By: Amer Halid

El-Vekilu (Garantuesi)


Emri që do të trajtojmë në këtë temë është një nga emrat e bukur të All-llahut të Madhërishëm, emër që të fal qetësi shpirtërore dhe siguri. Këtë e fitojnë ata që e përjetojnë këtë emër në jetën e tyre dhe adhurojnë All-llahun e Madhërishëm me këtë emër. Ky emër është për ata që të ardhmen e shohin me frikë dhe me pesimizëm. Emri i kësaj teme është i përshtatshëm për të gjithë ata që janë të stresuar dhe të depresuar rreth së ardhmes. Emri i kësaj teme është El-Vekilu. 

Pikat në të cilat do të përqëndrohemi në trajtimin e kësaj teme, janë pesë:

  1. Hyrje.
  2. Kuptimi i emrit El-Vekil.
  3. Si ta kuptoj nëse i mbështetem Garantuesit në çdo gjë?
  4. Modele tepër tërheqës, mbi mënyrën se si El-Vekilu i ndihmon dhe i përkrah ata që i mbështetin Atij.
  5. Kuptime të ndryshme të emrit El-Vekil.

 

 

Hyrje

Ata që kanë nevojë për këtë emër, janë të gjithë ata që e shohin të ardhmen e tyre me frikë. Për këtë emër kanë nevojë prindërit, të cilët janë të shqetësuar për të ardhmen e fëmijëve të tyre. Për këtë emër kanë nevojë ata prindër që janë të shqetësuar se mos fëmijët e tyre bien pre e drogës dhe e shoqërisë së keqe. Kanë nevojë ata prindër që janë të shqetësuar se mos vajza e tyre bie pre e ndonjë djali që e mashtron. Kanë nevojë ata prindër që janë të shqetësuar për mbarëvajtjen e fëmijëve në shkollë.

Që ta njohin këtë emër, kanë nevojë ata të rinj që janë në universitet dhe mundësinë për t’u punësuar e shohin të vogël pas diplomimit. Ata që janë në fazën e zbatimit të një projekti dhe janë të shqetësuar nëse do të ketë sukses apo jo, gjithashtu, kanë nevojë për të njohur emrin El-Vekil. Vetë umeti musliman që vuan nga hallet e shumta, ka nevojë ta njohë emrin e Zotit, El-Vekil. Ky emër është për këdo që kërkon të kontribuojë për Islamin dhe nuk di nga t’ia fillojë.

Njeriu është i dobët dhe gjithmonë është i shqetësuar për të ardhmen. Ai shikon aktualitetin me problemet e shumta që kërkojnë zgjidhje dhe stresi i shtohet edhe më shumë.

El-Vekilu është emër që të jep siguri dhe besim mbi një çështje që kërkon ta arrish. Fillimisht ti vë gjithçka në funksion të çështjes që kërkon të arrish, shfrytëzon të gjitha mundësitë dhe punon pa pushim. Kurse rezultatin ia lë në dorë Garantuesit, i Cili ka në dorë gjithçka. Vallë, a e bëjmë diçka të tillë në jetën tonë? Ata prindër që janë të shqetësuar për vajzat e tyre që kanë mbushur moshën për martesë dhe nuk u ka trokitur kush në derë, ata të rinj që janë të shqetësuar mbi të ardhmen e tyre, ata njerëz që kanë halle... a i mbështeten All-llahut të Madhërishëm për problemet e tyre? Kur të ndodh ndonjë problem dhe hall që të trondit, a shkon të trokasësh në derën e El-Vekilit? Cilat janë lidhjet e tua me Garantuesin e çdo gjëje? A i mbështetesh Garantuesit për çdo problem me të cilin përballohesh? A e ke jetën të lidhur me këtë emër, me El-Vekilun?

Zakonisht kur nënshkruajmë një marrëveshje, e nënshkruajmë atë në praninë e një noteri, ose një pale të tretë, e cila luan rolin e garantuesit që kjo marrëveshje do të respektohet. Kjo palë e tretë, zgjidhet nga të dy palët kontraktuese, pasi të dy kanë besim tek ai. Në fund, të dy palët dhe garantuesi i marrëveshjes firmosin marrëveshjen e lidhur. Pasi të nënshkruhet kontrata, të gjithë palët fillojnë punën për zbatimin e saj. Asnjë nuk qëndron në shtëpi dhe të presë garantuesin ta përmbushë. Që të pranosh garancinë e dikujt, duhet që ai të plotësojë tre kushte: Të kesh besim tek ai, të ketë ekperiencën e duhur dhe të tregojë interes ndaj çështjes tënde.

O vëlla, po Zotin tënd, a e pranon si Garantues për zgjidhjen e halleve të tua? Ai të ofron mbështetjen dhe ndihmën e Tij, përse të mos e pranosh? Ai e ka quajtur veten e Tij El-Vekil (Garantues). Vetë All-llahu i Madhërishëm të propozon në Kur’an: ”Pranoje Atë si Garantues...” (El-Muzemil: 9)

Sa herë që Kur’ani flet mbi rëndësinë e mbështetjes së njeriut te All-llahu i Madhërishëm, e shoqëron këtë me fuqinë dhe me pushtetin e pafund të Tij. Kjo, me qëllim që të ta shtojë besimin në Garantuesin Suprem. Në shumë ajete të Kur’anit, All-llahu i Madhërishëm na siguron se askush nuk mund të humbasë duke e pranuar Atë si Garantuesin e vetëm: “Zot i lindjes dhe i perëndimit, nuk ka zot tjetër veç Tij, prandaj pranoje Atë si Garantues.” (El-Muzemil: 9)

Ti duhet t’i mbështetesh All-llahut të Madhërishëm, pasi Ai ka në dorë gjithçka që ekziston në qiej dhe në tokë: “Zotit i takon e fshehta e qiejve dhe e tokës, tek Ai kthehet e gjithë çështja. Prandaj, adhuroje dhe mbështetju Atij.” (Hud: 123)

Mos vallë nevojat e tua gjenden jashtë lindjes dhe perëndimit, që të kërkosh një garantues më të besueshëm? Vetë All-llahu i Madhërishëm të ofron garancinë dhe ndihmën e Tij. Kështu, nuk ka arsye përse të stresohesh dhe të shqetësohesh për të ardhmen. Jeta e përplas njeriun me probleme dhe telashe nga më të ndryshmet, prandaj shko dhe kërko ndihmën e El-Vekilit për t’i zgjidhur ato. Mbështetju Atij dhe përpiqu me sa mundësi ke për një rezultat të kënaqshëm.

Përse të shkosh tek dikush tjetër, në një kohë që vetë All-llahu i Madhërishëm të ofron mbështetjen e Tij? Përse pranon garancinë dhe mbështetjen e të tjerëve dhe refuzon atë të Garantuesit Suprem?

Njerëzit me të marrë vesh mbi aftësitë e rralla të një doktori, vihen në radhë pa mbarim tek dera e tij. Kjo, pasi kanë besim, siguri dhe garanci në përvojën dhe aftësitë e tij. Ne nuk besojmë t’ia dorëzojmë shëndetin tonë një doktori që nuk e njohim dhe që nuk besojmë në aftësitë e tij. Edhe pse duhet të shpenzojmë para më shumë, ne zgjedhim doktorin më të mirë. Përse të mos kemi besim dhe garanci të plotë tek Ai që gjithçka është në dorën dhe në sundimin e Tij?

Nëse kemi një çështje drejtësie, zgjedhim avokatin më të mirë në vend dhe për këtë mburremi para njerëzve të tjerë. Përse të mos mburresh me garancinë e Atij që është Garantuesi më i mirë? O njeri, edhe pse ti je sa një pikë në gjithë universin, All-llahu i Madhërishëm të ofron garancinë e Tij për të ndihmuar: “Dhe mbështetu tek i Plotfuqishmi dhe Mëshiruesi, i Cili të sheh kur ngrihesh në këmbë dhe lëvizjen tënde në mesin e atyre që falen.” (Esh-Shuara: 17-19)

Me kërkesën për t’iu mbështetur Zotit dhe Garantuesit më të mirë, nuk duam të nxisim dembelizmin dhe plogështinë. Nuk duam që gjithçka ta presim të gatshme dhe vetë të mos ndërmarrim asnjë veprim. Padyshim që ne duhet të shkojmë tek doktori më i mirë për t’u vizituar, do të zgjedhim avokatin më të mirë për të fituar një çështje, do të komunikojmë me ministra dhe vendimmarrës të tjerë..., por brenda në zemër të jemi të sigurtë dhe të bindur se vetëm All-llahu i Madhërishëm do të na e zgjidhë këtë problem: “Është Ai që më krijoi dhe është Ai që më udhëzon. Është Ai që më ushqen dhe më jep të pijë. Dhe kur sëmurem është Ai që më shëron. Që ma merr jetën dhe më ngjall. Është Ai tek i Cili kam shpresë se do të m’i falë mëkatet e mia në Ditën e Gjykimit.” (Esh-Shuara: 78-82); ”Dhe mbështetju të Gjallit që nuk vdes.” (El-Furkan: 58); “Ai është All-llahu që nuk ka zot tjetër veç Tij. Ai është Krijuesi i gjithçkaje, prandaj adhurojeni. Dhe Ai është Garantuesi i çdo gjëje.” (El-En’am: 102)

Kështu, El-Vekilu është Ai që merr përsipër zgjidhjen dhe përkujdesjen për gjithçka që i shqetëson robërit e Tij. Ai nuk i zhgënjen, nuk i braktis dhe nuk i lë çështjet e tyre në dorë të dikujt tjetër: “Dhe kush i mbështetet Zotit, Ai i mjafton atij.” (Et-Talak: 3) Kurrë nuk mund të humbasësh, nëse i je mbështetur All-llahut të Madhërishëm. Fjalët: ”Më mjafton All-llahu, i Cili është Garantuesi më i mirë.” nënkuptojnë që mua më mjafton Zoti për zgjidhjen e halleve dhe të problemeve të mia.

Mbështetja në All-llahun e Madhërishëm të fal forcë dhe besim në vetvete. Ajo të bën të flasësh pa emocione dhe pa frikë. Kjo, pasi tashmë i je mbështetur Atij, i Cili nuk zhgënjen askënd dhe je i bindur në ndihmën e Tij: “Dhe nëse kthejnë shpinën, thuaj: Më mjafton All-llahu që nuk ka zot tjetër veç Tij, Atij i jam mbështetur dhe Ai është Sunduesi i Arshit madhështor.” (Et-Teube: 129)

Nëse të braktisin të gjithë njerëzit dhe dalin kundër teje, mos ki frikë nëse ke Garantuesin në krahun tënd. 

“…Njerëzit janë grumbulluar kundër jush, prandaj frikësojuni atyre. Por kjo në të vërtetë vetëm sa ua shtoi besimin dhe thanë: Na mjafton All-llahu, i Cili është Ndihmuesi më i mirë.” (Ali Imran: 173)

Këto ajete janë për shokët e Profetit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]. Pas humbjes së Uhudit, ku mbetën të vrarë 70 muslimanë, u vra Hamzai dhe vetë Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] u plagos, Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] urdhëroi muslimanët që të sulmonin Kurejshët. Edhe pse ishin të lodhur dhe të plagosur, muslimanët së bashku me Profetin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] u nisën rrugës për të luftuar me Kurejshët, derisa arritën në një vend që quhej Hamraul Esed. Kurejshëve u arriti lajmi se muslimanët ishin nisur për të luftuar me ta, kështu që dërguan një njeri t’i frikësojë. Personi që dërguan për të frikësuar Profetin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] dhe muslimanët, me t’u takuar me Profetin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], i tha: ”Kurejshët janë përgatitur për luftë, kanë veshur lëkurat e tigrave dhe kanë mbledhur rreth vetes të gjithë arabët.” Me ta dëgjuar, Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] u drejtua nga shokët e tij dhe të gjithë thirrën njëzëri: ”Na mjafton All-llahu, i Cili është Garantuesi më i mirë.” Atëherë, Profetit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] iu shpallën ajetet e mësipërme.

Personi që kishte vajtur të frikësojë muslimanët, u largua dhe shkoi të frikësojë Kurejshët. Me t’u takuar me ta, ai u tha: ”Për Zotin! Muslimanët thonë fjalë me të cilat duket sikur do t’u hanë të gjallë.” Ebu Sufjani dhe pjesa tjetër e ushtrisë u nisën menjëherë për në Meke, duke iu shmangur përplasjes me muslimanët.

Atëherë, Profetit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] iu shpallën edhe ajetet plotësuese: ”Ata u kthyen me mirësinë dhe begatinë e Zotit, pa i prekur gjë e keqe.” (Ali Imran: 174)

Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] në shumë hadithe na mëson gjëra praktike me të cilat mësojmë mbështetjen në Zotin e Madhërishëm. Thotë Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]: ”Kush thotë çdo ditë në mëngjes dhe në mbrëmje shtatë herë: ‘Më mjafton All-llahu që nuk ka zot tjetër përveç Tij. Atij i jam mbështetur dhe Ai është Sunduesi i Arshit të madh.’, Zoti ia garanton zgjidhjen e halleve të asaj dite.”

Në një hadith tjetër, Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë: ”Kush thotë, teksa del nga shtëpia: ‘Me emrin e All-llahut, jam mbështetur tek Zoti. Nuk ka forcë që më shtyn të bëj mirë dhe më ndalon nga të bërit keq, përveç Zotit.’, do t’i thotë meleku: ‘’Je udhëzuar, je mbrojtur dhe të mjafton Zoti.” Shejtani i thotë një shejtani tjetër: ”Çfarë mund t’i bëjmë një njeriu që është udhëzuar, është mbrojtur dhe i mjafton Zoti?!”

Kurse mbi historinë e hebrenjve që i urdhëroi Musai [alejhis-selam] të luftonin për të marrë Kudsin, Kur’ani thotë: ”Dhe dy burra që Zoti u kishte dhënë mirësi u thanë: Hyni brenda, sepse me të hyrë ju do të fitoni. Dhe mbështetjuni All-llahut nëse jeni besimtarë!” (El-Maide: 23)

Një fshatar kishte një kushëri që punonte në ministri dhe kishte marrëdhënie konfidenciale me vetë ministrin. Fshatari shkroi një kërkesë për punë dhe vajti tek kushëriri i tij, për ta ndihmuar të gjejë një punë në ministri. Gjatë gjithë rrugës për në qytet, fshatari kishte në mendje se vetëm kushëriri i tij mund t’i gjente punë. Me të arritur në shtëpinë e kushëririt, ai e mirëpriti dhe i premtoi se do t’ia paraqiste kërkesën ministrit për t’i gjetur një punë. Të nesërmen mori kërkesën e kushëririt nga fshati dhe ia la ministrit mbi tavolinë. Çdo ditë që ia vendoste kërkesën mbi tavolinë, minstri e merrte dhe e vendoste atë poshtë dokumentave të tjera. Kur pa se minstri nuk e kishte mendjen te kushëriri i tij nga fshati dhe se gruaja e tij po mërzitej me prezencën e tij çdo ditë në shtëpi, i tha: ”O kushëriri im! Mesa duket një çështje e tillë kërkon kohë. Mua më vjen keq për këtë, por më mirë kthehu në shtëpi dhe prit atje!” Tregon fshatari: ”Kjo më rëndoi së tepërmi. Dola nga shtëpia e tij me zemër të thyer, duke menduar se fajin e kisha vetë. Unë u mbështeta tek lidhjet e mia me kushëririn. Duhej të isha mbështetur tek Zoti, pasi vetëm Ai mund të më ndihmojë. O Zot, më fal se kam gabuar. O Zot! Ti je Garantuesi im dhe vetëm prej Teje pres ndihmë.” Një ditë më vonë, kushëriri i tij nga qyteti e mori në telefon dhe e njoftoi se ministri e kishte pranuar kërkesën e tij për punë.  

Kjo ishte një histori e thjeshtë mbi ndihmën dhe përkrahjen që të ofron El-Vekilu kur i mbështetesh Atij. Jam i sigurtë që secili prej nesh ka me dhjetëra dhe qindra histori të tilla nga jeta e tij. E keqja jonë është se ne nuk e studiojmë jetën tonë, tregojmë indiferencë ndaj mbështetjes së El-Vekilit. Pasi të lexosh këtë temë, ulu me veten dhe kujto mbështetjen dhe përkrahjen e El-Vekilit në jetën tënde.

“Më mjafton All-llahu, i Cili është Garantuesi më i mirë.” - e tha Ibrahimi [alejhis-selam] kur u hodh në zjarr. E tha Musai [alejhis-selam], kur populli i tij i thanë: ”Na arritën!” E tha profeti Muhammed [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] së bashku me muslimanët e tjerë, kur i thanë: “…Njerëzit janë grumbulluar kundër jush, prandaj frikësojuni atyre.” (Ali Imran: 173)

Profeti Muhammed [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ua mësonte mbështetjen në Zot fëmijëve të vegjël. Abdull-llah bin Abbasi [radijall-llahu anhu] thotë: “Isha fëmijë dhe një ditë Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] më tha: “O djalosh, unë do të mësoj disa fjalë. Ruaje All-llahun (në zemër) të të mbrojë (nga të këqiat). Ruaje All-llahun (në zemër) ta gjesh Atë pranë teje. Nëse kërkon diçka, kërkoje prej All-llahut. Nëse kërkon ndihmë kërkoje prej Tij. Dije se sikur të gjithë njerëzit të mblidheshin për të bërë dobi, nuk do e arrinin, veçse nëse e ka caktuar All-llahu i Madhërishëm dhe nëse do të mblidheshin të dëmtonin, nuk do e arrinin, veçse nëse e ka caktuar All-llahu i Madhërishëm. Janë ngritur lapsat dhe janë tharrë letrat.”

Në çastet që i mbështetesh All-llahut të Madhërishëm, ndien se je njeriu më i fortë dhe më i guximshëm.

 

Treguesit e mbështetjes tek Garantuesi më i mirë

Si ta kuptoj se jam nga ata që i mbështeten All-llahut të Madhërishëm? Shumë njerëz pohojnë se i mbështeten Zotit, por këtë e thonë vetëm me gojë. Treguesit mbi këtë, janë pesë:

1-) Nëse përballesh me momente të vështira dhe emrin El-Vekil e përmend dhe kërkon mbështetjen e Tij, dije se je nga ata që i mbështeten Zotit. Le të marrim modele rreth kësaj pike. Modeli më i mirë është profeti Ibrahim [alejhis-selam]. Ai ishte vetëm 16 vjeç, megjithatë i gjithë njerëzimi mëson prej tij mbështetjen e vërtetë tek All-llahu i Madhërishëm. Në këtë moshë të re, ai i theu të gjithë idhujt që adhuronte populli i tij. Për këtë veprim, populli i tij vendosën ta djegin si ndëshkim. Zjarri ku do e digjnin nuk do të ishte një turrë drush si zakonisht, por do të ndërtohej një ndërtesë e madhe. Vetëm ndërtimi i kësaj ndërtese, ku do të digjej Ibrahimi [alejhis-selam], zgjati disa muaj. Gjatë kësaj kohe, Ibrahimi [alejhis-selam] ndodhej i burgosur. Ndërtesa ku do të hidhej për t’u djegur, u ndërtua jashtë qytetit dhe kjo nga frika se mos merrnin flakë shtëpitë përreth. Në ndërtimin e saj mori pjesë i gjithë qyteti, edhe njerëzit e tij më të afërt, babai dhe xhaxhai. Zjarri që u ndez ishte aq i fuqishëm saqë zogjtë që fluturonin sipër tij, digjeshin nga temperatura. Gjatë gjithë rrugës për tek zjarri, Ibrahimi [alejhis-selam] nuk  thoshte gjë tjetër, veçse: “Më mjafton All-llahu, i Cili është Garantuesi më i mirë.” Kur arritën tek zjarri, asnjë nuk guxonte ta hedhë Ibrahimin [alejhis-selam] në zjarr, për shkak të temperaturës së lartë. Atëherë, morën një katapultë për ta hedhur nga larg. Në çastin që e hodhën, Xhibrili [alejhis-selam] i shkoi dhe i tha: ”O Ibrahim, a ke ndonjë nevojë për mua?” Kurse Ibrahimi [alejhis-selam] ia ktheu me siguri: ”O Xhibril! Për ty nuk kam nevojë, ndërsa për All-llahun e Madhërishëm po. Më mjafton All-llahu, i Cili është Garantuesi më i mirë.” Kur Ibrahimi [alejhis-selam] ra në zjarr, të gjithë njerëzit brohoritën të gëzuar, por pas tre ditësh Ibrahimi [alejhis-selam] doli nga zjarri i paprekur prej flakëve të tij. Ajo që kishte ndodhur ishte se All-llahu i Madhërishëm e kishte urdhëruar zjarrin të mos e djegë Ibrahimin [alejhis-selam]. Si mund ta braktisë dhe ta zhgënjejë Zoti një rob që i mbështetet Atij? Zjarri nuk mund t’i djegë ata që i mbështeten All-llahut të Madhërishëm.

Në vitet e fundit të jetës, dikush e pyeti Ibrahimin [alejhis-selam]: ”Cilat janë ditët më të bukura që ke kaluar?” Ai iu përgjigj: ”Ditët që kalova në zjarr.”

Në çastet e krizave dhe të fatkeqësive që kërkon ndihmën dhe mbështetjen e El-Vekilit, ti ndien se je njeriu më i fuqishëm mbi tokë.

Të jesh i mbështetur tek All-llahu i Madhërishëm do të thotë ta pranosh Atë si Garantin tënd.

2-) Njerëzve u priten shpresat kur nuk kanë përkrahjen e njerëzve, ndërsa besimtarit i rriten shpresat kur nuk ka përkrahjen e njerëzve, pasi i mbetet vetëm përkrahja e El-Vekilit.

Shpeshherë All-llahu i Madhërishëm na sprovon, me qëllim të shohë nëse i mbështetemi Atij plotësisht apo jo. Nëse shpresonim që hallet tona dhe shumë nevoja na i zgjidhte filani që ka filan post, All-llahu i Madhërishëm e largon atë nga posti që kishte. Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] kishte dy persona që e mbështesnin fuqishëm dhe e mbronin nga jobesimtarët. Ata ishin xhaxhai i tij, Ebu Talibi, i cili e mbronte nga Kurejshët dhe gruaja e tij, Hadixheja [radijall-llahu anha], e cila e qetësonte brenda shtëpisë dhe i largonte shqetësimet. Në kohën që kishte më shumë nevojë për ta, të dy vdiqën. Me këtë, sikur All-llahu i Madhërishëm i thoshte: “O i Dërguari i Zotit, kush të ndihmon tani?!”

Nëse të errësohet jeta, nëse të gjitha dyert të mbyllen, nëse të priten shpresat, nëse të gjithë ata për të cilët kishe nevojë nuk ekzistojnë më..., nuk ke tjetër kënd, përveç El-Vekilit, që të mbështet dhe  të përkrah, shko tek Ai dhe qaji hallin.

Një të ri, kur e thirrën për shërbimin ushtarak, e gjithë familja u alarmua, pasi kishte babanë të sëmurë dhe ishte i vetmi që punonte në shtëpi. Njerëzit e shtëpisë e këshilluan që të shkonte tek një i afërm, i cili të ndërhynte dhe t’i ulej afati i ushtrisë nga tre vite në një vit, për shkak të kushteve familjare. Ai vetë ishte i bindur se askush tjetër, përveç Zotit, nuk mund ta ndihmonte në këtë çështje, por këmbëngulja e familjes e bëri të shpresojë në ndihmën e xhaxhait të tij. Më në fund, vendosi t’i mbështetet Zotit për këtë dhe nuk kërkoi ndihmën e askujt tjetër. Kur erdhi dita për t’u paraqitur për kontrollin mjekësor, hyri tek doktori, i cili e pyeti nëse vuante nga ndonjë sëmundje? - “Jo!” – iu përgjigj. Atëherë, doktori plotëson raportin mjekësor ku shkruan se është i aftë për shërbimin ushtarak. Të riut i ra qielli mbi kokë kur dëgjoi këtë. E mori raportin i dëshpëruar, pasi do të shkonte ushtar dhe do të linte pjesëtarët e familjes në hall, dhe u ngrit për të dalë jashtë. Doktori e thirri përsëri dhe filloi ta vizitojë sërish duke e kthyer në drejtime të ndryshme. Më pas, plotësoi një raport mjekësor tjetër, ku shkroi: “Është i paaftë për të kryer shërbimin ushtarak, pasi vuan nga shtrembërime në shtyllën kurizore.” Pasi kaloi në komisionin e lartë, ku kreu disa analiza dhe radiografi, nuk u pranua në ushtri, për shkak të gjendjes shëndetësore. Ai fillimisht shpresonte që koha e ushtrisë t’i ulej nga tre vite në një vit, kurse El-Vekili ia hoqi këtë barrë plotësisht.

Shpeshherë All-llahu i Madhërishëm të lë të lodhesh në një drejtim dhe në fund nuk arrin asgjë. Ndihma dhe suksesi të vjen nga një drejtim tjetër, të cilin kurrë nuk e kishe menduar. Kjo, me qëllim të ndërgjegjësohesh se ndihma dhe mbështetja të vjen vetëm nga Garantuesi i vetëm. Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] udhëtoi në këmbë njëqind kilometër për në Taif. Rezultati ishte zero, pasi jo vetëm që nuk e besuan, por edhe e gjuajtën me gurë. Pasi doli nga Taifi u takua me një djalë, i cili e besoi. Pas disa ditësh, e dëgjojnë xhindët mesazhin e tij dhe e besojnë. Pas kësaj përjeton udhëtimin e Israsë dhe të Miraxhit dhe pas disa vitesh pranojnë fenë e tij banorët e Medines. Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] dëshironte mbrojtjen e banorëve të Taifit, ndërsa All-llahu i Madhërishëm i dha mbrojtjen e banorëve të Medines. Ai shpresonte të besonin arabët e Taifit, kurse All-llahu i Madhërishëm dërgonte një djalosh nga Iraku që pranonte fenë e tij. Ai shpresonte që mesazhin e tij ta pranojnë njerëzit, por All-llahu i Madhërishëm dërgoi xhindët të pranojnë mesazhin e tij.

3-) Mos prano të ushqehesh me haram, pasi ai që pranon të marrë qoftë edhe një qindarkë haram, nuk mund të jetë nga ata që i mbështeten All-llahut të Madhërishëm. Kjo, pasi duke marrë pasuri në rrugë të pandershme, ti nuk beson se është All-llahu i Madhërishëm Ai që garanton furnizimin tënd dhe të familjes tënde.

Që në barkun e nënës, All-llahu i Madhërishëm e pajis njeriun me një burim ushqimi. Me të ardhur në këtë botë, njeriu qan, pasi iu ndërpre burimi me të cilin ishte mësuar të ushqehej. Por, me të lindur, Zoti e pajis njeriun me dy burime të tjera ushqimi, dy gjinjtë e nënës. Me të plotësuar vitet e ushqimit me qumështin e gjirit të nënës, njeriu përsëri qan, pasi iu ndërpre burimi i ushqimit me të cilin ishte mësuar. Por All-llahu i Madhërishëm të pajis me katër burime të reja ushqimi, të cilët janë: mishrat, drithërat, uji dhe qumështi. Kur njeriu vdes, ai është i dëshpëruar, pasi do të ndahet nga të mirat e kësaj bote, por All-llahu i Madhërishëm i ka përgatitur – nëse është besimtar – tetë dyert e Xhennetit.

Sa herë që t’i dëshpërohesh për diçka të humbur, All-llahu i Madhërishëm të përgatit diçka akoma më të mirë.

Si mund të ushqehesh me haram pas kësaj? Ai që pranon të marrë para në rrugë të pandershme, është i mbetur në provimin e mbështetjes tek All-llahu i Madhërishëm. Ai që ushqehet me haram, nuk e njeh El-Vekilin.

4-) Mos e vulgarizo frikën dhe shqetësimin për të ardhmen. Të gjithë ne shqetësohemi për të ardhmen

tonë dhe të fëmijëve tanë, por kjo nuk duhet të shoqërohet me strese, depresione, dridhje, kriza zemre...

Nëse, teksa po vdes, qan me lot për fëmijët në dorë të kujt do t’i lësh, nuk je nga ata që i mbështeten All-llahut të Madhërishëm.

Është për t’u çuditur me gratë dhe nënat në veçanti, pasi ato lodhen dhe shqetësohen më shumë mbi të ardhmen e fëmijëve të tyre. Si nuk u shkon mendja se këta fëmijë kur ishin embrione në barkun e tyre, ishte All-llahu i Madhërishëm Ai që u siguronte jetesën. Trupi i njeriut e refuzon çdo lloj trupi tjetër që hyn dhe reagon menjëherë. E veçantë është se trupi i nënës e pranon embrionin dhe nuk e refuzon atë. Çdo nënë ka në bark një organ që quhet shtrat (placentë), e cila është si sfungjer. Shtrati ka si funksion të filtrojë gjakun me të cilin ushqehet embrioni. Çdo gjë për të cilën ka nevojë embrioni, shtrati e lejon të depërtojë në vrimat e tij dhe çdo gjë tjetër të panevojshme për embrionin, ai e mban jashtë. Nëse nëna vuan nga tifoja, shtrati nuk e lejon virusin të depërtojë tek embrioni. Sa më shumë të rritet embrioni, aq më shumë lejon shtrati të depërtojnë minerale dhe proteina. Gjithashtu, shtrati sekreton lëndë, të cilat bëjnë që trupi i nënës ta pranojë embrionin dhe të mos e refuzojë.

5-) Sakrifiko dhe përpiqu për ta arritur qëllimin, por brenda në zemër të jesh i sigurtë se, përveç Zotit,

askush tjetër nuk mund të ndihmojë.

Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] i merrte të gjitha masat e duhura, kur kërkonte të arrijë diçka. Tregon Ebu Bekri [radijall-llahu anhu]: ”E shihnim të marrë masat me përpikmëri, saqë thoshim me vete ku e ka mbështetjen në Zot! Herë të tjera i mbështetej All-llahut të Madhërishëm, saqë thoshim ku i ka masat që duhen marrë!” 

Kur Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] u fsheh në shpellën Theur, e bëri për të marrë masat e duhura për t’u larguar nga Kurejshët që e ndiqnin. Edhe pse u fshehën dhe e mbajtën të fshehtë diçka të tillë, Kurejshët arritën deri tek shpella ku ishin fshehur. Kjo, me qëllim që All-llahu i Madhërishëm t’i sigurojë se vetëm El-Vekili është Ai që i siguron dhe i mbron nga armiqtë. Edhe pse armiqtë e tyre arritën deri tek shpella, ata nuk arritën t’i zbulojnë. Në ato çaste, shfaqej mbështetja e plotë e Profetit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], kur i thoshte Ebu Bekrit [radijall-llahu anhu] të frikësuar: ”Ç’mendim ke për dy veta, që të tretë kanë All-llahun?!” Emigrimi i Profetit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] është mësimi më i mirë për mbështetjen në Zot. Ishin 12 masa të rëndësishme që Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] i mori, me qëllim të udhëtonte i sigurtë. Mbështetja në Zotin shfaqej në çastet më të vështira për Profetin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], në çastet kur ai dhe miku i tij mund të zbuloheshin dhe të vriteshin.

 

 

 

Modele të njerëzve që i janë mbështetur All-llahut të Madhërishëm

Haxheren e braktisi Ibrahimi [alejhis-selam] në mes të shkretëtirës. As Ibrahimi [alejhis-selam] dhe as ajo, nuk e dinin përse All-llahu i Madhërishëm i urdhëroi të vepronin në atë mënyrë. Haxherja dhe foshnja e saj, mbetën të vetëm në një luginë të shkretë. Teksa Ibrahimi [alejhis-selam] mori rrugën e kthimit, Haxherja e pyeti: ”O Ibrahim, në dorë të kujt po na lë?” Por Ibrahimi [alejhis-selam] nuk iu përgjigj, pasi nuk dinte çfarë t’i thoshte. Ajo e pyeti përsëri dhe përsëri Ibrahimi [alejhis-selam] vazhdoi të ecë pa iu përgjigjur. Duke parë se ai nuk po i përgjigjej, Haxherja e pyeti për herë të fundit: ”A të ka urdhëruar Zoti, për diçka të tillë?” Ibrahimi [alejhis-selam] pohoi me kokë. Haxhereja i tha: ”Atëherë, nuk do të na braktisë Zoti!”

Në një nga betejat e muslimanëve (Dhatu Rika), Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] dhe shokët e tij ishin shtrirë për të pushuar nën hijen e pemëve. Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] e kishte varur shpatën në degën e pemës. Teksa Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] flinte, vjen një jobesimtar, merr shpatën e tij dhe e zgjon duke i thënë: “O Muhammed, kush të mbron prej meje tani?” Vallë, çfarë do t’i thoshte Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]. Do ta luste ta falë? Do t’i kërkonte mëshirë? Po sikur armiku më i keq i yti të vendoste pistoletën në kokë, çfarë do t’i thoje?

Jo, ai iu përgjigj me siguri në mbështetjen e All-llahut të Madhërishëm dhe i tha: ”All-llahu i Madhërishëm do të më mbrojë prej teje.”

Në moment jobesimtarit i bie shpata nga dora. Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] e mori shpatën dhe i tha jobesimtarit: ”Po ty kush të mbron prej meje tani?”  - “O Muhammed, – iu drejtua jobesimtari, – të lutem mos u hakmerr më shumë seç duhet, unë nuk të bëra gjë.” Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] e pyeti: ”A dëshmon se nuk ka zot tjetër veç All-llahut dhe se unë jam i Dërguari i Tij?”  - “Jo”, – iu përgjigj ai. Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] i tha: ”Atëherë, mos u bëj përkrahës i armiqve tanë.” - “Këtë e bëj.” - i tha - dhe u la i lirë të largohej.

Hamad ibn Mesleme është një nga dijetarët e brezit që erdhën pas shokëve të Profetit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]. Ai tregon se në një natë me shi, po kalonte pranë shtëpisë së një gruaje të ve, e cila kishte edhe një vajzë. Teksa kaloja pranë shtëpisë së tyre, dëgjova zërin e nënës që thoshte: ”O i Mëshirshëm, na ndihmo! O i Mëshirshëm, na ndihmo!” Nga kjo e kuptova se kishin nevojë për të holla. Prita, derisa pushoi pak shiu, dhe trokita në derën e tyre. Kur doli gruaja e ve, i drejtova dhjetë dinarë dhe i thashë: ”Merri këto dhe plotëso me to ndonjë nevojë tuajën!” Vajza që nëna e kishte edukuar me mbështetje tek All-llahu i Madhërishëm, i thotë nënës: ”Përse e ngrite zërin aq shumë saqë hyri Hamadi mes nesh dhe Zotit?!” Nëna ia ktheu: ”O bijë, nuk e ngrita zërin, por e solli Garantuesi i Plotfuqishëm!”

El-Vekili është me të gjithë ata që i mbështeten dhe i kërkojnë ndihmë dhe përkrahje. Ai që i mbështetet El-Vekilit është njeriu më i guximshëm mbi tokë. Një nga treguesit më të fuqishëm të mbështetjes në Zot, është namazi i istihares. Sa herë të përballesh me një problem dhe nuk di si ta zgjidhësh, fal dy rekate namaz dhe lute El-Vekilin me këtë lutje: “O Zoti im! Kërkoj të më drejtosh me diturinë Tënde. Kërkoj fuqi nga fuqia Jote dhe kërkoj të më japësh nga mirësitë e Tua, pasi Ti ke mundësi, kurse unë nuk kam. Ti di çdo gjë, kurse unë nuk di dhe Ti e di çdo të fshehtë. O Zot! Nëse kjo që po bëj (dhe e përmend me emër) është e dobishme për fenë dhe jetën time, për të tashmen dhe të ardhmen, ma mundëso mua që të realizohet dhe më jep bekime në të. E nëse kjo është e dëmshme për fenë dhe jetën time, për të tashmen dhe të ardhmen, largoje atë nga unë dhe më largo mua prej saj. Ma cakto të mirën kudo që të jetë dhe më bëj të jem i kënaqur me të.”

Thotë Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]: ”Namazi i istihares nuk sjell veçse zgjidhje të dobishme.” Kjo, pasi ti iu mbështete El-Vekilit.

Nëse fal namazin e istihares, pasi kërkon të martohesh me filanen/filanin dhe martohesh, dije se ajo është zgjedhja më e mirë për ty.

Që t’i mbështetesh All-llahut të Madhërishëm, nuk do të thotë të presësh duarlidhur, derisa hallet të zgjidhen. Ti duhet të punosh dhe të përpiqesh, kurse rezultatin lërja në dorë Zotit.

Umeri [radijall-llahu anhu] pa një beduin që mbante për dore një deve të sëmurë dhe e pyeti: ”Përse nuk e ke mjekuar?” Beduini i tha: ”O Prijësi i besimtarëve, po e lus Zotin ta shërojë!” Umeri i tha: ”Lutjen shoqëroje me mjekimin!”

Një burrë vajti të falej në xhami dhe e la devenë të lirë, pa e lidhur. Kur doli nga xhamia, deveja nuk ishte. I habitur nga kjo, i tregoi Profetit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] dhe i tha se iu mbështet Zotit, ngaqë do të falesha dhe e lashë të pa lidhur. Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] duke buzëqeshur, ia ktheu: ”Në fillim lidhe, pastaj mbështetju Zotit!”

Natën që Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] udhëtoi nga Meka në Kuds, udhëtoi me Burakun. Ajo ishte një kafshë e caktuar nga All-llahu i Madhërishëm, posaçërisht për të udhëtuar profetët. Me të arritur në Xhaminë Aksa, Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] e lidhi Burakun. Ishte e paimagjinueshme që Buraku të largohej, megjithatë Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] e lidhi, pasi Islami na mëson t’i marrim të gjitha masat.

A e kupton tani se përse nuk na pranohen lutjet tona? Kjo, pasi lutjet nuk i shoqërojmë me punë dhe përpjekje. Kjo, pasi ne jemi pasivë dhe nuk marrim asnjë masë që ky umet të zgjohet dhe të marrë vendin që i takon.

 

Mbështetja tek All-llahu i Madhërishëm vjen gradualisht dhe duke u praktikuar

Musai [alejhis-selam] në fillim të jetës nuk e dinte ç’është mbështetja në Zot. Në takimin e parë me All-llahun e Madhërishëm, në Turi Sina, ku Zoti e urdhëroi: (Zoti) Tha:  hidhe atë (shkopin), o Musa.” (Ta Ha: 19) Kur e pa Musai shkopin që u shndërrua në gjarpër, iku me vrap.

Herën e dytë kur u ballafaqua me magjistarët, numri i të cilëve arrinte 30 mijë:

 “Ata thanë: O Musa, ose të hedhësh ti i pari, ose të hedhim ne. Ai (Musai) tha: Jo, hidhni ju. Pastaj atij iu duk se litarët dhe shkopinjtë e tyre, prej magjisë që bënë, sikur lëviznin (si gjarpërinj). Kështu që Musai ndieu në vetvete njëfarë frike.” (Ta Ha: 65 – 67)

Herën e parë, kur Musai [alejhis-selam] pa shkopin e tij që u kthye në gjarpër, u largua duke vrapuar. Ishte hera e parë që sprovohej mbështetja e tij në Zot dhe u pa se nuk ishte i mbështetur.

Herën e dytë, me magjistarët ishte i mbështetur tek All-llahu i Madhërishëm, por kur pa magjinë që sollën magjistarët, vetëm sa pati pak frikë.

Herën e tretë, Musai [alejhis-selam] tregon se është i mbështetur plotësisht tek All-llahu i Madhërishëm dhe është i sigurtë në ndihmën e Tij. Kur populli i tij i thanë se ushtria po na arrin, ai iu përgjigj i bindur: “... Kurrë, me mua është Zoti im dhe Ai do të më udhëzojë.” (Esh-Shuara: 61 – 62)

Detyra jonë ndaj emrit El-Vekil është që të praktikohemi, derisa të arrijmë mbështetjen e plotë dhe të duhur.

 

 

Submitting your vote...
Rating: 5.0 of 5. 1 vote(s).
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

15/11/2018
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
04:4706:2311:3214:0516:2917:55

Urtësi Profetike

Gjërat që i çojnë njerëzit

më shumë në Xhennet

janë devotshmëria

dhe mirësjellja.


Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook