By: Hemam Abdurrahim Seid

Ftesa në rrugë të Allahut është rruga e shpëtimit në dynja dhe ahiret


Ftuesi në rrugë të Allahut duhet të dijë, se Allahu i Lartësuar e ka krijuar njeriun, që ai ta adhurojë Atë, duke u bazuar tek ajeti kuranor: “Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër, por vetëm që të më adhurojnë”([1]). Adhurimi kryhet në bazë të fakteve të qarta, të cilat duhet të jenë në përputhje me ligjin e Allahut, që Ai ia zbriti profetëve dhe të dërguarit të Tij. Profetët dhe të dërguarit ishin ftues, të cilët orientonin për tek e vërteta. Ky ka qenë roli i tyre për të përmbushur vullnetin e Allahut, i Cili e krijoi Ademin si mëkëmbës në tokë, për të gjykuar me ligjin e Allahut dhe për të zbatuar urdhrin e Tij. Allahu i Lartësuar thotë: “(Përkujto Muhammed) Kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë po krijoj (po përcaktoj) në tokë një mëkëmbës”([2])! Pra, vullneti i Allahut - me krijimin e njeriun - ishte, që ai (njeriu) të jetë i angazhuar me Sheriatin e Tij. Allahu thotë: “Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër, por vetëm që të më adhurojnë”([3]).

Imam Razi thotë: “Pyetjes: "Cili është adhurimi, për të cilin janë krijuar xhindet dhe njerëzit"? i përgjigjemi: "Madhërimi i urdhrit të Allahut dhe dhembshuria për krijesat e Tij”([4]). Më pas ai vijon: “Duke qenë se madhërimi - që i takon Të Madhëruarit e të Nderuarit - nuk mund të perceptohet me anë të logjikës, atëherë është e domosdoshme të ndiqen ligjet fetare dhe të merren për bazë thëniet e profetëve (a.s). Allahu i Lartësuar i ka begatuar robërit e Tij, duke iu dërguar profetë dhe duke ua sqaruar njerëzve rrugët specifike të adhurimit”([5]). Kjo ndarje specifike e adhurimit është konçize dhe gjithëpërfshirëse.

Ftesa në rrugë të Allahut është manifestimi më i qartë i madhërimit të Tij. Ai, i cili fton në një ide apo qëllim - duke sakrifikuar për realizimin e saj - e bën këtë, sepse është i frymëzuar me atë qëllim apo ide. Ai i cili fton në një ide sakrifikon për të, ndërsa më pas vjel frutet e saj.

Tek ftesa në rrugë të Allahut shohim një argument për dhembshurinë ndaj robërve të Allahut, sepse ftuesi musliman dëshiron:

1) t’i nxjerrë njerëzit nga gjendjet e përçarjes dhe hutimit - që janë vendosur nga sistemet joislame - tek frymëmarrja e fesë, tek hapësira e saj e madhe dhe tek sistemet e saj garantuese për të sjellë lumturi tek njerëzit,

2) t`i nxjerrë njerëzit nga Zjarri për në Xhenet.

Këto dy qëllime fisnike të adhurimit, janë gjithashtu pjesë e qëllimeve të ftesës në rrugë të Allahut dhe shpëtimi varet nga këto dy qëllime.

Profetët dhe të dërguarit e Allahut i janë përmbajtur urdhrit të Tij për t`i ftuar njerëzit tek Allahu dhe janë kujdesur që t`i përmbahen qëllimit të krijimit të tyre (njerëzve). Çdo profet i nderuar ka qenë tepër i angazhuar, që t`i ftojë njerëzit tek ky shpëtim. Kurani na njofton për konfliktet, që kanë ndodhur mes profetëve dhe popujve të tyre, duke theksuar se ftuesit janë ata që shpëtojnë ndërsa ata që shkatërrohen, janë zullumqarët dhe të pabindurit.

Përfundimi i historisë së Nuhut (a.s) me popullin e tij ishte:

“E ata (populli i tij) e konsideruan atë gënjeshtar e Ne e shpëtuam atë dhe ata që ishin bashkë me të në anije, dhe i bëmë që ata të jenë pasardhës (zëvendësues), kurse ata që i përgënjeshtruan ajetet tona i përmbytëm. Shih pra, si ishte fundi i gënjeshtarëve”([6]).

Përfundimi i historisë së Hudit (a.s) me popullin e tij ishte:“E kur arriti vendimi Ynë (për dënim), Ne me mëshirën Tonë e shpëtuam Hudin, e bashkë me të edhe ata që kishin besuar. Ne i shpëtuam ata  prej dënimit të rëndë”([7]).

Përfundimi i historisë së Salihut (a.s) me popullin e tij ishte):

 “E kur erdhi vendimi Ynë (për dënim), Ne e shpëtuam Salihun nga poshtërimi i asaj dite, e bashkë me të, edhe ata që besuan. Zoti yt është ai i Fuqishmi, Ngadhënjyesi”([8]).

Përfundimi i historisë së Lutit (a.s) me popullin e tij ishte):

“(engjëjt) Thanë: “O Lut, ne jemi të dërguarit e Zotit tënd, ata (populli yt) nuk kanë për t’u afruar te ti, e ti nga fundi i natës udhëto me familjen tënde dhe askush prej jush të mos vështrojë mbrapa (familja do të shpëtojë), përveç gruas tënde, ajo do të jetë e goditur me atë që do të goditen edhe ata. Afati i tyre është mëngjesi, a nuk është mëngjesi afër? Kur erdhi urdhri ynë, Ne e përmbysëm atë duke kthyer çdo gjë nga lart poshtë, dhe mbi të reshëm gurë të fortë pa ia nda”([9]).

Përfundimi i historisë së Shuajbit (a.s) me popullin e tij ishte:

“E kur erdhi urdhri Ynë, Ne me mëshirën tonë e shpëtuam Shuajbin dhe bashkë me të edhe ata që besuan, ndërsa zullumqarët i kapi britma e tmerri, duke gdhirë në vendin e tyre kufoma të gjunjëzuara”([10]).

Përfundimi i historisë së Musait (a.s) me faraonin dhe popullin e tij ishte:

“Atëherë ndërmorëm kundër tyre dhe i fundosëm në det, ngase përgënjeshtruan argumentet Tona dhe nuk çanë kokën për to. E atij populli që ishte i nënshtruar, i trashëguam lindje e perëndim të tokës, që Ne e bekuam (me të mira), ndërsa për durimin që patën, u plotësua fjala më e mirë (premtimi i vërtetë) e Zotit ndaj beni israilëve; rrënuam atë që bënte faraoni i tij, si dhe atë që kishin ndërtuar ata”([11]).

Përfundimi i historisë së fshatit që ishte buzë detit ishte:

“E kur braktisën atë për të cilën ishin këshilluar, Ne i shpëtuam ata që pengonin nga të këqijat, ndërsa ata që kundërshtuan i kapëm me një dënim të fortë, ngase ishin të shfrenuar”([12]).

Të gjithë këto ajete vërtetojnë, se të shpëtuarit kanë qenë pikërisht ftuesit në rrugë të Allahut. Ky është premtimi i Allahut të Lartësuar për besimtarët. Allahu i Lartësuar thotë: “E Ne pastaj i shpëtojmë të dërguarit tanë edhe ata që besuan. Ja kështu është detyrë Jonë, t’i shpëtojmë besimtarët”([13]). Kështu pra, shpëtimi i besimtarëve - të cilët ftojnë në rrugë të Allahut - vjen, për shkak të premtimit dhe vendimit (që Allahu u ka dhënë atyre)”([14]).

Sejid Kutub (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Ky është ligji i Allahut në tokë dhe ky është premtimi, që Ai i ka dhënë miqve të Tij. Nëse ndonjëherë besimtarëve iu duket rruga e gjatë, ata duhet ta dinë mirë, se kjo është e vetmja rrugë dhe le të jenë të bindur, se e ardhmja dhe përfundimi i mirë është vetëm për besimtarët. Gjithashtu nuk duhet të ngutemi për të parë premtimin e Allahut, para ai të vijë. Ai (premtimi) është duke ardhur dhe Allahu nuk i mashtron robërit e Tij, por me fuqinë e Tij i ndihmon e nuk i lë ata në duart e armiqve të Tij, përkundrazi Ai i mëson, i disiplinon dhe i pajis ata - gjatë sprovës - me mjetet e përshtatshme për rrugë”([15]).

 

Nuk ka humbje për shkak të ftesës islame: 

Ftesa islame nuk është lodhje, humbje, këputje apo dhimbje, ashtu siç mund të mendojnë disa njerëz. Megjithëse në të ndjehet lodhja dhe vuajtja, ajo ka shije të ëmbël dhe është e shtrenjtë për zemrën. Për këtë arsye, ithtarët e saj sakrifikojnë për të - pak ose shumë -, pranojnë që të ndëshkohen dhe për shkak të saj edhe vdekjen e konsiderojnë jetë. Këta janë më të ëlumtur, sesa njerëzit që nuk angazhohen me të. Përfundimi është: shpëtimi për ta dhe diafata për të tjerat. Ftesa është e vazhdueshme, ndërsa çdo gjë tjetër mbaron.

 

Ftesa e Muhamedit (a.s) është siguri për njerëzimin:

Nga konteksti i ajeteve kuranore të sipërpërmendura - të cilat flasin për "luftrat" që janë zhvilluar ndërmjet profetëve dhe popujve të tyre - vërehet se ata që kanë përgënjeshtruar, janë shfarosur të gjithë nga ndëshkimi i Allahut, dhe asnjë nuk ka mbetur prej tyre. Me ardhjen e profetit Muhamed (a.s), nuk kiste më shfarosja në masë nëpërmjet tufanit, rrufesë apo erës së fortë. Kjo u bë, për nder të këtij Umeti, që nuk mbetet pa dikë, i cili fton (në rrugë të Alahut) apo nuk mbetet pa ndonjë grup, që përçon mesazhin e Allahut tek njerëzit, derisa të triumfojë çështja e Allahut. Ky grup janë ftuesit, në dorën e të cilëve Allahu ka vendosur shpëtimin e Umetit nga shkatërrimi i përgjithshëm. Kur në tokë të mos mbetet asnjë prej këtij grupi të nderuar, atëherë do të ndodhë Kijameti. Këtë fakt e dëshmojnë shumë hadithe profetike:

Profeti (a.s.) ka thënë: “Dita e Kijametit ka për të ndodhur, kur në tokë të kenë mbetur vetëm njerëzit e këqinj”([16]).

Profeti (a.s) ka thënë në një hadith tjetër: “Kijameti nuk do të bëhet mbi atë person, i cili thotë: "Allah”, ndërsa në një transmetim tjetër thuhet: “(Kijameti do të bëhet) kur në tokë të mos thuhet Allah”([17]).

Profeti (a.s) thotë gjithashtu: “Njerëzit e devotshëm (e mirë) do të vdesin një e nga një. Ata që do të ngelen, janë llumi i shoqërisë, tamam si krundet e hurmës arabe apo të elbit dhe Allahu as që do të kujdeset fare për ta”([18]).

Këto hadithe dëshmojnë qartë, se Dita e Kijametit do të ndodhë, atëherë kur ftesa islame dhe ftuesit nuk do të jenë më. Pra, Allahu i Lartësuar e nderon njerëzimin me prezencën e ftesës dhe ftuesve muslimanë. Përderisa ftesa dhe ftuesit vazhdojnë të ekzistojnë, atëherë edhe qëllimi i krijimit të njeriut në tokë do të vazhdojë të ekzistojë. Me mosekzistencën e ftesës dhe ftuesve muslimanë, njeriu e nuk do të ekzistojë më  në tokë.

 

Pra njeriu midis fillimit dhe mbarimit:

I pari: ajeti kuranor “(Përkujto Muhammed) Kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë po krijoj (po përcaktoj) në tokë një mëkëmbës”([19])!

I dyti: thënia profetike: “Allahu dërgon një erë nga Jemeni që është më e butë se mëndafshi. Kjo erë ia merr shpirtin çdo personi, i cili ka në zemrën e tij, qoftë edhe një grimcë besim”([20]).

Imam Muslimi transmeton, se Abdurrahman ibn Shemase ka thënë: "Isha tek Mesleme ibn Muhaled, tek i cili gjendej Abdullah ibn Amr ibnul As (r.a). Abdullahu tha: “Dita e Kijametit do të ndodhë vetëm tek njerëzit e këqinj. Ata janë më të këqinj se injorantët e periudhës paraislame. Atyre nuk iu pranohet asnjë lutje". Ndërkaq, hyri Ukbe ibn Amir (r.a). Meslemeja iu drejtua me këto fjalë: "O Ukbe, dëgjo çfarë thotë Abdullahu". Ukbe (r.a) u përgjigj: "Ai është më i ditur se unë" dhe pastaj vijoi: "Unë kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s), duke thënë: “Në Umetin tim do të jetë gjithmonë një grup, i cili lufton) për çështjen e Allahut, Ata (grupi) janë triumfues ndaj armiqve të tyre dhe nuk dëmtohen nga ata që i kundërshtojnë. Kjo gjendje do të vazhdojë të jetë e tillë), derisa të vijë Dita e Kijametit...". Abdullahu (r.a) tha: "Po kështu është" dhe më pas vijoi: "Allahu do të dërgojë një erë si era e miskut, prekja e së cilës do të jetë më e butë se prekja e mëndafshit. Kjo erë nuk do të lërë askënd gjallë që më zemër ka patur një grimcë besimi. Më pas do të mbeten njerëzit më të këqinj, të cilët do ta përjetojnë Kijametin”[21].

Tek ky transmetim vërejmë se  deri në Ditën e Kijametit do të ketë akoma besimtarë. Gjithashtu vërejmë se Kijameti do të ndodhë vetëm mbi njerëzit e këqinj. Pra, domethënia e prezencës së besimtarëve deri në Ditën e Kijametit do të thotë, se ajo do të jetë gjallë pak përpara, se të ndodhë Kijameti.

I këtij mendimi është edhe imam Neveviu, i cili kur ka sqaruar hadithin: “Allahu do të dërgojë një erë nga Jemeni...”, ka thënë: "Përsa i përket hadithit tjetër të Profetit (a.s): “Një grup nga Umeti im do të vazhdojë të jetë në të vërtetën, deri në Ditën e Kijametit” midis këtyre dy haditheve nuk ka kundërthënie, sepse kuptimi është, se ata (grupi triumfues) do të vazhdojnë të jenë në të vërtetën, derisa të vijë era që do t`ua marrë shpirtrat”([22]).

Duke qenë se ftuesi sakrifikon në rrugë të Allahut dhe përballet me armiqtë e Islamit,- janë këto komponentë-  është i aftë për t’u përballuar  me sulmet e furishme të tyre. Kështu që  ai - me lejen e Allahut - është i ndihmuar dhe do të shpëtojë, ndërsa armiku i tij do të jetë i poshtëruar dhe i shkatërruar.

Kur flasim për shpëtim, nuk kemi për qëllim shpëtimin e individit nga torturat dhe vuajtjet, por ajo që kemi për qëllim është që në fund të triumfojë xhemati apo ideja. Përsa i përket botës tjetër, imazhi i shpëtimit është mirësi e vazhdueshme dhe shpërblimi me Xhenet, gjerësia e të cilit është sa gjerësia e qiejve dhe tokës. Në të (në Xhenet) ka gjëra, që syri nuk i ka parë, veshi nuk i ka dëgjuar dhe as mendja nuk mund t`i imagjinojë.

 


[1] - Sure Edh Dharijatë: 56

[2] - Sure El Bekare: 30

[3] - Sure Edh Dharijatë: 56

[4] - Marrë nga Tefsiri i Raziut.

[5] - Marrë nga Tefsiri i Raziut.

[6] Sure Junus: 73

[7] Sure Hud: 58

[8] Sure Hud: 66

[9] Sure Hud: 81-82

[10] Sure Hud: 94

[11] Sure A’rafë: 136-137

[12] Sure A’raf: 165

[13] Sure Junus: 103

[14] Marrë nga tefsiri i imam Raziut.

[15] Marrë nga libri “Nën Hijen e Kuranit”

[16] Muslimi

[17] Muslimi

[18] Muslimi

[19] Sure El Bekare: 30

[20] Muslimi

[21] Muslimi

[22] Marrë nga shpjegimi i haditheve të imam Muslimit.

Submitting your vote...
Not rated yet. Be the first who rates this item!
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

19/07/2019
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
03:18 05:1812:5416:5020:1722:04

Urtësi Profetike

Gjërat që i çojnë njerëzit

më shumë në Xhennet

janë devotshmëria

dhe mirësjellja.


Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook