Historia e Musa ibn Nusajr
Kjo është një faqe prej historisë së zgjerimit islam, që ishte një çudi e historisë sa i përket shpejtësisë dhe vezullimit të saj dhe që ishte gjithashtu një çudi historike sa i përket jetëgjatësisë, vazhdimësisë, pastërtisë së metodologjisë dhe dëlirësisë së saj në lartësinë dhe piedestalin e objektivit. Në këtë faqe të saj, historia pa një zgjerim islam, madhështia e të cilit nuk mund të llogaritet. Historia nuk kishte parë zgjerim më të vrullshëm dhe më të dobishëm.
Në këtë zgjerim nuk kishte popull triumfues dhe tjetër të mposhtur, por klasifikim i tij në ishin të devotshmit dinjitozë, të prishurit të shthurur dhe ateistë blasfemues. Njeriu më i nderuar ishte më i devotshmi, pavarësisht nëse ai ishte prej triumfuesve apo prej të mundurve, sepse Islami nuk shikon tek gjenealogjia por tek punët, nuk i dallon njerëzit falë etërve të tyre, por në saj të personit të tyre. Madhështia në Islam nuk akordohet falë ofiqit të lartë dhe pasurisë së shumtë, por falë besimit të çiltër dhe veprave dinjitoze...
Allahu i Lartësuar e udhëzoi Egjiptin me Umerin, kështu që islamizimi i Egjiptit konsiderohet një mirësi prej të mirave të Umerit. Sa i përket Marokut, islamizimi i tij fillimisht ishte një mirësi prej mirësive të Ukbe ibn Nafi’i-t, së dyti të Hasen ibn Nu’amen-it dhe së fundi Musa ibn Nusajr-it. Nëse Allahu nuk do e kishte bërë shkak Musa ibn Nusajrin për islamizimnj e këtyre trojeve, zgjerimi islam në këtë territor nuk do të ishte stabilizuar dhe Islami në të nuk do të ruhej. Po kështu nëse s’do ishte Musa ibn Nusajri, ne muslimanët nuk do ta kishim në historinë e krenarisë sonë hostorinë e Andaluzisë, këtij Firdeusi tanimë të humbur.
Musa ibn Nusajri është një hero, të cilit nuk iu dha haku sa ishte gjallë, karshi veprës së tij tepër dinjitoze, madje edhe pas vdekjes së tij. Teksa gjejmë të përjetësohet emri i Tarikut në malin e njohur me “xhebel Tarik-xhibraltar”, harrohet të përmendet fakti, se vetë Tariku është një mrekulli e jashtëzakonshme e ardhur nga përzgjedhja e Musa ibn Nusajrit. Por është edhe një mal tjetër në zonën e Andaluzisë i njohur si mali i Musës, i cili gati është harruar. E pra të mos harrojmë, se ishte pikërisht Musa ibn Nusajri ai që e dërgoi Tarikun në Andaluzi, e mundësoi atë që të konsolidojë themelet e kështjellës Andaluzi, ku Tarikut i takon veç një piedestal prej piedestaleve të shumta të saj. Gjithsesi, unë nuk dua t’i hyj në hak Tarikut dhe me lejen e Allahut, do të vijë në vijim fjala ime e paanshme për të, ashtu siç i takon.
-------
Kjo është historia e Musa ibn Nusajrit, të cilën po e paraqes në vijimësi, pa u ndaluar të bëj komente dhe orientime, por duke i lënë ngjarjet dhe frazat e saj të flasin me gjuhën e tyre.
Musa ibn Nusajri s’ishte thjesht një komandant ushtrie, por ai ishte një lider i mençur, një ligjërues i arrirë, një besimtar i përkushtuar që ia kishte frikën Zotit të tij, një njeri që punonte për Amshimin e tij; një model i kompletuar i nxënësve të ciklit të dytë të akademisë së Muhamedit (a.s), tebi’inëve (gjeneratës pas shokëve të Profetit a.s)...
I ati i tij, Nusajr Meule Abdulaziz ibn Mir’uani, ishte një prej rojeve personale të Muavijes. Kur Muavija bëri kryengritje kundër prijësit të besimtarëve Ali ibn Ebi Talibit, Nusajri nuk u e mbështeti atë. Muavija e pyeti: “Ç’të pengoi të dilje me mua, që më detyrohesh aq sa nuk ke si ma shpërblen?”. Nusajri i tha: “Nuk mundesha të ta shpërbleja ty, duke u treguar mosmirënjohës me Atë që është më meritor për falënderimin tim”. Muavija i tha: “Mjerë për ty! Për kë e ke fjalën?” Nusajri tha: “E kam fjalën për Allahun”... Muavija qëndroi ca dhe pastaj tha: “Të vërtetën po thua. I kërkoj falje Allahut”.
Nëse Muavija do të kishte qenë thjesht një mbret si mbretërit të cilët do t’i gjesh të përmenden në kronikat e historisë, me siguri që në këtë rast do të zemërohej me Nusajrin, por ai ishte një sahabi (shok) i të Dërguarit të Allahut dhe ishte një prej shkruesve të Shpalljes (Kuranit), prandaj kur ai u ndërgjegjësua mbi të vërtetën, nuk e refuzoi por e ndoqi atë.
Musa ibn Nusajri qëndroi tek Abulaziz ibn Mir’uani, i cili ishte udhëheqës i Egjiptit dhe konsiderohej më i miri i Beni (djemve të fisit të) Mir’uan-ëve, saqë nuk dihet që ky fis të ketë pasur një njeri më të merituar se ai, përveçse djalit të i tij madhështor (Umer ibn Abdulazizit).
Musa ibn Nusajri si angazhim kryesor të tijin kishte ekspeditat ushtarake për zgjerimin e Islamit në Afrikë, me të cilat ai kishte kaptuar shkretëtirën dhe kishte lundruar në det. Ai vazhdoi kështu, deri kur kalifatin e trashëgoi Abdulmaliku. Abdulmaliku deshi që ta nderonte vëllanë e tij më të vogël Bishrin, me fronin e Irakut, por nuk e bëri një gjë të tillë në mënyrë direkte. Ai ishte i vetëdijshëm, se vëllai i tij Bishri ishte i paaftë për këtë pozitë. Gjithashtu Abdulmaliku ishte i vetëdijshëm mbi faktin juridik islam, se kush emëron një person në një përgjegjësi, teksa në mesin e muslimanëve gjendet dikush që është më i aftë për këtë gjë, ai bie në pabesi karshi Allahut dhe muslimanëve. Prandaj Abdulmaliku i shkroi vëllait të tij Abdulazizit, që t’ia dërgonte Bishrin dhe bashkë me të edhe Musën për t’i vendosur në fronin e Irakut. Ai ia bënte të qartë Abdulazizit faktin, se udhëheqësi i vërtetë i Irakut do të ishte Musa ibn Nusajri, kurse Bishri do kishte thjesht emrin. Pra përgjegjës për çështjet dhe problemet e Irakut do të ishte Musa.
Kësisoj në dukje udhëheqjen e mori Bishri, por udhëheqës i vërtetë ishte Musa ibn Nusajri, i cili i menaxhoi më së miri çështjet e Irakut dhe i trajtoi njerëzit me politikën më të mirë të mundshme, deri kur Bishri vdiq. Pas kësaj, në vend të Bishrit u emërua burri i prerë, i rrëmbyer dhe zullumqar, Haxhaxhi, i cili e urrente së tepërmi Musa ibn Nusajrin. Haxhaxhi tentoi të siguronte lejen e Abdulmalikut që ta ndëshkonte Musën.
Në Damask gjendej një shok i ngushtë i Musës, Khalid ibn Ebeni, i cili depërtoi tek ky realitet dhe i shkroi Musës: “Je i pezulluar nga pozita. Të është vënë pas Haxhaxh ibn Jusufi, i cili synon të bëjë me ty gjënë më të vrazhdë të mundshme. Shpëto kokën! Që të shpëtosh ose ik në Persi, ose shko tek Abdulazizi e kërkoi të të strehojë. Mos lejo të biesh në dorën e të nëmurit të Thakifit (Haxhaxhit)”.
Kur i mbërriti kjo letër, Musa ibn Nusajri u nis për tek Abdulazizi, i cili ishte në Sham në mision e sipër për t’i dërguar kalifit buxhetin e ardhur nga Egjipti...
Haxhaxhi, kur pa se Musa ibn Nusajri i shpëtoi, u zemërua shumë dhe i shkroi Abdulmalikut: “Musa ibn Nusajri ka konfiskuar s’dihet sa nga paratë e Irakut dhe është arratisur. Dërgo ta kapin dhe të ma sjellin!” Por Abdulazizi e mori Musën me vete tek i vëllai (Abdulmaliku). Ai ndërhyri tek Abdulmaliku, derisa mori pëlqimin e tij për Musa ibn Nusajrin, që ta merrte me vete në Egjipt. Kur vdiq Hasani, udhëheqësi i përgjithshëm i ushtrive arabe në Egjipt, Musa emërohet udhëheqës i komandës së përgjithshme në vend të tij.
Flamuri i Islamit ishte valëvitur nga dora e Ukbe ibn Nafi’i-t, në tërë zonën e sipërme të Afrikës. Ukbeja me ushtrinë e tij kishte depërtuar gjithë veriun e Afrikës, deri në mesin e fiseve barbare. Por gjithsesi kjo ekspeditë ushtarake nuk kishte arritur t’i spastronte këto territore nga forcat armike.
Kur Musa ibn Nusajri e mori detyrën në dorëzim, ai vuri re se ushtritë islame që kishin arritur deri në det, ishin kthyer në Kirauan. Ukbe-ja e kishte ndërtuar përkohësisht Kirauanin, që ajo të shërbente si qendër fikse e komandës. Por ekspeditat e Ukbes “pas baticës i kishte kapur zbatica” dhe ishin detyruar të tërhiqeshin... Kirauani s’ishte veçse një kompleks kasollesh dhe kjoskash, saqë edhe xhamia e tij s’ishte më shumë se ca mure balte të mbyllura përsipër me disa dërrasa. Malet përreth Kirauanit ishin që të gjitha në duart e barbarëve, të cilët e kërcënonin vazhdimisht qytetin. Banorët e Kirauanit ishin në rrezik dhe të alarmuar, mëngjes dhe mbrëmje...
Çlirimtarët muslimanë, ndër gjithë kombet që kishin hasur, nuk kishin gjetur më të fuqishëm në armatim dhe më të ushtruar në luftë sesa turqit në lindje dhe barbarët në perëndim. Qe Vullneti i Allahut, që të parët (turqit) të goditeshin me Kutejben, ndërsa të dytët (barbarët) të goditeshim me Ukben dhe më pas me Musa ibn Nusajrin.
Kur Musa arriti tek baza e komandës, në Dhetu Xhemexhim, ai i tuboi komandantët dhe oficerët, të cilëve u mbajti një fjalim ku i prezantoi me veten dhe strategjinë e tij. Musa gjithashtu u bëri atyre me dije strategjinë e tij qeverisëse, e cila ishte një strategji e tipit umerit. Kjo strategji bazohej mbi “Forcën jo dhunën, butësinë jo dobësinë, modestinë jo poshtërimin. Jo monopolizimit ushtarak, jo autoritarizmit, jo rreshtimit me pahir në anën e së kotës”.
Ndër të tjera ai tha:
“Unë jam një person si çdonjëri prej jush. Kush shikon prej meje një të mirë, le ta falënderojë Allahun dhe të inkurajojë në një gjë të tillë, ndërsa kush shikon nga unë një të keqe, le ta ndalojë atë. E pra edhe unë gaboj, njëlloj si ju, dhe ia qëlloj, ashtu siç edhe ju ia qëlloni. Kush ka ndonjë nevojë le ta ngrejë atë tek ne. Me lejen e Allahut ne kemi për t’ia kryer atë, qoftë e madhe apo e vogël. Ndryshimin e gjendjes dhe fuqinë i ka në dorë vetëm Allahu”.
Më pas Musa ibn Nusajri e kaloi komandën e ushtrisë në paravijën e Kirauanit. Në Kirauan ai mbajti një fjalim të dytë, në të cilin deklaroi strategjinë e tij ushtarake, ashtu sikundër në fjalimin e parë pati sqaruar strategjinë e tij civile.
Në këtë fjalim të dytë të tijin ai tha:
“Luftëtar i afirmuar është vetëm ai, që i nxihen sytë nga pagjumësia, që e ka vështrimin të mprehtë, që ka shpirt aventurier, vullnet të çeliktë, që nuk kënaqet me plaçkë të pakët thjesht që të shpëtojë, të dalë i pacenuar, pa i folur kush dhe pa i folur kujt, i pavendosur; por ai që është tepër i vendosur, që ka një dituri gjithnjë në rritje, që konsultohet me kompetentët mbi dispozitat e opinioneve që bart, që nëse triumfon, triumfi nuk i shton tjetër vetëm se vëmendje, që në tragjedi shfaqet i paepur dhe durimtar, që shpreson prej Allahut një përfundim të mirë. Ata që qenë para meje i mëshonin armikut të skajshëm dhe e neglizhonin armikun e afërt, i cili kësisoj shfrytëzonte situatën dhe arrinte të pikaste pikat e dobëta, gjë e cila pa dyshim që ndikonte negativisht. Betohem në Allahun, se këto kala dhe male të fortifikuara nuk do më kënaqin, derisa Allahu ta vendosë nën këmbët tona më të lartën prej tyre, të na e nënshtrojë më të fortifikuarën prej tyre, t’i kalojë në anën e muslimanëve disa prej tyre ose që të gjitha, ose Allahu të gjykojë urtësisht për to, Ai është më i gjykueshmi i gjykuesve”.
Në këtë fjalë të përmbledhur por të paarrirë, vërehet imazhi më i kthjellët i mundshëm i një komandanti të kompletuar. Ai nisi ta bënte realitetit atë çfarë tha, duke bërë gati shumë shpejt një armatë prej pesëqind kalorësish, të cilët zbarkuan në Ze’auna, prej ku u kthyen me shumë plaçkë dhe robër lufte. Më pas ai nisi një ushtri të dytë, në krye të së cilës vuri djalin e tij Abdurrahmanin dhe më pas një të tretë nën komandën e djalit të tij Mir’uanit.
Falë kësaj, u bë i mundur pastrimi territorial i gjithë zonës së Kirauanit prej armiqve. Nga ana tjetër, këto zhvillime bënë të mundur edhe garantimin e sigurisë së qendrës së komandës të vendosur në Kirauan. Në këto zgjerime plaçka e luftës që u përftua, arriti një vlerë tepër të madhe, ashtu që një e pesta e saj që i takonte arkës së shtetit, kapi shifrën prej gjashtëdhjetëmijë. Këtë shumë Musa e bëri gati t’ia dërgonte Abdulazizit, të cilit i dërgoi paraprakisht një letër, por ku shkruesi gaboi në shkrimin e shifrës, duke e shënuar atë tridhjetëmijë. Kur letra e Musës i arriti Abdulazizit, këtij të fundit shifra e përmendur iu duk shumë e madhe, gjë që e bëri t’i dërgonte Musës një korrespondencë ku e pyeste nëse shuma e shkruar në letër ishte e saktë apo kishte ndonjë gabim. Musa iu përgjigj Abdulazizit me një letër tjetër ku i shkruante se shkruesi kishte gabuar, por gabimi i tij ishte pakësues jo zmadhues, pasi shuma korrekte ishte dyfish, ishte gjashtëdhjetë mijë.
-----
Interesimi kryesor i Musa ibn Nusajrit ishte zgjerimi. Fiset më të afërta që ishin objektivi i tij ishin: Galja, Hauera, Zenene dhe Ketme, sot Alegjeria, të cilat ishin fise barbare me një potencial lufturak tepër të madh si në aspektin logjistik ashtu edhe në numrin e luftëtarëve. Ndërsa në kufijtë më të largët të Marokut gjendeshin fiset e fuqishme dhe të rrepta Sanhaxhe, që të gjithë luftëtarë të shkretëtirës. Por arabët ishin njëkohësisht edhe të rrahur me shkretëtirën e edhe luftëtarë të aftë dhe mbi të gjitha ishin armatosur me besimin që i kishte bërë ata ta kërkonin vdekjen në rrugë të Allahut ashtu siç të tjerët e kërkonin jetën.
Musa fillimisht u bëri ofensivë fiseve të afërta, të cilat në fakt e kishin provuar luftën e arabëve dhe të muslimanëve dhe e kishin mësuar shpirtin e tyre luftarak. Fiset në fjalë fillimisht u mbrojtën fuqishëm, por më pas u dorëzuan… Musa bëri armëpushim me ta dhe gjithashtu mori prej tyre disa pengje, me qëllim që t’i kontrollonte ata që të mos binin në tradhti, gjë të cilën ata e kishin për zakon…
Pastaj Musa me një ushtri profesionistësh, vullnetarësh arab dhe barbarësh që kishin pranuar islamin, u drejtua kah Sanhaxha. Rrugën e tij ia ndërpreu lumi, i cili ishte shtuar dhe vërshonte me rrëmbim. Për ta kaluar lumin, Musa përdori një taktikë të ndryshme nga taktika e Ukbes. Ai e kaloi lumin dhe vijoi marshimin drejt fiseve Sanhaxha, të cilët i gjeti të përgatitur për luftë. Beteja u zhvillua në një arenë të gjerë midis maleve të pakalueshëm. Ata ishin pozicionuar në këto male, sepse në Galja mund të shkohej vetëm nëpërmjet disa ngushticave të pakta midis shkëmbinjve. Beteja u zhvillua ditën e enjte, të premte dhe deri të shtunën në mesditë. Kjo betejë ishte një ndër betejat më të ashpra.
Në këtë betejë, një kalorës barabar bëri thirrje të dilte dikush të dyluftonte me të, por askush nuk e mori iniciativën të dilte, nisur nga pamja e tij që të kallte datën. Kësisoj Musa urdhëroi djalin e tij Mir’uanin që të dilte të dyluftonte me të. Barbari qeshi me të dhe i tha: Kthehu sepse unë nuk dua ta lë tët atë pa ty. Miruani e mësyu atë fuqishëm, aq sa e detyroi të zmbrapsej në anë të malit dhe të mendonte për t’u arratisur. Teksa po arratisej, barbari hodhi drejt Miruanit një heshtë të shkurtër, të cilën Miruani arriti ta kapte pa rënë në tokë dhe pasi e kapi e hodhi vrullshëm drejt barbarit, Heshta iu ngul barbarit thellë në ije dhe ai u shemb përdhe.
Fitorja i priu muslimanëve, të cilët e shtrinë pushtetin e Islamit në të gjithë veriun e Afrikës, ku mbeti jashtë territoreve të çliruara vetëm Tanxha dhe fshatrat përreth. Një të pestën e plaçkës së luftës, Musa ia nisi kalifit.
Mbi fisnikërinë dhe devocionin e Musa ibn Nusajrit ndër të tjera hedh dritë edhe sa më poshtë:
Kur kalifit Abdulmalik ibn Miruanit i arriti letra e Musait, që bënte fjalë mbi zgjerimin e madh, kalifi urdhëroi që Musës t’i jepeshin si shpërblim nga sasia e një të pestës së plaçkës së luftës një vlerë njëqind mijëshe. Normalisht Musait i lejohej fetarisht që t’i merrte ato të holla, pasi prej traditës profetike është që personit që i vijnë të tilla dhurata pa i kërkuar dhe pa i paramenduar, i takon që t’i marrë ato dhe më pas po deshi me këto para ai mund të bëjë donacion apo t’i japë lëmoshë. Kur Musait i erdhi kjo sasi të hollash, ai e tuboi ushtrinë dhe u dëshmoi atyre, se të gjitha ato i kish dhënë donacion për muslimanët, për çlirimin e skllevërve dhe për muslimanët e rënë robër në luftë…
Kur Allahu i mundësonte Musa ibn Nusajrit të kapte robër lufte, ai i hetonte ata, u testonte mendjen dhe ua provonte zgjuarsinë. Kur shihte ndonjë rob që ishte i zgjuar dhe mendjemprehtë, i propozonte ta pranonte Islamin dhe nëse robi e pranonte Islamin, Musa e çlironte. Më pas ai kujdesej për këtë person, deri kur ai bëhej prind. Falë kësaj nga shtresa barbare dolën liderë dhe dijetarë, prej të cilëve ishte edhe Tariku, për të cilin kronika më e saktë historike përcjell, se ai i përkiste barbarëve që u islamizuan.
Pasi e vuri nën qeverisjen e Kalifatit Islam tërë territorin e veriut të Afrikës dhe arriti ta bëjë realitet nismën e Ukbes, Musa ibn Nusajri e ktheu vështrimin kah deti. Ai ndërtoi një rezervuar gjigand, i cili u gërmua në një zonë të sigurt pranë detit dhe tek ky rezervuar përmes një kanali solli ujin e detit. Tek kjo zonë Musa urdhëroi të ndërtoheshin njëqind anije…
Ata ibn Ebi Nefi’i el Hudheliu erdhi me një flotë nga Egjipti, i dërguar nga Abdulazizi me objektiv ishullin e Sardenjës. Ai ankoroi tek Musa, i cili urdhëroi që Ata’i-t t’i bëheshin të gjitha shërbimet që kishte nevojë. Musa i shkroi Ata’i-t një letër, ku i sqaronte se sezioni i lundrimit për këtë vit kishte përfunduar, si dhe i thoshte që të mos mashtronte as veten dhe as muslimanët, duke lundruar në këto rrethana të rrezikshme. Ata’u nuk ia vuri veshin shkresës së Musës, por i ngarkoi anijet dhe u nis në lundrim. Ai arriti të çlironte një ishull të vogël, ku zuri edhe plaçkë lufte, por kur u kthye u sulmua nga furtunat detare, të cilat e trazuan detin aq shumë, saqë Ata’i me gjithë ekuipazhin e tij u mbytën, përveç një numri të pakët të cilët dallgët i hodhën në bregun e Afrikës. Kur Musa mori vesh për tragjedinë në fjalë, ai dërgoi një ekip shpëtimi. Më tej Musa urdhëroi që asnjë nga anijet e tjera të mos dalë në det, por urdhëroi që ato të mbaheshin në ruajtje dhe t’u bëhej shërbim.
Kur kantieri i prodhimit të anijeve i iniciuar nga Musa, arriti të prodhojë flotën e parë detare, për këtë arritje u organizua një festë e madhe. Me këtë rast Musa deklaroi, se ai vetë do ta shoqëronte nisjen e kësaj flote. Të gjithë njerëzit hipën nëpër anije dhe kur të gjitha anijet ishin të kompletuara për lundrim, Musa caktoi gjeneral djalin e tij Abdullahun, të cilit iu besua komanda e flotës në fjalë. Musa e urdhëroi atë, që aty për aty të niseshin drejt Siçilisë, ku Abdullahu me ushtrinë e tij arritën të çlirojnë një qytet të saj dhe të kthehen triumfues dhe me plaçkë të shumtë lufte. Më pas luftërat me nisje nga deti vijuan njëra pas tjetrës drejt Sardenjës dhe Siçilisë, në të cilat u bë i mundur çlirimi i gjithë ishujve lindorë.
Më pas Musa e nisi djalin e tij Mir’uanin me misionin e çlirimit të Susit të poshtëm, gjë të cilën Mir’uani e përmbushi me sukses, duke çliruar qytetin e saj Tanxha. Në Afrikë, veç Sebtes që ishte nën dominimin e Spanjës, nuk mbeti asnjë territor jashtë qeverisjes Islame.
Musa ishte i vendosur ta çlironte edhe Sebte-n, madje ai aspironte të çlironte vetë Spanjën, por atij iu desh t’i paraprijë kësaj me disa beteja dytësore, pasi së pari Musa i frikësohej futjes së ushtrisë muslimane në një aventurë të tillë dhe së dyti në zbatim të orientimeve të kalifit Uelid ibn Abdulmalikut. Ndër këto ofensiva dytësore ishte edhe përgatitja e armatës së flotës detare, të cilën me në krye Tarif ibn Amirin, e nisi për në ishullin që më pas quhet ishulli i Tarifit. Tarifi e kreu me sukses misionin e tij dhe u kthye fitimtar, i padëmtuar dhe me plot plaçkë lufte.
Një ofensivë të madhe prej shtatë mijë ushtarësh, shumica e të cilëve ishin prej barbarëve që kishin pranuar Islamin dhe i ishin përkushtuar atij, Musa e nisi nën komandën e Tarikut, drejt Andaluzisë. Në këtë armatë bënin pjesë luftëtarë të armatës së Musës por edhe të aleatëve të tij. Kjo ekspeditë pati sukses të habitshëm, ashtu që përmes saj u realizua çlirimi i disa qyteteve të mëdha dhe nëse Musa nuk do e kishte urdhëruar Tarikun të priste derisa ai t’i bashkëngjitej, ndoshta kjo armatë islame do kishte shtrirë hegjemoninë e saj në të gjithë Andaluzinë.
Në fakt, kur komandanti i përgjithshëm Musa ibn Nusajri e kishte nisur Tarikun në këtë ekspeditë, nuk e kishte nisur t’i çlironte këto vise, por kishte pasur qëllim më të vakët, kishte dashur që me këtë ofensivë ta ngacmonte armikun që të studionte situatën e tij, ndaj dhe i kishte caktuar Tarikut një limit që ai nuk duhej ta kapërcente, duke qenë se jeta ushtarake duhet të ngrihet mbi principin e bindjes. Por kur Tariku e kapërceu limitin e caktuar dhe penetroi me ushtrinë e tij të vogël, aq sa ishte në rrezik që të rrethohej nga armiqtë, e meritoi këtë urdhër për mosavancim, që i erdhi nga Musa, por në krahun tjetër Tariku natyrisht meritonte edhe të falënderohej për suksesin që kishte arritur...
Musa hyn shpejt në Andaluzi me një ushtri të madhe prej tetëmbëdhjetë mijë luftëtarësh, gjysma e të cilëve ishin prej barbarëve. Qëllimi kryesor i kësaj ushtrie ishte të mbronte ushtrinë e Tarikut dhe t’i përforconte shpinën. Në këtë kohë Musa ishte goxha i moshuar dhe i kishte kapërcyer të shtatëdhjetat. Por ai ishte si një luan gjahtar, e kaptoi Spanjën dhe e shushati atë, ashtu që atij nuk mundi t’i bëjë ballë asnjë ushtri e armikut. Asnjë armik nuk mundi t’i dilte përpara, asnjë rival nuk arriti t’i rezistojë dhe asnjë kështjellë nuk bëri qëndresë.
Kur hyri në Andaluzi, Musa e shmangu malin nga kishte hyrë Tariku dhe hyri nga një vend, i cili deri në ditët e El Mukriut, përpiluesit të veprës “Nefhu Tajib” (që daton treqind vjet më parë), është njohur si mali i Musës dhe ende sot e kësaj dite njihet si i tillë.
Më pas Musa me ushtrinë e tij vijoi në një trajektore në perëndim të linjës së ndjekur prej Tarikut dhe ushtrisë së tij. Mbërriti në Shedhuna, të cilën e shtrëngoi të dorëzohet. Pastaj shkoi për në Karamona, e cila siç vjen në “Nefhu Tajib” ishte zona më e fortifikuar e Andaluzisë dhe më e pamundura për t’u aneksuar qoftë me rrethim, qoftë me luftë. Musa arriti të hyjë në të dhe më pas avancoi për në Ishpelia (Sevilie), që ishte qyteti më madhështor në Andaluzi për sa i përket reputacionit dhe arkitekturës dhe që para Gotëve kishte shërbyer si rezidencë e mbretit, por kur Gotët arritën të triumfonin mbi mbretin e Spanjës, ata e kaluan pushtetin në Toledo, teksa klerikët mbetën në Sevilie. Kur Musa mësyu Sevilien, klerikët i bënë rezistencë Musës për njëfarë kohe, por shpejt Allahu e mundësoi Musën që ta çlironte Sevilien dhe mbetjet e ushtrisë spanjolle u fortifikuan në kalanë e quajtur Eljakent. Shpejt kjo kala çlirohet dhe Musa drejtohet për në qytetin Meride, të cilën e rrethoi. Banorët e këtij qyteti bënë një përpjekje të madhe defensive, me ç’rast Musa projekton një “blindë”, i cili ishte një si karrocë e mbuluar përsipër me dërrasa dhe lëkurë, me të cilën ushtria muslimane sulmonin muret e kalasë së qytetit. Kjo karrocë kishte në pjesën e saj të përparme një kreshtë të hekurt, që anonte përpara dhe arrinte të shponte muret e kështjellës. Nën këtë karrocë muslimanët i morën me radhë kullat e kalasë, të cilat filluan t’i shembnin sa me kreshtën në fjalë e sa me kazmat e tyre që i përdornin të sigurt nën strehën e kësaj “blinde”. Kjo gjë i bëri banorët që të kërkonin armëpushim, gjë me të cilën u realizua edhe çlirimi i këtij territori.
Banorët e Sevilies u rebeluan dhe ngritën krye sërish, prandaj Musa dërgoi tek ata djalin e tij Abdulazizin, i cili arriti ta çlironte sërish Sevilien. Paskëtaj Musa u nis për në Toledo dhe në rrugë e sipër u takua me Tarikun, të cilin e kritikoi ashpër për mospërmbajtjen karshi urdhrave që i kishte dhënë. Musa deshi edhe ta ndëshkonte, por më pas e fali dhe ra dakord me të, që ai të përparonte dhe të vijonte në çlirim të lindjes, ndërsa Musa vijoi ekspeditën çlirimtare në drejtim të perëndimit. Pasi të dy mbaruan me çlirimin e zonës së Andaluzisë dhe Kasteljas, Musa iu drejtua Aragonit dhe në rrugë e sipër u bashkua me Tarikun para mureve të Saragozës, e cila u çlirua nën komandën e Musës. Më tej Tariku u nis në lindje dhe çliroi Valencian dhe Barcelonën. Kurse Musa depërtoi përtej maleve Pirenej dhe arriti në dy skajet jugore të Francës. Tariku nga ana e tij u drejtua për në Galicia, në zonën veriperëndimore të Spanjës... Musa ishte i vendosur të çlironte tërë Evropën nga Perëndimi i saj, por siç u pa Allahu i Lartësuar nuk e kishte shkruar diçka të tillë... Përmbushja e mëtejshme e kësaj nisme të Musa ibn Nusajrit pengohet nga një letër e kalifit, që i vjen atij prej Shamit, në të cilën Musa dhe Tariku urdhëroheshin të paraqiten tek kalifi në Damask...
Allahu e mëshiroftë Ukben, Musën dhe Tarikun. Allahu ngjalltë prej nesh shpirtra dhe zemra si shpirtrat dhe zemrat e tyre...
Shenim: Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.


