By: Amer Halid

El-Kahharu (Nënshtruesi, Mposhtësi)


Emri i kësaj teme të bën të ndjesh madhështinë dhe prestigjin e All-llahut të Madhërishëm. Emri i kësaj teme të bën të ndjesh respektin dhe bindjen e plotë ndaj Zotit. Emri i kësaj teme është i ndryshëm nga emrat që kemi trajtuar më parë, emra të cilët flisnin mbi mëshirën, faljen, zgjidhjen e halleve... nga ana e Zotit. Emri i kësaj teme është El-Kahhar. Në këtë temë do të përqëndrohemi në dy pika kryesore:

  1. Kuptimi i emrit të Zotit El-Kahhar.
  2. Modele të nënshtrimit të Zotit në univers.

 

 

Kuptimi i emrit të Zotit El-Kahhar

Emri i All-llahut të Madhërishëm El-Kahhar do të thotë Nënshtrues, Mposhtës, Dominues mbi gjithçka. Çdo gjë e krijuar në gjithësi është e nënshtruar ndaj fuqisë së El-Kahharit. Çdo gjë në univers, nga galaktikat deri tek atomi, nga qielli në tokë, nga insektet, shpezët dhe gjallesat e detit, deri tek kafshët më të mëdhaja mbi tokë... gjithçka e krijuar i është nënshtruar Zotit. Thotë All-llahu i Madhërishëm në Kur’an: ”Ai është Dominuesi (El-Kahiru) mbi robërit e Tij dhe Ai është i Urti, i Dituri.” (El-En’am: 18)

Dominimi dhe fuqia e Zotit është e shoqëruar nga urtësia dhe dija. Ajo nuk mund të përmbajë padrejtësi ndaj asnjë krijese: “Ditën që të ndërrohet toka me një tokë tjetër dhe qiejt dhe të gjithë do të dalin para Zotit Mposhtës. Atë ditë kur të shfaqen, asgjë nuk do të mund t’i fshihet Zotit. I kujt është sundimi sot? I All-llahut, të Vetëm dhe Mposhtës.” (El-Gafir: 16); “I pa të meta është Ai që është i Vetëm dhe Mposhtës.” (Ez-Zumer: 4)

Në Kur’an, ky emër përmendet në dy struktura: El-Kahhar dhe El-Kahir.

Teksa dëgjon këtë emër dhe rreth tij, patjetër fillon të ndjesh dobësinë tënde kundrejt Zotit, ndien Madhështinë e Zotit, respektin dhe nënshtrim të plotë ndaj Tij. E gjithë gjithësia dhe të gjithë krijesat, me dashje apo pa dashje, janë të nënshtruara ndaj Zotit Fuqiplotë: “Më pas iu drejtua qiellit (krijimit të tij), i cili ishte tym (mjegullnajë), atij dhe tokës i tha: “Bindjuni urdhërit Tim me dëshirë ose me dhunë (imponim)!” Ato të dy thanë: “Po i bindemi me dëshirë!” (El-Fussilet: 10-11); “Çështja e Tij është që kur dëshiron diçka i thotë “Bëhu!” dhe ajo bëhet.” (Ja Sin: 82) Ai që me një fjalë krijon dhe bën çfarë të dojë, e ka shumë të lehtë që po me një fjalë të shkatërrojë dhe të ç’bëjë gjithçka.

All-llahu gjykon, e s’ka kush që mund t’i kundërvihet gjykimit të Tij. Ai ndërmerr masë të shpejtë. (Er-Rad: 41); “Dhe nuk mund të dëshironi, veçse po të dëshirojë Zoti.” (El-Insan: 30); “Dhe nëse do të dëshironte Zoti yt, nuk do e bënin.” (El-En’am: 112); Nëse ia ktheni shpinën (rrugës së drejtë), ta dini se nuk mund t’i shpëtoni (ndjekjes së) All-llahut.” (Et-Teube: 3)

Ajetet që flasin mbi Fuqinë dhe Sundimin e All-llahut të Madhërishëm, janë me qindra në Kur’an. Qëllimi ynë me këtë temë, është ta njohim Zotin jo thjesht me gojë, por edhe ta ndiejmë me zemër. Ta ndiejmë prezencën e Tij kudo që të jemi, ta adhurojmë me ndienjën sikur e shohim, pasi, edhe pse ne nuk e shohim, Ai na shikon. A të ka rastisur ta lexosh ajetin: ”Ai është Dominuesi (El-Kahiru) mbi robërit e Tij dhe Ai është i Urti, i Dituri.” (El-En’am: 18) dhe të ndjesh përulje, nënshtrim dhe respekt për Zotin e Madhërishëm? A të ka ndodhur të shohësh qiellin dhe të habitesh se si e mban All-llahu i Madhërishëm të mos bjerë mbi tokë? A nuk të ka shkuar mendja tek retë, të cilat lëshojnë shi? A nuk e ke parë se si ato nuk bien mbi ne, por vetëm sa lëshojnë shiun dobiprurës?

Emri El-Kahhar i vendos njerëzit para dy zgjedhjeve: E para është të pranosh me dëshirën tënde të jesh i nënshtruar dhe i bindur ndaj Zotit të Madhërishëm. Ndërsa, e dyta është të detyrohesh me dhunë t’i bindesh dhe t’i nënshtrohesh Atij.

Vetë qiejt dhe toka pranuan t’i binden dhe t’i dorëzohen vullnetit të Zotit të Madhërishëm me dëshirë. Po kështu edhe melekët, të cilët pranuan t’i nënshtrohen dhe t’i binden me dëshirë. E njëjta gjë është edhe me kafshët, të cilat janë të nënshtruara ndaj vullnetit dhe ligjeve të All-llahut të Madhërishëm. Krijesa e vetme që Zoti e la të lirë të zgjedhë, është njeriu. O njeri, ti je i lirë të zgjedhësh, ose të jesh i bindur dhe i përulur ndaj Zotit me dëshirën tënde, ose ta bësh këtë me detyrim dhe imponim.

Thotë All-llahu i Madhërishëm në një hadith Kudsij: ”O biri i Ademit! Ti dëshiron dhe Unë dëshiroj. Nëse më bindesh Mua në atë që dua, të jap atë që do. Nëse nuk më bindesh në atë që dua, do të lodhesh për ta arritur atë që do dhe nuk do të bëhet vetëm ajo që dua Unë.”

Kështu kuptojmë se Islam do të thotë të jesh i dorëzuar dhe i nënshtruar ndaj All-llahut të Madhërishëm. Islam do të thotë të mos i thuash “Jo!” urdhërave të Zotit tënd. Vetëm duke kuptuar këtë, mund ta kuptojmë se si pranoi Ibrahimi [alejhis-selam] të therë djalin e tij të vetëm. Ai u urdhërua të therë djalin me dorën e tij. Më e keqja ishte se e gjitha kjo ishte e bazuar mbi një ëndërr, të cilën Ibrahimi [alejhis-selam] e kishte parë. Qëndrimi më i çuditshëm nuk ishte ai i Ibrahimit [alejhis-selam], por i Ismailit [alejhis-selam] që do të therej. Ai e pranoi me vullnet të plotë dhe e urdhëroi të atin ta çojë në vend urdhërin e Zotit të Madhërishëm. Ibrahimi [alejhis-selam] e merr djalin e tij të vetëm, e shtrin përtokë dhe vendos thikën në qafën e tij. Filloi të lëvizë thikën që ta presë, por thika nuk e priste. E mprehu edhe një herë, por përsëri thika nuk e preu. Këtë moment e përshkruan All-llahu i Madhërishëm në Kur’an: ”Dhe kur u dorëzuan dhe e vendosi me ballë përtokë.” (Es-Saffat: 103)

Për këtë, muslimanët e kanë traditë të therin kurban çdo vit. Me kurbanet që therim, nuk duam vetëm të ndihmojmë njerëzit e varfër, por edhe të kujtojmë nënshtrimin dhe bindjen e plotë të Ibrahimit [alejhis-selam] ndaj vullnetit dhe urdhërave të Zotit të Madhërishëm.

Kushdo që shkon të vizitojë Qabenë vesh rroba të bardha, kryen shtatë rrotullime rreth Qabesë, kryen lëvizjet mes Safasë dhe Mervasë.... të  gjitha këto, simbolizojnë dorëzimin dhe përuljen e plotë para vullnetit të All-llahut të Madhërishëm.

Emri i Zotit El-Kahhar duhet ta djegë zjarrin dhe dëshirën për gjynahe në zemrën tënde. Duke përjetuar këtë emër në jetën tënde, patjetër që duhet të lindë një lloj frike nga gjynahet. Ashtu siç duhet ta duash Zotin e Madhërishëm, ashtu duhet edhe ta kesh frikë për gjynahet që bën.

Shembulli i besimtarit në marrëdhëniet e tij me Zotin, është si shembulli i zogut me dy krahë. Njëri krah i besimtarit është shpresa dhe dashuria për Zotin, kurse krahu tjetër është frika prej Tij, gjë që të ruan nga gjynahet. Nëse zogut do t’i thyhej njëri krah, nuk do të mund të fluturonte. Po kështu edhe besimtari, nëse do të jetonte vetëm me frikën ndaj Zotit ose vetëm me shpresën, nuk mund të fluturojë drejt destinacionit të lumturisë dhe kënaqësisë së All-llahut të Madhërishëm.

Emri i Zotit El-Kahhar nuk është që të shton frikën ndaj Zotit, por është emër që të shton ndjenjën e madhështisë dhe dashurisë për Zotin e Madhërishëm. Ky emër të mëson bindjen, përuljen dhe dorëzimin para vullnetit të Tij.

Provoje të dalësh në ballkon një natë dhe fillo të përsërisësh ajetin: ”Ai është Dominuesi (El-Kahhar) mbi robërit e Tij dhe Ai është i Urti, i Dituri.” Kishte nga shokët e Profetit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] që gjithë natën faleshin duke përsëritur një ajet të vetëm Kur’ani.

Provoje ta përjetosh këtë ajet: “Atë ditë kur të shfaqen, asgjë nuk do të mund t’i fshihet Zotit. I kujt është sundimi sot? I All-llahut, të Vetëm dhe Mposhtës.” (El-Gafir: 16)

Atë ditë nuk ka pemë të fshihesh pas tyre, nuk ka gropa të hysh dhe të mos dukesh... atë ditë toka do të jetë e rrafshët dhe gjithçka është e ekspozuar para Zotit të Madhërishëm.

 

Modele të nënshtrimit të Zotit në univers

All-llahu i Madhërishëm i nënshtroi qiejt dhe tokën duke u thënë: “Bindjuni urdhërit Tim me dëshirë ose me dhunë!” Ata të dy i thanë: “Po i bindemi me dëshirë!” (El-Fussilet: 10-11)

Ai nënshtroi diellin dhe hënën: ”Dielli nuk mundet ta arrijë hënën dhe as nata nuk mund ta kalojë ditën dhe të gjithë notojnë në univers.” (El-Enbija: 33)

Ai nënshroi natën dhe ditën: All-llahu është Ai që fut natën në ditë e ditën në natë (duke shkurtuar njërën e zgjatur tjetrën). (El-Haxh: 61)

Ai nënshtroi asgjënë: ”Vallë, a nuk ka kaluar një periudhë kohore, kur njeriu nuk ka qenë qenie e denjë për t’u përmendur.” (El-Insan: 1) Kush e nënshtroi asgjënë dhe prej saj krijoi njerëz që jetojnë, anije kozmike, makina, bimë, kafshë...

Kush tjetër, përveç Zotit të Madhërishëm, e nënshtroi dheun dhe prej tij krijoi njeriun që ecën, lëviz dhe logjikon?

Ai nënshtroi ajrin dhe e bëri atë të padukshëm. Ai nënshtroi gjynahqarët që nuk e kanë frikë, me sëmundje të ndryshme, si, për shembull, Sida. Ai i nënshtroi njerëzit dhe i bëri të mos munden ta shohin në këtë botë: “Atë nuk e arrijnë shikimet dhe Ai i arrin shikimet.” (El-En’am: 103) Vetë Musai [alejhis-selam] ia kërkoi një gjë të tillë Zotit, por Ai iu përgjigj: “Ti nuk ke mundësi të më shohësh, por shiko kodrën, e nëse ajo qëndron në vendin e vet, ti do të më shohësh Mua. Kur u drejtua kah kodra, një pjesë e dritës nga Zoti i tij e bëri atë (kodrën) thërrmi, e Musait i ra të fikët. Kur erdhi në vete, tha: “E lartë është Madhëria Jote, pendohem te Ti (për atë që kërkova), dhe unë jam i pari i besimtarëve!” (El-A’raf: 143)

Ai i nështroi popujt mizorë dhe gjynahqarë: “Kur ata harruan gjërat me të cilat i kujtuam, u hapëm dyert e çdo gjëje, kur u gëzuan me atë që u dhamë, i morëm papritur.” (El-En’am: 44)

E veçantë në këtë ajet është se All-llahu i Madhërishëm nuk i ndëshkoi këta njerëz gjynahqarë në fillimet e gjynahut dhe të mirave materiale. Ai i la të jetojnë në të mira, i la të fuqizohen dhe më pas i ndëshkoi. Ndëshkimi u erdhi vetëm pasi u zhvilluan dhe u fuqizuan. Kjo, me qëllim që të kuptohet qartë se ajo që u ndodhi ishte vetëm prej Zotit dhe të jetë shembull për të tjerët.

“A nuk e di ti se ç’bëri Zoti yt me Adin? Me banorët e Iremit me ndërtesa të larta? Që si ata (populli Ad) nuk është krijuar askush në tokë! Dhe me Themudin, të cilët shpuan shkëmbinj në luginë.  Dhe me Faraonin e fortifikuar me tenda (ushtarake)! Të cilët e tepruan me krime në tokë. Dhe në të shtuan shkatërrimin. E All-llahu kundër tyre lëshoi lloj-lloj dënimesh. Pse Zoti yt është që përcjell (u rri në pritë).” (El-Fexhr: 6-14)

Ai nënshtroi Ebrehan dhe ushtrinë e tij, të cilët erdhën për të shkatërruar Qabenë: “A nuk e ke parë se ç’bëri Zoti yt me poseduesit e elefantit? A nuk ua bëri përpjekjen e tyre të dështuar? Dhe Ai kundër tyre lëshoi shpendë që vinin tufë-tufë! Dhe i gjuanin ata me gurë nga balta e gurëzuar! Dhe ata i bëri si gjeth i përtypur!” (El-Fil: 1-5) 

O motër, tregoju këtë histori fëmijëve të tu! Tregoju atyre se Zoti është Fuqiplotë dhe nënshtron këdo që tregohet arrogant ndaj Tij. Me këtë nuk duam t’u fusësh frikën, por t’i bësh të ndërgjegjshëm se All-llahu i Madhërishëm është i aftë për gjithçka.

El-Kahhari shkatërroi popullin e Adit me një stuhi të fortë: Andaj Ne kundër tyre lëshuam një erë shumë të ftohtë gjatë disa ditëve fatzeza, për t’u dhënë ta përjetojnë dënimin nënçmues në jetën e kësaj bote, ndërsa dënimi në botën tjetër do të jetë edhe më i shëmtuar dhe ata nuk do të ndihmohen. (El-Fussilet: 16)

El-Kahhari shkatërroi edhe popullin e Lutit [alejhis-selam], kur mes tyre u përhap shthurrja morale: ”Dhe pjesën e sipërme e përmbysëm. Dhe u lëshuam gurë prej balte të djegur e caktuar nga Zoti.” (Edh-Dharijat: 34) Xhibrili [alejhis-selam] kishte futur krahun poshtë qytetit dhe e kishte ngritur atë lart në qiell, saqë banorët e qiellit dëgjuan lehjet e qenve. Më pas, Xhibrili [alejhis-selam] i përmbysi përtokë duke i shkatërruar.

El-Kahhari është Ai që vullnetin e njerëzve e ka nënshtruar ndaj vullnetit të Tij.

Një ngjarje interesante rreth kësaj teme është ajo që i ndodhi Me’munit, Halifes së muslimanëve. Ai kishte burgosur një njeri dhe nuk e kishte caktuar akoma ç’dënim do t’i jepej. Një nga këshilltarët e tij ia kujton këtë çështje dhe Me’muni merr një copë letër në të cilën shkruan: “Të kryqëzohet!” Rojet e marrin letrën, shkojnë tek qelia dhe, kur hapin letrën, lexojnë: “Të lirohet!” - dhe e lënë të lirë. Kur i pyet Me’muni se ç’u bë me të, i thanë se e lamë të lirë, sipas urdhërit tuaj dhe i tregojnë letrën. Ai e merr letrën dhe shikon se në vend që të shkruante: “Të kryqëzohet!”, kishte shkruar: “Të lirohet!”. I inatosur merr një letër tjetër dhe shkruan: “Të kryqëzohet!” Shkojnë rojet përsëri, e marrin dhe kur hapin letrën shohin se përsëri ishte shkruar: “Të lirohet!” - dhe e lënë përsëri të lirë. Kur dëgjon Me’muni i thërret përsëri dhe i pyet se përse e lanë të lirë. Rojet përsëri i tregojnë letrën, të cilën e merr dhe lexon në të: “Të lirohet!” Merr një letër tjetër dhe për të tretën herë shkruan: “Për Zotin, duhet të kryqëzohet!” Kur e marrin letrën rojet dhe e lexojnë, shohin se ishte shkruar: “Për Zotin, duhet të lirohet!” - dhe e lënë të lirë. Kur merr vesh Me’muni, i xhindosur i thërret rojet dhe i pyet për shkakun pse e lanë të lirë dhe ata i treguan përsëri letrën, ku ishte shkruar me shkrimin e tij: “Për Zotin, duhet të lirohet!” Me’muni mendohet për një çast, pastaj thotë: “Po! Le të lirohet, pasi kush mund ta kryqëzojë një njeri që Zoti dëshiron ta lirojë?!”

Në fillimet e shekullit XIX u ndërtua një anije madhështore dhe luksoze, të cilën e quajtën “Titanik”. Anësh anijes ishin shkruar fjalët: ”Anija që nuk mbytet!” Ndërtuesit e kishin shkruar këtë, duke qenë të bindur, pasi struktura e anijes ishte e tillë që nuk imagjinohej se mund të mbytej. Në udhëtimin e parë të saj nga Europa për në Amerikë, ajo ishte e mbushur me milionerë, njerëz të tjerë dhe mallra të shumtë. Në këtë udhëtim, ajo do të përplaset me një ajsberg, i cili e ndan anijen, që nuk mbytet, në dy pjesë.

Është më mirë të shkosh me dëshirë drejt All-llahut të Madhërishëm se sa të detyrohesh me forcë më vonë.

Një gjë tjetër e habitshme është se El-Kahhari i nënshtron gjërat me të kundërtat e tyre. Ai vendos harmoninë mes të kundërtave. Le të marrim një shembull, që ta sqarojmë më mirë. Kimikisht uji është formuar nga oksigjeni dhe hidrogjeni (H2O), pra dy atome hidrogjen dhe një oksigjen. Po të shohim me kujdes, do të gjejmë se hidrogjeni është një substancë e djegshme. Po kështu, edhe oksigjeni është substancë që ndihmon djegien. El-Kahhari që ka nënshtruar gjithçka, nga këto dy substanca djegëse, formon një substancë tjetër, e cila e shuan zjarrin, ujin. A ke menduar, o vëlla dhe o motër, se uji që pini në origjinë është lëndë djegëse? Prandaj, sa herë të pish ujë, mendoje këtë fakt dhe falënderoje Zotin që e nënshtroi gjithçka në shërbimin tënd.

El-Kahhari e ka nënshtruar gjithësinë dhe çdo elementi dhe përbërësi i ka dhënë karakteristika dhe veçori të pandryshueshme. A e kupton se çfarë mundimi do të ishte nëse temperatura e zierjes së ujit të ishte e ndryshueshme dhe jo stabile si është sot, 100 gradë?

Nëse temperatura e shkrirjes së metaleve do të ishte e paqëndrueshme, a e kupton se çfarë problemesh do të shkaktonte?

Nëse funksionet e organeve tona do të ishin të ndryshme nga njëri njeri tek tjetri, a do të ishte zhvilluar mjekësia?

El-Kahhari e ka nënshtruar zjarrin, me qëllim që të djegë. Por është po Ai që e urdhëroi atë të mos e djegë Ibrahimin [alejhis-selam]. Ai e ka nënshtruar thikën të presë, por është po Ai që e urdhëroi të mos e presë Ismailin [alejhis-selam]. Ai e ka nënshtruar barkun e balenës të tresë gjithçka, por është po Ai që e urdhëroi të mos e tresë Junusin [alejhis-selam].

El-Kahhari ka bërë që deti në gjendje qetësie të jetë simbol i bukurisë, kurse kur është i trazuar të jetë simbol i frikës dhe i shkatërrimit.

Era kur është e freskët është simbol i freskisë dhe i gjallërisë, kurse kur është e fuqishme, ajo kthehet në simbol të shkatërrimit dhe të vdekjes.

El-Kahhari e nënshtroi shpirtin që buron nga fryma e Zotit të Madhërishëm, nga qielli, me trupin që në origjinë është baltë toke. Jo vetëm kaq, por shpirti dhe trupi bashkëjetojnë në mënyrë shumë harmonike. Sa herë që shpirti trazohet, efektet shfaqen në trup me lotimin e syve. Kur shpirti gëzohet dhe ndien kënaqësi, efektet shfaqen në fytyrën e buzëqeshur. Kush i ka harmonizuër këto dy gjëra me drejtime dhe origjinë krejt të ndryshme? A nuk është El-Kahhari?

Nënshtrimi dhe përulja e El-Kahharit është e bukur. Të gjithë krijesat në gjithësi, janë të gëzuara me këtë nënshtrim. Të gjithë bimët, pemët dhe zogjtë ndihen të gëzuar, edhe pse të nënshtruar. Këtë e shohim në aromën që lëshojnë lulet e bimëve dhe të pemëve, e shohim në ngjyrat dhe cicërimat e bukura të zogjve. Nëse e gjithë gjithësia ndihet mirë me nënshtrimin e Zotit, përse ti, o njeri, nuk ndihesh mirë?

Nënshtrimi i Zotit nuk është nënshtrim përbuzës dhe ofendues, ai është nënshtrim që tregon bindjen dhe dorëzimin ndaj Krijuesit dhe Zotit tënd. Nënshtrimi i Zotit është me qëllim që ti ta njohësh Madhështinë e Tij dhe të ruhesh nga gjynahet.

Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] shpeshherë lutej: ”O Zot! Na pajis me frikën Tënde (na bëj të vetëdijshëm), e cila na mban larg gjynaheve! Na pajis me bindjen Tënde, me të cilën do të fitojmë Xhennetin. Na e shto besimin dhe sigurinë tek Ty, që të na lehtësohen vuajtjet e kësaj bote.” Të qenit i nënshruar ndaj Zotit dhe të qenit i ndërgjegjësuar për diçka të tillë, të shton rezistencën ndaj gjynaheve.

Kur Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] binte në sexhde, thoshte: “Ndaj Teje është përkushtuar dëgjimi im, shikimi im, truri im dhe eshtrat e mia.”

Tregon Aisheja[radijall-llahu anha]: ”E kërkova Profetin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] një natë dhe nuk e gjeta. Duke prekur vendin me dorë, preka këmbët e tij dhe pashë se kishte rënë në sexhde duke u falur. Atëherë e dëgjova duke thënë: ”Kërkoj mbrojtjen Tënde nga ndëshkimi Yt. Kërkoj të më mbrosh me kënaqësinë Tënde nga zemërimi Yt.”

Ditën kur dielli pësoi eklips – tregojnë sahabet – e shihnim Profetin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] të hynte dhe të dilte në shtëpi. Më pas, ai dhe muslimanët e tjerë hynë në xhami, ku në namaz lexon gjatë Kur’an, në ruku dhe sexhde qëndron gjatë. Pasi përfundoi namazin e rastit, ai u lut: ”O Zot! Më ke premtuar se nuk do t’i ndëshkosh, përderisa jam në mesin e tyre. O Zot! Më ke premtuar se nuk do t’i ndëshkosh, përderisa ata kërkojnë falje.”

Qëllimi kryesor i kësaj teme është që, pasi të njohësh emrin dhe cilësinë e Zotit El-Kahhar, nëse ke një gjynah që nuk i reziston, ta braktisësh atë menjëherë. Gjithë sa përmendëm më sipër, është me qëllim që ti ta ndjesh Madhështinë dhe Fuqinë e Zotit dhe ta kesh më të lehtë t’i bindesh Atij. Gjithçka është me qëllim që frika ndaj Zotit të shtohet dhe të bëhesh i vetëdijshëm për atë që vepron.

Me këtë temë, nuk duam të shtojmë vetëm frikën ndaj Zotit të Madhërishëm, por edhe dashurinë për Të. Nëse e njeh siç duhet El-Kahharin, patjetër do e duash. Ne duam që ty të rrjedhin lotë nga frika dhe devotshmëria për All-llahun e Madhërishëm. Thotë profeti Muhammed [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]: ”Ashtu siç nuk kthehet qumështi në trupin e kafshës, ashtu nuk hyn në zjarr një njeri sytë e të cilit kanë qarë nga frika dhe Madhështia e Zotit.”

Nëse ti e ke frikë All-llahun e Madhërishëm dhe nuk vepron gjynahe, nëse e ke frikë All-llahun dhe të rrjedhin lotë, atëherë Ai të nderon edhe në marrëdhëniet dhe komunikimin tënd me njerëzit. Kjo, pasi tashmë je i bindur se Zoti i ndëshkon ata që sillen padrejtësisht me të tjerët.

Umer ibnu Abdul Azizi i thoshte gjithmon shërbëtorit të tij: ”Nëse vëren që po humbas një nga obligimet e Zotit, ose një nga të drejtat e njerëzve, më tërhiq nga rrobat dhe më thuaj: ”O Umer, a nuk e ke frikë Zotin?!”

Ditën që muslimanët me në krye Umer ibnul Hattabin [radijall-llahu anhu] morën Kudsin, ishte ditë gëzimi dhe hareje. Teksa të gjithë njerëzit ishin të gëzuar, Umeri [radijall-llahu anhu] ishte shumë i shqetësuar. Ai kërkoi të takohej me Ubejdi ibnu Xherrahun [radijall-llahu anhu]. Me të ardhur Ebu Ubejde, Umeri [radijall-llahu anhu] e përqafoi dhe filloi të qajë me të madhe, duke i thënë: ”O Ebu Ubejde, çfarë do t’i themi Zotit nëse na pyet Ditën e Kijametit: Çfarë keni bërë pas vdekjes së Profetit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]?!”

Të dy filluan të qajnë nga frika e All-llahut të Madhërishëm, teksa të gjithë qeshnin dhe gëzoheshin.

Kur një njeri gaboi, Umer ibnul Hattabi [radijall-llahu anhu] u mat ta godasë, por ai menjëherë i tha: ”Ki frikë Zotin, o Umer!” Atëherë, Umeri [radijall-llahu anhu] e uli dorën dhe i tha: ”Më ke frikësuar me Zotin!”

Ditën që do të vdiste, Umeri [radijall-llahu anhu] i thoshte djalit të tij: ”Ma vendos fytyrën përtokë, me shpresë që të më falë dhe të më mëshirojë All-llahu i Madhërishëm! Ah, sikur të kisha qenë një qime në kraharorin e Ebu Bekrit! Ah, sikur të kisha dalë nga kjo botë pa gjynahe dhe pa të mira! I mjeri unë dhe e mjera nëna ime, nëse nuk më mëshiron Zoti Ditën e Kijametit!”

Një beduin vajti tek Umer ibnul Hattabi [radijall-llahu anhu] për t’i kërkuar lëmoshë. Për këtë, ai i thuri disa vargje:

 

“O Umer, me lëmoshë Xhennetin do fitosh,

Vishi vajzat e mia dhe nënën e tyre,

Pash Zotin, këtë ta bësh.”

 

Umeri [radijall-llahu anhu], për ta provuar çfarë do të thotë, ia ktheu: ”Po nëse nuk e bëj, çfarë ndodh?” Beduini i tha: ”Atëherë, unë do të iki.” Umeri [radijall-llahu anhu] e pyeti: ”E çfarë bëhet po ike?” Beduini ia ktheu: “Për Zotin, do të japësh llogari për ta atë Ditë që të nisesh, për Xhennet ose për zjarr.

Kur dëgjoi këto fjalë, Umeri [radijall-llahu anhu] vrapoi drejt shtëpisë së tij dhe, ngaqë nuk gjeti gjë tjetër, mori xhyben e vet dhe, duke ia drejtuar beduinit, i tha: “Merre këtë se kaq kam në dorë, me qëllim që të shkoj në Xhennet dhe jo në zjarr.”

Emri El-Kahhar ka edhe një kuptim tjetër të rëndësishëm: Ai që e nënshtron gjuhën tënde të mos e shqiptojë shehadetin në çastet e vdekjes, nëse nuk ke qenë besimtar i mirë. Edhe pse të thuash “La ilahe il-lall-llah!” është shumë e lehtë, në çastet e vdekjes të duket sikur ke malet mbi gjuhë. Gjynahet e shumta e kanë nënshtruar dhe e kanë mposhtur gjuhën e tij dhe nuk mundet të shqiptojë fjalët më të lehta.

Një nga shokët e Profetit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] kur i erdhi vdekja, nuk e shqiptonte dot shehadetin. Shqiptonte çdo fjalë tjetër, përveç shehadetit. Të pranishmit nxituan për te Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] dhe i treguan gjendjen e tij. Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] i pyeti: “A e ka nënën gjallë?” - “Po”, - i thanë. Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] shkoi te nëna e tij dhe e pyeti: “A ka ndodhur ndonjë gjë jo e mirë mes teje dhe djalit tënd?” - “Po, - o i Dërguari i All-llahut, - i tha ajo. -Fëmijëve dhe gruas së tij i jepte fruta të mira, kurse mua më jepte ç’të tepronte.” Në çastet që e fali nëna dhe ia bëri hallall, ai shqiptoi shehadetin dhe vdiq.

E kundërta është me atë që e ka njohur dhe i është bindur El-Kahharit. Një nga këta ishte edhe Bilali [radijall-llahu anhu], i cili në çastet e vdekjes buzëqeshte dhe thoshte: ”Tani do të takohem me të dashurit e mi, Muhammedin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] dhe shokët e tjerë.”

Në çastet që po vdiste Umer ibnu Abdul Azizi, hyn gruaja e tij, Fatimeja, e cila e dëgjon të thotë: ”Ajo është shtëpia që ia japim atyre që tregohen kryeneçë dhe shkatërrimtarë në tokë.” (El-Kassas: 83) Fryma i ndërpritet tek fjala e fundit e ajetit: ”... E përfundim i këndshëm u takon atyre që i frikësohen All-llahut.

Teksa po vdiste Hudhejfe ibn Jemame [radijall-llahu anhu], thoshte: ”Mirë se vjen, o vdekje, një i dashur që vjen pas një kohe të gjatë.” Më pas pyeti: ”Çfarë kohe është tani?” Të pranishmit i thanë: ”Jemi pranë agimit të mëngjesit.” Atëherë, ai tha: ”O Zot! Unë të kërkoj që darka të më zërë në këtë botë dhe mëngjesi tjetër në Xhennet!”

Gjithçka në këtë botë i është nënshtruar dhe mposhtur vdekjes. Askush nuk mund t’i shpëtojë vdekjes.

Thotë Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]: ”Si të gëzohem, në një kohë që meleku i bririt, është përgatitur t’i fryjë, ka ulur kokën, ka hapur veshët dhe pret kur të urdhërohet që t’i fryjë bririt.”

Dhe i fryhet Surit dhe gjithçka në qiej dhe në tokë vdes, përveç atyre që do All-llahu (të mos vdesin). (Ez-Zumer: 68)

Me anë të një fryerje do të shkatërrohet gjithçka. Nuk do të ketë më male, fusha, ndërtesa dhe njerëz.

Ata që do të mbeten do të jenë engjëjt: Xhibril, Mikail, Israfil dhe Meleku i vdekjes.

All-llahu i Madhërishëm do të thërrasë më pas: “O Meleku i vdekjes, kush ka mbetur i gjallë?” Ai do t’i përgjigjet: “Ka mbetur robi Yt, Xhibrili, Mikaili, Israfili dhe unë, Meleku i vdekjes.” All-llahu i Madhërishëm do t’i thotë Melekut të vdekjes: “O Meleku i vdekjes, merre shpirtin e Xhibrilit!” Dhe kështu i merret shpirti Xhibrilit [alejhis-selam]. All-llahu i Madhërishëm pyet më pas përsëri: “O Meleku i vdekjes, kush ka mbetur tani?” Meleku i përgjigjet: “Ka mbetur Israfili, Mikaili dhe unë, robi Yt, Meleku i vdekjes.” - “O Meleku i vdekjes, – do t’i thërrasë Zoti, - merre shpirtin e Israfilit!” Dhe i merret shpirti Israfilit [alejhis-selam]. Më pas All-llahu i Madhërishëm pyet: “O Meleku i vdekjes, kush ka mbetur?” - “Ka mbetur Mikaili dhe unë, robi Yt, Meleku i vdekjes.” - do t’i përgjigjet. - “O Meleku i vdekjes, merre shpirtin e Mikailit!”- do e urdhërojë Zoti. Dhe kështu do t’i merret shpirti edhe Mikailit [alejhis-selam].

Përsëri Zoti do të pyesë: “O Meleku i vdekjes, kush ka mbetur tani?” - “Unë, robi Yt, o Zot, Meleku i vdekjes.” - “O Meleku i vdekjes, – do urdhërojë Zoti, - merre shpirtin e Melekut të vdekjes!” Kështu, Meleku i vdekjes e merr shpirtin e tij. Më pas Zoti do të thërrasë: “Kujt i takon sundimi sot? Kujt i takon sundimi sot?” Dhe nuk do t’i përgjigjet askush. Më pas do të përgjigjet vetë All-llahu, duke thënë: “Sundimi sot është vetëm i All-llahut, që është i Vetëm dhe Fuqiplot.” (El-Gafir: 16)

El-Kahhari është Ai që e krijoi njeriun e parë nga dheu dhe nga shpirti. El-Kahhari është Ai që e shkatërron dhe i jep fund jetës së kësaj bote me një të fryrë në Sur.

El-Kahhari e nënshtron, e errëson dhe e ngushton urën e Siratit për jobesimtarët dhe gjynahqarët. El-Kahhari e nënshtron dhe e bën dritë dhe të gjerë urën e Siratit, për besimtarët: “Ditën që të shohësh besimtarët dhe besimtaret që drita u paraprin dhe djathas.” (El-Hadid: 12)

Tregon Abdull-llah ibnu Umeri [radijall-llahu anhu]: ”E pashë të Dërguarin e Zotit një ditë mbi minber duke thënë me zë të lartë: ”Ata nuk e vlerësuan Zotin, ashtu siç e meriton. E gjithë toka do të jetë në dorën e Tij Ditën e Kijametit. Qiejt do të mbështillen me të djathtën e Tij. I pa të meta dhe i lartësuar është Ai, për gjithçka që i shoqërojnë.” (Ez-Zumer: 67)

Ai e ngriti zërin dhe duke bërë shenjë me gisht, tha: ”All-llahu i Madhërishëm e lavdëron veten e Tij dhe thotë: ”Unë jam Poseduesi, Unë jam i Plotfuqishmi, Unë jam Nënshtruesi, Unë jam Rregullatori, Unë jam i Pari (pa fillimi), Unë jam i Fundit (pa mbarim)…” Vazhdoi Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] t'i përsërisë cilësitë dhe emrat e All-llahut të Madhërishëm, saqë pashë se minberi filloi të dridhet së bashku me të Dërguarin e Zotit."

Mësimet e nxjerra nga sa përmendëm:

1-) Kije frikë All-llahun e Madhërishëm që t’u rezistosh gjynaheve. Kije frikë Zotin e Madhërishëm që t’i trajtosh të tjerët me mëshirë dhe butësi. Kije frikë Zotin që të dalin lotë për hatër të Tij.

2-) Kurrë mos prano të përbuzësh dhe të poshtërosh të tjerët, sidomos të vobekëtit dhe jetimët.

3-) Përpiqu ta nënshtrosh dhe ta përbuzësh shejtanin dhe të keqen.

Submitting your vote...
Not rated yet. Be the first who rates this item!
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

20/03/2019
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
04:0805:4111:5615:1717:5719:20

Urtësi Profetike

Gjërat që i çojnë njerëzit

më shumë në Xhennet

janë devotshmëria

dhe mirësjellja.


Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook