By: Xhasim Elmutava

Edukimi i fëmijëve në Islam


Falënderimet më të sinqerta janë për Zotin e Madhëruar, paqja dhe përshëndetjet tona për profetin Muhamed a.s, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij.

Padyshim që edukimi i fëmijëve, sidomos në kohët ku jetojmë, është një nga sfidat më të mëdha të prindërve. Në çdo rast që ulesh me një baba apo nënë, është e vështirë të shpëtosh pa dëgjuar prej tyre hallet dhe problemet që kanë me edukimin e fëmijëve.

Kur fëmijët janë të vegjël, në vitet e para të jetës, kanë hallet dhe vështirësitë e tyre. Me të filluar shkollën, vështirësitë ndryshojnë dhe marrin formë tjetër, por nuk pakësohen. Kur fëmijët fillojnë të rriten dhe të hyjnë në moshën e adoleshencës, vuajtjet dhe vështirësitë, që hasin prindërit, shtohen. E njëjta gjë ndodh edhe pasi fëmijët të kenë mbushur të njëzetat.

Një nënë, më shkruante në e-mail dhe kërkonte mendimin tim, se si ta bindë djalin e saj njëzet e tre vjeçar të falë namazin.

Shqetësimet dhe preokupimet e prindërve mbi mënyrën më efikase të edukimit dhe korrigjimit të sjelljeve të fëmijëve të tyre, janë të shumta.

Duke qenë se edukimi i fëmijëve është diçka e vështirë dhe komplekse, ne i ofrojmë lexuesve tanë këtë lëndë, me të cilën urojmë t`i vijmë në ndihmë të gjithë prindërve, që ndajnë këtë shqetësim.

Vetëm duke përvetësuar aftësitë edukative, ne mund të nxjerrim breza të ndershëm dhe të suksesshëm, si në aspektin shoqëror ashtu dhe në atë shpirtëror.

Edukimi i fëmijës në Islam, nuk është përgjegjësi vetëm e nënës. Madje, tek muslimanët e parë ishte traditë, që fëmijët i dorëzoheshin një dijetari, i cili i mësonte dhe i edukonte njëkohësisht.

Vetë Halifeja musliman, Harun Reshidi i dërgoi fëmijët e tij të edukohen tek një i ditur dhe edukator. Të merreshe me edukimin e fëmijëve asokohe, do të thotë të ishe një ndër njerëzit me të ditur dhe me ndikim.

Sulltan Muhamed Fatihu, i cili çliroi dhe Kostandinopojën, ishte edukuar nga tre dijetarë të mëdhenj. Një prej tyre i mësonte mënyrën e sjelljes, i dyti i mësonte dijet fetare dhe gjuhët e huaja – Sulltan Muhamed Fatihu fliste shtatë gjuhë – dhe i treti merrej me edukimin fizik, artet e luftës dhe kalorësinë.

Edhe pse tradicionalisht janë prindërit ata, që duhet të kujdesen për edukimin e fëmijëve të tyre, në Islam njihet dhe forma tjetër, ku fëmijët i dorëzohen një të dituri dhe edukatori.

 

Objektivi i edukimit

Përse duhet ta edukoj fëmijën tim? Cili është objektivi, që duhet të synoj me edukimin e fëmijës? Për çfarë duhet ta përgatis atë?

Me edukimin e fëmijëve, ne synojmë përgatitjen e tyre për të qenë mëkëmbës në tokë dhe njëkohësisht të adhurojnë Zotin që i krijoi.

Ne duhet ti edukojmë fëmijët tanë me frymën e besimit në Zot dhe me pasionin për ta adhuruar Atë siç duhet.

Ashtu siç fëmijët kanë detyrime ndaj prindërve të tyre, ashtu dhe prindërit kanë detyrime ndaj fëmijëve.

Babai duhet të shpenzojë kohë dhe energji, me qëllim që fëmijën ta formojë, që t`i përshtatet misionit të njeriut mbi tokë, mision që konsiston në adhurimin e Zotit të Madhëruar dhe mbarëvajtjen e jetës në tokë.

Zoti thotë në Kuranin famëlartë: ”I kam krijuar Xhindet dhe njerëzit, vetëm që të më adhurojnë.” (Dharijat 56)

 

Koncepti i edukimit

Doktori Abdurrahman El-Bani, një ekspert shumë i njohur në fushën e edukimit, e ka përmbledhur konceptin e edukimit të fëmijëve në katër pika dhe këtë e ka bërë vetëm pas shumë studimeve dhe hulumtimeve. Këto katër pika janë:

  1. Kujdesi për mbrojtjen e natyrës së pastër të brezit të ri.
  2. Zhvillimi i talenteve dhe prirjeve të fëmijës.
  3. Orientimi i natyrës së pastër të fëmijës, drejt virtytit dhe moralit.
  4. Shkallëzimi në zbatimin e këtij proçesi.

 

Procesi i edukimit, nuk është proces aq i lehtë sa ç’mund ta imagjinojnë shumë njerëz. Ne mund ta krahasojmë atë me mjeshtërinë, që kërkon gdhendja e një guri. Një gurskalitës, sa herë që gdhend në gurin e synuar, e kthen nga të katër anët, e vështron me vëmendje, përsëri i kthehet punës, duke punuar me imtësi dhe kujdes të madh. Me këtë punë, ai përpiqet t`i japë një formë të caktuar gurit që ka përballë. Ai duhet të jetë shumë i kujdesshëm dhe i përpiktë gjatë skalitjes. Po kaq i kujdesshëm dhe i përpiktë duhet të jetë dhe edukuesi i fëmijës. Prindi ose edukatori, duhet të jetë gjithmonë i vëmendshëm me fëmijën, ai duhet t`i kontrollojë sjelljet dhe çdo sjellje të pahijshme, duhet ta gdhendë me urtësi, derisa ta eliminojë.

Të gjithë këto e bëjnë edukimin e fëmijës të vështirë. Zoti e ka krijuar njeriun nga balta dhe veçoria e baltës është, se ajo ndikohet nga faktorët e jashtëm. Kështu, në një ambient të nxehtë ajo bymehet, ndërkohë që në ambient të ftohtë tkurret.

Po kështu edhe njeriu ndikohet nga faktorët e jashtëm. Sëmundjet, uria, etja, udhëtimet etj... ndikojnë drejtpërdrejt në formimin e njeriut. Prandaj, personi që merret direkt me edukimin e këtij njeriu, duhet t`i ketë parasysh këto luhatje.

Ndodh shpesh herë, që fëmija ta refuzojë një sjellje apo vlerë, e cila është në interesin dhe dobinë e tij. Ne duhet të përpiqemi me të gjithë format, derisa fëmija ta përftojë dhe thithë këtë sjellje dhe vlerë. Padyshim, që diçka e tillë është art dhe këtë art më së miri e gjejmë të mishëruar në jetëshkrimin dhe traditën e profetit Muhamed a.s.

Për të treguar rëndësinë e edukimit në mënyrë graduale dhe të shkallëzuar, do të tregojmë një histori të ndodhur në Argjentinë. Personazhi kryesor i historisë është një musliman me emrin Muhamed, i cili jeton në Argjentinë që prej tridhjetë e pesë vitesh. Ai është nga personat e parë, që hodhën gurët e themelit të veprimtarive islame në Argjentinë.

Vetë ai tregon: ”Shumica e muslimanëve që kanë emigruar në Argjentinë, patën harruar gjithçka që kishte të bëjë me fenë. Atyre nuk u kujtohej asgjë nga feja, përveç emrave të tyre.

Në xhaminë që kemi ngritur, numri i personave që vijnë të falen është shumë i ulët. Një ditë, në xhami hynë katër vajza të veshura me rroba shumë të shkurtra. Kur i pa me këtë veshje, imami i xhamisë u kërkoi të dalin jashtë. Unë ndërhyra dhe pasi e korrigjova sjelljen e imamit, i pyeta vajzat se përse kishin ardhur.

Ato më thanë: ”Kemi ardhur të falemi”!

Unë u thashë: ”Atëherë urdhëroni, faluni”!

Imami ndërhyri përsëri dhe u tha: ”E çfarë namazi do të falni ju me këtë veshje?! Namazi juaj nuk ka asnjë vlerë”.

Unë iu drejtova imamit dhe i thashë: ”Të lutem më lër mua të merrem vesh me to”!

Pas pak, i thirra këto katër vajza adoleshente dhe u thashë: ”A dëshironi që para se të faleni të vishni diçka më të gjatë”?!

Ato më thanë: ”Jo, ne duam të falemi kështu siç jemi”!

I pyeta: ”Mirë, por mos është hera e parë që faleni”?!

Ato u përgjigjën: ”Po, është hera e parë që duam të falemi”.

Unë u thashë: ”Atëherë nuk prish punë, faluni si të doni”!

Ndërkohë që ato faleshin, imami ziente përbrenda. Unë i kërkova të tregohej më i duruar. Pasi vajzat përfunduan, unë u fola pak rreth fesë dhe ato u larguan. Kjo i bëri, që të vijnë dhe të nesërmen për t’u falur. Të nesërmen përsëri u falen po me ato rroba të shkurtra  dhe refuzuan të veshin diçka tjetër më të gjatë. Unë fillova ti forcoj lidhjet me këto vajza dhe për një muaj rresht, ato filluan të falen dhe i dëgjonin bisedat e mia me interes.

Këto katër vajza, janë përgjegjëset e veprimtarive dhe aktiviteteve me gratë në Argjentinë”.

Ne duhet të ndërgjegjësohemi, që procesi edukativ ndryshon nga një vend në tjetrin. Ai që edukon dhe edukohet në vendet arabe, ndryshon nga një që edukohet në perëndim dhe këta të dy ndryshojnë nga dikush, që edukohet në Azinë e largët.

Prandaj në procesin edukativ ne duhet të kemi parasysh shkallëzimin, kohën, vendin dhe personin. Është e gabuar, që për një sjellje të gjykojmë njëlloj, duke e shpërfillur kohën, vendin dhe individin.

 

Dobitë e edukimit

Përse duhet ta edukoj djalin dhe vajzën time? Çfarë dobie ka edukimi në të ardhmen e këtyre fëmijëve?

Disa njerëz, e konceptojnë edukimin e fëmijëve si përfitim të vetë prindërve në radhë të parë. Duke i edukuar fëmijët me edukatë të mirë, ata mendojnë, se të parët që përfitojnë, janë prindërit e këtyre fëmijëve.

Në fakt, dobitë e edukimit janë shumë më të mëdha se kaq. Edukimi i fëmijëve sjell dobi politike, ekonomike, shoqërore, fetare etj...

Edukimi i mirë i fëmijëve, ndikon drejtpërdrejt në formimin e shëndoshë të shoqërisë. Një fëmijë i mirë edukuar, është i suksesshëm në shkollë, i suksesshëm në punë, i shërben zhvillimit të vendit, veprave bamirëse etj... Kjo, pasi këto vlera edukative dhe shoqërore i ka mësuar në familje dhe tashmë është koha ti vërë në jetë.

Duke qenë se fëmija është mirë edukuar, tek ai shtohet dëshira dhe pasioni për t’u ngritur dhe për të korrur suksese sa më të mëdha. Një njeri i mirë edukuar, është më rezistent ndaj gjynaheve dhe i lufton pa hezitim veset e këqija.

Një nga dobitë e edukatës së mirë tek fëmijët, është se fëmija mësohet të ndërhyjë dhe korrigjojë të metat, që sheh në shoqërinë ku jeton.

Edukata e mirë i përngjan farës, të cilën e mbulojmë me dhe` për të mbirë. Sa më mirë të mbulohet, sa më shumë të kujdesemi, ta vadisim dhe prashitim, aq më e fortë do të dalë bima.

Edhe fëmija, sa më mirë që ta edukojmë, aq më i fortë dhe i dobishëm do të jetë për shoqërinë.

Veç sa përmendëm, edukimi i fëmijëve përbën një nga kriteret e zhvillimit dhe përparimit të një kombi. Ata kombe, të cilët sot janë të përparuar dhe të zhvilluar, e kanë arritur këtë me anë të edukimit të brezave ndër vite.

Një herë, ndodhesha në një konferencë për fëmijët dhe të rinjtë. Konferenca organizohej në Çikago, U.S.A. Ajo që më befasoi ishte një vajzë katërmbëdhjetë vjeçare, e cila mbajti një fjalë për gati një orë. Dëgjuesit përbëheshin nga fëmijë dhe të rritur, numri i të cilëve ishte mbi pesë mijë. Gjatë ligjëratës e cila zgjati një orë, asnjë nga fëmijët nuk bëri qoftë dhe një lëvizje, që tërheq vëmendjen e të tjerëve.

Në vendet tona, është e pamundur që fëmijët të qëndrojnë për një orë rresht pa lëvizur, pa u zënë me njëri-tjetrin, pa u goditur dhe pa u ngacmuar. I prekur nga kjo që pashë, vajta tek personi që drejtonte konferencën dhe e pyeta: ”Si është e mundur, që fëmijët në këtë konferencë vetëm dëgjonin, pa bërë as zhurmën më të vogël”?!

Drejtuesi i konferencës u përgjigj: ”Ne i edukojmë fëmijët tanë edhe mbi mënyrën si të dëgjojnë dhe si të flasin kur t’u vijë radha. Këtë edukatë, fëmijët tanë e përvetësojnë në shtëpi, para se ta përvetësojnë në shkollë”.

Duke u ofruar fëmijëve tanë një edukatë sa më të mirë, ne i shërbejmë shoqërisë në formën më të mirë. Sa më shumë ta neglizhojmë edukimin e fëmijëve, aq më shumë individë indiferentë do të kemi në shoqëri.

Përveç sa përmendëm, edukimi i shëndoshë e mëson fëmijën, të krijojë sa më shumë lidhje me shoqërinë ku jeton. Ai është i prirur të krijojë miqësi dhe shoqëri me të gjithë.

Një dobi tjetër shoqërore e edukatës së shëndoshë është, se fëmija mëson të bashkëpunojë me të tjerët. Në vitet e para të fëmijërisë, çdo fëmijë e ka të theksuar egon. Ata kërkojnë që çdo gjë të jetë vetëm e tyre. Edhe diçka që nuk është e tij, por që i pëlqen, ai kërkon ta përvetësojë. Ajo që e frenon këtë dëshirë për të përvetësuar gjithçka, padyshim që është edukata e mirë dhe e shëndoshë.

Zoti thotë në Kuranin famëlartë: ”Kushdo që ruhet nga lakmia e vetvetes, me siguri që do të jetë fitues”. (Hashr 9)

Ky ajet tregon, që njeriu është i lindur me ndjenjën e lakmisë dhe egoizmit. Janë prindërit ata, që e mësojnë fëmijën, si ta kontrollojë veten para kësaj lakmie dhe egoizmi, që gjendet tek çdo njeri.

Një edukatë e shëndoshë, e ndihmon dhe e mëson fëmijën, që të respektojë të drejtat e të tjerëve, të mos i shtypë dhe të mos u bëjë atyre padrejtësi. Padyshim që diçka të tillë fëmija e mëson në familje, sidomos nëse ka vëllezër dhe motra të shumtë.

Një edukatë e shëndoshë, e mëson fëmijën edhe të sakrifikojë për individët e shoqërisë. Një njeri i tillë, e gjen gjithmonë në shërbim të njerëzve, i ndihmon, i përkrah moralisht dhe materialisht.

Një edukatë e shëndoshë, e bën fëmijën të gjykojë drejt në marrëdhëniet që ndërton me të tjerët. Një edukim i mirë dhe i suksesshëm, na garanton një rini dhe më pas një jetë bashkëshortore të suksesshme.

Po të studiojmë me kujdes jetëshkrimin e profetit Muhamed a.s, do të gjejmë përkujdesjen e vetë Zotit të Madhëruar, në formimin e tij që i vogël.

Madje edhe për figurat me ndikim në historinë botërore dhe atë islame, do të zbulojmë që gjenialiteti i tyre buron nga një fëmijëri e mbarë. Do të gjejmë se edukata që kanë marrë që në vegjëli, ka qenë e veçantë dhe e shëndoshë.

Për sa i përket aspektit ekonomik, një edukim i shëndoshë, ofron breza dhe të rinj produktivë. Vetë Profeti a.s i kërkonte mbrojtje Zotit të Madhëruar nga dembelizmi dhe plogështia. Një fëmijë i edukuar me dëshirën për punën, aktivitetin, prodhimin etj... do të shndërrohet nga një i papunë, në një të punësuar, nga një i plogësht dhe dembel, në një aktiv, nga një që pret nga të tjerët në një produktiv. Të gjithë këto vlera dhe virtyte, fëmija i mëson dhe përfton në shtëpi dhe familje. Në familje, fëmija mëson si ti shfrytëzojë rastet dhe si ti investojë aftësitë e tij.

Një prind tregon: ”Fëmija im është pesë vjeç dhe një ditë vizatoi një lopë me pesë këmbë dhe me ngjyrë blu. Kur e pashë vizatimin e tij, i habitur i thashë: ”Çfarë është kjo lopë me pesë këmbë dhe me ngjyrë blu”?!

Fëmija pesëvjeçar mu përgjigj: ”Po babi! Lëkura e lopës është blu, për shkak se reflekton ngjyrën blu të qiellit”.

Unë e pyeta: ”Mirë se ngjyra blu qenka reflektim i ngjyrës së qiellit, po përse ka një këmbë më shumë”?!
Djali u përgjigj: ”Çdo makinë ka katër goma, por dhe një gomë rezervë. Nëse një nga gomat aktive dëmtohet, ne e zëvendësojmë me gomën rezervë. Ç’të keqe ka, që edhe lopa të ketë një këmbë rezervë”?!

Babai i këtij fëmije vazhdon të tregojë: ”Edhe pse në fillim u habita dhe desha ta kritikoj për vizatimin, që kishte bërë, kur dëgjova këto fjalë u kënaqa dhe që atë ditë e stimuloj dhe e nxis për novatorizëm dhe gjenialitet”.

Edukimi i shëndoshë, lë gjurmë dhe është i dobishëm edhe në aspektin kulturor. Nëpërmjet edukimit, fëmija mëson kulturën e tij, fenë, trashëgiminë dhe është i aftë të kritikojë kulturat e tjera. Diçka të tillë, padyshim që fëmija e mëson në shtëpi.

Nëse një fëmijë edukohet në shtëpi, që të hajë me dorën e djathtë, të vishet në një formë të caktuar, ti qethë flokët në një stil, të ushqehet me ushqime të caktuara etj... me t’iu dhënë rasti të shohë dikë duke pirë alkool p.sh, ai pyet: ”Përse pi ai alkool”?! Një pyetje e tillë është kritikë në vetvete, pasi që në vegjëli ai është edukuar me frymën, që alkooli është haram.

Nëse prindi i përgjigjet: ”Ai e pi alkooli ngaqë nuk është musliman”, fëmija do të pyesë sërish:”Po përse nuk është musliman? Përse ne jemi muslimanë...”?

Sot prindërit kanë një koncept plotësisht të gabuar dhe të shtrembëruar të edukimit. Shumë prindër e shohin edukimin e fëmijëve si sigurim i veshjes së duhur, ushqimit dhe banimit. Edukimi i fëmijës në vetvete është një universitet dhe akademi, ku fëmija përfton vlerat dhe virtytet më të mira. Gjatë pesë viteve të para të jetës, fëmija mëson mbi 80 % të gjërave më të rëndësishme. Në vitet e mëvonshme, ai plotëson 20 %-shin tjetër.

Për sa i përket aspektit moral, edukimi i shëndoshë e formon dhe edukon fëmijën me modelin e mirë dhe të keq, me moralin negativ dhe atë pozitiv, dallon mes të vërtetës dhe gënjeshtrës, mes zemërngushtësisë dhe zemërgjerësisë, mes frikës dhe trimërisë, mes maturisë dhe rrëmbimit.

Edukimi i shëndoshë i shërben fëmijës edhe në aspektin e besimit. Edukimi i mëson fëmijës ekzistencën e Zotit, emrat dhe cilësitë e Tij, si të ndërtojë lidhje dhe ura komunikimi me Zotin, si të falet, si ta lusë Zotin... Nëpërmjet edukimit, fëmija mëson namazin, agjërimin, zekatin, haxhin, përmendjen e Zotit etj...

 

 

Pyetësor për prindërit

 

Me anë të këtij pyetësori ne synojmë, që prindërit të vlerësojnë veten e tyre, nëse i edukojnë siç duhet fëmijët e tyre. Një ndër objektivat më madhorë të edukimit, është që fëmija të dalë në jetë dhe ta adhurojë Zotin në formën e duhur. Nuk janë të paktë prindërit, të cilët i edukojnë fëmijët e tyre në atë formë, që ata ti keqtrajtojnë dhe të mos i respektojnë në të ardhmen.

Gjatë Kalifatit të Umer ibnul Hattabit (r.a), një baba vajti tek Umeri dhe iu ankua, se djali i tij nuk e respektonte dhe sillej në mënyrë jo dinjitoze me të. Umeri i dërgoi menjëherë fjalë djalit që të paraqitej.

Kur djali erdhi, Umeri i tha që babai ishte ankuar për sjelljet e tij.

Djali i tha: ”O Prijës i besimtarëve! Si u ankoka babai, ndërkohë që i ka shkelur me këmbë të gjithë të drejtat e mia?! Kur linda, babai më vuri një emër jo të mirë. Ai nuk më ka mësuar asnjë pjesë nga Kurani famëlartë dhe kur u martova më zgjodhi një grua të papërshtatshme...”

Atëherë Umeri iu drejtua babait dhe i tha: ”Je sjellë padrejtësisht me djalin, para se ai të sillet padrejtësisht me ty”.

Historitë e prindërve të cilët janë sjellë padrejtësisht me fëmijët e tyre janë të shumta. Zakonisht, ajo që ndodh në familje të tilla është, se me t’u rritur fëmijët, fillojnë të hakmerren ndaj padrejtësive të ushtruara ndaj tyre. Njeriu korr atë, që ka mbjellë më parë.

Kur njeriu plaket dhe thyhet në moshë, fillon të bëhet më i bezdisshëm. Nëse fëmijët nuk janë edukuar me respektin e prindërve, e kanë të vështirë të durojnë, madje shpeshherë ua kthejnë me të njëjtën monedhë duke i keqtrajtuar. Rreth një fakti të tillë ka shumë histori. Një ndër këto histori është ajo e një të riu, i cili nuk i duroi dot sjelljet e bezdisshme të babait të tij plak dhe vendosi ta nxjerrë nga shtëpia. Vendi ku mendoi ta çojë, ishte një luginë në mes të shkretëtirës. E mori babanë, e çoi në shkretëtirë dhe e braktisi atje. Kaluan vite dhe kohë dhe ky djalë tashmë ishte i plakur dhe i shtyrë në moshë. Tashmë sjelljet e tij ishin të bezdisshme dhe të padurueshme për djalin e tij, i cili filloi të mendojë si ta heqë qafe të atin. Në fund mendoi se zgjidhja më e mirë ishte, ta braktisë në shkretëtirë. Kështu e mori babanë dhe për fat e dërgoi në të njëjtin vend ku babai kishte lënë gjyshin e tij para kushedi sa vitesh.

Kur e pa vendin, babai i tha:”O biri im! Merre sërish kuvertën me të cilën më solle”!

Djali e pyeti i habitur: ”Përse duhet ta marr”?

I ati i tha: ”Sepse do i duhet djalit tënd, kur të të sjellë edhe ty në këtë vend”!

I befasuar, djali e pyeti: ”Përse e thua këtë o baba”?

I ati iu përgjigj: ”Sepse unë e kam braktisur babanë tim po në këtë vend dhe po me këtë kuvertë”.

Zoti i Madhëruar e ka shoqëruar respektin e prindërve bashkë me adhurimin e tij.

“Zoti yt ka urdhëruar, që të mos adhuroni askënd tjetër përveç Atij dhe të silleni mirë me prindërit”. (Isra 23)

 

Pyetësori:

Përgjigjet e pyetjeve të mëposhtme, do të tregojnë nëse ti o prind i edukon fëmijët, që të jenë të respektueshëm ndaj prindërve apo jo. Nëse gjatë përgjigjes së pyetjeve, ti si prind zbulon të meta në edukimin e fëmijëve, duhet të fillosh ta korrigjosh veten dhe sjelljet.

 

Pyetja e parë: A e mëson fëmijën tënd, që kur të drejtohet ty ose nënës së tij, t’ju drejtohet me shprehje që tregojnë respekt? A përpiqesh që ti kultivosh tek fëmija yt shprehje të tilla: Të lutem, më falni...”

 

Pyetja e dytë: A i mëson fëmijët e tu, që të mos i shohin prindërit vëngër dhe me inat, sidomos gjatë nervozizmit?

 

Pyetja e tretë: A i mëson fëmijët, që ta ulin zërin kur flet me prindërit e tij dhe të mos i ndërpresë ndërkohë që janë duke folur?

 

Pyetja e katërt: A i mëson fëmijët, që të marrin qëndrim të drejtë, kur njëri nga prindërit hyn në shtëpi ose kur janë ulur me prindërit?

Mosrespektimi i prindërve ka forma dhe mënyra të ndryshme. Shumë njerëz mendojnë, se mosrespektimi i prindërve është vetëm me fjalë apo vepra jo të pëlqyeshme. “mos u thuaj atyre as “uh!”, mos i kundërshto..” (Isra 23)

Mosrespektim i prindërve është edhe kur ata të flasin, kurse ti nuk i shikon fare, ose kur i shikon vëngër dhe me inat. Mosrespekti mund të jetë dhe në mënyrën si qëndron dhe ulesh para prindit. Nëna mund të jetë duke të folur, kurse ti i ke kthyer shpinën. Nëna ose babai mund të jenë para teje, ndërkohë që ti ke shtrirë këmbët në drejtim të tyre.

 

Pyetja e pestë: A i mëson fëmijët, që ti përgjigjen thirrjes së prindërve në çfarëdo situate?

 

Pyetja e gjashtë: A i mëson fëmijët, të puthin duart e prindërve?

Puthja e duarve të prindërve është një moral dhe vlerë, e cila ka filluar të humbasë në shoqëritë tona.

 

Pyetja e shtatë: A i stimulon fëmijët, që të marrin pjesë me prindërit në kryerjen e punëve të shtëpisë?

 

Pyetja e tetë: A ua mëson fëmijëve ajetet dhe hadithet e Profetit a.s, që flasin mbi shpërblimin dhe rëndësinë e respektit të prindërve?

 

Pyetja e nëntë: Ai u rrëfen fëmijëve histori të figurave myslimane, në lidhje me respektin e prindërve?

Tregon një nga njerëzit e ditur dhe të ndershëm: ”Sa herë që ulem të ha me nënën, unë nuk e shtrij dorën të marr kafshatën, derisa nëna ta ketë marrë të sajën. Këtë e bëj ngaqë kam frikë, se marr një kafshatë që dëshironte të merrte nëna”.

 

Pyetja e dhjetë: A e mëson fëmijën, që të mos ecë ose qëndrojë në makinë para prindërve të tij?

 

Pyetja e njëmbëdhjetë: A e lut Zotin, që t`i bëjë fëmijët e tu të respektueshëm për prindërit?

 

Pyetja e dymbëdhjetë: A i mëson fëmijët, që kur të hyjnë në dhomën ku ndodhen prindërit, ti përshëndesin me selam?

 

Pyetja e trembëdhjetë: A i mëson fëmijët, që t’ia sjellin prindit këpucët pranë, kur ky i fundit dëshiron të dalë?

 

Pyetja e katërmbëdhjetë: A i mëson fëmijët, që kur të hajë ushqim bashkë me prindërit, të mos hajë para tyre dhe këtë ta bëjë me edukatë?

Tre persona i zë nata në një shpellë në mal. Për shkak të shiut që binte, rrëshqet një shkëmb nga mali dhe zë daljen e shpellës. Duke parë gjendjen në të cilën gjendeshin, njëri prej tyre u tha shokëve: Nuk do të mund të dalim prej kësaj gjendjeje ku jemi, veçse duke e lutur Zotin, me veprën më të mirë që kemi bërë për hatër të Tij.

Pasi u lutën dy të parët, u lut dhe personi i tretë, i cili tha: “O Zot, Ti e di që unë kam pasur prindërit e moshuar dhe fëmijët e vegjël. Sa herë që milja bagëtinë, nuk u jepja fëmijëve qumësht, derisa të pinin prindërit. Një natë u vonova me bagëtinë në kullotë dhe kur shkova t`u çoj qumështin prindërve, i gjeta duke fjetur. Megjithëse fëmijët qanin nga uria, unë nuk u dhashë pasi e kisha bërë zakon, që të pinin prindërit të parët. Qëndrova me enën me qumësht tek koka e tyre, derisa u zgjuan në mëngjes. Pasi pinë prindërit, ushqeva fëmijët më pas. O Zot nëse këtë e kam bërë për hatrin Tënd dhe për të arritur shpërblimin Tënd, na e largo këtë shkëmb nga hyrja e shpellës”. Atëherë shkëmbi lëvizi dhe krijoi një vend bosh, ku të tre arritën të dalin.

Prandaj respekti i prindërve është i rëndësishëm edhe në suksesin e njeriut në këtë botë.

 

Pyetja e pesëmbëdhjetë: A i mëson fëmijët. që të mos hyjnë në dhomën e gjumit të prindërve, veçse pasi të kenë marrë leje? A i mëson që të mos i zgjojnë prindërit, nëse janë duke fjetur?

 

Pyetja e gjashtëmbëdhjetë: A i mëson fëmijët, që të luten për prindërit gjatë jetës së tyre dhe pas vdekjes, sidomos në namaz?

 

Pyetja e shtatëmbëdhjetë: A i respekton prindërit e tu të gjallë por dhe të vdekur, me qëllimin që edhe fëmijët e tu të të respektojnë ty?

 

Pyetja e tetëmbëdhjetë: A i edukon fëmijët, që sa herë të munden, t’ju bëjnë prindërve dhurata?

 

Pyetja e nëntëmbëdhjetë: A i mëson fëmijët, që t`i ndihmojnë prindërit, në rast se këta të fundit po mbajnë diçka të rëndë?

 

Pyetja e njëzet: A i mëson fëmijët, që nëse është i ulur dhe babai ose nëna që është në këmbë i flet, të ngrihet dhe ti përgjigjet në këmbë?

Përgjigjet e këtyre pyetjeve duhet të jetë një nga këto opsione:“Gjithmonë! Ndonjëherë!  Rrallë! Asnjëherë”!

Nëse dikush prej jush zgjedh opsionin e parë si përgjigje të një pyetjeje, ta vlerësojë veten me katër pikë. Nëse përgjigjet me “ndonjëherë” vlerësohet me tre pikë. Nëse përgjigjet me “Rrallë” vlerësohet me dy pikë dhe nëse përgjigjet me “Asnjëherë” vlerësohet me një pikë.

Në fund mblidhi pikët e çdo përgjigjeje dhe nëse shuma është nga njëzet deri dyzet pikë, ky është tregues, që ti ke gabuar në edukimin e fëmijëve.

Nëse shuma e pikëve është dyzet deri në gjashtëdhjetë pikë, mënyra si i edukon fëmijët për respektin e prindërve, kërkon të rishikohet dhe të përmirësohet. Kjo nuk do të thotë, se ti je një prind i dështuar në edukimin e fëmijëve, por ke nevojë të përmirësohesh dhe të aftësohesh në këtë drejtim.

Nëse shuma e pikëve është nga gjashtëdhjetë pikë deri në tetëdhjetë pikë, atëherë ky është tregues, që ti je një prind i dalluar dhe i suksesshëm në edukimin e fëmijës dhe kultivimin e vlerave dhe virtyteve më të mira.

 

 

Rëndësia e edukimit të fëmijëve

 

Duke ditur se edukimi i fëmijëve ka një rëndësi të veçantë, Sheriati islam i stimulon dhe nxit muslimanët për ta përvetësuar këtë vlerë. Tekstet e Kuranit dhe të traditës profetike janë të shumtë në këtë drejtim.

Profeti a.s ka thënë:”Kush kujdeset dhe edukon dy ose tre vajza, dy ose tre motra, derisa ato të vdesin ose të vdesë edukuesi i tyre, do të jetë pranë meje si këta dy gishta” dhe ngriti lart gishtin e dytë dhe të tretë”.

Në një hadith tjetër, Profeti a.s ka thënë:”Kushdo që ka tre vajza ose tre motra, dy vajza ose dy motra, i frikësohet Zotit në përkujdesjen ndaj tyre dhe sillet mirë me ta, ka fituar xhenetin”.

“Çdo musliman që ka tre vajza, shpenzon për ta derisa të martohen ose të vdesë ai, do të jenë mbrojtje për babanë nga zjarri”.

Një nga gratë e pranishme ndërhyri dhe e pyeti Profetin a.s: ”Po nëse ka vetëm dy vajza o i dërguar i Zotit”?

Profeti a.s iu përgjigj:”Edhe nëse ka dy vajza.”

Në një transmetim tjetër, thuhet se një grua e pyeti: ”Po nëse ka vetëm një vajzë o i dërguar i Zotit”?

Profeti a.s iu përgjigj:”Edhe nëse ka vetëm një.”

Në një hadith tjetër, Profeti a.s ka thënë: ”Nuk ka gjë më të mirë që një prind mund ti japë fëmijës, sesa një edukatë e mirë”.

Nga këto hadithe dhe shumë hadithe të tjera, shohim që edukimi i fëmijëve është një nga misionet më të shenjtë në Islam.

Kushdo që lexon Kuranin, patjetër që do të hasë në fragmente të shumta, ku trajtohen lidhjet prindër-fëmijë. Një ndër këto fragmente është dhe Lukmani, që edukonte dhe udhëzonte djalin e tij drejt të mirës. Madje, në Kuran kemi një sure të plotë me emrin Llukman.

Në Kuran gjendet një sure e plotë rreth njërit prej Profetëve të Zotit, Jusufit a.s. Që në fillim të sures, ne lexojmë dialogun mes Jusufit a.s dhe babait të tij Jakubit a.s, mes Jusufit dhe vëllezërve të tij.

Në Kuran kemi dhe lidhjet, që kishte krijuar Daudi a.s me djalin e tij Sulejmanin a.s. Të gjithë këto dhe të tjera që gjenden në Kuranin famëlartë, tregojnë rëndësinë e edukimit në Islam. Në të kundërt, përse duhej t`i përmendte Zoti në librin e tij këto gjëra?!

Gjatë përgatitjes së kësaj teme, unë shfletova literaturën islame dhe kam gjetur një pasuri dhe trashëgimi shumë të madhe, përsa i përket rëndësisë së edukimit të fëmijëve.

Dijetari i njohur musliman, Ibnu Ebi Dunja, ka shkruar mbi treqind e gjashtëdhjetë libra, ku shumica i përkasin çështjeve edukative.

Profeti a.s ka thënë:”Edukimi i fëmijës nga ana e prindit, është më e vlefshme se dhënia e sadakasë”.

Çdo minutë, orë dhe çast që prindi shpenzon në edukimin e fëmijës së tij, konsiderohet si sadaka, madje më e vlefshme dhe e dobishme.

Në një hadith tjetër, Profeti a.s ka thënë:”I fisnikëroni fëmijët tuaj dhe u jepni edukatë të mirë.”

Dijetari musliman Ibnul Xheuzij, ka shkruar një libër me titull “Sajdul Hatir”, në të cilin ka përmbledhur të gjithë meditimet dhe përsiatjet e tij. Një ditë, Ibnul Xheuzij ishte ulur dhe pranë tij kaloi një qen gare. Gjatë rrugës, qeni kaloi pranë disa qenve rrugaçë, të cilët me ta vënë re filluan t`i lehin. Qeni i garës, u hodhi një vështrim të shpejtë qenve rrugaçë dhe pa ua kthyer të lehurën, vazhdoi rrugën. Kjo sjellje, i bëri përshtypje Ibnul Xheuzit dhe menjëherë shkroi diçka rreth rëndësisë së edukimit. Edhe pse ishte një qen, ai i garës nuk ua ktheu me të njëjtën monedhë qenve të rrugës. Njerëzit e mëdhenj, të mirë edukuar dhe të ditur, nuk merren aspak me shpifjet dhe ofendimet e sharlatanëve.

Një herë, një injorant dhe i paditur, e ofendoi imam Shafiun. Imam Shafiu nuk i ktheu asnjë përgjigje, por vazhdoi rrugën i qetë. Më vonë, ai shkruan disa vargje rreth një ngjarjeje të tillë, ku thotë:

Një horr në më shan, fisnikërinë ma shton

Njëlloj po ti përgjigjem, kjo aspak s’më fisnikëron

I shtohen paturpësitë, kurse mua vlera

Si aroma e temjanit, kur digjet kahera.

 

Kurse dijetari musliman Ibnu Pasqual, kur shkroi librin e tij mbi moralet dhe edukatën, përmendi dhe dallimet mes një papagalli që flet dhe një tjetri që nuk flet.

Diçka të tillë e kam zbuluar dhe vetë personalisht. Një ditë ndodhesha në tregun e zogjve. U afrova tek një shitës dhe duke i bërë me shenjë, e pyeta:”Sa kushton ky papagalli këtu”?

Ai u përgjigj: ”Dyqind dollarë.”

Duke i treguar një papagall tjetër të ngjashëm me të parin, e pyeta: ”Po ky këtu”?

Ai u përgjigj: ”Njëzet dollarë.”

I habitur e pyeta: ”Këta të dy kanë të njëjtën madhësi dhe të njëjtat ngjyra. Përse kjo diferencë kaq e madhe në çmim”?

Shitësi u përgjigj: ”Nëse do ta dish pse-në, foli vetë dy papagajve”.

Unë iu drejtova papagallit të shtrenjtë dhe i thashë: ”Esselamu alejkum”.

Me të njëjin ritëm, papagalli tha: ”Esselamu alejkum”.

Pastaj iu drejtova papagallit të lirë dhe i thashë: ”Esselamu alejkum”.

Ai lëvizi kokën sa majtas-djathtas dhe nuk nxori asnjë zë. Kështu, papagallit të parë i ishte rritur çmimi për faktin, se ai mund të mësohej dhe edukohej. Ndërkohë që papagalli i dytë ishte i lirë, pasi ishte e pamundur të mësohej dhe edukohej.

Prandaj Profeti a.s ka thënë:”Edukimi i fëmijës nga ana e prindit, është më e vlefshme se dhënia e sadakasë”.

Sa më shumë të lodhemi dhe të shpenzojmë në edukimin e fëmijëve tanë, aq më të larta dhe të kënaqshme do të jenë rezultatet. Është si puna e hurmave arabe, sa më shumë t’ju shërbesh, aq më shumë prodhim cilësor dhe sasior të japin.

Një ditë, Profeti a.s ishte i ulur me gruan e tij Hadixhen dhe gjatë bisedës, i thotë:”O Hadixhe! Zoti i Madhëruar të çon selam dhe të përgëzon me një pallat prej diamanti në xhenet, ku nuk do të ketë as lodhje dhe as shqetësim”.

Kur e lexova këtë hadith për herë të parë, menjëherë vajta dhe hapa librat, që interpretojnë dhe shpjegojnë hadithet e Profetit a.s. Të gjithë autorët dhe dijetarët muslimanë ishin të interesuar të kuptojnë, se përse Zoti e gradoi kaq shumë Hadixhen. Çfarë kishte bërë ajo? Çfarë kishte sakrifikuar?

Në fund, dijetarët thoshin: ”Njeriu do të korrë atë që ka mbjellë. Hadixheja ishte marrë me edukimin e një familjeje dhe shtëpie tepër të veçantë. Për këtë, Zoti e shpërbleu me një pallat në xhenet”.

Po të shohim dhe studiojmë jetëshkrimet e vajzave të Profetit a.s, Ummu Kulthum, Rukajje, Zejneb dhe Fatime, do të zbulojmë se ishin të mirëedukuara. Hadixheja ishte lodhur dhe kishte bërë të pamundurën për ti mirë edukuar vajzat e saj dhe të Profetit a.s. Prandaj, vdekja e Hadixhes e hidhëroi shumë Profetin a.s. Madje, viti në të cilin vdiq Hadixheja, u quajt dhe akoma njihet me emrin “Viti i hidhërimit”.

Nëse Zoti e gradoi Hadixhen me një pallat diamanti në xhenet, për shkak të edukimit të mirë të vajzave, besoj se këtë shpërblim e meriton çdo nënë dhe edukuese e mirë.

 

Mosha e përshtatshme për edukimin e fëmijëve

Kur duhet të fillosh ti o prind që ti edukosh fëmijët e tu? Cila është mosha më e përshtatshme për ta bërë këtë?

Gjatë një trajnimi me prindër, i pyeta se kur e shihnin moshën më të përshtatshme për edukimin e fëmijëve. Disa prej tyre mendonin, se edukimi i fëmijës fillon që në moshën dy vjeçare. Disa të tjerë e mendojnë në moshën shtatë vjeçare. Kurse dikush u përgjigj se ishte mosha pesëmbëdhjetë vjeçare.

Një nxënës e pyeti mësuesin e tij, se në ç’moshë duhet ta edukonte djalin e tij. I dituri e pyeti:”Sa vjeç është djali yt”?

Nxënësi iu përgjigj: ”Katër muajsh”.

I dituri i tha: ”E paske humbur kohën e duhur të edukimit”.

I shtangur nga kjo përgjigje, nxënësi e pyeti: ”Pse kur duhej të kisha filluar”?!

I dituri iu përgjigj: ”Që atë ditë, që ke zgjedhur bashkëshorten tënde”.

Që atë ditë që ke zgjedhur bashkëshorten tënde të ardhshme, ka filluar edukimi i fëmijëve.

 

Dallimet gjinore gjatë edukimit

A ka dallime dhe diferenca mes edukimit të një femre dhe të një mashkulli, të një djali dhe të një vajze?

Padyshim që ka dallim, pasi vetë anatomia dhe struktura e djalit është e ndryshme nga ajo e vajzës.

Në një studim të kryer për të zbuluar dallimet mes mashkullit dhe femrës, u pa që edhe para lindjes, gjatë shtatzënisë, pulsi i embrionit mashkull ishte 136 rrahje në minutë. Ndërkohë që pulsi i embrionit femër 138 rrahje.

I njëjti studim, zbuloi se embrioni mashkull është një centimetër më i gjatë se embrioni femër kur lind. Dallimet janë edhe në peshën e foshnjave të sapolindura, ku mesatarja e peshës se foshnjave femra është 3.250 gram. Ndërsa pesha mesatare e foshnjave mashkull është 3.500 gram.

Normalisht, dallimet mes mashkullit dhe femrës janë në shumë aspekte. Këto dallime na vlejnë edhe në edukimin e tyre, edukim i cili duhet ta ketë parasysh diçka të tillë.

Gjithsesi, edhe pse ka dallime fizike dhe psikologjike mes mashkullit dhe femrës, këto dallime nuk duhet të çojnë në diferencime në të drejta.

Në natyrë, djali është më i dhunshëm, inatçi, i fuqishëm etj... ndërkohë që femra është më e brishtë, e ndjeshme, sensuale etj... Prandaj është mirë, që prindi dhe edukatori t`i kenë parasysh dallimet mes djalit dhe vajzës gjatë edukimit të tyre.

Siç thamë dhe më sipër, edukimi i shëndoshë i fëmijëve fillon, që me ditën e parë të fejesës apo martesës së babait.

 

Thirrja e ezanit dhe ikametit në veshët e fëmijës

Kushdo që studion legjislacionin islam, padyshim që do të vërejë, se ky legjislacion e lidh njeriun që në fëmijëri me Zotin, Krijuesin e universit. Është në traditën dhe nga porositë e Profetit a.s, që me të lindur një fëmijë, ti thirret ezani në veshin e djathtë dhe ikameti në veshin e majtë. Kështu fëmijës i jepet rasti, të dëgjojë fjalët e besimit në një Zot, që në çastet e para të ardhjes në këtë jetë. Por edhe kur shkëputet nga jeta e kësaj bote, njeriut i kujtohet sa më shpesh fjala e dëshmisë “La ilahe il-lallah.” Diçka e tillë është porosi e vetë Profetit a.s.

Me këto që thamë, shohim që edukimi nuk ka një moshë të caktuar, ku duhet të ndërpritet. Ajo fillon që në çastet e lindjes së njeriut dhe vazhdon deri në çastet kur ai shkëputet dhe ndahet nga kjo botë.

Thotë Abdullah ibnu Mubarek: ”Jam marrë me edukimin e vetes për njëzet vite me radhë. E gjithë kjo, për të ndryshuar vetëm një të metë, ndërhyrja në çështje që nuk më interesojnë. Edhe pse ka njëzet vite që përpiqem, akoma nuk ia kam arritur plotësisht”.

Sipas konceptit islam, edukimi i fëmijës fillon me lindjen dhe përfundon me vdekjen e tij. Gjithashtu, shpërblimi dhe grada, që njeriu do fitojë Ditën e Kiametit, do të jetë sipas edukimit.

Një poet musliman tregon:”Fakti që ne thërrasim ezanin dhe ikametin në veshët e fëmijës dhe nuk falemi, më ka munduar për një kohë të gjatë. Është e ditur, që një musliman, sa herë thërret ezanin dhe ikametin më pas, patjetër që do të falet. Kurse në rastin kur lind një fëmijë, kjo nuk ndodh. Përse nuk falemi pas ezanit dhe ikametit? Vetëm pas disa kohësh, më vajti mendja se namazi i ezanit dhe ikametit të thirrur në veshin e foshnjës të sapolindur, kryhet ditën që ai ndërron jetë. Ky është një tregues, që jeta e kësaj bote është aq e shkurtër, sa koha mes ezanit dhe namazit”.

Pasi i thirret ezani dhe ikametit, fëmijës është mirë ti rruhet koka, ti peshohen flokët dhe pesha e flokëve të jepet flori ose para sadaka.

Gjithashtu, gjatë ditëve të para zgjidhet dhe emri i fëmijës. Të gjithë këto, janë adhurime dhe vetë procesi i edukimit të fëmijës është adhurim në vetvete.

 

Familja mes lirisë dhe izolimit

Shqetësimet e prindërve përsa i përket një çështjeje të tillë janë të shumta. Sot kanalet satelitore me programe të shumëllojshme, faqet e internetit, telefonia celulare, revista, kaseta, filma të pahijshëm etj...gjenden në çdo anë dhe cep. Sot, ngado që të shikosh dhe kthehesh, do të ndalen sytë përballë një pamje të pahijshme, apo dhe të turpshme.

Në një ambient të tillë lind pyetja: ”Si t`i mbrojmë fëmijët tanë nga këto ambjente degjeneruese? Si t`i mbrojmë ata, që të mos rrëshqasin dhe mos i përpijë dallga”?

 

Në lidhje me një çështje të tillë, ka dy shkolla:

Shkolla e parë mendon, që fëmija të lihet i lirë t`i provojë të gjitha. Në fund të fundit, kjo është jeta dhe liria e tij. Pasi ti ketë provuar të gjitha dhe të jetë moshuar, ai do të jetë ngopur nga një jetë e tillë.

Shkolla e dytë mendon, se si babai ashtu dhe nëna janë përgjegjës për të tashmen dhe të ardhmen e fëmijës. Ata nuk duhet ti japin liri të plotë fëmijës, madje duhet ta izolojnë dhe të mos e lejojnë të dalë, përveç rasteve kur ata i japin leje. Fëmija duhet të dalë jashtë shtëpisë, nuk duhet ta hapë televizorin, nuk duhet të blejë revista, nuk duhet të shkojë në kinema etj... vetëm nëse merr leje nga prindërit. Gjithë ky izolim dhe mbyllje, bëhet, me qëllim që fëmija të mbrohet nga shthurja dhe degjenerimi i përhapur kudo.

Sipas shkollës së parë, fëmija duhet të lihet i lirë të provojë gjithçka, hallallin dhe haramin dhe në fund të vendosë ai kë të zgjedhë. Ndërkohë që shkolla e dytë e izolon fëmijën, me pretendimin që ta mbrojë nga degjenerimi.

Ne si muslimanë, nuk jemi as me shkollën e parë dhe as me të dytën. Ne nuk jemi as me lirinë absolute, ku fëmija të lihet i lirë të veprojë ç’të dojë dhe as me izolimin total të tij, por jemi me lirinë e pjesshme dhe izolimin e pjesshëm.

Ne e kemi në dorë, që gjatë fëmijërisë ta edukojmë fëmijën me dashurinë për Zotin dhe Profetin a.s. Gjatë fëmijërisë së tij ne e kemi në dorë t’ia kultivojmë atij dashurinë dhe frikën nga Zoti, dëshirën për të fituar xhenetin dhe frikën nga zjarri etj... Ne e kemi të mundur, që ta kontrollojmë një fëmijë pesëvjeçar, por e kemi të pamundur – sidomos në kohët moderne – të kontrollojmë një fëmijë pesëmbëdhjetë vjeçar. Gjëja e vetme që e kontrollon një fëmijë pesëmbëdhjetë vjeçar, është edukimi i tij në vitet e fëmijërisë.

Ajo që prindërit mund të bëjnë, është që ti tregojnë se çfarë është e mirë dhe çfarë e keqe, çfarë është hallall dhe çfarë është haram. Ata duhet t’ia bëjnë të qartë, se çfarë është e pëlqyeshme për ta dhe çfarë është e urryer.

Gjatë një ligjërate u thashë prindërve të pranishëm: ”Unë personalisht jam me lirinë e pjesshme. Edhe nëse djali im më kërkon leje të dalë me shokë, të cilët nuk janë të mirë 100 % por as 100 % të këqij, unë e lejoj, pasi t`i kem dhënë udhëzimet e duhura. Nëse gabon, unë e bëj përgjegjës për atë që ka vepruar dhe njëkohësisht i tregoj, se Zoti shtrin dorën e Tij natën, që të pendohet gjynahqari i ditës dhe shtrin dorën e Tij ditën, që të pendohet gjynahqari i natës”.

Nga këto fjalë që thashë gjatë ligjëratës, disa nga të pranishmit më kundërshtuan, duke më thënë: ”Një mënyrë e tillë komunikimi me fëmijët është e gabuar. Ne jemi mësuar, që nëse fëmija mund të rrëshqasë dhe të veprojë diçka të gabuar, ta izolojmë dhe mbyllim në shtëpi”.

Unë u përgjigja:”Le të lëmë librin e Zotit, Kuranin, të gjykojë mes nesh. Vëllezërit e Jusufit a.s, thurën dy plane për eliminimin e vëllait të tyre. Njëri plan ishte, që ta vrasin, ndërkohë që plani tjetër ishte, ta hedhin në pus. Pasi vendosën që do e hedhin në pus, të gjithë vëllezërit vajtën tek babai i tyre Jakubi dhe i kërkuan që ta lejojë Jusufin të dalë me ta për të kullotur bagëtinë.

Jakubi a.s e dinte se fëmijët e tij mund ti  bënin diçka të keqe Jusufit a.s, megjithatë nuk e pengoi Jusufin a.s të shkojë me ta. Ai nuk u tha fëmijëve të tij: ”Jo. Kurrë nuk do e lejoj Jusufin të vijë me ju.” Njëkohësisht, ai as nuk u tha: ”Merreni dhe bëni ç’të doni me të!” Ai u propozoi një ide të tretë, kur u tha:”...kam frikë se mos do ta hajë ujku...” (Jusuf: 13)

Pas kësaj, Jakubi a.s e lejoi Jusufin a.s të dalë me vëllezërit e tij. Pasi e hodhën ne pus, fëmijët u kthyen në darkë në shtëpi dhe i thanë të atit, që Jusufin a.s e kishte ngrënë ujku. Kjo tregon, që ata kishin adoptuar idenë dhe propozimin e babait të tyre.

Përse nuk e mbajti Jusufin a.s në shtëpi dhe ta izolonte, duke mos e lejuar të bashkohej me vëllezërit e tij?

Nëse do të ishte sjellë në këtë mënyrë, vëllezërit do të kishin vendosur, që Jusufin ta eliminonin, ta vrisnin përfundimisht. Kështu, ata do të kishin gjetur një mënyrë për ta vrarë edhe brenda në shtëpi.

Ishte marifeti i Jakubit a.s dhe mendjemprehtësia e tij, ajo që e shmangu gjëmën më të madhe. Ai i peshoi mirë avantazhet dhe disavantazhet. Një gjë e tillë kërkohet edhe nga prindërit në komunikimin e tyre me fëmijët, sidomos me adoleshentët. Prindërit e sotëm, duhet t`i njohin dhe t`i ruajnë ekuilibrat. Atë që djali apo vajza adoleshente mund ta bëjnë jashtë, sot mund ta bëjnë edhe brenda shtëpisë nëpërmjet televizorit, internetit, celularit etj...

Në kohët e mëparshme, djemtë i ngacmonin, u flisnin dhe u propozonin vajzave. Ndërkohë që sot po ndodh e kundërta, janë vajzat ato, që u propozojnë djemve. Degjenerimi dhe e keqja sot janë përhapur në çdo vend.

Gjithsesi, unë i siguroj të gjithë prindërit, se dashuria për Zotin, Profetin a.s dhe për prindërit, ka ndikim të madh në psikologjinë e fëmijëve, gjë e cila dhe do i mbrojë nga rrëshqitja në gabime dhe gjynahe në të ardhmen.

 

I edukoni fëmijët për një kohë të ndryshme nga koha juaj!

Është mirë që prindi dhe edukatori, të ketë parasysh kohën, vendin, ambientin përreth dhe ndryshimet fizike dhe psikologjike të fëmijëve që edukon.

Umer ibnul Hattabi (r.a) ka thënë:”I edukoni fëmijët për një kohë të ndryshme nga koha juaj”.

Një miku im, që ka dhe gradën doktor, më tregon: ”Kur isha i vogël, para dyzet-pesëdhjetë viteve, nuk lija dy gurë bashkë. Për të më ndëshkuar, babai më mbyllte në një dhomë, gjë e cila më bënte të shpërthej në të qara. Pas dy apo tre orësh, babai vinte dhe hapte derën dhe më dukej sikur po dilja nga një burg i tmerrshëm.

Tashmë që jam prind vetë, një ditë desha ta ndëshkoj fëmijën tim, ashtu siç më ndëshkonte babai asokohe. Kështu e mora djalin dhe e mbylla në një dhomë të shtëpisë. Pasi kyça derën, qëndrova pranë, me qëllim që ta dëgjoj kur të qajë, por kjo nuk ndodhi. Kur më mbyllte mua babai në dhomë, gati sa nuk çmendesha, ndërkohë që djali im sot nuk e paska problem. Tre orë më vonë, unë e hapa avash derën dhe zgjata kokën të shoh se çfarë po bën djali. Ai kishte ndezur kompjuterin, kishte hyrë në internet dhe po bisedonte (chat) me një japoneze. Kjo më çmendi fare, saqë e kapa ekranin dhe e përplasa për muri. Jo që djali nuk kishte zënë mend, por ai e kishte shfrytëzuar ndëshkimin tim për të biseduar me vajza në internet. Përsëri e mbylla në dhomë dhe prita pas derës. Dy orë më vonë, hapa sërish derën dhe pashë që ai ishte shtrirë dhe me telefonin celular  dërgonte dhe merrte mesazhe nga shokët. Me thënë të drejtën, u dorëzova dhe nuk dija çfarë të bëj me shumë”.

Edukata dhe virtytet, me të cilat do i edukojmë fëmijët tanë, është ajo që ka qenë edhe në kohën e Profetit a.s, por metoda dhe rrugët duhet të jenë të reja dhe të përshtatshme për mentalitetin e brezit të sotëm. Në ditët tona është e domosdoshme të përdorim edhe teknologjinë moderne, kompjuterin, internetit, telefoninë celulare etj.. për të arritur këtë qëllim.

Një prind tregon: ”Jam në emigracion, kurse familjen e kam në vendin e origjinës. Duke qenë se jam larg dhe nuk kam mundësi tjetër, kam krijuar një linjë komunikimi me djalin, me anë të internetit. Gjithçka që dua t’ia them, ia them nëpërmjet e-mailit. Gjithashtu, ai kërkon këshilla dhe mendimin tim për shumë gjëra. Kam parë që një mënyrë e tillë komunikimi ka dhënë rezultat, pasi kam arritur ta orientoj drejt të mirës dhe ta largoj nga e keqja”.

Objektivi final i edukimit është, që të arrijmë kënaqësinë e Zotit, ta adhurojmë Atë si duhet, të krijojmë kushte për një jetesë brenda ligjeve dhe kufijve të caktuar nga Zoti. Nëse ky objektiv arrihet, rrugët dhe metodat, nuk prishin punë, të reja qofshin apo të vjetra.

Ajo që e bën një njeri të mirë dhe të dashur tek Zoti dhe një tjetër të keq dhe të urryer, është edukimi. Ajo që i dallon profetët nga njerëzit e mirë dhe gjithë njerëzit e tjerë, është pikërisht edukimi. Ajo që i dallon pesë profetët e vendosur (Musa, Nuh, Ibrahim, Isa dhe Muhamedi), nga gjithë profetët e tjerë, është edukimi. Ata u quajtën profetë të vendosur, pasi e kontrollonin veten dhe e frenonin aty ku duhej. Diçka e tillë arrihet vetëm me edukim të shëndoshë.

Një prind i dalluar dhe i suksesshëm është ai, që e përgatit fëmijën e tij për të ardhmen. Të gjithë heronjtë muslimanë dhe bëmat e tyre, burojnë nga edukimi i prindërve dhe shoqërisë në të cilën jetonin. Salahuddin Ejubi, Ebu Hanife dhe shumë dijetarë, komandantë dhe pushtetarë të suksesshëm, ishin mirë edukuar nga prindërit e tyre.

 

 

Si ta bëjmë Profetin a.s shëmbëlltyrën dhe modelin e fëmijëve tanë?

 

Prindërit janë shumë të interesuar dhe të shqetësuar për fëmijët e tyre, sidomos në kohët moderne. Ata duan medoemos, që t`i mbrojnë fëmijët nga devijimet dhe sjelljet perverse. Ata i duan fëmijët e tyre të jenë të mirë edukuar, të moralshëm dhe me sjellje të mira.

Të gjithë shqetësimeve të prindërve rreth edukimit të fëmijëve të tyre, mund t’u vijë fundi, nëse ne arrijmë që fëmijët tanë t`i lidhim me Profetin a.s dhe personalitetin e tij. Nëse ne kemi sukses, që Profetin a.s ta bëjmë shëmbëlltyrën dhe modelin e fëmijëve tanë, atëherë i kemi mbrojtur nga sjelljet dhe edukata e rrugës.

Tek profeti Muhamed a.s, janë mishëruar të gjithë virtytet dhe moralet më të larta. Nëse ne do të arrinim ta lidhim fëmijën tonë me Profetin a.s, kjo do të na kursente shumë energji dhe kohë. Në vend që ti themi fëmijës: “Duhet të bësh, duhet të sillesh, reagosh etj... në këtë formë”, i tregojmë mënyrën si është sjellë dhe ka reaguar Profeti a.s në ngjarje dhe situata të ngjashme. Diçka e tillë bëhet, pasi ta kemi lidhur fëmijën me Profetin a.s dhe ai vetë ta ketë dashur atë. Padyshim që kjo nuk është diçka e lehtë, sidomos në kohët moderne, ku kanalet satelitore, faqet e internetit, mediat vizive dhe të shkruara etj... ofrojnë dhe reklamojnë modelet e tyre.

Për t’ua bërë të dashur figurën e Profetit a.s, prindërit duhet të përdorin rrugë dhe mjete të përshtatshme dhe të zgjuara njëkohësisht.

Po përse duhet t`i lidhim fëmijët tanë me Profetin a.s? Përse duhet t`i bëjmë, që ta duan dhe respektojnë atë?

Së pari, profeti Muhamed a.s, është shembulli dhe modeli më i mirë për këdo që kërkon moralet e larta.

Së dyti, vetë Zoti i Madhëruar na ka urdhëruar që të ndjekim gjurmët dhe traditën e Profetit a.s.

Zoti thotë në Kuran: ”Thuaju (o Muhamed): “Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, që Allahu do t’ju dojë dhe t’jua falë gjynahet! Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë”. (Al Imran 31)

Ta duash Profetin a.s dhe të ndjekësh traditën e tij, do të thotë sukses në këtë botë dhe shpërblimin me xhenet në botën tjetër.

Në një hadith, Profeti a.s ka thënë:”Të gjithë ju do të hyni në xhenet, përveç atij që refuzon”.

I habitur, dikush e pyeti: ”E kush është ai, që refuzon të hyjë në xhenet o i dërguar i Zotit”?!

Profeti a.s iu përgjigj: ”Kushdo që më bindet ka fituar xhenetin, dhe kushdo që më kundërshton ka refuzuar të hyjë në xhenet”.

Gjatë një emisioni me temë “Si ti lidhim fëmijët tanë me Profetin a.s”?, që transmetohej në kanalin satelitor “IKRA”, shumë prindër merrnin në telefon dhe jepnin mendimet dhe përvojat e tyre në lidhje me këtë temë.

Një nga prindërit tha, që ulej me djalin dhe çdo ditë i lexonte pjesë nga jetëshkrimi i Profetit a.s. Një nënë tregoi që çdo ditë, para se fëmija i saj të flejë, shtrihet bashkë me të në shtrat dhe i tregon një histori nga të Profetit a.s. Një ditë i rrëfen një histori rreth bujarisë dhe zemërgjerësisë së Profetit a.s, një ditë tjetër rreth urtësisë dhe mençurisë së tij, një ditë tjetër rreth përkushtimit të tij në namaz, një ditë tjetër mbi sjelljet dhe komunikimin e Profetit a.s me të moshuarit, një ditë tjetër mbi mënyrën si i trajtonte kafshët, një ditë tjetër mbi rëndësinë që Profeti a.s i kushtonte ambjentit etj...

Një ndër propozimet e përmendura në këtë emision, ishte dhe “Vizita e vendeve të shenjta” ku mund të vizitohet qyteti i Mekes, Qabeja, qyteti i Medines, vendi ku është zhvilluar beteja e Bedrit, Uhudit, Hendekut, xhamia Kuba, xhamia Kibletejn etj... ku u flitet fëmijëve për rëndësinë e këtyre ngjarjeve dhe vendeve të shenjta. Gjithashtu, vizitohet xhamia e Profetit a.s, ku u flitet fëmijëve rreth dhomave të nënave të besimtarëve, mbi vendin e quajtur Reuda, vendin ku Profeti a.s predikonte, u tregohet rënkimi dhe lotimi i trungut të palmës, kur Profeti a.s vendosi ta zëvendësojnë etj...

Duke i përjetuar këto momente dhe ndodhi të ndryshme, fëmija lidhet dhe e do Profetin a.s.

Ne duhet t’u flasim fëmijëve edhe mbi biografinë e shokëve të Profetit a.s.

Ashtu siç interesohemi rreth aktivitetit të përditshëm të fëmijëve në shkollë, notat e marra, si e ka kaluar ditën, çfarë i ka thënë mësuesi etj... duhet të flasim edhe rreth modelit të ardhshëm të fëmijës, profetit Muhamed a.s. Duke pasur një model të mirë në jetë, fëmija arrin ta dallojë të mirën nga e keqja. Duke pasur si model të dërguarin e Zotit, fëmija do kërkojë ta imitojë atë në çdo situatë, ku i duhet të zgjedhë mes dy reagimeve dhe alternativave. Këtu fillon lufta mes nefsit e pasionit të fëmijës dhe sjelljes së duhur, të pasqyruar në tregimet që fëmija ka dëgjuar rreth modelit më të mirë, profetit Muhamed a.s. Ndonjëherë, fëmija mund të zgjedhë alternativën që ia dikton pasioni dhe nefsi, ndërkohë që herë të tjera përpiqet dhe lufton për të imituar Profetin a.s. Kjo gjendje vazhdon, derisa ai të piqet dhe ta shkrijë traditën profetike në sjelljet dhe moralet e tij.

 

Fëmijët e moshës dy vjeçare

Nëse një fëmijë është më pak se dy vjeç, si mund ta lidhim me Profetin a.s? Si mund t`ia bëjmë të dashur Profetin a.s?

Ne duhet t`i flasim sa më shumë rreth modelit dhe shëmbëlltyrës, të cilit duhet ti përngjajmë. Ai duhet ta dëgjojë sa më shpesh fjalën model. Krahas fjalës model, ai duhet të dëgjojë shpesh edhe emrin Muhamed a.s dhe se ai është modeli ynë më i mirë. Në këtë mënyrë, ne e programojmë këtë fëmijë që në vegjëli, që modeli dhe shembulli ynë më i mirë është Muhamedi a.s. Më vonë, fillojmë t`ia konkretizojmë disa gjëra duke përdorur disa histori të thjeshtësuara. Edhe pse fëmija mund të jetë disa muajsh, mos e injoro dhe mos e shpërfill. Fëmijët janë shumë të zgjuar dhe mbajnë mend shumë gjëra. Pasi të mbushë moshën tre vjeçare, fëmija fillon të nxjerrë ato, që ka mësuar dhe magazinuar në kujtesën e tij. Edhe pse të duket shumë i vogël, ulu me fëmijën tënd, rrëfeji histori, lexo ndonjë përrallë apo ndodhi nga libri, madje mund ti lexosh edhe Kuran. Kur fillon të rritet, fëmija fillon t`i nxjerrë të gjithë ato, që ka dëgjuar dhe mësuar më parë.

Sa herë që të përmendet emri Muhamed, prindërit duhet të bien në salavat, sidomos në prezencën e fëmijës. Është mirë që fëmija ta dëgjojë sa më shpesh emrin Muhamed dhe salavatin “Sal-lallahu alejhi ve sel-lem”. E gjithë kjo është parapërgatitje për fëmijën. Është njëlloj si bujku, i cili e përgatit arrën para se ta mbjellë. Fillimisht ai e plehëron, e punon, nivelon, e prashit dhe në fund hedh farën.

Lidhja e fëmijës me profetin Muhamed a.s, fillon që para se të mbushë dy vjeç. Sa më vonë të shtyhet kjo, aq më e vështirë bëhet.

Prindi duhet të ulet me fëmijën, qoftë dhe një herë në javë, dhe t`i flasë fëmijës rreth namazit dhe shtyllave të fesë. Ai duhet t`i tregojë, që namazin na e ka mësuar profeti Muhamed sal-lallahu alejhi ve sel-lem. Është mirë, që prindi të sigurojë edhe një ilahi rreth Profetit a.s, të cilën fëmija duhet ta mësojë që në këtë moshë.

 

Mosha nga tre deri gjashtë vjeç

Në këtë periudhë moshe, fëmija është shumë i dhënë dhe i pasionuar pas historive. Gjithmonë, ai ua vë veshin historive dhe ndodhive që rrëfejnë prindërit. Prandaj, prindërit duhet ta shfrytëzojnë këtë pasion dhe nevojë të fëmijës, duke i rrëfyer çdo ditë një histori të re nga jetëshkrimi i Profetit a.s. Besoj se librat që janë shkruar rreth biografisë së Profetit a.s dhe që janë përshtatur për moshën e fëmijëve nuk mungojnë në libraritë tona. Një ndër këto libra është dhe “Biografia e Profetit a.s për fëmijë”. Çdo histori në këtë libër zë një faqe të vetme. E veçantë është, se biografia e Profetit a.s është e mbushur me histori dhe ngjarje nga më të ndryshmet. Vetëm ndodhia e Isra-së dhe Miraxh-it përmban shumë histori dhe ngjarje tërheqëse. Emigrimi i Profetit a.s nga Meka në Medine, ka mbi shtatëdhjetë ndodhi të ndryshme. Të shumta janë dhe historitë e Profetit a.s me gratë e tij, shokët dhe të gjithë njerëzit.

Ne duhet t’iu flasim fëmijëve edhe mbi lindjen e Profetit a.s dhe mëkimin e tij nga Halime Essadije.

Në këtë moshë, prindërit duhet ti flasin fëmijëve edhe rreth xhenetit. Ne duhet t’ju rrëfejmë edhe hadithe ku Profeti a.s i përshkruan bukuritë e xhenetit.

Fëmijët e kësaj moshe, janë të lidhur shumë edhe me kafshët. Nëse do të shohim biografinë e Profetit a.s, do të gjenim shumë histori ku përmenden edhe kafshët. Historia e Profetit a.s me pëllumbin dhe merimangën gjatë emigrimit të tij për në Medine është e njohur nga të gjithë. E njohur është dhe ndodhia me gomarin e Halime Essadije. E njohur është dhe historia e devesë, e cila iu ankua Profetit a.s. E njohur është dhe historia e shokëve të Profetit a.s, të cilët morën zogjtë e një pëllumbi. Kur Profeti a.s e pa pëllumbin duke fluturuar i shqetësuar rreth shokëve të tij, tha: ”Kush e ka shqetësuar këtë pëllumb duke ia marrë zogjtë”?!

 

Mosha nga shtatë deri tetë vjeç

Për t’ia bërë të dashur personalitetin e Profetit a.s kësaj moshe, është e mundur t’ju flasim mbi lidhjet dhe dashurinë, që Profeti a.s kishte për fëmijët. Mosha nga shtatë deri në dhjetë, është mosha kur zakonisht fëmijët krijojnë shoqëri në shkollë, lagje, me fëmijët e gjakut etj... Në këtë moshë, fëmija është shumë i lidhur me shokët e tij.

Në jetëshkrimin e Profetit a.s gjejmë shumë histori dhe ndodhi, ku rrëfehet dashuria dhe dhembshuria e Profetit a.s për fëmijët. Histori të tilla si ajo e fëmijës, të cilit i ngordhi trumcaku dhe se Profeti a.s përpiqej t’ia lehtësojë dhimbjen janë të njohura dhe shumë prekëse.

Duke dëgjuar mbi këto histori të Profetit a.s me fëmijët, tek ta fillon të krijohet bindja, që Profeti a.s i do fëmijët. Kështu, deri në moshën dy vjeçare, fëmijët dëgjojnë që Profeti a.s i do dhe ata duhet ta duan. Nga tre vjeç deri pesë, ata dëgjojnë histori të ndryshme mbi jetën e Profetit a.s. Nga mosha shtatë vjeçare deri në dhjetë, ata dëgjojnë histori mbi lidhjet, dashurinë  dhe dhuratat, që Profeti a.s u bënte fëmijëve.

Të krishterët përpiqen t`i lidhin fëmijët e tyre që në moshë të vogël me Baba Noel, i cili nuk është gjë tjetër veçse një prift imagjinar. Sipas tyre, ai vjen për Krishtlindje me një trastë, të cilën e mban në sup dhe që është e mbushur plot e përplot me dhurata për fëmijët. Kjo bën që fëmijët të lidhen me figurën e priftit dhe të murgut me anë të dhuratave të bukura, që ai u dërgon në shtëpi. 

Duke i folur dhe rreth personalitetit të profetit Muhamed dhe dashurisë së atij për fëmijët, ne synojmë që ti lidhim fëmijët tanë me të.

Një doktor në fushën e psikologjisë për fëmijë tregon: ”Një ditë, isha ulur duke biseduar me djalin tim tetëvjeçar. Gjatë bisedës, ai më tha: ”Babi, unë nuk e dua profetin Muhamed”.

Këto fjalë më shokuan dhe nuk dija çfarë ti them. Si ishte e mundur që djali im në atë moshë, të më pohonte se nuk e do profetin Muhamed a.s?! Nga brenda fillova të ziej nga inati. Çfarë ti thosha? A ia vlente ti them, që duhet ta duash patjetër profetin Muhamed? Por në anën tjetër e dija, që dashuria nuk kultivohet me urdhra. Dashuria lind dhe kultivohet me morale të mira, sakrificë, mirësjellje etj...  Vendosa të mos i them asgjë. Pasi u mendova për disa çaste, shkova në treg dhe bleva shumë dhurata. Me të vajtur në shtëpi, e mora djalin dhe i thashë: ”O biri im! Të gjithë këto dhurata janë të tuat”.

Padyshim kjo e gëzoi pamasë djalin, i cili menjëherë filloi ti hapë dhuratat njëra pas tjetrës gjithë gëzim. Pasi i hapi të gjitha dhe u mrekullua, unë i thashë:”O biri im! A e di kush ti dërgon këto dhurata”?

Ai ngriti kokën dhe i habitur më pyeti: ”Kush është ai o baba”?

Unë i thashë: ”Këto ti dërgon profeti Muhamed a.s”.

Fëmija pyeti: ”Me të vërtetë?! Po ku është profeti Muhamed”?

Unë iu përgjigja: ”Profeti Muhamed a.s, na ka urdhëruar dhe na ka porositur ne prindërve, që t’ju blejmë dhurata ju fëmijëve. Kështu, vetë Profeti a.s më ka porositur që të të blej ty dhurata. Profeti a.s ka thënë:”I bëni dhurata njëri-tjetrit, që t’ju shtohet dashuria më shumë”.

I habitur akoma më shumë, fëmija më pyeti: ”Me të vërtetë babi?! Vetë profeti Muhamed a.s të ka porositur që të më blesh mua dhurata”?!

Me buzën në gaz, unë iu përgjigja: ”Po”.

Atëherë djali më tha: ”Babi, unë e dua shumë profetin Muhamed a.s”.

Kur dëgjova këto fjalë, unë gati sa nuk fluturova nga gëzimi”.

 

Historitë e ndryshme të Profetit a.s dhe lidhjes së tij me fëmijët, janë shumë të dobishme si për djemtë ashtu dhe për vajzat e moshës shtatë-dhjetë vjeçare. Nëse prindërve do u mundësohej, t`i merrnin fëmijët dhe t`i dërgojnë në vendet e shenjta, Qabe, xhaminë e Profetit a.s etj... do të ishte një kontribut i paçmuar në formimin dhe ngulitjen e shumë vlerave pozitive tek personaliteti i fëmijëve. Mosha nga shtatë deri në dhjetë vjeç, është mosha kur fëmijët lidhen më së shumti me personalitete. Është mosha kur ata fillojnë të krijojnë miqësi, shoqëri dhe lidhje me të tjerët. Nëse do të arrinim, që fëmijët tanë t`i lidhim emocionalisht me Profetin a.s, padyshim kjo do të ishte një ndër arritjet më të mëdha.

 

Mosha nga njëmbëdhjetë deri trembëdhjetë vjeç

Në këtë moshë, fillojmë të flasim tërthorazi me fëmijën, rreth moraleve të Profetit a.s. Kështu, në këtë moshë fillojmë ti mësojmë fëmijës jetëshkrimin dhe biografinë e Profetit a.s me shumë detaje të saj.

Sot janë ndërtuar shumë faqe elektronike në internet, të cilat mund ti shërbejnë prindit për të pasuruar njohuritë e tij rreth jetëshkrimit të Profetit a.s dhe më pas për t`ia treguar fëmijëve të tij. Këto faqe elektronike përmbajnë detaje të shumta rreth jetës së Profetit a.s, foto, filma dhe harta të vendeve ku janë zhvilluar ngjarje të rëndësishme.

Unë e këshilloj çdo prind, që kërkon ta lidhë fëmijën me Profetin a.s, të ulet para internetit bashkë me djalin ose vajzën dhe të dy të lexojnë rreth Profetit a.s. Diçka e tillë krijon njëfarë bashkëveprimi dhe bashkëpunimi mes prindit dhe fëmijës, për të zbuluar atë që është më e dobishme dhe në mënyrë të tërthortë, fëmija lidhet me personalitetin e Profetit a.s.

Në këtë moshë, ne mund t’u ngarkojmë dhe detyra fëmijëve tanë. Për shembull, nëse keni vendosur të dilni familjarisht për piknik, ti i kërkon djalit ose vajzës njëmbëdhjetë vjeçare, të përgatisin një konkurs me pyetje rreth jetëshkrimit të Profetit a.s. Kështu, gjatë rrugës familja ndahet në dy grupe, ku çdo grup ka një emër të caktuar, p.sh grupi i betejës së Bedrit dhe tjetri i betejës së Uhudit ose çfarëdo emrash, që u kujton fëmijëve personalitete ose vende të shenjta. Në fund të konkursit, shpërnda dhe çmime stimulues.

 

Mosha nga katërmbëdhjetë deri gjashtëmbëdhjetë vjeç

Kjo është një moshë, kur fëmijët përjetojnë adoleshencën e tyre. Tashmë ata janë të pjekur, i kuptojnë shumë gjëra, mund të bisedojnë drejtpërsëdrejti mbi ato gjëra që i pëlqen dhe që i urren i dërguar i Zotit a.s. Në këtë moshë fëmijës i mësohet dhe ai e studion imtësisht jetëshkrimin e Profetit a.s, që nga lindja e tij deri në vdekje. Në këtë mënyrë, ne i kemi ofruar modelin më të mirë fëmijës. Me një edukatë të tillë, fëmijës – në çfarëdo moshe të jetë – sa herë që i jepet mundësia të bëjë në gjynah, menjëherë do i kujtohet i dërguari i Zotit. Për shkak të dashurisë së Profetit a.s, ai do të gjejë forcë të distancohet. Në këtë mënyrë, Profeti a.s dhe jetëshkrimi i tij korrigjojnë dhe ndreqin sjelljet e fëmijëve.

Nëse do të shohim fëmijët në Perëndim, do të gjejmë që modelet, që u ofrohen atyre, në të shumtën e rasteve janë modele imagjinarë. Kjo bëhet, për shkak se ata nuk kanë një histori dhe trashëgimi të pasur, siç kemi ne në Islam. Kjo nuk ndodh vetëm me civilizimin perëndimor, por edhe me civilizimet e tjera, si ai indian, egjiptian, asirian, fenikas etj...

Të gjithë këto civilizime, kanë historinë dhe meritat e tij, por asnjë prej tyre nuk posedon modelet, heronjtë, kolosët, shkencëtarët, të diturit, fisnikët, liderët etj... që hasen në historinë e civilizimit islam.

Doktor Umer Tudmuri, ka njëzet e pesë vite që punon për të koleksionuar emrat e njerëzve të famshëm dhe të ditur, të cilët kanë hyrë dhe kanë shkelur tokën e Libanit. Për këtë, ai ka përfshirë të gjithë njerëzit që kanë hyrë në Liban, që nga koha e shokëve të Profetit a.s, deri në ditët e sotme. Në këtë enciklopedi, ai ka mbledhur mbi nëntë mijë emra, që kanë vizituar dhe shkelur vetëm tokën e Libanit. Vetëm në Liban, gjatë katërmbëdhjetë shekujve kanë hyrë mbi nëntë mijë njerëz të shquar dhe të ditur. Vallë sa mund të arrijë numri i njerëzve të shquar në gjithë Shamin (Lanton), Egjyptin, veriun e Afrikës, Irakun, Hixhazin, Nexhdin, Andaluzinë etj...

Nuk ka civilizim që posedon njerëz të shquar, të ditur, heronj, modele, liderë etj... siç posedon civilizimi islam.

Prandaj, duke u mësuar fëmijëve tanë jetëshkrimin e Profetit a.s dhe të njerëzve të shquar muslimanë, ne e lidhim fëmijën me një histori, që shtrihet në katërmbëdhjetë shekuj, madje ajo arrin deri tek njeriu i parë mbi tokë, Ademi a.s.

Sado e zhvilluar dhe e përparuar të jetë Amerika, historia e saj nuk i kalon treqind vitet. Kjo bën, që edhe njerëzit e shquar dhe me influencë, të mos jenë të shumtë. Numri i tyre, maksimumi mund të arrijë në njëmijë.

Prandaj, ne duhet ta shfrytëzojmë trashëgiminë tonë në edukimin e fëmijëve, duke u ofruar atyre modelet më të mira të çdo lloj fushe.

Duke u mësuar fëmijëve tanë jetëshkrimin e Profetit a.s, ne i mbrojmë ata nga devijimet dhe shkarjet gjatë jetës. Vetë i dërguari i Allahut ka thënë:”U kam lënë dy gjëra, të cilat nëse u përmbaheni, nuk do të humbisni kurrë: Librin e Zotit (Kuranin) dhe traditën time”

 

 

Pyetësor mbi dashurinë e fëmijëve.

 

Në këtë pyetësor do u drejtojmë prindërve disa pyetjeve, të cilat duhet ti përgjigjeni me:“Gjithmonë, ndonjëherë, rrallë ose asnjëherë”.

Një pyetësor i tillë, mat aftësitë tuaja edukative përsa i përket dashurisë, kontrollit të ndjenjave dhe shprehjes së dashurisë. Ky pyetësor i ndihmon prindërit, të zbulojnë nëse i edukojnë fëmijët që ta shprehin dashurinë ose jo. Kjo bëhet, pasi dashuria dhe përkujdesi për fëmijën, është një faktor garantues për ta mbrojtur atë nga shkarjet dhe dhënia pas tundimeve që e rrethojnë.

 

Pyetja e parë: A e ndjen që i do fëmijët e tu?

 

Pyetja e dytë: A i përshëndet dhe u jep dorën fëmijëve, kur del nga shtëpia dhe kur kthehesh sërish?

 

Pyetja e tretë: A u tregon fëmijëve që i do?

 

Pyetja e katërt: A i puth dhe a i përqafon fëmijët e tu herë pas here?

 

Pyetja e pestë: A e shmang çdo lloj fyerje dhe ofendimi të fëmijëve të tu, sidomos në praninë e shokëve të tyre?

 

Pyetja e gjashtë: A përpiqesh të jesh i buzëqeshur para fëmijëve të tu?

 

Pyetja e shtatë: A i shton adhurimet dhe përkujtimin e Zotit, me nijetin që kjo të bëhet shkak, që fëmijët e tu të jenë të ndershëm?

Diçka të tillë e bënte Abdullah ibnu Mesudi. Gruaja e tij, duke e parë që falte shumë namaz nate, i tha:”Ti fal shumë namaz nate”!

Ibnu Mesudi ia ktheu: ”Unë falem për këtë” dhe i bëri me shenjë foshnjën e tyre që po flinte”.

 

Pyetja e tetë: A i shmang mallkimet dhe të nëmurat e fëmijëve, sido qofshin kushtet dhe rrethanat?

Janë të shumtë ata prindër, të cilët i mallkojnë dhe nëmin fëmijët e tyre, për gjërat më të vogla.

Një ditë, një miku im më tha: ”Për Zotin, sa herë që i hyj një biznesi dështoj. Madje, çdo projekti që i hyj, patjetër që do të dështoj. Mendoj se shkaku për këtë është nëna ime”.

I habitur unë e pyeta: ”Po përse qenka nëna jote shkaku i dështimeve”?

Ai u përgjigj: ”Sepse sa herë që ajo inatosej me mua kur isha i vogël, më thoshte:”Këputsh qafën! Kurrë mos paç sukses!” Tashmë unë e shoh të konkretizuar mallkimin e saj”.

 

Pyetja e nëntë: A u drejtohesh fëmijëve me emrat përkëdhelës, që atyre u pëlqejnë?

Ishte në traditën e Profetit a.s, që njerëzit e afërt t`i thërriste me emra përkëdhelës. Kështu, ai e thërriste gruan e tij Aishen:”O Aish”! Kurse dhëndrin e tij, Aliun, e thirri një herë:”O baba i dheut!”, për shkak se ishte bërë gjithë pluhur”.

 

Pyetja e dhjetë: A i feston bashkë me fëmijët e tu disa festa, si përfundimi i shkollës me rezultate të larta, ditëlindjet e tyre etj...?

 

Pyetja e njëmbëdhjetë: A u bën fëmijëve dhurata, qoftë dhe të vogla, sa herë që të jepet rasti ose për festa?

 

Pyetja e dymbëdhjetë: A u blen fëmijëve të tu lodra, që janë të përshtatshme për moshën e tyre?

 

Pyetja e trembëdhjetë: A u bën fëmijëve komplimente, pothuaj aq sa i kritikon?

Kjo pyetje është shumë e rëndësishme, pasi prindërit e kanë zakon, që vetëm ti kritikojnë fëmijët. Psikologët modernë thonë, që nëse i thua fëmijës tënd një herë “Jo” kundrejt kësaj, duhet të dëgjojë shtatë herë “Po”.

 

Pyetja e katërmbëdhjetë: A luan me fëmijët dhe a bën shaka me ta herë pas here?

Vetë Profeti a.s ecte këmbadoras, ndërkohë që dy nipat e tij, Hasani dhe Husejni, kishin hipur mbi shpinën e tij.

 

Pyetja e pesëmbëdhjetë: A i shmang krahasimet dhe preferencat mes fëmijëve të tu? A i shmang fjalë të tilla si: ”Vëllai yt është më i mirë se ti”?

 

Pyetja e gjashtëmbëdhjetë: A u rrëfen fëmijëve të tu përralla dhe histori të ndryshme, sidomos para gjumit?

 

Pyetja e shtatëmbëdhjetë: A i merr fëmijët e tu me vete, në ato ceremoni dhe aktivitete që u përshtaten moshës së tyre?

 

Pyetja e tetëmbëdhjetë:  A përpiqesh të jesh i besueshëm, ashtu siç e këshillon të jetë fëmijën tënd?

 

Pyetja e nëntëmbëdhjetë: A han qoftë dhe një vakt në ditë, me të gjithë fëmijët e tu?

 

Pyetja e njëzetë: A del herë pas here në piknik apo shëtitje me fëmijët e tu?

 

Pyetja njëzet e një: A këshillohesh herë pas here me fëmijët dhe a i vlerëson mendimet dhe propozimet e tyre?

 

Pyetja njëzet e dy: A e përdor gjithmonë fjalën “Faleminderit” dhe “Të lutem” kur u drejtohesh fëmijëve të tu?

 

Pyetja njëzet e tre: A mendon rreth familjes dhe fëmijëve të tu, të paktën dhjetë minuta në ditë?

 

Pyetja njëzet e katër: A përpiqesh që ti rrallosh fjalë të tilla “Mos më mërzit!” me fëmijët e tu? A përpiqesh ti shtosh fjalë të tilla: ”Afrohu dhe më thuaj çfarë problemi ke”?

 

Pyetja njëzet e pesë: A e lut Zotin çdo ditë, që ta shtojë dashurinë mes jush, t`i forcojë lidhjet dhe t’ju bëjë një familje të lumtur?

 

Siç thamë dhe në fillim të këtij pyetësori, përgjigjet e secilës prej pyetjeve, duhet të jetë me:”Gjithmonë, ndonjëherë, rrallë ose asnjëherë.”

Përgjigjet me “Gjithmonë” vlerësoji katër pikë, ato me “Ndonjëherë” vlerësoji tre pikë, ato me “Rrallë” vlerësoji dy pikë dhe ato me “Asnjëherë” vlerësoji një pikë.

Nëse shuma e mbledhur është mes njëzet e pesë dhe pesëdhjetë pikë, ti o prind ke nevojë ta rishikosh dhe njëherë mënyrën, si ua shpreh dashurinë fëmijëve të tu.

Nëse shuma e mbledhur është nga pesëdhjetë në shtatëdhjetë e pesë, ti o prind ke nevojë të mësosh më shumë si t’ua shprehësh dashurinë dhe atë që ndjen, fëmijëve të tu.

Nëse rezultati është nga shtatëdhjetë e pesë deri në njëqind, ky është tregues, që metoda e ndjekur prej teje për t’ua shprehur dashurinë fëmijëve, është e saktë.

T’u falësh të tjerëve dashuri dhe sidomos familjes tënde, është një parim islam.

Një herë, Profeti a.s ishte i ulur me disa shokë të tij dhe pranë tyre kaloi një burrë. Një nga shokët e Profetit a.s, i tha: ”O i dërguar i Zotit! Unë e dua filanin”.

Profeti a.s e pyeti: ”A i ke treguar që e do”? ”Shko dhe tregoji”!

 

Kështu, shohim që Profeti a.s na edukon dhe këshillon që të tjerëve t’u falim dashuri dhe t’u tregojmë që i duam. Duke përhapur dashuri në shtëpitë tona, padyshim që ato do të jenë të gëzuara dhe të lumtura.

 

Kurani dhe edukimi i fëmijëve

Në Kuranin famë lartë trajtohen dhe përmenden shumë histori dhe ngjarje të rëndësishme, të cilat kanë një rëndësi të veçantë. Nga këto histori, kemi dhe të tilla, ku babai e mëson fëmijën e tij, si të sillet dhe të reagojë në situata të ndryshme.

Zoti thotë në Kuran:” (Kujtoje) edhe Daudin dhe Sulejmanin, kur gjykuan mbi të lashtat, në të cilat kishin kullotur natën bagëtitë e disa njerëzve. Ne ishim dëshmitarë të gjykimit të tyre. Ne e bëmë Sulejmanin ta kuptonte drejtë çështjen dhe që të dyve u dhamë mençuri e dituri. Ne i nënshtruam malet dhe shpendët që, bashkë me Daudin, të thurnin lavde (për Allahun). Ishim Ne që i bënim këto”. (Enbija: 78 – 79)

Në këto ajete, tregohet interesi i Daudit a.s, për ti mësuar djalit të tij gjykimin e drejtë.

Në një ajet tjetër, në suren Bekare, na shfaqet babai, i cili kujdesej dhe i edukonte fëmijët e tij, me adhurimin e një Zoti të vetëm. Zoti thotë në Kuran: ” Ibrahimi ua dha këtë porosi fëmijëve të tij; po ashtu edhe Jakubi: “O bijtë e mi! Pa dyshim, Allahu ka zgjedhur për ju fenë e vërtetë, prandaj mos vdisni ndryshe veçse duke qenë muslimanë të nënshtruar ndaj Atij”! (Bekare 132)

Zoti në Kuranin famëlartë i porosit dhe i urdhëron prindërit, që të kujdesen për familjen dhe fëmijët e tyre.

”O ju që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë e mbikëqyrin engjëj të fuqishëm e të ashpër, të cilët kurrë nuk i kundërshtojnë urdhrat e Allahut, por i zbatojnë menjëherë ato”. (Tahrim 7)

Sipas shumë komentuesve dhe interpretuesve të Kuranit famëlartë është përgjegjësi e babait, që t`i edukojë dhe orientojë fëmijët dhe bashkëshorten drejt më të mirës. Ai duhet të caktojë një kohë të përshtatshme, e cila duhet të jetë për edukimin e tyre.

Prindërit ndahen në disa kategori përsa i përket marrëdhënieve, që kanë ndërtuar me fëmijët e tyre.

 

Kategoria e parë, janë prindërit që i llastojnë fëmijët e tyre, duke u dhënë gjithçka që kërkojnë. Një komunikim i tillë me fëmijët, është shumë i dëmshëm për ta.

 

Kategoria e dytë, janë ata prindër të cilët sillen ashpër dhe dhunshëm me fëmijët. Këta prindër, si babai dhe nëna, sillen rreptë me fëmijët e tyre, sikur të ishin në një repart ushtarak. Padyshim që edhe një metodë e tillë edukimi, është shumë e dëmshme për fëmijët.

 

Kategoria e tretë, janë ata prindër, të cilët bëjnë dallime mes fëmijëve të tyre, gjë e cila edhe kjo është e dëmshme për fëmijët dhe familjen në tërësi.

 

Kategoria e katërt, janë ata prindër të cilët janë autoritarë, që kërkojnë që fëmijët t’ju binden verbërisht dhe të jenë të nënshtruar. Diktatori dhe autoritari në këtë rast, mund të jetë babai ose nëna. Në një familje të tillë, fëmijët jetojnë nën terror, panik, frikë dhe stres. Ata ndihen të qetë dhe të sigurt vetëm jashtë familjes dhe shtëpisë. Që këtu fillojnë sjelljet perverse, devijuese dhe të shëmtuara.

 

Kategoria e pestë, janë ata prindër, të cilët u kushtojnë fëmijëve një kujdes të tepërt. Ata duan ti kenë fëmijët nën kujdesin dhe mbikëqyrjen e tyre njëzet e katër orë, ngaqë frikësohen se mos u ndodh gjë e keqe. Fëmijë të tillë, kur rriten dhe arrijnë moshën e burrërisë, nuk dinë të arsyetojnë drejt dhe e kanë shumë të vështirë të marrin një vendim.

Një miku im më tregoi: ”Gjatë gjithë fëmijërisë dhe rinisë time kam jetuar në krahët dhe përkujdesjen e nënës. Ishte ajo, e cila më zgjidhte edhe rrobat që duhej të vishja. Tashmë që jam martuar, unë nuk di as si të vishem dhe çfarë të vesh. Gjithmonë e pyes bashkëshorten nëse duhet ta vesh filan këmishë apo jo”.

 

Kategoria e gjashtë, janë ata prindër të cilët i neglizhojnë, injorojnë dhe që janë indiferentë ndaj fëmijëve. Prindër të tillë, thjesht sa plotësojnë atësinë dhe mëmësinë e fëmijëve në certifikatën e lindjes. Ata nuk dinë si ti edukojnë fëmijët, nuk ulen të bisedojnë dhe qajnë hallet me ta dhe nuk tregojnë fare interes për fëmijët.

Prandaj psikologët bëjnë dallime mes babait dhe atësisë, nënës dhe mëmësisë. Babai dhe nëna, janë ata që i lindin fëmijët. Kurse atësia dhe mëmësia kanë të bëjnë më së shumti me edukimin, përkujdesjen, orientimin e duhur, mbikëqyrjen, faljen e dashurisë dhe dhembshurisë etj...

Procesi i edukimit të fëmijëve është një proces, që kërkon mund dhe nuk është aspak i lehtë. Për këtë, prindërit kanë nevojë të lexojnë dhe t’ju referohen librave, faqeve elektronike në internet, programeve televizive, revistave, kasetave dhe institucioneve, që merren me këtë fushë.

Ne duhet të bëjmë çmos, që fëmijët tanë të edukohen sa më mirë dhe të lenë gjurmët e tyre të dobishme në këtë jetë. Do të ishte një ndër gabimet më trashanike, nëse do të donim që fëmijët tanë të jenë një kopje e jona. Ne duhet t`i edukojmë të jenë të suksesshëm, sipas modelit më të mirë, profetit Muhamed a.s.

Edukimi i fëmijëve, aq sa është i vështirë, është dhe i lehtë në të njëjtën kohë. Të gjithë ne e dimë historinë e Musait a.s me Hidrin, kur rindërtuan murin e shembur dy jetimëve. Shkaku ishte, se babai i tyre kishte qenë njeri i mirë dhe i ndershëm.

Kështu, nëse duam që fëmijët tanë të jenë të ndershëm, duhet që ne prindërit të jemi të tillë. Nëse babai dhe nëna janë të ndershëm edhe fëmijët do të jenë të tillë.

Një herë më erdhi një nënë dhe më tha: ”Djali im është tetëmbëdhjetë vjeç dhe shoqërohet me djem të këqij, që konsumojnë alkol dhe droga të ndryshme. Veç kësaj, djali im studion në filan shtet dhe nuk është pranë meje. Çfarë duhet të bëj”?

Unë e pyeta: ”A je përpjekur që ta edukosh mirë, ta lidhësh me profetin Muhamed a.s dhe moralet e tij”?

Ajo u përgjigj: ”Po”.

Atëherë i thashë: ”Atëherë mos ia kij merakun edhe pse ndodhet larg teje dhe shoqërohet me djem të këqij! Përderisa që në vegjëli e ke edukuar mirë, mos u frikëso! Edhe pse je larg tij, këshilloje dhe udhëzoje, porosite që të largohet nga shoqëria e keqe dhe lute Zotin që ta ruajë dhe mbrojë”.

Kjo nënë i zbatoi këshillat e mia dhe në fund djali i saj i përfundoi studimet me rezultate të kënaqshme dhe u kthye në vendlindjen e tij, pa u ndikuar nga shokët e këqij.

Ne e kemi të pamundur që ti mbajnë fëmijët tanë të mbyllur dhe nën mbikëqyrjen tonë për njëzet e katër orë. Ajo që mund të bëjmë si prindër është, që ti formojmë dhe edukojmë me edukatë të mirë në vegjëli. Ne duhet ti përgatisim fëmijët tanë, ashtu siç e përgatisim tokën para se ta mbjellim. Ne duhet ti përgatisim dhe formojmë ata, para se të nisin udhëtimin e tyre të jetës dhe të dalin në shoqëri. Ne duhet të lodhemi gjatë fëmijërisë së tyre dhe kur të rriten, t’ju themi: ”Tashmë është koha të fluturoni”.

Këtë duhet ta themi, duke qenë të sigurtë, se fëmijët tanë do të bëhen faktorë pozitivë në shoqëri, duke lënë gjurmë dhe kontribut të paçmuar për shoqërinë.

Dëshira dhe ëndrra e çdo prindi është, që pasardhësit e tij të jenë dhe të jetojnë të ndershëm, të jenë vazhdim i rrugës së tyre edhe pas vdekjes. Kështu ne si prindër edhe pasi të kemi vdekur, kemi mundësinë të përfitojmë nga veprat e mira të fëmijëve tanë të mirë edukuar.

E lusim Zotin, që të na ndihmojë në misionin e edukimit të fëmijëve tanë.

 

 

 

 Perktheu: Elmaz Fida

 

Submitting your vote...
Not rated yet. Be the first who rates this item!
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

19/12/2014
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
05:17 06:5711:4514:0016:2017:49

Urtësi

“...Dije biri im se ditët

i numërojnë orët,

ndërsa orët i numërojnë

frymëmarrjet.

Shpirti është si hambari.

Prandaj kujdesu që ai të mos humbë

dhe të mos mbledhë asgjë tjetër

përveç veprave të mira,

sepse në të kundërt në Ditën e Gjykimit

do të vish me hambar të zbrazët,

i penduar thellë”.

Abdurrahman ibn Xheuzi

Hutbe

Flash is required!

Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook