By: Amer Halid

El-Fettah (Ai që u jep zgjidhje të gjitha halleve)


Emri “El-fettah” përmendet në Kur’an dy herë: “Zoti ynë, vendos mes nesh dhe mes popullit tonë gjykimin Tënd të drejtë, se Ti je më i miri Gjykatës.” (El-A’raf: 89)

Thuaj: “Zoti ynë na tubon neve dhe juve, e pastaj me drejtësi gjykon mes nesh, se Ai është Gjykatës i Drejtë, i Dijshëm. (Es-Sebe: 26)

 

Kuptimi i emrit El-Fettah

Është bërë zakon që kur dikush fillon një punë të re, biznes të ri, fillon shkollë, niset për të kërkuar dorën e një vajze… të tjerët e urojnë: “Zoti t’i haptë dyert e të mirave dhe të suksesit.” Emri El-Fettah do të thotë: “Dikush që hap”. Që të hapësh, duhet të kesh diçka të mbyllur më parë. Nëse dera është e hapur, është e papranueshme të thuash: “Po shkoj të hap derën”.

Emri i Zotit “El-Fettah” ka tre kuptime:

  • I pari është që të hapësh çdo gjë që është e mbyllur. Kështu, El-Fettah është Ai që hap çdo gjë

që është e mbyllur dhe e pamundur. Ai largon brengat, zgjidh hallet, lehtëson vështirësitë… Nëse të mbyllen të gjitha dyert, o vëlla dhe o motër, shko dhe kërkoji El-Fettahut të ndihmojë. Nëse të gjithë njerëzit të thonë se nuk ka më shpresë, nëse të errësohet bota përreth, nëse halli që të ka rënë shtohet çdo çast, nëse lotët të rrjedhin pa pushim prej hallit që të ka rënë, nëse shpresat janë këputur… shko tek El-Fettahu. Nëse diçka e tillë ngulitet thellë në zemrën tënde, nëse e njeh Zotin me këtë emër, të siguroj se je njeriu më i fuqishëm dhe më i qetë në botë. Trokit në derën e Tij, përulu para Tij me përkushtim, lëre syrin të lotojë dhe i thuaj: ”O El-Fettah, tek Ti kam ardhur.”

Thotë Zoti i Madhërishëm në Kur’an: Atë që All-llahu ua dhuron njerëzve nga mëshira e Tij, nuk ka kush që mund ta pengojë, e atë që Ai e ndal, nuk ka kush që mund ta lirojë veç Tij; Ai është Ngadhënjyesi, i Gjithëdijshmi...” (El-Fatir: 2)

Nëse Zoti t’i ka hapur dyert e të mirave, nuk ka mundësi që t’i mbyllë kush dhe e anasjellta. Kush mund ta hapë një derë që e ka mbyllur Zoti?! Dhe kush mund ta mbyllë një derë që e ka hapur Zoti për ty?! 

Ato çifte marrëdhëniet e të cilëve janë vështirësuar, çdo përpjekje për t’u pajtuar ka dështuar, që kanë frikë për fëmijët dhe të ardhmen e tyre…, le t’i drejtohen El-Fettahut. Thuaji Zotit: ”O Zot! Hape derën e mëshirës për ne dhe na e zgjidh këtë hall në të cilin ndodhemi!”

Nëse problemet ekonomike vetëm shtohen, nëse je përpjekur të gjesh punë dhe ke dështuar, nëse të gjitha rrugët të mbyllen…, shko dhe kërkoji ndihmë El-Fettahut. Atë mëshirë dhe furnizim që Zoti ua jep njerëzve, askush nuk mundet ta pengojë.

Ajo motër së cilës i ka kaluar mosha e martesës, ajo motër që nuk ka lënë fallxhor pa takuar për të zbuluar fatin e saj, ajo që jeton në ankth dhe stres, pasi asnjë nuk ka kërkuar dorën e saj, le të shkojë tek El-Fettahu dhe t’i kërkojë Atij ta ndihmojë.

 

 

Ai i sëmurë që vuan nga një sëmundje e pashërueshme, atij që doktorët ia kanë prerë shpresat për të jetuar, atij që i janë mbyllur dyert e shpresës…, le të shkojë tek El-Fettahu dhe t’i kërkojë shërim. Nëse shpresat për jetë t’i ka prerë doktori, dije se jeta është në dorën e El-Fettahut.

O ti prind që ke një fëmijë që vuan nga një sëmundje e rëndë, shko tek El-Fettahu dhe lute ta shërojë fëmijën tënd. Të jesh i sigurtë se Ai do t’i hapë dyert e mëshirës së Tij.

Umeti musliman sot po përjeton ngjarje të dhimbshme. Iraku është në krizë dhe nuk dihet kur do të përfundojë lufta. Palestina është e humbur dhe nuk dihet kur do të çlirohet. Muslimanë akuzohen për terrorizëm kudo qofshin. Nëse nuk do t’i mbajmë sytë nga El-Fettahu dhe të kërkojmë ndihmën e Tij, nga kush tjetër do të presim?

Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] në betejën e Bedrit ishte shumë i shqetësuar. Muslimanët ishin vetëm treqind veta, ndërsa mekasit mbi një mijë. Muslimanët kishin vetëm dy kalorës, kurse mekasit mbi njëqind të tillë. Nëse do të thyeshin në këtë betejë, e ardhmja e Islamit dhe e muslimanëve do të ishte shumë e zymtë dhe e pashpresë. I gjendur para një situate të tillë, Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ngriti duart nga qielli, saqë i dukeshin edhe sqetullat, dhe filloi të lutej me përkushtim. Duke u lutur, atij i ra përtokë edhe xhybeja që kishte mbi supe. Ai lutej: ”O Zot! Të lutem mbaje premtimin që më ke dhënë!” Ebu Bekri [radijall-llahu anhu] kur e pa Profetin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] të shqetësuar dhe duke u lutur me gjithë shpirt, i erdhi keq dhe filloi ta qetësojë duke i thënë: ”Qetësohu, o i Dërguari i Zotit! Padyshim që Zoti do e mbajë premtimin që të ka bërë!” Më pas, Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] u tha luftëtarëve muslimanë: ”Gëzohuni, pasi shoh Xhibrilin [alejhis-selam] të hipur mbi kalë, që udhëheq një mijë melekë të tjerë. Ata kanë ardhur të luftojnë me ju sot.”

Kështu u erdhi ndihma dhe fitorja muslimanëve.

Këto fjalë ua themi atyre që hallet dhe problemet u kanë zënë frymën. Atyre që u intereson çështja e muslimanëve në Palestinë dhe në Irak…, le t’i drejtohen El-Fettahut dhe t’i kërkojnë t’u hapë dyert e mëshirës së Tij.

Tregohet se Ibnu Tejmije kur kishte për të gjykuar rreth një çështjeje me rëndësi, dilte në shkretëtirë, shtrihej përtokë, vendoste fytyrën për dheut dhe lutej gjatë që Zoti i Madhërishëm ta ndihmonte për t’i dhënë zgjidhje çështjes. Ai vetë tregon: “Nuk kthehesha në shtëpi, pa m’u kujtuar zgjidhja e problemit.”

Të gjithë ata që bëjnë hulumtime në fusha të ndryshme, të gjithë ata studentë që po mbrojnë temën e magjistraturës dhe të doktoraturës, të gjithë studentët që janë me provime…, le t’i kërkojnë ndihmë dhe zgjidhje Atij që e ka në dorë zgjidhjen dhe ndihmën.

Vallë, sa vite ka që nuk e ndien El-Fettahun?

Një miku im, ka një fëmijë dymbëdhjetë vjeç. Ditën që i lindi djali, gruaja e tij pati probleme gjatë lindjes. Për këtë, doktorët menduan ta ndihmojnë të lindë me një aparaturë që e tërhoqi fëmijën, derisa doli. Me të lindur fëmija, filloi të ketë të dridhura. Aparati me të cilin e tërhoqën, i kishte shkaktuar defekte në qelizat nervore të trurit. Doktori i parë që e vizitoi, u tha: ”Qelizat e trurit nuk do të zhvillohen. Për këtë, fëmija ose do të jetojë i paralizuar ose do të ketë probleme mendore. Prindërit nuk lanë doktor dhe spital pa e vizituar fëmijën e tyre. Në fund, prindërit u dorëzuan dhe urimi i vetëm i tyre ishte që djali të vdesë, me qëllim që të mos vuajë. Një ditë, babai i fëmijës shkon të vizitojë një mikun e tij. Në shtëpinë e mikut, ai gjen edhe një doktor, të cilit i qan hallin, edhe pse i kishte humbur shpresat. Doktori i kërkoi që ta vizitojë, por pa i dhënë shpresë. Në atë kohë – tregon babai – unë i kisha këputur të gjitha shpresat tek doktorët dhe tek mjekësia. Gjëja e vetme ku fillova të shpresoj ishte vetëm Zoti i Madhërishëm. U luta për shumë kohë, derisa takova doktorin e lartpërmendur. Mundi dhe përpjekjet e mëparshme ishin zero. Doktori filloi ta kurojë dhe kura dha efektet e para. Djali tashmë është dymbëdhjetë vjeç, është në shkollë dhe ka rezultate të larta. Ai luan dhe jeton si çdo fëmijë tjetër normal. El-Fettahu nuk zhgënjen askënd që i lutet.

O vëlla dhe o motër! A e kujton sa herë El-Fettahu t’i ka hapur dyert e mëshirës, kur hallet dhe telashet kishin arritur kulmin? Sa herë të ka ndodhur kjo, edhe pse nuk e ke kërkuar? Përse i ke harruar këto

 

mirësi? Kthehu pas dhe vështroje jetën tënde nga fillimi! A i kujton problemet që ke hasur? A e kujton sa herë je grindur me gruan tënde dhe gati nuk jeni ndarë? A e kujton që gati nuk u martove me një njeri të papërshtatshëm? A i kujton problemet që kishe kur studioje në universitet? A e kujton grindjen mes teje dhe babait tënd? A e kujton se si e zgjidhi Zoti i Madhërishëm? Të gjitha këto probleme janë zgjidhur, edhe pse nuk ia kërkove El-Fettahut. Po sikur t’ia kërkoje dhe t’i ishte lutur?

Kështu, shohim se kuptimi i parë i emrit “El-Fettah” është kur problemi dhe halli të zgjidhet kur të janë mbyllur të gjitha dyert dhe i ke prerë të gjitha shpresat.

  • Kuptimi i dytë i këtij emri është kur dyert e shpresës hapen që në fillimet e problemit. Nëse ti

kërkon të hapësh një kompani, kërkon të martohesh…, të nevojitet një përkrahje dhe një ndihmë. Për këtë, të duhet ndihma dhe përkrahja e El-Fettahut, prandaj shko dhe trokit në dyert e Tij. Zoti është El-Fettah kur hallet dhe telashet ta kanë zënë frymën. Ai është El-Fettah edhe në fillim të halleve dhe problemeve. Çdo hall dhe shqetësim i ri, hyn tek çështjet e së fshehtës, të cilën nuk e di vetëm se Zoti: “Ai ka çelësat e së fshehtës, askush tjetër nuk i di përveç Atij.” (El-En’am: 59)

Nëse kërkon të martohesh me filanen, kërkoji El-Fettahut që të udhëzojë drejt asaj që është më e mirë për ty. Nëse ke përfunduar universitetin, dëshiron të punësohesh, por nuk ke gjetur akoma punë, drejtoi duart drejt qiellit dhe lute El-Fettahun.

Ditën që po përgatisja këtë temë, fala sabahun në Qabe dhe fillova të bëj tavaf. Gjatë gjithë kohës së tavafit, lutesha: ”O El-Fettah, na i hap dyert e suksesit dhe të mirave të Tua!” Kur përfundova rrotullimin e shtatë, pashë se drita e agimit filloi të ndriçojë dhe thashë me vete: ”Ndihma dhe hapja e dyerve të suksesit, po manifestohet me lindjen e agimit!” Le të përpiqemi ta shohim gjithësinë me sy tjetër, o vëllezër dhe motra. Thotë Zoti në Kur’an: ”A e shihni që nëse Zoti e bën ditën natë të errët deri në Ditën e Kijametit, kush është ai zot tjetër që mund t’ju sjellë dritë përveç All-llahut?”  (El-Kassas: 71)

  • Kuptimi i tretë i emrit El-Fettah shfaqet kur grindjet dhe zënkat mes teje dhe njerëzve të tjerë arrijnë kulmin, edhe pse je i pafajshëm.

O motër, nëse ty të është bërë padrejtësi, është shpifur për ty, të kanë përgojuar dhe njerëzit i kanë besuar, kërkoji El-Fettahut të ndihmojë. Kush tjetër, veç El-Fettahut, mund që ta ndihmojë dhe përkrahë të drejtën? Thotë Zoti në Kur’an: Zoti ynë, vendos mes nesh dhe mes popullit tonë gjykimin Tënd të drejtë, se Ti je më i miri Gjykatës.” (El-A’raf: 89)

Thuaj: “Zoti ynë na tubon neve dhe juve, e pastaj me drejtësi gjykon mes nesh, se Ai është Gjykatës i Drejtë, i Dijshëm.(Es-Sebe: 26)

Me kuptimin e tretë, Zoti i Madhërishëm e bën të drejtën të triumfojë, sido që të jetë situata. Kurrë mos u mërzit, o vëlla dhe o motër, edhe pse të gjithë flasin dhe shpifin kundër teje, edhe pse çështjen tënde e trajtojnë mediat…, pasi El-Fettahu do të qëndrojë përkrah teje. O vëlla që ëshë shpifur kundër teje, është komplotuar kundër teje, je akuzuar pa të drejtë…, nëse je i pafajshëm dhe në të drejtë, mos u dëshpëro. Shko tek El-Fettahu, bjeri në sexhde dhe lutu: Zoti ynë, vendos mes nesh dhe mes popullit tonë gjykimin Tënd të drejtë, se Ti je më i miri Gjykatës.”

Aisheja [radijall-llahu anha], gruaja e Profetit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], u akuzua për çështje nderi padrejtësisht. Këtë akuzë e thurrën dhe e përhapën hipokritët. Për një muaj rresht, këto akuza u bënë objekt i bisedave të banorëve të Medines. Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] i gjendur para një situate të ngatërruar, ku nuk kishte prova, u ngjit në minber dhe u tha muslimanëve: ”O ju njerëz! Kam dëgjuar se dikush (Abdull-llah ibnu Ubej ibnu Seluli) më ka lënduar në familjen time. Deri sot nuk di për familjen time veç gjëra të mira dhe për këtë kanë dëshmuar edhe të tjerë...” Kjo bëri që të fillojnë zënkat dhe grindjet me fjalë mes pjesëtarëve të fiseve Eus dhe Hazrexh. Çështja vetëm sa përkeqësohej dhe Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] nuk dinte ç’të bëjë. Kurse Aishja [radijall-llahu anha] tregon dhe thotë: ”Unë qaja ditë e natë.” Një ditë Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] shkon në shtëpinë e Ebu Bekrit [radijall-llahu anhu], ku qëndronte Aisheja [radijall-llahu anha], dhe e pyet: ”Nëse ke vepruar diçka haram, kërkoji falje Zotit! Nëse je e pafajshme nga ajo që thonë, dije se Zoti do e shpallë pafajësinë tënde.” Tregon Aishja [radijall-llahu anha]: ”Unë nuk dija si t’u përgjigjesha. Nëse do t’u thoja se jam e pafajshme, ata nuk do të më besonin. Kurse, nëse do pranoja diçka që nuk e kam vepruar do e besonin. Shpresa ime e vetme ishte që Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] të shihte një ëndërr ku t’i tregohej pafajësia ime.” Por El-Fettahu e vërtetoi pafajësinë e saj me ajete kur’anore që lexohen deri Ditën e Kijametit.

Jusufi [alejhis-selam] hyri në burg padrejtësisht, i akuzuar për çështje nderi. Për këtë, ai u ndëshkua me burg për nëntë vite rresht. El-Fettahu do e nxjerrë nga burgu me anë të një ëndrre që e sheh mbreti i Egjiptit. Pas gjithë këtyre viteve burg, gruaja e Azizit vjen para tij dhe para mbretit dhe pranon se ajo e kishte joshur Jusufin [alejhis-selam] dhe jo e kundërta.

El-Fettahu të ndihmon para se t’ia kërkosh. Sa herë je akuzuar padrejtësisht dhe ka qenë Zoti Ai që ta zgjidhi gjuhën dhe je mbrojtur denjësisht? Sa herë të ka ndodhur që nuk ke ditur si ta mbrosh veten dhe dinjitetin tënd, ndërsa Zoti i Madhërishëm ka çuar dikë tjetër që të ka përkrahur? Sa herë kanë folur në interesin tënd, pikërisht armiqtë e tu më të egër? Sa herë t’i ka hapur dyert e suksesit El-Fettahu? Sa herë ke qenë në halle dhe të ka nxjerrë prej tyre? Sa herë të ka ardhur ndihma e Tij, në nismat dhe iniciativat e reja që ke ndërmarrë dhe sa herë suksesin që ke pasur ia ke atribuar vetes tënde?

Zoti është El-Fettah kur hallet, vështirësitë dhe telashet ta kanë zënë frymën. Ai është El-Fettah që në fillim të çdo nisme të ndihmon dhe të përkrah. Ai është El-Fettah kur të tjerët sillen padrejtësisht ndaj teje.

E gjithë jeta jonë është e lidhur me emrin El-Fettah. A nuk e meriton që ta duam El-Fettahun tonë?

El-Fettah nuk është vetëm për zgjidhjen e halleve dhe problemeve. El-Fettah është edhe për ata që kërkojnë të kryejnë Haxhin dhe nuk kanë mundësi ekonomike. Nëse El-Fettahu dëshiron që të kryesh Haxhin këtë vit, kush është ai që mund të ta refuzojë vizën? A është e vështirë për El-Fettahun që të ti sigurojë paratë e nevojshme?!

 

Si duhet t’i ndërtojmë lidhjet tona me emrin El-Fettah? Cilat janë kushtet që të na vijë ndihma nga El-Fettahu?

  • El-Fettahu kërkon prej teje të punosh për zgjidhjen e problemit deri në çastet e fundit.

Kjo, pasi ti nuk e di kur do të vijë ndihma. El-Fettahu mund ta vonojë ndihmën e Tij, për të vënë në sprovë këmbënguljen, besimin dhe durimin tënd. Ai e vonon ndihmën, me qëllim që të sprovojë këmbënguljen tonë në adhurimin e Tij. Shumë njerëz të thonë se u luta gjatë gjithë Ramazanit, lexova Kur’an, u fala shumë…, por zemrën e kam akoma të ashpër dhe të ngurtë. Ajo akoma nuk më është zbutur dhe akoma nuk më rrjedhin sytë lot nga përkushtimi për Zotin e Madhërishëm. Këtë, Zoti e bën me qëllim që ti të vazhdosh ta lusësh dhe të shpresosh për një kohë të gjatë, me qëllim që të sprovojë këmbënguljen dhe sigurinë tënde. Diçka e tillë i ngjan zgjatjes së periudhës së kursit të makinës, me qëllim që të përfitosh sa më shumë.

Një i ditur thotë: “Mos u largo nga dera e Zotit, edhe sikur të përzënë. Mos e ndërpre kërkimin e faljes, edhe sikur të mos ta pranojë. Nëse e hap derën për njerëzit e mirë, hyr edhe ti si i paftuar. Shtrija dorën dhe thuaji: ”Jam një nevojtar që kërkon mëshirën Tënde.”

Shpeshherë Zoti i Madhërishëm e vonon pranimin e lutjes, pasi Ai dëshiron të të shohë duke pritur pranë derës së Tij.

Nëse një person i padëshiruar të çon zile në telefon, ti nuk ia hap. Por nëse ai vazhdon të çojë zile, ti

patjetër që do të detyrohesh t’ia hapësh dhe t’i flasësh. Një derë që trokitet shpesh dhe me forcë, patjetër do të hapet. Nëse kjo ndodh me krijesat, ç’mendon për Krijuesin El-Fettah?! Prandaj, qëndro pranë derës së Zotit të Madhërishëm, lute, qaj, kërkoji ndihmë dhe mos u mërzit, edhe nëse ndihma të vonohet. Vazhdo tek dera e Tij, derisa lutjet të pranohen dhe ndihma të vijë.

Vetë emri El-Fettah të mbush me shpresë. Ku ka sëmundje që mund t’i rezistojë dëshirës së El-Fettahut për shërim?! Ku ka problem që nuk zgjidhet për El-Fettahun?! El-Fettah përmban shpresën më të madhe. Nëse ke nevojë për pak besim dhe shpresë, kujto sa më shpesh emrin El-Fettah dhe lute me këtë emër. O vëlla, kurrë mos i humb shpresat, sepse Zoti do e ndihmojë këtë umet. A e kujton Profetin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] se sa lodhej me fiset arabe, derisa i erdhi ndihma dhe përkrahja hyjnore? Ai vizitoi 26 fise arabe duke u kërkuar që ta mbronin dhe ta strehonin, por asnjëri prej tyre nuk pranoi. Kaluan të gjitha ditët e Haxhit dhe asnjë nuk pranoi ta ndihmonte. Edhe ditën e fundit të Minasë, ku të gjitha haxhillarët po përgatisnin rrobat për t’u larguar, Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] shpresonte se do të gjente përkrahje. Teksa të gjithë përgatiteshin dhe niseshin për udhë, Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] kërkonte dikë që ta përkrahë dhe të besojë. Ai do të presë edhe njeriun e fundit, derisa të largohet. Do të trokiste mbi të gjitha dyert e mundshme. Personat e fundit që mund ta

pranonin ftesën e tij, ishin gjashtë të rinj që po rruanin kokën tek berberi. Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] vajti i takoi dhe u foli mbi fenë. Kur dëgjuan fjalët e tij, të rinjtë panë njëri-tjetrin në sy dhe thanë: ”Ky është Profeti me të cilin na kërcënojnë çifutët!” El-Fettahu bëri që çifutët të bëhen shkak që këta të rinj të besojnë në mesazhin e Profetit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem].

El-Fettahu kërkon të punosh deri në çastet e fundit, me qëllim që të sprovojë besimin dhe këmbënguljen tënde.

  • El-Fettahu e sjell ndihmën në atë formë që ti nuk e imagjinoje dot.

Jusufi [alejhis-selam] u burgos për nëntë vite rresht. Ishte pikërisht burgu nga ku i erdhi, më pas, ndihma e Zotit të Madhërishëm. Nëse nuk do të ishte burgosur, ai nuk do të ishte takuar me shërbëtorin e mbretit, i cili do t’i tregonte mbretit mbi Jusufin [alejhis-selam] që komentonte ëndrra.

Nëse do të kishte dalë nga burgu më parë, ndoshta nuk do e gjente dot mbreti për t’i komentuar ëndrrën dhe nuk do të kishte mundësi të bëhej ministër. Shumë gjëra në jetën tonë i shohim si probleme, telashe, dobësi dhe vuajtje, ndërsa ato mund të jenë kulmi i ndihmës hyjnore. Gjendje e dobët e umetit musliman sot, mund të jetë pika kulminante e ndihmës dhe triumfit të Islamit, edhe pse nuk e ndiejmë për momentin.

Në marrëveshjen e Hudejbijes, muslimanët vajtën në Meke, me qëllim që të kryenin Umren, por Kurejshët nuk i lejuan të hyjnë në qytet. Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] u ofroi të nënshkruanin një marrëveshje paqeje dhe të dy palët ranë dakord. Umer ibnul Hattabi [radijall-llahu anhu] ishte kundër kësaj marrëveshjeje, pasi ai kërkonte që të lejoheshin të kryenin Umren ose të luftonin. Ai nuk ishte dakord me asnjë nga kushtet dhe nenet e kësaj marrëveshjeje, të cilat dukeshin sikur dëmtonin muslimanët. Por Zoti i Madhërishëm i shpalli Profetit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ajete të posaçme që flasin mbi rëndësinë e kësaj marrëveshjeje dhe e konsideronte atë si një fitore: ”Ne të dhamë një fitore të qartë.” (El-Fet’h: 1)

Umeri [radijall-llahu anhu] u befasua nga ky ajet dhe e pyeti Profetin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]: ”O i Dërguari i Zotit, a fitore është kjo?” Muslimanët kishin ardhur të kryenin Umre dhe nuk u lejuan. Madje, Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] nuk i lejoi as që të luftonin për të drejtën e tyre. Veç kësaj, kushtet dhe pikat e marrëveshjes, dukej se ishin në dëm të muslimanëve. Kurse ajeti i mësipërm e konsideronte si fitore. Për këtë, Umeri [radijall-llahu anhu] e pyeti Profetin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] nëse ishte fitore. Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] iu përgjigj: ”Po, o Umer!” Umeri e pyeti përsëri Profetin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]: ”O i Dërguari i Zotit! A nuk na premtove që do të kryejmë Umren?!” Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] iu përgjigj: ”Mos të thashë se do e kryejmë këtë vit?!”

Numri i njerëzve që pranuan Islamin gjatë dy viteve të marrëveshjes, ishte më i madh se numri i atyre që kishin pranuar Islamin që nga fillimi i mesazhit hyjnor. Meqënëse ishte arritur paqja mes muslimanëve dhe Kurejshëve në Meke, fiset pranuan ta dëgjojnë mesazhin e Profetit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], u pëlqeu dhe e pranuan atë.

Nëse kërkon ta ndjesh prezencën e emrit El-Fettah në jetën tënde, pasi të kesh lexuar këtë temë, ulu me familjen tënde dhe diskutoni mbi momentet e vështira që keni kaluar gjatë jetës dhe zgjidhjen që u ka ardhur nga El-Fettahu.

  • Ai u jep zgjidhje problemeve dhe halleve me gjërat më të thjeshta.

Të ndihmon me një fjalë, me një pikë loti, me një ajet Kur’ani, në një çast të vetëm… Mund ta lexosh një ajet prej njëzet vite rresht. Vjen një moment kur ti e lexon dhe të vijnë mendime dhe komentet që ndryshojnë jetën tënde.

Tregon një njeri, i cili më parë nuk ka pasur asnjë lidhje me fenë. Një ditë – tregon ai – po shkoja në punë dhe, teksa kaloja pranë një kafeneje, dëgjova zërin e magnetofonit që këndonte Kur’an. Në ato çaste, lexuesi i Kur’anit po lexonte ajetin: ”Kujtoni kur u thamë melekëve t’i përulen në sexhde Ademit. Të gjithë u përulën përveç Iblisit, i cili ishte nga xhindët dhe theu urdhërin e Zotit.” (El-Kehf: 50) Unë vazhdova të ec, por pa i kushtuar vëmendje, pasi nuk më interesonte. Por, papritur, ajeti pasardhës më zgjoi nga harresa: ”A e bëni atë dhe pasardhësit e tij miq tuaj, duke qenë se janë armiqtë tuaj?! Sa zgjedhje e keqe është kjo për të padrejtët!” (El-Kehf: 50) Në ato çaste, u ndala dhe fillova të mendohem rreth këtij ajeti. Si ka mundësi që unë gjatë gjithë këtyre viteve e kam bërë shejtanin mikun tim?! A ka zgjedhje më të keqe se kjo?! Krejt papritur pashë se fillova të përsëris me vete: ”O Zot, pas kësaj dite, nuk do të ndërroj më me Iblisin!”

Një i ri, tregon historinë e udhëzimit të tij. Udhëtoja me tren për në Aleksandri. Së bashku me disa shokë dhe shoqe kishim rënë dakord për të vajtur dhe vepruar një nga gjynahet më të rënda. Gjithçka e kishim rregulluar që të mos e marrë vesh askush, madje as njerëzit më të afërm. Në tren rastisi që të ulem pranë një të riu që, në ato çaste, po lexonte Kur’an. Teksa udhëtonim, i riu që ishte ulur pranë meje, lexoi ajetin: Ata fshihen prej njerëzve, e nuk turpërohen prej All-llahut, Ai është me ta edhe kur planifikojnë fshehtas thënie me të cilat nuk është i kënaqur Ai. All-llahut nuk mund t’i shpëtojnë veprimet e atyre. (En-Nisa: 108)

Në ato çaste fillova të qaj, derisa arrita në Aleksandri. Me të arritur, bleva një biletë kthimi dhe u ktheva.

Një nga shokët e mi më të dashur, para se të udhëzohej në rrugë të drejtë, udhëtonte nga njëri shtet në tjetrin për të luajtur bixhoz dhe për të vepruar gjëra të ulëta. Një nga miqtë e tij, /pi thotë një ditë: ”O filan! Ke kaq kohë që udhëton për kënaqësitë e kësaj bote. Përse nuk bën një udhëtim për hatër të Zotit?!” - “E ku duhet të udhëtoj?!” – e pyeti i habitur. - “Shko dhe kryej një Umre!” - iu përgjigj ai. Nga kjo fjalë, ai shkon dhe kryen Umren dhe braktis të gjitha gjynahet e mëparshme.

Kërkoji çastet e ndihmës dhe zgjidhjes së El-Fettahut, o vëlla dhe o motër! Mos nënvleftëso asgjë, qoftë kjo edhe një fjalë pa rëndësi. Mos e nënvleftëso agjërimin, namazin, adhurimin…, qëndro gjithmonë i kujdesur.

  • Kur u jep zgjidhje problemeve, e bën në mënyrë të qartë.

Nëse zgjidhja dhe ndihma është e zakonshme, njeriu mendon se diçka e tillë erdhi nga përpjekjet e tij. Kurse zgjidhja dhe ndihma e El-Fettahut është e tillë, saqë nuk e përfytyroje: “Ne të dhamë një fitore të qartë.” (El-Fet’h: 1)

Haxhereja u përpoq dhe u lodh duke kërkuar zgjidhje për hallin që i kishte rënë. Ajo u ngjit dhe zbriti në dy kodrat përreth shtatë herë. Ajo që kërkonte ishte pak ujë për djalin e saj, Ismailin [alejhis-selam]. Kurse zgjidhja e El-Fettahut ishte e tillë që nga ky ujë do të pinin njerëzit deri në Ditën e Kijametit. Për të vlerësuar përpjekjet e Haxheres, zgjidhja dhe ndihma e Zotit të Madhërishëm erdhi dhe ishte një mrekulli. Ishte një zgjidhje jo vetëm për Haxheren dhe djalin e saj, por për të gjithë njerëzit që vizitojnë Qabenë deri në Ditën e Kijametit.

Fillimi i ndihmës dhe zgjidhjes së problemeve të Profetit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] erdhi pikërisht nga shpella Theur, ku u fsheh para se të udhëtojë për në Medine. Kur hyri në Meke, ai hyri si askush më parë. Askush nuk kishte hyrë në Meke si triumfator, ashtu siç hyri profeti Muhammed [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] me muslimanët e tjerë.

Në betejën e Bedrit, numri i muslimanëve që luftonin ishte vetëm treqind. Në betejën e Uhudit numri arrinte një mijë. Në betejën e Hendekut një mijë dhe në Hudejbije një mijë e katërqind. Kurse kur hyri në Meke, numri i tyre ishte dhjetë mijë. I gjithë Gadishulli Arabik tashmë ose pranonin Islamin, ose

hynin në paqe me të, ose i frikësoheshin. Kjo, vetëm pas disa viteve, ku Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] u dëbua dhe keqtrajtohej nga populli i tij.

A e do tani El-Fettahun? A je i sigurtë dhe i bindur në zgjidhjen e halleve prej Tij?

Vetë muaji i Ramazanit është muaji i zgjidhjes dhe ndihmës prej El-Fettahut. Thotë Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]: “Kur vjen muaji i Ramazanit hapen dyert e Xhennetit, mbyllen dyert e zjarrit dhe prangosen shejtanët.” A ka zgjidhje dhe ndihmë më të madhe se pikat që përmend hadithi i mësipërm?

Muaji i Ramazanit ka disa përgëzime për ata që e përjetojnë siç duhet:

Ø  Të falen gjynahet.

Thotë Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]: “Kush agjëron Ramazanin me besim dhe shpresë se do t’i falen gjynahet, do t’i falen të gjitha gjynahet që ka vepruar.” Nëse besimi dhe shpresa për falje nuk është e njëjtë gjatë gjithë Ramazanit, Zoti i Madhërishëm të ka rezervuar një mundësi tjetër: “Kush falet natën gjatë Ramazanit me besim dhe shpresë se do t’i falen gjynahet, do t’i falen të gjitha gjynahet që ka vepruar.” Nëse nuk ke mundur të falësh namaz nate gjatë gjithë Ramazanit, ke akoma shpresë: “Kush falet natën e Kadrit me besim dhe shpresë se do t’i falen gjynahet, do t’i falen të gjitha gjynahet që ka vepruar.” Nëse Zoti i Madhërishëm do e linte në dorën tonë të zgjedhim shpërblimin që duam gjatë muajit të Ramazanit, nuk do të dinim si ta kërkonim gjithë këtë shpërblim dhe mirësi.

Ø  Shpëtim prej zjarrit të Xhehenemit.

Thotë Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]: ”Në çdo natë të Ramazanit, Zoti do të shpëtojë e nxjerrë njerëz nga zjarri.”

Ø  Shpërblime pafund.

Thotë Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]: ”Kush kryen vullnetarisht një vepër të mirë, do të shpërblehet sikur ka kryer një obligim. Dhe kush kryen obligimet e caktuara nga Zoti, do t’i quhet sikur ka kryer 70 të tilla.”

Ø  Adhurimi i natës së Kadrit është i barabartë me një mijë net adhurim.

Adhurimi i kësaj nate është i barabartë me adhurimin e 84 viteve rresht. Një lëmoshë e dhënë këtë natë, është njëlloj sikur të japësh lëmoshë për 84 vite.

 

Cilat janë detyrat dhe obligimet tona kundrejt emrit El-Fettah?

  • Përulje dhe përkushtim.
  • Shpresë, besim, siguri dhe optimizëm në këtë emër.

O vëlla dhe o motër, shpresoni fuqishëm se El-Fettahu do e ndihmojë këtë umet. Një ndihmë e tillë mund të jetë gjatë kësaj kohe, por që ne nuk e ndiejmë.

  • Ji çelës për të mirën.

Ka shumë njerëz që janë çelësa të së mirës dhe kyçe të së keqes. Bëhuni edhe ju, o vëlla dhe o motër, nga këta njerëz.  Hapini të mirat dhe mundësitë që keni për t’i ndihmuar njerëzit, me qëllim që t’ju ndihmojë edhe juve El-Fettahu.

El-Fettahu nuk të ndihmon dhe nuk t’i zgjidh hallet që ke vetëm në këtë botë, por edhe në botën tjetër. Në çastet që do të hysh në varr, ke më shumë nevojë për ndihmën e El-Fettahut. Ti ke jetuar si besimtar dhe ke vdekur si i tillë. Do të vijnë dy melekë dhe do të pyesin: ”Kush është Zoti yt?” Ti do t’u përgjigjesh: ”Zoti im është All-llahu!” - “Cila është feja jote?”- do të pyesin. - ”Feja ime është Islami.” –do t’u përgjigjesh. - “Kush është ai personi që u dërgua tek ju?” - do të pyesin. - ”Ai është Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem].” – do t’u përgjigjesh.

Atëherë, do dëgjohet një zë nga lart: “Robi Im tha të vërtetën, prandaj ia shtroni varrin me shtresat e Xhennetit dhe i hapni një dritare, ku të shikojë vendin e tij në Xhennet.”

Nuk janë të gjithë varret errësirë dhe frikë. Nuk janë të gjithë varret gjarpërinj, akrepa dhe tmerr. Teksa robi shikon vendin e tij në Xhennet, ai fillon dhe e lut Zotin: ”O Zot, afroje Ditën e Kijametit, me qëllim që të takohem me familjen dhe me të dashurit e mi.”

El-Fettahu është me ty në këtë botë dhe në botën tjetër. Është me ty kur akuzohesh pa të drejtë. Është me ty kur të bëhet padrejtësi. Është me ty kur telashet dhe hallet ta kanë zënë frymën. Është me umetin musliman, edhe pse ai po përjeton gjendje dobësie. Ky është Zoti ynë, El-Fettah.

 

 

Perktheu: Elmaz Fida

Submitting your vote...
Rating: 5.0 of 5. 1 vote(s).
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

29/09/2020
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
04:57 06:2912:3815:5618:3519:56

Urtësi Profetike

Gjërat që i çojnë njerëzit

më shumë në Xhennet

janë devotshmëria

dhe mirësjellja.


Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook