By: Nexhat Ibrahimi

Disa copëza të diplomacisë së Muhammedit a. s.


Hyrje

Personaliteti i pejgamberit Muhammed a. s. është tejet kompleks, i gjallë dhe vështirë i pjesëzueshëm në pikëpamje apo aspekte të caktuara. Çdonjëri aspekt i jetës së tij është shembull dhe i pacenueshëm. Megjithëkëtë fakt, për hir të perceptimit më të lehtë të temës së shtruar, dijetarët e ndryshëm kanë studiuar jetën dhe veprën e tij dhe kanë ofruar copëza të caktuara nga jeta e tij, nga të cilat copëzime do ta kuptojmë mozaikun e madhështisë së pejgamberit tonë si i dërguar i Zotit, si qytetar, bashkëshort, prind, luftëtar, mësues, politikan, diplomat e të tjera.

Një ndër pikëpamjet më interesante, por jo edhe aq të hulumtuara, është edhe pikëpamja diplomatike[1]e Muhammedit a. s. Ky segment ka qenë kyç në zhvillimin e shoqërisë muslimane në përgjithësi, e sidomos në periudhën e bashkësisë së vogël muslimane rreth Muhammedit a. s. Më vonë, pas kohës së katër halifëve besimdrejtë, shumë sundues janë përpjekur të përvetësojnë atribute të Pejgamberit të dashur, të raportit të tij ndaj pushtetit, popullit dhe botës në përgjithësi.

Qëndrimi dhe aktiviteti diplomatikë i Muhammedit a. s. ka kontribuar që problemet e bashkësisë muslimane ai vetë t’i zgjidh paqësisht, me rrugë mirëkuptimi dhe me marrëveshje kontraktuese. Ky aktivitet ka ndikuar në zhvillimin dhe formësimin e politikës së jashtme dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare të qytetërimit islam në raport me perandoritë dhe qeveritë me të cilët kanë ardhur në kontakt. Si rezultat të këtij zhvillimi kemi edhe një terminologji të gjallë, si: dar’ul-harb (vendi i luftës, vendet me të cilat zhvillohet luftë), dar’ul-islam (vendi i Islamit, si territor i hilafetit, vendi ku praktika juridike islame është në praktikë), dhe dar’ul-sulh (vendi i paqes, marrëveshjes, vendet të cilat nuk janë nën pushtetin e halifatit, por me të cilat vendet janë lidhur kontrata paqësore)[2] e terma të ngjashme.

 

 

Diplomacia në Islam

 

Diplomacia mund të përkufizohet llojllojshëm, varësisht nga këndi politikë i trajtimit, por si nocion atë e karakterizon virtyti i paqes, dialogimit dhe mirëkuptimit. Gjatë historisë ka kaluar nëpër zhvillime të ndryshme, në pajtim me rrethanat e shteteve dhe kushtet brenda dhe jashtë kufijve të tyre. Edhe prijësit mekas mbanin bashkëpunim me grupet (fiset) jashtë Mekës dhe vendeve të tjera. Edhe jeta rinore e Muhammedit a.s. do t’i ndihmojë atij në zhvillimin e personalitetit diplomatikë. Aftësia dhe shkathtësia e tij që të kontaktojë, lidhë marrëveshje me prijës e liderë brenda Arabisë dhe jashtë saj do të ndihmojë në perfeksionimin e personalitetit diplomatikë.[3] Këtë ndjenjë dhe prirje të hershme e ka zhvilluar edhe më Allahu në Kur’an, duke dhënë orientimet më të mira se si duhet komunikuar brenda dhe jashtë vendit:

Thirr në rrugën e Zotit tënd me urtësi dhe këshillime të mira dhe diskuto me ata në mënyrë më të mirë!” (En-Nahl. 125).

Kjo urdhëresë është universale në përcaktimin e marrëdhënieve të muslimanëve me jomuslimanët (pjesëtarët e feve qiellore apo ateistët). Këtë postulat e afirmojnë edhe më ajetet kur’anore në suret:

“Dhe me ithtarët e Librit diskutoni në mënyrë më të mirë, përveç atyre të cilët janë tiranë, dhe thoni: ‘Ne besojmë në atë që na shpallet neve dhe në atë që u është shpallur juve, se Zoti ynë dhe Zoti juaj është – Një, dhe ne atij i dorëzohemi’.” (El-Ankebut, 46), me të cilin ajet konfirmohet sendërtimi i komunikimit ndërfetar dhe ndërkulturor;

Nëse anojnë kah paqja, edhe ti bëhu në anën e tyre dhe mbështetu në Allahun, sepse Ai me siguri dëgjon dhe di shumë.” (El-Enfal, 61), me të cilin ajet trajtohet shqyrtimi i marrëveshjeve paqësore  etj.

Parim mbi parim është postulati i tevhidit, monoteizmit, i cili është krucial në të gjitha marrëveshjet, bashkëpunimet dhe veprimet e përbashkëta. Kjo i urdhërohet Pejgamberit a.s. dhe të gjithë muslimanëve.[4]

 

 

Karakteristikat e praktikës diplomatike të Muhammedit a.s.

 

Tiparet kryesore të një diplomati, sikurse ndershmëria, bashkëndijesia, durimi, optimizmi, shkathtësia e të folurit dhe vepruarit, dëshira për ndryshime, altruizmi, pozicionimi i matur ndaj qendrave të ndikimit e të tjera, ishin pjesë përbërëse edhe të Muhammedit a.s. Ai këto virtyte i mori nga Krijuesi i tij qysh si fëmijë, i ri dhe i pjekur, për t’u bërë lider i umetit, bashkësisë universale njerëzore. Në rrafshin historikë Muhammedi a.s. shumë herët u ballafaqua me problemet e komunikimit brenda bashkësisë së tij, mekase, por edhe atë rajonale, shkuarja e tij në Taif, që rezultoi me dëbimin e tij të dhunshëm. Përkundër vështirësive optimizmi dhe durimi nuk mungoi. Në sendërtimin e misionit pejgamberik nuk e thyen as ofertat joshëse nga mekasit, as ‘ofertat’ kërcënuese nga mekasit.

Por, kemi edhe pjesën e ndritshme të diplomacisë, kontaktit dhe bisedimet me përfaqësuesit e Medinës (Jethribit) dhe gjuhën dhe mendjen e përbashkët drejt zgjidhjes së problemeve të Jethribit, që e kishin goditur për një kohë të gjatë. Zotimi i fiseve Evs dhe Hazrexh në vendin Akabë, se të frymëzuar nga Kur’ani, do të ndërpresin armiqësitë e ndërsjella, do të rezultojë me bashkësinë e Medinës, qytetin që paraqet themelin e të ardhmes njerëzore.

Diplomacia, largpamësia politike dhe njerëzore do të shihet qartë edhe në Kartën (Sahifën) e Medinës. Në këtë dokument u vendosën themelet e bashkëjetesës mes vetë muslimanëve dhe ndërmjet muslimanëve dhe feve të tjera. Edhe pse në Kartë në rrafshin fetar nuk kushtëzohej pranimi formal i Muhammedit a.s. për pejgamber, në rrafshin historik ata respektoheshin ndërmjet veti. Më vonë, do të shohim se si hebraikët nuk do të jenë konsekuent në aktivitetin e tyre, duke lidhur marrëdhënie të fshehta me armiqtë e muslimanëve.[5]

 

 

Marrëveshjet paqësore dhe zgjidhja e sfidave politike

 

Jeta e Muhammedit a.s. është përplot ngjarje interesante. Por, ngjarja e vitit 628 është e veçantë. Këtë vit muslimanët në Medinë vendosën ta kryejnë haxhin dhe mësynë Meken në mënyrë paqësore. Edhe mekasit, në mënyrë që t’i shmangen konfliktit, sepse do ta shkelnin traditën e mospendimit të njerëzve që vizitonin Qabenë, e dërguan Suhejlin që të merret vesh me muslimanët për joluftë. Muhammedi a.s. gjatë marrëveshjes vendosi disa rregulla që edhe sot janë të vlefshme në marrëveshjet ndërkombëtare, sikurse janë: përkufizimi i kufijve, zgjidhjen e krizave aktuale apo atyre eventuale, statusin e refugjatëve etj. Gjithë këtë proces e përshkon dialogimi, kompromisi, maturia, por edhe gjeturia në momente kur bisedimet shkojnë drejt një qorrsokaku.[6] Muslimanët detyroheshin për kompromis që të mund ta kryejnë haxhin, që muslimanët e mbetur në Mekë të gëzonin trajtim normal, kurse mekasit kishin interes që mos të luftonin, sepse luftërat i dërmonin politikisht, ekonomikisht e edhe në faktorin njeri, por edhe që të shfrytëzojnë rrugët, për karvanët e tyre tregtare, që i kontrollonin muslimanët dhe aleatët e tyre. Kjo marrëveshje që njihet si Ujdia e Hudejbisë nuk ishte tërësisht e favorshme për muslimanët, por ajo siguronte një stabilitet njerëzor biologjik, politik dhe ekonomik të muslimanëve. Përkundër disa mospajtimeve të muslimanëve për këtë marrëveshje, Kur’ani flet në favor të saj dhe e arsyeton vendimin dhe strategjinë e Muhammedit a.s. (Shih ajetet 1-30 nga sureja El-Fet’h).

Hudejbia është shembull eklatant i diplomacisë bashkëkohore, kur të dyja palët dialogojnë, diskutojnë, merren vesh, herë duke lëshuar pe e herë duke treguar fleksibilitet para palës tjetër, por pa e lëshuar tubimin, që do të mund të quhej diplomaci e detyrimit. Idhujtarët e Mekes ishin të kënaqur me rezultatin momental, kurse muslimanët ishin të kënaqur me paqen sepse ajo iu siguronte kohë për konsolidim, rritje dhe kthim triumfal në të ardhmen. Historia na tregon se muslimanët patën të drejtë, sepse muslimanët triumfalisht erdhën në Mekë shumë shpejt, kur mekasit shkelën marrëveshjen e arritur. Muslimanët në krye me Muhammedin a.s. dhe aleatët e tyre hynë në Mekë, pa hakmarrje e luftë, pa dëmtime njerëzish e pronash, duke e shpallur lirinë për të gjithë ata që shkaktuan dhunë, vrasje, uzurpim të pasurisë etj. Veprimi i Muhammedit a.s. për falje të përgjithshme, larg urrejtjes dhe hakmarrjes, e bëri Muhammedin a.s. shembull për tërë historinë muslimane dhe botërore.

Në ndërkohë, muslimanët vazhduan konsolidimin e brendshëm, thirrjen në Islam në fiseve të reja, lirimin e robërve kundrejt neutralitetit të tyre apo shpagimit, trajtimin e ankesave të të huajve lidhur me pronësinë e humbur etj. Në viset e reja që kishin pranuar Islamin dërgoheshin misionarë të urtë për mësimin dhe udhëzimin e tyre, që shquheshin për arsimim dhe edukatë solide. Kjo bëri që shteti islam të karakterizohet si bashkësi e dijes, e mësimit, e paqes, e mirëqenies.[7]

 

 

Diplomacia e shkruar

 

Krahas Kartës së Medinës dhe Marrëveshjes së Hudejbies, Muhammedi a.s. ka pasur korrespodencë të zhvilluar në kohën e tij. Një aspekt i kësaj diplomacie është dërgimi i misionarëve, të deleguarve special, për shtetet dhe perandoritë e asaj kohe. Ndër misionet më të rëndësishme janë ato me superfuqitë e atëbotshme, Persinë dhe Bizantin, mbretit etiopian etj.[8] Reagimet e tyre ishin te ndryshme: Husrevi (Kisrau) reagoi mjaft vrazhdë, duke e grisur letrën, por më vomë i biri i tij Kiri e pranoi Islamin, kurse Muhammedi a.s. këtë e bëri mëkëmbës të Jemenit.[9] Herakliti bizantin ishte i edukuar në përgjigje, por megjithatë e refuzoi pranimin e Islamit.[10] Mbeti etiopian, negusi, e pranoi me dashamirësi letrën, i ndihmoi muslimanët, dhe thuhet se e pranoi edhe fenë islame.[11]

 

 

Në vend për përfundimit

(Trashëgimia diplomatike e Muhammedit a.s.)

 

Jeta dhe vepra e Muhammedit a.s. është shembull për të gjithë besimtarët muslimanë por njëkohësisht është trashëgimi i shkëlqyeshme edhe për historinë e diplomacisë botërore në përgjithësi. Si njeri për të gjitha kohët dhe hapësirat, Muhammedi a.s. i dha zhvillimit material, intelektual, kulturor dhe shpirtëror të botës avancim të vlerave në fushën e diplomacisë. Duke i dhënë përparësi fjalës e jo luftës, ai tregoi se diplomacia ka hapësirë edhe gjatë konfliktit edhe gjatë paqes, edhe gjatë varfërisë edhe gjatë bollëkut.

Shembulli i tij i fjalës në vend të luftës, i faljes në vend të ndëshkimit, i diplomacisë në vend të përshkallëzimit të konfliktit, i respektimit të kontratave dhe marrëveshjeve në vend të shkeljeve të tyre, duhet të bëhet doracakë për diplomacinë botërore të komprometuar me ngjyrime ideologjike, hapësinore, fetare etj. Sundimi i të drejtës dhe shtetit ligjor, të udhëhequra në frymën e monoteizmit, janë postulate të domosdoshme për të ardhmen tonë, aktualisht të zymtë si në rrafshin politikë, ekonomikë etj.

 

Literatura:

 

  1. http://www.akos.ba/diplomatski-karakter-u-licnosti-poslanika-muhammeda-a-s/
  2. Ibn Hisham, Poslanikov zivotopis, Sarajevë, 1998
  3. Keith Hamilton, Richard Langhorne, The Practice of Diplomacy: Its Evolution, Theory, and Administration, Routledge, New York-London, 2011.
  4. Mahmoud Yousefvand,  Diplomatic Negotiations from Islamic Point of ViewJournal of Basic and Applied Scientific Research, br. 25/2 (2012).
  5. Martin Lings, Muhammed, Sarajevë, 2007.
    1. Muhamed Husejn Hejkel, Život Muhammeda a.s., El-Kalem, Sarajevo, 2004.
    2. Muhammed Hamdiullah, Muhammedi a.s. – Jeta dhe vepra, 1-2, Logos-A, Shkup, 2012.
    3. Nexhat Ibrahimi, Islami ka vend edhe për të tjerët, Logos-A, Shkup, 2008.
    4. Pravna enciklopedija, 1, Beograd, 1989.
    5. Sulltan Ahmed Kurejshi, Letrat e Muhammedit a.s., Shkup, 2004.
    6. Vehbi Sulejman Gavoçi, Muhammedi a.s. – Jeta dhe vepra, Logos-A, Shkup, 2012.

 


[1] Fjala diplomaci rrjedh nga gjuha greke “diploma”, që do të thotë i palueshëm, e që nënkupton aktin e sovranit në dy pjesë të paluar. Në politikën aktuale diplomaci do të thotë: politika e jashtme e një vendi; mjet i komunikimit ndërmjet dy subjekteve të së drejtës ndërkombëtare; grup njerëzish që një subjekt i të drejtës ndërkombëtare ia dërgon një tjetri në cilësi zyrtare që të bëjë përfaqësimin dhe të kryejë detyra të caktuara…. Sipas:  Pravna enciklopedija, 1, Beograd, 1989, fq. 249.

[2] Nexhat Ibrahimi, Islami ka vend edhe për të tjerët, Logos-A, Shkup, 2008, fq. 96. Krhs.: Keith Hamilton, Richard Langhorne, The Practice of Diplomacy: Its Evolution, Theory, and Administration, Routledge, New York-London, 2011, fq. 26, në: http://www.akos.ba/diplomatski-karakter-u-licnosti-poslanika-muhammeda-a-s/.

[3] Muhammed Hamdiullah, Muhammedi a.s. – Vepra, 2, Logos-A, Shkup, 2012, fq. 293 e tutje.http://www.akos.ba/diplomatski-karakter-u-licnosti-poslanika-muhammeda-a-s/

[4] Sipas: http://www.akos.ba/diplomatski-karakter-u-licnosti-poslanika-muhammeda-a-s/

[5] Martin Lings, Muhammed, Sarajevë, 2007, fq. 172 -177.

[6] Në: Mahmoud Yousefvand, Diplomatic Negotiations from Islamic Point of View“, Journal of Basic and Applied Scientific Research, br. 25/2 (2012), fq. 314, sipas: http://www.akos.ba/diplomatski-karakter-u-licnosti-poslanika-muhammeda-a-s/.

[7] Muhammedi a.s. megjithatë disa njerëz i ka dënuar për shkak të veprave të rënda: Dy njerëz vranë padrejtësisht në Medinë dhe ikën në Mekë, duke hequr dorë nga Islami, El-Huvejrithi i cili e kishte malltretuar të bijën e Muhammedit a.s. gjatë hixhretit dhe një robëreshë e cila me vetëdije e kishte mallkuar Muhammedin a.s. në poezitë e saj. Më gjerësisht shih: Muhamed Husejn Hejkel, Život Muhammeda a.s., El-Kalem, Sarajevo, 2004, fq. 458-460.

[8] Një analizë të hollësishme të letërkëmbimit të Muhammedit a.s. me prijësit e botës mund ta lexoni: Muhammed Hamdiullah, Muhammedi a.s. – Jeta, 1, Logos-A, Shkup, 2012, fq. 179 e tutje. Shih edhe: Sulltan Ahmed Kurejshi, po aty, fq. + 258.

[9] Sulltan Ahmed Kurejshi, Letrat e Muhammedit a.s., Shkup, 2004, fq. 114-115. Vehbi Sulejman Gavoçi, Muhammedi a.s. – jeta dhe vepra, Logos-A, Shkup, 2012, fq. 245-246.

[10] Ibid., fq. 108-113. Vehbi Sulejman Gavoçi, po aty, fq. 247-249.

[11] Ibn Hisham, Poslanikov zivotopis, Sarajevë, 1998, fq. 278 dhe Sulltan Ahmed Kurejshi, po aty, fq. 98-101 dhe 104-105. Vehbi Sulejman Gavoçi, po aty, fq. 242.

Marre nga: Zeriislam 

Submitting your vote...
Not rated yet. Be the first who rates this item!
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

23/11/2017
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
04:5506:3211:3414:0116:2317:49

Urtësi profetike

“Ai që e agjëron Ramazanin

dhe gjashtë ditë të tjera nga muaji Sheval,

është sikur të ketë agjëruar gjithë vitin”.

(Hadith)

Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook