By: Amer Halid

El-Hakku (I Vërteti)


Emri që do të trajtojmë në këtë temë, është një emër me të cilin mbahet toka dhe e gjithë gjithësia. Është një emër me të cilin është e lidhur ngushtë jeta jonë shoqërore. Nëse njerëzimi do e shpërfillë këtë emër dhe nuk do të punojë sipas tij, rezultati do të jetë shumë i dhimbshëm, jeta mbi tokë do të shkonte drejt rrënimit, shkatërrimit dhe padrejtësisë. Nëse këtë emër do e përjetonim në të gjitha aspektet e jetës, do të jetonim ndryshe. Emri që do të trajtojmë është emri El-Hakk (I Vërteti). Po ta shohim, kjo fjalë përbëhet nga pak shkronja, por që kanë peshën e gjithë qiejve dhe tokës: “Ai krijoi qiejt dhe tokën mbi bazë të drejtësisë.” (El-En’am: 73)

Çdo gjë në gjithësi është e krijuar mbi bazën e drejtësisë dhe vërtetësisë. Zoti i Madhërishëm na krijoi mbi tokë dhe na kërkon të jetojmë dhe të vdesim për të drejtën dhe të vërtetën. Meqë e gjithë gjithësia është ndërtuar dhe funksionon mbi bazë të së drejtës, edhe planeti ynë i vogël, i tillë duhet të jetë.

“Ai është Zoti juaj, i Vërteti.” (Junus: 32); “Çfarë mund të ketë pas të vërtetës,  përveçse humbje.” (Junus: 32)

Emri i Zotit, El-Hakk, përmendet në Kur’an nëntë herë. Kurse emri “E drejta dhe e vërteta” përmendet 287 herë. Sa herë që përmendet kjo fjalë në Kur’an, është e shoqëruar me krijesat e mëdha dhe komplekse.

Qëllimi ynë me këtë temë është që emrin El-Hakk, ta bëjmë pjesë të jetës sonë. Duam që të vërtetën ta duam, të jetojmë për të, ta themi dhe të mos e mbajmë të fshehtë dhe të vdesim për të. Qëllimi ynë me këtë temë është të bëjmë të ndërgjegjshëm se nëse duhet të zgjedhësh mes interesit tënd personal dhe një çështjeje të drejtë, të zgjedhësh atë që është e drejtë dhe jo interesin tënd vetjak. Qëllimi ynë me këtë temë është ta bëjmë të vërtetën të dashur. E vërteta është e hidhur dhe e vështirë për t’u pranuar, sidomos kur bie në kundërshtim me interesat tona. Megjithatë, ne duhet ta duam të vërtetën, pasi duke dashur të vërtetën ne duam vetë All-llahun e Madhërishëm.

O vëlla, a e do Zotin e Madhërishëm? A e do të vërtetën, apo jeton thjesht për interesat e tua? Dije se nëse jeton vetëm për interesat e tua, jeton me mashtrime dhe gënjeshtra, dhe ti nuk e njeh dhe nuk e do Zotin. Ti mund të shkosh në Umre dhe në Haxh sa herë të duash, mund të falesh dhe të agjërosh..., por të githa këto janë të pavlera, pasi nuk ke njohur të vërtetën absolute, All-llahun e Madhërishëm.

Nëse e kupton si duhet këtë emër dhe cilësi të Zotit, duhet të mos të zërë gjumi natën. Si mund të flesh kur ti nuk jeton për të vërtetën? Ky emër është i vështirë për t’u praktikuar dhe vënë në jetë.

Tema jonë do të përqendrohet në pikat e mëposhtme:

1.      Kuptimi i emrit El-Hakk (i Vërteti) dhe cili është ndryshimi mes të qënit i Vërtetë dhe i Drejtë?

2.      Aktualitete nga jeta jonë, nëse do t’i njohësh dhe do t’i ndjesh, do të jetosh për të vërtetën.

3.      Modele të atyre që kanë jetuar për të vërtetën.

4.      E vërteta do të triumfojë.

 

 

Kuptimi i emrit El-Hakk (i Vërteti)

Fjala e vërtetë është e kundërta e të kotës dhe gënjeshtrës. E vërteta është ajo gjë për të cilën ke

siguri të plotë dhe e ke të faktuar se është reale. Kështu, shohim se emri El-Hakk (i Vërteti) i përshtatet plotësisht Zotit të Madhërishëm. E vërteta më e madhe është ekzistenca e Zotit. Ai është i Vërteti, fjalët e Tij janë të vërteta, urdhërat e Tij janë të vërteta, ndalesat e Tij janë të vërteta...

Ai krijoi qiejt dhe tokën me të drejtë.” (El-Nahl: 3); Thuaj: “A ka ndokush prej idhujve tuaj që ndonjë të humbur ta drejtojë në rrugën e drejtë? Thuaj: “Vetëm All-llahu udhëzon në të vërtetën. Atëherë, pra, a është më e drejtë të shkohet pas atij që udhëzon në rrugën e drejtë, apo pas atij që nuk udhëzon, (sepse nuk mund ta udhëzojë as vetveten) vetëm nëse prej dikuj tjetër udhëzohet? Ç’është me ju? Si gjykoni? (Junus: 35) O vëlla dhe o motër, si e kërkon të vërtetën tek dikush tjetër? Të vërtetën absolute e gjen vetëm tek All-llahu i Madhërishëm dhe libri i Tij, Kur’ani. Të vërtetën absolute e gjen në thëniet e Tij, urdhërat e Tij, premtimet e Tij, Xhennetin e Tij.

Të ecësh në drejtimin e kundërt me drejtimin që ecën gjithësia është shumë e vështirë. E gjithë gjithësia ndjek drejtimin e së vërtetës. Nëse do të ndjekësh drejtim të kundërt, do të përplasesh me gjithësinë dhe do të lodhesh, do të jetosh në strese dhe tension, nuk do e gjesh qetësinë shpirtërore kurrë.

 

Ndryshimi mes i Vërtetë dhe i Drejtë

Të jesh i drejtë do të thotë t’i japësh të drejtën të gjithëve. Kështu, i drejtë mund të jesh, duke zbatuar të vërtetën. E vërteta është vlerë, kurse e drejta është konkretizim i së vërtetës.

O vëlla dhe o motër, a e përfytyron dot se si do të ishte gjithësia nëse nuk do të ekzistonte emri i Vërteti?

Gjithkush do të sillej dhe do të vepronte sipas qejfit të tij. Dikush mund të kërkonte që dielli të mos e ndriçojë filan shtet. Dikush mund të kërkonte të mos bjerë shi në kopështin e filanit, me të cilin është grindur: “Nëse i Vërteti do të ndiqte qejfet e tyre, do të shkatërroheshin qiejt dhe toka.” (El-Mu’minun: 71)

Duke qenë se Zoti është i Vërteti absolut, nuk preferon një racë mbi një tjetër, as një popull mbi një tjetër, as një ngjyrë mbi një ngjyrë tjetër, as burrat mbi gratë...

Duke e kuptuar rëndësinë e së vërtetës, shejtani i ka kushtuar shumë rëndësi diçkaje të tillë. Ai gjithmonë përpiqet që të vërtetën ta paraqesë si gënjeshtër dhe gënjeshtrën e mashtrimin si të vërtetë.

Për këtë, Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] lutej: ”O Zot! Na e trego të vërtetën ashtu si është dhe na bëj nga ata që e ndjekin dhe na e trego të kotën dhe gënjeshtrën ashtu si është dhe na bëj nga ata që i ruhen.”

Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] nuk mjaftohej me lutjen që Zoti i Madhërishëm t’ia tregojë të vërtetën, por i kërkonte edhe ta ndihmojë ta ndjekë. Ka shumë njerëz që e dinë si qëndron e vërteta, por nuk veprojnë sipas saj. Këtë e bëjnë, pasi interesi i tyre personal është në kundërshtim me të vërtetën.

Po kështu u lut dhe për të kotën dhe të pavërtetën. Ai nuk u mjaftua që Zoti t’ia tregojë atë, por i kërkoi edhe të ruhet dhe t’i shmanget.

O biznesmen, a e do të vërtetën që preferon interesat e tua në kurriz të vendit tënd? O bashkëshort, a e do të vërtetën që jepesh pas shoqërisë dhe ke shpërfillur gruan dhe fëmijët e tu? O student, a e do të vërtetën që kopjon në provime dhe me rezultatin fiton vend punë duke marrë të drejtën e dikujt tjetër?

Po ti, o Perëndim, që ke zgjedhur interesat vetjake dhe ke pushtuar Irakun, a e do të vërtetën? A e do të vërtetën, o producent filmash dhe programesh, me të cilat po shthurren fëmijët tanë çdo ditë? A e do të vërtetën, o motër, që e nxit burrin tënd të fitojë pasuri në rrugë haram? A e do të vërtetën, o vëlla, që mban një post, edhe pse ka të tjerë që janë më të aftë se ti?

All-llahu i Madhërishëm krijoi gjithësinë në bazë të drejtësisë dhe të vërtetësisë. Kurse për tokën, të ka caktuar ty, o vëlla dhe o motër, përgjegjës. Ai të ka dërguar profetë dhe libra hyjnorë, me qëllim që të njohësh të vërtetën dhe të jetosh për të. A e kupton, o vëlla dhe o motër, se si po ecni në rrugë të kundërt me atë të gjithësisë?

Le të përmendim dy shembuj të thjeshtë, për të parë se çfarë ndodh kur humbet e vërteta:

Në Egjipt është një lagje që quhet “Lagjja e inxhinierëve”. Të gjitha ndërtesat e kësaj lagjeje ishin katër katëshe dhe njerëzit ndiheshin mirë. Struktura e tokës dhe e vendit nuk lejonte që ndërtesat të bëhen më të larta. Megjithëse ligji nuk e lejonte të ndërtoheshin ndërtesa shumë katëshë, u gjetën disa njerëz që nuk u interesonte gjë tjetër përveç interesave vetjake. Kështu që filluan të ndërtojnë pallate dhjetë dhe njëzet katësh. Kjo bëri që jeta në këtë lagje të bëhej e pamundur dhe shumë njerëz braktisën vendbanimet e tyre.

Një shembull tjetër është studenti që kopjon ose kompromenton mësuesit dhe arrin rezultate të larta, pa të drejtë. Ky student që kopjon dhe i blen rezultatet, do të zërë një vend pune, të cilin e meritonte dikush tjetër që ka derdhur djersë. Ajo që ndodh është se këta të rinj që u humbet e drejta për punësim, pasi vendin e tyre e zënë të paaftët, më pas detyrohen të emigrojnë në Perëndim. Kjo bën që Perëndimi të përfitojë prej tyre dhe të zhvillohet, kurse ne vazhdojmë në gjendjen e dobësisë dhe të prapambetjes. E gjitha kjo, për shkak se e vërteta nuk respektohet dhe humbet.

Një ditë, teksa profeti Muhammed [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] po u fliste shokëve të tij, një burrë i pret bisedën dhe e pyet: ”O i Dërguar i Zotit, kur do të bëhet Kijameti?” Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] nuk i ktheu përgjigje dhe vazhdoi të flasë mbi temën rreth të cilës po fliste. Disa nga të pranishmit menduan: ”E dëgjoi pyetjen e tij dhe nuk i pëlqeu.” Disa të tjerë menduan se Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] nuk e dëgjoi pyetjen. Pasi Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] e përfundoi bisedën, pyeti: ”Ku është ai që pyeti për Kijametin?” Kur personi që kishte pyetur tregoi, Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] iu përgjigj: ”Kijameti do të bëhet kur të humbasë amaneti.” Burri e pyeti përsëri: ”Po si humbet amaneti, o i Dërguari i Zotit?” Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] iu përgjigj: ”Kijametin prite kur çështjet e drejtimit t’i lihen atyre që nuk janë të aftë.”

Kjo, pasi gjithësia është e ndërtuar dhe funksionon në bazë të së vërtetës dhe të drejtës. Nëse kjo humbet, bëhet Kijameti dhe shkatërrohet gjithçka.

Njerëzit në raportet me të vërtetën janë të ndryshëm. Ka prej tyre që e mbajnë të fshehtë të vërtetën. Ka të tjerë që kanë frikë ta thonë të vërtetën. Ka të tjerë që të vërtetën e përziejnë me të kotën: E mos e ngatërroni të vërtetën me të shtrembërën duke e fshehur realitetin me vetëdije. (El-Bekare: 42)

Ka të tjerë që nuk e dallojnë dot të vërtetën nga e pavërteta. Ka të tjerë që e dinë se nuk kanë të drejtë, megjithatë insistojnë në atë rrugë.

Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] na jep tetë realitete, të cilat na ndihmojnë që të mos kemi probleme për ta dalluar  të vërtetën gjatë jetës. Këto tetë realitete, Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] na i mëson në një lutje me të cilën lutej edhe ai vetë. Këtë lutje, Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] na e këshillon ta bëjmë çdo ditë. Këtë lutje, Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] e thoshte natën, pasi qetësia e saj kishte mbuluar gjithçka. Nëse këto tetë të vërteta nguliten në zemrën tënde, ato do të shërbejnë si urë për të gjithë të vërtetat e tjera, të cilat duken komplekse dhe të paqarta. Nëse nuk e dallon dot nëse je në të drejtë apo jo, thuaji këto tetë realitete dhe puno sipas tyre. Nëse këto tetë realitete do t’i bësh pjesë të jetës dhe të zemrës tënde, dije se do të gjesh forcat e duhura për ta mposhtur veten para të pavërtetës. Të thuash dhe të veprosh sipas të vërtetës është e vështirë. Të thuash të vërtetën kërkon guxim dhe vendosmëri. Të thuash të vërtetën dhe të punosh sipas saj, kërkon edhe vizion të qartë.

Çdo natë, Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] lutej: ”O Zot! Ty të takon falënderimi. Ti je Sunduesi i qiejve dhe i tokës dhe gjithçkaje që gjendet mes tyre. Ty të takon falënderimi. Ti je Drita e qiejve, tokës dhe gjithçkaje që gjendet mes tyre. Ty të takon falënderimi. Ti je i Përjetshmi i qiejve, tokës dhe gjithçkaje që gjendet mes tyre. Ty të takon falënderimi, pasi Ti je i Vërteti, fjala Jote është e vërtetë, premtimi Yt është i vërtetë, takimi me Ty është i vërtetë, Xhenneti është i vërtetë, zjarri është i vërtetë, profetët janë të vërtetë dhe Muhammedi është i vërtetë.”

Padyshim se vetëm duke i thënë këto, nuk do të zgjidhet gjë. O vëlla dhe o motër, ty të duhet të jetosh me këto tetë realitete. Ty të duhet t’i bësh pjesë të jetës tënde.

Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] pyeti një ditë Harithen: “Si u gdhive, o Harithe?” - “Jam gdhirë besimtar i vërtetë, o i Dërguari i All-llahut.- ia ktheu. Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] e pyeti përsëri: “O Harithe, mendoje atë që thua, pasi çdo fjalë e ka një të vërtetë, po besimin tënd me çfarë e vërteton?”  “O i Dërguari i All-llahut, – i përgjigjet, - më duket sikur e shoh Arshin e All-llahut me sy dhe sikur shoh banorët e Xhennetit duke u kënaqur në Xhennet dhe banorët e zjarrit duke vuajtur brenda tij. Prej kësaj hoqa dorë nga të mirat e kësaj bote, duke e kaluar natën me namaz dhe ditën me agjërim.” - “Meqë e ditke, atëherë, mos iu ndaj, o Harithe.”– ia ktheu Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem].

Tetë realitetet e hadithit të mësipërm, ishin bërë pjesë e jetës së Harithes [radijall-llahu anhu]. Atij i dukej sikur i dëgjonte dhe shikonte banorët e Xhennetit, si mund të mos thoshte të vërtetën? Si mund të jetonte me të pavërtetën, kur ai sikur i shihte banorët e zjarrit duke ulëritur nga dhimbjet?

Rradhitja e tetë pikave dhe realiteteve në hadithin e mësipërm është i çuditshëm. Realiteti i parë është: “O Zot, Ti je i Vërteti...” Meqë Zoti është i Vërteti, e vërtetë është edhe fjala e Tij. Ai që fjalët i ka të vërteta, edhe premtimet i ka të vërteta. Edhe takimi me Të, të cilin na e ke premtuar, është i vërtetë. Po kështu, edhe Xhenneti është i vërtetë. Nëse të gjitha këto janë të vërteta, padyshim që edhe profetët që na i transmetuan këto realitete, janë të vërtetë. I vërtetë është edhe profeti Muhammed [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], i cili është profeti i fundit.

Këto fjalë, Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] i thoshte në lutjet e tij para se të falte namazin e natës. Kjo ishte si hyrje para se të falej.

Nëse këto tetë realitete dhe të vërteta janë të qëndrueshme në veten tënde, të gjithë jetën do e kalosh në kërkim dhe duke zbatuar të vërtetën. Këto përfaqësojnë strukturën themelore, me të cilat do të përballesh me jetën.

Realiteti i parë ishte: ”O Zot, Ti je i Vërteti.” Thotë All-llahu i Madhërishëm në Kur’an: ”A nuk e di se All-llahu e fut (errësirën) natën në ditë dhe e fut (dritën) ditën në natë, dhe Ai i nënshtroi Diellin e Hënën (të lindin e të perëndojnë) dhe secili rend deri në një afat të caktuar dhe se All-llahu hollësisht është i njohur për atë që veproni. Kjo (dokumenton) se All-llahu është (Zoti) i Vërtetë...” (Lukman: 29-30)

“Ne do t’ua tregojmë faktet tona në horizonte dhe në vetet e tyre, derisa të binden se Ai është i Vërtetë.” (El-Fussilet: 53)

All-llahu i Madhërishëm kërkon që ne të jetojmë me të vërtetën mbi tokë. Për këtë, Ai na rrëfen se e gjithë gjithësia funksionon duke ruajtur të drejtat dhe ekuilibrat e caktuar nga Zoti i Madhërishëm. Ndërrimi i katër stinëve të vitit, është për t’i dhënë të drejtën çdo gjallese. Sasia e shirave që bie është për t’i dhënë të drejtën çdo gjallese.

Ne e lexojmë dhe e dëgjojmë shpeshherë ajetin: “Ai krijoi qiejt dhe tokën me të drejtë.” (El-Nahl: 3)

dhe nuk e kuptojmë se si i ka krijuar me të drejtë. Kuptimi i këtij ajeti është se gjithçka është krijuar dhe funksionon në bazë të drejtësisë për të gjithë. Çdo gjë është e llogaritur, sasia e shirave, sasia e frutave, pa favorizuar një racë mbi një racë tjetër, as një ngjyrë mbi ngjyrën tjetër, as një njeri mbi një tjetër, as një popull mbi një tjetër, as një vend mbi një tjetër, as një burrë mbi një grua... Gjithçka funksionon në bazë të drejtësisë.

Largësia e tokës nga dielli është 150 milionë kilometër. Nëse ajo afrohet më shumë, gjithçka që ndodhet mbi të, digjet dhe shkatërrohet. Nëse largohet më shumë, gjithçka mbi tokë ngrin dhe shkatërrohet.

Ai njeri që jeton larg të vërtetës, ata njerëz që jetojnë me gënjeshtra, ata të rinj që kopjojnë në provime... le t’i thonë “Mjaft!” mashtrimit. Nëse e gjithë bota mashtron, gënjen, e lufton të vërtetën..., ti mos u bëj pjesë e tyre. Nëse humbet e vërteta dhe e drejta, shkatërrimi është shumë pranë tokës.

Realiteti i dytë ishte: ” ...Fjala Jote është e vërtetë.” Ndërsa All-llahu i Madhërishëm thotë: “Zoti thotë të vërtetën dhe Ai udhëzon në rrugë të mbarë.” (El-Ahzab: 4) O vëlla dhe o motër, fillo ta lexosh Kur’anin, me ndjenjën që çdo fjalë e tij është e vërtetë. Sa herë të lexosh: Zbatoni drejt matjen dhe peshojën, e mos u bëni padrejtësi njerëzve në sendet e tyre.” (El-A’raf: 85), ruaje veten nga gjëra të tilla. Sa herë të lexosh: ”Mjerë ata që peshojnë mangut.” (El-Mutaffifin: 1), të shkojë mendja se diçka e tillë është për të gjithë ata që mashtrojnë në tregti dhe për ata që peshojnë mangut.

Realiteti i tretë është: “...Dhe premtimi Yt është i vërtetë.” Të gjitha premtimet e Zotit janë të vërteta

dhe ato mbahen patjetër. Thotë All-llahu i Madhërishëm në Kur’an, rreth historisë së Musait [alejhis-selam]: ”Ne e kthyem atë tek nëna e tij, me qëllim që të qetësohet, të mos dëshpërohet dhe që të sigurohet se premtimi i Zotit është i vërtetë.” (El-Kassas: 13); “Zoti u ka premtuar atyre që besuan dhe vepruan punë të mira se do t’i bëjë përgjegjës të tokës, ashtu siç bëri ata që ishin më parë, do t’ua mundësojë fenë që zgjodhi për ta, do t’ua ndryshojë frikën me siguri, do të më adhurojnë dhe nuk do të më shoqërojnë gjë.” (En-Nur: 55); “Dhe në qiell e keni rizkun tuaj dhe atë që u premtohet. Për Zotin e qiellit dhe të tokës, ajo është diçka e vërtetë, ashtu siç flisni.” (Edh-Dharijat: 23) Nëse rizkun e ke të garantuar nga All-llahu i Madhërishëm, përse të kesh frikë nga e vërteta? Përse të mos e thuash atë, ashtu si është?

Realiteti i katërt është: “...Dhe takimi me Ty është i vërtetë.” Nëse jeton me të keqen dhe të

pavërtetën, kujto Ditën që do të takohesh me All-llahun e Madhërishëm. Çfarë do t’i thuash atë ditë? Thotë All-llahu i Madhërishëm në Kur’an: ”Kur të qëndrojnë para Zotit të tyre, Ai u thotë: A nuk është kjo e vërtetë? Ata thanë: Sigurisht, për Zotin tonë.” (El-En’am: 30) Ajo është dita kur e vërteta shfaqet ashtu siç është.

Realiteti i pestë dhe i gjashtë është: ”...Xhenneti (dhe zjarri) Yt është i vërtetë.” Ata që duan të fitojnë

Xhennetin, le të jetojnë për të vërtetën. Thotë All-llahu i Madhërishëm në Kur’an: ”Banorët e Xhennetit thërrasin banorët e zjarrit: Ne e gjetëm të vërtetë atë që na premtoi Zoti ynë, po ju, a e gjetët të vërtetë atë që u premtoi Zoti juaj?” (El-A’raf: 44) O ju që keni mashtruar, keni vjedhur, keni jetuar larg të vërtetës..., a e gjetët atë që u premtoi Zoti juaj? Banorët e zjarrit do të përgjigjen me dhimbje dhe dëshpërim: ”Ata do të thonë: “Po!” Atëherë, thërret një zë që thotë: Mallkimi i Zotit qoftë mbi mizorët.”

Kur shejtani i tha Zotit: ”Do ti devijoj të gjithë.”, Ai ia ktheu: ”E vërtetë është dhe të vërtetën them: Do e mbush zjarrin me ty dhe të gjithë ata që të ndjekin ty.” (Sad: 84)

Realiteti i shtatë është: “...Profetët janë të vërtetë.” Të gjithë profetët nga Ademi [alejhis-selam] deri tek Isai [alejhis-selam] kanë qenë të vërtetë. Misioni me të cilin u dërguan ishte përhapja e të vërtetës dhe lufta kundër së keqes.

Profetët përmenden me qëllim që të mësosh të jetosh si ata dhe të ndjekësh rrugën e tyre.

Realiteti i tetë është: “...Dhe Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] është i vërtetë.” All-llahu i Madhërishëm thotë: “Ne të dërguam me të vërtetën, dëshmitar, përgëzues dhe paralajmërues.” (El-Bekare: 119) Për njëzet e tre vite me rradhë, Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] sakrifikoi gjithçka për të vërtetën me të cilën e kishte dërguar All-llahu i Madhërishëm. E gjithë kjo kohë e gjatë, për shkak se Kurejshët nuk besonin, pasi interesat e tyre ekonomike ishin të lidhur me idhujt e vendosur mbi Qabe. Ata e refuzuan të vërtetën, për të  mos humbur pasuritë. Ebu Lehebi, xhaxhai i Profetit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], e urrente pikërisht pasi e vërteta me të cilën ishte dërguar Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], binte ndesh me interesat e tij.

Fjalët që përsëriste Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], teksa hynte në Meke si triumfator, ishin: ”Erdhi e vërteta dhe u zhduk e kota. Me të vërtetë që e kota ka qenë e zhdukur.” (El-Isra: 81)

Mësoji këto tetë realitete me të cilat lutej Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], jeto me to dhe do të shohësh se realitetet e tjera do t’i kesh më të qarta. Do të shohësh se të vërtetën e ke më të lehtë për ta thënë ashtu si është. Do të shohësh se All-llahu i Madhërishëm të ndihmon ta dallosh të vërtetën nga jo e vërteta. Do të shohësh se je në gjendje ta përkrahësh të vërtetën. Do të shohësh se e do të vërtetën dhe nuk do të pranosh ta mbash të fshehtë atë.

Nëse i përjeton dhe je i sigurtë për këto tetë realitete, do të përballesh me një nga realitetet më të mëdhaja në gjithësi. Ky realitet është të çosh në vend mesazhin e të vërtetës, të kontribuosh për përhapjen e të mirës në tokë. Thotë All-llahu i Madhërishëm në Kur’an: ”A mos menduat se u krijuam kot dhe se nuk do të ktheheni tek Ne? Madhështor është Zoti, Sundimtari i Vërtetë.” (El-Mu’minun: 115)

Krijimi yt e ka një qëllim madhështor. O njeri, ti nuk je krijuar thjesht për të ngrënë, për të pirë, për t’u martuar, lindur fëmijë dhe të vdesësh.

Tetë realitetet e mësipërme shërbejnë si shkallë që na çojnë në një realitet më të madh. Ky realitet është ta gjallërojmë tokën me të vërtetën hyjnore.

“Ne nuk i krijuam qiejt dhe ato që janë mes tyre kot.  Nuk i krijuam veçse me të vërtetën.” (El-Enbija: 16)

Nuk mund të jetë Zoti, fjala e Tij, premtimet e Tij, Xhenneti, profetët... të vërtetë, thjesht që ti të hash, të pish, martohesh, lindësh dhe në fund të vdesësh. O njeri, qëllimi dhe mesazhi për të cilin je krijuar është të përhapësh të vërtetën në tokë.

Thotë All-llahu i Madhërishëm në Kur’an, rreth Daudit [alejhis-selam]: ”O Daud! Ne të bëmë të parë në tokë, prandaj gjyko mes njerëzve me drejtësi dhe mos ndiq qejfet që të largojnë nga rruga e Zotit. Ata që largohen nga rruga e Zotit kanë një ndëshkim Ditën e Llogarisë për atë që u larguan. Ne nuk e krijuam qiellin dhe tokën kot.” (Sad: 26)

Ajo që i bashkon fjalët me të cilat Zoti i Madhërishëm i drejtohet Daudit [alejhis-selam] dhe ajetin e fundit, është se e vërteta funksionon në të gjithë gjithësinë. Njeriu në tokë është një pjesë e kësaj të vërtete. All-llahu i Madhërishëm e ka plotësuar të vërtetën në të gjithë gjithësinë dhe të ka lënë ty, o njeri, ta plotësosh mbi planetin tokë.

E vërteta është thelbi dhe esenca e gjithësisë. Nëse e vërteta ka humbur sot mes njerëzve, kjo nuk do të thotë se ajo nuk ekziston.

O ti biznesmen, o student dhe studente, o amvisë shtëpie dhe nënë fëmijësh..., jeto për të vërtetën dhe këshilloji të tjerët ta ndjekin atë.

 

Modele që kanë jetuar për të vërtetën dhe e kanë përkrahur atë

Këto modele na tregojnë si të jetojmë për të vërtetën, qoftë edhe në çastet më të vështira. Thotë All-llahu i Madhërishëm në Kur’an: ”O ju që keni besuar! Jini mbrojtës të së drejtës, edhe nëse është kundër jush, prindërve dhe të afërmve.” (En-Nisa: 135); “Mos t’ju shtyjë armiqësia me dikë që t’i shmangeni drejtësisë. Gjykoni drejt, pasi ajo është më pranë devotshmërisë.” (El-Maide: 8)

Le të fillojmë me modelin e parë, i cili është më madhështori në të vërtetën.

Shkaku i luftës së Hendekut ishin hebrenjtë e Medines. Edhe pas luftës, ata vazhduan të jetojnë në Medine. Padyshim që muslimanët i shihnin me syrin e të pabesëve, që i kishin tradhëtuar pas krahëve. Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] gjatë gjithë kohës, ishte i interesuar që banorët e Medines t’i mbante sa më pranë, pasi ishin ata që e përkrahën dhe e ndihmuan. Teksa Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] dhe muslimanët ktheheshin nga një luftë, bashkë me ushtrinë muslimane ndodhej edhe një burrë me emrin Katade, nga banorët e Medines. Gjatë udhëtimit, Katades iu vodh mburoja. Për këtë, ai ngriti dyshime mbi një nga banorët e Medines. Pasi u sigurua mbi atë që e kishte vjedhur mburojën e tij, Katade vajti tek Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] dhe i tregoi mbi personin që i kishte vjedhur mburojën. Personi që kishte vjedhur mburojën dëgjon mbi këtë, mbledh të afërmit e tij dhe u tregon mbi atë që kishte ndodhur. Ata bien dakord që mburojën ta hedhin në shtëpinë e një çifuti dhe të shkojnë tek Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] dhe të akuzojnë çifutin për vjedhjen e mburojës. Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] menjëherë dërgoi njerëz për të verifikuar dhe mburoja u gjet në shtëpinë e çifutit. Duke gjykuar sipas këtyre rrethanave, Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] e shpalli të pafajshëm banorin e Medines, që më parë ishte akuzuar për vjedhjen e mburojës. Por All-llahu i Madhërishëm nuk mund të pranonte që mashtrimi të mposhtë të drejtën. Për këtë, Zoti i Madhërishëm i shpall disa ajete Profetit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] në suren En-Nisa, me të cilat shpall pafajësinë e çifutit: “Ne të zbritëm ty (Muhammed) librin (Kur’anin) me plot të vërteta, që të gjykosh mes njerëzve mbi atë që të mësoi All-llahu dhe mos u ngatërro për tradhëtarët (mos u dil në ndihmë). Kërkoji falje (për këtë) All-llahut. All-llahu falë, mëshiron. Mos polemizo për ata që tradhtojnë vetveten. All-llahu nuk e do atë që është gënjeshtar e mëkatar. Ata fshihen (turpërohen) prej njerëzve, dhe nuk turpërohen prej All-llahut. Ai është me ta edhe kur planifikojnë fshehtas thënie me të cilat nuk është i kënaqur Ai. All-llahut nuk mund t’i shpëtojnë veprimet e atyre.“ (En-Nisa: 105-108)

Xhibrili [alejhis-selam] zbriti dhe i tregoi Profetit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] çdo imtësi. Menjëherë Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] mbledh njerëzit në xhami dhe shpall pafajësinë e çifutit.

Diçka e tillë nuk mund të ndodhë veçse në shtetin islam.

Në kohën e Umer ibnu Abdul Azizit, ushtria muslimane arriti të hyjë në Samarkand dhe e mori menjëherë atë. Ky lajm u përhap menjëherë mes popullsisë muslimane, gjë që i gëzoi të gjithë. Komandanti i ushtrisë të Samarkandit, i dërgon një letër Umer ibnu Abdul Azizit, ku i thoshte: ”Ju keni vepruar në kundërshtim me të drejtën dhe të vërtetën. Profeti juaj u këshillon që armikut t’i jepni tre ditë kohë për t’u menduar, para se ta sulmoni. Kurse ushtria juaj nuk e bëri këtë dhe na sulmoi befasisht.”

Menjëherë, Umer ibnu Abdul Azizi dërgon një letër, ku urdhëron ushtrinë e tij të dalë nga qyteti Samarkand.

Teksa mendon rreth këtij qëndrimi të Umer ibnu Abdul Azizit, të vjen në mendje një pyetje: Si arriti ai ta marrë një vendim të tillë? Gëzimi dhe hareja për marrjen e Samarkandit kishte kohë që vazhdonte, kurse ai urdhëronte që ushtria të dalë nga qyteti. Por, si të mos e merrte këtë vendim, në një kohë që këtë ia impononte e drejta dhe e vërteta?

Urdhëri i tij zbatohet menjëherë nga ushtria muslimane dhe të gjithë dalin nga qyteti. Me të parë një veprim të tillë, banorët e Samarkandit u siguruan që këta njerëz janë në të vërtetë dhe të gjithë pranuan Islamin.

Prej këtij qyteti kanë dalë dijetarët më të mëdhenj të Islamit. E gjitha kjo, me një qëndrim të drejtë.

Kur një grua nga një fis dhe familje e fisme vodhi, të afërmit dhe njerëzit dërguan dikë për të ndërmjetësuar tek Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] që të mos e ndëshkojnë. Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] u skuq në fytyrë dhe u zemërua shumë. Tregon Zejdi që vajti të ndërmjetësojë: ”Kur e pashë Profetin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], dëshirova ta kisha pranuar Islamin pas atij çasti dhe të mos isha aty në ato çaste. Më pas, Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] i thotë: ”A po kërkon ndërmjetësim në një nga ligjet e Zotit?! Popujt që kanë qenë para jush, u ndëshkuan pasi kur vidhte një i dobët e ndëshkonin, ndërsa kur vidhte një i fisëm e falnin. Për Zotin! Nëse Fatimja, vajza ime, do të vidhte, do t’ia prisja dorën!”

Ajo që kërkojmë të arrijmë me këtë temë, është të jetojmë për të vërtetën, të punojmë për të dhe të vdesim për të. Kurrë mos e vendos interesin personal në një krah dhe të vërtetën në krahun tjetër dhe të zgjedhësh interesin personal. Si pranon ta shpërfillësh të vërtetën, në një kohë që e vërteta buron nga vetë Zoti i Madhërishëm? E vërteta është një nga emrat dhe cilësitë e Zotit. Ai na krijoi me të vërtetën dhe kërkon të jetojmë për të.

Kur Profetit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] i propozuan poste dhe të mira materiale në këmbim të braktisjes të së vërtetës me të cilën ishte dërguar, i tha xhaxhait të tij: Për Zotin, o xhaxha, nëse do të vinin diellin në dorën time të djathtë dhe hënën në të majtën, nuk do të hiqja dorë nga kjo rrugë, derisa ta bëjë Zoti të triumfojë ose të vdes në këtë rrugë.” Pas këtyre fjalëve, Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] filloi të qajë. Atëherë, All-llahu i Madhërishëm i shpall ajetet: ”Mbështetju Zotit se ti je në të vërtetën e qartë.” (En-Neml: 79)

Kurrë mos ki frikë, o vëlla dhe o motër, nëse je në të vërtetën. Nuk ke përse ta braktisësh të vërtetën. Atë mbaje në kompaninë ku punon, mes familjes me të cilët jeton, e mban atë për hatër të Islamit, i cili ka nevojë të përçohet tek të tjerët.

Kur arrestuan Imam Ahmedin, ai mendonte me vete: “Për Zotin, nuk i frikësohem burgut, pasi e kam të njëjtë si shtëpinë. Nuk i frikësohem as vrasjes, pasi do të vdes shehid. Ajo të cilës i frikësohem, është kamzhiku.” Kur e morën për ta torturuar, ai u zverdh në fytyrë dhe dridhej. Teksa kalonte në korridoret e burgut, pa një hajdut, të cilin kushedi sa herë e kishin arrestuar për vjedhje. Hajduti e pa Imam Ahmedin dhe kur dalloi frikën në fytyrën e tij, i tha: ”O Imam, tregohu i vendosur në të drejtën. Nëse jeton, do të jetosh me nder dhe nëse vdes, do të vdesësh si dëshmor.” Tregon Imam Ahmedi: ”Nga këto fjalë, m’u duk sikur vendosmëria në ato çaste hyri në zemrën time.”

Teksa flasim mbi të drejtën dhe të vërtetën, mos mendo se kjo është një çështje që i intereson vetëm muslimanëve. Ajo është një çështje që i intereson çdo njeriu të ndershëm.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Çurçilli mblodhi ministrat e tij dhe filloi t’i pyesë mbi situatën, pasi Gjermania po e shkatërronte Anglinë. Kur pyeti ministrin e Financave, mbi situatën e arkës së thesarit, ai iu përgjigj: ”Është bosh!” Kur pyeti ministrin e Shëndetësisë mbi situatën, ai iu përgjigj: ”Nuk ka më keq!” Pyeti ministrin e Strehimit dhe ai iu përgjigj se gjithçka ishte shkatërruar. Kur pyeti ministrin e Drejtësisë, se si ishte gjendja, ai iu përgjigj: ”Mirë!” Atëherë, Çurçilli iu përgjigj: ”Atëherë, do të fitojmë!” - dhe fituan.

Pika e fundit rreth kësaj teme është se e vërteta patjetër që do të triumfojë. Kjo, pasi e vërteta është vetë All-llahu i Madhërishëm. Ai nuk e lë të vërtetën të humbasë plotësisht. Mundet që e keqja dhe e kota të dominojë për një kohë, mund të përhapet fallciteti për një periudhë, por nuk mund të vazhdojë përgjithmonë.

Pasi paria e Kurejshëve mbetën të vrarë në Bedr, Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] u vajti pranë dhe u tha: ”O Utbe ibn Rebia, o Shejbe ibn Rebia, o Velid, o Amr ibn Hisham..., a e gjetët të vërtetë atë që u premtoi Zoti juaj? Unë e gjeta të vërtetë atë që më premtoi Zoti im.”

“Ne e godasim të kotën me të vërtetën dhe ajo shembet përtokë.” (El-Enbija: 18) Ashtu si e shemb përtokë plumbi njeriun po e goditi në kokë, ashtu e shkatërron edhe e vërteta të kotën kur e godet.

E keqja dhe e pavërteta mundet të dominojë për vite me radhë. Është e mundur të gënjesh. Është e mundur të mashtrosh dhe të vjedhësh. Mund të tallesh me dikë për vite me radhë. Por një situatë e tillë nuk mund të vazhdojë përgjithmonë.

“Dhe thuaj: Erdhi e vërteta dhe u shkatërrua e kota. Me të vërtetë që e kota ka qenë e shkatërruar.” (El-Isra: 81)

E veçanta e ajetit është se thekson se që të shkatërrohet e keqja, duhet të vijë e vërteta. Të vërtetën duhet ta mbajnë dhe përkrahin njerëzit. Ajo nuk vjen vetë. Ajo kërkon burra dhe gra që ta mbajnë.

Ajeti i mësipërm tregon se po nuk erdhi e vërteta dhe e drejta, e kota dhe e keqja do të vazhdojnë të dominojnë. Sa herë shkatërrohet një e keqe, do të vijë një tjetër. Kjo do të vazhdojë, derisa të vijë e vërteta.

Le të përmendim një ajet nga Kur’ani, i cili është shumë shpresëdhënës për triumfin e së vërtetës. Për këtë, Zoti i Madhërishëm përmend dy shembuj që ndodhin në gjithësi, një me ujin dhe një me zjarrin. Këto dy ajete tregojnë se e vërteta, sido të humbasë, do të triumfojë. Dhe se e kota, sido të përhapet, do të shkatërrohet dhe do të shuhet.

Thotë All-llahu i Madhërishëm në Kur’an: Ai e lëshon ujin (shiun) nga qielli dhe sipas madhësisë së tyre rrjedhin rrëke, kurse vala mbart mbi vete shkumë të fryrë. Shkuma e ngjashme është edhe ajo ku shkrihet (metali) në zjarr për të prodhuar stoli ose mjete. Kështu e sqaron Zoti shembullin e të vërtetës dhe të pavërtetës. Për sa i përket shkumës (së ujit apo të metaleve), ajo hidhet si mbeturinë, ndërsa ajo që u sjell dobi njerëzve, mbetet në tokë. Kështu Zoti i sjell shembujt.(Er-Rad: 17)

E vërteta është si uji dhe metali i pastruar, i cili, edhe pse mbulohet nga shkuma dhe skarcot, vazhdon të ekzistojë dhe funksionon në dobi të njerëzimit. Kurse e pavërteta dhe e keqja i ngjan shkumës dhe skarcove të metalit, të cilat shkrihen dhe humbasin shpejt.

Shembull më i mirë për këtë është kolonializmi dhe komunizmi, të cilët u zhdukën dhe u rrënuan.

E vërteta do të vazhdojë mbi tokë. Atë ditë që të zhduket e vërteta dhe të mos ekzistojë, atë ditë do të bëhet Kijameti.

Ajo që duam të theksojmë në fund të kësaj teme është ta duash të vërtetën, pasi vetë All-llahu i Madhërishëm është i Vërteti. Të jetosh për të vërtetën, ta thuash atë, të mos e fshehësh dhe të vdesësh për të. Kurrë mos prefero interesin tënd personal, në llogari të së vërtetës.

Submitting your vote...
Not rated yet. Be the first who rates this item!
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

15/11/2018
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
04:4706:2311:3214:0516:2917:55

Urtësi Profetike

Gjërat që i çojnë njerëzit

më shumë në Xhennet

janë devotshmëria

dhe mirësjellja.


Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook