Falja gjatë netëve të Ramazanit


Ebu Hurejre (r.a.) transmeton se profeti (a.s.) ka thënë: “Ai i cili falet gjatë netëve të Ramazanit me besim dhe duke shpresuar shpërblimin, i falen të gjitha mëkatet që i ka bërë më parë.”[1]

 

Shpjegimi i hadithit:

 

Ky hadith profetik flet për faljen e namazit gjatë netëve të muajit Ramazan dhe se falja gjatë netëve të Ramazanit është shkak për shlyerjen e mëkateve. Ai i cili gjatë muajit të Ramazanit e fal namazin e teravive ashtu siç duhet, ai në të vërtetë ia ka arritur qëllimit. Që atij t’i falen mëkatet duhet që të plotësojë kushtin: “me besim dhe duke shpresuar shpërblimin”.

“Me besim” do të thotë: në momentin që ai po falet, beson Allahun dhe të Dërguarin e Tij, beson në atë që Allahu ka premtuar, beson në vlerën që ka falja dhe beson në shpërblimin e madh që i jep Allahu i Lartësuar.

“Duke shpresuar shpërblimin” do të thotë: ai shpreson që të shpërblehet nga Allahu për këtë që po vepron. Dhe në të njëjtën kohë nuk ka asnjë synim tjetër, si p.sh. të falet sa për sy e faqe të të tjerëve.

Në këtë hadith profetik Ebu Hurejra transmeton se profeti (a.s.) i ka nxitur shokët e tij që të falin namazin e teravive, sepse edhe shpërblimi i tij është shumë i madh.

Muslimani duhet që ta falë namazin e teravisë dhe nuk duhet të neglizhojë aspak. Ai duhet të falet bashkë me imamin deri në fund sado që të jetë numri i rekateve që fal imami, sepse profeti (a.s.) thotë: “Ai i cili falet me imamin derisa ai të largohet, i quhet sikur ka falur tërë natën.”[2] Prandaj ai i cili është i mençur i shfrytëzon këto netë në maksimum, pasi këto netë janë të numëruara dhe shumë shpejt mbarojnë. Është pyetur imam Ahmedi rreth atij personi që dëshiron t’i falë teravitë në pjesën e fundit të natës. “Jo, – është përgjigjur ai, unë preferoj që të ndjek sunetin e muslimanëve.”

Nëse muslimani dëshiron që të falet në kohën e syfyrit, atëherë ai nuk e fal vitrin përsëri, sepse e ka falur një herë vitrin me imamin në namazin e teravive, ngaqë profeti (a.s.) ka thënë: “Njeriu nuk mund të falë dy namaze të vitrit në një natë”[3]

Në një hadith profeti (a.s.) thotë: “Namazi i fundit që duhet të falë njeriu natën është namazi i vitrit.”[4] Ky hadith flet për atë person që dëshiron të falet në pjesën e fundit të natës, kështu që nuk ka përse ta falë namazin e vitrit në pjesën e parë të natës. Gjithsesi falja e namazit të vitrit në pjesën e fundit të natës konsiderohet sunet dhe jo obligim. Imam Ahmedi ka thënë: “Ai i cili e ka falë namazin e vitrit në pjesën e parë të natës, pastaj zgjohet në pjesën e fundit të natës për të falë namazin e natës dy e nga dy, nuk duhet ta falë më namazin e vitrit.”

Imami duhet të jetë sa më i përkushtuar në faljen e namazit të teravive, duhet të lexojë Kuran sa më qartë dhe me rregulla, në ruku dhe në sexhde duhet të jetë sa më i qetë. Ai duhet të bëjë shumë kujdes që në asnjë mënyrë të mos nxitojë, sepse kështu i humb vlera qetësisë dhe përkushtimit gjatë faljes së namazit. Po ashtu ai duhet të ketë kujdes që të mos bëhet i mërzitshëm dhe të mos e lodhë xhematin, sepse pjesë e xhematit janë të moshuarit dhe njerëz të sëmurë e të pafuqishëm. Saib ibnu Zejd thotë: “Prijësi i besimtarëve Omeri urdhëroi Ubej ibnu Ka’bin dhe Temim Ed Darin që të falnin teravitë me nga 11 rekatë si imamllarë. Mirëpo, në namaz ata lexonin suret që kanë 200 ajete, kështu që nga lodhja ne u mbështetnim tek shkopat, dhe si rrjedhojë namazi përfundonte në prag të agimit.”

Në përfundim të namazit të vitrit, muslimani duhet të thotë tre herë: “Subhanel Melikil Kud dusi” në leximin e këtij dhikri e zgjat zërin, ndërsa në herën e tretë e ngre zërin. Një veprim i tillë transmetohet nga profeti (a.s.)[5]

Pjesëmarrja e grave në namazin e teravive nuk përbën ndonjë problem nëse ato ndjekin normat dhe rregullat e Sheriatit. Ato duhet të jenë të përkushtuara në namaz dhe duhet të lënë mënjanë fjalët boshe, thashethemet dhe përgojimet, që të përfitojnë nga shpërblimi i Allahut.

 

 

 


[1]  Transmetojnë imam Buhariu dhe imam Muslimi.

[2]  Transmetojnë imam Ebu Daudi, imam En Nesai dhe imam Et Tirmidhiu. Imam Et Tirmidhiu ka thënë: hadithi është hasen i saktë.

[3]  Transmetojnë imam Ebu Daudi, imam Et Tirmidhiu, En Nesai dhe imam Ahmedi. Hadithi është i saktë.

[4]  Transmetojnë imam Buhariu dhe imam Muslimi.

[5] Transmetojnë imam Ebu Daudi, En Nesai, Ibnu Maxheh dhe Ahmedi. Hadithi është i saktë.

Submitting your vote...
Not rated yet. Be the first who rates this item!
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

27/05/2022
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
03:07 05:0812:4516:4120:0921:56

Hadithe

“Kush e agjëron Ramazanin

me besim dhe duke

llogaritur shpërblimin

(tek Allahu i Lartësuar),

atij i falen mëkatet e kaluara”

 


Ramazan 2022 / 1443

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook