By: ardhmeriaonline

Depresioni familjar


I ftuar: Adil Ahmed Zajid.

Doktor i sëmundjeve psiqike në spitalin mbretëror në Skoci

 

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Esselamu alejkum dhe ju urojmë mirëseardhjen teleshikues të nderuar në programin tonë javor “Shtëpitë e lumtura”, i cili transmetohet nën moton “Derisa lumturia të jetë tradita jonë”.

 

Tema e takimit të sotëm është shumë e rëndësishme pasi ajo ka të bëjë me problemet dhe sëmundjet psikike, probleme nga të cilat vuajnë shumë individë dhe familje. Tema e sotme do të jetë mbi depresionin në familje. Depresioni është një sëmundje psikike dhe është sëmundja e pare, që u zbulua nga sëmundjet psikike. Ajo është një sëmundje që nuk prek një moshë të caktuar, por prek të gjithë moshat, prek të vegjlit dhe të mëdhenjtë, burrat dhe gratë pa përjashtuar asnjë. Pyetja që lind është: ”Si ta zbulojmë që vuajmë nga depresioni dhe si ta trajtojmë atë?

 

Pikërisht për t’ju përgjigjur këtyre pyetjeve, ne kemi ftuar doktorin Adil Zajid. Ne ju urojmë mirëseardhjen doktor Adil dhe fillimisht duam të dimë mendimin tuaj mbi titullin e emisionit të sotëm dhe a e meriton depresioni familjar, që t’i kushtojmë një emision të posaçëm?

 

Dr. Adil Zajid: ”Zoti jua shpërbleftë me të mira për zgjedhjen e një teme të tillë për t’u trajtuar në këtë emision. Është fakt që depresioni ka lidhje direkte me gjendjen shpirtërore të familjes dhe shumë sëmundje të tjera psikike. Depresioni është një sëmundje, nga e cila vuajnë shumë shtete arabe dhe muslimane dhe ndikon drejtpërdrejt në rrënimin e familjeve të shumta edhe pse kjo sëmundje mund të kurohet.

 

Depresioni është një sëmundje e përhapur në botë

Prof. Xhasim El-Mutava: “Cila është shkalla e përhapjes së sëmundjes së depresionit? A konsiderohet ajo nga sëmundjet që kanë një përhapje të madhe apo të kufizuar në rang botëror”?

 

Dr. Adil Zajid: “Depresioni është sëmundja psikike më e përhapur. Ajo është nga ato sëmundje, të cilat i ndeshim çdo ditë në klinikat dhe konsultat mes të sëmurëve dhe psikoterapistëve. 

 

Depresioni nuk njeh moshë

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Cilat janë moshat që prek depresioni? A prek vetëm të mëdhenjtë, apo mund të prekë dhe moshat e reja dhe të vogla? A mundet që foshnja të lindë i prekur nga depresioni”?

 

Dr. Adil Zajid: ”Depresioni është një sëmundje, që nuk njeh moshë, por më së tepërmi ai prek të rriturit. Nga kjo sëmundje nuk mund të bëjnë përjashtim moshat e vogla. Edhe pse një fëmijë mund të jetë në moshën dhjetëvjeçare, ai mund të sëmuret dhe të vuajë nga kjo sëmundje. Kjo, mund të dallohet me rënien e tyre në mësime. Ndërkohë që të rriturit, sa më shumë të jenë të shtyrë në moshë, aq më shumë rritet mundësia për t’u prekur nga depresioni. 

Sipas studimeve të fundit perëndimore, këshillohet që përkujdesja për foshnjen, duhet të fillojë që në fazat e shtatzanisë dhe jo vetëm pas lindjes.

Sëmundja e depresionit, është si të gjithë sëmundjet e tjera dhe kërkon përkujdesje.

 

Imazhi i sëmundjeve mendore është i deformuar

Prof. Xhasim El-Mutava: “Shpeshherë dëgjojmë, që sëmundjet psikike nuk kanë vend tek ata persona që kanë besim të fortë. Madje, disa njerëz nuk besojnë fare në ekzistencën e këtyre sëmundjeve dhe i këshillojnë ata që vuajnë që thjesht të lexojnë Kuran dhe të përmendin Zotin dhe gjithçka do të zhduket. Për këtë, ata përmendin dhe ajetin: ”me përkujtimin e Zotit qetësohen zemrat”. Sipas tyre, nëse qetësohet zemra, nuk ka përse të ndjehesh keq dhe i depresionuar. Cili është mendimi juaj mbi këtë”?

 

Dr. Adil Zajid: “Një tezë e tillë, është padrejtësi ndaj çdo besimtari të devotshëm që e përmend Zotin dhe lexon Kuranin, megjithatë mund të vuajë nga sëmundjet psikologjike. Nëse sëmundjet psikologjike do i përkufizonim si sëmundje që prekin ata që jetojnë larg udhëzimeve hyjnore dhe traditës profetike, atëherë çdo person që vuan nga një sëmundje e tillë, jeton larg udhëzimeve hyjnore, larg porosive të Kuranit dhe të Profetit a.s. Por kjo është diçka e papranueshme dhe është padrejtësi e madhe. Sëmundjet psiqike janë si gjithë sëmundjet e tjera, si sheqeri, tensioni i gjakut etj... 

 

Sëmundjet psiqike, janë sëmundje organike

Prof. Xhasim El-Mutava: “Kameramani ynë doli në rrugë dhe u drejtoi njerëzve këtë pyetje: ”Çfarë dini mbi sëmundjet psikike?” Të intervistuarit përgjigjeshin në mënyra të ndryshme. Disa prej tyre thonin janë sëmundje të tilla si tensioni, nervozizmi, depresioni etj... Kurse disa prej tyre pohonin, se ato janë thjesht dyshime dhe vesvese nga shejtani. Cili është komenti juaj”?

 

Dr. Adil Zajid: “Normalisht unë nuk i fajësoj njerëzit, nëse nuk e dinë se çfarë është sëmundja psiqike. Këta njerëz duhet të dine, se sëmundjet psiqike nuk kanë asnjë lidhje me shejtanin. Të krijosh lidhje mes shejtanit dhe sëmundjeve të tilla, është një padrejtësi që u bëhët të sëmurëve, që vuajnë nga këto sëmundje.

Studiuesit kanë zbuluar, se në shumë raste sëmundjet psikike kanë lidhje me sëmundje organike. Nëse një organ nuk funksionon siç duhet, mund të bëhet shkaktar i sëmundjeve psikike.

 

Shpeshherë na vijnë të sëmurë, të cilët ankohen se dëgjojnë zëra të çuditshëm dhe shohin krijesa në forma të ndryshme. Diçka e tillë është rezultat i një defekti të sinjaleve psiqike në tru. Truri i njeriut është i pajisur me qendra, ku secila kryen një funksion të caktuar. Nëse njeriu dëgjon një zë, kjo ndodh për shkak se është qendra e zërave në tru ajo që dëgjoi. Zërat që dëgjojmë, nuk janë veçse sinjale psiqike të përcjella me anë të nervave nga veshët në tru. Mënyra se si ndodhin të gjithë këto funksione, nuk është gjë tjetër veçse një mrekulli nga ana e Krijuesit.

 

Kështu e theksojmë dhe një herë, që sëmundjet mendore dhe psikike, përgjithësisht shkaktohen nga sëmundje organike. Këto sëmundje, nuk kanë asnjë lidhje me xhindët dhe shejtanët dhe as me forcimin apo dobësimin e besimit dhe përkushtimit.

 

Lidhjet e sëmundjeve psikike me mënyrën e komunikimit

Prof. Xhasim El-Mutava: “Shumë gra ankohen për burrat e tyre, të cilët me të hyrë në shtëpi janë të heshtur, ndërkohë që jashtë shtëpisë janë të komunikueshëm dhe gazmorë. Të tjerë, në shtëpi janë të vrenjtur dhe të zymtë, ndërkohë që jashtë shtëpie janë të buzëqeshur dhe plot humor. Të tjerë brenda shtëpisë janë kopracë dhe dorështrënguar, ndërkohë që jashtë janë bujarë dhe zemërgjerë. A kanë lidhje sëmundjet psikike me mënyrën e komunikimit, sidomos në familje? Apo është thjesht një aktrim i këtyre burrave para grave dhe familjeve të tyre”?

 

Dr. Adil Zajid: ”Në shumë raste, sjellje të tilla mund të kenë lidhje me sëmundje psikike, por ajo që përmendët ju, mendoj se vjen nga boshllëku dhe ftohja mes dy bashkëshortëve. Ne vërejmë që në vitet e para të martesës, dy bashkëshortët ndihen të qetë dhe të lumtur. Me lindjen e fëmijëve, shtohen dhe përgjegjësitë dhe obligimet për bashkëshortin, gjë e cila ndikon në psikologjinë e tij.

 

Prof. Xhasim El-Mutava: “Por a është e mundur që kjo sëmundje psiqike të ndikojë në natyrën dhe komunikimin e këtij të sëmuri, vetëm me gruan dhe familjen e tij, ndërkohë që me të tjerët komunikon normalisht dhe është gazmor”?

 

Dr. Adil Zajid: “Diçka e tillë është e mundur dhe në raste të tilla, ky i sëmurë vuan nga dyshimet dhe vesveset e shumta. Me këtë rast, unë dua t’ju përmend një ndodhi të një tregtari kuvajtian, shumë të suksesshëm. Ai administron një kapital prej katër milionë dinarësh kuvajtianë dhe është shumë i suksesshëm në biznesin e tij. Megjithatë ai vuan nga dyshimet, iluzionet dhe vesveset e shumta, se gruaja e tij e tradhëton. Këtë ai e argumenton me faktin se gruaja e tij kohët e fundit ka ndryshuar llojin e shampos që përdor. Kështu në raste të tilla, kur dyshimet bien mbi një person, i sëmuri ndryshon mënyrën e të sjellurit dhe komunikimit vetëm me të, ndërkohë që me të tjerët është normal”.

 

Vesveset, kurimi dhe konceptet e gabuara

Një teleshikues nga Amerika: ”Unë u kërkoj ekspertëve të kësaj fushe, që të bëjnë ç’është e mundur dhe t’i informojnë njerëzit mbi sëmundje të tilla. Shumica e njerëzve – sidomos në vendet arabe – kanë koncepte të gabuara mbi sëmundjet psikike dhe mendore. Madje unë kam konstatuar, se sëmundjet psiqike, shpeshherë kanë lidhje dhe me besimin. Ne shohim që Islami kontribon në shërimin dhe kurimin e vesveseve, duke e stimuluar njeriun që të mos i kalojë kufinjtë veçse duke pasur fakte dhe argumente. Duke respektuar një limit të tillë, vesveset nuk kanë si të shtohen dhe të shkaktojnë konflikte dhe zënka.

Gjithashtu ne mendojmë, se nëse dikush vizitohet tek psikoterapisti, ai patjetër që ka mangësi dhe të meta në tru, gjë e cila është e gabuar”.

 

Dr. Adil Zajid: “Unë e pranoj me keqardhje që fjalët e teleshikuesit nga Amerika janë të sakta. Në shumë vende arabe dhe islame, ne e shohim një të sëmurë psikik si të çmendur dhe të lojtur. Diçka e tillë bën, që njerëzit t’i shkëpusin lidhjet dhe komunikimin me të. Madje edhe vetë psikoterapistët dhe doktorët, që merren me kurimin e këtyre sëmundjeve, shihen me dyshim dhe me probleme mendore. Në këto çaste më kujtohet, se një ditë ndodhesha përbri një xhamie, me një të sëmurë psiqik. Ndërkohë që po bisedoja me të, më pickoi një milingonë dhe unë u hodha lart duke u larguar nga ai vend. Një kalimtar, iu drejtua personit me të cilin bisedoja dhe i tha: ”Largoju se ai është psikiatër”.

 

Përsa i përket dyshimeve dhe vesveseve, ato shkaktohen nga sëmundje organike. Është e vërtetë që Islami i kuron vesveset, madje Profeti a.s na mëson që kur dikush është duke u falur, nëse ka dyshime nëse e prishi abdesin apo jo, le të vazhdojë dhe t’a plotësojë namazin, përderisa nuk është i sigurtë. Diçka e tillë është baza, nga e cila nisemi për kurimin e vesveseve dhe dyshimeve. Diçka e tillë konsiston në injorimin e këtyre vesveseve dhe tablosë që është komplet e ndryshme me realitetin. Por a është ky ilaçi dhe metoda e vetme e kurimit?

Në kohën që jetonte Profeti a.s, ajo ishte ilaçi dhe metoda më efikase e shërimit nga vesveset. Ndërkohë që në ditët tona, metodat e kurimit kanë avancuar dhe të sëmurit mund t’i jepen ilaçe, që ndikojnë dretpërdrejt në përzierjen hormonale dhe duke ndihmuar përmirësimin e sinjaleve psiqike dhe rezistencën e tyre ndaj faktorëve të jashtëm. 

 

Sëmundje psiqike që kurohen brenda familjes

Prof. Xhasim El-Mutava: “Disa lloje sëmundjesh kurohen me anë të ndërhyrjeve kirurgjikale, ndërkohë që të tjera kurohen brenda familjes. Po sëmundjet psiqike si mund të kurohen? A ka sëmundje psiqike, të cilat mund të kurohen në familje, apo të gjitha sëmundjen e këtij lloji duhet të kurohen nga doktori specialist”?

 

Dr. Adil Zajid: “Sëmundjet psiqike janë si të gjithë sëmundjet e tjera. Kurimi i tyre mund të kërkojë dhe ndërhyrjen kirurgjikale edhe pse diçka e tillë është e rallë dhe në kuadër të eksperimenteve. Po ashtu ka sëmundje të tjera, të cilat kanë nevojë për përkujdesje familjare. Në fakt, çdo sëmundje psiqike ka nevojë për një përkujdesje të veçantë nga ana e familjarëve në shtëpi. Madje trajtimi dhe komunikimi i pjestarëve të familjes me të sëmurin, është hapi i parë drejt shërimit. Kjo duhet të ndodhë jo vetëm gjatë sëmundjes, por edhe pasi të jetë shëruar. Kështu, mbi 60 % e të sëmurëve me skizofreni, janë shkaktuar si rrjedhim të një komunikimi të keq, sharjeve, ofendimeve, rrahjes dhe fjalë të tilla si: Ti je i çmendur, budalla, injorant etj...

Gjendjen e të sëmurit mund t’a përkeqësojë dhe kujdesi i tepërt. P.sh, nëse i sëmuri ngrihet ose ulet, të gjithë e pyesin: Përse u ngrite? Përse u ule? Dukesh i lodhur sot... Diçka e tillë ndikon negativisht në psikologjinë e tij dhe e përkeqëson dhe rëndon sëmundjen.

Shoqëritë tona e vuajnë ekzistencën e specialistëve socialë, ndërkohë që Europa i ka siguruar të gjithë komponentët për shërimin nga sëmundjet psiqike. Kurimin e sëmundjeve të tilla, ata nuk ia kanë lënë në dorë vetëm psikoterapstit, por është një grup specialistësh që merren me të. Në këtë grup specialistësh, bëjnë pjesë një psikoterapist, kujdestar social, psikolog dhe një kurues me anë të punësimit”.

 

Depresioni është sëmundje

Prof. Xhasim El-Mutava: “Ndonjëherë dëgjojmë të thuhet depresion pozitiv dhe depresion negativ. A është e mundur të ketë depresion pozitiv”?

 

Dr. Adil Zajid: “Nëse do të flasim mbi depresionin si sëmundje, atëherë nuk mund t’a konsiderojmë atë si pozitiv. Çdo sëmundje është sprovë dhe provim nga ana e Zotit për njeriun. Kështu depresioni si sëmundje, nuk mund të jetë pozitiv dhe i mirë”.

 

Parim i artë

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Ku qëndron sekreti i parimit tënd të artë, mbi të cilin flet shpesh herë në shkrimet dhe emisionet e tua televizive”?

 

Dr. Adil Zajid: “Ai konsiston në ndryshimet e thella që vërehen në sjelljet e të sëmurit. Diçka e tillë na ndihmon të mësojmë, nëse personi është i sëmurë me ndonjë nga sëmundjet psiqike apo jo.

 

Sindromat e skizofrenisë

1 – Izolimi dhe vetëmbyllja, duke u larguar nga njerëzit e tjerë, madje dhe nga vetë familjarët.

2 – Informacione të çuditshme, ku i sëmuri e konsideron veten një UFO, engjëll ose sulltan.

3 – Ai dëgjohet të flasë me veten, sikur bisedon me dikë.

4 – Ka shumë dyshime, me vend dhe pa vend.

5 – Përkeqësim i dallueshëm në komunikim dhe sjellje.

 

Sindromat e depresionit

1 – Brengosje dhe trishtim i thellë, gjë e cila mund të shoqërohet dhe me të qara për shkaqe të ndryshme.

2 – Melankoli e theksuar, ku shpesh herë shprehet se dëshiron të vdesë, të vetvritet dhe se e ardhmja e tij është e zezë.

3 – Ç`rregullime të gjumit, ose fle dhe zgjohet shpesh, duke mos fjetur rehat.

4 – Ç`rregullime të oreksit, ku ndonjëherë ai ka oreks jo normal.

 

Të folurit me veten

Prof. Xhasim El-Mutava: “Na ka ardhur një faks nga një zonjë e nderuar, e cila thotë, se i ndodh shpesh që të flasë me veten, lëviz buzët dhe bën me shenjë me duar sikur të jetë duke biseduar me dikë tjetër. Një situatë e tillë është bërë aq e shpeshtë, saqë fëmijët e saj e pyesin me habi: ”Më kë po flet o mama”?! Ajo kërkon një zgjidhje për problemin, nga i cili vuan”.

 

Dr. Adil Zajid: “Duket qartë që kjo grua nuk e bën diçka të tillë, ngaqë dëgjon zëra të tjerë dhe u përgjigjet atyre. Nëse ajo do të dëgjonte zëra të tjerë me të cilët bisedon, unë e këshilloj të vizitohet tek një psikoterapist. Kurse, nëse është siç e thamë në fillim, që bisedon me veten ngaqë është e angazhuar dhe e dhënë pas punëve të shumta, unë e qetësoj që të gjithë njerëzit flasin me veten, por në shkallë të ndryshme. Mesa duket, kjo grua ndodhet në tension të madh dhe hallet ia qan vetes. Zgjedhja më e mirë është, që sa herë të ndjejë që po bisedon me veten, t’a ndërpresë menjëherë. Unë e di që në fillim do e ketë të vështirë dhe mund të vuajë, por ajo duhet të rezistojë derisa të shërohet”.

 

Dyshimet

Prof. Xhasim El-Mutava: “Një faks tjetër na vjen nga një motër nga Suedia, e cila thotë që ka shumë dyshime rreth burrit të saj. Këto dyshime kanë ardhur, pasi ajo e ka dëgjuar të shoqin duke biseduar me një grua tjetër në telefon dhe duke caktuar dhe orarin e takimit. Që atë ditë, ajo dyshon për çdo gjë të vogël dhe të madhe. A konsiderohet diçka si sëmundje psikologjike dhe si mund të shërohet”?

 

Dr. Adil Zajid: “Në këtë rast, ne nuk kemi të bëjmë me sëmundje. Kjo, pasi kemi një shkak që ka çuar në dyshime dhe me këtë rast unë shpreh keqardhjen, që raste të tilla kanë filluar të shtohen kohët e fundit. Një nga bashkëshorët ndërmerr një hap të gabuar dhe e gjithë familja përfshihet nga divergjenca dhe mosmarrëveshje. Zgjidhja e vetme në raste të tilla është, që fajtori të largohet nga rruga, në të cilën e ka çuar shejtani dhe të pendohet. Ndërkohë që sëmundja e dyshimeve dhe vesveseve, nuk ka bazë por është thjesht imagjinatë dhe fantazi e sëmurë. Në raste sëmundjeje, dyshimet lindin për gjërat më të rëndomta”.

 

Ëndrra me sy hapur

Prof. Xhasim El-Mutava: “Një faks tjetër vjen nga një teleshikuese nga Amerika, e cila pyet mbi ëndrrat me sy hapur. Asaj i ndodh shpesh, që të shohë ëndrra me sy hapur dhe zgjuar, gjë e cila e vë në siklet.”

 

Dr. Adil Zajid: “Ëndrrat me sy hapur, ashtu si të folurit me vete, janë fenomene që hasen pothuaj tek të gjithë njerëzit. Ajo që e nxjerr nga normaliteti dhe e kthen në sëmundje një ëndërr me sy hapur, është kur i sëmuri i sheh ato si realitet dhe askush nuk mund t’a bindë për të kundërtën. Këshilla ime për teleshikuesen është, që të përpiqet sa të mundet që të angazhohet me punë dhe t’a mbushë kohën e lire, pasi zanafilla e ëndrrave me sy hapur, është kur personi ka kohë të lirë. Shumë gra, të cilat i shoqërojnë burrat e tyre gjatë punës apo studimeve jashtë, kanë shumë kohë të lirë. Është mirë që këto gra t’a mbushin kohën e lirë me gjëra të dobishme. Është mirë që ato të merren me lexim, studim dhe pjesëmarrje në trajnime të ndryshme, me të cilat zhvillojnë veten”.

 

 

Depresioni

Një teleshikues nga Arabia Saudite: ”Unë shoh që të gjithë sindromat e depresionit i përshtaten gjendjes time shpirtërore. Gjumi im është gjithë ankthe dhe kam humbur shoqërinë dhe miqësinë për shkak të depresionit. Para dy vitesh, kam qenë njeri dinjitoz, me morale të larta dhe të gjithë më respektonin. Për shkak se humba një person të shtrenjtë, jeta ime mori një kthesë 180 gradë, duke mos ditur ku mund t’a gjej zgjidhjen.

 

Dr. Adil Zajid: “Unë të këshilloj që të mos vonohesh as dhe një çast dhe të vizitohesh tek një psikoterapist. Ti vuan nga disa sindroma të depresionit, vuan nga ankthe gjatë gjumit, ke pësuar një ndryshim rrënjësor në moralet dhe sjelljen tënde dhe të gjitha këto janë sindroma të depresionit”.

 

Një nga sindromat më të dallueshme të depresionit: Urrejtja e jetës.

Një teleshikuese nga Amerika: ”Që në vegjëli kam vuajtur nga mërzia, lodhja psiqike dhe fizike. Kur u rrita më detyruan të martohem me dikë, prej të cilit kam vuajtur shumë. Më vonë u divorcova prej tij, duke qenë e pashpresë për një të ardhme më të mirë dhe duke e parë fundin tim shumë të afërt. Ndieja sikur e gjithë bota ndodhet mbi trupin tim, nuk kam parë asnjë ditë të gëzuar, nuk kam ndjerë dhembshuri dhe dashuri as nga familja ime dhe as nga ish burri im. Unë doja të dija, nëse këto që ndjej janë sindroma të një sëmundjeje psiqike, apo si rrjedhojë e ambjentit dhe mjedisit ku jam rritur dhe kam jetuar”?

 

Dr. Adil Zajid: “Unë e kam të vështirë t’a diagnostikoj këtë rast me anë të telefonit. Fakti që ti thua, që ke humbur shpresën për të jetuar, është një nga sindromat më të dallueshme të depresionit. Sëmundja e depresionit, fillon dhe rëndohet pas tre muajsh nga një ndodhi e rëndë në jetën e njeriut, si divorci ose vdekja.

 

Vetëm specialisti bën diagnozën e sëmundjeve psiqike

Prof. Xhasim El-Mutava: “Pas sindromave që u përmendën rreth depresionit, a është e mundur, që nëse ndonjë nga teleshikuesit sheh që i ka disa nga këto sindroma, të besojë se është i sëmurë me depresion? Apo vetë-diagnostifikimi mund t’a tmerrojë dhe t’a rëndojë dhe më shumë gjendjen e tij”?

 

Dr. Adil Zajid: “Shpeshherë doktorët dhe psikoterapistët hezitojnë dhe ngurrojnë në përmendjen e sindromave të depresionit para njerëzve, pasi kjo do të bënte, që të gjithë njerëzit të besonin, se vuanin nga një prej sindromave dhe kjo për shkaqe të ndryshme. Prandaj, preferohet që pacienti t’i drejtohet specialistëve për të pare, nëse vuan apo jo nga ndonjë sëmundje psiqike”.

 

Rrjepja e thonjve

Prof. Xhasim El-Mutava: “Në studio ka arritur një faks nga një teleshikues nga Amerika, i cili thotë se është 23 vjeç dhe se gjatë gjithë kohës merret me rrjepjen e thonjve të tij dhe shpesh herë i kafshon me dhëmbë. Ai ka kohë që vuan nga një gjendje e tillë dhe sa herë që tenton që t’a braktisë, i kthehet përsëri dhe e ka të vështirë”.

 

Dr. Adil Zajid: “Mendoj se ky i ri nuk do e ketë të lehtë t’a braktisë këtë ves. Gjithësesi e këshilloj që të përpiqet dhe të kërkojë edhe ndihmën e atyre, që e rrethojnë, të cilëve duhet t’u kërkojë që t’a ndalojnë sa herë që e shohin duke brejtur thonjtë”.

 

Dera e prishur e marangozit

Një teleshikuese nga Amerika: ”Unë kam disa shoqe, të cilat vuajnë nga sëmundje psiqike dhe psikologji të rënduar. Shpeshherë më ndodh që t’i këshilloj të lexojnë Kuran, të përkujtojnë Zotin etj... Por kam filluar të vë re që unë jam ndikuar dhe prekur nga vuajtjet e tyre. Unë kam filluar të ndihem e frikësuar, e stresuar, e depresionuar dhe vuaj nga pagjumësia. Çfarë mund të më këshilloni”?

 

Dr. Adil Zajid: “Një doktor psikoterapist, dallon nga doktorët e tjerë, pasi psikoterapistët nuk kurojnë me anë të mjeteve kirurgjikale, duke dëgjuar rrahjet e zemrës, kontrolluar tensionin e gjakut etj.... Jo, psikoterapistët kurojnë dhe e shërojnë të sëmurin duke dëgjuar mbi anën emocionale dhe sentimentale të tij. Kështu vuajtjet emocionale dhe sentimentale, që i sëmuri ia rrëfen doktorit, ndikojnë në psikologjinë e këtij të fundit. Prandaj psikoterapistët duhet të jenë të kujdesshëm, që vuajtjet dhe sëmundjet e të tjerëve vetëm t’i dëgjojnë, duke mos lejuar që ato të bëhen pjesë e jetës dhe shqetësimeve të tij. Është pikërisht kjo, ajo që i ka ndodhur teleshikueses nga Amerika. Ajo ka lejuar, që shqetësimet dhe vuajtjet e të tjerëve të depërtojnë në psikologjinë e vet dhe të bëhen pjesë e saj.

Profeti a.s thotë: ”Besimtari që hyn në kontakte me të tjerët dhe i duron shqetësimet, që mund të vijnë prej tyre, është më i mirë se besimtari, që izolohet nga njerëzit dhe nuk i duron shqetësimet e tyre”.

 

Por meqë në këtë rast këto kontakte kanë ndikuar negativisht në jetën e saj private, atëherë unë mendoj se ajo e ka të vështirë të luajë këtë rol. Ne duhet të jemi të sinqertë me veten tonë dhe njëkohësisht me të tjerët. Nuk kemi përse të merremi me të tjerët dhe t’u ofrojmë ndihmë, ndërkohë që vetë jemi të lodhur dhe kemi nevojë për ndihmë. Kjo është si puna e derës së prishur të marangozit.

Përsa i përket pagjumësisë, kjo shkaktohet tek shumë njerëz, që vuajnë nga sëmundje të tilla, prandaj duhet t’i marrë gjërat shtruar”.

 

Sëmundja e sociofobisë (frikë shoqërore)

Prof. Xhasim El-Mutava: “Në studio ka arritur një faks nga Demmami, ku dërguesi shkruan se po përjeton një gjendje paniku dhe frike shoqërore. Ai ka shumë frikë dhe tmerrohet nga rrufetë, shiu dhe makinat kur kalojnë pranë tij. Ai pyet nëse kjo është sëmundje dhe cili është ilaçi”.

 

Dr. Adil Zajid: “Fobia sociale radhitet tek sëmundjet psiqike dhe ilaçi i saj ndryshon nga një rast tek tjetri. Nëse fobia është e përgjithshme, ne e vendosim të sëmurin në vendin, nga i cili ka frikë më shumë. Ne e shtyjmë dhe stimulojmë atë, që t’a sfidojë dhe mposhtë frikën. Njëkohësisht, sot gjenden dhe ilaçe mjekësore, të cilat ndihmojnë në përmirësimin e të sëmurit. Gjithësesi unë e këshilloj teleshikuesin, që të vizitohet tek një specialist”.

 

Prof. Xhasim El-Mutava: “Kjo që përmendët ju në kurimin e kësaj sëmundjeje, është shumë e ngjashme me atë, që gjyshërit tanë bënin me fëmijët e tyre që kishin frikë nga uji dhe deti. Ata i merrnin fëmijët dhe i hidhnin në det. A mendoni se diçka e tillë është e dobishme”?

 

Dr. Adil Zajid: “Po, diçka e tillë është e dobishme, sidomos tek fobia nga kafshët. Në raste të tilla, i sëmuri vendoset në një dhomë me foton ose maketin e kafshës nga e cila ka frikë. Më vonë e sheh nga larg vetë kafshën, më pas afrohet etj... Unë e këshilloj që këtë t’a bëjë me një person ekspert në këtë fushë”.

 

A ka lidhje besimi në Zot, me sëmundjet psiqike?

Teleshikues nga Skocia: ”Unë doja të replikoj me doktor Adilin, i cili pak më parë tha, që besimi nuk luan asnjë rol në lehtësimin dhe qetësimin e të sëmurëve psiqikë. Unë do e pranoja një tezë të tillë si të vërtetë, nëse do të ishte e bazuar në studime dhe hulumtime nga ana e muslimanëve. Por nëse ne bazohemi vetëm në studimet dhe teoritë perëndimore, ku besimi në Zot nuk ka vend, unë jam i detyruar t’i refuzoj dhe të mos i pranoj si të mirëqena.

Së dyti, edhe pse studimet shkencore në botën islame janë të pakta në këtë fushë, është për t’u përmendur fakti që përqindja e të sëmurëve që vuajnë nga stresi, depresioni etj... është një përqindje e ulët në krahasim me shtetet perëndimore. Unë do ju këshilloja të ishit më të përmbajtur në përgjigjet që jepni”.

 

Dr. Adil Zajid: “Fillimisht unë uroj që të takohemi kur të vij në Skoci. Së dyti, unë dua të sqaroj një çështje, të cilën e konsideroj të rëndësishme: Është e pamundur që unë të deklaroj që Kurani dhe besimi në Zot të mos ketë asnjë ndikim dhe efekt në qetësimin e zemrave dhe lehtësimin e sëmundjeve. Do të ishte një gabim trashanik, nëse e them diçka të tillë. Kjo, edhe nëse hipoteza të tilla mbështeten në studime dhe janë konkluzione të ekspertëve më të famshëm në perëndim. Në raste të tilla unë them, që një çështje e tillë ka të bëjë me besimin tim, të cilit i përmbahem.

 

Ajo që unë thashë më sipër, është se sëmundje të tilla si depresioni, stresi, fobia, skezofrenia etj... janë sëmundje si të gjithë sëmundjet dhe do të ishte e tepërt dhe padrejtësi, që personat që vuajnë nga këto sëmundje, ti konsideronim si jobesimtarë, apo me besim të dobët. Unë njoh shumë të ditur dhe ulema, të cilët kanë vuajtur dhe vuajnë nga sëmundje të tilla dhe kjo nuk ka përse të na bëjë të dyshojmë në devotshmërinë dhe përkushtimin e tyre.

 

Përsa i përket depresionit në përqindje të ulëta në vendet islame, kjo është diçka që ka nevojë për studime dhe hulumtime të reja, pasi studimet e bëra deri tani, janë vetëm për personat që janë vizituar në spitale dhe ekspertë. Ndërkohë që numri i atyre që nuk vizitohet tek mjekët e kësaj fushe, mendohet të jetë i madh. Shumë njerëz nuk vizitohen tek doktori përkatës, për shkak të paragjykimeve të gabuara. Ata kanë frikë, se do të etiketohen si njerëz me probleme mendore dhe si të çmendur. Kështu, herë nga frika herë nga paragjykimet ata nuk vizitohen. Kur ndodhesha në Kuvajt, kam vërejtur që numri i pacientëve ishte shumë i ulët në krahasim me Europën”.

 

Shoqëria dhe të sëmurët psikikë

Prof. Xhasim El-Mutava: “Atëherë duket qartë që ne kemi probleme me vajtjen tek psikologu dhe doktorët psikikë”!

 

Dr. Adil Zajid: “Kjo është e vërtetë. Madje, edhe familjarët, miqtë dhe të afërmit të pyesin mbi shkakun e vizitës tek doktori psikik, pyetje si: Përse vajte? Çfarë ke? A ke probleme...”?

 

Fshehja e sëmundjes ndaj të sëmurit

Prof. Xhasim El-Mutava: “Një teleshikuese nga Xhedda e Arabisë Saudite na ka dërguar një faks, ku na rrëfen historinë e një gruaje të sëmurë me kancer në stomak. Fëmijët ia kishin mbajtur të fshehtë sëmundjen, duke mos ia treguar diagnozën. E sëmura e zbuloi këtë, kur u vizitua në një klinikë private dhe u shokua, kur doktori e lajmëroi se ishte e sëmurë me kancer në stomak. Ajo iu nënshtrua një operacioni për ta hequr tumorin dhe ky operacion doli me sukses. Pas operacionit gjendja e saj shpirtërore u rëndua, pasi filloi të vuajë nga një gjendje depresioni. Ajo nuk fliste dhe ndjehej e frikësuar. Madje, frikësohet për gjërat më të vogla, si p.sh të lëvizë nga njëri vend në tjetrin. Çfarë i këshilloni kësaj të sëmure për të dalë nga kjo gjendje”?

 

Dr. Adil Zajid: “Kjo është një pyetje e rëndësishme dhe mendimi im është, që të sëmurit i duhet treguar mbi sëmundjen, nga e cila vuan. Sidomos në raste të tilla si kanceri, ku jeta e tij është në rrezik dhe i duhet të shkruajë testamentin ose të shlyejë ndonjë borxh të marrë. Unë kërkoj, që edhe juristët fetarë të japin mendimin e tyre në këtë çështje.

Nëse teleshikuesja është një e afërt e të sëmurës së lartpërmendur, unë e këshilloj që ta dërgojë tek një psikiatër”.

 

Defektet psiqike dhe hormonale tek të sëmurët psikikë

Prof. Xhasim El-Mutava: “Një teleshikuese pyet nëpërmjet një faksi që ka dërguar, mbi defektet hormonale që ndodhin tek të sëmurët me depresion dhe njëkohësisht interesohet mbi ilaçin.

 

Dr. Adil Zajid: “Nëse më sipër jam shprehur mbi hormonet, dua t’a korrigjoj se ka qenë një gabim në përkthim. Defekti ndodh në sinjalet psiqike në trupin e njeriut. Ilaçet që përdoren në këto raste, ndryshojnë sipas personit të sëmurë. Tek gratë që  kanë menstruacione të çrregullta ose ato që janë në menopauzë, mund të preken gjendrat hormonale nga defekte të ndryshme, gjë e cila shkakton depresion tek këto gra. Në raste të tilla, gratë ndihmohen me disa medikamente, të cilat e përmirësojnë gjendjen e tyre psikologjike dhe duke përmirësuar funksionimin e gjendrave hormonale”.

 

 

 

S’ka vend për frikë nga medikamentet e sëmundjeve psiqike

Një teleshikuese: ”Më ndodh shpeshherë, që të vuaj nga humbja e oreksit, ndjenjë frike, mendime të zeza, pagjumësi dhe dyshime mbi ekzistencën e Zotit”.

 

Dr. Adil Zajid: “Këto janë sindroma të depresionit dhe këshilla ime për këtë rast është, që e sëmura të vizitohet tek një ekspert. Me këtë rast, dua t’ju bëj me dije që nuk ka përse të shihen me dyshim dhe frikë medikamentet që jepen për sëmundje të tilla. Ato nuk janë droga dhe nuk shkaktojnë asnjë lloj varësie. Ato përdoren vetëm gjatë një periudhe të caktuar dhe ndërpriten. Me këtë rast, dua të sjell ndërmend një ndodhi e cila më ndodhi gjatë kohës që unë punoja si psikoterapist në spitalin e Kuvajtit.

Atje më erdhi një burrë, që i kishte kaluar të gjashtëdhjetat dhe që vuante nga depresioni. Kur unë e diagnostikova dhe i thashë që vuan nga depresioni, fëmijët e tij thanë: ”Është e pamundur që t’a lëmë babanë në spitalin psikik”! Kështu e nxorrën pa u kuruar dhe pa medikamentet e duhura. Atij iu rëndua sëmundja, saqë e la namazin dhe të gjithë ritet e tjera fetare. Unë mendoj, që faji bie mbi fëmijët e tij në këtë rast, pasi nëse do të ishte kuruar dhe do të kishtë marrë medikamentet e duhura, gjendja e tij shëndetësore do të ishte përmirësuar dhe do të vazhdonte normalisht jetën. Prandaj, u drejtohem të gjithë atyre që na ndjekin, që të mos ngurrojnë të vizitohen tek psikiatri.

 

Ankthet

Një teleshikuese: ”Jam torturuar kur isha e vogël nga babai dhe tani edhe pse jam e martuar vuaj nga ankthet gjatë natës. A kam nevojë të vizitohem nga një psikiatër”?

 

Dr. Adil Zajid: “Nëse këto ankthe i ke të përhershme dhe vazhdojnë të të shqetësojnë, unë të këshilloj të shkosh tek një psikiatër. Por nëse ti mundesh, që këtë situatë t’a kalosh e vetme, nuk ka nevojë të shkosh tek doktori”.

 

Urinimi i pavullnetshëm

Një teleshikuese nga Amerika: ”Djali im i madhi është dymbëdhjetë vjeç dhe vazhdon të urinojë natën në mënyrë të pavullnetshme. Kjo e ka shoqëruar që kur ishte i vogël dhe deri në këtë moshë. E kam vizituar tek shumë doktorë, por asgjë nuk ka ndryshuar. Më e keqja është, se edhe vëllai i tij i vogël urinon në mënyrë të pavullnetshme dhe kam frikë se mos imiton vëllanë e tij më të madh”.

 

Dr. Adil Zajid: “Kjo është një sëmundje e përhapur tek fëmijët. Zakonisht të vegjlit në moshë i kurojmë, duke u dhënë ujë para se të flenë. Çarçarfët ku flen, janë të pajisur me zile, e cila fillon të bjerë në çastin që fillon të laget. Kështu, fëmija zgjohet dhe urinimin e plotëson në banjo. Ndërkohë që me të rriturit në moshë, ne përdorim medikamente.

Kjo është një sëmundje e përhapur në shumë familje dhe nuk mund të themi që është 100 % e trashëguar, por që haset më shpesh në disa familje të caktuara. Unë e këshilloj teleshikuesen, që të mos ushtrojë presion mbi fëmijët e saj dhe t’i vërë në siklet. Ajo duhet ta marrë këtë çështje shtruar, pasi me kalimin e viteve, do të shohë që situata fillon të përmirësohet”.

 

Mërzi e theksuar tek i sëmuri me depresion

Një teleshikuese nga Amerika: ”Unë kam vuajtur pesë vite nga depresioni dhe dua të theksoj, se depresioni mund të shkaktohet edhe pa pasur ndonjë shkak. Një nga sindromat që përmendët dhe ju, është dhe mërzia e theksuar. Madje unë dua t’a specifikoj dhe them që ajo është një gjendje zbrazëtie dhe vakumi, as gëzim dhe as mërzi, as të qara. Të paktën, kjo është ajo që unë ndjeja në veten time”.

 

Dr. Adil Zajid: “Në fakt, diçka e tillë është e vërtetë. Ndonjëherë, depresioni ka lidhje me rrethanat dhe ngjarjet, që ndodhin në jetën e personit. Por ndodh që depresioni të shkaktohet edhe pa ndonjë shkak dhe nuk ka lidhje me ngjarjet. Studiuesit dhe ekspertët në raste të tilla thonë, që faktori dhe shkaku mund të jetë trashëgues.

Përsa i përket mërzisë së theksuar gjatë depresionit, ajo është një nga llojet më të rënda të depresionit”.

 

Prof. Xhasim El-Mutava: “Në fund, e falenderojmë doktor Adil Zajidin për këshillat që dha.

 

Derisa lumturia të jetë tradita jonë, paqja e Zotit qoftë mbi ju”.

 

Submitting your vote...
Not rated yet. Be the first who rates this item!
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus
24/07/2014
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
03:25 05:2312:5416:4920:1321:58

Hadith

“Kush lutet Natën e Kadrit

me besim dhe shpresë

se Allahu do t’ia falë gjynahet,

Allahu do t’ia falë atij gjynahet”.

(Muhamedi a.s.)

Hutbe

Flash is required!

Kalendari i Ramazanit

Kliko mbi foto për tu zmadhuar
Kliko mbi foto për tu zmadhuar

Ramazani në botë

Gaza
Gaza

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook