigj: Dëshirova që të merrja bereqetin e saj, pasi e vetw profeti e veshi atw. Ndoshta kur të vdes, kjo rrobë do të jetë qefini im.”[5]

            Bujaria e profetit (a.s.) ishte një prej shkaqeve që shumë njerëz e përqafuan fenë islame. Njëherë një njeri erdhi tek profeti (a.s.). Profeti (a.s.) i dha atij një luginë me dhen. Ky njeri shkoi tek populli i tij dhe u tha: O njerëz! Besoni, sepse Muhamedi jep aq shumë saqë nuk ka frikë nga varfëria.

            Profeti (a.s.) ishte aq bujar saqë edhe kur ishte në shtratin e vdekjes e porositi Aishen që të jepte sadeka. Aishja thotë: “Kur sëmundja e rëndoi profetin (a.s.) kishte shtatë ose nëntë dinarë. Ai tha: Oj Aishe, çfarë bëre me ato monedha? I kam unë – u përgjigja. Jepi sadeka- më tha! Mirëpo unë u mora me diçka tjetër dhe nuk i shpërndava. Më vonë ai më pyeti përsëri: Oj Aishe, çfarë bëre me ato monedha? I kam akoma – u përgjigja. M’i jep – më tha. I solla dhe ia vura në dorë, pastaj tha: “Si do ta mendoje Muhamedin dhe ai e takon Allahun duke pasë me vete këto?!”[6]

            Siç shikohet qartë, profeti (a.s.) nuk grumbulloi pasuri (ndërkohë që kishte mundësi ta bënte një gjë të tillë), sepse ai (a.s.) e dinte mjaft mirë se pasuria është mjet dhe jo qëllim. Prandaj, ai e shfrytëzoi pasurinë për të afruar njerëzit. I dha pasuri parisë së Mekes, Ebu Sufjanit, Hakim ibnu Hizamit, Harith ibnu Hishamit dhe Nadir ibnu Harithit. Po ashtu, ai (a.s.) u dha pasuri edhe kryetarëve të fiseve arabe si Ujejne ibnu Husnit apo Akrau ibnu Habisit. Bujaria e profetit (a.s) ka qenë shkaku kryesor i rrënjosjes së Islamit në zemrat e këtyre personave. Në këtë kontekst nuk ka fjalë më të bukur se fjala e Enesit, i cili ka thënë: “Njeriu i cili e pranonte Islamin e pranonte për të mirat materiale të kësaj bote, por në momentin që hynte në këtë fe madhështore, Islami për tw ishte shumë herë më i dashur se jeta e kësaj bote.”

2 – Këshilla për të bërë atë që është më e dobishme:

Në këtë hadith vërehet mjaft qartë këshilla e profetit (a.s.) drejtuar shokëve të tij: “ai i cili kërkon dëlirësi, Allahu ia jep atë, ai i cili kërkon pavarësi, Allahu ia jep atë dhe ai i cili kërkon durim, Allahu do t’ia japë atë. Askujt nuk i është dhënë dhuratë më e mirë dhe më të kompletuar se sa durimi.”  Prandaj thirrësi në rrugë të Allahut duhet t’i këshillojë njerëzit gjithmonë për të të bërë atë që është më e dobishme për ta. Duke vepruar kështu, ai zbaton fjalën e profetit (a.s.) i cili thotë: “Feja është këshillë.”[7] Po ashtu fiton edhe shpërblim të madh, sepse profeti (a.s.) ka thënë: “Ai i cili i thërret të tjerët për tek udhëzimi, merr të nëjtin shpërblim si të pasuesve (të fjalës së tij), dhe atyre nuk u pakësohet asgjë nga shpërblimi i tyre.”[8] Në këtë hadith, profeti (a.s.) i këshillon njerëzit që të jenë të dwlirë, të pavarur nga të tjerët dhe të jenë sa më të durueshëm.

3 – Motivimi:

Motivimi është një prej metodave efikase që thirrësi në rrugë të Allahut medeomos duhet ta shfrytëzojë atë në maksimum. Motivimi është një metotë efikase, ngase dëgjuesi është më i predispozuar që të pranojë fjalët e thirrësit. Edhe në këtë hadith, si në shumë hadithe të tjera, profeti (a.s.) i motivon njerëzit që të jenë të dwlirë e sa më të durueshëm.

4 – Vlera e dëlirësisë:

Dëlirësia është fryt i besimit të njeriut. Ajo është argumenti më i mirë që dëshmon se njeriu i cili përshkruhet me këtë cilësi është krenar. Përveç kësaj ajo është një veprim tepër fisnik që personi i cili përshkruhet me të gëzon respekt në mesin e njerëzve. Pikërsiht për këtë arsye, profeti (a.s.) na nxit që të jemi të dwlirë dhe të krijojmë pavarësi nga lypja: “Ai i cili kërkon dëlirësi, Allahu ia jep atë, ai i cili kërkon pavarësi, Allahu ia jep atë”

Profeti (a.s.) thotë: “Banorët e Xhenetit janë tre: Sulltani i drejtë i suksesshëm dhe që jep lëmoshë, njeriu me zemër të butë për të gjithë të afërmit e myslimanët dhe, njeriu i varfër që është i dëlirë.”[9] Në një hadith tjetër profeti (a.s.) thotë: “Kush më garanton mua që mos të lypë nga njerëzit asgjë, unë i garantoj atij Xhenetin.”[10]

Dëlirësia është disa llojesh:

1 – Dëlirësia nga mëkatet: Myslimani e ruan dorën, këmbën, sytë, veshët dhe avretin e tij nga harami. Allahu i Lartësuar thotë: “Ata që nuk kanë mundësi për martesë, le të përmbajnë veten, derisa Allahu t’i begatojë me dhuntinë e Tij.”[11] Ndërsa profeti (a.s.) thotë: “O ju të rinj! Ai i cili ka mundësi të plotësojë të drejtat ndaj gruas, atëherë le të martohet, sepse martesa e ruan syrin dhe avretin nga harami. Por nëse nuk keni mundësi, atëherë agjëroni, sepse agjërimi është mburojë.”[12]

2 – Dëlirësia e trupit: Myslimani duhet ta mbulojë trupin e tij dhe nuk duhet që pjesët e turpshme t’ua ekspozojë të tjerëve. Tek meshkujt pjesë e turpshme konsiderohet nga kërthiza deri tek gjunjët, ndërsa tek femrat i gjithë trupi konsiderohet pjesë e turpshme përveç fytyrës dhe duarve.

3 – Dëlirësia nga pasuria e të tjerëve: Myslimani është i dëlirë në lidhje me pasurinë e të tjerëve. Atë që e merr nga pasuria e të tjerëve është vetëm ajo që i takon. Po ashtu myslimani e ruan dhe e mbron pasurinë e jetimit. Nëse myslimani është në gjëndje të mirë, nuk e prek pasurinë e jetimit, por përkundrazi e shton atë. E nëse është i varfër shpenzon nga pasuria e jetimit aq sa i duhet. Allahu i Lartësuar thotë: “Mos nxitoni  në shpenzimin e pasurisë së tyre në mënyrë të panevojshme dhe para se ata të rriten! Kush është pasanik, le të përmbahet në marrjen e pasurisë së tyre e, në qoftë se është i varfër, le të harxhojë aq sa është e arsyeshme dhe e drejtë. Kur t’jua dorëzoni pasurinë, bëjeni këtë në prani të dëshmitarëve. Allahu është i mjaftueshëm si llogaritës.”[13]

4 – Dëlirësia nga ushqimi dhe pija: Myslimani përmbahet nga vendosja e kafshatës të ndaluar (haram) në gojën e tij. Allahu i Lartësuar thotë: “O besimtarë! Hani nga ushqimet e lejuara që ju kemi dhënë dhe, nëse jeni adhurues të Allahut, falenderojeni Atë.”[14]

5 – Dëlirësia e gjuhës: Myslimani duhet ta ruajë gjuhën e tij nga sharjet dhe ofendimet. Nga gjuha e tij duhet të dalin vetëm fjalë të mira dhe të ëmbla. Profeti (a..s) thotë: “Myslimani nuk sulmon me fjalë, nuk mallkon, nuk thotë fjalë të pamoralshme e as të pista.”[15]

            6 – Dëlirësia nga lypja: Myslimani edhe nëse është i varfër e ka shumë nevojë, vetpërmbahet dhe nuk lyp e as u kërkon njerëzve. Allahu i Lartësuar, në Kuranin Famëlartë, i ka lavdëruar ata besimtarë, që megjithëse ishin të varfër nuk lypnin për shkak se ishin të dëlirë. Allahu i Lartësuar thotë: “Kush nuk i njeh ata, kujton se janë të kamur, për shkak se ata nuk lypin. Do t’i njohësh nga pamja e tyre. Ata nuk mërzisin njerëzit duke lypur.”[16]

            5 – Pasuria e shpirtit:

            Njerëzit në këtë botë mundohen që të kenë sa më shumë pasuri, të gëzojnë një pozitë të lartë në shoqëri, të kenë pushtet, të kenë e të kenë. Por a është e vërtetë që njeriu nëpërmjet pasurisë që posedon është i pasur?! Absolutisht që jo. Sa të pasur  ka dhe sa të tjerë do të ketë të cilët nuk ndihen rehat me pasurinë që kanë. Dhe sa të varfër ka dhe do të ketë që megjithëse janë të varfër ata ndihen të qetë. Sekreti i kësaj enigme qëndron në pasurinë e shpirtit, apo thënë ndryshe njeriu është i kënaqur me riskun e Allahut. Ebu Hurjejra tregon: Njëherë profeti (a.s.) tha: “Kush do t’i zbatojë fjalët (porositë)  e mia, apo t’i mësojë që t’ua tregojë të tjerëve që t’i zbatojnë? Unë – o i Dërguari i Allahut – tha Ebu Hurjera. Profeti (a.s.) e kapi prej dore dhe i tha: Numëro pesë këshilla: Ruaju nga mëkatet që të jesh adhuruesi më i mirë ndër njerëz. Ji i kënaqur me atë që të ka caktuar Allahu që të jesh njeriu më i pasur. Sillu mirë me komshiun që të jesh besimtar. Atë që e do për vete duaje edhe për të tjerët që të jesh mysliman. Mos qesh shumë, sepse e qeshura e tepërt e vdes zemrën.”[17] Pra, pasuria e shpirtit vjen tek kënaqësia e njeriut në atë që Allahu ka përcaktuar për të. Ëmbëlsia dhe shija e kënaqësisë është më e ëmbël se çdo gjë. Të qënurit i kënaqur e ruan myslimanin nga furtunat e ndryshme të jetës. Kënaqësia i ngjan një kopshti ku hijet e pemëve e ruajnë besimtarin nga çdo gjë e keqe. Njeriu i cili nuk është i kënaqur është pre e humbjes së shpresës, hallet e mbulojnë dhe mbi të gjitha ai ka humbur qetësinë shpirtërore.

6 – Vlera e durimit:

Ashtu si ky hadith dëshmon për vlerën e dëlirësisë, po ashtu dëshmon edhe për vlerën e durimit. Duke folur për vlerën e durimit profeti (a.s.) thotë: “Askujt nuk i është dhënë dhuratë më e mirë dhe më e kompletuar se sa durimi.” Allahu i Lartësuar i ka lavdëruar  durimtarët duke thënë: “Ata që durojnë  në kohë skamje, sëmundje dhe lufte janë besimtarë të vërtetë dhe që e kanë frikë Allahun.”[18]

Epilog:

Dëlirësia është virtyt i profetëve të Allahut, i halifëve dhe i besimtarëve të devotshëm. Një prej personaliteteve të ymetit mysliman që e ka pasë dëlirësinë në karaktetin e tij ka qenë prijësi i besimtarëve Omer ibnu Abdul Azizi, i cili me fjalët dhe veprat e tij është një shembull dhe model i mirë për të gjithë brezat. Më poshtë po përmendim një ngjarje që dëshmon për dëlirësinë e tij nga mëkati:

Një natë, një prej ministrave të shtetit Islam hyri tek prijësi i beimtarëve Omer ibnu Abdul Azizi. Ata filluan të diskutonin rreth punëve dhe probleme të ndryshme që po përballej shteti Islam. Pasi diskutuan gjërë e gjatë, ndryshuan temën e diskutimit duke folur për gjëra nga më të ndryshmet, por që nuk kishin të bënin me çështjet e ymetit. Menjëherë Omeri u çua, fiku kandilin dhe ndezi një tjetër. Ministri u habit shumë, prandaj edhe me të drejtë e pyeti: Pse këtë kandil e fike dhe ndeze atë tjetrin? Epo – i tha Omeri, derisa ne po flisnim për problemet e shtetit Islam nuk kishte ndonjë problem, por kur  filluam të flisnim për gjëra të tjera, e fika këtë kandi dhe e ndeza këtë tjetrin, sepse nuk bën që për gjërat tona personale të harxhojmë nga pasuria e ymetit. Ndërkohë që kandili që ndeza është i imi dhe kështu ne mund ta shfrytëzojmë dritën e tij pa ndonjë problem.

 

 

 


[1] Transmetojnw imam Buhariu dhe imam Muslimi.

[2] Sure Ez Zumer: 10.

[3] Transmetojnw imam Buhariu dhe imam Muslimi.

[4] Transmetojnw imam Buhariu dhe imam Muslimi.

[5] Transmeton imam Buhariu.

[6] Transmeton Ibnu Hibani. Dijetari i shquar Shuajb Arnauti e ka saktwsuar kwtw hadith.

[7] Transmeton imam Muslimi.

[8] Transmeton imam Muslimi.

[9] Transmeton imam Muslimi.

[10] Transmeton imam Ebu Daudi. Imam Albani e ka vlerwsuar kwtw hadith tw saktw.

[11] Sure En Nur: 33.

[12] Transmetojnw imam Buhariu dhe imam Muslimi.

[13] Sure En Nisa: 6.

[14] Sure El Bekare: 172.

[15] Transmeton imam Et Tirmidhi. Hadithi wshtw i saktw.

[16] Sure El Bekare: 273.

[17] Transmetojnw imam Et Tirmidhi dhe imam Ibnu Maxheh. Zinxhiri i transmetit wshtw i  saktw.

[18] Sure El Bekare: 177.

Perktheu: Elton Harxhi

Submitting your vote...
Not rated yet. Be the first who rates this item!
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

25/05/2019
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
03:09 05:0912:4516:4120:0721:53

Urtësi Profetike

Gjërat që i çojnë njerëzit

më shumë në Xhennet

janë devotshmëria

dhe mirësjellja.


Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook