By: Tarik Suvejdan

Historia e profetit Sulejman a.s


Historia e profetit Sulejman a.s

 

Pas vdekjes së Dautit a.s, menjëherë në fron erdhi djali i tij Sulejmani a.s.

"Sulejmani e trashëgoi Daudin (në misionin e tij profetik)" (Neml, 16)

Ajo që trashëgoi Sulejmani a.s nga babai i tij Dauti a.s nuk është pasuria, por dijet dhe profecia. Profeti Muhamed a.s thotë në një hadith:"Ne bashkësia e profetëve nuk lëmë trashëgimi. Gjithçka e jona jepet sadaka."

Me të marrë pushtetin politik dhe fetar në dorë, Sulejmanit a.s filluan t'i shfaqen mrekulli që nuk i kishte më parë. Një nga këto mrekulli, është se ai dinte gjuhën e shpezëve. Thotë Zoti në Kuran lidhur me këtë:“O populli im! Neve na është mësuar gjuha e shpendëve dhe na është dhënë gjithçka. Kjo është vërtet dhunti e madhe” (Neml, 16)

Ai kishte aftësi të kuptojë gjuhën e shpendëve dhe bisedonte me to lirshëm. Zoti e shndërroi Sulejmanin a.s në mbretin më të madh që ka parë historia mbi tokë. Askush para dhe askush pas tij nuk ka gëzuar dhe nuk do të gëzojë pushtet aq të madh. Ai konsiderohet mbreti më i fuqishëm i të gjithë kohërave.

Askujt tjetër më parë dhe askujt tjetër pas tij nuk i janë nënshtruar xhindët. Të gjithë xhindët punonin dhe i ishin nënshtruar Sulejmanit.

"(Gjithashtu ia nënshtruam) edhe djajtë, ndërmjet të cilëve kishte ndërtues dhe zhytës në ujë, si dhe të tjerë të lidhur në pranga." (Sad, 37-38)

Xhindet, ashtu siç janë fise dhe kombe të ndryshme, kanë dhe zanate dhe profesione të ndryshme. Nëse ndonjë nga xhindet rebelohej dhe nuk i bindej, Sulejmani a.s kishte aftësi që t'i burgosë dhe lidhë në pranga. Me një palë pranga, ai lidhte dy xhinde.

"(Ne i thamë): “Kjo është dhurata Jonë për ty, prandaj jep lirisht ose mos jep gjë prej saj, sepse nuk do të kesh kurrfarë llogarie për këtë!" (Sad, 39)

"dhe xhinde që i bëmë të punonin para syve të tij, me urdhrin e Zotit të tij. Këdo prej tyre që largohet nga urdhri ynë, do ta bëjmë që të shijojë dënimin e Zjarrit. Ata punonin për atë çfarë të dëshironte: faltore dhe statuja, - në ligjin e Sulejmanit a.s prodhimi dhe përdorimi i statujave ishte i lejuar - enë të gjera si puse dhe kazanë të mëdhenj të palëvizshëm." (Sebe, 12-13)

Lidhur me enët që prodhonin, thuhet se disa prej tyre ishin sa një pallat i madh. Në to, punëtorët gatuanin për njerëzit e vobektë dhe papërkrahje. E gjitha kjo ishte dhunti dhe mirësi e Zotit.

"Dhe (ia nënshtruam atij) disa nga djajtë që zhyteshin në det për të, (duke nxjerrë xhevahire) dhe bënin edhe punë të tjera dhe Ne i ruanim ata (që të mos i bënin dëm)." (Enbija, 82)

Sulejmani a.s kishte xhinde dhe djaj të cilët nuk kishin asnjë funksion tjetër përveçse të zhyteshin në det dhe që andej të nxirrnin thesare dhe gurë të çmuar.

Një mrekulli tjetër që Zoti ia kishte dhënë është dhe kontrolli që ushtronte mbi erën. Thotë Zoti në Kuran:"Pastaj, Ne ia nënshtruam atij erën që të frynte me urdhrin e tij, andej nga të donte ai." (Sad, 36)

Nëse dëshironte Sulejmani të bjerë shi në një tokë të caktuar, urdhëronte erën e cila çonte retë në atë vend dhe binte shi. Ai nuk kontrollonte vetëm erën që sillte shiun, por edhe erën që sjell stuhi.

"Sulejmanit i dhamë erën e fortë, që të fryjë sipas urdhrit të tij, drejt tokës, të cilën Ne e kemi bekuar; Ne jemi të Dijshëm për çdo gjë." (Enbija, 81)

Ai e përdorte erën për t'u transferuar me ushtritë e tij nga një vend në një tjetër. Kur dëshironte të nisej me ushtrinë në luftë, ai dhe ushtria vendoseshin në një platformë të konsiderueshme dërrase, pastaj urdhëronte erën ta ngrejë platformën dhe ta dërgojë në vendin e duhur. Distancën që ushtritë e thjeshta e përshkonin për një muaj, Sulejmani a.s dhe ushtria e  tij, me anë të erës e përshkonin për një paradite. Po kështu dhe kthimi bëhej për një pasdite. Thotë Zoti në Kuran:

"Sulejmanit Ne ia nënshtruam erën, me të cilën udhëtimin e një muaji ai e bënte brenda një paraditeje ose një pasditeje." (Sebe, 11)

Nëse Dautit a.s i ishte mundësuar përpunimi pa lodhje i hekurit, Sulejmanit a.s Zoti i kishte falur një burim nga i cili buronte bakër i shkrirë. Thotë Zoti në Kuran:

"Ne i dhamë atij një burim të rrjedhshëm bakri të shkrirë." (Sebe, 12)

Këtë burim bakri, Sulejmani a.s e përdorte në prodhimin e sendeve që i duheshin në jetën e përditshme.

Sulejmani a.s ishte shumë i dhënë pas kuajve dhe kishte blerë shumë syresh. Raca më e pëlqyeshme e kuajve ishte ai që tre këmbët i mbante përtokë, kurse me këmbën e katërt qëndronte me majë të thundrës. Raca tjetër që pëlqente më shumë ishin kuajt e shpejtë. Këto dy raca përbënin pjesën dërmuese të koleksionit të kuajve të Sulejmanit a.s.

"Ne i falëm Daudit Sulejmanin, një rob të mrekullueshëm. Ai i drejtohej gjithnjë me pendesë Zotit! Kur një pasdite iu paraqitën kuajt këmbëshpejtë, ai tha: (Sad, 30-31)

Siç ceket dhe në ajete, një ditë ai i nxori në paradë të gjithë kuajt e tij, numri i të cilave – sipas transmetimeve të ndryshme – arrinte në njëzet mijë syresh. Ngaqë ishte shumë i dhënë pas kuajve dhe numri i tyre ishte i madh, Sulejmani a.s harroi lutjet e tij të përditshme dhe leximin e Zeburit për atë ditë, derisa përfundoi dielli. Kur u kujtua ai tha:

“Unë shfaqa dashuri më të madhe për pasurinë (kuajt), sesa për lutjen ndaj Zotit tim, derisa dielli humbi mbas malit. M’i ktheni ata (kuajt)” - e pastaj nisi t’i presë me shpatë këmbët dhe qafat e tyre." (Sad, 32-33)

Lidhur me interpretimin e ajetit të mësipërm kemi dy mendime: Mendimi i parë është se filloi t'i godasë me shpatë në qafë dhe në këmbë, të gjithë kuajt e tij të dashur. Kjo, me qëllim që të mos e angazhojnë herë tjetër ndaj obligimeve të Zotit. Mendimi i dytë është se ai filloi t'i lëmojë me dorë në qafë dhe këmbë, duke kontrolluar shëndetin e tyre, pasi do i përdorte shumë shpejt për në luftë.

Duke pasur parasysh pushtetin dhe pasuritë e shumta, Zoti ia lejoi të martohej me shumë gra. Kështu, ai u martua me një mijë gra.

Një natë, ai u betua se do të flinte brenda një nate me shtatëdhjetë nga gratë e tij. Kjo përmendet në një hadith të saktë nga profeti Muhamed a.s, të transmetuar nga imam Buhariu. Thotë Profeti a.s:"Sulejmani tha:"Sonte do të fle me shtatëdhjetë gra, ku secila do më lindë një djalë që do luftojë në rrugën e Zotit." Por nuk tha:"Në dashtë Zoti." Ai fjeti me to, por vetëm njëra prej tyre mbeti shtatzënë dhe ajo lindi një gjysmë fëmijë (pa duar dhe këmbë). Betohem në Atë që ka shpirtin tim në duar, sikur të kishte thënë "Në dashtë Zoti" do i kishin lindur shtatëdhjetë djem që do të luftonin në rrugë të Zotit."

"Ne e vumë në provë Sulejmanin dhe vendosëm në fronin e tij një trup, - një fëmijë pa duar dhe këmbë - por ai iu drejtua Zotit." (Sad, 34)

Sulejmani a.s u pendua për harresën dhe më pas, për çdo gjë thoshte "Në dashtë Zoti."

 

Sulejmani a.s gjykatës

Përveç privilegjeve që cekëm, Zoti e kishte nderuar Sulejmanin a.s me gjykim të mprehtë. Këtë privilegj dhe dhunti, Sulejmani a.s e gëzonte që gjatë jetës së babait të tij, Dautit a.s. Për të vërtetuar këtë, Zoti ka përmendur në Kuran një ndodhi, ku duket qartë gjykimi i mprehtë dhe i qëlluar i Sulejmanit a.s, edhe pse asokohe ishte vetëm dymbëdhjetë vjeç.

Dy veta shkojnë tek Dauti a.s për t'u ndarë një çështje. Ata ishin komshinj dhe një natë, delet e njërit kishin shpëtuar nga stalla, kishin hyrë në ççifligun e komshiut dhe ia kishin ngrënë të gjithë të mbjellat.

"(Kujtoje) edhe Dautin dhe Sulejmanin, kur gjykuan mbi të lashtat në të cilat kishin kullotur natën bagëtitë e disa njerëzve. Ne ishim dëshmitarë të gjykimit të tyre." (Enbija, 78)

Kur e dëgjoi këtë ndodhi, Dauti a.s gjykoi që delet që kishin dëmtuar të mbjellat, t'i jepeshin personit që i ishte shkaktuar dëmi. Kur dy burrat dolën jashtë, u takuan me Sulejmanin a.s i cili i pyeti mbi gjykimin e të atit dhe ata i treguan. Kur e dëgjoi këtë gjykim, ai u kërkoi ta ndiqnin dhe të tre vajtën tek Dauti a.s. Ai iu drejtua të atit me fjalët:"A nuk kishe gjykim më të drejtë o pejkamber i Zotit?!" Dauti a.s e pyeti:"E çfarë qenka më e drejtë?!" Sulejmani a.s iu përgjigj:"T'ia japësh delet pronarit të ççifligut që u dëmtua, kurse vetë çifligun t'ia japësh padronit të deleve. Ai duhet ta mbjellë dhe në kohën kur të mbjellat të rriten aq sa ishin natën kur u dëmtuan, secili të marrë pronën e tij." Thotë Zoti i lartësuar mbi këtë gjykim:"Ne e bëmë Sulejmanin ta kuptonte drejtë çështjen dhe, që të dyve u dhamë mençuri e dituri. Ne i nënshtruam malet dhe shpendët që, bashkë me Dautin, të thurnin lavde (për Allahun). Ishim Ne që i bënim këto." (Enbija, 79)

Gjykimi i Dautit a.s nuk ishte i gabuar, por i Sulejmanit a.s ishte më i qëlluar.

Në një hadith të transmetuar nga imam Buhariu, ceket një ndodhi tjetër e cila ka për objekt sërish mprehtësinë e Sulejmanit a.s në  gjykim. Dy gra, secila kishin nga një foshnje. Teksa punonin, ujku e kishte shqyer foshnjën e gruas të madhe. Duke parë se fëmija i saj kishte vdekur, ajo kishte marrë foshnjën e gruas më të re dhe pretendonte se ishte fëmija i saj. Duke qenë se askush tjetër nuk e dinte kujt i përket fëmija, të dy gratë vajtën tek Dauti a.s. Duke qenë se fëmija ishte në krahët e gruas së madhe dhe e vogla nuk kishte asnjë fakt se ishte i saj, Dauti a.s gjykoi se fëmija i përket të madhes. Kur e dëgjoi këtë gjykim Sulejmani a.s, i kërkoi leje të atit që ta ndajë ai këtë çështje. Pasi Dauti a.s pranoi, ai iu drejtua dy grave:"Ma jepni foshnjën!" dhe ato ia dhanë. Pastaj, mori një shpatë dhe u tha:"Tani do e ndaj përgjysmë dhe secila do të marrë gjysmën e saj." Menjëherë, gruaja e re që ishte dhe nëna e vërtetë e foshnjës thirri:"Jo mos e ndaj. Le ta marrë ajo." Atëherë Sulejmani a.s e kuptoi se ishte gruaja e re nëna e  vërtetë dhe ia dha asaj foshnjën.

 

Milingona

Siç e cekëm dhe më lart, ushtria e Sulejmanit a.s ishte shumë e madhe dhe përbëhej nga krijesa të ndryshme dhe të fuqishme.

"Kur arritën në Luginën e Milingonave, një milingonë tha: “O ju milingona, hyni në banesat tuaja, që të mos ju shkelë Sulejmani dhe ushtria e tij, duke mos ju parë”!

Ushtria gjigande e Sulejmanit a.s ishte në udhëtim e sipër, ndërkohë që po kalonin pranë një vendbanimi milingonash. Një nga milingonat, dha sinjalin e alarmit se aty pranë tyre po kalonte ushtria e Sulejmanit a.s, e cila mund t'i shkelte milingonat. Dijetarët myslimanë thonë lidhur me këtë milingonë:"Ajo ishte shumë e mençur dhe gojëtare. Në një fjali, ajo ka bashkuar mes pjesëzës thirore "O ju", urdhëresës "hyni", ndalesës "mos t'ju shkelë", emrit të përveçëm "Sulejmani", atij të përgjithshëm "ushtria e tij" dhe arsyetimit "duke mos ju parë".

Diçka e tillë nuk i shpëtoi Sulejmanit a.s, i cili buzëqeshi dhe falënderoi Zotin për të mirat që i kishte dhënë.

"Ai vuri buzën në gaz, duke qeshur me fjalët e saj dhe tha: “O Zoti im, më frymëzo që të jem mirënjohës për mirësitë që Ti më ke dhënë mua dhe prindërve të mi, dhe që të bëj vepra të mira, me të cilat Ti do të jesh i kënaqur. Më prano, me mëshirën Tënde, në gjirin e robërve të Tu të devotshëm!”

 

Sulejmani a.s me Belkisën

Kjo ndodhi, është një ndodhi e mbushur me vlera. Ajo fillon me traditë të përditshme të Sulejmanit a.s, i cili para se të fillonte punët kontrollonte të gjithë ushtarët dhe punonjësit e tij.

"Ai bëri kontrollin e shpendëve e tha: “Pse nuk e shoh pupëzën këtu, a nuk është e pranishme ajo? Nëse nuk do të më sjellë arsyetim bindës, do ta dënoj me dënim të rëndë ose do ta ther!” (Neml, 20-21)

Me të ardhur pupëza, qëndroi pak si larg nga Sulejmani a.s dhe menjëherë foli dhe tha:"Nuk vonoi shumë e ajo erdhi dhe tha: “Kam marrë vesh diçka që ti nuk e ke ditur dhe të kam sjellë lajme të vërteta prej (qytetit të) Shebës. – Duket qartë se pupëza fliste pa droje dhe frikë, edhe pse fliste para mbretit më të fuqishëm që ka ekzistuar dhe do të ekzistojë ndonjëherë mbi faqen e tokës - Kam parë një grua (Belkisën)që sundonte popullin (e atij qyteti që ishte Jemeni). Aja zotëronte çdo gjë dhe kishte një fron madhështor. Kam parë se ajo dhe populli i saj adhuronin Diellin e jo Allahun. Djalli ua paraqiste të bukura sjelljet e tyre, duke i larguar nga rruga e drejtë, prandaj nuk ishin të udhëzuar. Ata nuk i përuleshin në sexhde Allahut, i Cili nxjerr gjithçka që është e fshehur në qiej dhe në Tokë dhe di çfarë fshihni ju dhe çfarë tregoni haptazi. Allahu është Një, s’ka zot të vërtetë përveç Tij, Zotit të Arshit të madh!” (Neml, 22-26)

Pupëza, nga të gjithë cilësitë e Zotit, përmendi dijen e Tij të gjerë, e cila i mundëson të ketë informacion mbi gjithçka të fshehtë në tokë dhe ne qiej. Kjo cilësi i shkonte për shtat vetë pupëzës, pasi ajo zbulonte vendet ku uji gjendej më pranë sipërfaqes së  tokës. Sa herë që Sulejmanit i nevojitej ujë, ishte pupëza që e orientonte në vendet më të përshtatshme për të hapur puse.

Fjalën e saj, pupëza e mbyll me Arshin (fronin) e Zotit dhe këtë e bën, pasi kishte përmendur në fillim fronin e Belkisës. Kjo, me qëllim që njeriu mos të mashtrohet nga madhështia dhe bukuria e fronit të Belkisës, pasi ai nuk vlen asnjë grosh në krahasim me Arshin e Allahut të lartësuar.

"Sulejmani tha: “Do të shohim se a thua të vërtetën apo je gënjeshtar." (Neml, 27)  Ai u habit nga gjithçka që i tregoi pupëza. Në atë kohë ishte e papranueshme që gruaja të udhëheqë një popull. Veç kësaj, si ishte e mundur që adhuronin diellin dhe jo Zotin e diellit dhe të universit?! Si ishte e mundur që kjo grua të posedojë thesare dhe pasuri kaq të shumta, saqë froni i saj ia kishte marrë mendjen pupëzës së tij?!

"Shko me këtë letër timen e çojua atyre. Pastaj largohu pak nga ata dhe shiko cila do të jetë përgjigjja e tyre!” (Neml, 28)

Pupëza u nis menjëherë për udhëtim dhe me të arritur në Jemen, hyri në pallatin e Belkisës, ia hodhi letrën e Sulejmanit a.s pranë dhe qëndroi në ballkon për të dëgjuar se çfarë do të ndodhte. Pasi e gjeti letrën, Belkisa e lexoi dhe menjëherë mblodhi parinë e vendit.

"Mbretëresha (e Shebës) tha: “O paria ime! Mua më ka ardhur një letër fisnike. Ajo është nga Sulejmani dhe është: “Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit! Mos u madhështoni para meje dhe ejani të përulur si besimtarë!" – përveçse u kërkonte t'i nënshtroheshin, Sulejmani a.s u kërkonte të përqafojnë dhe fenë e besimin e tij në një Zot të vetëm -  Ajo tha: “O paria ime, më këshilloni se ç’duhet të bëj në këtë çështje! Unë nuk do të vendos asgjë pa ju! Ata thanë: “Ne jemi shumë të fortë dhe luftëtarë të guximshëm, por urdhri të takon ty, andaj mendo mirë se ç’do të urdhërosh!” (Neml, 29-33)

Populli dhe paria e Belkisës ishte njerëz të fuqishëm dhe të zgjuar. E tillë ishte dhe mbretëresha e tyre, gjë e cila duket nga fjalët e saj. Ishte pikërisht kjo zgjuarsi dhe mençuri që ia kishte mundësuar të mbajë pushtetin.

"Ajo tha: “Njëmend, kur mbretërit pushtojnë ndonjë vendbanim, e rrënojnë atë dhe e poshtërojnë parinë e tij. Kështu veprojnë ata. ani do t’u dërgoj atyre një dhuratë dhe do të shoh me se do të kthehen të deleguarit.”(Neml, 34-35)

Duke i dërguar Sulejmanit a.s një dhuratë të shtrenjtë, ajo e vinte atë në provë dhe njëkohësisht, të dërguarit e saj do të mblidhnin informacion të bollshëm lidhur me potencialin e tij ushtarak. Menjëherë, një delegacion i rëndësishëm dhe me plot dhurata të shtrenjta, nisen nga Jemeni për në Palestinë. Kur arritën tek Sulejmani a.s, ata i thanë:"Ne nuk duam të dorëzohemi para teje, megjithatë të kemi sjellë këto dhurata nga mbretëresha jonë." Një sjellje e tillë e zemëroi Sulejmanin a.s i cili ua ktheu:"Kur erdhën (të deleguarit), Sulejmani tha: “A mos doni të më ndihmoni me pasuri?! Ajo që më ka dhënë Allahu, është më e mirë nga ajo që ju ka dhënë juve. Por ju gëzoheni me dhuratën tuaj. Kthehuni tek ata! Ne do të sjellim ushtri, të cilën nuk do të mund ta përballojnë ata dhe, me siguri, do t’i dëbojmë ata prej Shebës të poshtëruar dhe të përulur”. (Neml, 36-37)

Delegacioni u kthye sërish në Shebë, ku u takuan me mbretëreshën e tyre të cilës i thanë:"Nuk ia vlen t'i rezistojmë një mbreti të tillë." Menjëherë, Belkisa i dërgoi një mesazh Sulejmanit a.s në të cilin i premtonte bindje.

Ndërkohë, Sulejmani a.s u thotë ushtarëve të tij “O parësi, kush prej jush do të më sjellë fronin e saj, para se ata të vijnë të dorëzuar?” Njëri nga xhindet – Ifriti -, tha: “Unë do të ta sjell ty para se të ngrihesh prej vendit; - nga kuvendi që zgjaste nga mëngjesi në drekë - unë për këtë jam i fuqishëm dhe i besueshëm”. Po ai që ishte i pajisur me dijen e Librit, tha: “Unë do të ta sjell ty sa çel e mbyll sytë”. - dijetarët kanë mendime të ndryshme mbi këtë person të pajisur me dije të Librit. Disa mendojnë se ai ishte një hebre, i cili gëzonte dije të thella nga Teurati dhe dinte cili është emri më i madh i Zotit, i cili nëse përmendet në një lutje, ajo pranohet. Disa dijetarë të tjerë mendojnë se ky person që ishte pajisur me dije nga Libri, ishte vetë Xhibrili a.s. Por mendimi i parë është më i pranueshëm -Kur (Sulejmani) e pa të vendosur para tij, tha: “Kjo është nga dhuntitë e Zotit tim, për të më provuar a jam mirënjohës apo mohues. Kush falënderon, e bën për të mirën e vet e, kush mohon, (ta dijë se) Zoti im është i Vetëmjaftueshëm dhe Dhurues." (Neml, 38-40)

Sa ngrit dhe uli shikimin Sulejmani, froni i Belkisës gjendej para syve të tij. Sulejmani a.s e kuptoi se ky ishte një test për të parë nëse do të ishte mirënjohës për të mirat që i kishte dhënë Zoti. Pas kësaj, Sulejmani a.s i urdhëroi shërbëtorët që t'i bëjnë disa ndryshime fronit të Belkisës.

"Ndryshojeni edhe fronin e saj! Do të shohim se a do ta vërë re këtë apo jo.” Kur erdhi ajo, i thanë: “I tillë është froni yt?” – Përgjigja e saj ishte shumë e zgjuar, pasi nuk u përgjigj as pozitivisht dhe as negativisht. - Ajo u përgjigj:“Duket sikur të ishte ai”. Sulejmani tha:“Para saj na është dhënë dituria dhe para saj i jemi nënshtruar Allahut”. (Neml, 41-42)

Edhe pse iu nënshtrua Sulejmanit a.s, Belkisa nuk e pranoi fenë e tij, por vazhdoi në besimin e saj. Këtë e përmend Zoti i lartësuar në Kuran:"Atë (Belkisën) e kishte penguar (nga Islami) ajo që adhuronte në vend të Allahut, sepse ajo ishte nga populli mohues." (Neml, 43)

Duke dashur që t'i tregojë mbi fuqinë dhe pushtetin e tij, Sulejmani a.s e dërgoi të vizitojë një nga sarajet e tij. Pallati që do të vizitonin nuk ishte ndërtuar nga njerëzit dhe linte pa gojë këdo që e vizitonte. I gjithë pallati ishte i ndërtuar prej kristali të pastër. Prej kristali ishte dhe shtresa ku vinin këmbët dhe poshtë tij rridhte ujë. Aq e hollë ishte shtresa që ndante ujin, saqë dukej sikur pallati është vendosur mbi ujë. Kur u afrua, Belkisa mendoi se është ujë, prandaj ngriti fustanin që të mos i lagej. Thotë Zoti i lartësuar në Kuran:"Asaj i thanë të hynte në pallat. Kur e pa atë, ajo kujtoi se ishte ujë i thellë dhe përvoli fustanin te këmbët. Sulejmani i tha: “Ky pallat është i shtruar me xhama”. Ajo tha: “O Zoti im, me të vërtetë unë e paskam dëmtuar veten dhe tani, bashkë me Sulejmanin i dorëzohem Allahut - Zotit të botëve!” (Neml, 44)

Vetëm atëherë ajo e kuptoi se Sulejmani a.s nuk ishte thjesht një mbret si gjithë mbretërit, por mbi të gjitha ishte profet i Zotit. Belkisa e pranoi fenë dhe besimin e Sulejmanit a.s dhe në disa transmetime thuhet se u martua me të.

Një ndër veprat më të mëdha të Sulejmanit a.s, është se rindërtoi xhaminë Aksa. Siç e kemi cekur më parë, ai që ndërtoi xhaminë Aksa ishte profeti Jakub a.s. Në një hadith, profeti Muhamed a.s u pyet se cila ishte xhamia e parë e ndërtuar në tokë. Profeti a.s u përgjigj:"Është Qabeja të cilën e ndërtoi Ibrahimi." Pyetësi shtoi:"Po pas Qabesë?" Profeti a.s u përgjigj:"Xhamia Aksa."

Pyetësi pyeti:"Sa vite kishte mes tyre?" Profeti a.s u përgjigj:"Dyzet vite."

Gjatë eksodit të çifutëve nga Buhtensar, ky i fundit e rrënoi xhaminë Aksa. Kur Sulejmani a.s mori në dorë pushtetin, e rindërtoi xhaminë Aksa. Veç xhamisë, ai ndërtoi dhe tempullin që njihet si tempulli i Sulejmanit. Hebrenjtë ishin shumë të lidhur pas këtij tempulli, gjë të cilën e tregojnë dhe kërkimet dhe gërmimet e shumta që bëhen sot.

Mbi vlerën e xhamisë Aksa ekzistojnë shumë hadithe të profetit Muhamed a.s. Thotë Profeti a.s:"Në namaz në Qabe është i barasvlershëm me njëqind mijë namaze. Një namaz në xhaminë time (xhaminë e Profetit a.s në Medine) është i barasvlershëm me njëmijë namaze. Një namaz në xhaminë Aksa është i barazvlershëm me pesëqind namaze."

Transmeton Abdullah ibnu Amr ibnul As se i dërguari i Zotit a.s ka thënë:"Pasi Sulejmani a.s ndërtoi xhaminë Aksa, i kërkoi Zotit tre privilegje. Por Zoti i lartësuar i dha vetëm dy dhe ne shpresojmë që të tretën Zoti ta ketë rezervuar për ne. Sulejmani i kërkoi Zotit aftësi të gjykojë me drejtësi ashtu siç gjykon vetë Zoti dhe Ai ia dha. Sulejmani i kërkoi pushtet që nuk e ka gëzuar dhe nuk do e gëzojë kush tjetër pas tij dhe Zoti ia dha. Sulejmani i kërkoi që çdo person që niset nga shtëpia e tij vetëm për t'u falur në xhaminë Aksa, i fshihen gjynahet si ditën kur e ka lindur nëna. Unë e lus Zotin që këtë privilegj ta ketë rezervuar për ne." (Transmeton imam Ahmed, Ibnu Maxheh dhe Nesai)

 

Vdekja e Sulejmanit a.s

Edhe pse profeti Sulejman a.s posedonte pushtet, pasuri dhe ushtri që nuk i kishte pasur dhe nuk do i ketë kush pas tij, ai ishte njeri dhe do i nënshtrohej ligjit që i nënshtrohet çdo njeri tjetër, ligjit të vdekjes.

Në kohën e Sulejmanit a.s, njerëzit ishin sprovuar me fuqinë dhe potencialin e xhindeve. Me mënyrën si vdiq Sulejmani a.s, Zoti u tregoi se xhindet nuk kishin asgjë në dorë dhe nuk e dinin të fshehtën (gajbin) siç besonin shumë njerëz.

Një ditë, Sulejmani a.s i kishte nënshtruar dhe vënë në shërbimin e tij xhindet si asnjëherë tjetër. Ata punonin nën kontrollin e rreptë të Sulejmanit dhe i frikësoheshin si askujt tjetër. Ai kishte në dorë t'i ndëshkojë rreptë. Në këtë kohë, Sulejmani a.s kishte mbushur pesëdhjetë e dy vjeç. Të gjithë xhindet punonin të nënshtruar për llogari të Sulejmanit a.s. Puna që po kryenin ishte e rëndë dhe zgjati për disa ditë. Teksa i vëzhgonte gjatë punës, Sulejmani a.s mori bastunin e tij, vendosi sipër tij dy pëllëmbët dhe mbi to mbështeti kokën. Teksa i vështronte duke punuar, Zoti ia merr shpirtin Sulejmanit a.s. Sytë ai i kishte të hapur dhe nuk lëvizte nga vendi. Xhindet vazhdonin të punojnë pa ditur se ai kishte vdekur. Princi i kurorës që do të zinte vendin e Sulejmanit a.s, i shkon për t'i treguar diçka dhe e dallon që kishte vdekur. Megjithatë, nuk i tregoi askujt. Herë pas here, ai i afrohej pranë, bënte sikur i pëshpërit diçka në vesh dhe largohej. Kjo gjendje vazhdoi për një vit të tërë, ndërkohë që xhindet vazhdonin të punonin të nënshtruar. Ata çuditeshin si ishte e mundur që Sulejmani a.s, mbreti i tyre nuk kishte lëvizur nga vendi për një vit të tërë. Disa prej tyre pëshpëritnin me njëri-tjetrin mbi mundësinë e vdekjes së Sulejmanit, por kishin frikë të hetonin.

Pas një viti, krimbi i drurit e kishte dobësuar aq shumë bastunin e Sulejmanit a.s saqë një ditë u thye dhe Sulejmani a.s u rrëzua përtokë. Atëherë xhindet e kuptuan se ai kishte vdekur që një vit më parë. Po ashtu, njerëzit e kuptuan se xhindet nuk e dinë të fshehtën. Thotë Zoti në Kuran:"Kur Ne ia caktuam atij vdekjen, atyre nuk u dha shenjë askush për vdekjen e tij, pos krimbit të drurit. Dhe, kur u rrëzua (Sulejmani), u bë e qartë se, sikur ta dinin xhindet të padukshmen, nuk do të vijonin në dënimin e poshtëruar." (Sebe, 14)

 

Përshtati: Elmaz Fida

Submitting your vote...
Not rated yet. Be the first who rates this item!
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

20/09/2014
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
04:47 06:2112:4116:0618:5020:12

Urtësi

“Nëse dëshironi

të përqendroheni më shumë

te Zoti në namazin tuaj,

përqendrohuni më shumë

tek Ai jashtë namazit!”

Jasmin Moxhahid

Hutbe

Flash is required!

Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook