By: Tarik Suvejdan

Hebraizmi në Gadishullin Arabik


Hebraizmi në Gadishullin Arabik

Disa fise hebrenjsh, emigruan nga Shami dhe u vendosën në Jethrib (Medineja e asokohshme). Sakaq, hebrenjtë e tjerë që vendosen në rrethinat e Medines, vijnë nga Jemeni.

Shkaku  që zhvendosen nga Jemeni bëhet një ëndërr që sheh Rebia ibnu Nasr. Ëndrra që sheh i kall datën, gjë e cila e bën të mos lërë fallxhor pa pyetur për interpretimin. Shkurtimisht, fallxhorët i thonë se Ahbashët (fise afrikane) do pushtonin Jemenin gjatë gjashtëdhjetë viteve të ardhshme. Kjo e shqetësoi për të ardhmen e familjarëve dhe fëmijëve të tij. Kështu që i nisi menjëherë drejt Irakut, në qytetin Hira. Nga pasardhësit e tyre është dhe Numan ibnul Mundhir.

Një nga udhëheqësit politikë të Jemenit, ishte dhe Tebban Es’ad, i cili njihej me titullin Tubba, titull i huazuar nga mbretërit e Jemenit. Të gjithë mbretërit e Jemenit kishin si titull të lartë Tubba’, mbretërit romakë çezarin, persët kisran, mbretërit abisinas nexhashiun. Tebban Es’ad ishte një ndër mbretërit më të shquar të Jemenit dhe kishte nën sundimin e tij të gjithë territoret e Jemenit. Ai e kishte zakon të shëtisë në vende të ndryshme. Një herë, gjatë rrugës për në Sham, ai mori dhe të birin e tij, të cilin e la në Jethrib (Medine) për t’u marrë me tregti. Mandej, ai vazhdoi rrugën për në Sham. Gjatë qëndrimit të djalit në Jethrib, ndodh një konflikt mes tij dhe banorëve vendas. Nga ky konflikt djali i Tebban Es’ad mbetet i vrarë. Me të dëgjuar këtë lajm të kobshëm, mbreti Tebban e la Shamin dhe u nis për në Jethrib që të ndëshkojë vendasit vrasës. Kështu, nisi lufta mes banorëve të Jethribit dhe jemenasve. Gjatë betejave të ndryshme, Tebban ibnu Es’ad vuri re diçka të çuditshme tek banorët e Jethrib-it. Ata ishin shumë bujarë, saqë pasi përfundonte beteja në fund të ditës, u ofronin luftëtarëve jemenas ushqim dhe pije. Kjo ishte diçka që nuk kishte bërë vaki më parë. Si ishte e mundur që t’i ofrosh ushqime e pije ushtrisë armike?!

Ndërkohë, dy rabinë hebrenj të cilët kishin lënë Shamin dhe ishin vendosur në Jethrib, shkojnë dhe takojnë mbretin Tubba. Pasi i mirëpriti, rabinët e pyetën:”çfarë ke ndërmend të bësh?” Tubba u përgjigj:”Dua ta rrënoj Jethribin.” Rabinët i thanë:”Nuk do të mundesh. Betohemi në Zotin që do të shkatërrohesh ti i pari, para se të shkatërrosh Jethrib-in.”

Tubba i pyeti plot habi:”Nga e dini këtë ju?!” Rabinët u përgjigjën:”Ky është qyteti  drejt të cilit do të emigrojë një profet i Zotit. Këtë e kemi të shënuar në librin tonë të shenjtë, Teuratin.”

Teurati kishte shumë versete të  cilat sinjalizonin shfaqjen e profetit Muhamed a.s dhe tiparet e tij.

Fjalët e dy rabinëve prekën zemrën e Tubba dhe kërkoi më shumë informacione mbi Teuratin dhe hebraizmin. Në fund, ai përqafoi fenë hebreje. Mandej, e braktis Jethrib-in dhe niset për në Mekë. Gjatë rrugës, qëndron në fisin Hudhejl, të cilët i urrenin mekasit. Duke dashur të ndezin një konflikt mes jemenasve dhe mekasve të urryer prej tyre, hudhejlët i thonë mbretit Tubba:”A do të dëshiroje florinj e gurë të çmuar pa masë?!” Tubba u përgjigj:”E kush nuk i dëshiron ato?” Hudhejlët i thanë:”Në Mekë, ndodhet një shtëpi e shenjtë për banorët mekas. Ajo është plot e përplot me thesare e florinj të groposura nën tokë.” Ishte traditë e arabëve që të fshihnin dhe groposnin florinjtë pranë Qabes. Saqë thuhet se ishin groposur dy statuja dreri prej floriri.

Tubba, u mendua dhe vendosi të sulmojë Mekën, të shkatërrojë Qaben dhe të marrë thesaret e florinjtë e groposur. Menjëherë urdhëroi ushtrinë të përgatitej për luftë. Dy rabinët e lartpërmendur, kishin ardhur në shoqërinë e tij që t’i mësonin hebraizmin. Kur ndjenë lëvizjet e ushtrisë dhe përgatitjet për luftë, vajtën dhe i kërkuan sqarime. Tubba u tregoi mbi qëllimin e tij dhe rabinët i thanë:”Për Zotin! Hudhelinjtë nuk kanë dashur gjë tjetër, veçse të të shuajnë nga faqja e dheut bashkë me ushtrinë.”

Tubba pyeti i habitur:”E si mund të ndodhë kjo?!”

Rabinët u përgjigjën:”Ne nuk njohim faltore tjetër ku adhurohet Zoti mbi tokë, përveç kësaj faltoreje. Kjo është faltorja e vetme dhe e shenjtë mbi tokë. Nëse dëshiron ta shkatërrosh, dije se do të shkatërrohesh ti më parë.” Tubba i pyeti:”Mirë, po çfarë më sugjeroni të bëj?” Rabinët iu përgjigjën:”Shko, respektoje dhe sillu rrotull saj (tavaf).”

Tubba i pyeti:”Po ju, përse nuk e respektoni dhe nuk silleni rrotull saj?!” Rabinët u përgjigjën:”Do e bënim këtë, nëse mekasit nuk do e kishin mbushur me idhuj.”

Tubba e dëgjoi mendimin e tyre, vajti në Mekë, e respektoi Qabenë, bëri tavaf dhe qëndroi disa ditë atje. Në ditë, ai sheh në ëndërr sikur vesh dhe mbulon ngrehinën e Qabes. Gjer atëherë Qabeja nuk ishte mbuluar. Me t’i dalë gjumi, urdhëroi që Qabeja të vishej me një mbulesë leshi. Më vonë, pa një ëndërr tjetër sikur e mbulonte me një mbulesë më të mirë dhe e mbuloi me një pëlhurë luksi nga Jemeni. Kështu, personi i parë që ka mbuluar Qaben, është mbreti Tubban ibnu Es’ad. Arabët vazhduan ta mbulojnë Qabenë, duke mos i hequr mbulesat e vjetra, deri në kohën e Abdul Muttalibit. Vetëm kur konstatuan se veshjet ishin aq të shumta dhe të rënda, saqë rrezikonin muret të shemben, i larguan veshjet e vjetra. Që atëherë, mbulesa e Qabes ndërrohet çdo vit.

Kur Tebban Es’ad u kthye në Jemen, i bëri thirrje popullit të tij të përqafojnë hebraizmin, por ata refuzuan. Populli i Jemenit ishin paganë dhe ndër të tjera adhuronin dhe zjarrin.

Jemenasit kishin një ndërtesë ku kishin ndezur një zjarr të madh, të cilin e mbanin gjithmonë ndezur. Nëse dy persona ishin në konflikt, shkonin tek kjo ndërtesë dhe hapnin derën e saj. Personi që digjej nga zjarri, ishte fajtori.

Kur mbreti u kërkoi të përqafonin hebraizmin, banorët refuzuan dhe kërkuan si gjykatës zjarrin. Dy rabinët hebrenj pranuan dhe menjëherë filluan të recitojnë lutje nga Teurati. Fallxhorët zjarrputistë, bashkë me dy rabinët qëndruan para derës ku ndodhej zjarri. Me të hapur dyert, zjarri u drejtua nga fallxhorët, të cilët morën arratinë nga frika. Banorët i kritikuan për këtë akt të shëmtuar dhe u kërkuan të qëndrojnë pa lëvizur, pasi bëhej fjalë për çështje besimi. Ata u kthyen sërish dhe qëndruan para dyerve të zjarrit. Kur u hap dera për të dytën herë, zjarri sërish mori hov nga fallxhorët, të cilët këtë herë nuk lëvizën, por qëndruan. Zjarri i dogji fallxhorët dhe jemenasit përqafuan hebraizmin. Ky është versioni që rrëfejnë historianët, sakaq të vërtetën e di vetëm Zoti.

Me kalimin e viteve, Tebban Es’ad ndërron jetë dhe fronin e tij e trashëgon djali, Hasani. Ai i zgjeroi territoret e mbretërisë së trashëguar dhe filloi t’i pëlqejë vetja, saqë nisi të mendoj të pushtojë territoret arabe dhe joarabe. Duke ditur se Persia ishte perandoria më e madhe mbi tokë, ai vendosi të sulmojë persët fillimisht. Me të përgatitur ushtrinë, u nis drejt Persisë. Oborrtarët dhe këshilltarët e tij e dinin se nuk kishin fuqi të përballeshin me Persinë, por askush prej tyre nuk guxonte ta kundërshtojë. Mbreti Hasan ishte shumë i kujdesshëm, saqë çdo oborrtar dhe këshilltar që e vizitonte, fillimisht do të kontrollohej imtësisht. Vetëm vëllai i tij Amri, kishte privilegjin të hyjë në dhomën e tij pa u kontrolluar më parë. Oborrtarët dhe këshilltarët u mblodhën me Amrin dhe i thanë:”Nëse na e heq qafe Hasanin, të japim besën se ti do të jesh mbreti ynë pas tij.”

Amri e pranoi këtë ofertë. I vetmi që e refuzoi këtë plan, ishte një person që quhej Dhu Ruajn. Ai i tha Amrit:”Nuk ka njeri që ka vrarë vëllain, veçse ka jetuar në stres dhe i tronditur gjithë jetën. Prandaj mos e vrit vëllain tënd!” Por Amri nuk e dëgjoi dhe insistoi në të tijën. Duke konstatuar këmbënguljen e tij, Dhu Ruajn shkruan një letër të cilën ia jep Amrit dhe i thotë:”Këtë letër, dua ta ruash dhe kur të them unë ta nxjerrësh.”

Pas kësaj, Amr shfrytëzon një moment, hyn tek i vëllai dhe me thikë e vret. Mandej bashkë me ushtrinë dhe oborrtarët morën rrugën e kthimit për në Jemen. Por vrasja e të vëllait i shkaktoi, pagjumësi, dëshpërim, trishtim dhe mërzi. Të gjithë fallxhorët dhe doktorët që e vizituan i thoshin se kjo i ndodhte për shkak se kishte vrarë vëllain e tij. Kushdo që kryente një vepër të tillë, do të vuante nga pasoja të tilla. Për ta lehtësuar gjendjen e mbretit, e këshilluan të vrasë të gjithë oborrtarët që i kishin sugjeruar të vrasë vëllain. Ai pranoi dhe menjëherë urdhëroi që të vriten të gjithë oborrtarët dhe këshilltarët që ia kishin sugjeruar një ide kaq të kobshme. Ndër ta, ai urdhëro të vritej dhe vetë Dhu Ruajn. Kur i vajtën, ai kërkoi nga mbreti Amr të lexojë letrën që ia kishte lënë amanet, para se të vrasë vëllain. Amr e nxorri letrën, e hapi dhe në të lexoi këto vargje:

Kush është ai që shet gjumin dhe blen pagjumësinë

I lumtur është vetëm ai e zë gjumi i qetë

Nëse gjithë Jemeni janë komplotistë

Dhu Ruajni para Zotit është i larë.

Mandej, Dhu Ruajn e pyeti:”O mbret! Si e harrove këshillën time asokohe?!” Mbreti tundi kokën në shenjë pohimi dhe urdhëron që të lihet i qetë.

Pas vdekjes së Amr, pasardhësit e Rabia ibnu Nasr hyjnë në konflikt politik mbi fronin mbretëror, gjë e cila shkaktoi përçarje dhe në popullin e Jemenit. Pas këtij konflikti, në fronin mbretëror vjen Dhu Hunej’a, një bandit dhe kaçak malesh. Duke shfrytëzuar kaosin politik, ai u organizua dhe sulmoi pallatin mbretëror, e uzurpoi dhe u vetë kurorëzua si mbret i Jemenit.

Ai ishte njeri i shthurur, shumë i ligë dhe zullumqar, gjë e cila shkaktoi pakënaqësi dhe urrejtjen tek masat e gjera. Një nga fëmijët e Tebban Es’ad, me emrin Dhu Nuvas, arriti të depërtojë deri tek Dhu Hunej’a dhe me një thikë arriti ta heqë qafe një herë e mirë. Kështu, pinjollët e Tubba, arritën t’i kthejnë fronin mbretëror familjes së tyre.

 

Pershtati: Elmaz Fida

 

Submitting your vote...
Rating: 5.0 of 5. 1 vote(s).
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

14/10/2019
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
05:12 06:4412:3415:3918:1119:33

Urtësi Profetike

Gjërat që i çojnë njerëzit

më shumë në Xhennet

janë devotshmëria

dhe mirësjellja.


Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook