Emri i Zotit, El-ilah
O Hyjniu im, o Padroni im, ty të përgjërohem,
Tek dera jote strehohem, ku çdo të trembur strehë gjen,
gjallomë mua, musliman-i dorëzuar tek Ty të jem,
ty të të frikësohem dhe ty të të nënshtrohem.
“El Ilah-Hyjnia” është i adhuruari i merituar, Ai që meriton të hyjnizohet dhe adhurohet pa iu shoqëruar askush prej krijesave të Tij, Vetëm Ai është i denjë që të adhurohet. Fjala e njësimit që i bëhet Atij, “La ilahe il Allah - S’ka hyjni veç Allahut”, mbart brenda saj pikërisht këtë kuptim dhe mbi të qëndron. Në këtë fjalë theksohet dhe i mëshohet veçimit të Allahut Lavdiplotë se Ai është Hyjnia i vetëm. Të qenit hyjni, në thelbin e vet përbën dhe hedh dritë mbi diturinë, aftësinë, mëshirën dhe urtësinë e plotë dhe kulminante të Allahut të Lartësuar.
Emri madhështor “El Ilah-Hyjnia” ka ardhur në shumë vende në Kuran dhe Sunet (traditën profetike). Ai ka ardhur i papërcaktuar dhe i përcaktuar.
Në trajtën e tij të papërcaktuar, ai vjen në Kuran në fjalët e Allahut Lavdishëm dhe Lartmadhëruar: “Ai është Ai i cili në qiell është Hyjni dhe në tokë është Hyjni, Ai është i urti, i dijshmi”[1], “Në të vërtetë bënë kufër (mosbesim) ata që thanë: ‘Allahu është i treti i të treve (i mveshëm Allahut trinitetin)’. S'ka në gjithësi tjetër hyjni përveçse një Hyjni (Allahu)”[2], “Ata thanë: ‘Do ta adhurojmë hyjninë tënde (që është) dhe hyjnia e prindërve të tu: Ibrahimit, Ismailit, Is'hakut, një të vetmin Hyjni dhe ne, vetëm Atij i jemi dorëzuar!’”[3], “Është e vërtetë se Hyjnia juaj është vetëm Një”[4], “Dhe Hyjnia juaj është një Hyjni i vetëm”[5] dhe “Thuaj: ‘Mbështetem (mbrohem) me Zotin e njerëzve! Hyjninë e njerëzve”[6].
Në “Sahiheni-Hadithet e Buhariut dhe Muslimit” lexojmë se Ibn Abasi (r.a) ai ka thënë: “Profeti (a.s) natën lutej me këto fjalë: “O Allahu im Ty të takon falënderimi, Ti je Zoti i qiejve dhe i tokës. Ty të takon falënderimi, Ti je ngritësi i qiejve dhe tokës dhe i kujt është në to, Ty të takon falënderimi, Ti je drita e qiejve dhe e tokës, fjala Jote është e vërtetë, premtimi Yt është i vërtetë, Takimi me Ty është i vërtetë, Xheneti është i vërtetë, Zjarri është i vërtetë, Kijameti është i vërtetë. O Allahu im, Ty të jam dorëzuar, Ty të kam besuar, mbi Ty jam mbështetur, tek Ty kam përkatësuar, në anën Tënde debatoj, nga Ty e marr gjykimin, falmë mua atë që kam bërë më parë dhe atë që do bëj më pas, atë që e bëj fshehurazi dhe atë që e bëj haptazi. Ti je Hyjnia im, unë nuk kam hyjni tjetër veç Teje”[7].
Imam Buhariu, ka përpiluar kapitullin: “Kapitulli lidhur me çfarë thuhet në lidhje me Veten, atributet dhe emrat e Allahut, dhe në atë emër të Tij që Khubejbi e përmend Veten e Allahut të përcaktuar me të, me emrin e Tij...”, ku imam Buhariu na sjell në mendje historinë e shquar të Khubejbit dhe vargjet e tij, në të cilat ai thotë:
Vetëm të vritem mysliman, e as që pyes se:
Shembja ime, në ç’anë të trupit qe?
Mjafton se ajo qe në anën e Vetes së Hyjnisë,
Që në do, delleve të copëtuara u jep prej begatisë.
Junusi (a.s) e luti Zotin e tij pikërisht me këtë emër madhështor, me një dua mallëngjyese, siç vjen në fjalën e Allahut të Lavdishëm: “(Përkujto) Edhe atë të balenës (Junusin) kur doli i hidhëruar (prej popullit të tij) dhe mendoi se nuk do t'i vijë më puna ngushtë, po në errësira ai tha: ‘Nuk ka hyjni pos Teje (o Zoti im). Ti je i pastër, nuk ke të meta. Unë i bëra padrejtësi vetvetes!’”[8]; duke përmendur në këtë lutje dhe përgjërimin e tij drejtuar Krijuesit të Tij, emrin e Allahut të Lartësuar “El ilah-Hyjni”.
Në “Sahihun- hadithet e sakta” e Muslimit, transmetohet nga Ali ibn Ebi Talibi, se Profeti (a.s) kur ngrihej për në namaz thoshte: “O Allahu im, Ti je i Plotpushtetshmi, nuk ka hyjni veç Teje. Ti je Zoti im dhe unë jam robi Yt”.
Në publikimet e Tirmidhiut lexojmë, se Seadi ka thënë: “Profeti (a.s) ka thënë: “Lutja që bëri Dhe Nuni (personazhi i balenës, Junusi), kur iku i mërzitur duke menduar se nuk do t’i vijë më puna ngushtë, ishte: ‘Nuk ka hyjni pos Teje (o Zoti im), Ti je i pastër, nuk ke të meta. Unë i bëra padrejtësi vetes!’. Nëse myslimani lutet me të (me këtë lutje të Junusit) në lidhje me diçka (që e preokupon), Allahu medoemos i përgjigjet lutjes së tij”.
Ndërsa tek publikimet e Buhariut, nga hadithi i Sheded ibn Eusit (r.a) transmetohet se Profeti (a.s) ka thënë: “Shkëlqesia e lutjeve për falje është të thuash: O Allahu im, Ti je Zoti im, Nuk ka hyjni veç Teje. Ti më krijove mua e unë robi Jot jam. Unë jam në besën Tënde dhe në premtimin Tënd sa të mundem, mbrohem me Ty nga e keqja që kam bërë. E pranojë mirësinë Tënde mbi mua dhe e pranojë mëkatin tim. Falmë mua, pasi mëkatet nuk i fal kush veç Teje”.
Ndërsa nga lutjet që i janë bërë Allahut me këtë emër të përcaktuar, kemi publikimin e Ibn Maxhes nga Rafi’i ibn Khadixh, i cili ka thënë: E kam dëgjuar Profetin (a.s) të thotë: “Temperatura e lartë është prej shfryrjes së Xhehenemit, freskojeni atë me ujë”. Ai hyri tek një fëmijë i Amarit dhe tha: “Largoje sëmundjen o Zoti i njerëzve, Hyjnia e njerëzve!”.
Hyjnia ime, pranë derës Tënde po qëndroj,
Këtë derë ta ndërroj, në jetë të jetëve në mend se çoj,
Shpresat i kam të mëdha, përkushtimin të vogël e kam,
Kush do shpresonte, nëse shpresat tek Ti s’do i bazonte?!
Më mrekullon, të qëndroj duke të lutur Ty me përgjërim,
Zoti im më mësove, që unë robi Yt, të kërkoj nga Ti,
Ndërkohë që Ti o Zot im, je Padroni që kërkon llogari.
Hyjnia i Lavdishëm dhe Lartmadhëruar është tubuesi i atributeve të plotësisë dhe madhështisë. Në këtë emër hyjnë të gjithë emrat e përsosur të Allahut të Lavdishëm dhe Lartmadhëruar, ndaj dhe fjala e përzgjedhur lidhur me emrin e Zotit “Allah” është, se Ai është përfituar nga emir i Tij “El ilah-Hyjnia”. Nisur nga këtu, emri Allah i tubon të gjithë emrat e përsosura dhe atributet e lartësuara të Zotit të Lavdishëm dhe Lartmadhëruar.
Allahu i Lavdishëm është Hyjnia ynë, Zoti ynë, Sunduesi ynë, vetëm Ai na strehon dhe mbron nga paniku, të cilit i frikësohemi dhe vetëm Ai na strehon edhe kur ndaj Tij mëkatojmë, vetëm Atë e adhurojmë e askënd tjetër, nuk i lutemi, frikësohemi, nuk duam si Atë askënd, i nënshtrohemi vetëm Atij, i lavdishëm dhe i patëmeta është Ai. Ai është Hyjnia i vërtetë, Hyjnia i njerëzve dhe njerëzit nuk kanë hyjni tjetër përveç Tij. Njerëzve u takon që këtij Zoti që është Hyjnia i tyre, Sunduesi i tyre, t’i binden dhe të mos ia kushtojnë binden e tyre supreme askujt tjetër, Atij t’i kërkojnë ndihmë dhe askujt tjetër, tek Ai të strehohen dhe të mos strehohen tek mbrojtja e askujt tjetër, Ai u mjafton atyre dhe është i duhuri për ta, Ai është Ndihmëtari, Përkujdesësi dhe Padroni i mbarë çështjeve të tyre, falë zotësisë, sundimit dhe hyjnisë së Tij mbi krijesat humane dhe më gjerë.
E si të mos strehohet robi kur i zbresin sprovat tek Zoti i tij, Sunduesi dhe Hyjnia i tij!!
O Hyjnia e krijesave, o Zot, o Ti,
Të cilit ia qaj hallin, pikëllimin dhe hidhërimin,
O Ti mirësia e të Cilit mbi shifrat qëndron,
O Hyjnia im, o Padroni im që më duron,
Veç maturisë Tënd asgjë mua s`më shpëton,
Erdha tej Ti, që t’i ikë peshës së fajit tim,
Neglizhencës sime dhe asaj që vet gatova,
E humba moshën time në thashetheme,
Në përmbushje të çdo pasioni frerët i lëshova,
Kujtesa e veprave të këqija që kam bërë më mundon,
Më bën t’i kafshojë thonjtë dhe dhëmbët m’i kërcëllon.
Nuk kam nga t’ia mbajë veçse të lëshohem,
Në derën Tënde o Zoti im Bujar, të ngujohem.
[1] Zuhruf: 84.
[2] Maide: 73.
[3] Bekare: 133.
[4] Safet: 4.
[5] Bekare: 163.
[6] Nas: 1-3.
[7] Publikuar nga Bukhariu dhe Muslim.
[8] Enbija: 87.
Shenim: Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.