Dy përfundime të ndryshme


 

Herakliu ishte mbret i bizantëve dhe njohës i mirë i Ungjillit. Ai kishte një mik të tijin në Romë, i cili ishte edhe ai njohës i mirë i Ungjillit. Ky person gëzonte një pozitë mjaft të madhe tek njerëzit, madje edhe më të madhe se vetë Herakliu.

Secili prej këtyre dy njerëzve me pozitë mori një pozicionim të ndryshëm nga tjetri, kur Profeti (a.s) i ftoi, që të pranonin mesazhin hyjnor, megjithëse që ty dy e dinin mjaft mirë, se profeti Isa (r.a) kishte paralajmëruar për ardhjen e profetit Muhamed (a.s). Për shkak të pozicionim të ndryshëm që pati secili prej tyre, patën përfundime të ndryshme, si në këtë botë ashtu edhe në botën tjetër.

Pak kohë përpara se Profeti (a.s) t’i dërgonte Herakliut letrën, ku e ftonte për të pranuar mesazhin hyjnor, Ebu Sufjani dhe disa kurejshë ishin duke bërë tregti në Siri, e cila ishte provincë e perandorisë Romake të Lindjes (më vonë do të njihet me emrin Bizant). Në këtë kohë, perandori pas një ëndrre që kishte parë, u tha vizitorëve të oborrit të tij në Siri: "E pashë rënien e Perandorisë dhe ndaj nesh do të triumfojë një popull, që nuk ka fenë tonë". Në fillim ai mendoi se ky popull ishin hebrenjtë, madje i shkoi në mend që të vriste të gjithë hebrenjtë, të cilët jetonin nën sundimin e tij. Mirëpo më vonë arriti një emisar i sunduesit të Basrës, i cili kishte një porosi për perandorin, të cilit i tha: "O perandori Herakli! Në qytet ka disa arabë, të cilët flasin për ngjarjet e mrekullueshme që kanë ndodhur në vendin e tyre" dhe pastaj i rrëfeu për atë që kishte dëgjuar për Profetin (a.s).         

Kur Herakliu e dëgjoi këtë, i urdhëroi ushtarët: "Shkoni dhe gjeni dikë, i cili do të më flasë më hollësisht rreth kësaj. Ushtarët shkuan dhe gjetën vetëm Ebu Sufjanin dhe shokët e tij, të cilët i sollën përpara perandorit. Herakliu pyeti: "A ka ndonjë prej jush, që është në farefisni me Muhamedin"?

"Unë jam" - u përgjigj Ebu Sufjani.

Perandori iu drejtua atij, duke menduar se Ebu Sufjani e njeh Profetin (a.s) më mirë se të tjerët. Mes tyre u zhvillua ky dialog:

- Herakliu: "Më thuaj se ç`pozitë ka Profeti (a.s) në fisin tuaj"?

- Ebu Sufjani: "Ai është më i miri i familjes tonë të çmuar".

- Herakliu: "A ka qenë ndonjë prej etërve të tij mbret"?

- Ebu Sufjani: "Jo".

- Herakliu: "A i ka thënë dikush përpara tij ato gjëra që i thotë ai"?

- Ebu Sufjani: "Jo".

- Herakliu: "A është akuzuar ndonjëherë për gënjeshtër apo mashtrim"?

- Ebu Sufjani: "Kurrë".

- Herakliu: "Po për idetë, mendimet dhe për aftësitë e tij të të menduarit".

- Ebu Sufjani: "Kurrë dhe askush nuk ka gjetur ndonjë gabim apo nuk ka shfaqur ndonjë fije dyshimi në mendimet e tij".

- Herakliu: "Kush e ndjek më shumë atë: të pasurit apo i të varfërit"?

- Ebu Sufjani: "Të varfërit".

- Herakliu: "A rritet apo zvogëlohet numri i ithtarëve të tij"?

- Ebu Sufjani: "Rritet dhe gjer më sot asnjë nga ithtarët e tij nuk e ka braktisur".

Pastaj perandori filloi të pyesë për çështje të tjera:

- Herakliu: "Nëse bën marrëveshje, a e mban atë"?

- Ebu Sufjani: "Po".

- Herakliu: "A ke luftuar ndonjëherë kundër tij"?

- Ebu Sufjani: "Po. Disa herë kemi triumfuar ne dhe disa herë ka triumfuar ai, por kurrë nuk e ka shkelur marrveshjen e paqes".

- Herakliu: "Për çfarë i urdhëron njerëzit"?

- Ebu Sufjani: "Të adhurojnë vetëm një Zot. Ai i ndalon njerëzit të adhurojnë atë që kanë adhuruar baballarët e tyre, u thotë t’i luten Allahut, të japin sadaka, ta mbajnë fjalën e dhënë, si dhe t’i kryejnë detyrat dhe obligimet e tyre".

Ebu Sufjani fliste të vërtetën - megjithëse ishte armik i Profetit (a.s) - nga frika se mos ndonjëri prej shokëve të tij ia përgënjeshtronte fjalën përpara perandorit.     

Më pas Herakliu tha:

"Të pyeta për marrëdhëniet farefisnore me të dhe ti më the se jeni i afërt. Kështu janë të Dërguarit e Zotit, ata fillimisht kanë ftuar farefisin dhe popullin e tyre.

Të pyeta nëse dikush i ka thënë më parë ato fjalë që thotë ai sot dhe ti the jo. Sikur dikush tjetër të kishte thënë fjalë të tilla para tij, do të mendoja se ai është një njeri që imiton të tjerët.

Të pyeta nëse ndonjë prej etërve të tij ka qenë mbret dhe ti më the jo. Sikur dikush prej të parëve të tij të kishte qenë mbret, do të mendoja se qenka një njeri që kërkon pushtetin e të parëve të tij.

Të pyeta nëse e keni akuzuar për gënjeshtar, përpara se të thoshte këto fjalë dhe ti më the jo. Unë e di, se ai nuk gënjen njerëzit, si mund të jetë gënjeshtar ndaj Zotit.

Të pyeta se kush e ka përqafuar më shumë ftesën e tij - paria apo shtresa e ulët - dhe ti më the, se e kanë përqafuar njerëzit e thjeshtë dhe të pambrojtur. Zakonisht këta kanë qenë ithtarët e profetëve.

Të pyeta nëse shtohen apo pakësohen ata që e ndjekin dhe më the se numri i tyre sa vjen dhe shtohet. Kjo ndodh me çështjen e besimit, derisa shpallja të plotësohet.

Të pyeta nëse ndonjëri e ka braktisur fenë nga urrejtja që ka për të dhe më the jo. Zakonisht kështu ndodh me njerëzit, pasi besimi hyn në zemrat e tyre.

Të pyeta nëse e mban apo fjalën e dhënë dhe ti më the që e mban fjalën e dhënë, ndërsa profetët asnjëherë nuk e tradhtojnë besimin e tyre.

Në fund të pyeta se për çfarë ju urdhëron dhe ti më the, se ju urdhëron të besoni Allahun dhe të mos adhuroni zota të tjerë përveç Tij. Ju urdhëron të falni namazin, të jepni sadaka e të jeni të ndershëm.

Në fund perandori tha: "Nga gjithë kjo po shoh, se ai është me të vërtetë profet. Fakti se ithtarët e tij nuk e braktisin, dëshmon se ata kanë besim të vërtetë, ngase besimi që hyn në zemër, nuk del kollaj prej saj. Unë e dija se ai do të vinte dhe nëse kjo që ju më thatë është e vërtetë, atëherë ai (mesazhi i tij) do të sundojë në këtë vend. Po të isha në vendin tuaj, unë do t’ia laja këmbët. Tani mund të shkoni".

Medito për këtë dialog dhe për pyetjet që Herakliu ia drejtoi Ebu Sufjanit. Mënyra se si ai e zbuloi se ky njeri - i cili ishte nga Kurejshët - ishte profeti, për të cilin Isai (a.s) pati profetizuar se do të vinte. Ai nuk e kishte parë Profetin (a.s), por u bind në profetësinë e tij vetëm nga përshkrimi që i bëri armikut i tij (Ebu Sufjani).

Me gjithë këto fakte, ai nuk besoi. Ai i dërgoi një letër mikut të tij në Romë, për të marrë një mendim prej tij rreth çështjes së profetit Muhamed (a.s). Më vonë, Herakliut i erdhi përgjigja nga miku i tij, i cili e përkrahte mendimin e Herakliut, se njeriu në fjalë ishte profet.

 

Çfarë ndodhi me Herakliun dhe mikun e tij?

Miku i tij tha: “Ky është profeti, për të cilin kanë paralajmëruar profetët Musa dhe Isa. Ky është profeti, të cilin po e prisnim. Unë do ta besoj dhe do ta ndjek". Ai kishte veshur një rrobë të zezë, prandaj e hoqi dhe në vend të saj veshi një rrobë të bardhë. Më pas mori shkopin dhe doli përpara romakëve në kishë, duke deklaruar: "O romakë! Na ka ardhur një mesazh nga Ahmedi, i cili na thërret të besojmë Allahun. Unë dëshmoj, se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe Ahmedi është rob dhe i dërguari i Tij". Ata iu vërsulën të gjithë menjëherë dhe e vranë.

Kur Herakliu dëgjoi, se çfarë bënë romakët me mikun e tij - duke e ditur se miku i tij ishte më i dashur për romakët sesa ai vetë - i dha përparsi jetës së kësaj bote. Ai deshi të dijë reagimin e njerëzve që kishte përreth në lidhje me besimin në profetësinë e Profetit Muhamed (a.s). Në Hims, ai mblodhi parinë e romakëve dhe pasi i mbylli dyert, u tha: "O fisnikë të Romës! A dëshironi që të jeni të shpëtuar, që sundimi juaj të jetë i përhershëm. Jepini besën këtij profeti". Ata menjëherë u vërsulën nga dyert, por i gjetën të mbyllura. Kur pa këtë lloj reagimi dhe se ishte e pamundur që ata të besonin në profetësinë e Profetit Muhamed (a.s), u tha: "Këto fjalë ua thashë, për t’ju sprovuar se sa të qëndrueshëm jeni në fenë tuaj dhe këtë e vërtetova me sytë e mi". Pas kësaj ata iu përulën të gjithë në sexhde. Këtu përfundon historia e Herakliut.

Dy përfundime krejt të ndryshme nga njëri-tjetri. Të parin e kundërshtuan dhe e goditën derisa e vranë, ndërsa të dytin e madhëruan dhe iu përulën. Kush prej të dyve ishte më i lumturi? Herakliu doli i humbur apo i fituar? A vërtet qe i lumtur përfundimi i tij?

Ajo që Herakliu pati frikë se mos i ikte nga duart, realisht u zhduk. Salltanetet dhe zbukurimet e sundimit të tij u zhdukën njëherë e përgjithmonë. Po ashtu u harrua edhe dhimbja që përjetoi miku i tij. Njeriu i mençur e shikon të ardhmen e tij me vizion të qartë, në mënyrë që të mos e humbasë atë, përpara se të jetë vonë. Allahu i Lartësuar thotë: “Kur ata e panë ndëshkimin Tonë, thanë kemi besuar Allahun dhe e mohojmë adhurimin e idhujve. Mirëpo ky besim i tyre nuk vlen, në kohën kur ata përjetojnë ndëshkimin Tonë. Ky është ligji i Allahut për robërit. Me të vërtetë jobesimtarët kanë humbur”. [Gafir: 84-85].

           

            

Submitting your vote...
Not rated yet. Be the first who rates this item!
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

20/09/2017
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
04:47 06:2012:4216:0718:5020:13

Urtësi profetike

“Ai që e agjëron Ramazanin

dhe gjashtë ditë të tjera nga muaji Sheval,

është sikur të ketë agjëruar gjithë vitin”.

(Hadith)

Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook