By: KATHLEEN ST. ONGE

Drejt përsosjes së një profeti


Besimi në Profetin Muhamed (paqja qoftë mbi të) është një nga shtyllat e besimit Islam. Ndaj, kur ndokush hedh ndonjë hije dyshimi mbi karakterin e tij, bota myslimane ndjehet thellësisht e armiqësuar. Ende disa thënie janë ekstreme në negativizmin e tyre dhe shumë jomyslimanë kanë vërtetë pikëpyetje në lidhje me Profetin e Islamit; kush ishte ai dhe përse myslimanët e pranojnë atë në një nivel të tillë kaq të plotë? Kur hyra së pari në Islam nga Krishtërimi përpara dy vjetësh, edhe unë ia bëra vetes sime këtë pyetje. Myslimanët besojnë në pastërtinë e tij me gjithë zemër. Unë i admiroja ata, por ende isha rob i një mentaliteti laik tejmase racional. Nëse unë duhet ta pranoja Profetin plotësisht, do të më duhej të bindesha me logjikë.

Miqtë e mi myslimanë më flisnin shpesh rreth punës së tij të lodhshme, rreth karakterit të tij të patëmeta dhe rreth virtyteve të tij të panumërta. Ironikisht, sa më shumë që ata flisnin për përsosmërinë e tij, aq më shumë rezistoja unë. Këto gjëra më sillnin ndër mend zellin e madh të krishterëve për Jezusin, paqja qoftë mbi të. Rreziku vjen nga teprimi në lutje -papritur një profet i mrekullueshëm mund të ngrihet në një status më të lartë se një njeri i vdekshëm. Ashtu si shumë kristianë të sotëm dhe ish-kristianë, unë nuk besoja që Jezusi ishte Zot dhe nuk kisha dëshirë të flisja me një gjuhë të tillë e cila të ngrinte ndonjë profet aq lart.

Ndaj, sa herë që lexoja rreth profetit, unë lutesha për mbrojtje ndaj keqkuptimeve të mia, ndaj paragjykimeve të mia kulturore. Pastaj, një ditë, hasa në një tregim të bukur rreth Profetit kur ishte fëmijë dhe ishte nën kujdestarinë e një beduini.

Gjatë kohës që ai jetoi tek ai fis, ata kishin të korra të mbara dhe bagëti plot qumësht. Beduinët u bindën se ai ishte mjaft i veçantë. Unë e pashë Zotin të kujdeset për fëmijët në jetën time dhe t’i ndihmojë ata në mënyrë të pashpjegueshme në kohë veçanërisht të vështira. Kështu, Allahu deshi që nëpërmjet tregimit për beduinët, të hapej një portë për mua.

Dalëngadalë, duke lexuar më tepër, muret rreth zemrës sime filluan të shembeshin. Poligamia ishte e pranueshme për myslimanët, hebrenjtë, kristianët dhe politeistët e asaj kohe. Por Profeti pati shumë gra dhe jomyslimanët mezi pritën ta përmendnin këtë si shenjë perversiteti. Cila ishte e vërteta sipas logjikës? Së pari, ai i qëndroi besnik një gruaje për mëse 25 vjet derisa ajo vdiq, megjithëse ajo ishte 15 vjet më e madhe në moshë. Pas vdekjes së saj, ai u martua me dy gra brenda pak vitesh -njëra vejushë e moshuar dhe e varfër e një miku të vjetër dhe tjetra vajza e dashur e shokut të tij më të mirë dhe përkrahësit të tij besnik. E dyta, Aishja e dashur (Zoti qoftë i kënaqur prej saj), ishte një grua e re e shkëlqyer dhe e mrekullueshme të cilën ai e kishte njohur që nga lindja e saj. Ajo kishte qenë ndër të parat që kishte hyrë në Islam dhe mbeti një nga të besuarat e tij më të afërta gjatë gjithë jetës së tij, ashtu siç qe edhe një historiane e talentuar. Duke pasur mundësinë të martohej vetëm me atë, përse duhej që ai të vepronte ndryshe? Ajo i kishte të gjitha ato që ai dëshironte si fizikisht, emocionalisht, intelektualisht ashtu edhe shpirtërisht, dhe për këtë arsye ai zgjodhi të qëndronte nën shoqërinë e saj gjatë lëngatës së vdekjes. Megjithatë ai u martua edhe me të tjera më vonë, me kushërira të largëta, me gra të kulturave, grupmoshave, cilësive fizike dhe pozitave shoqërore të ndryshme, shumica e të cilave sillnin me vete fëmijë që ia shtonin përgjegjësitë atij dhe të cilat do të kishin qenë të destinuara të jetonin në skamje si gra të veja nëse nuk do t’u shtrihej dora e mëshirës me anë të kërkesave të tij. Martesat e tij u bënë shkas për forcimin e aleancave ndërmjet popujve që kishin qenë të përçarë deri në ato momente si Koptët e Egjiptit, Hebrenjtë, fiset luftarake arabe dhe afrikane dhe për shkuljen e rrënjëve të racizmit dhe shtypjes shoqërore. Njëkohësisht shtëpia e tij u bë shkolla e parë e Islamit, ashtu siç gratë e tij dhe fëmijët e tyre u bënë ambasadorë të Islamit mes njerëzve të tyre, duke arritur në këtë mënyrë si pranimin, ashtu edhe zgjerimin e tij. Është thjesht mungesë logjike të mendosh që një njeri rrotull të pesëdhjetave apo të gjashtëdhjetave, tashmë me një bashkëshorte të re e të përkryer, të kërkonte të ndërlikonte jetën e vet duke shtuar njerëz të tjerë në shtëpi, përfshirë këtu edhe pinjollë të burrave të tjerë vetëm e vetëm për të kënaqur dëshirat e tij seksuale. Është e qartë se jeta e tij komplekse shtëpiake qe pjesë e thirrjes së tij dhe në asnjë mënyrë nuk u reflektua ndonjë shmangie në këtë drejtim nga ana e tij.

Imazhi i Profetit si luftënxitës ishte një pikë tjetër grindjeje në të cilën e gjeja veten kur debatoja me të afërmit e mi kristianë. Falë leximeve të shumta, konkluzioni që unë kisha nxjerrë ishte se ai ishte thjesht një njeri me mendime krejt ndryshe nga botëkuptimet e mëparshme dhe kjo nuk është e lehtë të përballohet në asnjë vend dhe në asnjë kohë. Ai luftoi për të mbrojtur vetveten dhe bashkësinë e tij si dhe për të mbrojtur të drejtën e tij dhe të të tjerëve për të shprehur hapur besimin e tyre. Ai e bëri këtë në mënyrë madhështore, por përsosmëria është e vështirë për t’u pranuar nga dikush. Një shikim i thjeshtë i bazuar në fakte në lidhje me vendimet e tij flet më mirë se çfarëdolloj thënieje. Ai mund të kishte ndenjur në shtëpinë e tij i qetë me pak fëmijë e nipër nëpër këmbë, në rehati dhe në paqe. Përkundrazi, atë e gjeje në fushën e betejës, me gurë të lidhur në bark për të përballuar urinë dhe duke e larë trupin me rërë. Ai nuk u bë i pasur dhe as nuk u tërhoq në jetën e tij private, përkundrazi, ai mbeti i varfër, i këputur, i shqetësuar dhe i kërcënuar. Ai nuk u bë objekt adhurimi për askënd -argument për këtë është fakti se myslimanët e festojnë lindjen, vdekjen dhe thirrjen e tij thjesht si ditë reflektimi dhe lutjesh. Ditët e shenjta Islame janë të lidhura ngushtë me mesazhin e Islamit -nënshtrimit ndaj Zotit të vetëm dhe jo ndaj njeriut. Nëse ai do të kishte qenë vërtetë megaloman, ashtu siç thonë ata që i kundërvihen ashpër argumenteve Islame, atëherë përse nuk “trilloi” ajete Kuranore me anën e të cilëve t’i detyronte myslimanët ta konsideronin atë më lart se Profetët e tjerë dhe ta bënin atë objekt adhurimi? Përkundrazi, ai përmendet me plot respekt në Kuran si një shembull i mrekullueshëm për njerëzimin, një i pashkolluar nga gjiri i popullit të tij dhe thjesht si një i dërguar. Mesazhi është gjithmonë i qartë: të gjitha adhurimet i takojnë vetëm Allahut e jo Profetit.

Megjithatë, në një tjetër sulm që jomyslimanët i bëjnë karakterit të tij, këmbëngulet se Profeti Muhamed, paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi të, i mori të gjithë informacionet nga njerëz të tjerë dhe ai thjesht “rrëfeu përrallat e të vjetërve.” Edhe kjo thënie nuk përmban logjikë. Përpara së gjithash, Profeti e shpenzoi shumicën e kohës përpara se ai të niste t’i ftonte njerëzit në Islam, me tregtarë e jo me dijetarë. Këta dijetarë karvanësh dinin “pak nga të gjitha” ngaqë kishin udhëtuar ngado, por që nuk pritej prej tyre t’i njihnin çështjet e kësaj bote në mënyrë të thelluar. Shumica e tyre ishin edhe ata analfabetë, me një nivel edukimi të përshtatshëm vetëm për tregti, por Kurani përmban detaje të hollësishme në lidhje me popujt e shkuar dhe doktrinat fetare si dhe rreth gjeologjisë e historisë njerëzore. Thellësia e njohurive të rrëfyera në to është shumë e madhe për të qenë thjesht gojëdhëna të mbledhura në një bashkëbisedim qoshesh midis tregtarësh. Këto njohuri kërkojnë arsimim të plotë për t’i mësuar edhe sot, e jo më para 1400 vjetësh kur kishte vetëm një numër të vogël tekstesh dhe instrumentesh shkencore e edhe më pak përkthime. Ku bazohen kundërshtarët tij kur supozojnë se ai mund t’i ketë përvetësuar këto njohuri diku tjetër? Kjo do të kishte kërkuar biseda të përditshme me njerëz të mençur në një kohë luftërash të shumta, një jete familjare të ngarkuar, namazesh të panumërta, si dhe misionit të përhapjes së mesazhit tek të tjerët. Për më tepër, ai nuk kishte takuar ndonjëherë ndonjë mësues nga raca njerëzore, madje as armiqtë e tij nuk kanë pretenduar kurrë se ai mund të kishte një të tillë.

Në fakt, disa kundërshtarë të flaktë ngulin këmbë që Muhamedi ishte mashtrues dhe se e gjente frymëzimin nga çmenduria e tij. Por nëse kjo do të ishte e vërtetë, si është e mundur atëherë që ai arriti të administronte njëkohësisht një shtëpi të madhe e komplekse me shumë gra e fëmijë, një administratë të koklavitur të ndërtuar mbi baza aleancash midis popujve me sfond të ndryshëm fetar, social-kulturor, politik dhe ekonomik dhe të hidhte themelet e stabilitetit të shtetit Islam si për atë kohë ashtu edhe për të ardhmen? Manovrat politike dhe ushtarake të Profetit janë të ruajtura në dokumente historike me vëllime të njëpasnjëshme të botuara si nga myslimanët ashtu edhe nga jomyslimanët. Dhe realiteti bazë është se ai nuk mund të ketë qenë njëkohësisht edhe i çmendur edhe pafundësisht pragmatist. Për më tepër, nëse qëllimi i tij do të kishte qenë të mashtruarit e njerëzve, përse nuk përdori taktikat më gjerësisht të pranuara në atë kohë? Magjia për shembull është e thjeshtë për t’u mësuar? Përkundrazi, sipas të dhënave të cilave i referohen edhe jobesimtarëve, ai e urrente iluzionizmin.

Po për “njohuritë e reja” që përmban Kurani si zbulimet shkencore në lidhje me rrotullimin e Tokës, shpejtësinë e dritës, shtresat e atmosferës, krijimin e yjeve, ndarjen e oqeaneve, llojet e shkëmbinjve, origjinën e shiut, llojet e bimëve, ndërrimin e muskujve të njeriut, formimin e embrionit, origjinën e hekurit e kështu me radhë, ç’mund të thuhet? Nga të gjithë librat e tjerë të shenjtë në botë, vetëm Kurani përmban të dhëna të verifikueshme shkencore. Cili burim i vdekshëm mund t’ia ketë rrëfyer të gjitha këto Profetit? Askush. Dhe çfarë del si përfundim? Meqenëse këto fakte nuk ka qenë e mundur të verifikoheshin deri pak kohë më parë, çfarë dobie do të kishin ato për bindjen e njerëzve në atë kohë? Asnjë. Në qoftë se Profeti do të kishte pasur për qëllim t’ia mbushte mendjen njerëzve me anë të disa dokumenteve të trilluar prej tij vetë, përse u mor me materiale të cilat do t’i dukeshin çdokujt të pakuptimta edhe për 1000 vjet të tjera e edhe më tepër? Në të vërtetë, në qoftë se ai thjesht shpresonte për përfitim personal, për të bërë një jetë të lehtë, ai do ta kishte pasur më mirë të mos bënte zë dhe ta harronte krejtësisht Kuranin. Unë e vërej në jetën time se sa më e lehtë do të ishte marrëdhënia me të afërmit në qoftë se nuk do të isha konvertuar në Islam. Profeti Muhamed i kishte humbur që më përpara babain, nënën dhe gjyshin kujdestar. Përse ai nuk duhej ta gëzonte e ta kënaqte të vetmin që kishte ngelur nga familja e tij, xhaxhain e tij të dashur dhe të aderonte në politeizëm? Përse ai nuk duhej të pushonte qetësisht në shoqërinë mekase si një bashkëshort i mbarë, baba i mirë dhe anëtar i nderuar i bashkësisë?

Fakti është që Profeti Muhamed ishte një njeri që punonte shumë, i shkëlqyer, kurajoz, dhe një njeri me botë shpirtërore të thellë, i cili dha gjithçka kishte në këtë jetë për të shpjeguar besimin Islam mes kundërshtimeve të tmerrshme, duke sakrifikuar pasurinë, familjen, shëndetin dhe rehatinë e tij personale. Synimi i tij i vetëm ishte të bindte çdo njeri që donte të dëgjonte për të adhuruar një Zot të vetëm e jo atë. Në më pak kohë sesa njerëzit e tjerë shpenzojnë për të marrë një arsim bazë, ai projektoi sistemin e parë të mirëqenies në botë, duke ngritur një politikë të shëndetit kombëtar në pastërti, dietë dhe kujdes parandalues, i cili është ende i vlefshëm sot; ai shfuqizoi skllavërinë, eliminoi vrasjen e foshnjave vajza dhe diskriminimin gjinor në jetën familjare dhe trashëgimi, e kapërceu racizmin; i orientoi miliona e miliona njerëz të fuqishëm e pasionantë drejt konservatorizmit seksual si dhe e bindi tërë popullin dhe brezat e tij të hiqnin dorë nga alkooli. Çfarë është më e rëndësishmja, ai është personalisht përgjegjës për faktin se një miliard njerëz në mbarë globin falen çdo ditë duke përkujtuar Allahun vazhdimisht. Me saktësi precize ai transmetoi një mesazh hyjnor një pjesë e të cilit -të vërteta shkencore- nuk kishin domethënie për të dhe për asnjëri në atë kohë. Profeti ishte kompetent në të gjitha fushat e ekzistencës dhe arriti pothuajse më shumë se kushdo -disa mund të thonë më shumë se kushdo tjetër- që ka jetuar ndonjëherë. Për më tepër, arritjet e tij përbëjnë fakte historike të verifikueshme lehtësisht nga çdo njeri me vullnet për të lexuar në cilëndo bibliotekë nëpër botë. Kështu ne mund të kuptojmë se përse myslimanët e pranuan Profetin Muhamed aq plotësisht -sepse jeta e tij ka qenë dhe do të jetë gjithmonë drita e cila do të tregojë udhën drejt asaj çfarë është më e dukshme dhe më e arritshme.

Marre nga: www.profetimuhamed.info

Submitting your vote...
Not rated yet. Be the first who rates this item!
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

21/07/2017
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
03:20 05:2012:5416:5020:1622:02

Urtësi profetike

“Ai që e agjëron Ramazanin

dhe gjashtë ditë të tjera nga muaji Sheval,

është sikur të ketë agjëruar gjithë vitin”.

(Hadith)

Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook