By: Tarik Suvejdan

Historia e profetit Ibrahim a.s.


Historia e profetit Ibrahim a.s.

 

Pas vdekjes së Salihut a.s dhe me kalimin e viteve, idhujtaria filloi të përhapej sërish mes njerëzve. Shejtani e realizoi premtimin e tij edhe një herë në Palestinë, Gadishullin Arabik, Irak, Egjipt etj...

Me këtë rast, Zoti i lartësuar dërgon një nga profetët më të shquar, një nga pesë profetët e vendosur, babanë e profetëve, Ibrahimin a.s. Emri dhe gjenealogjia e tij ishte Ibrahim biri i Tarih. Nofka e të atit ishte Azer, për shkak se u vinte në ndihmë njerëzve të popullit të tij.

Historia e Ibrahimit a.s ceket në Kuranin fisnik në shtatëdhjetë e tre vende, gjë e cila është tregues i madhështisë së këtij Profeti dhe rëndësisë së historisë së tij. Ibrahimi a.s është nga pasardhësit e Sam-it, djalit të Nuhut a.s. Ibrahimi a.s lindi dhe u rrit në veri të Irakut, në qytetin Babiloni. Ky qytet ishte selia e civilizimit të asaj kohe dhe banorët e tij ishin idhujtarë. Thotë Zoti në Kuran:

"Dhe ai tha: “Ju, në vend të Allahut, keni zgjedhur idhujt, për shkak të dashurisë midis jush në këtë jetë.” (Ankebut, 25)

Kur ai i tha të atit dhe popullit të tij: “Ç’janë këta idhuj, që ju po i adhuroni kaq shumë?”, ata thanë: “Baballarët tanë i adhuronin këta.” (Enbija, 52-53)

"Tregoju atyre historinë e Ibrahimit, kur i tha babait të vet dhe popullit të vet: “Çfarë adhuroni ju? Ata u përgjigjën: “Adhurojmë idhujt e përherë u jemi përkushtuar atyre”. Ai i pyeti: “A ju dëgjojnë ata kur ju luteni? A mund t’ju sjellin dobi apo dëm?” U përgjigjën: “Jo, por i kemi gjetur të parët tanë që vepronin kështu." (Shuara, 69)

Ata vetë e pranonin se ishte një rit që e kishin trashëguar nga të parët e tyre. Me pyetjet e tij, Ibrahimi a.s synonte stimulimin e tyre për të menduar dhe logjikuar mbi adhurimin e idhujve të tyre. Njeriu e adhuron Zotin, me qëllim që kur të ketë nevojë ta lusë dhe Ai t'i përgjigjet. Ai e adhuron Zotin, me qëllim që ta udhëzojë në jetë dhe ta ndihmojë të jetojë konform natyrës dhe ligjeve të Zotit. Megjithatë, këta njerëz e kishin kyçur arsyen e tyre dhe nuk ishin racionalë në këtë çështje.

Vetë Ibrahimi a.s kurrë nuk i kishte adhuruar idhujt e popullit të tij. Këtë e konfirmon vetë Zoti në Kuranin fisnik, ku thotë:"Në të vërtetë, Ne e udhëzuam Ibrahimin në rrugë të drejtë qysh më parë dhe e njihnim atë (se ishte i aftë për këtë gjë)." (Enbija, 51)

Ai e filloi përmbushjen e mesazhit të tij me babanë. Thotë Zoti:"Trego në Libër për Ibrahimin! Ai ishte njeri i së vërtetës dhe profet. Ai i tha të atit: “O babai im, përse adhuron atë që as nuk dëgjon, as nuk sheh e as që mund të të sjellë ndonjë dobi? O babai im, mua më ka ardhur prej diturisë, çfarë s’të ka ardhur ty; andaj ndiqmë mua dhe unë do të të udhëzoj në rrugën e drejtë! O babai im, mos adhuro djallin, sepse ai është gjithmonë i pabindur ndaj të Gjithëmëshirshmit. O babai im, unë kam frikë se mos të vjen ndonjë dënim nga i Gjithëmëshirshmi e kështu të bëhesh i afërm i djallit!" (Merjem, 41-45)

Përgjigja e babait të Ibrahimit a.s ishte:"Ai u përgjigj: “O Ibrahim! Si guxon t’i hedhësh poshtë zotat e mi?! Nëse nuk heq dorë, unë do të të mbys me gurë; andaj, largohu prej meje për një kohë të gjatë”! (Merjem, 46)

Ibrahimi a.s, me butësinë që e karakterizonte, i tha:"Ibrahimi tha: “Shpëtimi qoftë mbi ty! Do t’i lutem Zotit tim që të të falë. Me të vërtetë, Ai është i mirë me mua." (Merjem, 47)

Edhe pse mori një përgjigje të vrazhdë, Ibrahimi a.s u lut për falje, paqe dhe shpëtim për të atin. Por kur kuptoi se lutja për jobesimtarët është e ndaluar, u distancua përfundimisht.

"Ndërsa lutja e Ibrahimit për faljen e babait të tij, ka qenë vetëm për shkak të një premtimi, që i kishte bërë. Por, kur iu bë e qartë se i ati ishte armik i Allahut, ai u nda prej tij. E megjithatë, Ibrahimi ishte njeri i dhembshur dhe i butë." (Teube, 114)

Nuk i lejohet një myslimani që të lutet për një jobesimtar të vdekur, që Zoti ta falë dhe ta mëshirojë.

Duke qenë se Zoti e kishte nderuar Ibrahimin a.s, ai njihej me nofkën "Miku i Zotit". Kjo, pasi zemra e Ibrahimit a.s ishte e mbushur me dashurinë për Zotin e lartësuar.

"Po largohem nga ju dhe nga gjithçka që ju adhuroni në vend të Allahut. Do t’i lutem Zotin tim, sepse jam i sigurt se nuk do të jem fatkeq me lutjet që ia bëj Zotit tim.”  (Merjem, 48)

 

Thyerja e idhujve

Në këtë kohë, Ibrahimi a.s ishte akoma i njomë dhe i ri, tek të gjashtëmbëdhjetat. Megjithatë, ai ishte profet i nderuar dhe i ftonte njerëzit në besimin dhe adhurimin e një Zoti të vetëm. Gjatë gjithë kohës, ai mendonte se çfarë mund të bënte që njerëzit të ndërgjegjësoheshin dhe t'i ktheheshin Zotit. Një nga mendimet e shumta, ishte ç'rrënjosja e të keqes e cila simbolizohej tek idhujt. Ai filloi t'i deklarojë idetë dhe planet e tij edhe me njerëzit e tjerë. Thotë Zoti në Kuran lidhur me këtë:"(Betohem) për Allahun, se do t’i flak idhujt tuaj, posa të largoheni ju!” (Enbija, 57) Lidhur me këtë ajet, disa interpretues të Kuranit, mendojnë se Ibrahimi a.s e tha diçka të tillë fshehtazi dhe jo haptazi. Por në fakt, vetë ajeti i mëposhtëm e hedh poshtë këtë mendim. Vetë njerëzit, duke parë idhujt e thyer, thanë:"Të tjerët u përgjigjën: “Dëgjuam një djalosh që i përgojonte, quhej Ibrahim.” (Enbija, 60)

Ibrahimi a.s priste një ditë, ku tempulli ku ndodheshin idhujt të mos kishte asnjë njeri. Tempulli gjatë gjithë kohës gumëzhinte nga njerëzit të cilët hynin e dilnin. Përveç ritualeve, njerëzit vendosnin ushqime të ndryshme tek idhujt, me qëllim që zotat e tyre ta bekonin këtë ushqim.

Dita e shumëpritur erdhi për Ibrahimin a.s. Babilonasit, kishin një ditë të shënuar feste, ku të gjithë dilnin dhe festonin jashtë qytetit. Pasi e linin ushqimin në mëngjes tek idhujt që ta bekojnë, ata dilnin jashtë ku festonin dhe dëfreheshin. Në fund të ditës, njerëzit ktheheshin në tempull për të marrë ushqimin e bekuar dhe për ta ngrënë.

Ndërkohë që të gjithë njerëzit bëheshin gati dhe dilnin për të festuar, Ibrahimi a.s qëndronte ulur dhe nuk fliste. Kur e panë që nuk ka ndërmend të dalë, e pyetën se çfarë kishte. Ai u tha:"Kam parë yjet dhe zbulova se sot do të jem i sëmurë. Prandaj nuk do të vij me ju për të festuar."Pastaj u hodhi një shikim yjeve e tha: “Unë jam i sëmurë”. (Saffat, 88-89)

Thotë Profeti a.s:"Ai gënjeu, por për hatër të Zotit."

Thotë Zoti në Kuran:"Në të vërtetë, Ne e udhëzuam Ibrahimin në rrugë të drejtë qysh më parë dhe e njihnim atë (se ishte i aftë për këtë gjë). Kur ai i tha të atit dhe popullit të tij: “Ç’janë këta idhuj, që ju po i adhuroni kaq shumë?”, ata thanë: “Baballarët tanë i adhuronin këta.” (Ibrahimi) tha: “Me të vërtetë, ju dhe baballarët tuaj keni qenë në humbje të qartë.” Ata thanë: “A po na sjell të Vërtetën apo je nga ata që tallen?” i tha: “Jo, por Zoti juaj është Zoti i qiejve dhe i Tokës. Është Ai që i ka krijuar ato, ndërsa unë jam njëri prej atyre që e dëshmojnë këtë.  (Betohem) për Allahun, se do t’i flak idhujt tuaj, posa të largoheni ju!” Dhe i bëri ata copa-copa, përveç idhullit të tyre më të madh, kështu që ata t’i drejtoheshin atij." (Enbija, 51-58)

"Pastaj u hodhi një shikim yjeve e tha: “Unë jam i sëmurë”. Ata u larguan prej tij, duke e lënë pas. Pastaj, ai u përvodh te hyjnitë e tyre dhe u tha: “A nuk po hani? Ç’keni, përse nuk flisni?” – Juve u kanë ofruar gjithë këtë ushqim këtu, përse nuk e hani? Përse nuk flisni? - Iu afrua atyre kalimthi, duke i goditur me dorën e djathtë." (Saffat, 88-93)

Në një ajet tjetër, Zoti thotë:"Dhe i bëri ata copa-copa, përveç idhullit të tyre më të madh, kështu që ata t’i drejtoheshin atij." (Enbija, 58)

Ibrahimi a.s i theu idhujt, përveç idhullit më të madh, të cilit i vari në qafë kazmën me të cilën i theu të tjerët. Kur u kthyen njerëzit nga festa dhe hynë në tempull, mbetën gojëhapur. Zotat e tyre ishin thyer copë-copë.

"Disa thanë: “Kush i bëri kështu zotat tanë? Me të vërtetë, ai është keqbërës!”  Disa që e kishin dëgjuar Ibrahimin a.s ndërhynë menjëherë dhe thanë:"Të tjerët u përgjigjën: “Dëgjuam një djalosh që i përgojonte, quhej brahim.” “Atëherë silleni atë para syve të botës, që ata të dëshmojnë” – thanë ata." (Enbija, 59-61)

Menjëherë e sollën Ibrahimin a.s dhe u caktua një ditë për ta gjykuar para gjithë njerëzve. Ditën e gjyqit dhe pasi kishin ardhur njerëzit, e pyetën:

"Ata e pyetën: “Ti i bëre kështu zotat tanë, o Ibrahim?” Ai tha: “Jo! Këtë e ka bërë ky i madhi i tyre. Pyesni ata, nëse flasin!” (Enbija, 62-63)

Përderisa zoti juaj më i madh e ka kazmën në qafë, përse nuk e pyesni atë që t'ua tregojë?!

"Atëherë ata i thirrën mendjes dhe i thanë njëri-tjetrit: “Me të vërtetë, ju vetë jeni keqbërësit.” (Enbija, 64)

Edhe pse logjika dhe arsyeja ishte në anën e Ibrahimit a.s, ata nuk i besuan.

Pastaj ulën kokat dhe i thanë: “Sigurisht që ti e di, se këta nuk flasin! Ai u tha: “Mos vallë, ju adhuroni në vend të Allahut gjëra që nuk mund t’ju sjelljn kurrfarë dobie e as dëmi?! Mjerë ju dhe mjerë ata që ju i adhuroni në vend të Allahut! A nuk arsyetoni?!” (Enbija, 65-67)

"Ai u tha: “Vallë, ju adhuroni ato që i keni gdhendur vetë, ndërkohë që Allahu është Ai që ju ka krijuar juve dhe gjithçka që bëni?!” (Safat, 95-96)

E çfarë argumenti dhe fakti më të madh se t'i shihnin zotat të copëtuar dhe të thyer, mund të kërkonin?!

 

Hidheni në zjarrin flakërues

Por ata jo vetëm që nuk i besuan, por morrin vendim që ta djegin Ibrahimin a.s në zjarr. Thotë Zoti në Kuran:Ata thanë: “Përgatitni për të një furrë dhe hidheni në zjarrin flakërues!” (Safat, 97)

Ata caktuan një vend në shkretëtirë, ndërtuan një ndërtesë të madhe me gurë dhe u kërkuan të gjithë njerëzve të kontribuonin për ta mbushur me dru dhe shkarpa. Të gjithë njerëzit, burra e gra, të rritur dhe fëmijë, filluan të sjellin dru dhe gjithçka që mund të digjej, derisa e mbushën ndërtesën. Mandej, ata i vunë zjarrin turrës gjigande të druve. Kur gjithçka ishte gati, sollën dhe katapultat që ta hedhin Ibrahimin a.s në zjarrin përvëlues. Gjatë gjithë kësaj kohe, Ibrahimi a.s përsëriste me vete lutjen e atij që gjendet ngushtë dhe në pikë të hallit. Transmeton imam Buhariu se Profeti a.s ka thënë:"Hasbunallahu ve ni'mel veqil (na mjafton Allahu që është Garantuesi më i mirë), e ka thënë Ibrahimi a.s para se të hidhej në zjarr."

Në disa transmetime të pakonfirmuara, thuhet se kur Ibrahimin a.s e hodhën me katapultë, para se të mbërrijë tek zjarri, i erdhi Xhibrili a.s dhe i tha:"O Ibrahim, a ke ndonjë nevojë?" Ibrahimi a.s iu përgjigj:"Për ty nuk kam nevojë, por për Zotin kam."

Në një transmetim, thuhet se meleku i shiut, i kërkoi Zotit leje që të lëshojë shi për ta shuar zjarrin e Ibrahimit a.s. Por urdhri i Zotit a.s dhe vendimi i Tij ishin më të shpejtë.

"Ne thamë: “O zjarr, bëhu i ftohtë dhe shpëtim për Ibrahimin! Ata deshën ta lëndonin, por Ne i bëmë të dështonin.” (Enbija, 69)

Ibrahimi a.s ra në mes të zjarrit, i cili me urdhrin e Zotit u kthye i ftohtë dhe shpëtues për Ibrahimin a.s. Thotë Abdullah ibnu Abasi:"Nëse Zoti nuk do e kishte urdhëruar zjarrin të jetë dhe shpëtues për Ibrahimin, ai do e kishte lënduar i ftohti."

Zjarri nuk djeg veçse me urdhër të Zotit, ashtu siç nuk pret thika veçse me urdhër të Tij. Forca dhe efekti i këtyre krijesave nuk buron nga vetja e tyre, por nga aftësia me të cilën i ka pajisur Zoti i lartësuar. Është Ai që ua jep këtë aftësi dhe është Ai që ua heq kur të dojë.

Në zjarr, Ibrahimit a.s nuk iu dogjën as rrobat e trupit. Gjëja e vetme që iu dogj, ishte litari me të cilin e kishin lidhur. I pa të meta është Zoti i lartësuar dhe i gjithëpushtetshëm.

Njerëzit pritën me padurim të shuhej zjarri, që të shohin se çfarë ka ngjarë me Ibrahimin a.s. Ata mbetën gojëhapur kur dalluan Ibrahimin a.s të padëmtuar nga zjarri. Jo vetëm kaq, por vetë Ibrahimi a.s kur u pyet se cilat kanë qenë ditët më të lumtura të jetë, është përgjigjur:"Nuk kam kaluar ditë më të lumtura sesa ditët që kalova në zjarr."

Njerëzit e panë me sytë e tyre Ibrahimin a.s duke dalë nga zjarri, i pa lënduar prej tij. E çfarë mrekullie më të madhe prisnin që të besojnë?! Megjithatë, ata përsëri nuk besuan, por vazhduan në idhujtarinë e tyre. Nga të gjithë banorët e Babilonisë, i vetmi që besoi në Ibrahimin a.s, ishte Luti a.s. Thotë Zoti në Kuranin fisnik:"Luti i besoi atij.." (Ankebut, 26)

 

Ibrahimi a.s përballë Nemrudit

Duke parë refuzimin e banorëve të Babilonisë, Ibrahimi a.s vendosi ta lërë qytetin e tij. Ndërkohë, mbreti Nemrud, për të cilin thuhet se kishte nën hyqmin e tij gjithë botën asokohe, kishte dëgjuar për një djalosh që e kishin hedhur në zjarr dhe nuk ishte djegur. Ai kishte dërguar ushtarët që ta gjejnë dhe t'ia sjellin Ibrahimin a.s. Ushtarët e gjetën dhe e dërguan Ibrahimin a.s para Nemrudit. Në një transmetim, thuhet se mbretërit që kanë pasur gjithë tokën nën hyqmin e tyre kanë qenë katër, ku ndër ta, ka qenë dhe Nemrudi. Ai filloi ta pyesë Ibrahimin a.s mbi besimin dhe Zotin e tij. Biseda e zhvilluar mes Nemrudit dhe Ibrahimit a.s është shënuar dhe në Kuran. Thotë Zoti në suren Bekare:"A nuk ke dëgjuar ti (Muhamed) për atë që bëri fjalë me Ibrahimin për Zotin e tij, sepse Allahu i kishte dhënë pushtet? Kur Ibrahimi i tha: “Zoti im është Ai që jep jetë dhe shkakton vdekje” - ai (Nemrudi) u përgjigj: “Edhe unë mund të jap jetë e të shkaktoj vdekje”. – për të vërtetuar se edhe ai jep dhe merr jetë, Nemrudi solli dy të burgosur, njërin e ekzekutoi në çast, kurse tjetrin e liroi -  Ibrahimi pastaj i tha: “Allahu e sjell Diellin nga lindja. Sille ti nga perëndimi”! Atëherë, ai (mohuesi) mbeti me gojën hapur. Allahu nuk i udhëzon ata që janë keqbërës." (Bekare, 258)

Duke e ditur se Ibrahimi a.s kishte shpëtuar nga zjarri, Nemrudi nuk u soll keq me të dhe e la të lirë të largohej.

 

Ibrahimi a.s në Sham (Lanton)

Pas këtij takimi me Nemrudin, Ibrahimi a.s niset për në Sham (Lanton). Ai u vendos në qytetin Haran, ku edhe u martua me Sarën. Thotë profeti Muhamed a.s:"Përveç Havasë, nuk është krijuar grua më e bukur se Sara mbi faqen e tokës."

Siç e cekëm më lart, i vetmi që i besoi Ibrahimit a.s, ishte Luti. Thotë Zoti i lartësuar:"Luti i besoi atij dhe tha: “Unë do të mërgoj te Zoti im; me të vërtetë, Ai është i Plotfuqishmi dhe i Urti.” (Ankebut, 26)

Të dy, larguan nga Iraku dhe u vendosën në Sham. "Ne e shpëtuam atë dhe Lutin (dhe i çuam) në tokën, të cilën e kemi bekuar për njerëzit." (Enbija, 71)

Në Haran ku u vendosën, njerëzit adhuronin idhujt. Ibrahimi a.s vendosi një plan, sipas të cilit do i ndërgjegjësonte njerëzit se adhurimi i idhujve është diçka e kotë dhe e pavlerë. Një natë, edhe Ibrahimi a.s doli bashkë me njerëzit në vendin ku adhuronin yjet.

Dhe kështu, Ne ia treguam Ibrahimit mbretërinë e qiejve dhe të Tokës, që ai të bëhej nga ata që besojnë vendosmërisht." (En'am, 75)

Zoti ia bëri të mundur të sodisë në brendësi të qiejve dhe të tokës. Ai pa ato që sot nuk i shohin dot as me teleskopët më të fuqishëm. Një njeri që sheh mbretërinë e qiejve dhe të tokës, padyshim që do të adhurojë vetëm Zotin e lartësuar, duke u distancuar nga çdo idhulli tjetër. E themi këtë pasi disa komentues të Kuranit, janë shprehur se Ibrahimi a.s adhuroi idhujt bashkë me njerëzit e tjerë dhe më pas Zoti e udhëzoi në monoteizëm. Kjo është një gafë e madhe dhe e pafalshme. E si mund të pretendosh se një profet i Zotit adhuron yjet?! Si mund të ndodhë kjo, pasi ai kishte parë mbretërinë e qiejve dhe të tokës?!

Ibrahimi a.s doli natën bashkë me njerëzit, jo për të adhuruar yjet si ata, por për t'i ndërgjegjësuar mbi këtë veprim.

"Kur ra nata, ai pa një yll dhe tha: “Ky është Zoti im!” Por, kur perëndoi ylli, ai tha: “Nuk i dua ata që perëndojnë”. (En'am, 76)

Thuhet se ky planet ishte Afërdita, planeti më i afërt me tokën. Ai shkëlqen natën dhe mund të shihet dhe me sy. Afërdita është planet dhe jo yll, por populli i Haranit e kishin marrë për yll. Kur u shfaq Afërdita, Ibrahimi a.s tha me zë të lartë:"Ky është zoti im." Me largimin e natës dhe fillimin e agimit, drita e Afërditës filloi të dobësohej derisa u zhduk përfundimisht. Ibrahimi a.s e pasoi këtë me pyetje të tjera, që t'i dëgjojnë njerëzit:"Ku vajti zoti im?! ç'qenka ky zot që zhduket?! Unë kam nevojë për të tani. Një zot të tillë unë nuk e dua."

Ibrahimi a.s doli sërish natën e dytë dhe këtë herë piketoi hënën si gjoja zotin dhe idhullin e tij.

Kur pa Hënën duke lindur, tha: “Ky është Zoti im!” Por, pasi ajo perëndoi, ai tha: “Nëse Zoti im nuk më udhëzon në rrugën e mbarë, me siguri do të bëhem njëri nga të humburit”. (En'am, 76)

O Zot më drejto në rrugë të drejtë, që të besoj dhe adhuroj vetëm Ty. Të gjitha këto dëgjoheshin nga njerëzit e tjerë. Kur në mëngjes lindi dielli, Ibrahimi a.s bëri gjoja sikur ka diellin zot dhe idhull të tij, pasi ai ishte më i madhi.

"Kur vërejti Diellin duke lindur, ai thërriti: “Ky është Zoti im, ky është më i madhi!” Por, pasi dielli perëndoi, ai tha: “O populli im, unë jam larg nga idhujt që ju ia shoqëroni Allahut në adhurim! Unë e kthej fytyrën time nga Ai që i ka krijuar qiejt dhe Tokën, duke qenë besimtar i vërtetë, dhe nuk jam nga idhujtarët”! (En'am, 78-79)

Megjithatë, kishte njerëz të cilët filluan të polemizojnë dhe ta kundërshtojnë Ibrahimin a.s për ato që po thoshte. Por ai u përgjigj

"Dhe, kur populli i tij polemizoi me të, ai tha: “Doni të polemizoni me mua për Allahun, ndërkohë që Ai më ka udhëzuar në rrugën e drejtë?! Unë nuk i kam frikë idhujt tuaj, sepse vetëm po të dojë Zoti im, ato mund të më lëndojnë. Zoti im, me dijeninë e vet ka përfshirë çdo gjë. A nuk po mendoni?" (En'am, 80-81)

Njerëzit filluan ta kërcënojnë dhe t'i fusin frikën se idhujt dhe zotat e tyre do e lëndonin, për ato fjalë që thoshte.

"E si të frikësohem nga zotat tuaj të rremë, ndërkohë që ju nuk keni frikë t’i shoqëroni Allahut idhuj, për të cilët Ai nuk ju ka  zbritur kurrfarë argumenti?! Cili nga ne e meriton të jetë i sigurt? Më thoni, nëse njihni të vërtetën! Sa për ata që besojnë dhe nuk e molepsin besimin e tyre me  padrejtësi (idhujtari), pikërisht atyre u takon siguria dhe ata janë të udhëzuar.” Ky është argumenti Ynë, të cilin Ne ia dhamë Ibrahimit kundër popullit të tij. Ne ngremë kë të duam në shkallë të lartë. Vërtet, Zoti yt është i Urtë e i Gjithëdijshëm." (En'am, 82-83)

 

Ibrahimi a.s në Egjipt

Duke qenë se njerëzit refuzuan sërish të besojnë në një Zot të vetëm dhe të gjithëpushtetshëm, Ibrahimi a.s vendosi të emigrojë sërish. Këtë herë, ai do të niset për në Egjipt.

Me të mbërritur në Egjipt, mbretit i shkon haberi se në mbretërinë e tij sapo ka shkelur e bukura e dheut. Menjëherë, ai dërgoi ushtarët që t'ia sjellin këtë grua. Ai i porositi ushtarët që nëse burri që e shoqëron është i shoqi, ta vrasin. Zoti i tregoi Ibrahimit a.s për këtë kurth. Ibrahimi a.s e porositi Sarën dhe i tha:"Nëse ushtarët që do të vijnë të pyesin se kush është ky burrë, për mua, u thuaj që jam vëllai yt. Për Zotin nuk ka njerëz të tjerë besimtarë mbi këtë tokë, përveç meje dhe teje."

Kur mbërritën ushtarët e mbretit, e pyetën Ibrahimin a.s:"çfarë e ke këtë grua?" Ai u përgjigj:"Ajo është motra ime." Thotë profeti Muhamed a.s:"Në kët rast, Ibrahimi a.s gënjeu."

Dijetarët i kanë grumbulluar gënjeshtrat e ibrahimit a.s, të cilat janë:

1 – Kur u shtir si i sëmurë ditën e festës, me qëllim që t'i copëtojë idhujt.

2 – Kur u tha babilonasve se idhujt i kishte thyer më i madhi prej tyre.

3 – Kur u tha ushtarëve se Sara ishte motra dhe jo gruaja e tij.

Të tre rastet, ishin në një kontekst të caktuar dhe mund të interpretoheshin. Megjithatë, ai ndihet i pezmatuar për këto tre gënjeshtra. Kur Ditën e Kiametit njerëzit të shkojnë tek Ibrahimi a.s t'i kërkojnë të ndërmjetësojë tek Zoti që të fillojë llogari, ai do u përgjigjet:"Jo, unë kam gënjyer tre herë dhe më vjen zor nga Zoti." Ndërkohë që njerëzit sot gënjejnë dhe mashtrojnë pa iu frikësuar aspak Zotit.

Ushtarët e çuan Sarën tek mbreti. Gjatë rrugës, ajo filloi të lutej:"O Zot, nëse e di që të kam besuar Ty dhe të dërguarit të Tënd, e kam ruajtur nderin tim dhe të burrit, më mbro nga ky qafir!"

Kur mbreti i veçua në një dhmë me Sarën, zgjati dorën ta prekë, por në çast dora i paralizohet dhe i ngrin në vend. Ai filloi të ulërijë dhe bërtasë, gjë e cila bëri që ushtarët dhe njerëzit të hyjnë menjëherë në dhomë. Duke u frikësuar se mos i bëjnë keq, Sara e luti Zotin që ta shërojë dhe u shërua. Megjithatë, mbreti nuk zuri mend. Ai kujtoi se qe diçka momentale dhe e papritur dhe menjëherë zgjati dorën ta prekë, për sërish dora iu ngri në ajër. I gjendur në këtë situatë, mbreti i tha:"Më lësho!" Sara e luti Zotin dhe dora iu kthye siç e kishte më parë. Megjithatë sërish nuk zuri mend dhe zgjati dorën ta prekë, por edhe këtë herë iu ngri. I frikësuar, i tha:"Më lësho se do të fal lirinë." Sara e luti Zotin dhe dora iu shërua. Ai thirri këshilltarët dhe u tha:"Ma hiqni qafe këtë grua. Për Zotin nuk më keni sjellë njeri, por shejtan."

Mbreti i dha shumë dhurata me vete Sarës para se të ikte nga pallati. Ndër të tjera, ai i dha dhe një skllave, me emrin Haxhere. Kur Sara u kthye tek i shoqi Ibrahimi a.s, e gjeti duke u falur. Pasi përfundoi faljen, Ibrahimi a.s e pyeti:"Çfarë ndodhi?" Sara iu përgjigj:"Zoti nuk e lejoi të bëjë ç'të dojë atë qafir." Ibrahimi tha:"Të falënderoj o Zot."

 

Ibrahimit a.s i lind Ismaili

Pas kësaj ngjarjeje, Ibrahimi a.s mori rrugën e kthimit për në Palestinë bashkë me familjen. Në Palestinë, Ibrahimit a.s iu bashkëngjit dhe profeti Lut a.s. Pas një farë kohe, Ibrahimi a.s i kërkoi Lutit a.s të shkojë në fshatin Sedom dhe t'i ftojë në besim dhe moralitet. Njerëzit e këtij fshati ishin shumë të shthurur moralisht, por më shumë rreth këtyre njerëzve do të flasim në historinë që i përket profetit Lut a.s. Luti a.s vajti në Sedom, kurse Ibrahimi a.s, gruaja e tij Sara dhe skllavja Haxhere qëndruan në Palestinë. Përveç misionit si profet dhe i dërguar i Zotit, Ibrahimi a.s u morr dhe me tregti gjatë qëndrimit në Palestinë. Madje, mund të themi se ishte një ndër tregtarët e suksesshëm dhe të pasur.

Kur Ibrahimi a.s kishte mbushur moshën tetëdhjetë e pesë vjeçare, e shoqja e tij Sara, u sigurua tashmë se nuk mund t'i jepte të shoqit fëmijë. Duke e ditur se i shoqi e dëshironte shumë një fëmijë, Sara i dhuroi Ibrahimit a.s skllaven e saj, Haxheren. Me ta marrë Ibrahimi a.s, u martua me të dhe i lindi djalin e tij Ismailin a.s. Në këtë kohë, Ibrahimi a.s ishte tetëdhjetë e gjashtë vjeç. Por një ndodhi e tillë ndezi zjarrin e xhelozisë tek Sara. Edhe pse ishte ajo që ia dhuroi Haxheren Ibrahimit a.s, nuk e përballoi dot faktin që Haxhereja i dha fëmijë kurse ajo vetë jo. Për këtë, ajo i kërkoi Ibrahimit a.s që Haxheren ta largojë në një vend tjetër. Në shumë rrëfenja, thuhet se Sara tentoi disa herë t'i bëjë keq Haxheres, por këto rrëfenja nuk janë vërtetuar dhe nuk janë të sakta. Ajo që është konfirmuar nga profeti Muhamed a.s, është vetëm çështja e xhelozisë. Transmeton imam Buhariu se i profeti Muhamed a.s ka thënë:"...Haxhereja vishte rroba të gjata, me qëllim që gjurmët t'i mbuloheshin që mos i shohë Sara."

Me gjithë besimin dhe vlerat e Sarës, xhelozia mbetet diçka e pandashme nga femrat. Një fakt të tillë e konstatojmë edhe tek gratë e profetit Muhamed a.s. Prandaj, burrat duhet të jenë të kujdesshëm dhe ta marrin në konsideratë aspektin emocional të grave të tyre. Edhe Ibrahimi a.s i mori në konsideratë ndjenjat e gruas së tij të parë Sarës dhe e ndau Haxheren prej saj. Më vonë, Ibrahimi a.s urdhërohet që të marrë Haxheren dhe foshnjën e tyre dhe t'i çojë në Meke. Si çdo urdhër tjetër, Ibrahimi a.s e vlerësoi dhe menjëherë u nis bashkë me të shoqen, Haxheren dhe Ismailin foshnje. Të gjithë udhëtimet e Ibrahimit a.s bëheshin me anë të Burakut, kafshë që përdorej nga profetët në udhëtime. Me Burak udhëtimi kryhej kur Ibrahimi a.s udhëtonte vetëm. Ndërkohë që kur udhëtonte me familjarët dhe njerëzit e tjerë, nuk e përdorte Burakun. Vizitat e mëvonshme që i bën Ismailit a.s, ai i bënte me Burak.

 

Ibrahimi a.s, bashkë me familjen në Meke

Udhëtimi për në Meke padyshim ishte i lodhshëm. Kur arritën atje, Haxhereja u gjende para një lugine të shkretë, pa njerëz, pa banesa, pa bimë, pa ujë dhe pa asgjë tjetër. Në këtë luginë të thatë, Ibrahimi a.s e la gruan e tij Haxheren dhe djalin e tij të vetëm, Ismailin a.s. Haxhereja u çudit nga ky veprim i Ibrahimit a.s, ajo kishte menduar se do i lërë në një vend ku të paktën të kishte njerëz dhe ujë. E si mund të jetonin ata në atë vend të shkretë?

Kur pa që i shoqi u ktheu shpinën dhe mori rrugën e kthimit, Haxhereja iu vu pas dhe e pyeti:"O Ibrahim! Në dorë të kujt po na lë këtu?! As ujë, as ushqim dhe as njerëz!" Ibrahimi a.s vazhdoi rrugën pa i kthyer përgjigje dhe pa u kthyer as që ta shohë. Haxhereja e ndiqte nga pas duke e lutur dhe duke iu përgjëruar, por Ibrahimi a.s as që i kthente përgjigje. Duke parë që i shoqi dukej sikur nuk shqetësohej, Haxhereja e pyeti përfundimisht:"A Zoti të ka urdhëruar për diçka të tillë?!" Ibrahimi a.s iu përgjigj:"Po." Atëherë, Haxhereja thotë një fjalë e cila është mësim për burrat para se të jetë për gratë. Ajo i thotë:"Nuk kemi për të vdekur atëherë."

Përderisa njeriu u përmbahet dispozitave dhe normave hyjnore, nuk ka për të shkuar dëm asnjëherë. Mos iu frikëso fukarallëkut, përderisa beson se rizku është në duart e Zotit! Kurrë mos gënje, pasi vetëm duke thënë të vërtetën realizon objektivat! Kurrë mos prano haramin, pasi ai largon bereqetin! Kur burri dilte nga shtëpia për në punë, gruaja myslimane i thoshte:"O rob i Zotit! Frikësohu Zotit, pasi ne mund ta durojmë urinë, por e kemi të pamundur të durojmë zjarrin! Prandaj, mos na sill në shtëpi haram!"

Ibrahimi a.s u largua përfundimisht, duke e lënë të shoqen dhe djalin në atë luginë të thatë, pa ushqim dhe pa ujë. Pasi Haxheres i përfunduan rezervat e fundit të ushqimit dhe ujit që kishte marrë me vete, djali filloi të qajë nga etja dhe uria. Është diçka shumë e rëndë për nënën, të dëgjojë foshnjën të qaja nga uria dhe të mos ketë çfarë ti japë. Ajo e la foshnje dhe u ngjit me vrap mbi një kodër aty pranë (safa). Me tu ngjitur lart, mbajti frymën me shpresë se mos dëgjon ndonjë zë. Kur i humbi shpresat, zbriti poshtë në luginë dhe vazhdoi vrapin derisa u ngjit në kodrën përballë (Merva). Me t'u ngjitur sipër, i ra rreth e rrotull me shpresë se mos dëgjon ose dallon ndonjë shenjë jete, por shumë shpejt i humbi shpresat edhe këtu. Duke kërkuar, i vajti mendja tek djali dhe mendoi se e kishte lënë të vetëm. Kështu, zbriti kodra dhe me vrap u ngjit në kodrën e parë (Safa) e cila ndodhej më pranë djalit. Këtë ritual mes dy kodrave, ajo e bëri shtatë herë rresht. Për ta përjetësuar shqetësimin e kësaj nëne për djalin e saj, Zoti e ka bërë obligim ritualin e Saj-it gjatë Haxhit. Kur u ngjit herën e shtatë mbi Merva, ajo dëgjoi një zë. Edhe pse nuk kishte tjetër kush, ajo tha:"Hesht!" Ajo konstatoi se zëri vinte nga ana djalit të saj Ismailit. Me vrap u nis drejt tij dhe atje pa se nën këmbët e foshnjës buronte ujë.

Ajo që kishte ndodhur është se Xhibrili a.s e kishte goditur tokën me krahun e tij – mu tek pusi i Zemzemit sot – dhe menjëherë kishte shpërthyer uji. Krahu i një meleku, kishte goditur tokën tek këmbët e një profeti dhe kishte dalë ujë. Duke qenë se fillimisht uji ishte i paktë, Haxhereja filloi të formojë një pellg me rërë, me qëllim që uji të mos shkonte dëm. Ndërkohë që mblidhte rërë rreth uji, ajo thoshte:"Zem, zem (grumbullohu, grumbullohu)."

Thotë profeti Muhamed a.s:"Zoti e faltë nënën e Ismailit! Nëse nuk do e kishte mbledhur ujin, ai do të rridhte si një lum."

Haxhereja dhe djali i saj Ismaili a.s pinë nga uji i zemzemit dhe i shpëtuan vdekjes me anë të kësaj mrekullie hyjnore. Për shkak të ekzistencës së ujit, filluan të mblidhen dhe zogjtë, të cilët shiheshin në qiell duke fluturuar rreth e qark ujit. Sakaq, një nga fiset më të shquara arabe, Xhurhum, ishte shpërngulur nga Jemeni, për shkak të rrënimit të digës së ujit atje. Në Jemen, ishte ndërtuar një digë e madhe për rezervat ujore. Shkatërrimi i kësaj dige nga ku furnizoheshin me ujë fiset arabe, kishte bërë që ata të shpërnguleshin prej atij vendi dhe të shpërndaheshin në qoshe të ndryshme të Gadishullit Arabik. Kështu i takon që origjina e të gjithë arabëve është nga Jemeni. Mes fiseve që u shpërngulën përfundimisht nga Jemeni, ishte dhe fisi Xhurhum, një ndër fiset burimore arabe. Secili nga fiset kërkonte vende dhe zona ku kishte ujë. Duke qenë se ishin tregtarë, ata i njihnin burimet e ujit dhe oazet, të cilët kryesisht i gjenin në rrugën për në Sham. Gjatë rrugës, ata dalluan shpendët të fluturonin rreth e qark luginës Bekke. Ata e kuptuan se shpendët nuk mund të fluturonin pa ndonjë shkak dhe për këtë dërguan një prej tyre të hetojë situatën. Kur u kthye i dërguari, i lajmëroi se atje kishte gjetur ujin, atë për të cilin ishin shpërngulur nga Jemeni. Menjëherë i gjithë fisi u drejtua drejt vendit, ku përveç ujit gjetën dhe një grua me foshnjën e saj. Duke qenë se ishin njerëz të fisëm, të ndershëm dhe babaxhanë, ata e pyetën:"A na lejon dhe neve të banojmë në këtë luginë dhe të përdorim këtë ujë?" Haxhereja u përgjigj:"Po, me kusht që të më shpërbleni për këtë." Burrat i thanë:"Dakord!" Edhe pse ishte vetëm një grua e pa krahë, edhe pse ata ishin një fis i tërë me burra e me gra dhe mund të vendoseshin pa pyetur fare për atë grua të mjerë, ata e pranuan këtë kusht. Ky ishte një ndër treguesit e fisnikërisë dhe babaxhanllëkut të tyre. Tashmë Haxheres dhe djalit të saj, përveç ujit iu sigurua dhe ushqimi e shoqëria. Ismaili a.s do të rritet mes fisit Xhurhum, ku dhe do të mësojë arabishten e pastër. Ai do të martohet me një vajzë nga fisi Xhurhum dhe prej tyre lindin arabët që më vonë do të quhen arabët e arabizuar. Nga kjo familje, do të dalë dhe profeti i fundit, Muhamedi a.s.

Të gjithë këto ngjarje, ishin rezultat dhe përgjigje e lutjeve që bëri Ibrahimi a.s pasi e kishte braktisur familjen. Këto lutje janë regjistruar në Kuranin fisnik.

"O Zoti ynë, unë kam vendosur disa nga pasardhësit e mi, në një luginë që nuk mbillet, afër Shtëpisë Tënde të Shenjtë, që të falin namazin. Prandaj, bëj që zemrat e njerëzve të ndiejnë dashamirësi për ata dhe jepu fruta, me qëllim që ata të të falënderojnë." (Ibrahim, 37)

Shtëpia e Shenjtë që është Qabeja, nuk ka qenë e ndërtuar asokohe. Lidhur me faktin nëse themelet e saj ekzistonin, d.m.th ka ekzistuar më parë, thuhet se Qaben e ka ndërtuar djali i Ademit a.s, Shithi, por që me kalimin e kohës ishte rrënuar. Këtë përforcon dhe ajeti që thotë:"Me të vërtetë, Faltorja e parë e ngritur për njerëzit, është ajo në Bekkë (Mekë), e bekuar dhe udhërrëfyese për popujt." (Al Imran, 96)

çdo vit, Ibrahimi a.s e vizitonte Haxheren dhe djalin e tyre më shumë se një herë. Ndërkohë, djali i tyre Ismaili a.s kishte hedhur shtat dhe ishte rritur. Në një nga vizitat e tij, teksa po flinte i qetë, Ibrahimi a.s sheh një ëndërr aq sa të çuditshme dhe të shqetësuese. Ai pa sikur therr djalin e tij të vetëm, gjë e cila ishte sinjal prej Zotit se duhej ta therë, pasi ëndrrat e profetëve janë të vërteta. Këtë ndodhi e rrëfen vetë Zoti i lartësuar në Librin e Tij, ku thotë:

“O Zoti im, dhuromë një fëmijë prej të mirëve!” Dhe Ne i dhamë lajmin e gëzuar për një djalë të mbarë! Kur fëmija u rrit aq sa ta ndihmonte në punë, Ibrahimi i tha: “O djali im, kam parë ëndërr se duhet të të flijoj. Çfarë mendon ti?” –

Me të drejtë, shtrohet pyetja:"Përse Ibrahimi a.s i kërkoi mendim dhe u konsultua dhe me djalin që duhej të therte, Ismailin?! Ai mund ta therte ndërkohë që Ismaili a.s ishte duke fjetur."

Në një rast të tillë, demonstrohet dëshira e babait mysliman e besimtar, që djali i tij të jetë pjesëmarrës në një vepër që përbën kulminacionin e bindjes ndaj Zotit, me qëllim që edhe ai të përfitojë nga sevapi. Ky është një mesazh shumë i fuqishëm që u drejtohet të gjithë prindërve, që t'i bëjnë fëmijët pjesëmarrës në vepra të mira dhe shpërblime. Nëse dëshiron të japësh sadaka, jepja fëmijës tënd ta bëjë këtë. Kjo, me qëllim që fëmija të mësohet të japë. Kur të shkosh të dëgjosh një ligjëratë, merri dhe fëmijët e tu që të mësohen.

Përgjigja e Ismailit a.s, ishte akoma më mbresëlënëse

"I biri i tha: “O ati im, vepro ashtu siç je urdhëruar! Dashtë Allahu, unë do të jem i durueshëm!” (Saffat, 100-102) se pyetja e Ibrahimit a.s.

Ibrahimi a.s – siç duket qartë dhe në ajetin e mësipërm – i tha se kam parë në ëndërr sikur të therr dhe nuk i tha se jam urdhëruar. Megjithatë, Ismaili a.s e dinte se ëndrrat e profetëve janë të vërteta. Ai nuk i tha "E përse duhet të më therrësh?! çfarë krimi paskam bërë që të meritoj një fund të tillë?! Përse nuk pret një urdhër të qartë nga Zoti, por dashke të më therësh për një ëndërr që ke parë?!" Të gjitha këto as që i vajtën ndërmend Ismailit a.s.

"I biri i tha: “O ati im, vepro ashtu siç je urdhëruar! Dashtë Allahu, unë do të jem i durueshëm!”

Thonë dijetarët myslimanë:"Me këto fjalë, Ismaili a.s demonstroi kulmin e etikës dhe modestisë me Zotin e lartësuar." Ai nuk tha se do jem i durueshëm, por këtë e kushtëzoi me dëshirën dhe vullnetin e Zotit. Sado të fortë ta ketë besimin njeriu, nuk ka përse të vetë mashtrohet. Gjithçka, i duhet dedikuar Zotit të motrave. Thotë Zoti në Kuran:"

"Asnjëherë mos thuaj, për çfarëdo gjëje qoftë, se: “Me siguri që nesër do ta bëj këtë”. pa shtuar “Në dashtë Allahu! Dhe, kur të harrosh (të thuash “në dashtë Allahu”) - kujtoje Zotin tënd e thuaj: Shpresoj se Zoti im do të më udhëzojë në atë që është më e mirë dhe më e dobishme nga kjo”. (Kehf, 23-24)

Pasi baba e bir vendosën të çojnë në vend vullnetin e Zotit, Ismaili a.s i tha të atit:"Ma kthe fytyrën nga toka, që mos e shohësh fytyrën time – ndërkohë që më therr – dhe të vijë keq." Me këtë, ai donte t'ia lehtësojë procesin të atit.

"Pasi iu nënshtruan që të dy urdhrit, (Ibrahimi) e vuri (Ismailin) me ballë përtokë." (Saffat, 102)

Mandej, Ibrahimi a.s morri thikën, e vuri në qafën e të birit dhe filloi ta lëvizë që ta therë. Ajo që ndodhi është se thika nuk priste. Thika e humbi vetinë e saj, ashtu siç zjarri e humbi vetinë e tij. Thika nuk mund të presë veçse me urdhër të Zotit, ashtu siç dhe zjarri nuk mund të djegë veçse me urdhër të Zotit.

Ibrahimi a.s përpiqej me sa fuqi kishte por thika nuk priste. Po ashtu Ismaili a.s, i thoshte herë pas here:"Ngjeshe fort o baba!" por sërish thika nuk priste.

"Pasi iu nënshtruan që të dy urdhrit, (Ibrahimi) e vuri (Ismailin) me ballë përtokë." (Saffat, 102)

Të dy i ishin nënshtruar urdhrit hyjnor dhe ishin të bindur se po vepronin drejt. Islam do të thotë, t'i dorëzohesh plotësisht urdhrave dhe dispozitave të Zotit, pa kundërshtim dhe hezitim.

E gjitha kjo ishte sprovë nga Zoti si për Ibrahimin a.s ashtu dhe për Ismailin a.s. Me dorëzimin e plotë, vënien e thikës në qafë dhe tentativave për ta çuar në vend urdhrin e Zotit, të dy e kishin kaluar me sukses këtë sprovë. Tashmë nuk ishte nevoja për të derdhur gjak. Vlera që kërkohej ishte dorëzimi dhe nënshtrimi i plotë ndaj Zotit. Kurse gjaku dhe mishi janë të pavlerë.

"Ne e thirrëm: “O Ibrahim, ti e përmbushe ëndrrën.” Vërtet, Ne kështu i shpërblejmë punëmirët! Kjo, me të vërtetë ka qenë një sprovë e qartë!" (Saffat, 104-107)

Kjo ka qenë sprova më e rëndë me të cilën Zoti ka vënë në provë një njeri. Kush prej nesh mund ta bëjë diçka të tillë me djalin e tij? Kush prej nesh mund ta bëjë diçka të tillë me djalin e tij të vetëm, i cili i ka lindur pas tetëdhjetë e pesë vitesh pritje? Dhe e gjitha kjo për shkak të një ëndrre?! Ibrahimi a.s, shumë mirë mund të thoshte se vrasja e një personi – aq më tepër e djalit të tij të vetëm – është krim. Ai shumë mirë mund ta zvarriste derisa t'i shpallej një urdhër i qartë. Por ai nuk e bëri këtë dhe iu nënshtrua plotësisht urdhrave të Zotit. Thotë Zoti në Kuran:"dhe të Ibrahimit - i cili i plotësoi detyrimet." (Nexhm, 37)

Ai e kishte mbajtur besën në gjithçka. Ai pranoi të sakrifikohej kur e hodhën në zjarr. Ai pranoi të sakrifikoi djalin e tij të vetëm, për një ëndërr që pa. Ai sakrifikoi pasurinë e tij, saqë etiketohej me nofkën "babai i miqve". Nuk pranonte ta hajë vaktin e radhës, veçse me ndonjë mik. Kur nuk gjente dikë për të ngrënë, ai zemërohej shumë.

"Dhe Ne e zëvendësuam atë (Ismailin) me një kurban të madh." (Saffat, 104-107)

Teksa tentonte të therë djalin, Ibrahimi a.s dëgjoi një zë nga qielli. Kur ktheu kokën, dalloi Xhibrilin a.s me një dash të majmë, duke zbritur nga qielli. Ai nuk ishte nga deshtë e tokës, por ishte dash që ishte ushqyer në xhenet.

Tregon Abdullah ibnu Abasi:"Ishte një dash që kishte kullotur në xhenet për dyzet vite. Ai ishte i bardhë, me dy sy të gjerë, me brirë të gjata."

Zoti e përjetësoi një ritual të tillë, ku haxhillarët therrin kurban çdo vit pranë Qabes, bashkë me ta të gjithë myslimanët anembanë botës. Duke therrur kurban, ne sikur i themi Zotit: Ne o Zot vazhdojmë të ecim në gjurmët e Ibrahimit a.s, i cili u tregua i gatshëm të sakrifikojë djalin e tij të vetëm." Kurbani është përkujtues dhe sinjalizues i gatishmërisë për të sakrifikuar për hatër të Zotit. Ne jemi të gatshëm të sakrifikojmë veten, fëmijët dhe pasurinë tonë, duke ecur kështu në gjurmët e profetit tonë Ibrahim a.s.

"..dhe i lamë atij (Ibrahimit) kujtim të mirë në brezat e mëvonshëm. “Paqja qoftë mbi Ibrahimin!” Ja, kështu, Ne i shpërblejmë punëmirët. Ai ka qenë vërtet një nga robërit Tanë besimtarë. (Safat, 108-111)

 

Lindja e Is'hakut

Me qëllim që ta nderojë për bindjen dhe besën e mbajtur, Zoti e shpëbleu Ibrahimin a.s me një djalë tjetër, Is'hakun, me gruan e parë Sarën.

"Ne i dhamë atij lajmin e mirë për (lindjen e) Is’hakut, profet prej njerëzve të mirë." (Safat, 112)

Unë habitem me disa interpretues të Kuranit, të cilët mendojnë se djali që Ibrahimi a.s pranoi të flijojë, ishte Is'haku dhe jo Ibrahimi a.s. Kjo, pasi janë ndikuar nga rrëfenjat izraelite. Zoti i lartësuar e përgëzoi Ibrahimin a.s me lindjen e Is'hakut, si shpërblim për respektimin e urdhrit të Zotit, qoftë dhe në flijimin e djalit të tij të vetëm.

Pasi Ibrahimi a.s u kthye në Palestinë, ku u bashkua me  gruan e tij të parë Sarën, Zoti e përgëzoi me lindjen e Is'hakut. Asokohe, Ibrahimi a.s kishte mbushur njëqind e njëzet vjeç. Kurse gruaja e tij Sara, ishte nëntëdhjetë vjeçe. Lajmin përgëzues dhe sihariqin, ia dhanë tre melekë, të cilët zbritën nga qielli, Xhibrili a.s, Mikaili dhe meleku i vdekjes. Këtë sihariq, ata ia dhanë gjatë rrugës për tek fshati i Lutit a.s. Zoti i lartësuar i kishte urdhëruar ta shkatërronin përfundimisht vendbanimin e popullit të Lutit a.s, për shkak të sjelljeve perverse që ishin përhapur mes tyre.

Gjatë rrugës, ata u ndalën në familjen e Ibrahimit a.s dhe Sarës. Ata vajtën tek shtëpia e Ibrahimit a.s, me pamjen e njerëzve. Kur u takuan me Ibrahimin a.s e përshëndetën dhe hynë brenda. Siç e kemi cekur dhe më lart, Ibrahimi a.s gëzohej pa masë kur i shkonin miq në shtëpi. Ibrahimi a.s, përveç gëzimit se i erdhën miq, ndjeu frikë dhe shqetësim nga prezenca e tyre. Ata nuk ishin të njohur në atë zonë dhe nuk kishin asnjë shenjë udhëtimi, nuk kishin kafshë udhëtimi, rrobat i kishin të pastra dhe nuk dukeshin të lodhur, që të merreshin për udhëtarë.

"A e ke dëgjuar historinë e mysafirëve të nderuar të Ibrahimit? Ata hynë tek ai e i thanë: “Paqe!” - dhe ai u tha: “Paqe, o njerëz të panjohur!” (Dharijat, 24-25)

Edhe pse nuk i njohu dhe nuk iu dukën udhëtarë, ai i futi brenda dhe i nderoi siç nderonte të gjithë miqtë.

"Të dërguarit Tanë, i sollën Ibrahimit lajmin e mirë dhe i thanë: “Paqe mbi ty!” Ai u përgjigj: “Paqja qoftë mbi ju!” Dhe me të shpejtë u solli atyre një viç të pjekur." (Hud, 69)

"E pa u vënë re, ai shkoi te njerëzit e shtëpisë dhe solli një viç të majmë." (Dharijat, 26)

Edhe pse ishin vetëm tre vetë, Ibrahimi a.s vajti e u therri një viç të madh. Kjo pasi siç thamë, ishte tepër bujar dhe zemërgjerë. Bujaria dhe zemërgjerësia është nga virtytet e profetëve dhe të dërguarve të Zotit.

"Kur pa se ata nuk po i zgjasnin duart tek mishi, nuk i pëlqeu dhe ndjeu frikë prej atyre." (Hud, 70)

Duke parë që miqtë nuk po hanin fare nga mishi i pjekur, Ibrahimi a.s ndjeu frikë. Në një transmetim, thuhet se miqtë (melekët) i thanë:"Nuk hamë ushqim, pa paguar çmimin e tij." Me këtë donin ta sprovojnë. Ibrahimi a.s u tha:"Mirë, hajeni dhe i paguani çmimin." Melekët e pyetën:"E cili na qenka çmimi i tij?" Ibrahimi a.s u përgjigj:"Që të thoni në fillim "bismilah" dhe në fund "elhamdulilah". Melekët i thanë:"Ka të drejtë i gjithëmëshirshmi, kur të etiketon "Mik i Zotit".

Melekët e qetësuan dhe i treguan se kush ishin në të vërtetë.

"(Engjëjt) thanë: “Mos u frikëso, Ne jemi dërguar te populli i Lutit”. (Hud, 70)

Gjithashtu, i treguan misionin me të cilin i kishte dërguar Zoti, për të ndëshkuar popullin e Lutit a.s.

Sakaq, gruaja e Ibrahimit a.s, Sara, qëndronte në këmbë duke u shërbyer miqve.

"Gruaja e tij, që rrinte aty, qeshi dhe Ne i dhamë lajmin e mirë për Is’hakun e pas Is’hakut - për Jakubin." (Hud, 71)

Ajo qeshi para se të dëgjojë sihariqin për lindjen e djalit, Is'hakut. Dijetarët thonë se qeshi kur dëgjoi se populli i Lutit a.s do të ndëshkoheshin dhe shkatërroheshin përfundimisht, për shkak se ishin degjeneruar dhe shthurur moralisht. Vetë profeti Lut a.s kishte dëshmuar:"Nuk njoh njerëz më të shthurur mbi faqe të tokës se këta." Kështu, kur Sara dëgjoi se ky popull do të shkatërrohej, qeshi dhe u gëzua.

Përveçse e përgëzuan me lindjen e Is'hakut, melekët i dhanë dhe një sihariq tjetër po aq të gëzuar, lindjen e Jakubit, djalit të Is'hakut. Ajo do të jetonte aq shumë, sa të shihte edhe djalin e Is'hakut. Pra, ishin tre sihariqe. I pari, ishte se do të lindë një djalë. I dyti se do jetonte gjatë derisa ta shohë djalin e saj, Is'hakun të rritur. I treti se do gëzohej me lindjen e nipit të saj, Jakubit a.s, i cili dhe ai do të ishte profet.

Prandaj, kur profeti Muhamed a.s u pyet se kush ishte i fismi, ai u përgjigj:"I fismi, është biri i të fismit, biri i të fismit, biri i të fismit. Është Jusufi, biri i Jakubit, biri i Is'hakut, biri i Ibrahimit a.s."  Profet, bir profeti, bir profeti, bir profeti. Një nder i tillë nuk i është dhënë tjetër kujt, përveç profetit Jusuf a.s.

"Atëherë erdhi gruaja e tij, që, duke thërritur dhe rrahur fytyrën, tha: “Vallë, a mundem (të lind) unë, plaka shterpë?” (Dharijat, 29)

"Kur melekët i dhanë sihariqin e lindjes së Is'hakut, Sara tha:"Ajo tha: “Ah! E mjera unë! A mos vallë, kështu plakë do të lind unë, ndërkohë që edhe burri im është plak! Me të vërtetë, kjo është diçka e jashtëzakonshme! Ata (engjëjt), thanë: “A mos vallë, po çuditesh me urdhrin e Allahut? Mëshira e Allahut dhe bekimi i Tij qoftë mbi ju – familjen e të Dërguarit. Me të vërtetë, Ai është i Falënderuar dhe i Lavdëruar!” (Hud, 72-73)

"Ata thanë: “Kështu ka qenë vullneti i Zotit tënd. Ai është vërtet i Urtë dhe i Gjithëdijshëm.” (Dharijat, 30)

 

Ndërtimi i Qabes

Në një nga vizitat e Ibrahimit a.s, i tha djalit të tij Ismailit:"O biri im, Zoti më ka ngarkuar me një përgjegjësi." Ismaili a.s iu përgjigj:"O baba, vepro sipas asaj që të ka urdhëruar Zoti!" Ibrahimi a.s e pyeti:"Po, a do të më ndihmosh?" Ismaili a.s iu përgjigj:"Po." Edhe pse nuk e dinte se çfarë duhej të bëjë. Atëherë, Ibrahimi a.s i tregoi:"Zoti më ka urdhëruar të ndërtoj në këtë vend, një faltore." Ismaili a.s i tha:"Dhe unë do të ndihmoj."

"Kujtoje kur Ne vendosëm për Ibrahimin vendin e Faltores.." (Haxh, 26)

Thuhet, se teksa hapte themelet, Ibrahimi a.s zbuloi themelet që kishte hedhur Shithi a.s. Në një transmetim tjetër, thuhet se ai zbuloi themelet e vendosura nga melekët.

Kur kurejshët vendosën ta rindërtojnë Qaben, deshën që themelet t'i thellojnë themelet e saj. Ata vazhduan të punojnë tek themelet, derisa zbuluan gurë të gjelbër me formë trekëndëshe, si majat e malit, të ndërthurur me njëri-tjetrin. Duke dashur t'i nxjerrin që ta thellojnë themelin, dikush solli një kazmë dhe me të hoqi njërin nga gurët në formë trekëndëshi. Me ta hequr gurin, prej atje doli një dritë e fortë, e cila gati sa nuk i humbi shikimin  këtij personi. Në çast, guri i ra nga duart dhe zuri vendin që kishte më parë. Atëherë, më të moshuarit u thanë:"Mos i prekni ato gurë, por ndërtojeni sipër tyre."

Këto ishin themelet e Qabes, gurë, nën të cilët gjendej dritë. Allahu i lartësuar është burimi i dritës mbi tokë.

"Kujtoje kur Ne vendosëm për Ibrahimin vendin e Faltores (duke e urdhëruar): “Mos më shoqëro asgjë (në adhurim) dhe pastroje Shtëpinë Time (nga idhujtaria), për ata që vijnë rrotull saj (në shenjë adhurimi) dhe për ata që rrinë në këmbë, përkulen dhe bien në sexhde duke u falur." (Haxh, 26)

"Me të vërtetë, Faltorja e parë e ngritur për njerëzit, është ajo në Bekkë (Mekë), e bekuar dhe udhërrëfyese për popujt. Në të ka shenja të qarta (që janë): vendi i Ibrahimit (mekami Ibrahim); (fakti që) kush hyn në të është i sigurt;" (Al Imran, 96)

"Kur Allahu e provoi Ibrahimin me disa urdhërime, të cilat ai i plotësoi, Allahu i tha: “Unë do të të bëj ty imam (prijës) të njerëzve!” - “Po pasardhësit e mi?” - pyeti ai. Allahu tha: “Premtimi Im nuk i përfshin të padrejtët.” (Bekare, 124) Zoti i përjashtoi zullumqarët nga mundësia për të qenë njerëzit e dashur të Zotit.

Kujtoni kur Ne e bëmë Qabenë vendgrumbullimi dhe sigurie për njerëzit, duke thënë “Bëjeni vendin e Ibrahimit si vendfaljeje!” Ne i urdhëruam Ibrahimin dhe Ismailin: “Pastrojeni Shtëpinë Time (Qabenë) për ata që e vizitojnë, që rrijnë aty për adhurim dhe që falen duke u përkulur dhe përulur”. Kur Ibrahimi u lut: “Zoti Im, bëje këtë vend qytet të sigurt dhe furnizoji me prodhime banorët e tij, ata që besojnë në Allahun dhe në jetën tjetër!” – Herën e parë, Ibrahimi a.s u lut për pasardhësti e tij dhe Zoti ia pranoi lutjen por vetëm për besimtarët prej tyre. këtë herë, kur Ibrahimi a.s lutet për furnizim të bollshëm, e kufizon atë vetëm për besimtarët. Kurse Zoti përfshin dhe jobesimtarët, pasi risku u takon të gjithëve - Allahu tha: “Atë që nuk beson, për pak kohë do ta bëj që të kënaqet e pastaj do ta hedh në dënimin e zjarrit.” Eh, sa vendbanim i keq që është ai!" (Bekare, 125-126)

Ibrahimi a.s dhe Ismaili, filluan ndërtimin e faltores së parë në tokë dhe gjatë punës, e lusnin Zotin me përgjërim.

"Kur Ibrahimi dhe Ismaili ngritën themelet e Qabes, u lutën:“O Zoti ynë! Pranoje prej nesh (këtë vepër)! Me të vërtetë, Ti je Ai që dëgjon dhe di gjithçka! O Zoti ynë! Na bëj të përulur ndaj Teje! Bëj që edhe pasardhësit tanë të jenë të përulur ndaj Teje! Tregona ritet e Haxhit – na trego si të adhurojmë - dhe pranoje pendimin tonë, se, pa dyshim, Ti je Pranuesi i pendimit, Mëshirëploti! O Zoti ynë! Dërgo tek ata një të dërguar nga gjiri i tyre, që t’u lexojë shpalljet e Tua, t’ua mësojë Librin dhe Urtësinë (rregullat e fesë) e t’i pastrojë (nga gjynahet)! – Kjo ishte lutja më madhështore që bënë - Vërtet, Ti je i Plotfuqishmi dhe i Urti!” (Bekare, 127-129)

gjatë ndërtimit, Ibrahimit a.s iu desh një gur qoshi. Për këtë i kërkoi Ismailit a.s që t'i sjellë një gur të përshtatshëm. Ismaili a.s ia ktheu:"O baba! Jam i lodhur." Ibrahimi a.s i tha:"çohu!" dhe Ismaili a.s u ngrit dhe vajti të kërkojë. Pasi kërkoi gjatë dhe nuk gjeti, u kthye duarbosh. Kur u kthye, pa që në qoshe ishte vendosur guri dhe Ibrahimi a.s po vazhdonte punën. I çuditur, pasi në ato zonë nuk ekzistonin gurë të tillë të bardhë, e pyeti:"O baba! Kush ta solli këtë gur?!" Ibrahimi a.s u përgjigj:"E solli Ai që nuk lodhet. E solli Xhibrili a.s dhe ky gur është nga xheneti."

Guri për të cilin flitet, është guri i zi që ndodhet në një nga katër qoshet e Qabes. Në një hadith, thuhet se fillimisht ai ishte i bardhë si qumështi, por me kalimin e kohës u nxi, nga gjynahet e njerëzve.

Baba e bir, vazhduan ndërtimin e Qabes, ku muret ishin pa baltë, ishin mure të thatë, gurë të vendosur mbi njëri-tjetrin. Kur ndërtimi kishte mbërritur në lartësinë e Ibrahimit a.s dhe e kishte të pamundur të vazhdojë, ai i kërkoi Ismailit a.s t'i sjellë një gur që të qëndrojë sipër tij gjatë punës. Ismaili a.s i solli një gur, mbi të cilin Ibrahimi a.s qëndronte këmbëzbathur. Për shkak të qëndrimit të gjatë, guri mori formën e këmbëve të Ibrahimit a.s. Që atë herë, guri njihet me emrin "vendqëndrimi i Ibrahimit" (mekam Ibrahim). Më parë, ky gur qëndronte ngjitur me murin e Qabes dhe njerëzit shtyheshin nga dëshira për ta parë gurin dhe gjurmët e këmbëve të Ibrahimit a.s. Kjo shkaktonte shumë probleme gjatë tavafit. Për këtë, Umer ibnul Hattabi e lëvizi nga ai vend, pasi u konsultua me shokët e tjerë të Profetit a.s.

Ekziston dhe një mendimi i dytë, lidhur me vendin ku ndodhet mekami i Ibrahimit a.s sot. Sipas këtij mendimi, Ibrahimi a.s e përdorte gurin për të kontrolluar nivelin e mureve. Thuhet se ai qëndronte shumë gjatë mbi atë gur, duke kontrolluar nivelin e katër mureve.

Sido që të jetë, ai është një vend i shenjtë dhe me  vlera. “Bëjeni vendin e Ibrahimit si vendfaljeje!” (Bekare, 125)

Të falesh pranë mekamit të Ibrahimit a.s është diçka e pëlqyeshme, por nëse nuk pengon njerëzit që bëjnë tavafin. Në të kundërt, mund të falesh në çdo vend tjetër në Qabe.

 

Rituali i Haxhit

Me përfundimin e faltores, Zoti obligoi një nga pesë shtyllat e besimit Islam, Haxhin.

"dhe vizita (për haxh) e kësaj Faltoreje (është detyrë) për këdo që ka mundësi ta përballojë rrugën. E kush nuk beson, Allahu nuk ka nevojë për askënd." (Al Imran, 97)

Për ta publikuar këtë obligim, Zoti urdhëroi Ibrahimin a.s:"Thirri njerëzit për haxhillëk..." (Haxh, 27)

Ibrahimi a.s pyeti i habitur:"O Zot! T'i thërras njerëzit të vijnë në haxh?! E sa mund të arrijë zëri im?!" Zoti i lartësuar iu përgjigj:"O Ibrahim! Ti ke obligim t'i thërrasësh, kurse kumbesa është përgjegjësi e Imja." Atëherë, Ibrahimi a.s u nis drejt Arafatit, u ngjit mbi një kodër atje dhe thirri:"O njerëz! Zoti u kërkon të kryeni haxhin!" Ishte një njeri që i bënte thirrje të gjithë njerëzimit, që të kryejnë ritin e Haxhit. E kush mund ta dëgjonte?! Por në këtë rast ndërhyjnë dhe veprojnë ligjet hyjnore, ndaj zëri i tij mbërriti tek të gjithë njerëzit mbi tokë. Jo vetëm kaq, por mrekullia më e madhe është se Zoti i lartësuar e bëri Qaben dhe ritin e Haxhit, diçka të shenjtë dhe të dashur për të gjithë besimtarët.

"Thirri njerëzit për haxhillëk: ata do të vijnë në këmbë dhe me deve prej të gjitha viseve të largëta, që të dëshmojnë dobitë e tyre dhe të përmendin Emrin e

Allahut në ditët e caktuara mbi kafshët (për kurban), të cilat ua ka dhuruar Ai. Hani nga ato (mishin) dhe ushqeni nevojtarin e varfër!" (Haxh, 27-28)

Që atëherë, starton dëshira dhe pasioni për të kryer Haxhin në këtë vend të bekuar.

 

Ibrahimi a.s, mik i Zotit

Ibrahimi a.s ishte njeriu më i dashur tek Zoti, saqë mori dhe titullin "mik i Zotit". Në shumë thënie, profeti Muhamed a.s sinjalizon se Ibrahimi a.s ishte profeti më i dashur tek Zoti, pas tij." Në një nga këto hadithe, Profeti a.s thotë se Ditën e Kiametit, do e kenë zili të gjithë njerëzit, madje edhe vetë Ibrahimi a.s.

Kur Ibrahimi tha: “O Zoti im! Tregomë si i ngjall të vdekurit!” – Zoti i tha: “A nuk beson?” - “Besoj” - iu përgjigj Ibrahimi, “por dëshiroj të më qetësohet zemra.” – Dijetarët shprehen se ekzistojnë dy lloje dijesh: Dija e sigurt (ilmul jekin), sipas të cilës njeriu nuk dyshon aspak për diçka. Transmetohet nga Umer ibnul Hattabi, se ka thënë:"Për Zotin, sikur të hapej qielli dhe të shoh me sy xhenetin dhe zjarrin, nuk do më shtohej më shumë besimi që kam për ekzistencën e tyre." E dyta, është siguria e plotë (ajnul jekin) kur njeriu e sheh me sytë e tij, atë që i besonte më parë. - Allahu i tha:“Merr katër zogj dhe copëtoji. Shpërnda në çdo kodër nga një copë prej tyre pastaj thirri! Ata do të të vijnë me të shpejtë. Dhe ta dish se Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë.” (Bekare, 260)

Zoti i tha që të marrë katër zogj, t'i therë, t'i copëtojë, mishin e puplat t'ua përziejë me njëri-tjetrin dhe t'i shpërndajë në katër male. Në një transmetim, thuhet që kokat e tyre, e urdhëroi t'i mbajë në duar. Ibrahimi a.s mori katër zogj, i theri, i copëtoi dhe i përzjeu me njëri-tjetrin, përftesën e ndau në katër pjesë, ku çdo pjesë e çoi në një mal, ndërkohë që kokat i mbajti në dorë. Mandej, i thirri mishrat e katër zogjve, të cilët erdhën para syve të tij, secili mori kokën e tij dhe fluturuan, duke u ringjallur kështu sërish.

Si çdo profeti të dërguar tjetër, edhe profetit Ibrahim a.s iu shpallën vargje hyjnore. Kur profeti Muhamed a.s u pyet mbi shpalljen e Ibrahimit a.s, u përgjigj:"Ato ishin të gjitha fjalë të urta. Nga këto fjalë, ishin:"O ti sovran tiran, i sprovuar dhe i vetëmashtruar! Unë nuk të dërgova të koleksionosh të mirat e dynjasë me njëra-tjetrën, por të dërgova që të përkrahësh atë që i është bërë padrejtësi. Lutjen e atij që i është bërë padrejtësi, unë e dëgjoj edhe nëse vjen nga një jobesimtar."

Një këshillë tjetër është:"Një njeri i mençur, përderisa nuk e ka humbur mendjen akoma, duhet ta ndajë ditën në orë:"Në një orë, ai duhet t'i qajë hallet Zotit të tij. – Ky është një ritual të cilin e kanë braktisur njerëzit. Ai konsiston në faktin që të ulesh dhe t'i flasësh Zotit, sikur e ke përpara, në vetmi të plotë. – Në një orë, të meditosh mbi krijesat e Zotit - për ata që e përmendin Allahun duke qëndruar në këmbë, ndenjur ose shtrirë dhe që meditojnë për krijimin e qiejve dhe të Tokës (duke thënë:) “O Zoti Ynë! Ti nuk i ke krijuar kot këto - lartësuar qofsh (nga çdo e metë)! Prandaj na ruaj nga ndëshkimi i zjarrit." (Al Imran, 191) – Në një orë, i flet vetes dhe i kërkon llogari për gjithçka ka vepruar për atë ditë. Një orë tjetër, e ka për dëfrim të lejuar. Një i mençur nuk ka përse lodhet, veçse për tre gjëra: Përgatitje për atë që e pret (Ditën e Gjykimit), të lodhet për të siguruar riskun, të kënaqet me diçka jo të ndaluar. I mençuri duhet ta njohë mirë kohën dhe aktualitetin ku jeton, të lodhet për interesin e tij, të ruajë gjuhën e tij. Kush e di që fjalët janë pjesë e punës, për të cilat do japë llogari, i pakëson fjalët, përveç rasteve kur është e dobishme."

 

Vdekja e dy grave të Ibrahimit a.s

Para se të vdesë Ibrahimi a.s, vdiq e shoqja e tij Haxhereja, nëna e Ismailit a.s dhe u varros në Meke. Ibrahimi a.s u pikëllua shumë nga vdekja e saj. Më vonë, vdiq dhe Sara, e cila ishte njëqind e njëzet e shtatë vjeçe. Ibrahimi a.s i dëshpërua shumë për vdekjen e saj, madje e vajtoi duke i përmendur vlerat dhe virtytet e saj më të mira.

 

Vlerat e Ibrahimit a.s

Në shumë hadithe të sakta, flitet për vlerat e hazreti Ibrahimit a.s. Një nga vlerat e tij më të spikatura, është se njihej si mik i të Gjithëmëshirshmit.

"Kush është besimtar më i mirë se ai që i dorëzohet sinqerisht Allahut, duke qenë bamirës dhe zbatues i fesë së pastër të Ibrahimit, të cilin Allahu e ka marrë për mik të ngushtë?!" (Nisa, 125)

Një vlerë tjetër, siç ceket në një hadith tjetër, është se Ibrahimi a.s është personi i parë që do të vishet Ditën e Kiametit.

Një vlerë e tretë, është se në Kuran ai përshkruhet si njeriu që e mbajti besën me Zotin, duke i përmbushur të  gjithë obligimet. "dhe të Ibrahimit - i cili i plotësoi detyrimet." (Nexhm, 37)

Ibrahimi a.s hyn tek të dërguarit e vendosur, të cilët përmenden në ajetin:

"Ne lidhëm besën me ty (o Muhamed) siç bëmë me profetët e tjerë: me Nuhun, Ibrahimin, Musain dhe Isain, të birin e Merjemes. Ne lidhëm me ata një besë solemne," (Ahzab, 7)

Një vlerë tjetër, është se Ibrahimi a.s është etiketuar nga vetë Zoti si umet.

Me të vërtetë, Ibrahimi ka qenë prijës (umet) shembullor (me të gjitha virtytet e mira), i përulur para Allahut, me besim monoteist dhe nuk ka qenë nga idhujtarët. (por ka qenë) mirënjohës ndaj dhuntive të Tij. Ai e zgjodhi atë dhe e udhëzoi në rrugë të drejtë. Ai e falënderonte Zotin për gjithçka, sa herë që vishej, thoshte "Elhamdulilah", po kështu sa herë që ushqehej, dilte dhe kthehej. Njerëzit sot e kanë harruar burimin e begative të tyre. " (Nahl, 120-122)

Ibrahimi a.s vdiq në moshën njëqind e shtatëdhjetë vjeçare. Atë e varrosën dy djemtë e tij Ismaili a.s dhe Is'haku, Habron, që sot njihet nga myslimanët me emrin Halil.

"Dhe Ne i dhuruam atij Is’hakun dhe Jakubin dhe pasardhësve të tij u dhamë Profecinë dhe Librin. Ne i dhamë atij shpërblim në këtë botë, ndërsa në jetën tjetër, me siguri, ai do të jetë prej njerëzve të mirë." (Ankebut, 27)

Të gjithë profetët që rrjedhin pas Ibrahimit a.s, janë nga familja e tij.

 

Përshtati: Elmaz Fida

Submitting your vote...
Not rated yet. Be the first who rates this item!
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

17/09/2014
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
04:44 06:1812:4216:1018:5520:18

Urtësi

“Virtyti i diturisë

është më i dashur

tek Allahu se virtyti i adhurimit”.

Muhamedi (a.s.)

 

 

Dituria ekziston potencialisht

në shpirtin njerëzor

ashtu si fara në tokë;

Duke mësuar potencialja

bëhet aktuale.

Imam Gazaliu

 

 

Katër cilësi

e ngrenë njeriun:

Dija,

edukata,

amaneti

dhe nderi.

Sirij es Siktij

 

 

“Fillimi i diturisë është butësia,

ndërsa fillimi i urtësisë

është t’ia kalosh mirë me njerëzit”.

Ibrahim Haki

Hutbe

Flash is required!

Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook