By: Amer Halid

Et-Tevvab (Pranues i pendimit)


Thotë Zoti i Madhërishëm në Kur’an: “Ai që pranon pendimin nga robërit e Tij.” (Esh-Shura: 25); “Falës i gjynahut dhe Pranues i pendimit.” (El-Gafir: 3); “A nuk e dinë se Zoti e pranon pendimin e robërve të Tij.” (Et-Teube: 104)

Njeriu mund të mos e pranojë kërkimin falje dhe pendimin tënd. Kurse, për Zotin e Madhërishëm është e pamundur që të kthejë mbrapsht.

O vëlla dhe o motër, a pranon të pendohesh tani, apo je shumë i lidhur me gjynahet? Përse e ke kaq të vështirë të ndahesh nga gjynahet?

Kërkesa për pendim në ajetet e Kur’anit nuk u adresohet vetëm gjynahqarëve, atyre që kanë shkëputur çdo lidhje me Zotin, atyre që hezitojnë…, por ajo u drejtohet të gjithë njerëzve, të mirë dhe të këqinj, me besim të dobët dhe me besim të fortë. Thotë Zoti i Madhërishëm në Kur’an rreth kësaj: ”Dhe pendohuni tek Zoti juaj, o besimtarë, me shpresë që të shpëtoni.” (En-Nur: 31)

Po vëlla! Pendimi është për ata që bëjnë gjynahe të mëdha. Është për ata që kanë kryer imoralitet, fenomen që është përhapur në mënyrë të frikshme kohët e fundit. Thotë Zoti në Kur’an, duke përshkruar robërit e Tij: ”…Dhe ata nuk kryejnë imoralitet. Kush e vepron atë do të gjejë ndëshkim të rëndë. Atij do t’i dyfishohet ndëshkimi Ditën e Kijametit dhe do të jetojë i përbuzur. Përveç atyre që pendohen...” (El-Furkan: 69-70)

O vëlla dhe o motër, nëse keni kryer imoralitet, kthehuni tek Pranuesi i pendimit dhe pendohuni për atë që keni vepruar. Ai që ka tradhëtuar gruan dhe ajo që ka tradhëtuar burrin e saj, Ditën e Kijametit secilit prej tyre do t’i ngrihet një flamur. Në këtë flamur, do jetë shkruar: ”Kjo është tradhëtia e filanit/filanes!”

Pendimi është edhe për ata që kanë keqtrajtuar prindërit e tyre. Një pikë loti e nënës, mund të jetë më e rëndë se sa gjithë gjynahet e një viti. Një hidhërim dhe zemërim i nënës dhe i babait, mund të jetë më e rëndë se male me gjynahe.

Pendimi është edhe për ata që japin dhe marrin ryshfete. Si dhënësi, ashtu edhe marrësi i ryshfeteve, janë në zjarr.

Pendimi është edhe për ata që konsumojnë alkoolin. Thotë Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]: ”Zoti i ka mallkuar ata që e pijnë alkoolin, ata që e shesin, ata që ua servirin të tjerëve…”

Pendimi është edhe për ata që merren me produksionin e programeve shthurrëse për të rinjtë. Thotë Zoti i Madhërishëm në Kur’an: ”Me të vërtetë, ata që duan që imoraliteti të përhapet mes besimtarëve, kanë një ndëshkim të rëndë në këtë botë dhe në tjetrën.” (En-Nur: 19)

Pendimi është edhe për ata që nuk falen. Në Xhehenem është një vend që quhet Sekar. Zoti e përshkruan atë me fjalët: “E ku e di ti se çfarë është “Sekari”. Ai nuk lë gjë pa e djegur.” (El-Muddethir: 27) Ata që do të ndëshkohen në këtë vend, do t’u dhimbsen edhe melekëve, të cilët do t’i pyesin: “Çfarë ju solli juve në “Sekar” (çfarë keni bërë)? Ata thonë: “Nuk kemi qenë prej atyre që faleshin.” (El-Muddethir: 42 – 43) Pra, shkaku i parë që i bëri të hynin në “Sekar” është se ata nuk kishin falur namazin. Dhe më pas vazhdon ajeti kur’anor: “...Dhe nuk i ndihmonim të varfërit.” O pasanik, që nuk i ndihmon nevojtarët, a nuk ke nevojë për pendim?

Namazi i mëngjesit që e humbet çdo ditë, ka nevojë për pendim. Ai që sillet keq me gruan, e rreh dhe e poshtëron, ka nevojë për pendim.

Ata policë që keqtrajtojnë njerëzit, kanë nevojë për pendim. Njerëzit që do të kenë ndëshkim më të madh në Ditën e Kijametit, janë ata që kanë torturuar njerëzit e tjerë në këtë botë.

Ata që grabisin pasuritë e njerëzve – fenomen shumë i përhapur sot – kanë nevojë të pendohen. Ata që grabisin pasuritë e jetimëve, kanë nevojë për pendim: “Ata që marrin pasuritë e jetimëve pa të drejtë, kanë futur zjarrin në barkun e tyre dhe do shijojnë Xhehenemin.” (En-Nisa: 10)

Nëse thua se nuk vepron gjynahe të mëdha, për pendim kanë nevojë edhe gjynahet e vogla. Vallë, sa fjalë haram dëgjojmë çdo ditë? Sa herë në ditë e përgojojmë njëri-tjetrin? Sa shikime haram shohim çdo ditë? Ata njerëz që jetojnë larg çdo lidhjeje me Zotin e Madhërishëm, a nuk kanë nevojë të pendohen për këtë? Një që është i shkujdesur e ka më të vështirë të pendohet, se sa një gjynahqar. Një gjynahqar do të mërzitet nga gjynahet dhe në fund do të kërkojë faljen dhe mëshirën e Zotit të Madhërishëm. Kurse, dikujt që është i shkujdesur, shejtani i thotë: “Ti je shumë njeri i mirë. Ti nuk bën gjynahe dhe ke moral dhe edukatë të lartë.” Me këtë, shejtani e mban larg çdo lidhjeje me Zotin e Madhërishëm.

Për pendim kanë nevojë edhe ata njerëz që, edhe pse e shohin gjendjen e muslimanëve të dobët, nuk kontribuojnë me ç’të munden për ta rregulluar këtë gjendje. O vëlla, çfarë ke ofruar për zgjidhjen e problemeve të muslimanëve?

A nuk është e nevojshme të pendohemi edhe për vitet që kemi kaluar larg Zotit të Madhërishëm? A nuk kemi nevojë të pendohemi për të mirat që na jep Zoti i Madhërishëm dhe ne nuk e falënderojmë për to?

Sufjan eth-Theuri thotë: “U ula një ditë duke numëruar gjynahet e mia dhe pashë se ishin njëzet e një mijë gjynahe. Atëherë, i thashë vetes: “O Sufjan, si do të dalësh para Zotit me njëzet e një mijë gjynahe? Ai do të pyesë gjynah pas gjynahu. O Sufjan, këto janë ato që ti i mban mend, po ato që i ke harruar dhe që Zoti t’i ka shënuar? O Sufjan, pendohu përpara se të dalësh para Zotit!”

Kur këtë histori ia tregova një të riu, më tha: ”Të njëjtën gjë kam bërë edhe unë. Vajta në bregdet dhe për dy orë u ula duke numëruar gjynahet dhe pendohesha për secilin prej tyre. Në fund u çova dhe e ndieja veten më të lirë.”

Pendimin, Zoti i Madhërishëm e kërkon edhe nga politeistët dhe nga idhujtarët. Këtë e përmend në suren Et-Teube, ku thotë: “Megjithatë, nëse ata pendohen, falin namazin, dhe japin zeqatin, atëherë janë vëllezërit tuaj në fe...” (Et-Teube:11)

 Më pas flet për ata njerëz që, bashkë me veprat e mira, veprojnë edhe vepra të këqia: “Dhe prej atyre që veprat e mira i kanë përzier me të këqiat, Zoti mund t’ua pranojë pendimin.” (Et-Teube: 152)

Në suren Et-Teube pendimi përmendet 17 herë. Edhe vetë profetin Muhammed [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], Zoti e përmend mes atyre që ua pranon pendimin: “Zoti ia pranoi pendimin Profetit, muhaxhirëve dhe ensarëve...” (Et-Teube: 117)

Tani le të përmendim ajetet dhe hadithet e Profetit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] që flasin rreth pendimit. Le të shohim shpresën e madhe që jep Zoti i Madhërishëm për ata që pendohen.

Thotë Zoti në Kur’an: “Thuaj: O robërit e Mi që e keni ngarkuar veten me shumë gjynahe, mos e humbni shpresën nga mëshira e All-llahut, Ai i fal të gjitha gjynahet, pasi është Falës dhe Mëshirues.” (Ez-Zumer: 53)

Ky ajet është shumë shpresëdhënës dhe shërben si fashoja dhe ilaçi për shërimin e plagës. Ky ajet na thotë se sado të kesh gjynahe, sado larg Zotit të jetosh, sado i mbytur në gjynahe qofsh, sido të kesh humbur..., nëse i drejtohesh Zotit të Madhërishëm dhe i thua: “O Zot ,pendohem tek Ty!”, Ai të pranon dhe të fal.

Shpresëdhënës për këtë, janë vetë fjalët: “O robërit e Mi...!”, megjithëse mund t’u drejtohej me fjalët: “O kriminelë dhe o gjynahqarë!”. Shpresëdhënëse janë edhe fjalët: “...Që e keni ngarkuar veten me shumë gjynahe.” Ai nuk i përmend gjynahet që kanë bërë, nuk e përmend imoralitetin, vjedhjen, ryshfetet... dhe këtë e bën me qëllim që të mos prekë ndjenjat e askujt.

Ajeti tjetër që pason atë të mësipërmin, është: “Dhe kthehuni te Zoti juaj dhe përuljuni Atij, para se t’u vijë dënimi, se pastaj nuk do të ketë kush t’ju ndihmojë. Dhe përmbajuni asaj më të mirës që u është shpallur nga Zoti juaj, para se t’ju vijë dënimi befas e ju të mos dini.” (Ez-Zumer: 54-55)

Më pas, Zoti i Madhërishëm përmend momente nga Dita e Kijametit: “Dhe të mos thotë ndokush: “O i mjeri unë që kam lënë mangut respektimin ndaj All-llahut dhe kam qenë prej atyre që talleshin!” Ose të mos thotë: “Ah, sikur të më kishte udhëzuar All-llahu (në rrugë të drejtë), e të kisha qenë prej atyre që janë të ruajtur!” Apo, kur ta shohë dënimin, të thotë: “Sikur të isha kthyer edhe një herë e të isha bërë prej atyre bamirësve!” Jo, ty të patën ardhur argumentet e Mia, e ti i përgënjeshtrove ato, u bëre kryeneç dhe ishe prej atyre që nuk besuan. E ata që bënë gënjeshtër ndaj All-llahut, do t’i shohësh në Ditën e Kijametit, fytyrat e tyre të nxira. A nuk është në Xhehenemi vendi i arrogantëve?” (Ez-Zumer: 56-60)

Nëse njeriu pendohet, jo vetëm që pendimi i pranohet nga ana e Zotit, por ai bëhet edhe i dashuri i Tij: “Me të vërtetë që Zoti i do penduesit...” (El-Bekare: 222); All-llahu dëshiron t’ju pranojë pendimin, e ata që ndjekin dëshirat e epsheve, dëshirojnë që ju të shmangeni në tërësi (nga rruga e drejtë).(En-Nisa: 27); “Zoti dëshiron t’jua lehtësojë, pasi njeriu është krijuar i dobët.” (En-Nisa: 28); “Dhe kush nuk pendohet, padyshim që ata janë të padrejtë.” (El-Huxhurat: 11)

Ai që nuk pendohet, i ka bërë padrejtësi vetes së tij.

Vetë profeti Muhammed [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] pendohej dhe i kërkonte falje Zotit të Madhërishëm. Në një hadith, ai thotë: “O njerëz, i kërkoni falje Zotit dhe pendohuni, pasi unë i kërkoj falje dhe pendohem 100 herë në ditë.”

Tregojnë shokët e Profetit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]: ”Ne e dëgjonim Profetin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] të kërkojë falje, kur ulej të bisedonte me ne, mbi shtatëdhjetë herë.” Teksa fliste me shokët e tij, Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] heshtte për disa çaste, ku thoshte: ”O Zot, të kërkoj falje dhe pendohem tek Ti.”

O vëlla dhe o motër, sa herë pendoheni në ditë? Kur është hera e fundit që jeni penduar?

Thotë profeti Muhammed [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]: ”Zoti ka krijuar një derë nga ana e perëndimit, nga dita që krijoi qiejt dhe tokën, dhe që vazhdon të jetë e hapur. Gjerësinë e kësaj dere, një kalorës nuk e përshkon dot për pesëqind vite. Ajo derë është dera e pendimit.”

“Çdo njeri që vepron një gjynah, shkon merr abdes dhe fal dy rekate, më pas ulet dhe i kërkon falje Zotit, Ai do t’ia falë atë gjynah.”

“Askush nuk e pëlqen kërkimin falje, aq sa e pëlqen Zoti.”

E veçanta është se sa më shumë t’u kërkosh falje njerëzve për gabimet, ata aq më shumë e refuzojnë dhe aq më shumë të kritikojnë. Kurse Zotit të Madhërishëm i pëlqen diçka e tillë, i pëlqen kur dikush nga ne i ngre duart dhe i lutet Atij ta falë për gjynahet që vepron: “All-llahu pret ditën që të pendohet gjynahqari i natës dhe pret natën që të pendohet gjynahqari i ditës.”

O vëlla dhe o motër, Zoti i Madhërishëm ju pret çdo natë dhe çdo ditë të pendoheni.

Çdo kompani dhe institucion ka rregullat dhe normat e tij. Nëse dikush vepron diçka në kundërshtim me normat dhe rregulloren, fillimisht i tërhiqet vërejtja, paralajmërohet me largim nga puna dhe, nëse vazhdon, dëbohet nga puna. Ndërsa Zoti i Madhërishëm nuk dëbon askënd. Nuk ka gjë që të mban larg mëshirës së Zotit, pasi një nga cilësitë dhe emrat e Zotit është emri Et-Tevvab (Pranues i pendimit).

Në një hadith kudsij, All-llahu i Madhërishëm thotë: “O biri i Ademit, përderisa më lutesh dhe shpreson tek Unë, Unë do të fal gjithçka që ke bërë. O biri Ademit, nëse gjynahet e tua arrijnë deri në kulimin e qiellit, dhe ti më kërkon falje, Unë do të fal. O biri i Ademit, nëse gjynahet e tua do të jenë sa vetë toka, do të sjell sa vetë toka mëshirë, nëse nuk më ke vënë shok. Unë jam Mirënjohës për vepra të pakta, fal shumë gjynahe, mëshira Ime ia kalon zemërimit Tim, ndërsa Urtësia Ime ia kalon ndëshkimit Tim dhe Unë u mëshiroj më shumë se ç’mëshiron nëna foshnjen e saj.”

“All-llahu i Madhërishëm zbret në 1/3 e fundit të natës dhe thotë: “A ka ndonjë që pendohet dhe Unë t’ia pranoj pendimin? A ka ndonjë që kërkon falje dhe Unë ta fal? A ka ndonjë që kërkon diçka dhe Unë t’ia jap?” Dhe kjo ndodh çdo natë.”

Në një rrëfenjë, Zoti i Madhërishëm i thotë Daudit [alejhis-selam]: “O Daud, sikur ta dinin ata që më kanë kthyer shpinën, mallin dhe dashurinë që kam për ta, do të shkriheshin nga malli që do të ndienin për Mua. O Daud, kjo është dashuria dhe malli që kam për ata që më kanë kthyer shpinën, po për ata që më duan?!”

Thotë All-llahu i Madhërishëm në një tjetër hadith kudsij: “Unë, xhindët dhe njerëzit jemi në hall të madh. I krijoj, ndërsa ata adhurojnë dikë tjetër, i furnizoj, ndërsa ata falënderojnë dikë tjetër. Të mirat e Mia zbresin tek robërit e Mi, ndërsa të këqiat e tyre ngjiten tek Unë. Miqësohem me ta me mëshirën Time, megjithëse nuk kam nevojë për ta, ndërsa ata bëhen të urryer tek Unë me gjynahet e tyre, megjithëse janë në kulmin e nevojës për Mua. Ata që më kujtojnë janë njerëzit më të afërt me Mua, prandaj kush dëshiron të jetë i afërt me Mua, le të me kujtojë. Atyre që bëjnë gjynahe, nuk ua këpus shpresat nga mëshira Ime. Nëse pendohen Unë jam i Dashuri i tyre, nëse refuzojnë, Unë jam Shëruesi i tyre. I sprovoj më fatkeqësi, që t’i pastroj nga të metat. Kush më vjen i penduar, e pres nga larg dhe kush më kthen shpinën i thërras nga afër, duke i thënë: “Ku po shkon, a ke zot tjetër veç Meje?!” E mira tek Unë konsiderohet sa dhjetë të tilla dhe i shtoj më shumë. Kurse e keqja tek Unë është vetëm një dhe e fal. Betohem në Krenarinë dhe në Madhështinë Time, nëse do të më kërkonin t’ua fal, do t’ua falja të gjitha.”

Nëse nuk e ke kuptuar siç duhet çështjen e pendimit dhe dëshirën e Zotit që ne të pendohemi, le të përmendim një shembull: “Një nënë e zemëruar me djalin e saj, e nxjerr atë jashtë shtëpisë. Djali e pranon diçka të tillë me gëzim, pasi i jepte rastin të luajë me shokët, deri në orët e vona të natës. Kur errësira mbuloi gjithçka dhe të gjithë shokët u nisën për në shtëpitë e tyre, djali, tashmë i dëbuar nga shtëpia, i frikësuar u nis drejt shtëpisë. Kur arriti tek dera e shtëpisë, i erdhi zor të trokasë dhe u shtri të flejë tek pragu i derës. Nëse nëna do e hapë derën dhe do shohë djalin e saj të shtrirë duke fjetur, padyshim që do e marrë në krahë dhe do e shtrëngojë fort, do e fusë brenda, do e përkëdhelë dhe do t’i thotë: ”O biri im! Unë nuk doja të vuash, por doja të edukoja. Tani vendin e ke në shtëpi.” Thotë Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]: ”Zoti është më i dashur dhe më i mëshirshëm me ju, se ç’është nëna e dashur për djalin e saj.”

O vëlla dhe o motër, qëllimi ynë me këtë temë është që ti të pendohesh, t’u thuash “Mjaft!” gjynaheve dhe të fillosh një faqe të re. Bëje nijet diçka të tillë në këto çaste, o vëlla dhe o motër, dhe thuaj menjëherë: ”O Zot, pendohem tek Ti dhe nuk do të veproj më siç kam vepruar deri tani.”

Duke përshkruar gëzimin e All-llahut të Madhërishëm, kur një nga robërit e Tij pendohet, Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë: “All-llahu gëzohet me pendimin e besimtarit më shumë seç gëzohet një njeri që është në shkretëtirë me devenë e tij, e cila mban ushqimin dhe ujin. Teksa shtrihet të flejë, deveja i largohet dhe kur zgjohet nuk e gjen. Pasi e kërkon dhe nuk e gjen, kthehet i lodhur dhe i etur tek vendi ku fjeti dhe shtrihet duke pritur që të vdesë. Vendos kokën në krahun e tij dhe e zë gjumi. Kur zgjohet shikon devenë e tij, me ushqimin dhe ujin sipër. Nga gëzimi thërret: “O Zot, Ti je robi im dhe unë jam zoti Yt.” All-llahu gëzohet me pendimin e besimtarit, më shumë se ç’u gëzua ky me gjetjen e devesë.”

O vëlla dhe o motër, a e di se All-llahu i Madhërishëm gëzohet me pendimin tënd, më shumë seç gëzohesh ti? Kur dikush pendohet, ai është me zemër të thyer dhe i vjen zor nga ato që ka vepruar. Nuk ka gjë më të dashur tek All-llahu i Madhërishëm, se sa kjo ndjenjë në zemrën e penduesit. Kjo vjen për shkak se njeriu në këto çaste të tilla, ka arritur kulmin e adhurimit dhe përkushtimit ndaj Zotit të tij.

O vëlla dhe o motër, a e dini se në çastet kur ju pendoheni, kaloni në njerëzit më të dashur dhe më të afërt të Zotit të Madhërishëm.

Kur shejtani u nxor nga Xhenneti dhe u mallkua, për shkak se refuzoi t’i përulej Ademit [alejhis-selam], i tha Zotit: ”Betohem në Krenarinë dhe në Madhështinë Tënde se do t’i devijoj të gjithë, përderisa janë gjallë.” Kurse Zoti i Madhërishëm iu përgjigj: ”Betohem në Krenarinë dhe në Madhështinë Time se do t’i fal, përderisa më kërkojnë falje.”

Pyetja që lind është: Përse Zoti i ka kushtuar kaq rëndësi pendimit?

Kur Zoti i Madhërishëm e krijoi njeriun, e krijoi për të vendosur rregullin në tokë. E bëri atë përgjegjës të tokës. Nëse nuk do të ekzistonte pendimi dhe pranimi i pendimit, ata që vjedhin, vrasin..., edhe nëse bëhen pishmanë, do të vazhdojnë në të njëjtën rrugë përsëri. Kjo do të çonte në shkatërrimin e jetës në tokë. Sa mirë do të ishte nëse Presidenti, Kryeministri, ministrat, pronarët dhe menaxherët e kompanive... të mblidhnin vartësit e tyre dhe t’u mësonin pendimin. Sa mirë do të ishte që çdo ditë, javë apo muaj, të shpallnin për t’u penduar nga një ves, apo fenomen negativ të përhapur. Ideja e pendimit është që të rregullohet shoqëria ku jetojmë. Pendimi është vlerë që të përtërin shpresën dhe optimizmin. Gjynahet dhe punët e këqija, ta shtojnë plogështinë dhe pesimizmin.

Trajnuesit mbi artin e administrimit këshillojnë që për një administrim të mirë, duhet të njohësh pikat e fuqisë dhe të dobësisë. Pas kësaj, të duhet të shtosh pikat e forcës dhe të dobësosh pikat e dobësisë. Pendimi kryen të njëjtin funksion. Gjynahet janë pikat e tua të dobëta dhe pendimi i dobëson këto pika të dobëta dhe të shton pikat e fuqisë. Pendimi shton dhe forcon lidhjet e tua me Zotin e Madhërishëm. Teksa pendohesh, ti e bën për shkak se je i bindur që Zoti e pranon pendimin dhe të shpërblen për këtë. E bën, pasi je i bindur se Ai është Falës, Mëshirues...

Një pyetje tjetër interesante është: Nëse Zoti është Dashamirës, Mëshirues dhe Falës, përse nuk na mbron që në fillim nga gjynahet? Përse na lejon të bëjmë gjynahe, pastaj kërkon të pendohemi? Zoti që na krijoi, e njeh më mirë natyrën tonë. Nëse ne nuk do të bënim gjynahe, do të na pëlqente vetja dhe do të tregoheshim arrogantë. Diçka e tillë i ndodhi shejtanit dhe e çoi në mohim. Nëse Zoti do të mbronte nga gjynahet, e keqja do të vinte nga diçka tjetër, nga pëlqimi i vetes dhe nga mendjemadhësia, e cila u bë shkak për mallkimin e shejtanit.

Pasi Ademi [alejhis-selam] u nxor nga Xhenneti, filloi të qajë. Zoti i Madhërishëm filloi ta ngushëllojë me këto fjalë, të cilat i rrëfen Ibnul Kajjimi: “O Adem! Unë të sprovova me gjynah, për shkak se dëshiroja të shohësh Dashurinë dhe Bujarinë Time. O Adem! Nëse nuk do të bënit gjynahe, Unë do t’ju zhdukja, do të sillja një popull që bënin gjynahe, kërkonin falje dhe Unë i falja. O Adem! Më parë hyje tek Ne si mbretërit tek mbretërit, kurse tani do të vish tek Unë si robi tek Mbreti dhe kjo është më e dashur për Mua. O Adem! Nëse do të mbroja ty dhe pasardhësit e tu nga gjynahet, kujt do t’i tregoj mëshirën Time? Kujt do t’i tregoj faljen Time? Kujt do t’i pranoj pendimin, në një kohë që Unë jam Falës dhe Mëshirues? O Adem! Mos u mërzit që të thashë: “Dil nga Xhenneti!”, pasi nuk e kam krijuar Xhennetin veçse për ty. Zbrit në shtëpinë pranë (tokë), mbill farën tënde atje dhe kur të marrë malli për Mua dhe dëshiron të kthehesh, do të pranoj, do të hap derën e Xhennetit Tim, do të kthej në vendin tënd dhe do të jetosh pranë Meje. O Adem! Një gjynah me të cilin tregon nënshtrim dhe përulje ndaj Meje, është më i dashur tek Unë se një punë e mirë me të cilën mburresh para Meje. O Adem! Rënkimi i gjynahqarve, është më i dashur tek Ne se adhurimet e atyre që e bëjnë për syfaqësi.”

Shpeshherë emri Et-Tevvab shoqërohet me emrin Err-Rrahim (Mëshirues). Secili prej nesh, kërkon që Zoti i Madhërishëm ta gjykojë me mëshirën dhe jo drejtësinë e Tij. Nëse do të na gjykonte me drejtësinë e Tij, do të na linte të veprojmë si të duam gjatë jetës dhe në botën tjetër, do të na kërkonte llogari për gjithçka dhe përfundimi ynë do të ishte zjarri. Kurse nëse na gjykon me mëshirën e Tij, Ai do të na udhëzojë drejt pendimit. Udhëzimi drejt pendimit mund të jetë në forma të ndryshme, herë me një shenjë, herë të tjera me fatkeqësi. Ka njerëz që i kuptojnë shpejt mesazhet e Zotit të Madhërishëm, i Cili ia dërgon për t’u penduar dhe pendohen. Ka të tjerë që nuk kuptojnë, veçse me mesazhe paksa të rënda. Kështu i çon një fatkeqësi, e cila e sjell në vete, dhe pendohet. Fatkeqësia që i ndodh është kulmi i mëshirës së Zotit, pasi ajo është shkak i fitimit të Xhennetit dhe i shpëtimit nga zjarri i Xhehenemit. Për këtë, emri “Pranues i pendimit” shoqërohet gjithmonë me emrin “Mëshirues”.

Le të marrim një shembull, për ta konkretizuar më mirë. Një baba, i jep djalit të tij një shumë prej pesë mijë stërlinash angleze dhe e dërgon të mësojë në Angli. Pasi e përcjell të birin, babai nuk interesohet më për mbarëvajtjen e tij në mësime. I biri, pasi mori paratë dhe arriti në Angli, filloi të bredhë, nuk mësonte, argëtohej..., mbeti në mësime dhe u detyrua të kthehej në shtëpi. Me t’u takuar me babanë, i thotë: ‘’E drejta është se pas kësaj ti nuk meriton të arsimohesh. Dil jashtë!” Djali ka të drejtë t’i thotë: ”O baba! Po si ka mundësi që nuk u interesove aspak për mua?! Si ka mundësi që më braktise?!” 

Nëse babai do të kishte qenë i mëshirshëm dhe i dhembshëm me të birin, fillimisht do të interesohej me telefon, do e këshillonte dhe herë të tjera do e kritikonte.

O vëlla dhe o motër, forma të tilla përdor edhe Zoti i Madhërishëm për të bërë ty të pendohesh. Ata që janë të ndjeshëm, i kuptojnë menjëherë mesazhet e Zotit, sado të vogla qofshin ato.

Është më mirë të pendohesh me dëshirën tënde, se sa kur të vijnë mesazhet dhe fatkeqësitë.

Një doktor tregon: ”Unë kam një paciente të moshuar, e cila vuan nga sheqeri. Një herë, pasi e vizitova, meqë ishte vonë, urdhëroi djalin e saj të më shoqërojë me makinë. Gjatë rrugës me djalin e pacientes, pashë se ai, jo vetëm që nuk ishte fetar, por, filloi edhe të tallej me fenë. Thoshte se unë do të jem mirë në zjarr, pasi do të jem më ngrohtë etj… Doktorit nuk i erdhën mirë këto fjalë dhe me edukatë i tha: ”Të lutem, unë do të zbres këtu!” - dhe zbriti. Pas një periudhe të gjatë kohe, pasi ky doktor kishte udhëtuar në disa vende për specializim, u kthye në vendin e tij përsëri. Me ta marrë vesh pacientia e tij e moshuar, e kërkoi përsëri që ta vizitojë. Doktori vajti, e vizitoi dhe kur deshi të dalë, e moshuara i tha: ”Djali im do të shoqërojë.” Doktori me edukatë i tha se nuk është nevoja, pasi e dinte se çfarë do të dëgjonte prej tij. Por pacientja nguli këmbë dhe i tha: ”Prit se ai po fal namazin e jacisë në xhami dhe kthehet menjëherë.” Kur dëgjoi këtë, doktori mbeti i shtangur. Priti, derisa u kthye dhe, kur e pa, pa një njeri komplet ndryshe. Tani edhe fytyra sikur i ndriçonte. Atëherë, pranoi që ta shoqërojë. Gjatë rrugës e pyeti se çfarë kishte ndodhur, që shihte gjithë ato ndryshime. Djaloshi iu përgjigj: ”Ty të kujtohet se si kam qenë. Në atë kohë punoja në një kompani turistike. Në fillim kompania merrej me shoqërimin e turistëve vendas në shtete të ndryshme të Europës. Më pas, duke parë se numri i njerëzve që duan të vizitojnë Meken rritej, kompania ndryshoi drejtim dhe filloi të merrej me dërgimin e pelegrinëve për në Meke. Kështu që, edhe unë tani duhej të udhëtoja për në Meke. Teksa fluturonim në avion, i shihja të gjithë njerëzit të veshur me ihramet e bardhë dhe habitesha me vete se çfarë po bëjnë këta kështu dhe i shihja me përbuzje.

Vajtëm në Meke dhe të gjithë njerëzit u drejtuan drejt Qabesë për të kryer ritet. Unë as nuk e kisha ndër mend të bashkohem me ta dhe isha me rrobat e zakonshme të miat. Teksa pashë që të gjithë u drejtuan nga Qabeja, i thashë vetes: “Përse të mos shkoj edhe unë të shoh se çfarë bëhet atje? Kur arrita atje, pashë se ishte dita që laheshin muret e Qabesë. Njerëzit ishin grumbulluar dhe nuk lejoheshin të hynin, veçse një numër i pakët. Teksa po prisja, papritur shoh dikë që më kapi për dore dhe më tha: ”Eja të hysh “Dhe kush nuk pendohet, padyshim që ata janë të padrejtë.”Në një hadith kudsij, All-llahu i Madhërishëm thotë:span style=/pme mua brenda Qabesë!” Më pas dëgjova se ai ishte një nga dijetarët e qytetit. Hyra brenda me të dhe e pashë veten brenda Qabesë, ku shumica e njerëzve nuk munden të hyjnë. Në ato çaste, Zoti i Madhërishëm e bëri të dashur për zemrën time besimin dhe fillova të qaj me të madhe. Brenda mureve thërrisja: ”O Zot, jam penduar! O Zot, jam penduar!” Tashmë, kur dola nga Qabeja, isha tjetër njeri.”

Një tjetër nga ata që i kuptojnë menjëherë mesazhet e Zotit, tregon: ”Pasi kisha vepruar një nga gjynahet që e zemëron Zotin, po udhëtoja me makinë. Gjatë rrugës, ula xhamin e makinës, për të thithur pak ajër të pastër. Në atë çast, një zog që fluturonte vjen dhe përplaset në fytyrën time. Ndalova, pastrova fytyrën dhe fillova të qaj, duke thënë: ”O Zot ,e kuptova mesazhin Tënd dhe pendohem për ato që kam vepruar.”

Një dijetar musliman, Ratib Nabulsi, tregon mbi një nga ata që i kuptojnë me vështirësi mesazhet e Zotit të Madhërishëm. Ai është një nga profesorët më të mëdhenj në Liban. Ai ishte ateist dhe e mbronte me fanatizëm atë. Me mendimet e tij, ai i bënte studentët të dyshonin në gjithçka që besonin. Kjo gjendje vazhdoi për vite të tëra. Nëse All-llahu i Madhërishëm do e kishte gjykuar me drejtësinë e Tij, ky njeri do të hynte në zjarr. Por Mëshiruesi e tërheq robin e Tij me dëshirë, ose me forcë. Ky profesor kishte një vajzë shumë të bukur. Një ditë, papritur vajza sëmuret dhe temperatura nuk i zbriste nën dyzet gradë. Të gjithë doktorët dhe spitalet që e vizituan, shprehnin habinë e tyre rreth këtij rasti me të cilin nuk ishin përballur më parë. Temperatura e vajzës nuk zbriste nën dyzet gradë dhe asnjë ilaç nuk i bënte dobi. Po të vazhdonte kjo gjendje, vajza edhe mund të vdiste.

Në këtë kohë, ky baba ateist filloi të tronditej rëndë nga sëmundja e vajzës. Ngaqë nuk ishte i

ndërgjegjshëm mbi atë që vepronte, ndonjëherë e merrte vajzën në fakultet me vete.

E shoqja e tij tregon: ”Një ditë hyra në dhomën e tij dhe e pashë me kokë në sexhde, duke thënë: ”Unë e di që më dëgjon, prandaj ose merrma vajzën përgjithmonë, ose ma shëro, ose më vdis mua!” - dhe qante me dënesë.” Që nga ajo ditë filloi të falej dhe të lutej. Me studentët filloi të korrigjojë gjithë mendimet ateiste të mëparshme dhe pohonte se All-llahu i Madhërishëm ekziston. Gjëja e bukur është se edhe vajza e tij në fund u shërua.

Është mirë që All-llahut të Madhërishëm t’i shkosh me dëshirën tënde dhe pa të detyruar.

Thotë All-llahu i Madhërishëm në Kur’an: ”Më pas, Ai i fali, me qëllim që të pendohen.” (Et-Teube: 118) Këtu shohim se Zoti i fali, me qëllim që të pendohen. Në ajetin e parë, Zoti të ndihmoi të pendohesh. Kurse në ajetin e dytë ta pranon pendimin.

Ademi [alejhis-selam] kur hëngri nga pema e ndaluar, filloi të vrapojë në Xhennet, ngaqë nuk dinte çfarë të bëjë. Ai dëshironte që Zoti ta falë, por nuk dinte çfarë duhej të bënte për këtë. Ishte vetë Zoti, Ai që ia mësoi pendimin dhe ia pranoi atë: “Dhe Ademi pranoi nga Zoti disa fjalë dhe Ai ia pranoi pendimin. Me të vërtetë që Ai është Pranues i pendimit, Mëshirues.” (El-Bekare: 37)

Fjalët që Zoti ia mësoi Ademit [alejhis-selam] ishin: ”O Zot, ne i bëmë padrejtësi vetes tonë dhe nëse nuk na fal dhe mëshiron, do të jemi të humbur.” (El-A’raf: 23)

Me t’i thënë Ademi [alejhis-selam] fjalët e mësipërme, Zoti i Madhërishëm ia pranoi pendimin dhe e fali.

Pendimi ka tre kushte që të pranohet tek All-llahu i Madhërishëm. Këto tre kushte janë të tilla që në një çast të vetëm mund t’i plotësosh:

  1. Të pendohesh dhe të bëhesh pishman për ato që ke bërë. Pendimi shoqërohet me thyerje të zemrës, lotim të syrit, kërkim falje prej Zotit…
  2. Të largohesh nga ato gjynahe që bëje më parë.
  3. Të jesh i vendosur që nuk do t’i veprosh më. Nuk ke përse t’i kthehesh më atij gjynahu, o vëlla dhe o motër. Nuk ke përse humbet jetën tjetër për këtë botë. Kjo botë në krahasim me jetën tjetër, është njëlloj si një flluskë sapuni në krahasim me një gur diamanti nga më të shtrenjtit. Kjo botë vlen sa disa qindarka, kurse jeta tjetër është një çek, mbi të cilin është shkruar shuma: ”Ata do të kenë çfarë të dëshirojnë, kurse Ne do t’u japim edhe shtesë.” (Kaf: 35)

Si ka mundësi që Zoti të pret të pendohesh, kurse ti vazhdon të refuzosh?!

Në kohën e Musait [alejhis-selam] ndodhi një thatësirë e madhe që nuk ishte parë më përpara. Të mbjellat u thanë, bagëtia filloi të ngordhë dhe njerëzit filloi t’i kërcënojë uria dhe etja.

Populli i Musait [alejhis-selam] u mblodhën një ditë, vajtën tek ai dhe i thanë: “O Musa, lute Zotin që të lëshojë shi nga qielli, pasi mund të vdesim.” Atëherë, Musai [alejhis-selam] e mblodhi popullin - rreth 70 mijë çifutë - dhe filloi të lutej, kurse populli thoshte “Amin!”, pas çdo lutje. Megjithatë, shiu nuk po binte. Atëherë, Musai [alejhis-selam] u drejtua nga qielli dhe tha: “O Zot, përse nuk po na lëshon shi, megjithëse t’u lutëm?!” Zoti i thotë: “O Musa, nuk do të bie shi, pasi në mesin tuaj është një burrë që ka dyzet vite që bën gjynahe pa iu skuqur fytyra një herë prej Meje. Nuk do të bjerë shi, derisa ai të dalë nga mesi juaj. Vetëm kur ai të dalë do të bjerë shiu.” Atëherë, Musai [alejhis-selam] i mblodhi të gjithë njerëzit dhe u tha: ”Nuk do të bjerë shi, derisa të largohet prej nesh ai që ka dyzet vite që bën gjynahe.”

Personi që kishte 40 vjet që bënte gjynahe, shikon njëherë majtas dhe djathtas se mos del dikush tjetër, por, kur pa se nuk lëvizi kush, e kuptoi se flitej për të. Në ato çaste të vështira për të, fillon të thotë me vete: “O Zot, ka dyzet vite që nuk të bindem dhe kam vazhduar me gjynahe dhe Ti më ke mbuluar dhe nuk e kanë marrë vesh njerëzit. O Zot, po të dal tani, do të dal i poshtëruar dhe, nëse nuk dal, do të vdesim nga etja. O Zot, unë në këto momente pendohem për ato që kam vepruar, prandaj më fal dhe m’i mbulo të metat.” Në atë çast filloi të bjerë shiu.

Musai [alejhis-selam] i habitur e pyeti Zotin: “O Zot, si ka mundësi që ra shiu, megjithëse nuk doli kush?” - “O Musa, – ia ktheu Zoti, - robi im që veproi gjynahe për dyzet vite, u pendua me sinqeritet në ato çaste dhe Unë ia pranova pendimin, prandaj filloi të bjerë shiu.” Musai [alejhis-selam] iu lut: “O Zot, të lutem ma trego se kush është ai njeri!” Por Zoti ia ktheu: “O Musa, ka dyzet vite që bën gjynahe dhe Unë ia kam mbuluar, kurse tani, që u pendua dhe i la gjynahet, Unë ta zbuloj dhe ta poshtëroj para njerëzve?!”

Tre kushteve të mësipërme për pranimin e pendimit, u shtohet edhe një i katërt, nëse gjynahu që ke vepruar, ka të bëjë me të drejtat e njerëzve. Nëse është kështu, duhet t’ua kthesh njerëzve të drejtën e mohuar.

Vallë, cila është dita më e bukur në jetën tënde? Mos është dita kur u martove, apo dita kur u bërë baba?

Dita më e bukur në jetën tënde, nuk mund të jetë veçse dita në të cilën All-llahu i Madhërishëm të pranon pendimin dhe të fal.

Në betejën e Tebukut, Kab ibn Maliku mungoi pa arsye. Për këtë, Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] e ndëshkoi, duke urdhëruar të gjithë muslimanët të mos i flasin. Kur All-llahu i Madhërishëm ia pranoi pendimin, gjë që e shpalli në Kur’an, të gjithë njerëzit dilnin rrugës dhe e thërrisnin: “O Kab, All-llahu ta pranoi pendimin...” Të gjithë njerëzit e takonin rrugës dhe e uronin.

Tregon vetë Kabi: “Kur hyra në xhami, Talha ibnu Ubejdull-llah u çua dhe më përqafoi. Ishte i vetmi nga muhaxhirët që më përqafoi dhe nuk ia harroj këtë. Kur më pa Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], duke ma bërë me shenjë, më tha: ”Afrohu!” - dhe fytyra i ndriste si hëna. Kur u afrova pranë tij më tha: ”Ulu!” - dhe unë u ula. Më pas, Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] më tha: ”O Kab, gëzohu me ditën më te bukur që kur të ka lindur nëna. All-llahu i Madhërishëm ta pranoi pendimin.”

O vëlla, pendohu nga të gjitha gjynahet që ke bërë. Sa herë që pendohesh, Zoti të fal dhe ta pranon pendimin.

Në një hadith Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë: “Një njeri bëri një gjynah dhe tha: ‘‘O Zot, unë bëra një gjynah, prandaj më fal.’’ Zoti i thotë: ‘‘E kuptoi robi Im që ka një Zot, i Cili fal gjynahet dhe ndëshkon për to, prandaj ia kam falur robit Tim.’’ Më pas bëri një gjynah tjetër dhe tha: ‘‘O Zot, unë bëra një gjynah, prandaj më fal.’’ Zoti i thotë përsëri: ‘’E kuptoi robi Im që ka një Zot, i Cili fal gjynahet dhe ndëshkon për to, prandaj ia kam falur robit Tim.’’ Më pas bëri një gjynah tjetër dhe tha: ‘‘O Zot, unë bëra një gjynah, prandaj më fal.’’ Zoti përsëri tha: ‘’E kuptoi robi Im që ka një Zot, i Cili fal gjynahet dhe ndëshkon për to, prandaj ia kam falur robit Tim. Le të veprojë ç’të dojë robi Im, përderisa më kërkon falje.”

Ndodh shpesh se kur një njeri vepron gjynah pas gjynahu, i vjen zor të pendohet. Për këtë, Zoti i Madhërishëm të këshillon të veprosh punë të mira. Nëse të vjen zor të pendohesh, ngaqë sa herë pendohesh u kthehesh përsëri gjynaheve, atëherë vepro një punë të mirë, pas çdo gjynahu: “Me të vërtetë që punët e mira, i fshijnë ato të këqiat.” (Hud: 114)

O vëlla dhe o motër, këto që permendëm dhe që i lexove, janë prova për ty ose kundër teje Ditën e Kijametit.

 

quot;,

Submitting your vote...
Not rated yet. Be the first who rates this item!
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

29/09/2020
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
04:57 06:2912:3815:5618:3519:56

Urtësi Profetike

Gjërat që i çojnë njerëzit

më shumë në Xhennet

janë devotshmëria

dhe mirësjellja.


Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook