By: Amer Halid

Dita e Kiametit


Të flasësh mbi ngjarjet e Ditës së Kiametit, është diçka shumë e rëndësishme dhe me vlerë. Me këtë, ne nuk synojmë të frikësojmë besimtarët dhe njerëzit apo të pretendojmë se dimë gjëra që të tjerët nuk i dinë. Ne do të flasim mbi ndodhitë që do të shoqërojnë Ditën e Kiametit jo për t'ua nxirë jetën njerëzve dhe për t'i frikësuar, por për t'i vënë në dijeni mbi atë që do të ndodhë, që të përgatiten. T'u kujtosh njerëzve botën tjetër, do të thotë që t'u bësh thirrje që të përgatiten për atë ditë. Ngjarjet e asaj Dite do të jenë tronditëse dhe rrëqethëse, prandaj duhet përgatitje dhe informacion. Ajo Ditë nuk mund të merret lehtë.

"...kjo është një Fjalë ndarëse, dhe nuk është aspak shaka!" (Tarik, 13-14)

Vetë fakti që 70 % e ajeteve të Kuranit përmbajnë informacion mbi ditën e Kiametit, është tregues mbi rëndësinë e kësaj Dite. Kjo vihet re sidomos në tre xhuzet e fundit të Kuranit. Duke qenë se jemi shkëputur emocionalisht nga Kurani, vihet re që suret dhe ajetet që flasin mbi botën tjetër, nuk na prekin siç duhet.

Ne duhet të jemi të përgatitur dhe të informohemi mbi ngjarjet e Ditës së Kiametit. Nuk ka përse të jetojmë të shkujdesur dhe të befasohemi një ditë me këto ngjarje. Hidhërimi dhe pikëllimi, do të jetë shumë i madh për ata që nuk janë përgatitur për atë ditë.

Me qëllim që  të përfitosh sa më shumë nga përshkrimi i ngjarjeve të Ditës së Kiametit, unë të këshilloj që leximin ta shoqërosh me imagjinatën tënde. Këtë metodë e hasim edhe në Kuran, ku Zoti i madhëruar thotë:"

"Ah, sikur t’i shohësh ata kur të dalin para Zotit! Ai do t’ju thotë: “A nuk është e vërtetë kjo?” Ata do të përgjigjen: “Po, është e vërtetë, për Zotin tonë!” Allahu do t’u thotë: “E pra, tani shijoni dënimin, sepse nuk besuat!” (En'am, 30)

Fjalët:"Sikur t’i shohësh" na bëjnë thirrje për meditim dhe për ta imagjinuar këtë moment.

"Sikur t’i shohësh ata kur të vihen para zjarrit, duke thënë:“Ah! Sikur të ktheheshim pas, nuk do t’i mohonim shpalljet e Zotit tonë dhe do të bëheshim besimtarë!” (En'am, 27)

 

Dita e Kiametit është shumë afër

Thotë profeti Muhamed a.s lidhur me Ditën e Kiametit:"Unë dhe Dita e Kiametit jemi dërguar si këta dy gishta" dhe i bashkoi."

Dikush mund të thotë: Nga koha kur Profeti a.s e ka thënë këtë hadith kanë kaluar njëmijë e katërqind vite.

Kësaj paqartësie i përgjigjet ajeti i Kuranit:"Një ditë te Zoti yt është sa një mijë vjet sipas llogarisë suaj." (Haxh, 47)

Argumentet mbi afrimin e Ditës së Kiametit janë të shumta në Kuran. Thotë Zoti në disa ajete:

"U afrua Ora" (Kamer, 1)

"Po u afrohet njerëzve dita për të dhënë llogari, por ata vazhdojnë të jenë të shkujdesur e të shmangur (nga e vërteta)." (Enbija, 1)

Ky ajet, sikur e përshkruan imtësisht gjendjen tonë, ku shumë njerëz janë të shkujdesur dhe indiferentë për atë që do të ndodhë së shpejti.

"Ata do t’i tundin kokat nga ti e do të pyesin: “Kur do të bëhet ajo?” Ti thuaju: “Mund të vijë shpejt!" (Isra, 51)

Me këtë temë, unë nuk synoj që t'ua nxjerr qejfit jetën e kësaj bote, të mbylleni në shtëpi dhe të prisni vdekjen dhe Ditën e Kiametit. Jo, unë dua që myslimanët të jenë më të suksesshmit në jetë, të kenë pasuri dhe të mira materiale. Por, të jenë të përgatitur për Ditën kur do të dalin para Zotit, të mos jenë indiferentë për Ditën e Kiametit. Unë dua që myslimanët ta kenë dynjanë në duart e tyre dhe jo në zemra. Unë dua që myslimanët ta kontrollojnë dynjanë dhe jo të kontrollohen prej saj. Unë dua që ata ta kenë në dorë dynjanë, dhe jo dynjaja t'i ketë në dorë.

Vlera e sinqeritetit është kur myslimani del në shoqëri, përzihet me njerëzit dhe vendos ura komunikimi me ta. Sinqeriteti i mbyllur mes katër mureve të dhomës është i padobishëm.

Ajo që e bën Ditën e Kiametit shumë të afërt, është dhe fakti se pas profetit Muhamed a.s nuk ka profetë të tjerë.

Një tregues tjetër për afrimin e Ditës së Kiametit, është se shejtanët e kanë rritur rendimentin e punës së tyre për devijimin e njeriut. Duke qenë të sigurtë se Dita e Kiametit është shumë pranë dhe misioni i tyre do të përfundojë së shpejti, ata e kanë shtuar punën. Degjenerimi dhe veprat e liga, janë shtuar në maksimum, në krahasim me para pesëdhjetë vite më parë.

Tregues tjetër është se të gjithë shenjat e vogla të Ditës së Kiametit, të paralajmëruara nga profeti Muhamed a.s kanë ndodhur. Nga këto shenja, është: Pirja e alkoolit në masë dhe reklamimi në media. Një shenjë tjetër, të cilën e ka profetizuar Profeti a.s është edhe përhapja e marrëdhënieve jashtëmartesore. Kur e përmendi Profeti a.s këtë shenjë, shokët e tij dhe myslimanët e asaj kohe nuk e perceptonin dot si do të përhapej imoraliteti dhe marrëdhëniet jashtëmartesore. Ata e perceptuan dhe kuptuan se njerëzit do të kryenin marrëdhënie jashtëmartesore në masë. Kurse sot, imoralitetin dhe marrëdhëniet jashtëmartesore i shohim në internet, në satelit dhe televizor etj... Ato kanë hyrë dhe depërtuar në çdo shtëpi.

Thotë Zoti në Kuran:"O njerëz, frikësojuni Zotit tuaj, sepse dridhja e Orës (së Kiametit), është vërtet një ngjarje e madhe!" (Haxh, 1)

Zakonisht, në raste tërmeti, njerëzit dalin jashtë banesave pasi ndihen më të sigurt, nuk ka çfarë t'u rrezikojë jetën. Kurse kur të dridhet toka Ditën e Kiametit, nuk do të ketë më vend më të sigurt se një tjetër. Atë Ditë, e gjithë toka do të dridhet si kurrë më parë. Më pas, Zoti përshkruan tmerrin e asaj dite dhe thotë:

"Ditën, që do të shihni atë, çdo grua me fëmijë në gji do ta harrojë fëmijën e saj dhe çdo grua shtatzënë do ta hedhë barrën e vet. Njerëzit do t’i shihni si të dehur, ndonëse ata nuk do të jenë të dehur, por dënimi i Allahut është i ashpër." (Haxh, 2)

Dita e Kiametit është Dita e zemërimit të Zotit. Që nga krijimi i tokës gjer atë Ditë, Zoti e la njerëzimin të lirë të veprojë ç'të dojë. Ata vepruan punë të liga, shkatërruan, dhunuan dhe shkelën kufijtë e Tij si deshën. Dita e Kiametit është dita kur Zoti do të zemërohet dhe do të vendosë drejtësinë.

"Qysh do të mbroheni ju, nëse mbeteni jobesimtarë, Ditën në të cilën fëmijët do të thinjen?" (Muzemil, 17)

Nga tmerri i kësaj Dite, edhe fëmijët e vegjël tetëvjeçare, të bukur dhe tërheqës, do u thinjen flokët nga tmerri që do të përjetojnë atë Ditë. Nëse kjo do u ndodhë fëmijëve të vegjël që nuk i njohin gjynahet dhe veprat e liga, ç'mund të themi për të rriturit dhe gjynahqarët që nuk u është skuqur fytyra nga veprat e liga që vepronin? ç'mund të themi për ata që kanë me dhjetëra vite që jetojnë të shkujdesur dhe larg Zotit?

"..ditën (e Kiametit) kur disa fytyra do të zbardhen e disa të tjera do të nxihen. Atyre që do t’u nxihet fytyra, do t’u thuhet:“Vallë, ju mohuat pas besimit?! Atëherë shijoni dënimin për shkak se nuk besuat! Kurse ato fytyra që do të zbardhen e do të shkëlqejnë, do të jenë në mëshirën e Allahut (në Xhenet), ku do të qëndrojnë përgjithmonë. ” (Al Imran, 106)

Me të filluar shenjat dhe treguesit e parë të Ditës së Kiametit, shumë fytyra do të nxihen nga frika dhe paniku që i kaplon.

"(Kini frikë) ditën, kur çdokush do ta gjejë përpara atë që ka punuar mirë dhe atë që ka punuar keq, duke dëshiruar që midis tij dhe së keqes së tij, të ketë largësi të madhe. Allahu ju paralajmëron që t’i ruheni Vetes së Tij. Allahu është i Butë e i Mëshirshëm me robërit e Vet." (Al Imran, 30)

Në çastin kur mendon për të ligat që ka vepruar, ai dëshiron të shkëputet sa më larg prej tyre, uron që të mos i kujtohen fare. Allahu na paralajmëron për atë që do të vijë, me qëllim që të druhemi dhe të mos i shkelim urdhrat dhe dispozitat e Tij.

"Atë Ditë keqbërësi do të hajë gishtat e duarve të veta, duke thënë: “Ah, sikur ta kisha marrë rrugën (e drejtë) me të Dërguarin Ah, sikur të mos e kisha bërë filanin mik! Ai më ka larguar nga Këshilla (Kurani) që më kishte ardhur!” (Furkan, 27-29)

Zakonisht, njeriu kafshon gishtat e tij në rast pendimi dhe pikëllimi. Por Ditën e Kiametit ai do të kafshojë jo vetëm gishtat, por të dy duart. Ai uron të mos ishte njohur me shokët/shoqet që e larguan nga  rruga e Zotit.

"për Ditën, kur ata do të paraqiten të zbuluar, kur asgjë e tyre nuk do të jetë e fshehtë për Allahun. Kujt i përket pushteti i asaj dite? Allahut, të Vetmit, Ngadhënjimtarit!" (Gafir, 16)

Atë ditë, gjithçka do të ekspozohet dhe askush nuk mund t'i fshihet Allahut të Gjithëpushtetshëm.

"në Ditën, kur askujt nuk do t’i bëjë dobi as pasuria, as fëmijët, përveç atij që vjen me zemër të pastër tek Allahu!” (Shuara, 88-89)

"Kjo është një ditë, kur ata nuk do të mund të flasin dhe nuk do t’u jepet leje për t’u shfajësuar." (Murselat, 35-36)

Ata që në këtë botë kanë folur gjithçka, kanë sharë, ofenduar, përfolur, përgojuar, kanë futur armiqësi mes njerëzve, kanë harruar përkujtimin e Zotit, i kanë kthyer shpinën librit të Zotit etj...  Ditën e Kiametit as nuk do kenë shansin të shfajësohen.

 

Emrat e Ditës së Kiametit

Dita e Kiametit ka shumë emra, të cilët përmenden në Kuranin famë lartë. Të gjithë emrat, të bëjnë të ndjesh se ajo ditë do të jetë e vështirë. Emri më i njohur, është Dita e Kiametit. Ajo ka marrë këtë emër, për shkak të qëndrimit (kiam) të gjatë para Allahut të madhëruar. Për të gjithë ata që i ka mashtruar jeta e kësaj bote, qëndrimi para Allahut të madhëruar do të jetë pesëdhjetë mijë vite. Secili prej nesh do të qëndrojë para Zotit pesëdhjetë mijë vite, pa lëvizur dhe pa vdekur.

"Ditën, kur të gjithë njerëzit do të dalin para Zotit të botëve?!" (Mutafifin, 6)

Ata që kanë kryer shërbimin ushtarak, e dinë më mirë dënimin duke qëndruar në këmbë në pikën e diellit. Ka ushtarë që nga lodhja dhe dielli i fortë, shemben përtokë. Kjo, edhe pse qëndrimi në diell nuk është veçse disa orë. çfarë mund të themi për qëndrimin para Allahut, qëndrim që do të zgjasë pesëdhjetë mijë vite nga vitet tona? Imagjinoje veten kur të kenë kaluar njëzet mijë vite dhe ke për të pritur edhe tridhjetë mijë të tjera. Përse sakrifikon kaq shumë o vëlla dhe oj motër? Përse duhet të qëndrosh kaq gjatë? Përse pranon të qëndrosh pesëdhjetë mijë vite, thjesht se nuk ke veshur hixhabin oj motër? Përse e pranon këtë dënim, thjesht sepse ke refuzuar të adhurosh Zotin dhe të qëndrosh pranë  Tij?

"Kur të dridhet Toka me tronditjen e saj (të fundit), kur të nxjerrë barrët nga brendia e saj e njeriu të thotë: “Ç’po i ndodh asaj?!” Atë Ditë ajo do të tregojë lajmet e saj, sepse Zoti yt e ka frymëzuar atë. Atë Ditë njerëzit do të paraqiten grupe-grupe, që t’u tregohen veprat e tyre:kush ka bërë ndonjë të mirë, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë, e kush ka bërë ndonjë të keqe, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë." (Zelzele, 1-8)

Thotë Abdullah ibnu Abasi:"Do të vazhdojë toka të dridhet dhe tronditet për pesëqind vite me radhë."

Për shkak të dridhjeve dhe tronditjes, toka do të nxjerrë në sipërfaqe gjithçka që gjendet në brendësinë e saj, mineralet, kufomat e varrosura dhe gjithçka tjetër. Duke parë këtë panoramë frikësuese, njerëzit do të fillojnë të pyesin:"ç'po i ndodh asaj?!" Toka do të fillojë të tregojë për gjynahet që njeriu ka vepruar mbi të. Ndoshta, ajo do i drejtohet njeriut me fjalët:"Ti je shkaktar për këtë që po më ndodh sot. A e kujton filan ditë, ku duke ecur sipër meje ke vepruar filan gjynah?

Ndoshta, toka mund t'i drejtohet edhe Zotit duke i thënë: O Zot i madhëruar! Unë kam qenë e bindur ndaj urdhrave të Tua dhe i kam lejuar të bëjnë ç'të duan. Unë nuk kam asnjë faj o Zot."

Në kohën e Umer ibnul Hattabit, ndodhi një tërmet në Medine. Ai qëndroi dhe gjatë kohës që toka dridhej, ai e pyeste:"Çfarë ke?" Duke qenë se nuk mori asnjë përgjigje, ai u tha njerëzve të tjerë:"Mos kini frikë! Nuk është koha e Kiametit."

Atë Ditë nuk do të shihen dy njerëz bashkë, secili në drejtim të kundërt nga tjetri. Të gjithë janë të lemerisur dhe nuk janë në gjendje të orientohen drejt njerëzve të tyre të dashur. Fëmijët do vrapojnë në një drejtim, prindërit në një drejtim tjetër. Bashkëshorti vrapon në një drejtim, kurse bashkëshortja në një drejtim tjetër.  

Ata që do të jenë si një grusht i bashkuar, do të jenë vetëm të devotshmit. Thotë Zoti i madhëruar lidhur me këtë:"

"Atë Ditë miqtë do të bëhen armiq të njëri-tjetrit, përveç të devotshmëve, që e kanë pasur frikë Allahun." (Zuhruf, 67)

Sado ta kenë dashur njëri-tjetrin në këtë botë, Ditën e Kiametit ata do shihen si armiq dhe hasëm. Përjashtim do të bëjnë vetëm të devotshmit, ata që miqësinë e kishin vetëm për hatër të Zotit.

Nëse e do gruan tënde shumë dhe dëshiron që mos ndahesh prej saj asnjë çast, qoftë dhe Ditën e Kiametit, jini të devotshëm dhe kijeni frikë Zotin nga gjynahet e kësaj bote. Pash Zotin o motër, mos prano të martohesh veçse me një njeri të ndershëm dhe të devotshëm. Mos prano të ndërtosh familje me dikë që nuk e njeh Zotin. Të mjerë janë ata djem të cilët caktojnë një listë kriteresh që duhet t'i plotësojë vajza me të cilën duan të martohen, dhe harrojnë kriterin më të rëndësishëm: përkushtimin fetar.

"Por, kur të vijë Ushtima, atë Ditë njeriu do të ikë nga i vëllai, nga e ëma dhe nga i ati, nga e shoqja dhe nga fëmijët e vet. Atë Ditë, secili prej tyre do të ketë aq shqetësim për veten, sa do t’i mjaftojë." (Abese, 33-37)

Imagjinoni një prind të cilit i vdes djali ose vajza në moshë të re, ose anasjelltas. Vallë si do të takohen sërish Ditën e Kiametit? A do të përqafohen dhe përloten kur të takohen? Jo. As nuk do të përqafohen dhe as nuk do të përloten, por do të ikin nga njëri-tjetri. Para se të hyhet në xhenet, nuk ka përqafime dhe mall, por vetëm panik dhe lemeri. Edhe pse ke me mijëra vite që nuk e ke parë nënën, me ta dalluar nga larg, nuk do shkosh ta përqafosh dhe ta puthësh, por do kthesh shpinën dhe do largohesh prej saj.

Thotë Zoti në Kuran:

"Gjëmimi i tmerrshëm! Ç’është Gjëmimi i tmerrshëm? Kush mund të ta shpjegojë ty se çfarë është Gjëmimi i tmerrshëm? Atë Ditë njerëzit do të jenë si fluturat e shpërndara." (Karia, 1-4)

Gjëmimi do të vijë si rezultat i tërmeteve, shkatërrimit të qiejve dhe tmerrit të asaj Dite. Për shkak të këtij gjëmimi, njerëzit do të shpërndahen të lemerisur nga frika, siç shpërndahen fluturat nga një zhurmë e madhe. Por kjo gjendje nuk do të jetë për të gjithë njerëzit. Përjashtim do të bëjnë besimtarët dhe njerëzit e ndershëm.

"kurse malet si leshi i shprishur." (Karia, 5)

Jo vetëm njerëzit janë në panik dhe tmerr, por edhe malet e përjetojnë këtë ditë. Ato e kanë humbur vetinë e forcës dhe ngurtësinë që i karakterizonte. Nëse malet janë bërë si lesh i shprishur nga frika, ç'mund të themi për ata njerëz që kanë jetuar të shkujdesur larg Zotit dhe rrugës së tij?

"Kur të arrijë gjëma më e madhe, atë Ditë njeriu do të kujtojë gjithçka që ka bërë. dhe Zjarri flakërues do t’i tregohet çdokujt që sheh." (Naziat, 34-36)

Atë ditë, çdo njeriu do i shfaqet shiriti i jetës së tij në këtë botë. Do i kujtohen të gjithë gjynahet, sado të vogla qofshin ato. Do i kujtohet çdo përgojim dhe përfolure. Ndërkohë, secili do i shfaqet para sysh zjarri i xhehenemit.

Prandaj është mirë që të përgatitemi për këtë ditë, me qëllim që të mos befasohemi dhe të na vijë e papritur. Abdullah ibnu Abasi, duke qenë se jetonte me këtë shqetësim, sa herë që dëgjonte zërin e bubullimave, ngrihej i shqetësuar dhe i pyeste njerëzit:"Mos po bëhet Kiameti?!"

"Në ditën, kur Shpirti (Xhebraili) dhe engjëjt do të jenë të rreshtuar, nuk do të flasë askush, përveç atij që do t’i japë lejë i Gjithëmëshirshmi e që do të thotë të vërtetën." (Nebe, 38)

Melekët, edhe pse janë krijesa të shpejta dhe gjigande, saqë sikur një melek të vendosë këmbën në tokë koka do i mbërrinte në qiell, do të rreshtohen nga frika dhe nuk do të flasin atë Ditë. Në një hadith, Profeti a.s thotë:"Zoti ka melekë, distanca mes dy syve të tyre është njëqind vite udhëtim."

"Ajo është Dita e Vërtetë, prandaj kush të dojë, le të kthehet te Zoti i vet (që në këtë jetë)." (Nebe, 39)

Sipas këtij ajeti, vetëm Dita e Kiametit është dita e vërtetë. Gjithçka tjetër, ka qenë iluzion, jo e vërtetë.

"Ta dini, se jeta në këtë botë, nuk është tjetër veçse lojë, dëfrim e zbukurim" (Hadid, 20)

Thotë Profeti a.s:"Kush dëshiron të dijë rreth Ditës së Kiametit, le të lexojë suren Tekvir, Infitar dhe Inshikak."

Nëse dëshiron ta shohësh Ditën e Kiametit njëlloj siç e sheh para syve, lexo këto sure.

"Kur qielli të çahet, duke dëgjuar me bindje Zotin e vet, siç e ka për detyrë" (Inshikak, 1-2)

Qielli që ka qenë frymëzim i poetëve dhe relaksues për sytë tanë, atë Ditë do e shohim të çahet dhe shpërbëhet para syve tanë.

"kur Toka të sheshohet (nga rrënimi i maleve) dhe të flakë atë që ka brenda e të zbrazet duke dëgjuar me bindje Zotin e vet, siç e ka për detyrë" (Inshikak, 3-4)

Duke qenë se është mbushur me kufomat e gjynahqarëve dhe mohuesve të Zotit, toka do i flakë jashtë të gjithë ata.

"atëherë ti, o njeri, që përpiqesh shumë, mundin tënd do ta gjesh te Zoti yt." (Inshikak, 6)

"Kur qielli të çahet dhe yjet të derdhen; kur detet të përzihen dhe varret të rrotullohen" (Infitar, 1-4)

Imagjinojeni atë Ditë, kur të shihni miliona meteorë, yje dhe planetë të përplasen dhe të bien. E gjitha kjo nga frika që kanë për Zotin.

"atëherë çdokush do të mësojë për veprat që ka bërë dhe që ka lënë pa bërë. O njeri, ç’të mashtroi ty që nuk i besove Zotit tënd bujar, i Cili të krijoi ty, të dha përmasa të rregullta dhe të harmonizoi dhe, që të ka mbrujtur në çfarëdo forme që ka dashur?! Por jo! Ju e quani të gënjeshtërt Gjykimin (pas ringjalljes), ndonëse mbi ju ka rojtarë (që ju vëzhgojnë), shënues të nderuar, që dinë gjithçka që bëni. Vërtet, punë drejtët do të jenë në Xhenet, kurse fajtorët, me siguri, do të jenë në Zjarrin flakërues, në të cilin do të digjen në Ditën e Gjykimit, pa mundur t’i shmangen atij. E kush do të ta shpjegojë ty se ç’është Dita e Gjykimit? Edhe njëherë: Kush do të ta shpjegojë ty se ç’është Dita e Gjykimit? Ajo është Dita, kur askush nuk do të ketë fuqi për të bërë gjë për ndonjë tjetër dhe, kur pushteti do të jetë vetëm i Allahut." (Infitar, 5-19)

Surja Tekvir, përmend dymbëdhjetë fenomene që e shoqërojnë Ditën e Kiametit, por që nuk do të përjetohen vetëm nga besimtarët. Thotë Zoti në Kuran lidhur me këtë:"Pa dyshim, miqtë e Allahut nuk do të kenë arsye për t’u frikësuar dhe as për t’u dëshpëruar. (Të tillë janë) ata që besojnë dhe që (i) frikësohen (Allahut) Ata i pret lajmi i mirë në këtë jetë dhe në tjetrën"(Junus, 62-64)

Vështirësia e asaj Dite, kuptohet nga vetë emri i sures, Tekvir (errësirë). Kjo errësirë do të ndodhë në mes të ditës, ashtu siç ndodh dhe eklipsi. Por ky do të jetë një eklips që zgjat pesëqind vite.

"Kur Dielli të mblidhet e të humbë shkëlqimin; kur yjet të rrëzohen dhe malet të lëvizin tutje;" (Tekvir, 1-3)

Diell që humb shkëlqimin dhe errësohet, yje që bien mbi tokë, male që nga frika dhe tmerri lëvizin. Po ti o vëlla dhe oj motër, në ç'gjendje do të jeni vallë? Si do e përjetoni këtë moment? Mos do të jeni duke qarë për kohën e çuar dëm?

"Kur të të pyesin ty (o Muhamed) për malet, thuaj: “Ato do t’i bëjë hi e pluhur Zoti im" (Taha, 105)

Një ndër shkaqet që Zoti çon shkatërrime, tërmete dhe vullkane në tokë, është që njerëzit të kujtojnë pikërisht Ditën e Kiametit. Të gjithë tërmetet që kanë ndodhur kohët e fundit, të gjithë vullkanet, stuhitë dhe ciklohet që shohim në Amerikë, nuk janë asgjë në krahasim me atë që do të ndodhë Ditën e Kiametit.

"kur devetë barrse të braktisen"(Tekvir, 4)

Devetë në kohën kur është shpallur Kurani, përfaqësonin pasurinë më të mirë. Pra, pasuritë më të shtrenjta dhe të mira, atë Ditë do e humbasin vlerën e tyre. Rrobat e bukura dhe të shtrenjta që blejmë, nuk do të kenë më asnjë vlerë. Makinat luksoze, telefonat celularë të markave të shtrenjta, llogaritë bankare në banka, vetë bankat etj... nuk do të kenë asnjë vlerë.

Ruaje veten o vëlla se mos bëhesh pre e kësaj bote dhe të mirave materiale, pasi në fund, ato do të jenë gjëja më pa vlerë.

"dhe egërsirat të tubohen"(Tekvir, 5)

Kafshët e egra do të mblidhen dhe tubohen pranë njëra-tjetrës për shkak të frikës dhe panikut. Atë Ditë do të shihet luani pranë drerit, sepse paniku dhe lemeria ua ka harruar gjithçka tjetër.

Thotë Ibnu Abasi:"Edhe mizat kanë frikë të qëndrojnë vetëm, por do të tubohen bashkë me kafshët e tjera." Krijesa e vetme që do të vrapojë më vete, do të jetë njeriu.

"kur detet të vlojnë"(Tekvir, 6)

Kurse uji i deteve nuk do të jetë më i ftohtë, por i nxehtë dhe do të vlojë. Jo vetëm kaq, por uji do të pësojë edhe shpërthime, të cilat ndjekin njeriun mbi tokë. Por një situatë të tillë kaq të frikshme, nuk do e përjetojnë besimtarët dhe njerëzit e mirë. Thotë Zoti në Kuran lidhur me këtë:"

"(Allahu do t’u thotë): “O robërit e Mi, për ju sot nuk ka frikë dhe as që do të pikëlloheni." (Zuhruf, 68)

"...kur foshnja e varrosur për së gjalli të pyetet për çfarë faji ishte vrarë." (Tekvir, 8-9)

Edhe pse mbi tokë janë vepruar gjynahe të tjera shumë të rënda, Kurani përmend atë më të kobshmen, varrosjen e vajzave për së gjalli. Vajzat gëzojnë respekt dhe vlerësohen nga Zoti. Një ndër shkaqet e rrënimit të jetës mbi tokë, është dhe ky krim që bënin arabët në kohën para islamit.  

"kur fletët të shpërndahen"(Tekvir, 10)

Në një çast, fletët dhe regjistrat ku janë regjistruar veprat e mira dhe të liga të secilit, do të mbushin qiellin.

"dhe qielli të zhvishet" (Tekvir, 11)

A keni parë ndonjë usta gjatë prishjes së suvasë së vjetër ose gjatë prishjes së pllakave për të shtruar pllaka të tjera? Në një gjendje të tillë do të jetë dhe qielli atë Ditë.

"Atë Ditë, Ne do të palosim qiellin, ashtu siç paloset letra e librit. Ashtu siç e filluam krijimin e parë, do ta përsërisim atë. Ky është premtimi Ynë. Ne do ta bëjmë këtë me të vërtetë" (Enbija, 104)

Atë ditë, qielli do të paloset siç paloset libri, pra nuk do të ekzistojë më diçka që quhet qiell.

Thotë Abdullah ibnu Abasi:"Qielli nuk do të prishet në një apo dy ditë, por do të prishet për pesëqind vite."

Kështu, njerëzit do të rrethohen nga errësira, detet që vlojnë dhe që shpërthejnë, rënia e yjeve, dridhjet e tokës, vullkanet, gjëmimet dhe shkatërrimi i qiellit. Asokohe njerëzimi do të përjetojnë kulmin e panikut dhe lemerisë.

"kur Xhehenemi të flakërojë" (Tekvir, 12)

Vetë zjarri i xhehenemit nxehet dhe ndizet edhe më fort. Thotë Profeti a.s:"Zjarri të cilin e ndizni në këtë botë, është një pjesë nga shtatëdhjetë pjesët e zjarrit të xhehenemit." Shokët e tij i mbuluan kokat – si shenjë frike – dhe i thanë:"O i dërguar i Allahut! Për Zotin, po të ishte sa zjarri i kësaj bote do të ishte i mjaftueshëm."

Profeti a.s u tha:"Zoti e ka ndezur për një mijë vjet derisa u skuq. Më pas e ndezi edhe një mijë vite të tjera derisa u zbardh. Në fund e ndezi edhe një mijë vite derisa u nxi. Tashmë ai është i zi dhe i errët."

Zjarri i xhehenemit do të tërbohet edhe më shumë Ditën e Kiametit, pasi edhe vetë Zoti është i zemëruar atë Ditë me gjynahet që ka vepruar njeriu mbi tokë.

Fenomeni i fundit universal që do të shihet atë ditë është ajo që përmendet në këtë sure:

"dhe Xheneti të afrohet"

Kjo është për besimtarët, të cilët nuk do i vënë re fatkeqësitë e lartpërmendura, pasi do të dallojnë xhenetin të afrohet. Ndërkohë që të gjithë njerëzit e tjerë janë të lemerisur, qajnë dhe ulërijnë, besimtarët buzëqeshin teksa shohin xhenetin të afrohet. I pa të meta është Ai që bashkon mes dy të kundërtave në një kohë dhe në një vend. Aty ku është frika, paniku dhe lemeria më e madhe e jobesimtarëve dhe gjynahqarëve, gjendet shpresa dhe qetësia e besimtarëve.

Qëndro për disa minuta vetëm në një dhomë dhe përpiqu t'i imagjinosh këto çaste. Vallë ku e sheh veten, mes gjynahqarëve dhe jobesimtarëve, apo mes besimtarëve? Përpiqu t'i kujtosh gjynahet që ke vepruar dhe vepron, njëlloj siç do i kujtoje po të gjendeshe Ditën e Kiametit.

Vallë a do jesh nga ata që buzëqeshin kur të shohin xhenetin, apo nga ata që kafshojnë duart nga pikëllimi dhe hidhërimi? Vallë a do të qeshësh, apo do të qash me lot gjaku? Vallë a do i përqafosh fëmijët e tu dhe prindërit, apo do ikësh prej tyre? Vallë a do i kesh shokët e kapur për dore – nëse kanë qenë besimtarë – apo do i mallkosh? Vallë cilët janë shokët e tu o vëlla dhe cilat janë shoqet e tua o motër?

 

Pas pesëqind vitesh

Pasi të kenë kaluar pesëqind vite në këtë gjendje, Zoti do të thërrasë Israfilin, melekun të cilit i ka besuar fryrjen e Surit. Briri (Sur) të cilit do i fryjë Israfili, nuk është si çdo lloj briri tjetër. Me një fryrje, i gjithë njerëzimi dhe të gjithë krijesat do të vdesin dhe do të shuhen. Zoti do i thotë Israfilit:"O Israfil! Fryji bririt!"

Pasi t'i fryjë bririt, gjithçka me jetë dhe çdo gjallesë do të shuhet.

"Kur do t’i fryhet Surit, do të vdesin të gjithë ata që gjenden në qiej dhe në Tokë." (Zumer, 68)

"se, kur të fryhet në Sur, ajo do të jetë një ditë e rëndë. Për jobesimtarët nuk do të jetë aspak e lehtë." (Muddethir, 8-10)

Thotë Profeti a.s:"Do i fryhet Surit, vrima e të cilit është sa gjerësia e qiejve dhe e tokës. Prandaj i frikësohuni asaj fyerjeje!" Ne shqetësohemi në maksimum, nga boria e një makine që nuk pushon. Imagjinoni si do të jetë oshtima e Surit, vrima e të cilit është sa gjerësia e qiellit dhe e tokës.

Kur e dëgjuan shokët e tij hadithin e mësipërm, e pyetën:"E çfarë të bëjmë o i dërguar i Allahut?"

Profeti a.s u përgjigj:"Thoni: Hasbi Allahu ve nimel vekil (më mjafton Allahu që është Garantuesi më i mirë).

Thotë Profeti a.s në një hadith tjetër:"Si të kënaqem në këtë botë, ndërkohë që meleku i bririt e ka kapur në dorë bririn, ka ulur ballin, ka hapur veshin, ka ngritur vetullën dhe pret kur të urdhërohet që t'i fryjë surit. Me t'i fryrë Surit, do të vdesë gjithçka që ka jetë."

Ku është shkenca që të na mbrojë nga ajo ditë? Ku është teknologjia? Ku janë dijet dhe aftësitë e njerëzve? Ku është stacioni hapësinor NASA? Gjithçka do të përfundojë sa hap e mbyll sytë dhe nga një e fryrë.

"Kur do t’i fryhet Surit, do të vdesin të gjithë ata që gjenden në qiej dhe në Tokë, përveç atyre që do Allahu." (Zumer, 68)

Vetëm katër melekë do të mbesin të gjallë nga fryrja në Sur dhe ata janë: Xhibraili, Mikaili, Israfili, mbajtësit e Arshit dhe meleku i vdekjes. I gjithë njerëzimi dhe të gjithë gjallesat e tjera, u shuan nga një e fryrë në Sur. Tashmë nuk ka më mbretër dhe perandorë, nuk ka më ushtri të pathyeshme, nuk ka më as superfuqi, nuk ka Amerikë, nuk ka qiej dhe nuk ka tokë.

Më pas, Zoti do të thërrasë:"O meleku i vdekjes, kush ka mbetur gjallë?"

Meleku i vdekjes do të përgjigjet:"Ka mbetur robi Yt Xhibrili, Mikaili, Israfili, mbajtësit e Arshit dhe unë meleku i vdekjes”.

Zoti do i thotë melekut të vdekje: “O meleku i vdekjes, merre shpirtin e Xhibrilit”. Dhe kështu i merret shpirti Xhibrilit.

Zoti e pyet më pas përsëri: “O meleku i vdekjes, kush ka mbetur tani?"

Meleku i përgjigjet: “Ka mbetur Israfili, Mikaili, mbajtësit e Arshit dhe unë robi Yt, meleku i vdekjes”.

“O meleku i vdekjes – do i thërrasë Zoti- merre shpirtin e Israfilit”. Dhe i merret shpirti Israfilit.

Më pas pyet Zoti: “O meleku i vdekjes, kush ka mbetur”?

“Ka mbetur Mikaili, mbajtësit e Arshit dhe unë robi Yt, meleku i vdekjes”- do i përgjigjet.

“O meleku i vdekjes, merre shpirtin e Mikailit”- do e urdhërojë Zoti. Dhe kështu do i merret shpirti.

Përsëri Zoti do pyesë: “O meleku i vdekjes, kush ka mbetur tani”? “Unë robi Yt o Zot, meleku i vdekjes”.

Zoti do pyesë: “O meleku i vdekjes, kush ka mbetur tani”? “Unë robi Yt o Zot, meleku i vdekjes dhe mbajtësit e Arshit”.

“O meleku i vdekjes – do urdhërojë Zoti- merre shpirtin e mbajtësve të Arshit”. Kështu meleku i vdekjes ua merr shpirtin mbajtësve të Arshit.

“O meleku i vdekjes – do urdhërojë Zoti më pas - merre shpirtin e melekut të vdekjes”. Kështu meleku i vdekjes e merr shpirtin e tij.

Tashmë nuk ekziston asgjë tjetër në univers përveç Allahut të madhëruar, Krijuesi dhe i Gjithëpushtetshmi. I pa të meta je o Zot, nuk të kemi adhuruar ashtu siç e meriton. Edhe pse ne i thyejmë urdhrat e Tij natë e ditë, Ai vazhdon të na furnizojë me të mira materiale.

Thotë Umran ibnu Husejn:"Erdhi një grup njerëzit nga Jemeni tek i dërguari i Zotit dhe e pyetën:"O i dërguari i Zotit. Kemi ardhur të mësojmë më shumë mbi fenë tonë dhe të të pyesim mbi fillimin e krijimit."

Profeti a.s u përgjigj:"Ekzistonte vetëm Zoti dhe nuk ekzistonte gjë tjetër veç Tij."

Pas kësaj, Zoti do të thërrasë:“Kujt i takon sundimi sot? Kujt i takon sundimi sot”? Askush nuk do të përgjigjet, pasi askush nuk jeton më.

Më pas do të përgjigjet vetë Allahu duke thënë:“Allahut, të Vetmit, Ngadhënjimtarit”. (Gafir 16)

Thotë Profeti a.s:"Toka do të mbetet në këtë gjendje për dyzet." Se çfarë janë këta të dyzet, nuk dihet. Profeti a.s nuk e përmend sepse shifrat dhe koha e kanë humbur vlerën tashmë. Tashmë nuk ekziston fare nocioni kohë, orët, ditët, javët, muajt e vitet nuk llogariten fare.

Ku janë mbretërit këtë ditë? Ku janë tiranët? Ku janë gjynahqarët? Ku janë indiferentët e shkujdesur? Gjithçka është kthyer në asgjë sot. Ata njerëz që janë mashtruar nga fuqia e tyre, ata që janë mashtruar nga rinia, ata që janë mashtruar nga hijeshia, ata që janë mashtruar nga aftësitë e tyre, ata që janë mashtruar nga pasuritë etj... do të kthehen në hiç atë Ditë.

Pasi të kalojnë dyzet, Zoti do thërrasë Israfilin:"Ngrihu o Israfil!" dhe ngjallet Israfili. Ai do i thotë:"O Israfil! Fryji Surit për herë të dytë!"

"Kur do t’i fryhet Surit, do të vdesin të gjithë ata që gjenden në qiej dhe në Tokë, përveç atyre që do Allahu; pastaj do të fryhet për të dytën herë në Sur dhe ata përnjëherë do të ngjallen e do të presin." (Zumer, 68)

Me t'i fryrë për herë të dytë Surit, të gjithë eshtrat dhe kockat fillojnë të mblidhen dhe u jepet jeta sërish. Shpirtrat shkojnë dhe hyjnë tek fiziku i tyre. Ai që i krijoi për herë të parë, do i ringjallë sërish.

"Kur Ibrahimi tha: “O Zoti im! Tregomë si i ngjall të vdekurit!” – Zoti i tha: “A nuk beson?” - “Besoj” - iu përgjigj Ibrahimi, “por dëshiroj të më qetësohet zemra.” Allahu i tha:“Merr katër zogj dhe copëtoji. Shpërnda në çdo kodër nga një copë prej tyre pastaj thirri! Ata do të të vijnë me të shpejtë. Dhe ta dish se Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë.” (Bekare, 260)

I njëjti proçes do të ndodhë me njerëzit dhe krijesat Ditën e Kiametit. Atë Ditë do të tubohen eshtrat, gjaku dhe mishi dhe do të presin shpirtin. Më pas, Zoti do i urdhërojë shpirtrat:"O shpirtra! Kthehuni tek fiziku juaj!"

Kështu kthehen shpirtrat tek fiziku dhe njerëzit fillojnë të dalin nga varret. Përfytyroje veten atë Ditë, i shtrirë në varr, goja, veshët, sytë dhe hunda të mbushur me dhe. Ti del nga varri dhe fillon të pastrosh trupin nga dheu. Kështu e përshkruan Profeti a.s momentin kur njeriu del nga varri. Të gjithë njerëzit, kur dalin nga varri do të jenë lakuriqë, pa rroba. Ata nuk kanë ujë me të cilin të pastrohen dhe të lahen. Ngado që të shohësh, do të dallosh njerëz që thërrasin:"Vetja ime, vetja ime".

Të gjithë njerëzit, do të gjenden në tokën e Mahsherit, vendi ku do të japin llogari për veprat e tyre në këtë botë. Profeti a.s e përshkruan këtë vend me fjalët:"Ajo është një tokë e bardhë dhe pa asnjë shenjë." Ajo është një tokë me ngjyrë të bardhë, nuk ka asnjë bimë dhe pemë, as gropa dhe as kodra. Vallë ku është Zoti në ato çaste? Askush nuk e di. Po melekët? Ata nuk gjenden në atë vend. Aty do të jemi vetëm ne njerëzit. Njerëzit do të tubohen në atë vend të ngushtë, frymëmarrja bëhet në fytyrat e njëri-tjetrit dhe trupat do ngjiten për njëri-tjetrit.

E lusim Zotin e madhëruar të na e lehtësojë atë ditë!

Submitting your vote...
Not rated yet. Be the first who rates this item!
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus
01/08/2014
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
03:3805:3012:5416:4720:0621:46

Urtësi

“Unë besoj tek e drejta ime për liri

dhe tek e drejta e vendit

tim për të jetuar.

Ky besim është më i fortë

se të gjitha armët.” 

Umer Muhtar 

 

Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Hutbe

Flash is required!

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook