By: Imam Zaid Shakir

Dijetaret e fesë islame


“O ju njerëz! Kini frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një veteje (njeriu) dhe nga ajo krijoi palën (shoqen) e saj, e prej atyre dyve u shtuan burra shumë e gra. Dhe kini frikë Allahun, që me emrin e Tij përbetoheni, ruajeni farefisin (akraballëkun), se Allahu është mbikëqyrës mbi ju”. (4:1)

Që nga fillimi i sagës së njeriut, Allahu e ka bërë të qartë, se burrat dhe gratë janë qenie të barabarta, të krijuara nga një shpirt i vetëm, që kanë të njëjtin baba dhe nënë dhe i nënshtrohen Zotit. Ajeti i përmendur më lart iu shpall profetit (a.s) në kohën kur gratë poshtëroheshin dhe torturoheshin. Allahu thotë: “Dhe kur të pyeten ato vajza të varrosura të gjalla, për çfarë mëkati ato janë mbytur” (81: 8-9). Kjo i referohet një praktike të vjetër të arabëve (dhe disa shoqërive moderne nëpërmjet abortit), të cilët i vrisnin vajzat kur lindnin, nga frika se do të turpëroheshin, apo se nuk kishin me çfarë t’i rrisnin. Islami, mes të tjerave, erdhi për t’i zhdukur këto praktika dhe 23 vjet pas mësimeve profetike, grave iu dha një status, që më parë ishte i paimagjinueshëm.

Shpallja e parë: “Lexo me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi (çdo gjë). (96:1), e tronditi shumë profetin (a.s), pasi ai nuk e kuptonte si mund t’i ndodhte një gjë e tillë një arabi jetim të shkretëtirës, i cili nuk dinte shkrim e këndim. Tregohet, se atë e mbështeti gruaja e tij, Hatixhja, e cila besonte tek ai dhe e qetësoi, në një kohë kur ai kishte shumë nevojë. Ajo ishte shtylla e përpjekjeve të tij të para për të përhapur besimin e ri dhe ishte gjithashtu tregtare, që vinte nga një familje e mirë. Tre vjet pasi e mbajti të fshehtë shpalljen, Allahu e urdhëroi profetin (a.s), që të ftonte familjen e tij në besim. Ai (a.s) e mblodhi familjen e tij dhe e ftoi haptazi fisin e Hashimit dhe të Abdul Mutalibit të besonte mesazhin e tij. Në fund të transmetimit të kësaj ngjarjeje, ai (a.s) i thotë Abas b. Abdul Mutalibit: “Unë nuk mund të të bëj dobi Ditën e Gjykimit”. Të njëjtën gjë ia tha hallës së tij Safijeh bint Abdul Mutalib dhe vajzës së tij Fatimes. Ai u tha: “Kërkoni nga pasuria ime në këtë botë, por ditën e Gjykimit nuk do të mund t’ju ndihmoj në asnjë mënyrë”. Profeti ua tha këtë gjë një burri dhe dy grave, duke treguar se edhe gratë kanë përgjegjësi fetare, e cila nuk ka lidhje me gjininë e tyre.

Kjo pavarësi në besim ilustrohet nga fakti, se gratë e Nuhut dhe të Lutit, e refuzuan besimin. Pra, Kurani pohon, se edhe gruaja e profetit është e lirë të besojë ose jo. Për më tepër, Ummu Habiba besoi, ndërsa i ati Ebu Sufjani, ishte kundërshtar i vendosur i profetit (a.s). Ai nuk kishte forcën dhe as privilegjin që të ndikonte tek zgjedhja e saj individuale. Në Besëlidhjen e Dytë të Akabes, një marrëveshje që përfshinte detyrimet e veçanta specifike dhe strategjike, profeti (a.s) mori zotimin nga burrat dhe nga gratë. Ai nuk ishte i kënaqur me faktin, që gratë të izoloheshin në shtëpi, krejtësisht të ndara nga përfshirja në çështje publike.

Kurani, burimi më i shenjtë dhe më i rëndësishëm në Islam, u mësua përmendësh nga shumë shokë të profetit (a.s) Pas betejës së Jemames, ku u vranë shumë hafizë të Kuranit, Umeri (r.a) e këshilloi Ebu Bekrin (r.a) të nxirrte një botim standard të të gjithë Kuranit në dialektin kurejshit. Ebu Bekri (r.a) e bëri këtë kopje dhe pas vdekjes së tij e mori në mbrojtje Umeri (r.a) dhe pas vdekjes së tij e mori Hafsah bint Umer, që ta ruante me kujdes. Gjatë kalifatit të Uthmanit (r.a), u vu re shfaqja e leximeve të gabuara të Kuranit tek popujt joarabë si Armenia dhe Azerbajxhani. Uthmani (r.a) ia mori Hafsas Kuranin dhe bëri gjashtë kopje të tjera të tij dhe i dërgoi në qendrat kryesore politike të botës islame. Ai urdhëroi, që të gjitha kopjet e tjera të digjeshin. Këtu bëhet e qartë, se asnjeri nuk e vuri në dyshim besueshmërinë e Hafsas, pra nuk u vu në dyshim se ajo mund ta kishte ndryshuar Kuranin.

Në kohën e shokëve të profetit nuk u ngrit asnjëherë çështja për vlefshmërinë e të mësuarit nga gratë. Në librat e traditës profetike, në çdo kapitull mund të gjesh gra transmetuese. Imam Hakim Naisapuri ka thënë: “Një e katërta e fesë tonë varet nga transmetimet e grave. Po të mos ishin transmetimet e tyre, do ta kishim humbur një pjesë të fesë tonë”.

Për shembull, Ebu Hanife gjykon, se para namazit të detyrueshëm të mesditës janë katër njësi (rekate) të faljes nafile, ndërsa imamët e tjerë thonë se ka vetëm dy. Këta të fundit mbështeten në transmetimin e Abdullah b. Umerit, Allahu qoftë i kënaqur me të, ndërsa Ebu Hanife mbështetet tek Ummu Habiba, dhe gratë e tjera të profetit (a.s). Ebu Hanife argumenton, se përderisa profeti (a.s). i falte namazet nafile në shtëpi, transmetimi i grave të tij është më i fortë. Ngjarje të tjera kryesore janë transmetuar nga gratë. Aishja transmeton traditën, duke dhënë me hollësi rrethanat e shpalljes së parë, ashtu si e ka treguar Buhariu, menjëherë pas hadithit, që përmend se veprimet gjykohen sipas nijetit që i shoqëron ato.

Të gjithë e dimë, se abdesi është shumë i rëndësishëm, në mënyrë që namazi të jetë i vlefshëm. Një grua e quajtur Rubija bint Muauidh b. Afrah ishte një transmetuese e mirë e hadithit. Transmetimet e saj gjenden tek Buhariu, Muslimi, Ibn Maxhe dhe përpilime të tjera. Ajo transmetoi, se si merrte abdes profeti (a.s), pasi kishte qenë vetë e pranishme gjatë kryerjes së këtij riti. Sahabët shkonin të mësonin nga ajo, pavarësisht se Ebu Bekri, Umeri, Uthmani, Aliu, Muadh b. Xhebeli dhe Abdullah ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë ata) ishin akoma gjallë. Ajo konsiderohej si eksperte për rregullat e abdesit. Ndër nxënësit e saj ishte dhe Abdullah ibn Abasi, interpretuesi i madh i Kuranit dhe pjesëtar i familjes së profetit (a.s). Ai nuk tha asnjëherë: “Përse duhet të mësoj nga ajo, kur vij nga familja e profetit dhe jam një interpretues i Kuranit?” Të njëjtën gjë bëri dhe Ali Zejnul Abidin, stërnipi i profetit (a.s), i cili ishte dhe dijetar. Filozofia e tyre ishte të mësonin nga kushdo që kishte dije, pavarësisht nga gjinia e tyre.

Është interesant fakti, se asnjë hadith i transmetuar nga gratë, nuk është hedhur poshtë me argumentimin se ajo (transmetuesja) mund të ketë qenë gënjeshtare, ose person që nuk mund t’i besohej. Imam Dhehebi pohon: “Vetëm burrat e kanë trilluar hadithin. Asnjë grua nuk është akuzuar si trilluese e haditheve gjatë gjithë historisë”. Pra, gratë e kanë përçuar gjithmonë me vërtetësi dijen fetare.

Amrah bint Abdurrahman bënte pjesë në brezin, që i pasoi shokët e profetit (a.s). Ajo ishte juriste, myftie, dhe specialiste e hadithit. Kalifi i madh Umer b. Abdul Azizi thoshte: “Nëse doni të mësoni Hadithin, shkoni tek Amrah”. Imam Zuhri, i cili është i pari që ka përpiluar sistematikisht përmbledhjen e Hadithit, thoshte: “Shkoni tek Amrah, ajo ka shumë dije për hadithin”.

Gjatë kësaj kohe, gjykatësi i Medinës po shqyrtonte çështjen e një hajduti të krishterë nga Siria, i cili kishte vjedhur diçka. Gjykatësi urdhëroi që t’i pritej dora. Kur Amrah bint Abdurrahman dëgjoi vendimin e gjykatësit, ajo i tha njërit pres nxënësve të saj, të shkonte tek gjykatësi dhe t’i thoshte, se nuk mund të urdhëronte t’i pritej dora, sepse ai kishte vjedhur diçka vlera e së cilës ishte më pak se një monedhë floriri (dinar). Sapo gjykatësi dëgjoi atë që kishte thënë Amrah, e liroi vjedhësin. Ai nuk e vuri në dyshim kompetencën e saj, madje nuk kërkoi as mendim të dytë nga dijetarët e tjerë, që në atë kohë ishin të shumtë në Medinë. Kjo ndodhi është përfshirë në “Muvatën” e Imam Malikut dhe ai ndan të njëjtin mendim për raste të tilla.

Njëra prej pasueseve, Ummu Derda, jepte mësim në Damask në xhaminë Umajade dhe në Jeruzalem. Nxënësit e saj ishin juristë, imamë dhe dijetarë të hadithit. Kalifi i fuqishëm Ablul Malik b. Meruan, i cili drejtoi një perandori të gjerë nga Spanja në Indi, kishte marrë mësime nga Abdullah b. Umeri, i cili konsiderohej si juristi më i madh i kohës së tij në Medinë. Kur ishte në moshë të thyer, njerëzit e pyetën se ku të shkonin të merrnin dije fetare pas tij. Ai u përgjigj: “Mervani ka një djalë, i cili është jurist, prandaj pyeteni atë”. Vetë Abdul Malik Abdul Malik b. Marveh merrte pjesë në mësimet e Ummu Dardasë dhe nuk kishte turp që të mësonte prej saj.

Aisha bint Abdul Hadi jepte mësim në xhaminë e madhe të Damaskut. Ajo u emërua nga sulltani i asaj kohe si mësuese e hadithit dhe mësonte përpilimin e Imam Buhariut. Ajo përfaqësonte gjithë komunitetin dhe ata nuk mund të gjenin ndonjë tjetër më të mirë se ajo. Zinxhiri i saj i transmetimit të haditheve konsiderohet si më i forti nga brezi i saj gjer tek profeti (a.s). Ndërmjet saj dhe Imam Buhariut janë tetë transmetues dhe ndërmjet Imam Buhariut dhe profetit (a.s) janë tre, katër apo pesë transmetues. Nga ky shembull, por edhe shumë të tjerë, bëhet e qartë se gratë mund të japin mësime në xhami. Ndërsa sot po diskutohet, nëse ato duhet të vijnë në xhami për t’u falur apo jo.

Nëse marrim parasysh rolin kryesor të grave si Hafsah në përpilimin e Kuranit dhe Aisha bint Abdul Hadi në ruajtjen dhe përçimin e saktë të Hadithit, është e qartë se këto burime kryesore të fesë sonë janë siguruar me ndihmën dhe punën e grave.

Në kohën e Ibn Tejmijes kishte dijetarë të tjerë si Imam Dhehabiu, el-Mizzi, el-Birzali, Taxhudin el-Subki dhe pak më vonë Ibn Kethiri, Ibnul Kajimi, Ibn Nasirudin el-Dimishkui dhe Hafidh Ibn Haxhar el-Askalani. Kjo ishte epoka e artë e hadithit, kur zhvillimi i mësimeve dhe literaturës së hadithit ishte në majën e tij. Këta burra nuk ishin vetëm dijetarë, por edhe reformues të shoqërisë së tyre. Në këtë kohë në Siri ishte një grua, e cila njihej për dijen dhe ndikimin e saj pozitiv dhe të fuqishëm në shoqëri. Ajo ndihmoi në reformimin e komuniteteve në Damask dhe Kajro, duke urdhëruar për mirë dhe duke ndaluar nga e keqja. Ibn Kethiri, studenti i Ibn Tejmijes ka shkruar në veprën e tij shumë të vlerësuar të historisë “Bidaje ve nihajeh”: “Ajo e reformoi shoqërinë duke urdhëruar për mirë dhe duke ndaluar nga e keqja, ajo përmbushi atë që burrat nuk mundën, pra ajo bëri më shumë se dijetarët e kohës së saj”. Kjo dëshmi u shkrua nga një burrë. Në këtë kohë kishte shumë gra të talentuara, aktive dhe me besim në vetvete. Hisham b. Urvah b. Zubair, është mësuesi i Imam Malikut, Ebu Hanifes, Sufjan el-Theuriut, Said Kahtan dhe njihet si dijetar i madh i hadithit të asaj kohe. Hadithet më të sigurta të transmetuara prej tij, të gjetura tek Buhariu dhe Muslimi, janë ato që ai i transmeton nga gruaja e tij Fatima bind Mundhir.

Një prej përpilimeve më të mira të fikut hanefi është kryevepra “Bedaja el-Sanaja” nga Imam Kasani, i cili ishte i martuar me Fatima el-Samarkandijeh, vjaza e Aladin el-Samarkandit. Ky libër është shpjegues i “Tuhfa el-Fukaha” i shkruar nga ky i fundit. Fatima ishte eksperte në Hadith dhe shkencat e tjera fetare. Nxënësit e Imam Kasanit tregojnë: “Ndonjëherë kur mësuesi nuk mund t’i përgjigjej ndonjë pyetjeje të vështirë, dilte nga klasa. Më vonë kthehej dhe e shpjegonte pyetjen me hollësi. Vonë mësuam se ai shkonte në shtëpi, ia bënte të shoqes të njëjtën pyetje dhe dëgjonte shpjegimin e saj”.

Gjithë shembujt e mësipërm janë fakte, që dëshmojnë kontributin e madh të grave në Islam. Shpresoj që ky artikull do të na japë mundësi t’i ndihmojmë gratë të arrijnë statusin dhe dinjitetin që u është dhënë nga paraardhësit tanë të devotshëm, bazuar në frymëzimin që ata kanë marrë nga mësuesi shembullor, profeti Muhamed (a.s).

Submitting your vote...
Not rated yet. Be the first who rates this item!
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

14/12/2017
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
05:13 06:5311:4213:5816:1817:47

Urtësi profetike

“Ai që e agjëron Ramazanin

dhe gjashtë ditë të tjera nga muaji Sheval,

është sikur të ketë agjëruar gjithë vitin”.

(Hadith)

Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook