By: Amer Halid

Er-Rekib (Mbikëqyrësi)


 

Emri i Zotit Er-Rekib është përmendur tre herë në Kur’an. E para është në fillimin e sures En-Nisa: O ju njerëz! Kijeni frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një veteje (Ademi) dhe nga ajo krijoi palën (Havanë) e saj, e prej atyre të dyve u shtuan shumë burra dhe gra. Dhe kijeni frikë All-llahun që me emrin e Tij përbetoheni, ruajini lidhjet farefisnore, pasi All-llahu është Mbikëqyrës mbi ju.” (En-Nisa: 1)

Herën tjetër, ky emër përmendet në gojën e Isait [alejhis-selam]: ”Kur ma more shpirtin mua, ishe Ti Mbikëqyrësi mbi ta dhe Ti je dëshmitar për çdo gjë.” (El-Maide: 117)

 

Cili ëshë qëllimi ynë me këtë temë? Çfarë synojmë të arrijmë duke bërë thirrje për të jetuar me

emrin e Zotit Er-Rekib?

Qëllimi është që në çdo çast, për çdo veprim tonin, të ndiejmë prezencën dhe mbikëqyrjen e All-llahut të Madhërishëm. Që ajetin: ”Ai është me ju kudo që jeni...” (El-Hadid: 4) ta kesh para syve gjithmonë. Qëllimi ynë me këtë temë është të rregullojmë veten tonë, pasi Mbikëqyrësi na vëzhgon. Qëllimi ynë me këtë temë është që e brendshmja jonë, të jetë njëlloj si aparenca jonë.

Kjo temë është një nga më të rëndësishmet mbi emrat e bukur të All-llahut të Madhërishëm. Ajo të bën të ndërgjegjshëm se Zoti është me ty në çdo hap dhe të shikon kudo që të jesh. Qëllimi me këtë temë është të jetojmë me këtë emër dhe cilësi hyjnore.

Sot të gjithë njerëzit zbukurohen dhe mburren. Nga e gjithë masa e ajsbergut, vetëm 20 për qind e tij shfaqet mbi ujë, kurse 80 për qind mbetet nën ujë, i padukshëm. Të gjithë njerëzit komunikojnë dhe ekspozojnë vetëm 20 për qind të personalitetit të tyre. Të gjithë zbukurohen dhe kërkojnë që të fshehtat e tyre të mos i ekspozojnë. Ne po themi zbukurohen dhe nuk po themi maskohen. Kurse emri i Zotit Er-Rekib, na mëson t’i kushtojmë vëmendjen më të madhe pjesës së brendshme: “A nuk e dinte se All-llahu e vështron?” (El-Alek: 14)

Emri Er-Rekib balancon aparencën me anën e brendshme. Emri Er-Rekib e ndalon besimtarin nga të vepruarit haram dhe e nxit drejt veprave të mira. Ky emër është një prej emrave që të afrojnë më shumë me All-llahun e Madhërishëm. Kjo, pasi të bën ta ndjesh prenzencën e Tij në çdo kohë dhe në çdo çast.

Kjo temë përqendrohet në katër pika:

1.      Si të jetoj me emrin e Zotit Er-Rekib?

2.      Si na mbikëqyr All-llahu i Madhërishëm?

3.      Mbikëqyrja e Zotit nuk është e rreptë në atë formë që të nxijë jetën.

4.      Si do të ishte gjendja jonë, nëse umeti e përjeton këtë emër?

 

 

 

 

Si të jetoj me emrin e Zotit Er-Rekib?

Pikën e parë, do e fillojmë me disa histori: Tregohet se një herë, teksa Umer ibnul Hattabi [radijall-llahu anhu] ishte duke ecur rrugës, u takua me një bari delesh. Ai vendosi ta sprovojë këtë bari, me qëllim që të masë temperamentin e tij dhe të shoqërisë së asaj kohe. Kështu, Umeri [radijall-llahu anhu] i afrohet dhe i thotë: ”O djalosh, dua të më shesësh këtë dele!” Bariu ia kthen: ”Nuk janë të miat, janë të padronit tim.” Umeri [radijall-llahu anhu] i thotë përsëri: ”Ma shit dhe kur të pyesë padroni, i thuaj se e hëngri ujku.” Bariu, edhe pse me njohuri të kufizuara, i çuditur ia ktheu: ”All-llahu është më i Madhi. A mundemi ta gënjejmë Atë?” Umerit [radijall-llahu anhu] i rrodhën lotë dhe tha: ”Jo, për Zotin, ne nuk mund ta gënjejmë Atë.” 

Të gjithë ata që kanë mashtruar, kanë vjedhur dhe janë treguar të pabesë, le ta dinë se All-llahu i Madhërishëm ka mbikëqyrur çdo lëvizje të tyren dhe se Ai di gjithçka.

Në një histori tjetër, Umeri [radijall-llahu anhu] po lëvizte natën, për t’u qetësuar mbi gjendjen e popullatës. Teksa lëvizte, dëgjon zërat e dy grave që po bisedonin brenda një shtëpie. Ai dëgjoi zërin e një nëne që i thoshte vajzës së saj: ”O bija ime, përzieje qumështin me ujë, që të shesim dhe të fitojmë më shumë.” Vajza ia ktheu: ”O nënë! A nuk e di se Umer ibnul Hattabi ka dhënë urdhër të mos e përziejmë qumështin me ujë?” Nëna i tha: ”O bija ime, Umer ibnul Hattabi nuk po na shikon tani!” Por vajza iu përgjigj: ”O nënë, nëse nuk na shikon Umeri, na shikon Zoti i Umerit.” Umeri nga jashtë, vendosi një shenjë mbi derën e kësaj shtëpie dhe u largua. Me të vajtur në shtëpi, ai u kërkoi djemve të tij që njëri prej tyre të martohej me këtë vajzë dhe ashtu ndodhi. Udhëheqësi i muslimanëve zgjodhi si nuse për njërin nga djemtë e tij, një vajzë që emrin Er-Rekib e kishte bërë pjesë të jetës së saj. Nga pasardhësit e kësaj vajze dhe djalit të Umerit, doli Umer ibnul Abdul Aziz. U përhap drejtësia, pasi një vajzë e përjetonte emrin e Zotit, Er-Rekib, dhe nuk pranonte të mashtrojë. Të jetosh me emrin Er-Rekib do të thotë të kesh një jetë të mbushur me bereqet.

Një i ri musliman në kohën që mongolët kishin pushtuar vendet muslimane, sa herë që dëshironte të largohej nga gjynahet, dështonte. Një ditë, vajti tek një i ditur dhe i tha: ”A nuk e ke dëgjuar hadithin e Profetit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], kur i vajti dikush dhe i tha: ”Më trego diçka rreth fesë, që të mos kem nevojë të pyes tjetër kënd.” Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] i tha: ”Thuaj: Besova në All-llahun, pastaj vazhdo në rrugë të drejtë!” Po unë, si mund ta vë në zbatim këtë hadith?” Dijetari i nderuar i dha një këshillë praktike. Ai i tha: ”Sa herë të shkosh për të fjetur, mos të të zërë gjumi, veçse duke përsëritur këto fjalë: ”Zoti më mbikëqyr, Zoti më shikon, Zoti është Dëshmitar për atë që veproj.” Të njëjtat fjalë e këshilloi t’i përsërisë edhe në mëngjes, teksa niset për në punë. Veç kësaj i kërkoi që këto fjalë t’i përsërisë edhe gjatë ditës, sa herë t’i kujtohen. Në fund i kërkoi të vijë pas një viti, me qëllim që t’i tregojë çfarë ka ngjarë.

Tregon djali i ri: ”Sa herë që nisesha për të vepruar një gjynah, thoja me vete:  ”Zoti më mbikëqyr, Zoti më shikon, Zoti është Dëshmitar për atë që veproj.” Gjithashtu, sa herë që veproja një punë të mirë thoja të njëjtat fjalë.” Më vonë, ai hyri në ushtri dhe filloi të ngjisë poste të ndryshme. Një ditë, ai shikon një ëndërr, sikur kishte humbur në shkretëtirë. I mërzitur u ul diku dhe filloi të qajë. Pas disa çastesh ai sikur shikon një grup kalorësish duke ardhur në drejtim të tij. Kalorësit i printe një njeri i bardhë dhe i hijshëm. Kalorësit ndaluan para tij dhe prijësi i tyre zbriti nga kali, e kapi të riun për supesh, e lëkundi dhe i tha: ”Çohu, o Mahmud. Rruga për në Egjipt është në këtë drejtim. Ti do të jesh udhëheqës i Egjiptit dhe do t’i mposhtësh mongolët.” Ky i ri ishte Kutuzi. Me t’u zgjuar nga gjumi, ai vajti t’ia tregojë ëndrrën dijetarit Izz ibn Abdu es-Selam. Me të dëgjuar ëndrrën e tij, dijetari e përgëzoi. Më vonë, Kutuzi arriti t’i thyejë mongolët dhe u bë udhëheqës i Egjiptit.

Fillimet e këtij të riu ishin: “Zoti më mbikëqyr, Zoti më shikon, Zoti është Dëshmitar për atë që veproj.”

All-llahu është Mbikëqyrësi që kontrollon çdo frymëmarrje tonën. Është Ai që di tradhëtinë e syve dhe atë që fshehin zemrat. Është ai që di çdo lëvizje tënden: “Ai është me ju, kudo që të jeni...” (El-Hadid: 4);  “Fshiheni thënien tuaj ose përhapeni, Ai di atë që ndodhet në kraharore.” (El-Mulk: 13); “E si të mos di Ai që ka krijuar gjithçka, kur Ai njeh çdo gjë me imtësi dhe është i Mirinformuari?” (El-Mulk: 14);

“Nëse e thua hapur fjalën, Ai e di atë dhe të fshehtën.” (Ta Ha: 7); “A nuk e shikon se Zoti di çka në qiej dhe në tokë? Nuk ka sekret të tre vetëve, veçse Ai është i katërti. As pesë, veçse Ai është i gjashti, as më pak dhe as më shumë, Ai është me ta kudo që të ndodhen. Më pas, Ditën e Kijametit, u tregon atë që vepruan.” (El-Muxhadele: 7)

Ti mund të mbash një mijë sekrete dhe të mos ia tregosh gruas tënde. Mund t’i fshehësh me mijëra mendime, ndaj drejtorit. Të gjitha këto, i di Mbikëqyrësi. Para Tij ti je i zbuluar, fole apo nuk fole.

Kur Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] udhëtonte, lutej me fjalët: ”O Zot! Ti je Shoqëruesi ynë në këtë udhëtim dhe Ti je Kujdestari për familjet tona.”

“Ai ka çelësat e fshehtësisë, të cilat nuk i di tjetër veç Atij. Çdo gjethe që bie, Ai e di.” (El-En’am: 59) Ai që kontrollon rënien e çdo gjetheje, e cakton kur do të bjerë dhe si do të bjerë, a e ka të vështirë të kontrollojë lëvizjet e tua?! Nëse kontrollon çdo gjethe, si mund të injorojë ty?

Ajo vajzë që flet me djem në orët e vona të natës dhe shkëmbejnë fjalë të pista. Nëse babai do të hapte linjën tjetër, do të ishte skandal për këtë vajzë. Si ka mundësi që na vjen zor nga krijesat dhe nuk na vjen zor nga Krijuesi, i Cili na vëzhgon në çdo çast?

Ai doktor që i operon të sëmurët, edhe pse nuk kanë nevojë për operim, vetëm për t’u marrë para më shumë, ta dijë se All-llahu i Madhërishëm është Mbikëqyrës.

Ata prodhues të ushqimeve, të cilët i paketojnë në kuti dhe pako të bukura, por ushqimet përmbajnë lëndë të dëmshme për fëmijët dhe njerëzit, ta dinë se kanë All-llahun e Madhërishëm si Mbikëqyrës.

Ata të rinj që vishen bukur, me qëllim që të tërheqin vëmendjen e vajzave, ta dinë se All-llahu i Madhërishëm është Mbikëqyrës i tyre.

Ata që përdorin dylbi, me qëllim që të shohin komshinjtë në jetën e tyre private dhe intime, ta dinë se All-llahu i Madhërishëm është Mbikëqyrës i tyre.

Gjatë gjithë kohës, kujto fjalët e vajzës që i tha nënës: ”Nëse nuk na shikon Umeri, na shikon Zoti i Umerit!”

Kujto fjalët e Kutuzit: ”Zoti më mbikëqyr, Zoti më shikon, Zoti është Dëshmitar për atë që veproj.”

Ata avokatë që mashtrojnë njerëzit, le të kenë frikë nga Mbikëqyrësi. Ata hidraulikë dhe mekanikë makinash që lënë defekte pa riparuar, me qëllim që klienti të shkojë përsëri dhe të fitojnë sa më shumë para, ta dinë se Mbikëqyrësi i vëzhgon.

Ai shofer taksie që kur merr një të huaj, zgjedh rrugën më të gjatë për në destinacion, me qëllim që t’i marrë para më shumë, ta dijë se Mbikëqyrësi e vëzhgon.

Ata nëpunës që sigurohen se nuk i sheh drejtori dhe marrin materiale nga vendi i punës, ta dinë se Mbikëqyrësi i shikon.

Nëse emri Er-Rekib bëhet pjesë e jetës tonë, është më i dobishëm se një mijë policë, roje apo kamera vëzhguese. Nëse do të edukoheshim me emrin Mbikëqyrës, nuk do të kishim nevojë për policë tek semaforët. Ne do të ndalonim tek drita e kuqe, qofshim edhe në orën dy të natës.

Ata të rinj që shoqërohen me vajza, prindërit e të cilave nuk dinë gjë, Mbikëqyrësi i vëzhgon. Thotë All-llahu i Madhërishëm në Kur’an: ”Nuk është e ndershme që në shtëpi të hyni nga muret e tyre, por ndershmëria është për atë që është i devotshëm. Prandaj hyni në shtëpi nga dyert.” (El-Bekare: 189)

Ai që ka dhjetëra vite që e tradhëton gruan e tij dhe mburret se askush nuk e ka marrë vesh, ta dijë se All-llahu është Mbikëqyrësi i tij: “Çdo gjethe që bie, Ai e di!”

O prindër, edukojini fëmijët tuaj me ndjenjën e emrit Er-Rekib. Askush prej tyre nuk do të mashtronte, vidhte apo merrte ryshfete.

Kur Ebu Bekri [radijall-llahu anhu] vendosi të caktojë Umer ibnul Hattabin [radijall-llahu anhu] si pasues të tij, njerëzit i thanë: ”Si e cakton atë udhëheqësin tonë, duke e ditur se ai është i ashpër?!” Por Ebu Bekri [radijall-llahu anhu], ia ktheu: ”Ai është një burrë që anën e brendshme e ka më të mirë se anën e jashtme.”

Në librat e historisë islame, përmendet historia e një personi që u mashtrua dhe iu mor një shumë e madhe pasurish, nga dikush tjetër. Aq shumë u mërzit  dhe u dëshpërua, saqë u sëmur dhe vdiq. Pak para se të vdesë, shkroi një letër dhe i tha djalit të tij: ”Ditën që do të më varrosni, dua që me kufomën time të kaloni pranë dyqanit të filanit (tek ai që ia kishte marrë paratë). Kur të arrini tek dyqani, ndaloni dhe jepja këtë letër ta lexojë. Pasi vdiq, ditën që do e varrosnin, djemtë ndaluan me kufomën e tij tek dyqani i personit, që i kishte marrë paratë, dhe i thanë: ”Babai ynë, para se të vdesë, ka lënë një letër për ty.” Personi mori letrën, e hapi dhe lexoi: ”Unë kam vajtur tek Zoti im, i Cili e di atë që më ke bërë. Ai më shikon mua, të shikon edhe ty. Së afërmi do të vish edhe ti. Takimi mes nesh do të jetë Ditën e Kijametit, ku do të marr të drejtën time.”

Qëllimi me këto që themi, nuk është të mësojmë si të jesh i pagabueshëm, por, edhe nëse gabon, të kërkosh falje dhe të pendohesh.

Ndjenja e mbikëqyrjes nga ana e All-llahut të Madhërishëm nuk është vetëm për gjynahet, por ajo është edhe në marrëdhëniet tona shoqërore. Marrëdhëniet dhe lidhjet e tua të forta me Zotin, nuk duken në namazin që fal, në leximin e Kur’anit..., por në marrëdhëniet e tua me gruan tënde: “O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni All-llahut, me emrin e të Cilit përbetoheni dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtetë All-llahu është Mbikëqyrës mbi ju.” (En-Nisa: 1)

Junusin [alejhis-selam] e gëlltiti balena dhe qëndroi në barkun e saj për tre ditë. Ai ndodhej në tre errësira: errësirën e barkut të balenës, errësirën e detit dhe atë të natës. Kush mund ta dëgjonte Junusin [alejhis-selam] dhe kush mund t’i vinte në ndihmë atij? Për ta kuptuar më mirë Junusin [alejhis-selam] se si është ndierë në barkun e balenës, le të marrim një shembull nga jeta jonë. Nëse dikush të mbyll me çelës në një sënduk. Më pas mbyll derën e dhomës ku ndodhesh dhe mbyll edhe derën e jashtme të shtëpisë. Askush nuk të dëgjon dhe askush nuk të vjen në ndihmë. Kurse Junusi [alejhis-selam] ndodhej në barkun e balenës dhe në mesin e oqeanit: “Ai thirri në errësira: Nuk ka zot tjetër përveç Teje. Unë kam qenë nga të padrejtët.” (El-Enbija: 87)

Në disa rrëfenja thuhet se melekët kur e dëgjuan zërin e Junusit [alejhis-selam], thanë: ”O Zot, dëgjojmë një zë të njohur nga një vend i panjohur.” Zoti ua ktheu: ”A nuk e njihni kush është? Ai është robi Im, Junusi.”

A të ka ndodhur që, teksa ecën rrugës, t’i flasësh Zotit? Nëse nuk të ka ndodhur, provoje tani. Thuaji: ”O Zot, o Mbikëqyrës. A je i kënaqur me mua? Më fal se unë nuk kam tjetër kënd veç Teje!”

 

Si na mbikëqyr All-llahu i Madhërishëm? Cilat janë mjetet dhe format e kësaj mbikëqyrjeje?

Mbikëqyrësi më i mirë është All-llahu: “Dhe të mjafton Zoti si Mbikëqyrës.”

Për mbikëqyrjen e njeriut, All-llahu i Madhërishëm ka caktuar edhe melekë që e vëzhgojnë. Thotë All-llahu i Madhërishëm në Kur’an: ”Çdo fjalë që thotë, ka një mbikëqyrës të rreptë.” (Kaf: 18) Secili prej nesh ka një melek mbi supin e djathtë dhe një tjetër mbi supin e majtë, të cilët shënojnë veprat tona. Nga këta dy melekë, duhet të na vijë turp të veprojmë gjëra të turpshme. Nëse do të ngrije zërin, gruaja do të ndërhynte duke ta bërë me shenjë që të ulësh zërin se dëgjojnë komshinjtë. Si vallë i injoron dy komshinjtë mbi supe dhe nuk të vjen zor prej tyre?! A të ka rastisur të veprosh një të mirë dhe, duke u drejtuar nga meleku i krahut të djathtë, t’i thuash: “Shkruaje këtë të mirë që sapo veprova!” Dhe, a të ka rastisur që, pas një gjynahu, t’i thuash melekut të krahut të majtë: ”Mos e shkruaj se do të pendohem tani!” A i ndien se çfarë lidhjesh ke me këta dy melekë? A të ka ardhur zor ndonjëherë prej tyre?

Një i ri, shkoi tek një dijetar dhe i kërkoi ta lejojë të veprojë gjynahe. Dijetari i tha: ”Po! Të jap leje, por me katër kushte: Kushti i parë është që të mos e bësh këtë gjynah mbi tokën që krijoi Zoti.” I riu e pyeti: ”Po ku të shkoj veç tokës së Tij?” I dituri i tha: ”A nuk të vjen zor të qëndrosh mbi tokën e Zotit dhe të thyesh urdhërat e Tij?! Kushti i dytë është që, nëse dëshiron të veprosh një gjynah, të fshihesh në një vend ku Zoti nuk të shikon.” - “Po ku mund të gjej një vend që nuk më shikon Zoti?! Ai shikon dhe mbikëqyr gjithçka.” – ia ktheu i riu. Dijetari i tha: ”A nuk të vjen zor të veprosh një gjynah, duke e ditur se Zoti po të vështron?! Kushti i tretë është që, nëse dëshiron të veprosh një gjynah, mos u ushqe me të mirat e Zotit.” - “Po me çfarë të ushqehem tjetër?” - e pyeti djaloshi. I dituri i tha: ”A nuk të vjen zor të ushqehesh me të mirat e Zotit dhe të thyesh urdhërat e Tij?! Kushti i katërt është që t’u thuash dy melekëve që shkruajnë veprat e tua të japin leje për diçka të tillë.” - “Diçka e tillë është e pamundur!” - ia ktheu djaloshi. “Atëherë, ki frikë Zotin!” – ia ktheu i dituri.

Ata shitës që shesin mallra me peshë të mangët, ata doktorë që, teksa vizitojnë klientet, shohin pjesë që nuk duhen parë, ata farmacistë që shesin ilaçe të skaduara... le ta dinë se mbikëqyren nga All-llahu i Madhërishëm dhe melekët e Tij.

Si  mjet tjetër mbi mbikëqyrjen, All-llahu i Madhërishëm ka caktuar edhe ndërgjegjjen e njeriut. All-llahu i Madhërishëm që krijoi njeriun, e ka pajisur atë me një sistem alarmi tepër të ndjeshëm. Mallrat dhe veshjet që shiten në Europë, janë të pajisura me një sistem që sinjalizon shitësit, nëse klienti përpiqet të dalë pa paguar çmimin. E tillë është edhe ndërgjegjja e njeriut. Me të vepruar një gjynah, ndërgjegjja jep sinjalet e alarmit. Menjëherë ndien se fytyra të skuqet, zemra të rreh më shpejt, mund edhe të dridhesh... E kundërta ndodh nëse vepron një vepër të mirë, fytyra të ndrit nga gëzimi.

Kur populli i Salihut [alejhis-selam] vendosën ta therrin devenë që Zoti e çoi si mrekulli, Kur’ani përmend një fakt shumë të rëndësishëm për personat që therrën devenë. Para se ta therrin devenë, ata pinë alkool dhe e humbën ndërgjegjjen. Askush nuk mund të veprojë krime të rënda, pa e humbur më parë ndërgjegjjen dhe koshiencën.

Mbikëqyrësi Suprem ka krijuar brenda fizikut tënd një aparat mbikëqyrës të brendshëm, i cili është më i fuqishëm se çfarëdo lloj ligjesh. Ka njerëz që me gjynahet e shumta, e kanë shkatërruar këtë aparat alarmi të brendshëm.

Nëse nuk ndërgjegjësohesh në këtë botë, dije se do të përballesh me një llogari të rreptë në Ditën e Kijametit. Thotë All-llahu i Madhërishëm në Kur’an: Dhe vihet libri (i veprave), dhe i sheh mëkatarët të frikësuar nga shënimet që janë në të dhe thonë: “Të mjerët ne, ç’është puna e këtij libri që nuk ka lënë as (mëkat) të vogël e as të madh pa e përfshirë?”, dhe atë që vepruan e gjejnë të gatshme - prezente, e Zoti yt nuk i bën padrejtësi askujt. (El-Kehf: 49)

Atë ditë ç’do gjë do të vendoset në peshore, një shkelje syri me tallje, një lëvizje koke në shenjë përbuzje dhe çfarëdo tjetër: “...Ne i kemi urdhëruar (engjëjt) që të shkruajnë të gjitha ç’keni bërë.” (El-Xhathije: 29) Çdo gjë është e regjistruar dhe e filmuar dhe do të shfaqet para syve të tu. Nëse do t’i mohosh të gjitha, atëherë do të mbyllet goja dhe do të flasin gjymtyrët e trupit: “Sot do t’ua vulosim gojët e tyre dhe do të na flasin duart e tyre, kurse këmbët e tyre do të dëshmojnë mbi atë që kanë vepruar.” (Ja Sin: 65); “Ata u thonë lëkurës: Përse dëshmuat kundër nesh? Ato thonë: Na bëri Zoti të flasim!” (El-Fussilet: 21)

Mbikëqyrësi nuk është vetëm për t’u pasur frikë dhe për gjynahe. Ai është edhe për qëllimet dhe veprat e mira. Nëse një vajzë e re ëndërron që, kur të martohet, të lindë një djalë dhe ta edukojë të jetë si Salahudin Ejubi, i cili do nderojë umetin musliman, Ditën e Kijametit, ky qëllim dhe kjo dëshirë, do të vendosen në veprat e mira dhe do të peshohen së bashku me to, edhe pse mbeti vetëm një dëshirë dhe nuk u realizua.

O vëlla dhe o motër, a e imagjinon dot gëzimin tënd në çastet kur të vijë libri i veprave në dorën e djathtë? A e imagjinon gëzimin që ndien në ato çaste, teksa thërret: ”Ja, lexojeni librin tim.” (El-Haka: 19)

 

Mbikëqyrja e All-llahut të Madhërishëm nuk është e rreptë në atë formë që të nxijë jetën

Një tregues për këtë është se ne nuk e ndiejmë prezencën e mbikëqyrjes së melekëve. Nëse do të kishim të instaluara mijëra kamera, kudo që të shkelim,  nuk do të ndieheshim të lirë. Ndërsa All-llahu i Madhërishëm i ka caktuar melekët, të cilët na mbikëqyrin dhe ne nuk i shohim. Kjo na jep liri në veprim dhe në mendim. Ka prindër që mbikëqyrin çdo lëvizje të fëmijëve, duke ua nxirë jetën. Ka burra që mbikëqyrin çdo lëvizje të grave të tyre, duke ua bërë jetesën së bashku të pamundur.

Mbikëqyrja e All-llahut të Madhërishëm është një mbikëqyrje e lartë, pasi bëhet jo vetëm për të kontrolluar gjynahet e tua, por edhe për të kontrolluar të mirat e tua. Ajo bëhet me qëllim që ti të fitosh Xhennetin. Çdo njeri, para se ta caktojnë në një post të lartë, e mbikëqyrin dhe e vëzhgojnë. Kështu, edhe All-llahu i Madhërishëm të mbikëqyr, me qëllim që të japë Xhennetin më pas. Ti je zgjedhur për të hyrë në Xhennet dhe për këtë duhet të mbikëqyresh dhe të vëzhgohesh me parë.

Është pikërisht kjo mbikëqyrje që të bën të gëzuar, kur të marrësh librin në dorën tënde të djathtë dhe

të thuash: ”Ja, lexojeni librin tim. Unë e gjeta llogarinë time. Ai është në jetë të kënaqshme...” (El-Haka: 19-21)

 

Si do të i quot;,SQspan style=font-size: 12pt; font-family: lang=shte gjendja jonë, nëse umeti e përjeton këtë emër?

Sot shpenzohen shuma të mëdha, për mbikëqyrjen e lëvizjeve të njerëzve të ndryshëm. Vallë, sa pasuri do të kurseheshin, nëse në vend të kamerave, policëve dhe rojeve, do të mbillnim në zemrat e njerëzve ndienjën e mbikëqyrjes së Zotit të Madhërishëm. A e kupton se problemet e përdorimit të drogës në shkolla, do të zgjidheshin? A e kupton se shumë mosmarrëveshje mes çifteve do të zgjidheshin, pa vajtur çështja në gjykatë? A e kupton se studentët që janë mësuar të kopjojnë dhe të mashtrojnë, do të mbështeteshin në forcat e tyre? A e kupton se të gjithë punonjësit do të punonin me sinqeritet dhe prodhimet do të ishin më cilësore?

Tregohet se një burrë i pasur martohet me një grua të dytë, pa dijeninë e gruas së parë. Gruaja e parë, dëgjoi për diçka të tillë, por nuk e hapi këtë bisedë me burrin e saj. Më vonë, ky burrë vdiq, duke lënë një pasuri të madhe. Gruaja që tashmë dukej sikur kishte shpëtuar nga një vuajtje e madhe, bëri diçka të paparashikueshme. Ajo i dërgoi shemrës së saj pjesën e trashëgimisë. Diçka e tillë është e vështirë dhe kërkon vendosmëri të madhe. Por më e vështirë se ky qëndrim, është qëndrimi i shemrës së saj. Ajo iu përgjigj se nuk meritonte nga trashëgimia e tij asgjë, pasi e kishte ndarë para se të vdesë. 

Shoqëritë tona sot janë të mbytura në mashtrime, rrugë të pandershme të fitimit të parave, ryshfete... dhe shpëtimin e kemi kur të ndiejmë mbikëqyrjen dhe vëzhgimin e Zotit të Madhërishëm.

Submitting your vote...
Not rated yet. Be the first who rates this item!
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

29/09/2020
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
04:57 06:2912:3815:5618:3519:56

Urtësi Profetike

Gjërat që i çojnë njerëzit

më shumë në Xhennet

janë devotshmëria

dhe mirësjellja.


Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook