By: Amer Halid

Historia e Merjemes a.s (1)


Në këtë temë, do të fokusohemi kryesisht në jetën dhe veprimtarinë e një gruaja madhështore, Merjemes. Historia e saj i drejtohet çdo femre mbi faqen e tokës, sidomos vajzave nga 15 deri 23 vjeçe. Kjo, sepse ngjarjet më të rëndësishme të jetës së Merjemes, kanë ndodhur në rininë e saj. Merjemja, njihet për adhurimin dhe përkushtimin e saj fetar, që në rininë e saj të hershme. Ajo njihet për namazin e saj të natës, për meditimin e shumtë rreth Zotit dhe krijesave të Tij, si dhe për faktin që lindi Mesinë a.s. Merjemja është ndër personalitetet e rralla që admirohet dhe pëlqehet nga të gjithë fetë dhe kombet. Asnjë libër tjetër nuk e portretizon Merjemen, ashtu siç portretizohet në suren Merjem në Kuran. Unë nuk kam lexuar ndonjë vlerësim më të mirë të këtij personaliteti, si vlerësimi që i bën Kurani në kapitullin me të njëjtin emër.

Statusi i Merjemes tek Zoti i lartësuar:

Në Kuran dhe traditën profetike, ajo njihet si zonja e të gjithë grave. Thotë Zoti në Kuran:”(Kujto) kur engjëjt thanë: “O Merjeme! Allahu të ka zgjedhur, të ka pastruar dhe të ka parapëlqyer ty mbi të gjitha gratë e botës.” (Al Imran, 42)

Vetë fakti që Merjemeja është gruaja e vetme të cilës i përmendet emri në Kuran, do të mjaftonte për statusin që gëzon ajo tek Zoti. Asnjë gruaje tjetër nuk i përmendet emri në Kuran. Kur flitet për nënën e Musait a.s, ajo citohet vetëm si nëna e Musait. Po kështu për gratë e tjera. Sakaq, Merjemja jo vetëm që përmendet me emrin e saj, por kjo bëhet 33 herë. Kështu, ajo përmendet në Kuran më shumë se ç’janë përmendur emrat e disa profetëve. Thotë Profeti a.s:”Gratë më të mira në xhenet do të jenë katër: Hadixhe bintu Huvejlid, Merjem bintu Imran, Asija gruaja e faraonit dhe Fatimeja, vajza e Muhamedit.” Po sipas profetit Muhamed a.s, Merjeme radhitet tek gratë më të pjekura.

Përse gjithë ky nder?

Çdo grupmoshë, ka cilësi dhe tipare karakteristike të saj. Kështu, një  burrë tek të dyzetat, karakterizohet për mendjemprehtësinë, urtësinë, maturinë etj... Një fëmijë shtatë vjeçar, karakterizohet nga dëshira për të luajtur, për tu dëfryer etj... Një vajzë nga 15 deri 22 vjeç, karakterizohet nga një botë e pasur me energji, ndjenja dhe emocione. Në këtë grupmoshë, vajza është shumë e dhembshur, e dashur dhe plot ndjenja. Nëse çdo moshë tjetër do të kishte njëqind njësi dhembshuri dhe dashuri, mosha nga 15 deri 22  vjeçe, ka një mijë syresh. Problemi qëndron në faktin se ku do të shkarkohen dhe kanalizohen këto njësi dashurie dhe dhembshurie. Merjemeja ishte një vajzë e re dhe adoleshente dhe natyrisht kishte një botë të pasur me ndjenja. Ajo ishte beqare dhe sigurisht nuk kishte dhe fëmijë, ku do të shkarkonte ndjenjat, dhembshurinë dhe dashurinë e saj. Me qëllim që këtë ngarkesë emocionale ta kanalizojë diku, ajo zgjodhi adhurimin e Zotit. Kështu, lidhjet e fuqishme me Zotin dhe adhurimi i pandarë, do e çlironin nga ndjenjat dhe emocionet e tepërta. Me këtë, ne i drejtohemi çdo vajze në këtë moshë, me qëllim që botën e ndjenjave ta kanalizojë në gjëra që e kënaqin Zotin, në namaz nate, lidhje të forta me Zotin, lutje dhe përgjërime për Zotin.

Përveç adhurimeve të shumta, Merjemeja filloi të merrej me bamirësi. Nëse sot bamirësia përkthehet në kontribut për jetimoret, të varfrit etj... asokohe bamirësia ishte duke shërbyer në xhaminë Aksa.

Nëse ti o motër je në moshën e adoleshencës dhe energjitë e tepërta të shkaktojnë siklet dhe vuajtje, atëherë ndiq modelin e Merjemes, bëhu si ajo. Unë sinqerisht i frikësohem botës tënde të pasur me emocione, sepse ajo mund të orientohet drejt marrëdhënieve jashtë martesore. Unë kam frikë se ato ndjenja të pastra, mund të ndoten nëse lidhesh me një djalë. Mos harro o motër, dështimi në lidhjet jashtëmartesore shkakton plagë të rënda. Duke kaluar nga një djalë tek një tjetër, emocionet shpërndahen dhe për jetën martesore nuk të mbetet gjë.

Që ta ruash veten nga një fund i tillë, ndiq rrugën dhe modelin e Merjemes a.s. Nëse të duket e vështirë gjatë gjithë kohës, të paktën provoje gjatë muajit Ramazan. Forcoji lidhjet e tua me Zotin, lexo Kuran dhe përkujtoje Zotin sa më shpesh. Veç kësaj, merru dhe me bamirësi, përkujdesu për ndonjë jetim, përqafoje dhe fali dhembshuri. Mos lejo që botën e pasur të emocioneve ta shpenzosh me djem në lidhje të ndaluara. Mos lejo që këta djem të tallen me ty dhe mandej të hedhin si një copë lecke, pasi të kenë fshirë këpucët e tyre. Një ndër tiparet kryesore të një femre myslimane, gjë e cila ceket dhe në Kuran, është se ato nuk pranojnë dashnorë. Nëse nuk ke mundësi të martohesh, atëherë botën tënde emocionale mundohu ta kanalizosh në vepra të mira.

Këto fjalë unë ua drejtoj dhe djemve, për të mos i përdorur ndjenjat dhe emocionet e vajzave në rrugë haram. Mos u tallni me këto vajza, të ardhmen dhe familjarët e tyre.

Kurse prindërit i këshilloj që ti angazhojnë fëmijët në vepra bamirësie. Unë shqetësohem shumë kur më vijnë vajza dhe më thonë se nëna nuk i lejon të marrin pjesë në vepra bamirësie. Ti o nënë do të pendohesh nëse vajza jote do të qëndrojë e mbyllur në shtëpi, pa u marrë me asgjë. Ku do i shkarkojë energjitë e saj? Mos mendo se duke qëndruar në shtëpi, do të jetë e mbrojtur dhe e sigurt. Momenti më i preferuar nga shejtani është atëherë kur njeriu nuk merret me asgjë. Lëre vajzën të merret me diçka, le të mësojë një zanat, le të mësojë një gjuhë të huaj, le të merret me sport, të lexojë apo të punojë.

Merjemja në adhurim:

Le të prezantohemi me një nga tiparet më sipikatëse të Merjemes, adhurimi dhe përkushtimi i saj ndaj Zotit. Thotë Zoti në Kuran:“Dhe trego (o Muhamed) në Libër për Merjemen, kur u tërhoq nga familja e saj në një vend në lindje.” (Merjem, 16)

Ajo zgjodhi që dhoma dhe faltorja e saj të shtrihet nga lindja e diellit, me qëllim që këtë dukuri madhështore ta shohë çdo ditë. Kështu, shohim që zanafilla e Merjemes me adhurimin dhe përkushtimin fetar, ishte meditimi në krijesat e Zotit. Sot ne dëgjojmë për shumë vajza, të cilat ulen përballë detit dhe zhyten në mendime romantike. Të njëjtën gjë bënte dhe Merjemja, por ajo zhytej në mendime rreth madhështisë së universit, mendonte mbi dashurinë për Zotin.  Edhe Merjemja kishte të njëjtën botë emocionesh të cilat i vlonin përbrenda, emocione të cilat gjendet tek çdo vajzë. Por ajo kishte zgjedhur një rrugë tjetër për shkarkimin e kësaj energjie, një rrugë të fisme dhe të bukur. Padyshim që kjo rrugë do të pëlqejë dhe ty o motër, por duhet të hedhësh hapat e parë që ta shijosh.

“Dhe trego (o Muhamed) në Libër për Merjemen, kur u tërhoq nga familja e saj në një vend në lindje.” (Merjem, 16)

Shpesh herë, Merjemja largohej nga familjarët e tjerë dhe qëndronte vetëm, duke medituar. Meditimi është një ritual shumë i bukur, i cili për fat të keq nuk praktikohet aq sa duhet. Ai është një adhurim dhe ritual, i cili e lartësoi profetin Muhamed a.s dhe e nderoi me titullin “i dërguar i Allahut”. Me të njëjtin ritual, u bë profet edhe Ibrahimi a.s, për të cilin Kurani famë lartë shprehet:” Dhe kështu, Ne ia treguam Ibrahimit mbretërinë e qiejve dhe të Tokës, që ai të bëhej nga ata që besojnë vendosmërisht.” (En’am, 75)

Thotë Ebu Derda:”Meditimi i një ore, është më i vlefshëm se falja namaz (vullnetar) e një viti.”

Një nga shokët e Profetit a.s thotë:”Kam dëgjuar jo vetëm nga një, por deri në katër shokë të Profetit a.s të thonë:”Nuri i besimit është meditimi.”

Kush prej nesh e praktikon këtë ritual gjatë muajit të Ramazanit? Njerëzit më të përshtatshëm për këtë meditim janë vajzat. Kjo, sepse ato kanë njësitë më të mëdha të ndjenjave dhe emocioneve. Niveli i dhembshurisë dhe dashurisë tek vajzat është shumë herë më i madh se tek kushdo tjetër.

“O Merjeme! Bindju Zotit tënd! Bëj sexhde dhe përkulu në ruku bashkë me ata që përkulen (duke adhuruar Allahun)!” (Al Imran,43)

Merjemja falej, meditonte dhe adhuronte Zotin shumë shpesh. Sa herë që Zekerija hynte në faltoren e saj, e gjente duke u falur. Thotë profeti Muhamed a.s:”Dy rekate që i fal robi gjatë natës, janë më të vlefshme se kjo botë me gjithë të mirat e saj.”

Në një hadith tjetër, Profeti a.s thotë:”Pas namazeve farze, namazi më i mirë është ai i natës.”

“Zoti i lartësuar zbret në 1/3 e fundit të çdo nate dhe thotë:”Kush është duke mu lutur që t’i përgjigjem? Kush po më kërkon diçka që t’ia jap? Kush kërkon falje dhe Unë ta fal?” dhe kjo ndodh çdo natë.”

Çdo natë o motër, teksa ti je duke fjetur, Zoti të thërret. Vallë a do e adhurosh Zotin këtë Ramazan ashtu siç e adhuronte Merjemeja? Merjem, do të thotë adhuruese dhe e përkushtuar.

Seri mrekullish:

Nga përkushtimi dhe adhurimi i pandarë, Merjemes a.s filluan ti shfaqen një sërë mrekullish. Përkushtimi i saj, namazi, lutjet dhe përgjërimi ishin vlerësuar nga Zoti. Thotë Zoti në Kuran:“Sa herë që hynte Zekeria në dhomën e saj, gjente pranë saj ushqim” (Al Imran, 37)

Thonë dijetarët:”Sa herë që Zekerija hynte në faltoren e Merjemes, gjente fruta të stinëve të kaluara. Kjo, edhe pse ajo nuk kishte dalë nga faltorja.”

Përveç ushqimit material, faltorja e Merjemes ishte e mbushur edhe me ushqim shpirtëror, përhumbje në lutje, lot përgjërimi, përjetim maksimal i namazit etj... Të gjitha këto janë rizk dhe ushqim, por që i përkasin botës shpirtërore dhe jo asaj fizike.

“Sa herë që hynte Zekeria në dhomën e saj, gjente pranë saj ushqim dhe e pyeste: “O Merjeme! Nga të vjen ky ushqim?” Ajo përgjigjej: “Ky është nga Allahu, se Allahu e furnizon kë të dojë, pa kufi”. Atëherë Zekerija iu lut Zotit të vet e tha:..” (Al Imran, 37-38)

Gjer atëherë, Zekerija a.s ishte privuar nga të pasurit fëmijë.  Duke parë që Zoti e furnizonte Merjemen me ushqime të stinëve të tjera, e luti Zotin që t’i falë një fëmijë. Vetëm “atëherë” ai u bind se lutjet e drejtuara Zotit nuk harrohen. Pas kësaj lutjeje, Zoti i dhuroi Zejerijas një djalë, Jahjan a.s. Sa herë që të konstatosh përkushtim ndaj Zotit, besnikëri ndaj Tij, dashuri, lindje fëmijësh pas kushedi sa vitesh martesë, lot për hatër të Zotit etj... lute Zotin se është moment kur të pranohen lutjet. “Atëherë Zekerija iu lut Zotit të vet e tha: “Zoti im! Dhuromë nga ana Jote një pasardhës të mirë! Se Ti, me të vërtetë, je Dëgjues i lutjes!” (Al Imran, 38)

Nëse Zoti nuk u ka dhënë akoma fëmijë, luteni Zotin sidomos gjatë ritualeve të shenjta, si Haxhi dhe Umre. Unë vetë kalova dhjetë vite martesë pa fëmijë. Një vit, gjatë kryerjes së Haxhit, ndodhesha në Arafat. Një nga miqtë e mi më tha:”Lute Zotin që të dhurojë një fëmijë, pasi është ditë kur pranohen lutjet!” Unë u luta me përgjërim atë ditë dhe e ndjeja se Zoti do të ma pranojë këtë lutje dhe ashtu ndodhi. Për mua ishte dita e Arafatit dita e pranimit të lutjes, për dikë tjetër mund të jetë muaji i Ramazanit, një moment përhumbjeje etj... Luteni Zotin që t’ju japë bashkëshortë të mirë dhe të ndershëm, luteni Zotin që t’ju furnizojë me hallall. Nëse keni krijuar lidhje në rrugë haram, ndërpritini menjëherë.

Si e arriti Merjemja këtë gradë?

Ishin lutjet dhe dedikimi i nënës së saj, ajo që e ndihmoi Merjemen dhe e udhëzoi drejt të mirës. Thotë Zoti në Kuran:” Kujto kur gruaja e Imranit tha:“Zoti im, unë Ty ta kam kushtuar atë që është në barkun tim, që të të shërbejë vetëm Ty.” (Al Imran, 35)

Babai i saj, ishte ndër dijetarët më të mëdhenj të Benu Israilëlve dhe shërbente në xhaminë Aksa. Emri i tij ishte Imran. Nëse ti o prind dëshiron të kesh një vajzë si Merjemeja, duhet të jesh ti vetë Imrani. Nëse ti oj nënë dëshiron të kesh një vajzë si Merjemeja, duhet të jesh si nëna e saj, duhet të jesh model për vajzën tënde. Fëmijët nuk kanë nevojë për fjalë, por kanë nevojë për një model të mirë. Nuk ka fjalë më të dobishme dhe të vlefshme sesa modeli i mirë. Një fjalë e urtë siriane thotë:”Bëji llogaritë njëqind herë para se ti gënjesh njerëzit. Bëji llogaritë njëmijë herë para se të gënjesh fëmijët. Bëji llogaritë një milion herë para se të gënjesh Zotin.”

Mos mendoni se jeta e Merjemes ka qenë e lehtë, përkundrazi. Ajo u rrit si jetime, pasi i ati i vdiq në moshë të vogël. Kurse nëna e saj ishte e shtyrë në moshë. Ajo e lindi Merjemen në një moshë kur nuk mund të kujdesej siç duhej për të. Ai që e mori në kujdestari Merjemen është burri i tezes së Merjemes, Zekerija a.s. Edhe ai ishte i shtyrë në moshë dhe nuk kishte fëmijë. Ai lindi vetëm pasi konstatoi furnizimin dhe rizkun që Zoti i çonte Merjemes dhe u lut që Zoti ti falë një fëmijë dhe ashtu ndodhi, Zoti i dha Jahjain.

Zekeria a.s nuk e pati të kollajtë ta marrë Merjemen në kujdesin e tij, pasi shumë murgjër të tjerë të xhamisë Aksa donin të përkujdeseshin për Merjemen. Meqë babai i saj kishte shërbyer në xhami dhe u kishte dhënë mësim murgjërve, të gjithë donin që këtë nder t’ia shpërblenin duke u kujdesur për vajzën e tij. Thotë Zoti në Kuran:”Ti nuk ishe i pranishëm kur ata hodhën short se kush prej tyre do të merrte nën kujdes Merjemen dhe nuk ishe i pranishëm kur ata diskutonin.” (Al Imran, 44)

Për ta caktuar kujdestarin e Merjemes, murgjërit vendosën të hedhin short. Secili mori një laps dhe u vendosën tek rrjedha e ujit, pastaj i hodhën lapsat në ujë. Të gjithë lapsat rendën me rrjedhën e ujit, përveç lapsit të Zekerijas a.s. Ata e përsëritën tre herë këtë provë dhe tre herë lapsi i tij nuk lëvizte fare nga vendi. Kështu, Zekerija e fitoi kujdestarinë e Merjemes. Ata zgjodhën pikërisht lapsat, pasi ishin mjetet me të cilat kishin nxënë dije nga mjeshtri i tyre, Imrani, babai i Merjemes. Kujdestaria e Zekerijas a.s nuk ishte e thjeshtë, por e mbushur plot dashuri dhe dhembshuri për Merjemen. Ky është një mesazh shumë i rëndësishëm që u drejtohet prindërve. Duhet ti doni fëmijët, tu falni atyre dashuri dhe dhembshuri, ti përqafoni dhe tu qëndroni pranë. U falni atyre emocione dhe dashuri, me qëllim që këtë mos e kërkojnë jashtë shtëpisë.

Një prind i mirë dhe i ndershëm, u shërben fëmijëve të tij edhe pas vdekjes. Kjo, pasi Zoti e shpërblen për mundin dhe veprat e tij të mira, duke caktuar persona të mirë që kujdesen për fëmijët e tij. Kështu, pas vdekjes së Imranit, murgjërit debatonin se kush duhej ta merrte vajzën e tij nën kujdestari. A ka njerëz të tillë sot që grinden dhe debatojnë kush të kujdeset për jetimët e myslimanëve? Kush kërkon të marrë nën kujdesje dhe ti edukojë ata? Kur vdiq Xhaferr ibnu Ebi Talib, Profeti a.s u thirri myslimanëve:”Kush do i marrë në kujdestari fëmijët e tij jetimë?” Menjëherë u ngritën tre persona, të cilët donin ti marrin fëmijët për tu kujdesur për ta. Kjo, edhe pse secili prej tyre ishte më i varfër se tjetri.”

Pozita dhe vlerat e Merjemes shënonin vetëm ngritje, saqë merrej si shembull për vlerat e saj morale dhe ndershmërinë, për adhurimin dhe meditimin. Aq sa Zoti e ka sjellë si shembull për besimtarët, burrat dhe gratë. Shembulli dhe modeli që Zoti sjell për besimtarët, janë të dyja gra, Asija gruaja e faraonit dhe Merjemeja. Thotë Zoti në Kuran:”Edhe Merjemen, të bijën e Imranit, e cila ruajti virgjërinë e saj..” (Tahrim, 12) Ajo është shndërruar në simbol të ndershmërisë dhe dinjitetit. Kjo, sepse Merjemeja a.s i kanalizoi energjitë e saj tek adhurimi i Zotit. Nuk kishte burrë që mund ta shfrytëzojë dhe përdorë në interes të tij  botën emocionale të Merjemes. Ajo e kishte të llogaritur çdo buzëqeshje, çdo hap dhe çdo rrobë që vishte. Është e vërtetë që ajo i shërbente xhamisë Aksa, ku gjendeshin shumë burra, por ajo kishte vendosur norma etike dhe morale në komunikimin me ta. Prandaj ajo konsiderohet si simbol i dëlirësisë mbi tokë.

(Kujto) kur engjëjt thanë: “O Merjeme! Allahu të ka zgjedhur, të ka pastruar dhe të ka parapëlqyer ty mbi të gjitha gratë e botës.” (Al Imran, 42)

Allahu i lartësuar nuk e zgjedh një njeri, veçse në bazë të disa kritereve dhe cilësive pozitive. A nuk më thua o motër, çfarë ke bërë që të zgjedhë Zoti ty? Përse të zgjedhë ty dhe ti falë të gjitha gjynahet?

A është e mundur që të pendohesh në këto çaste dhe të largohesh nga gjynahi të cilin e di vetëm ti dhe Zoti, me qëllim që hysh tek të zgjedhurit e Zotit dhe të fitosh xhenetin? Mos mendo se duke qenë e zgjedhur nga Zoti, nuk do të kalosh sfida dhe sprova në këtë botë. Vetë Merjemeja u sprovua dhe jeta e saj ishte plot dhimbje. Fillimisht, asaj i vdiq babai dhe pas pak kohësh si vdiq dhe nëna. Mandej i vdiq personi që përkujdesej për të, Zekerija a.s, i cili në fakt u pre me sharrë. Kurse kushëririt të saj Jahja a.s, iu pre koka. Jo vetëm kaq, por ajo u akuzua për çështje nderi kur lindi profetin Isa a.s. Ajo brodhi sa në një vend në një tjetër. Nga këto lëvizje të shumta, djali i saj, Isai a.s, u quajt Mesih (shëtitës dhe endacak). Ajo u privua nga jeta bashkëshortore edhe pse ishte e bukur, e dhembshur, e brishtë dhe e dashur. Nëse ti oj motër nuk jeton një jetë bashkëshortore të stabilizuar, mos thuaj “Përse më ndodhin mua këto?!” Le të shërbejë Merjemeja si model për ty.

Ajo jetoi dhe sakrifikoi gjithçka për djalin e saj, Isain a.s. Megjithatë, kur ai u ngrit në qiell nga Zoti, e humbi.

 

Historia e Merjemes (2)

Submitting your vote...
Not rated yet. Be the first who rates this item!
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

22/04/2019
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
04:0505:4712:4616:3119:3321:04

Urtësi Profetike

Gjërat që i çojnë njerëzit

më shumë në Xhennet

janë devotshmëria

dhe mirësjellja.


Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook