Islami dhe bashkëjetesa
Shënim i autorit: Koalicioni i Ndërbesimit të Nashvillit organizoi konferencën e ndërbesimit të këtij viti në universitetin e Vandërbiltit në Nashville, SHBA. Judaizmi u përfaqësua nga dr. Donna Whitney, krishtërimi nga dr.Tom Davis, Hinduizmi nga dr. Howard J. Resnick (HD Goswami) dhe budizmi nga profesor Win Myint. Unë përfaqësoja Islamin. Konferenca u hap nga Dr. Jawaid Ahsan. Moderatorë të konferencës ishin Dr. Charles Hembrick dhe profesori Emeritus i fesë në univesitetin e Vanderbilt.]
Nuk është e lehtë të flasësh për një fe, e cila jo vetëm është feja më pak e kuptuar nga të gjitha fetë kryesore, por tani konsiderohet në një rrjedhë konflikti me pjesën tjetër të botës. Debati për karikaturat vetëm e ka rritur mosbesimin dhe duket se u ka dhënë më tepër guxim atyre që kanë shitur deri tani ilaçin helmues të “përplasjes së qytetërimeve”. Nuk mund të mohohet se 11 shtatori ka krijuar fanatikë, racistë, “ekspertë” të vetëshpallur dhe “grupe ekspertësh” (organizata), që e përcaktojnë Islamin në mënyra që vetëm demaskojnë shkallën e tyre të urrejtjes dhe fanatizmit.
Islami që ata përshkruajnë nuk është i njohur për njerëzit e mi.
Fakti i rëndë është se ka myslimanë që hyjnë në drejtime të ndryshme të mendimit. Jo të gjithë janë shenjtorë dhe as muxhahidë që të jenë të aftë të kontrollojnë zemërimin, pasionin apo egon e tyre. Sot ne kemi njerëzit e Zarkauit ashtu siç në shekullin e XII dhe të XIII ishin Hashishiin-ët që terrorizuan botën myslimane. Pastaj janë ata që mendojnë se sulmet e tyre vetëvrasëse do t’i çlirojnë të tjerët.
Ndërsa spektri i dhunës është bërë sot një fakt i jetës, prirja për të dënuar një traditë të tërë fetare për veprimet e paarsyeshme dhe të pakuptimta të një pakice është shumë e madhe. Por kjo është e gabuar. Nëse nuk mund të dënojmë të gjitha besimet për krimet e përkrahësve të tyre, nuk mund të kemi një grup të ndryshëm standardesh për muslimanët. Për shembull, nëse nuk mund ta dënojmë krishterimin për kolonizimin dhe masakrën e qytetarëve të paarmatosur në Jonestown (Guyana) dhe Waco (SHBA), për vrasjet në Irlandë, Uganda, Haiti dhe Liberi, për spastrimin etnik në Bosnje, Kosovë, اeçeni, Dagestan, Nagorno Karabaç dhe ishujt Mindanao (në Filipine) dhe genocidet në Kongo, Ruanda dhe ditët e sotme në Afganistan dhe Irak; nëse nuk mund të dënojmë judaizmin për krimet e grupit Rabbi Meir Kahane ose Baruch Goldstein, ose krimet e liderëve izraelitë – Sharonit, Olmertit, Netanjahut dhe të tjerëve – në Palestinën e pushtuar dhe në Liban; nëse nuk mund të dënojmë hinduizmin për vrasjen e MK Gandhit dhe masakrën e mijërave myslimanëve në Kashmir, Mumbai, Assam dhe Gujarat dhe vrasjet e budistëve singalezë në Sri Lanka; nëse nuk mund të dënojmë budistët për vrasjet në Kamboxhia ose masakrën e myslimanëve rohyngianë në Arakan (Mianmar), ose vrasjet e tamilëve në Sri Lanka dhe pakicave myslimane në Tailandë, atëherë nuk kemi asnjë të drejtë të dënojmë Islamin për sulmet e 11 shtatorit.
Nëse të rinjtë muslimanë sot duken të irrituar, kjo nuk ndodh për shkak të teologjisë së Islamit, por për shkak të pamundësisë së tyre si qënie njerëzore për të kuptuar dhe/ose toleruar hipokrizinë e madhe dhe standardet e dyfishta që shikojnë, plus keqtrajtimin e vëllezërve të tyre, që trajtohen si qytetarët e klasës së tretë të këtij planeti. Nga një kontinet në një tjetër ata shohin se si masakrohen dhe gjymtohen qëniet njerëzore dhe sa abuzime kolosale të të drejtave të njeriut kryhen kundër tyre. Dhe përsëri asnjë, as edhe drejtuesit e tyre në kombet post-koloniale, nuk flasin apo veprojnë për ta. Kjo është një përvojë e trishtueshme dhe e turpshme për ta.
Të dhëna për të kaluarën e Islamit
Gjithë historia e njerëzimit ka qenë një luftë klasash mes forcave të dritës dhe errësirës, të mirës dhe të keqes, të vërtetës dhe të gabuarës. Forcat e të mirës kanë luftuar për të krijuar një shoqëri ideale, që është e drejtë dhe e balancuar brenda dhe jashtë.
Fatkeqësisht, njerëzimi ka dështuar shumë shpesh në gjetjen e këtij ekuilibri, balancimi dhe harmonie mes të dukshmes dhe shpirtërores, të brendshmes dhe të jashtmes. Ideali që Islami e ka kërkuar 14 shekujt e kaluar është gjithashtu një ideal universal që është krijimi i një shoqërie të drejtë. Me të vërtetë në këtë kërkim, misioni i Muhamedit (a.s.), profetit të Islamit, ishte shumë i ngjashëm më të gjithë ata profetë dhe njerëz të urtë që erdhën para tij.
Islami erdhi si një dritë udhëzuese në një botë të errët, një botë që kishte nevojë për një vetëtimë që ta zgjonte nga gjumi i tij i thellë. Ai erdhi në epokën e injorancës, ku mohohej e vërteta, kur nga Kina dhe Japonia në Lindje, deri në Marok dhe Islandë në perëndim, adhurimi i një Zoti ishte zëvendësuar nga një mori gjysmëperëndish. Në atë kohë ekzistonin nocione false të epërsisë dhe egotizmit në bazë të racës, ngjyrës, fisit dhe etnisë. Islami erdhi tek një komb që mburrej me intensitetin e prishjes dhe shthurjes në çështjet sociale dhe morale. Islami erdhi historikisht pas rënies së perandorisë romake dhe ‘epokave të errëta’. Në perandorinë Perse kishte shume grindje politike për pushtet dhe në perandorinë e largët romake kishte shenja dekadence dhe në Arabi, toka që nuk mendohej se do të riformonte fatin e njerëzimit, qytetarëve të saj u mungonin dhembshuria dhe vlerat morale.
Pikërisht në Arabi, në bashkëdikimin e tre kontinenteve të mëdha, Azisë, Afrikës dhe Evropës, lindi në vitin 570 era jonë (ose vitin 53 sipas kalendarit mysliman) profeti Muhamed (a.s), profeti i Islamit, një mekas nga familja e shquar e fisit kurejsh, një pasardhës i babilonasit Ibrahim dhe egjiptianit Hagar. Këtu iu shpall profetit Kurani në gjuhën arabe, kur ai ishte në moshën 40 vjeçare. I ardhur në një botë që ishte njollosur nga shthurja dhe shpërbërja, Islami dha një model të veçantë, të panjohur në gjithë historinë e njerëzimit. Islami dha tre elemente bazë, besimin në një Zot (në Allah), reformimin e vetes dhe të shoqërisë në përgjithësi. Islami vazhdoi të ishte një angazhim fetar, një program social, ekonomik dhe politik, por para së gjithash një mjet për “reformimin e vazhdueshëm” të shoqërisë.
Tema që unë dua të diskutoj këtu është: çfarë thotë Islami për bashkëjetesën paqësore me njerëzit e besimeve të tjera? A beson Islami në larmi, multikulturë dhe pluralizëm? Përgjigja për këto pyetje është një ‘po’ e fortë. Më poshtë për ta mbështetur pohimin tim do të mbështetem tek Kurani dhe do të citoj disa ajete.
Islami e kundërshton racizmin dhe predikon kriteret alternative për njerëzit e Zotit:
Islami e hedh poshtë mendimin se Zoti është i njëanshëm ndaj një race apo fisi të veçantë dhe se mëshira e Tij është vetëm për një grup të caktuar. Allahu thotë: “O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni mes jush, e s’ka dyshim se tek Allahu më i ndershmi ndaj jush është ai që më tepër është ruajtur (nga të këqijat), e Allahu është i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë”. (49:13)
Me këto deklarata të thella të Kuranit, Islami ishte i aftë të largonte mendimet etnocentrike shekullore të epërsisë sipërfaqësore dhe fisnikërisë së veçantë të njerëzimit. Duke kundërshtuar pohimet e njerëzve egocentrikë se asnjë nuk do të hyjë në parajsë nëse nuk i përket racës dhe etnisë së tyre, Kurani thotë: “Sillni argumentin tuaj po qe se jeni të drejtë?” (2:111). Sa për kriteret e sakta për një cilësim të tillë, Kurani shpall “Nuk është ashtu (si thonë ata), po ai që i është dorëzuar Allahut dhe është bamirës, ai e ka shpërblimin e vet tek Zoti i tij, për të nuk ka frikë, as nuk kanë pse të mërziten.” (2:112)
Islami predikon bashkimin e njerëzimit
Kurani thekson vazhdimisht unitetin e njerëzimit domethënë ata vijnë nga të njëjtët prindër: “Njerëzit nuk ishin tjetër pos të një feje, por u përçanë...” (10:19).
Profeti Muhamed (a.s) në ligjëratën e tij të lamtumirës në haxh që e mbajti ditën e nëntë të dhulhixhes në vitin 10 A.h. në luginën Uranah në malin Arafat në Mekë, tha:
“Gjithë njerëzimi vjen nga Adami dhe Eva, një arab nuk ka epërsi ndaj një joarabi, as një joarab nuk ka epërsi ndaj një arabi, gjithashtu një i bardhë nuk ka epërsi ndaj një njeriu me ngjyrë dhe as njeriu me ngjyrë nuk ka epërsi ndaj të bardhit, përveç në devotshmëri dhe vepra të mira”.
Nuk ka monopol në mesazhin e Zotit
Në Kuran thuhet: “...e nuk pati asnjë nga popujt që nuk pati të dërguar” (35:24) . “Ky është Allahu, me dijen e Tij të Pafundme, ai ka dërguar profetë dhe të dërguar për gjitha kombet që ato të udhëzohen”. (2:213, 10:37)
Thirrja e Kuranit është një thirrje për bashkimin e besimit: “Ai u përcaktoi juve për fe atë që i pat përcaktuar Nuhut dhe atë që ne ta shpallëm ty dhe atë me çka e patëm porositur Ibrahimin, Musain dhe Isain. (I porositëm) Ta praktikoni fenë e drejtë e mos u përçani në të” (42:13). Në një ajet tjetër: “Kjo fe është e juaja dhe është e vetmja fe (e shpallur), kurse unë jam Zoti juaj, pra më adhuroni vetëm mua. Po ata e ndanë çështjen e fesë dhe u përçanë mes vete (u ndanë në grupe: monoteistë, politeistë, jehudi, të krishterë, zjarrputistë etj) mirëpo që të gjithë do të vijnë te Ne”. (21:92-93)
Islami e paraqet veten si një mënyrë për të bashkërenduar ndryshimet mes hebrenjve dhe të krishterëve. Kompromisi i ofruar nga Islami konfirmon elemente të përbashkëta mes Judaizmit dhe Krishterimit dhe pranon Musain dhe Jezu Krishtin si dy nga profetët më të mëdhenj të gjitha kohërave, të cilët ishin dërguar për të udhëzuar njerëzimin. Islami e pranon lindjen e Jezusit pa baba dhe i konsideron Jezusin dhe Marian si të dëlirë dhe besimtarë, por refuzon trinitetin. Të pranosh disa nga profetët dhe të përjashtosh disa të tjerë, do të thotë të mos i kushtosh vëmendje thirrjes hyjnore: “S’ka dyshim se ata që nuk besojnë Allahun dhe të dërguarin e Tij, dëshirojnë të bëjnë dallim mes Allahut dhe të dërguarve të Tij dhe thonë: “Ne i besojmë disa e nuk i besojmë disa të tjerë” e mes këtij duan të marrin një rrugë. Të tillët janë jobesimtarët e vërtetë, e Ne kemi përgatitur dënim të fortë e nënçmues për jobesimtarët”. (4:150-151)
Të kesh besim dhe të jesh besimtar do të thotë të besosh dhe t’i vendosësh në veprim ato që beson. Në Kuran thuhet: “Nuk është tërë e mira (e kufizuar) të ktheni fytyrat tuaja nga lindja ose perëndimi, por mirë si e vërtetë është ajo e atij që i beson Allahut, ditës së gjykimit, engjëjve, librit, pejgamberëve dhe pasurinë që e do, ua jep të afërmëve, bonjakëve, të varfërve, udhëtarëve, lypësve dhe për lirimin e robërve dhe ai që e fal namazin, e jep zekatin dhe ata që kur premtojnë e zbatojnë dhe të durueshmit në skamje, në sëmundje dhe në flakën e luftës. Të tillët janë ata të sinqertit dhe të tillët janë ata të devotshmit”. (2:177)
Kurani përmbledh konceptin e shumicës kur shpall: “Ne e zbritëm Teuratin, në të cilin është udhëzimi i drejtë dhe drita...”. (5:44)
“Ne vazhduam gjurmët e tyre (të pejgamberëve) me Isain, birin e Merjemes, vërtetues i Teuratit që kishin më parë. Atij i dhamë Inxhilin që është udhëzim i drejtë dhe dritë...” (5:46)
“Vërtet ata që besuan, ata që ishin jehudi, të krishterët, sabejët (kishin lënë fenë e adhuronin engjëjt) e kush besoi prej tyre (sinqerisht) Allahun dhe botën tjetër dhe bëri vepra të mira, ata e kanë shpërblimin tek Zoti i tyre. Për ta nuk ka frikë e as nuk kanë pse pikëllohen (pasiqë besuan Allahun, librat, të dërguarit në mesin e të cilëve edhe Muhamedin). (2:62)
Islami e urren detyrimin dhe intolerancën
Islami nuk beson në detyrim dhe intolerancë ashtu si bëhet e qartë nga ajeti kuranor 2:256 “la ikraha fid-din” (që do të thotë: në fe nuk ka dhunë). Besimi është diçka që njerëzit duhet ta zgjedhin për veten e tyre. Prandaj Allahu nuk ka detyruar askënd që të jetë një besimtar i vërtetë dhe i ka dhënë atij vullnet të lirë për të zgjedhur mes disa alternativave. Kurani thotë: “E ti thuaj: “E vërteta është nga Zoti juaj, e kush të dojë le të besojë, e kush të dojë le të mohojë” (18:29). Agresorët kërcënohen me poshtërim në këtë botë dhe më një ndëshkim të fortë (2:114) në botën tjetër. Kishat, manastiret, sinagogat dhe xhamitë, sipas Kuranit janë të gjitha vende adhurimi (22:40). Kurani thotë prerë: “Ju keni fenë tuaj (që i përmbaheni) e unë kam fenë time (që i përmbahem). (109:6)
Profetit Muhamed (a.s) i thuhej vazhdimisht që të mos ndihej keq kur disa njerëz e refuzonin: “Edhe nëse të përgënjeshtrojnë ty, përgënjeshtruan edhe ata që ishin para tye, që atyre u patën ardhur të dërguar me argumente të qarta, me broshura dhe me libër të ndritshëm”. (35:25)
Detyra e Muhamedit (a.s) ishte ta bëjë të ditur mesazhin: “Nëse ata (idhujtarët) refuzojnë ne nuk të kemi dërguar ty rojë të tyre, ti ke për obligim vetëm komunikimin” (42:48). Në një vend tjetër në Kuran thuhet gjithashtu: “E ti thuaj: “E vërteta është nga Zoti im e kush të dojë, le të besojë, e kush të dojë le të mohojë”. (18:29)
Të gjitha këto ajete e bëjnë të qartë se nuk ka vend për detyrim ose shtrëngim në çështjet e besimit.
Islami e mirëpret diversitetin në çështjet e besimit
Islami mëson se diversiti njerëzor është një shenjë e mëshirës së Zotit dhe një shenjë për njerëzit e dijes: “Nga argumentet e tij është krijimi i qiejve dhe i tokës, ndryshimi i gjuhëve tuaja dhe i ngjyrave tuaja”. (30:22)
Kurani e pranon realitetin e ndryshimit dhe diversitetit brenda njerëzimit. Ai të jep përshtypjen se larmia është pjesë e planit hyjnor: “Sikur të dëshironte Zoti yt do t’i bënte njerëzit të një feje...”. (11:118)
Kurani pranon shumëllojshmërinë e ligjeve dhe bindjeve fetare siç mund të kuptohet nga ky ajet: “Për secilin prej jush, Ne caktuam ligj e program (të posaçëm në çështje të veprimit). Sikur të donte Allahu, do t’ju bënte një popull (në fe dhe sheriat), por deshi t’ju sprovojë në atë që iu dha juve, andaj ju (besimtarë) përpiquni për punë të mira. Kthimi i të gjithëve ju është te Allahu, e ai do t’ju njoftojë ne atë që kundërshtoheshi” (5:48). Myslimanëve u thuhet të deklarojnë: “Ju (besimtarë) thoni: “Ne i besuam Allahut atë që na u shpall neve, atë që iu shpall Ibrahimit, Ismailit, Ishakut, Jakubit dhe pasardhësve (të Jakubit që ishin ndarë në dymbëdhjetë kabile), atë që i është dhënë Musait, Isait dhe atë që iu është dhënë nga Zoti i tyre pejgamberëve, ne nuk bëjmë dallim në asnjërin prej tyre dhe ne vetëm atij i jemi bindur”. (2:136)
Për shkak të këtyre nocioneve të larta të diversitetit dhe tolarancës, qytetërimi islam ishte pluralist dhe shumë tolerant lidhur me sektet e ndryshme sociale dhe fetare, gjë që ishte e pa imagjinueshme në vendet e tjera në mesjetë. Historianët hebrenj dëshmojnë për faktin se, po të mos kishte qenë për mbrojtjen dhe mbikëqyrjen e sundimtarëve myslimanë, hebrenjtë nuk do të kishin mundur të mbijetonin në mesjetë. Ishte shumë e natyrshme që hebrenjtë evropianë të gjenin strehim mes myslimanëve në Afrikën e Veriut dhe në perandorinë osmane kur Evropa e krishterë po përdorte inkuizicionin, masakrat dhe asgjësimin total për t’i zhdukur ata. Sundimtarët myslimanë nuk ndërhynë asnjëherë në fenë e nënshtetasve të tyre. Asgjë nuk krahasohej me inkuizicionin ose zjarret e Smithfildit. Si pasojë një numër i sekteve të vogla të krishtera, që konsideroheshin si heretikë nga sektet e mëdha, që me siguri do të shfaroseshin nëse do të liheshin në mëshirën e sekteve të mëdha, fuqia e të cilëve mbizotëronte në botën e krishterë, u mbrojtën dhe u ruajtën nga pushteti i Islamit. Madje dhe sot ka grupe si hebrenjtë e malit, Yazidis dhe Sabaeans (sabians) që po mbijetojnë dhe feja e kultura e tyre nuk janë cenuar.
Sot ne qëndrojmë mbi skeletin e fesë. Shumë drejtues fetarë janë bërë grabitqarët që hanë kufomën tonë. Ata shkaktojnë urrejtje dhe intolerancë, pastaj janë dhe fundamentalistët laikë që veprojnë vetëm sipas mënyrës së tyre.
Natyrisht sot bëhet debati se kush është më i keq: një fundamentalist laik apo një fanatik fetar? Unë mendoj se të dyja jënë shumë të këqija. Ashtu si i pari duhet të respektojë ndjeshmërinë fetare të të tjerëve, i dyti duhet të ngulisë në mendje vetëdijen për Zotin, që ta ndihmojë të tolerojë qëniet e tjera njerëzore sepse “sikur të kishte dashur Zoti yt, do t’i besonin çka janë në tokë të gjithë. A ti do t’i mësosh njerëzit të bëhen besimtarë?” (10:99). Kjo është e lehtë për Të.
Shënime përfundimtare
Ndërsa padija është lumturi, dija e pakët është e rrezikshme. Rreth 70 vjet më parë Marmaduke Pickthall, poeti anglez dhe përkthyesi i Kuranit tha: “Nëse Evropa do të kishte ditur për Islamin, aq sa myslimanët dinin për krishterimin në ato kohë (gjatë kryqëzatave) ato trazira të çmendura, aventuriere, nganjëherë kalorësiake dhe heroike, por tërësisht fanatike, të njohura si Kryqëzatat, nuk do të kishin ndodhur, sepse ato bazoheshin në një keqkuptim të plotë”.
Do të doja të thosha se sot gjendja është përmirësuar në këtë epokë të informacionit. Mjerisht nuk është kështu. Unë shpresoj se programe të tilla të ndërbesimit si ky, do t’i ndihmonin njerëzit paqedashës, të bashkohen bashkë që të luftojnë dhe kundërshtojnë fanatizmin dhe intolerancën, çfarëdo ngjyrimi që ato kanë.
Ky fjalim u mbajt në universitetin e Vanderbiltit në Nashville, me 11 mars 2006
Shenim: Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.
