Hilafeti i Omer ibn Abdulazizit

Sulejman ibn Abdul Melik zgjodhi Omer ibn Abdulazizin në krye të hilafetit, për shkak se Omeri ishte njeri i mirë, i devotshëm dhe i drejtë.


Ç’është e vërteta, Omeri nuk kishte dëshirë që të ishte halif. Transmetohet, se pasi Omer ibn Abdulazizi e varrosi Sulejmanin, u ngjit në minber dhe tha: “O njerëz! Unë jam sprovuar me këtë çëshje (hilafetin). Ky nuk është mendimi im, nuk kam e kam kërkuar atë dhe muslimanët nuk janë konsultuar mes tyre, që unë të jem në këtë post. Unë heq dorë (nga posti i halifes) dhe ju zgjidhni kë të doni!” Mirëpo njerëzit thanë njëzëri: “O Prijës i besimtarëve, ne të zgjedhim dhe jemi të kënaqur me ty. Prandaj na drejto neve me bereqet nga Allahu!” Kur ata pushuan së foluri dhe Omeri vuri re, se njerëzit ishin të kënaqur që ai të ishte prijësi i tyre, falenderoi Allahun e Lartësuar, i dërgoi salavate Profetit (a.s) dhe tha: “Ju këshilloj që të keni frikë Allahun, sepse devotshmëria qëndron pas gjithçkaje. Veproni punë që ju vlejnë për botën tjetër (Ahiretin), sepse kush punon për Ahiretin, Allahu i Lartësuar ia plotëson nevojat që ka për dynjanë”. Më pas thirri me zë të lartë, me qëllim që njerëzit të dëgjënin më mirë “O njerëz! Bindjuni atij që i bindet Allahut dhe mos ju bindni atij, i cili nuk i bindet Allahut. M’u bindni mua, përderisa unë i bindem Allahut dhe mos m’u bindni mua, nëse unë nuk i bindem Allahut”.

 

Zbatimi i përpiktë i mësimve të Kuranit dhe Sunetit të Profetit (a.s):

Veçoria dalluese e politikës së Omer ibn Abdulazizit ishte zbatimi me përpikmëri i mësimeve të Kuranit dhe Sunetit të Profetit (a.s). Ai ndërmori nisma për të përhapur dijen, që njerëzit ta njihnin Sunetin e Profetit (a.s) dhe ta kuptonin fenë e Allahut. Ajo që e shtyu Omerin të vepronte kështu, ishte se ai e kishte kuptuar shumë mirë përgjegjësinë e misionit që kishte marrë mbi supe. Ai e dinte, se Hilafet do të thotë: “Mbrojtje e fesë dhe të bërit politikës në dynja, duke u bazuar tek ajo. Ai e shikonte si detyrën më të madhe, që t’u mësonte parimet e fesë njerëzve (masave të gjera), në mënyrë që më pas ata t`i zbatonin me përpikmëri mësimet e saj. Njëherë - gjatë hytbes - ai tha: “Islami ka kufij, ligje dhe praktika. Kush i vepron ato, i është plotësuar besimi e kush nuk i vepron ato, e ka besimin e mangët. Nëse do të jem gjallë, kam për t’ua mësuar dhe do t’ju bëj që t’i zbatoni ato”.

Për këtë arsye, Omer ibn Abdulazizi rendi që ta vinte në zbatim sa më shpejt këtë përgjegjësi të madhe. Ai i dërgoi dijetarët anembanë hilafetit - në qytete dhe fshatra - me qëllim që ata t’ua mësonin njerëzve fenë e Allahut të Lartësuar. Ai i urdhëroi nënpunësit e tij, që t’i motivonin dijetarët për të përhapur dijen në mesin e njerëzve. Po ashtu ai i urdhëroi nënpunësit, që t’iu jepnin rrogë dijetarëve, me qëllim që ata të ishin të dhënë vetëm pas përhapjes së dijes. Si rrjedhojë e kësaj politike, shumë prej dijetarëve filluan që t’ua mësonin njerëzve fenë. Ata u shpërndanë në katër anët e Hilafetit: disa shkuan në Egjipt, të tjerë në Afrikë e kështu me rradhë.

Misioni i dijetarëve nuk ishte vetëm që t’iu mësonin njerëzve fenë. Disa prej tyre u vendosën në postin e kadiut, të tjerë ishin në rolin e ftuesit, ndërsa të tjerë morën pjesë në luftë. Nuk ka dyshim, se programi i zgjedhur nga Omer ibn Abdulazizi për t`ua mësuar njerëzve fenë, ishte largpamës dhe i sigurt (kishte stabilitet), sepse perceptimi i drejtë i fesë nga njerëzit ishte garant (mbrojtës) për ideologjitë e kota - si ajo e Hauarixhëve -  të cilat mund të destabilizonin Hilafetin.

 

Drejtësia e Omer ibn Abdulazizit me banorët e Samarkandit:

 

Kur banorët e Samarkëndit morën vesh, se Omer ibn Abdulazizi ishte zgjedhur halif i muslimanëve, i thanë Sulejman Ebu Serijut: “Kutejbe na ka mashtruar dhe na ka pushtuar padrejtësisht. Tashmë Allahu e ka vënë drejtësinë në vend, prandaj lejo që një delegacion nga ne të shkojë tek prijësi i besimtarëve dhe t`i ankohet për padrejtësinë që na është bërë. Nëse ne kemi të drejtë, ai do të na e japë të drejtën tonë, për të cilën kemi nevojë”. Sulejmani u dha leje. Një grup nga banorët e Samakandit shkuan tek Omeri. Omeri i shkruajti Sulejmanit: “Banorëtë e Samarkandit ankohen se ju është bërë padrejtësi nga Kutejbe. Kur të të mbërrijë letra ime, urdhëro kadiun (gjykatësin) që të gjykojë mes tyre. Nëse kadiu u jep të drejtë banorëve të Samarkandit, atëherë urdhëroi muslimanët (ushtarët) që të kthehen në kampin e tyre!”

 

Sulejmani urdhëroi, që Xhumej’a ibn Hadir të gjykonte mes tyre. Ai vendosi që muslimanët të ktheheshin në kampin e tyre dhe të ndiqnin rregullat e përcaktuara nga feja, përpara se të hynin në një vend. Mirëpo banorët e Samarkandit thanë, se ishte më mirë që muslimanët të qëndronin me ta dhe mos të dilnin nga Samarkandi. Ata ishin të kënaqur, që muslimanët të qëndronin, për shkak se ata ishin ndjerë më të sigurtë nën mbrojtjen e muslimanëve.

 

Kush është ai shtet në shekullin e 21, që të ulë kokën përpara drejtësisë, në mënyrë që ajo të vihet në vend?! Kush është ai prijës, mbret, president apo qeveritar në historinë e njerëzimit, që t’i përgjigjet menjëherë dhe me vendosmëri thirrjeve të atyre që iu është bërë padrejtësi - ashtu siç iu përgjigj Omer ibn Abdulazizi?! Omeri ishte zotuar, që të vinte drejtësinë në vend, sepse Sheriati islam e humbet qëllimin e tij madhor, nëse mungon drejtësia. Nuk ka dyshim, se veprimi i Omerit është modeli dhe shembulli më i mirë që duhet të ndiqet.

 

Nga kjo ndodhi (ngjarje) ne vërejmë disa gjëra:

1 -  Njerëzit ankohen dhe kërkojnë të drejtat e tyre, atëherë kur ata që drejtojnë vendin janë të drejtë, sepse ata (njerëzit) e dinë, se çështjes do t’i jepet serioziteti i duhur dhe drejtësia do të vihet në vend.  Banorët e Samarkandit kishin heshtur - megjithëse iu ishte bërë padrejtësi - në kohën kur halife kishte qenë Uelidi dhe më pas Sulejman ibn Abdulmelik. Ata u ankuan, vetëm pasi panë drejtësinë e Omer ibn Abdulazizit.

 

2 – Omer ibn Abdulazizi nuk e neglizhoi çështjen e tyre, por menjëherë e dorëzoi atë në gjykatë (tek kadiu). Ky veprim është shembull i përulësisë së tij ndaj parimeve të Islamit. Ai shumë mirë mund të kishte marrë vendimin, që t`i ndëshkonte krerët e atyre që kishin bërë ankimimin, por ai nuk e bëri këtë, sepse ishte zotuar që ankesat duheshin çuar në gjykatë dhe drejtësia duhej vendosej në bazë të rregullave të përcaktuara nga Sheriati.

 

3 -  Në fund, banorët e Samarkandit pranuan, që ishte më mirë për ta, nëse muslimanët nuk do të dilnin nga Samarkandi. Kjo zgjidhje ishte më e mirë për ta, sesa rikthim në gjendjen fillestare, që ishte lufta. Ata ishin të kënaqur me prezencën e muslimanëve në mesin e tyre, sepse panë që ata ishin të drejtë.

 

Omer ibn Abdulazizi dhe përgjegjësia që mbartte mbi supe:

 

Omer ibn Abdulazizi e ndjente barrën e rëndë që i ishte ngarkuar mbi supe. Ai ishte përgjegjës për çdokënd që ishte nën udhëheqjen e tij. Ai gjithmonë ishte i interesuar për mirëqënien e njerëzve dhe shqetësohej shumë, se si do t’i përgjigjej Allahut të Lartësuar në Ditën e Kijametit, nëse nuk kujdesej për këta njerëz. Njëherë bashkëshortja e tij - Fatimja - e gjeti atë në faltore, duke i rrjedhur lot nga sytë. Ajo e pyeti e habitur: “Çfarë ke”? Ai tha: “Si çfarë kam? Unë jam zgjedhur në krye të Umetit dhe mendoj për të varfërin që është i uritur, për të sëmurin që ka humbur, për të paveshurin që është munduar, për jetimin e dërrmuar, për të venë e vetme, për atë që i është marrë e drejta me dhunë, për të huajin që është zënë rob, për plakun e vjetër, për atë që ka shumë pjestarë në familje, për atë që ka pak pasuri e për shumë të tjerë të ngjashëm me ta. Unë jam i vetëdijshëm, se në Ditën e Kijametit, Allahu do të më pyesë për të gjithë ata dhe nëse tregohem i padrejtë, Muhamedi (a.s) do të jetë kundërshtari im. Unë pata frikë, se nuk do të kem argument bindës në atë Ditë, prandaj më erdhi keq për veten time dhe fillova të qaj”.

 

Butësia e Omer ibn Abdulazizit me njerëzit:

Omer ibn Abdulazizi ka thënë: “Prej çështjeve që Allahu i do më së shumti, janë: kur kërkon të arrish një objektiv, merre atë me seriozitet, fal kur ke mundësi dhe sillu butë me njerëzit, që janë nën kujdesin tënd”. Nëse njeriu sillet me butësi ndaj dikujt, atëherë ashtu do të sillet edhe Allahu me këtë person në Ditën e Kijametit. Njëherë njëri prej djemve të tij po luante jashtë me fëmijë të tjerë, njeri prej të cilëve e goditi duke e gjakosur. Njerëzit ia sollën Omerit fëmijën që e kishte gjakosur djalin e tij. Kur ja, Omeri dëgjoi zërin e një gruaje, e cila thoshte: “Ky është djali im dhe ai është jetim”. Omeri i tha: “Qetësohu” dhe pastaj e pyeti: “A merr ai (fëmija jetim) para nga divani (shteti)”? Ajo tha: “Jo”. Omeri urdhëroi, që ta regjistronin emrin e tij. Gruaja e Omeri, e cila ishte prezent, i tha atij: “Ky fëmijë gjakosi djalin tënd dhe ti sillesh kështu me të. Ndoshta ai mund ta gjakosë atë edhe për herë të dytë. Mirëpo Omeri i tha: “Mjerë për ty oj Fatime. Ai është jetim, kurse ju e frikësuat atë”!

           

Këto ishin disa veçori dalluese të halifit emevit, Omer ibn Abdulaziz (Allahu e mëshiroftë). Ai ishte i butë, i drejtë dhe e përhapi dijen islame në mesin e njerëzve me fjalë dhe me vepra.

 

            

Submitting your vote...
Not rated yet. Be the first who rates this item!
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

20/09/2017
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
04:47 06:2012:4216:0718:5020:13

Urtësi profetike

“Ai që e agjëron Ramazanin

dhe gjashtë ditë të tjera nga muaji Sheval,

është sikur të ketë agjëruar gjithë vitin”.

(Hadith)

Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook