Gjykimi për sexhden që i bëhet dikuj përveç Allahut xh.xh.


بسم الله الرحمن الرحيم

 

I nderuar shejh - Allahu ju ruajtë! Gjatë kërkimeve të mia shkencore rreth jetës së imam Dhehebiut dhe veprave të tij, kam hasur në librin e tij “Muxhemu`sh-Shujukh”, (1/73) si vijon: “Nga dashuria e madhe që sahabët kishin për të Dërguarin e Allahut (Paqja qoftë mbi të) i thanë atij: “Përse mos të të biem në sexhde ty”? Ai (Paqja qoftë mbi të) u tha: “Jo”. Nëse i Dërguari  Allahut (Paqja qoftë mbi të) do t`i lejonte të bënin sexhde për të, kjo sexhde do të ishte sexhde vlerësimi dhe nderimi e jo sexhde adhurimi. Kjo sexhde do të ishte si sexhdeja që vëllezërit e Jusufit (Paqja qoftë mbi të) i bënë Jusufit. Kështu themi edhe për atë sexhde, që muslimani ia bën varrit të të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të) në shenjë vlerësimi dhe nderimi. Nëse muslimani e bën këtë, ai absolutisht nuk ka bërë kufër (mohim), por nuk ka dyshim, se me këtë veprim që bën, ai është mëkatar i madh”. Këtu mbaron citati i imam Dhehebiut.

 

Unë nuk i kuptova qartë këto fjalë të imam Dhehebiut, sidomos fjalët: “Kështu themi edhe për atë sexhde, që muslimani ia bën varrit të të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të) në shenjë vlerësimi dhe nderimi. Nëse musliman e bën këtë, ai absolutisht nuk ka bërë kufër (mohim), por nuk ka dyshim, se me këtë veprim që bën, ai është mëkatar i madh”. Cili është gjykimi që imam Dhehebiu jep për sexhden që u bëhet varreve dhe cili është mendimi i dijetarëve të tjerë në lidhje me këtë çështje? Fjala e imam Dhehebiut, a është në kundërshtim me fjalën e të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të): “Allahu i ka mallkuar hebrenjtë dhe të krishterët, për shkak se varret e profetëve (Paqja qoftë mbi ta) i bënë faltore”. [Buhariu (1130) dhe Muslimi (531)] Allahu ju shpërbleftë dhe ju bëftë të dobishëm për muslimanët!

 

Falënderimi i përket vetëm Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të Dërguarin e Tij, mbi familjen dhe shokët e tij...

 

Fillimisht duam të vëmë në pah, se Dhehebiu (Allahu e mëshiroftë) ka përcaktuar në mënyrë kategorike se për çdo rast, ai që i bën sexhde varrit të të Dërguari të Allahut (Paqja qoftë mbi të), është mëkatar i madh, prandaj ata që adhurojnë varret apo vendet “e mira”, nuk mund të gjejnë pretekst për të argumentuar veprimet e tyre me fjalët e imam Dhehebiut.

 

Dijetarët kanë mendim unanim se sexhdeja që i bëhet dikujt përveç Allahut, është e ndaluar (haram), por ata kanë mospajtime rreth faktit, nëse person që bën sexhden konsiderohet jobesimtar, apo merret parasysh nijeti dhe synimi i personit që e bën një sexhde të tillë. Imam Dhehebiu nuk e ka konsideruar jobesimtar një person, që i bën sexhde varrit të të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të), por e ka trajtuar çështjen në varësi të qëllimit të personit, kur ai bën sexhden. Nëse ai e ka bërë këtë sexhde në shenjë nderimi dhe vlerësimi për të Dërguarin e Alahut (Paqja qoftë mbi të), ai nuk konsiderohet se ka bërë kufër. Ama nëse personi e ka bërë sexhden si adhurim ndaj tij (Paqja qoftë mbi të), atëherë nuk ka dyshim se ky person ka bërë kufër. Nuk ka pikë dyshimi dhe asnjë paqartësi rreth faktit, se sexhdeja që i bëhet dikujt përveç Allahut është një veprim i ndaluar.

 

Në librin “Mexhmu`l-Fetava”, Shejhul Islam Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Muslimanët kanë mendim unanim. se sexhdeja që i bëhet dikujt tjetër - përveç Allahut - është veprim haram (i ndaluar)”. Ai thotë gjithashtu: “Nuk lejohet t`i bëhet sexhde askujt përveç Allahut, pa marrë parasysh nëse personat, të cilëve u bëhet sexhde, janë të gjallë apo të vdekur, ashtu siç nuk lejohet të puthen varret. Ai që bën veprime të tilla, meriton të edukohet”. [Mexhmu`l-Fetava, (4/16)]

Argumenti se sexhdeja që i bëhet dikujt - qoftë edhe varrit të të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të) - përveç Allahut është e ndaluar, përcaktohet qartë nga hadithi i Kajs ibn Sadit (Allahu qoftë i kënaqur me të) i cili ka thënë: “Kur shkova në Hirah (qytet në Mesopotami), pashë banorë te këtij qyteti t`i bënin sexhde komandatit të tyre. Unë thashë me vete: “I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) e meriton t`i bëhet sexhde më shumë sesa ky”. Kur shkova tek i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) i thashë: “Në Hirah kam parë banorët, duke i bërë sexhde një komandati tek varri. Ti - o i Dërguari i Allahut - e meriton më shumë se kushdo tjetër, që të të bëjmë sexhde”. I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) më pyeti: “Nëse ti do të kalosh pranë varrit tim, a do t`i bëje sexhde atij”? Unë i thashë: “Jo”. I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) tha: “Mos më bëni sexhde mua, as kur jamë gjallë dhe as pasi të ndërroj jetë”. Hadithin e transmeton Ebu Daudi (2140) dhe Albani e vlerëson si hadith të vërtetë.

 

Ky hadith nënkupton, se ndonjëri prej sahabëve e mendonte si mund t`i bësh sexhde nderimi dhe vlerësimi të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të) kur ai ishte gjallë, por asnjëri prej tyre nuk e pranonte t`i bënte sexhde varrit të tij (Paqja qoftë mbi të), sepse vetë i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ua ndaloi një veprim të tillë.

 

Kur Muadh ibn Xhebeli (Allahu qoftë i kënaqur me të) u kthye nga Shami, ai ra në sexhde para të të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të), i cili i tha: “Ç`është ky veprim që bëre, o Muadh”. Muadhi i tha: “Kur shkova në Sham, pashë njerëzit që u binin në sexhde peshkopëve dhe patriaktëve. Unë thashë me vete: “Pse të  mos e bëjmë këtë veprim edhe me të Dërguarin e Allahut (Paqja qoftë mbi të)”! I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) i tha: “Mos e bëni kurrë një veprim të tillë (për askënd)”. Hadithin e transmeton Ibn Maxheh (1853) dhe Albani e vlerëson si hadith të vërtetë.

 

Këto hadithe janë argument, se kur në person i bën sexhde dikujt, pa pasur si qëllim adhurimin, nuk ka bërë kufër (nuk ka mohuar) thjesht me këtë veprim. Megjithatë, edhe dallimi që ka bërë Dhehebiu për rastet kur i bëhet dikujt sexhde përveç Allahut është një çëshjte e debatueshme mes dijetarëve. Disa prej tyre e pranojnë këtë ndarje të imam Dhehebiut, ndërsa disa të tjerë kanë thënë se kushdo që i bën sexhde dikujt tjetër përveç Allahut ka bërë kufër, pa marrë parsysh nijetin e tij.

 

Nga dijetarë që e përkrahin ndarjen e bërë nga Dhehebiu, është edhe imam Sheukani. Autori i librit “Mukhtesaru`l-Ez`har” thotë: “Njeriu konsiderohet se ka dalë nga Islami, nëse përqafon një aspekt doktrinar kufri (mohimi), nëse bën një veprim kufri, apo vesh një rrobë specifike fetare joislame, apo thotë një fjalë kufri. Nëse nuk ka bindje për këto, apo thjesht i tregon si gjëra, apo i thotë nën presionin e dhunës, atëherë nuk konsiderohet se ka bërë kufër. Këtu përfshihet edhe sexhdja që i bëhet dikujt përveç Allahut (në shenjë nderimi)”.

 

Në librin e tij “Sejlu`l-Xherar”, imam Sheukani thotë: “Dije, se të gjykosh për një musliman se ka dalë nga feja dhe është jobesimtar, është një veprim që nuk duhet ta ndërmarrë ai që beson Allahun dhe Ditën e Fundit. Këtu përjashtohet rasti, kur gjykatësi ka argumente më të qarta se dielli në kupë të qiellit, se njeriu ka bërë një veprim që e nxjerr nga Islami... Nuk konsiderohen jomuslimanë ata, të cilët për shkak të injorancës kanë përqafuar bindje të gabuara, që janë në kundërshtim me Islamin, as nuk merret në konsideratë rasti, kur një person bën një veprim kufri (mohimi), por në të vërtetë nuk ka pasur si qëllim të dalë nga Islami dhe të përqafojë kufrin. Përsa i përket fjalëve “Pjesë e kësaj është edhe sexhdeja që i bëhet dikujt tjetër përveç Allahut”, duhet theksuar se një përson që bën një sexhde të tillë, konsiderohet jomusliman kur ka si synim adhurimin e atij që i bën sexhde. Nëse ka këtë synim, atëherë ai ka bërë shirk dhe i ka përcaktuar ortak Allahut të Madhëruar. Përsa i përket sexhdes që bëhet në shenjë madhërimi apo nderimi, siç ndodh rëndom me njerëzit që paraqiten para mbretërve dhe puthin tokën në shenjë nderimi ndaj tyre, kjo nuk ka asnjë lidhje me kufrin (mohimin). Dijetarët e dinë rrezikun që ka konsiderimi i tjetrit si jobesimtar, për shkak të veprimeve që në pamje duken si kufër, prandaj duhet të ruhen nga cilësime të tilla”.

Në librin “Tebjinu`l-Hakaik”, dijetari hanefi Zejlai thotë: “Veprimi që bëjnë disa njerëz, të cilët puthin tokën para dijetarëve, është i ndaluar. Si ai që e bën dhe ai që e pranon apo hesht para një veprimi të tillë, është mëkatar i madh, pasi përngjason veten idhujt. Dijetari Sadrusheria ka thënë, se njeriu që e bën një sexhde të tillë, nuk konsiderohet jobesimtar, pasi nuk ka si synim adhurimin, por përshëndetjen”. Këtë gjë e ka pohuar edhe Ibn Nuxhejmi në librin e tij “El-Bahru`rr-Rraik”.

 

Në librin “Metalib Uli`n-Nuha”, me autor Rahibani (dijetar shafi`i), në kapitullin e apostazisë ai thotë: “Nëse muslimani i bën sexhde një idhulli apo planeti, si dielli apo hëna, ai ka bërë kufër, pasi i ka bërë shok Allahut. Nëse i bën sexhde qeveritarëve dhe të vdekurve, duke pasur si synim adhurimin e tyre, ka bërë kufër dhe për këtë kemi mendim unanim të të gjithë muslimanëve. Ndërsa sexhdeja për nderim apo përshëndejte që i bëhet një krijese, është një nga mëkatet e mëdha. Nëse sexhdeja i bëhet një të gjalli apo të vdekuri, por pa e përcaktuar synimin, gjithsesi është mëkat shumë i madh dhe i kobshëm. Sexhde i bëhet vetëm Allahut të Madhëruar”. Po në këtë libër, në kapitullin që flet për kushtet e pranimit të dëshmisë, autori përmend se sexhdeja që i bëhet dikujt tjetër përveç Allahu, është një nga mëkatet më të mëdha.

 

Në librin “Tuhfetu`l-Habib”, dijetari shafi`i Buxhejrami thotë: “Ai që e bën sexhden para dijetarëve dhe shehlerëve, nuk e konsideron madhështinë e tyre si të Allahut, pra nuk i konsideron ata si meritues të adhurimit. Nëse ka për synim këtë gjë (adhurimin e tyre), atëherë ai ka bërë kufër”.

Në librin “Nihajetu`l-Muhtaxh”, Remli thotë: “Ibn Salahu ka thënë: “Sexhdeja që bëjnë pjesa më e madhe e njerëzve të varfër para shehlerëve, është nga mëkatet e mëdha. Kam frikë, se nëse e bëjnë sexhden, duke qenë me abdes dhe të kthyer drejt Kibles, kanë bërë kufër”.

 

Në komentimin që u bën fjalëve të Remlit, Shervani thotë: “Autori i ka thënë këto fjalë dhe nënkupton, se ai që bën një sexhde të tillë, nuk konsiderohet jobesimtar, pasi thjesht sexhdeja para shehlerëve nuk nënkupton, se ata i madhërojnë si Allahun, e as se adhurojnë shehlerët, por nëse bëhet me këtë qëllim, atëherë ai që e bën një sexhde të tillë ka bërë kufër”.

 

Në librin “El-Mexhmua”, imam Neveviu thotë: “Shumë njerëz të padijshëm bëjnë sexhde para shehlerëve të tyre, mirëpo ky veprim është haram kategorik dhe në çdo rast, pa marrë parasysh nëse bëhet drejt Kibles apo nga ndonjë anë tjetër, apo ka pasur si synim sexhde për Allahun apo për shkak të shkujdesjes. Në disa raste, këto gjeste janë kufër ose janë afër kufrit”.

 

Në komentimin që u bën fjalëve të Neveviut, Shervani thotë: “Kjo do të thotë, se një gjest i tillë mund të jetë kufër, sidomos kur me këtë gjë synon adhurimin e një krijese apo afrimin me të, ashtu siç mund të jetë haram, nëse personi që e bën këtë sexhde ka si synim madhështimin, pra nënshtrimin ndaj shehut, apo e bën sexhden në mënyrë të përgjithshme. Të njëjtën status ka sexhdeja që i bëhet babait apo dijetarëve”.

 

Disa dijetarë nuk e kanë bërë një dallim të tillë, por e kanë konsideruar sexhden që i bëhet dikujt përveç Allahut si veprim kufri.

 

Në librin e tij “El-Mebsut”, dijetari hanefi Serakhsiu thotë: “Sexhdeja që i bëhet dikujt në shenjë respekti apo madhështimi përveç Allahut, konsiderohet kufër (mohim i Allahut).

Në librin “Tuhfetu`l-Muhtaxh”, në kapitullin që flet për apostazinë, Shjehul Islam Zekerija Ensari thotë: “Nga veprimet që konsiderohen kufër, janë edhe hedhja e Kuranit në plehra, apo sexhdeja që i bëhet një krijese”.

 

Në komentinin e librit “Tuhfetu`l-Muhtaxh”, Xhemeli thotë: “Konsiderohet kufër edhe nëse e bën sexhden një profeti dhe e konsideron si normale, apo edhe nëse ajo sexhde që bën nuk është në përputhje me atë që ka në zemër….këtu përjashtohet rasti kur kemi argument që tregon se veprimi është bërë për shkak të një frike, siç mund të jetë sexhdja që bën i burgosuri para armiqve, pra e bën sexhden në prezencë të tij nga frika. Në këtë rast personi nuk ka bërë kufër”.

 

 Në librin “Tuhfetu`l-Muhtaxh”, në kapitullin që flet për apostazinë, Ibn Haxher Hejtemiu thotë: “Dalje nga feja konsiderohet, kur i bën sexhde një idhulli apo diellit, apo kur i bën sexhde një personi në shenjë adhurimi. Duke vepruar kështu, njeriu i përshkruan shok dhe ortak Allahut të Madhëruar. Xhuvejni pretendon se thjesht veprimi (sexhdja) në vetvete nuk përbën dalje nga feja, mirëpo këtë pretendim e ka hedhur poshtë djali i tij. Një veprim i tillë nuk konsiderohet kufër, atëherë kur ka një argument kategorik dhe të qartë për shkakun e kryerjes së sexhdes, siç mund të jetë sexhdeja (që i bëhet dikujt apo një objekti) për shkak të frikës apo burgosjes nga armiku, sidomos në territoret ku zhvillohet luftë. Në këtë rast, kur personi e bën sexhden në prezencë të tyre (armiqve), ai nuk konsiderohet jobesimtar”.

 

Në “Enciklopedinë e Fikhut” thuhet: “Dijetarët e Fikhut kanë mendim unanim, se sexhdeja që nuk i bëhet idhujve, por që u bëhet zullumqarëve, mbretërve apo çdo lloj krijese tjetër, është nga gjestet haram dhe nga mëkatet e mëdha. Nëse ai që e bën sexhden, synon me këtë gjest adhurimin e asaj apo atij që i bën sexhden, ka dalër nga feja islame dhe për këtë ka mendim unanim të dijetarëve të Islamit. Nëse nuk e bën këtë sexhde me nijet adhurimi, dijetarët kanë mendime të ndryshme: disa dijetarë hanefi thonë se personi ka bërë kufër pa marrë parasysh nijetin e tij, ndërsa dijetarët të tjerë të këtij medh`hebi thonë, se nëse personi e ka bërë sexhden në shenjë vlerësimi apo nderimi, në këtë rast ai nuk ka bërë kufër. Sidoqoftë, një pjesë e madhe e dijetarëve thonë, se njeriu me këtë gjest ka bërë kufër edhe nëse nuk ka pasur si synim adhurimin e atij që i ka bërë sexhde”.

 

Përsa i përket pyetjes, nëse fjalët e imam Dhehebiut janë në kundërshtim me fjalët e të Dërguarit të Alllahut (Paqja qoftë mbi të): “Allahu i ka mallkuar hebrenjtë dhe të krishterët, për shkak se varret e profetëve (Paqja qoftë mbi ta) i bënë faltore”, themi se fjalët e Dhehebiut nuk janë në kundërshtim me fjalët e hadithit, pasi mëkati për të cilin ai që e kryen meriton mallkimin, nuk do të thotë se personi ka bërë kufër, siç është rasti i atij që përvetëson kamatën, korruptuesit, të korruptuarit, vjedhësit, konsumuesit të alkolit, atij që bën tatuazhe, atyre femrava që shkulin vetllat etj, për të cilat ka transemtime që vërtetojnë se ata janë të mallkuar për shkak të këtyre veprimeve.

 

Në përfundim përmendim fjalët e vyera të dijetarit Uelid ibn Rashit Suejdani në librin e tij “El-Ixhma El-Akadi”, i cili ndër të tjera thotë: “Dijetarët kanë mendim unanim, se sexhdeja është adhurim dhe i bëhet vetëm Allahut e askujt tjetër. Përderisa nuk i bëhet sexhde as varrit të të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të), ky veprim nuk lejohet për askënd. Dijetarët kanë mendim unanim, se nuk lejohet të preket, të puthet apo të bëhet ruku tek varri i të të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të). Dijetarët kanë mendim unanim, se nuk lejohen gjestet që bëjnë disa persona në prezencë të njerëzve me pozitë siç janë: përkulja, vendosja e kokës tek këmbët e tij, puthja e tokës para tij, etj. Këto veprime janë haram kategorik dhe mjete të shirkut, madje konsiderohen shirk i mirëfilltë, nëse synimi i tyre është adhurimi i shejhut apo prijësit”. Allahu e di më mirë!

Pershtati; Rushit Musallari. 

islamweb.net/fatwa/fatwa/index.php

Submitting your vote...
Not rated yet. Be the first who rates this item!
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

15/12/2018
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
05:14 06:5411:4213:5816:1817:47

Urtësi Profetike

Gjërat që i çojnë njerëzit

më shumë në Xhennet

janë devotshmëria

dhe mirësjellja.


Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook