By: Amer Halid

Humanizmi


Të jesh human do të thotë të mbash qëndrim njerëzor e fisnik dhe të tregosh dashuri të thellë ndaj të gjithë njerëzve. Zemra jote duhet të jetë e madhe dhe t’i nxërë të gjithë njerëzit, pa dallim.

Në dy temat e para të elementit të dytë, folëm mbi rëndësinë e kultivimit të dashurisë te njerëzit e afërm dhe për ndihmën ndaj të vobektëve. Kurse kjo temë është më gjithëpërfshirëse pasi është për të gjithë njerëzimin, pa bërë dallime racore, shoqërore dhe fetare. Të jesh humanist do të thotë t’i duash njerëzit, t’u dëshirosh të mirën dhe lumturinë, të jesh i dhembshur me ta, të urosh udhëzimin dhe gëzimin e tyre. Ajo që na bashkon me të gjithë njerëzit e tjerë, është pikërisht fakti që jemi njerëz dhe qenie humane.

Nuk ka gjë më të bukur se të kesh zemër të gjerë dhe të madhe, e cila i nxë të gjithë. Një zemër e tillë, kudo që të ndodhet mendon si t’u falë gëzim dhe lumturi të tjerëve. Ajo mendon për një nënë me jetimë, për një nevojtar si ta ndihmojë, për një të moshuar të braktisur, për jetimët në jetimore, për dikë që nuk e njeh Zotin si ta lidhë me Krijuesin, për njerëzit si t’i ndihmojë dhe t’u falë gëzim etj...

Nuk mund të ndihesh i lumtur, veçse duke i dashur njerëzit dhe duke ua uruar lumturinë ashtu siç e uron për veten tënde. Kjo, edhe me armiqtë dhe kundërshtarët e tu, duke u uruar udhëzimin dhe mirësinë, jo shkatërrimin dhe skëterrën e xhehenemit.

Profeti Muhamed (a.s.) ka thënë në një hadith: “Askush prej jush nuk e ka besimin e plotë, derisa të dojë për vëllanë e tij, atë që do për vete.”

Lidhur me interpretimin e këtij hadithi, shumë dijetarë mendojnë se fjala “vëlla” nuk është vetëm për vëllanë në fe. Ajo përfshin vëllazërinë e të gjithë qenieve njerëzore. T’u duash të mirën, do të thotë të shpresosh dhe të urosh udhëzimin e tyre, jetën e paqtë dhe në siguri, të jenë të lidhur me Zotin dhe ta adhurojnë atë, suksesin në jetë, lumturinë, familje të konsoliduar etj… Sot në perëndim lindin fëmijë nga bashkëjetesa mes dy personave, fëmijë të cilët shpeshherë u dorëzohen qendrave sociale. Fëmijë të tillë rriten pa përkujdesjen prindërore dhe mua si njeri, më vjen keq për ta dhe duhet t’u dua të mirën.

Profeti (a.s.) e la të papërcaktuar termin “vëlla”, me qëllim që të përfshijë të gjithë njerëzit. Është Ai që ju krijoi nga një njeri i vetëm (Ademi). Hadithin e mësipërm është mirë ta kemi të gdhendur në zemrat tona. Sa herë të shihesh në pasqyrë, mendoji gjërat që ia uron dhe ia dëshiron vetes. Mandej, heto nëse këto mirësi jua uron të gjithë njerëzve apo jo. Zbatoje këtë hadith për njëzet e një ditë në Ramazan.

Lidhur me lumturinë, njerëzit ndahen në katër kategori:

I pari, është një njeri i lumtur. I dyti, është një i lumtur por që kërkon t’i lumturojë dhe njerëzit e tjerë. I treti është i vuajtur. I katërti, është i vuajtur dhe uron që të gjithë njerëzit të vuajnë si ai. Cilës kategorie i përket ti o vëlla dhe oj motër? Uroj që t’i përkisni kategorisë së dytë. I mjeri ti po t’i përkasësh kategorisë së katërt. Ai jo vetëm që vuan dhe nuk ndihet i lumtur, por këtë kërkon t’ua përcjellë dhe të tjerëve. Ai kthehet në një përbindësh për gruan e tij, fëmijët, familjarët dhe njerëzit që e rrethojnë.

”Askush prej jush nuk e ka besimin e plotë, derisa të dojë për vëllanë e tij, atë që do për vete.”

Çifutët e Medinës qenë sjellë shumë keq me të dërguarin e Zotit (a.s.) dhe myslimanët e tjerë. Ata nuk linin rast pa komplotuar kundër Profetit (a.s.).

Një ditë, Profeti (a.s.) ishte ulur bashkë me shokët e tij. Në një çast, aty pranë kalon një xhenaze me njerëzit që e përcillnin për në varrezë. Menjëherë Profeti (a.s.) ngrihet në këmbë, si shenjë respekti. Disa nga shokët e tij, duke menduar se Profeti (a.s.) nuk e dinte se për kë bëhej fjalë i thanë: “O i dërguari i Allahut! Ajo është xhenazja e një çifuti.” Profeti (a.s.) u përgjigj: “Po a nuk ishte njeri?!”

Interpretimi im lidhur me këtë hadith, është se çdo qenie humane meriton të respektohet. Zoti i lartësuar thotë në Kuran, lidhur me këtë koncept: “O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu.” (Nisa, 1)

Të gjithë ne kemi një prejardhje të përbashkët, njeriun e parë Ademin (a.s.), i cili u krijua nga dheu i tokës. Profeti (a.s.) ka thënë: “Të gjithë ju rridhni nga Ademi, kurse vetë Ademi rrjedh nga dheu.”

T’u duash të gjithë njerëzve të mirën, nuk do të thotë të heqësh dorë nga e drejta jote, të lejosh të zaptohen tokat e tua, të lejosh të shtypet populli yt dhe të nëpërkëmben vendet e tua të shenjta.

Zoti thotë në Kuran: “O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra.” (Nisa, 1)

Zoti e kishte të mundur që të krijonte shumë burra e gra që në fillim, por na krijoi nga një baba dhe nënë e vetme, me qëllim që të kemi një origjinë të përbashkët.

A e ke të mundur tani të sillesh me të gjithë njerëzit në bazë të kësaj origjine të përbashkët? A mundesh t’i trajtosh të gjithë njëlloj në bazë të origjinës së përbashkët, si myslimanët dhe jo myslimanët? A mundesh të sillesh si njeri me komshinjtë e tu, me punëtorët dhe vartësit, me një nënë e cila nuk di si t’i kthejë sërish fëmijët e saj që tashmë jetojnë me ish-bashkëshortin e divorcuar? Ka shumë baballarë, të cilët kur divorcohen, bëjnë çmos që t’i mbajnë vetë fëmijët dhe nuk e lejojnë nënën e tyre t’i takojë dhe t’i shohë. Kjo është një sjellje jonjerëzore. Si respekt për ndjenjat e nënës, Zoti i ka shndërruar në adhurim lëvizjet e Haxheres në kërkim të ujit për foshnjën e saj. Sa herë që të pish ujë Zemzemi, kujto se ky burim erdhi si pasojë e lutjes së Ibrahimit (a.s.) për familjen e tij.

Secili prej nesh duhet të bëjë çmos që një familje të mos ndahet dhe divorcohet. Për këtë, kemi shembullin me të mirë, të dërguarin e Allahut (a.s.).

Aisheja, gruaja e Profetit (a.s.) kishte një skllave që quhej Berire. Ajo ishte e martuar me një skllav tjetër, që quhej Mugith. Një ditë, Aisheja i fal lirinë Berires, e cila duke qenë e lirë vendosi të divorcohej nga i shoqi, i cili ishte akoma skllav dhe ashtu bëri. Një ditë, ajo po kryente tavafin rreth Qabes, kurse Mugith i shkonte pas duke qarë dhe duke i kërkuar të bashkoheshin. Profeti (a.s.) e ndiqte këtë skenë, bashkë me xhaxhain e tij Abasin. I çuditur nga kjo, Abasi i tha Profetit (a.s.): “A e shikon, o i dërguari i Allahut?"

Profeti (a.s.) ia ktheu: “Po o Abas. Për Zotin më çudit dashuria e Mugithit për Beriren dhe urrejtja që ka Berire për Mugithin."

Abasi i tha: “A nuk do të shkosh t'i flasësh, o i dërguari i Allahut?"

Profeti (a.s.) iu përgjigj: “Po, do të shkoj." Dhe menjëherë, vajti tek Berire të cilës i tha: “O Berire! A nuk e shikon sa po vuan Mugithi? Përse nuk qëndron me të?"

Berire e pyeti: “A po më urdhëron, o i dërguari i Allahut?"

Profeti (a.s.) iu përgjigj: “Jo, unë jam thjesht ndërmjetës."

Berire i tha: “Atëherë unë nuk kam nevojë për atë burrë."

Profeti (a.s.) ia ktheu: “Si të duash."

 

Humanizmi kërkohet jo vetëm me njerëzit, por edhe me kafshët dhe gjallesat e tjera. Sipas Profetit (a.s.), një burrë fitoi xhenetin thjesht sepse i dha të pijë ujë një qeni të etur. Ai zbriti në një pus të thellë, mbushi këpucën e tij me ujë dhe ia ofroi qenit. Zoti u tregua mirënjohës për këtë vepër dhe i fali xhenetin. Po kështu, një grua prostitutë, i dha të pijë ujë një qeni dhe Zoti ia fali gjynahet që kishte vepruar. Zoti ia fali gjynahet, për shkak se zemra e saj ishte e mbushur me humanizëm, qoftë dhe për një krijesë si qeni.

 

Në historinë që do të rrëfejmë më poshtë, të gjithë personazhet e saj, me gjithë dallimet, shquhen për humanizëm të madh. Unë e kam zgjedhur këtë histori, pasi personazhet e saj, edhe pse janë në konflikt me njëri-tjetrin, demonstrojnë humanizëm dhe njerëzillëk.

Ebul As ibnu Rebia është burri i vajzës së profetit Muhamed (a.s.). Hadixheja ishte tezja e tij dhe ishte ajo që i propozoi për t’u martuar me Zejneben. Kjo martesë u realizua para se Profetit (a.s.) t’i besohej misioni i profetit (a.s.). Me t’u bërë profet, vajza e tij Zejnebeja besoi në fenë islame, ndërkohë që i shoqi refuzoi. Megjithatë, ata jetonin bashkë dhe duheshin shumë.

Ajo e duroi të shoqin për njëzet vite me radhë, ngaqë martesa e një myslimaneje me një jomysliman akoma nuk ishte ndaluar. Ajo vazhdoi si myslimane dhe i shoqi vazhdoi jetën e tij si jomysliman.

Dy djemtë e Ebu Lehebit, ishin fejuar me dy vajza të Profetit (a.s.). Duke qenë se Ebu Lehebi i kishte shpallur armiqësi Profetit (a.s.), u kërkoi djemve t’i divorconin dy vajzat e Profetit (a.s.), si formë presioni dhe lëndimi dhe ashtu ndodhi. Ebu Lehebi nuk u mjaftua me kaq, por vajti dhe tek Ebul As ibnu Rebia dhe i kërkoi edhe atij ta divorconte Zejneben, meqë ishte vajza e Profetit (a.s.), duke i premtuar një grua tjetër më të mirë. Por ai ia ktheu: “Jo. Unë dhe ajo duhemi shumë dhe shkojmë mirë. Ajo është vajza e tezes time dhe Muhamedi nuk është sjellë keq me mua, edhe pse nuk jam në fenë e tij.”

Profeti (a.s.) dhe myslimanët migruan për në Medinë, ndërkohë që Zejnebeja qëndroi në Mekë me bashkëshortin e saj dhe fëmijët, deri kur ndodhi beteja e Bedrit.

Ebul As ibnu Rebia morri pjesë në betejën e Bedrit, luftoi kundër myslimanëve dhe vetë vjehrrit të tij. Në fund, beteja fitohet nga myslimanët dhe Ebul As ibnu Rebia u kap rob prej tyre.

Të gjitha familjet e robërve të tjerë, dërguan të hollat e mjaftueshme për të liruar të afërmit e tyre. Zejnebeja, duke qenë se nuk i posedonte të hollat e mjaftueshme, hoqi varësen e qafës, të cilën ia kishte dhuruar nëna, Hadixheja dhe e dërgoi me kunatin e saj Amr ibnu Rebia.

Kur i erdhi varësja e mbështjellë me një pëlhurë, ai pyeti: “Për cilin rob është kjo?”

Të pranishmit i thanë: “Është për Ebul As ibnu Rebia.”

Me ta hapur, Profetit (a.s.) filluan t’i rridhnin lot. Me lot në sy ai tha: “Kjo është varësja e Hadixhes!” Më pas, Profeti (a.s.) qëndroi në mes të myslimanëve dhe u tha: “Kush e ka zënë rob Ebul As ibnu Rebian?” Një nga banorët e Medinës u ngrit dhe tha: “Unë, o i dërguari i Allahut” Profeti (a.s.) i tha: “A pranon që t’ia falësh lirinë dhe njëkohësisht, t’ia kthejmë varësen e të kthehet në Mekë? Kjo, pasi Hadixheja gëzon një status të veçantë tek unë.” Humanizmi fillon me familjen tënde.

Banori i Medinës u përgjigj:’Po, o i dërguari i Allahut.”

Profeti (a.s.) ia zgjati Ebul Asit varësen dhe i tha: “O biri i vëllait tim! Merre varësen, kthehu dhe i thuaj Zejnebes ta respektojë më shumë varësen e Hadixhes.”

Më pas, i tha: “O Ebul As! A mundem të të them diçka mënjanë?” Pasi ai pranoi, Profeti (a.s.) i tha: “O Ebul As! Zoti më ka urdhëruar që çdo myslimane e martuar me një jomysliman duhet të divorcohet. Prandaj a pranon të ma kthesh vajzën time?”

Ebul As ibnu Rebia i tha: “Po.”

Edhe pse e kishte të mundur, Profeti (a.s.) nuk ia kushtëzoi faljen e lirisë me divorcin me Zejneben. Vallë ku jemi ne myslimanët në krahasim me humanizmin e Profetit tonë?

Kur Zejnebeja dëgjoi se i shoqi po kthehej nga Medina, doli dhe e priti jashtë Mekës. Me t’u takuar me të, Ebul Asi i tha: “Përgatitu se duhet të nisesh për rrugë! Unë i kam premtuar Muhamedit se do të të kthej tek ai.”

Lajmi se Ebul As e ka lejuar Zejneben të shkojë te Muhamedi (a.s.), filloi të përhapej në Mekë. Këtu, do të shohim një qëndrim tjetër humanist, i cili mua personalisht më ka lënë pa fjalë. Këtë hadith e tregon vetë Zejnebeja dhe ai transmetohet nga imam Ahmedi dhe gjendet në koleksionin e imam Muslimit. Tregon Zejnebja: “Tek unë erdhi Hind bintu Utbe – gruaja e cila paguan Vahshin për të vrarë Hamzanë – dhe më tha: “O Zejnebe! Unë e di që do të kthehesh tek babai yt! Bota emocionale e grave nuk është si ajo e burrave, prandaj nëse ke nevojë për para ose diçka tjetër, më thuaj të të jap.”

Tregon Zejnebja: “Në sytë e saj dallova sinqeritet, megjithatë u frikësova t’i them se dua të largohem për në Medinë.”

Zejneben e shoqëroi për në Medinë, vëllai i burrit të saj, Kinane ibnu Rebia. Kurejshët i zunë rrugën dhe refuzuan t’i lejonin të niseshin për në Medinë. Kinane ibnu Rebia bëri gati harkun dhe u kërkoi të mos afroheshin, përndryshe do t’i qëllonte. Ebu Sufjani, e tërhoqi mënjanë dhe i tha: “Këta njerëz janë të nevrikosur dhe gjaknxehtë pas asaj që u ndodhi në Bedr. Nëse ajo largohet kështu haptazi, ata do të ndihen të fyer. Prit pak sa të ulen gjakrat. Me t’i zënë gjumi njerëzit, merre dhe dërgoje te babai i saj në Medinë. Për Zotin nuk dua ta privoj asnjë fëmijë nga prindi.”

Sjelljet humane dhe pro-sociale ta zbusin zemrën. Më vonë, Ebu Sufjani pranon Islamin.

Kështu, Zejnebeja morri dy fëmijët e saj dhe u nis për në Medinë. Kur mbërritën në Medinë, Profeti (a.s.) u gëzua shumë dhe tha: “Ebul As ibnu Rebia e mbajti fjalën me ne.”

Pas gjashtë vitesh ndarjeje, Ebul Asi niset me një karvan nga Meka për në Sham. Gjatë rrugës, karvani i tij sulmohet nga një grup të rinjsh myslimanë, të cilët kërkonin të merrnin pasuritë që kurejshët u kishin rrëmbyer dhe plaçkitur myslimanëve në Mekë. Ebul Asi arriti t’u shpëtonte këtyre të rinjve dhe u arratis. Myslimanët iu vunë pas, por nuk e arritën dot pasi ai u fsheh në Medinë. Fjalët që Ebul As ishte fshehur në Medinë filluan të përhapeshin dhe të gjithë u vunë në kërkim të tij. Ku mund të fshihej në Medinë Ebul As ibnu Rebia? E ku tjetër përveçse në shtëpinë e ish-gruas së tij të dashur?

Ebul As ibnu Rebia vajti te shtëpia e ish-gruas së tij dhe trokiti në derë. Kjo ndodhte pak para ezanit të sabahut. Kur Zejnebeja hapi derën, mbeti e shtangur kur pa të shoqin e saj në këmbë. Ebul Asi i tha: “Më merr në mbrojtje dhe me fshih diku. Myslimanët kanë marrë karvanin e kurejshëve dhe nuk di çfarë t’ju them.”

Edhe pse besonte në një fe tjetër, ishte armik i Profetit (a.s.) dhe ishte i përndjekur, humanizmi i Zejnebes nuk e tradhtoi, por i tha: “Hyr brenda o Ebul As, ti do jesh në mbrojtjen time.”

Ajo e la në gjumë, kurse vetë doli jashtë duke pritur të thirrej ezani i mëngjesit. Pasi u thirr ezani, ajo vajti në xhami të falej bashkë me gratë tjera. Kur Profeti (a.s.) u ngrit dhe thirri Allahu Ekber, për të falur farzin, ndërkohë që ai lutej, Zejnebeja thërret me zë të lartë nga faltorja e grave: “O njerëz! Ebul As ibnu Rebia është në mbrojtjen dhe besën time!”

Ajo zgjodhi këtë kohë, me qëllim që njerëzit të mos e kundërshtonin, pasi ishin në namaz. Derisa të përfundonin faljen, do të ishin qetësuar dhe do të logjikonin më drejt.

Pasi përfundoi namazin, Profeti (a.s.) u kthye nga myslimanët dhe u tha: “A e dëgjuat atë që dëgjova unë?”

Njerëzit u përgjigjën: “Po, o i dërguari i Zotit.”

Profeti (a.s.) u tha: “Për Zotin unë nuk di se ç’po ndodh. Por myslimanët kanë të drejtë ta marrin në mbrojtje një njeri në hall.”

Më pas, Profeti (a.s.) u takua me Zejneben dhe i tha: “O Zejnebe! Nderoje, pasi është  babai i fëmijëve të tu! Por mos prano të të prekë, pasi nuk të lejohet!”

Mandej, Profeti (a.s.) iu drejtua myslimanëve që i kishin marrë peng karvanin dhe u tha: “Unë u kërkoj që brenda mundësive, t’i kthehet pasuria dhe të lejohet të kthehet në shtëpinë e tij. Por nëse refuzoni, kjo është e drejta juaj, për të cilën nuk ju fajësoj.”

Myslimanët iu përgjigjën: “Ashtu do të veprojmë, o i dërguari i Allahut.”

Menjëherë filluan të mblidhen të gjithë mallrat e karvanit një e nga një, derisa i sollën edhe gjërat më të vogla.

Ebul Asi e mori të gjithë pasurinë që myslimanët ia kishin marrë gjatë sulmit të karvanit dhe u kthye në Mekë. Me të arritur atje, mblodhi të gjithë ata që i kishin dhënë pasuri për të bërë tregti dhe u tha: “O njerëz! Këto janë pasuritë tuaja! A doni gjë tjetër?”

Ata iu përgjigjën: “Jo. Ti e ke mbajtur fjalën e dhënë.”

Atëherë Ebul Asi u tha: “Unë dëshmoj se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut fuqiplotë dhe se Muhamedi është robi dhe i dërguari i Tij. Tashmë vendi im nuk është këtu, por është në Medinë.”

Pas kësaj ndodhie ai u nis menjëherë për në Medinë, ku arriti në mëngjes herët. Pas namazit të sabahut, xhamia pushtohej nga një heshtje pasi të gjithë myslimanët përmendnin Zotin. Në çastin që Profeti (a.s.) dha selam dhe të gjithë filluan të përkujtonin Zotin në heshtje, u dëgjua një zë nga fundi i xhamisë që thoshte: “O i dërguari i Zotit! Dje më more në mbrojtje, kurse sot kam ardhur të të them që nuk ka Zot tjetër përveç Allahut dhe se ti je i dërguari i Tij.”

E gjithë xhamia oshtiu nga thirrjet: “Allahu Ekber (Zoti është më i madhi)!”

Më pas, Ebul As ibnu Rebia i tha Profetit (a.s.): “O i dërguari i Zotit! A më lejon të kthehem tek Zejnebeja?!”

Profeti (a.s.) e kapi për supi dhe i tha: “Eja me mua!”

Të dy vajtën tek shtëpia ku banonte Zejnebeja dhe Profeti (a.s.) i bashkoi sërish nën një strehë.

A ka humanizëm më të madh se kaq? Mëso të sillesh si njeri me të gjithë! Mëso të jesh humanist! Sa më shumë ta hapësh zemrën me njerëzit e tjerë, aq më shumë të zvogëlohen hallet dhe problemet e tua.

Në një shtet si Egjipti, njerëzit kanë shumë probleme dhe vuajnë për kafshatën e gojës, megjithatë sjelljet pro-sociale, altruizmi dhe humanizmi janë në nivelet më të larta.

Transmeton Enes Ibnu Maliku se i dërguari i Zotit (a.s.) ka thënë: “Nuk e ka besimin e plotë dikush prej jush, nëse fle i ngopur, ndërkohë që komshiu i tij fle i uritur.”

Mos thuaj se nevojtarët dhe hallexhinjtë janë të shumtë dhe unë nuk di kë të ndihmoj më parë. Kjo është një nga pusitë e shejtanit që përdor për të të larguar nga humanizmi.

Një ditë, një beduin shkon tek Umer ibnul Hattabi dhe i thotë:

O Umer, me xhenet u shpërblefsh,

Gruan dhe vajzat mi vish,

Të bëj rixha këtë ta bësh.

 

Umeri u çudit nga këto vargje dhe i tha: “Po nëse nuk e bëj, çfarë do ndodhë?”

Beduini ia ktheu: “Atëherë unë do të largohem.”

Umeri e pyeti: “E nëse largohesh çfarë?”

Beduini iu përgjigj me vargje:

Për Zotin për këtë do japësh xhevap,

Atë Ditë kur s’ka vlerë kjo dhuratë,

Atë Ditë kur të drejtohesh,

në zjarr, a xhenet të dërgohesh.

 

Umeri shpërtheu në të qara, saqë iu lag dhe mjekra dhe duke iu drejtuar një shërbëtori i tha: “Jepja këtë këmishën time, për atë Ditë dhe jo për vargjet e tij. Për Zotin nuk kam këmishë tjetër.”

 

Kalifi Umer ibnul Hattab kishte caktuar ndihma për të gjithë fëmijët e vegjël që kishin filluar të ushqeheshin dhe e kishin kaluar periudhën e mëkimit. Një natë, teksa kishte dalë për t’u siguruar se njerëzit ishin të sigurt, dëgjoi zërin e një foshnjeje, duke qarë brenda një shtëpie. Ai vajti pranë derës dhe foli: “Pashë Zotin o motër, vëre të flejë foshnjën!” “Si urdhëron!” dëgjohet përsëri një zë nga brenda. Kur u kthye para se të shkonte për në xhami, e gjeti përsëri foshnjën duke qarë. Vajti te dera dhe thirri: “Ti qenke nënë e keqe. Përse nuk e vë të flejë foshnjën?” Këtë herë gruaja nga brenda thirri: “Më lër rehat, pasi Umer ibnul Hattabi u jep ndihmë vetëm fëmijëve që kanë filluar të ushqehen. Foshnja ime akoma pi qumësht gjiri dhe unë dua ta mësoj të ushqehet me ushqime të tjera, që të marr ndihmat e Umerit.” Kjo nënë, nuk e ushqente foshnjën e saj me qumësht gjiri, duke dashur ta mësonte të ushqehej me gjëra të tjera, që të përfitonte nga ndihmat e Umerit. Ajo nuk e dinte që ai që i fliste te dera ishte vetë Umeri.

Tregojnë shokët e Umerit që atë ditë nuk e kuptuam çfarë lexoi Umeri në namazin e sabahut, për shkak të të qarit. Pasi përfundoi namazin, u kthye nga ne dhe tha: “I mjeri ti o Umer Ditën e Kiametit! Sa nga foshnjat e myslimanëve ke lënduar o Umer!” Më pas u çua në këmbë dhe tha: “O njerëz! Pashi Zotin mos u nxitoni dhe t’i ndani foshnjat nga qumështi i nënës para kohe. Umer ibnul Hattabi do t’i ndihmojë të gjitha foshnjat e myslimanëve.”

 

Ji human me njerëzit që i njeh dhe me ata që nuk i njeh

Tregon Umer ibnul Hattabi: “Çdo ditë pas namazit të Sabahut, Ebu Bekri zhdukej në një nga lagjet e largëta të Medinës. Unë nuk e dija se çfarë bënte ai atje. Një ditë e ndoqa dhe pashë që hyri në një shtëpi të vjetër. Pas një farë kohe, ai doli që andej dhe u largua. Menjëherë unë hyra brenda dhe gjeta një grua të moshuar të verbër dhe dy fëmijë të vegjël. Unë e pyeta: “Kush je ti?” Ajo u përgjigj: “Babai i këtyre dy fëmijëve ka vdekur, kurse unë jam e verbër dhe e lodhur. Nuk kemi asnjë njeri që të kujdeset për ne.” Unë e pyeta sërish: “Po ai burri që sapo doli, kush është?”

Gruaja u përgjigj: “Nuk e dimë. Ai vjen çdo ditë, pastron shtëpinë, përgatit mëngjesin dhe mjel delet.”

Umerit i rrodhën lot dhe tha: “Po i lodh Kalifët që do vijnë pas teje o Ebu Bekër.”

 

Tregohet se një nga shokët e Profetit (a.s.) shihej gjithmonë i mërzitur dhe i përlotur. Një ditë, Profeti (a.s.) e pyet mbi shkakun e mërzisë dhe hidhërimit. Ai i përgjigjet: “O i dërguari i Allahut! Para Islamit, unë kam bërë një gjynah të madh dhe kam frikë se nuk do të ma falë Zoti.” Profeti (a.s.) e pyet: “Pse, çfarë ke bërë?”

Burri u përgjigj: “O i dërguari i Allahut! Unë kam qenë nga ata që varrosnin vajzat e tyre për se gjalli. Një herë, më lindi një vajzë dhe gruaja m’u lut që të mos e varros dhe pranova. Vajza u rrit dhe ishte shumë e bukur, saqë ata që e kërkonin ishin të shumtë. Për shkak të fanatizmit të verbër, e kisha të pamundur ta shihja si gruan e dikujt dhe po aq të vështirë e kisha ta mbaja në shtëpi beqare. Një ditë i thashë gruas: “Dua të shkoj në filan fis të vizitoj të afërmit, por dua të marr me vete dhe vajzën, prandaj bëje gati.”

Gruaja u gëzua, e bëri gati dhe m’u lut që ta mbaj besën që i kisha dhënë kur lindi, që nuk do ta groposja për së gjalli dhe unë e sigurova për këtë. Gjatë rrugës, u afrova pranë një pusi të thellë dhe herë shihja pusin herë vajzën. Ajo e kuptoi se çfarë kisha ndërmend dhe m’u ngjit për trupi duke qarë dhe duke m’u lutur. Mua më erdhi keq dhe e lashë. U afrova sërish tek pusi dhe më pushtoi sërish fanatizmi. Vajza m’u afrua dhe duke qarë më lutej: “O baba! Mos e shkel fjalën që i dhe nënës! Mos e bëj këtë të lutem!” Mua më erdhi keq dhe e lashë sërish. Mandej, u afrova tek pusi dhe këtë herë shejtani më shtyu drejt saj, e kapa dhe e hodha me kokë në pus. Ajo thërriste nga brenda pusit: “O baba! Më vrave.” Unë qëndrova pranë pusit derisa u shua zëri i saj, mandej u largova.”

I dërguari i Zotit u përlot nga kjo që dëgjoi dhe i tha: “Nëse do urdhërohesha t’i ndëshkoja njerëzit për veprat që kanë bërë para Islamit, ty do të ndëshkoja të parin.”

Ji humanist që të shijosh lumturinë e kësaj bote dhe duaj për njerëzit, atë që do për vete.

Submitting your vote...
Rating: 4.0 of 5. 1 vote(s).
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

31/10/2014
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
04:32 06:0511:3114:1816:4518:08

Urtësi

Eksperienca është

lloji i mësuesit më të vështirë.

Më parë të bën provimin,

e pastaj të shpjegon mësimin.

Oscar Wilde

Hutbe

Flash is required!

Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook