Itikafi


 Ibnu Omeri (r.a) ka thënë: “Në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit, profeti (a.s) hynte në itikaf”[1]

Shpjegimi i hadithit:

Ky hadith flet për vlerën e itikafit në xhami, veçanërisht në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit. Transmetohet se profeti (a.s) hynte gjithmonë në itkaf në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit. Ai vazhdoi kështu derisa ndërroi jetë. Feja në këshillon dhe na porosit, që ne duhet të veprojmë të njëjtën vepër që ka vepruar edhe profeti (a.s).

Itikaf do të thotë të qëndrosh në xhami duke bërë adhurim. Imam El Kurtubi thotë: “Të gjithë juristët myslimanë njëzëri thonë, se itikafi bëhet vetëm në xhami, sepse Allahu i Lartësuar thotë: “..dhe ju jeni duke bërë itikaf në xhami”[2]. Po ashtu juristët myslimanë pohojnë njëzëri, se itikafi nuk është obligim, por një adhurim vullnetar. Këtë adhurim e ka kryer profeti (a.s), shokët e tij dhe gratë e tyre. Ky adhurim është më i rëndësishëm në muajin e Ramazanit.

Itikafi lejohet të kryhet vetëm në atë xhami, ku namazet falen me xhemat. Ai që dëshiron të hyjë në itikaf gjatë dhjetëditëshit të fundit të Ramazanit,  duhet të hyjë para se të perëndojë dielli në natën e njëzet e një. Argument për këtë është fjala e profetit (a.s): “Kush dëshiron të hyjë bashkë me mua në itikaf, atëherë le të hyjë në dhjetëditëshin e fundit të muajit”.[3] Po ashtu argument tjetër i asaj që thamë, është se synimi i itikafit është kërkimi i natës së Kadrit, që shpresohet të jetë në netët teke, duke filluar me natën e njëzet e një.

Itikafi në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit është mjaft dobiprurës, sepse në këtë periudhë njeriu shkëputet për një kohë të shkurtër nga hallet dhe preokupimet e kësaj bote, për t’iu përkushtuar totalisht Allahut.

Duke qenë se ai i cili ka hyrë në itikaf përkushtohet totalisht në adhurim, e ka të ndaluar që të ketë kontakte me bashkëshorten[4] apo gjëra të ngjashme me këto. Po ashtu, personi i cili ka hyrë në itikaf, e ka të ndaluar që të dalë nga xhamia, vetëm në rast të ndonjë nevoje imediate, si p.sh nëse duhet të marrë gusul ngaqë është xhunub, apo të kryejë nevojat personale, nëse në xhami këto kushte nuk plotësohen. Po ashtu ai mund të dalë nga xhamia për të marrë ushqim me vete, nëse nuk ka askënd që t’ia sjellë. Aishja (r.a) ka thënë: “Prej sunetit të profetit (a.s) është, se njeriu i cili ka hyrë në itikaf, duhet të dalë nga xhamia vetëm për ndonjë nevojë të domosdoshme”.[5]

Po ashtu nëse ai dëshiron që të kryejë një adhurim, që nuk ka të lidhje me xhaminë, si për shembull të shkojë për të vizituar një të sëmurë apo të marrë pjesë në xhenaze apo adhurime të ngjashme, nuk duhet të dalë nga xhamia, vetëm nëse ai e ka vendosur këtë si kusht përpara se të hyjë në itikaf.[6]

Nëse gjatë itikafit sëmuret, por sëmundja është e lehtë dhe e përballueshme si dhimbja e kokës, dhëmbit, syrit apo sëmundje të ngjashme, që nuk e detyrojnë të zërë krevatin, atëherë ai nuk duhet të dalë nga xhamia, sepse ai ka mundësi që ilaçet t’i pijë aty ku është. Nëse del, atëherë itikafi i tij konsiderohet i pavlefshëm. Por nëse sëmundja është e papërballueshme, saqë ai nuk mund të qëndrojë në xhami por duhet të zërë patjetër krevatin dhe të kurohet në mënyrë të vazhdueshme nga mjeku, atëherë në këtë rast i lejohet që të dalë nga xhamia. Nëse shërohet, atëherë menjëherë kthehet në xhami për të plotësuar pjesën që i ka ngelur nga itikafi.

Personi i cili ka hyrë në itikaf duhet ta kuptojë mirë urtësinë e itikafit. Kështu që ai duhet ta kalojë kohën duke u falur, duke lexuar Kuran, duke bërë dhikër (duke përmendur Allahun), në mënyrë që të përfitojë nga koha që ka në dispozicion. Ai mund të kërkojë dijen apo të lexojë librat që flasin për besimin, komentimin e Kuranit apo nga libra të ngjashëm prej të cilave ai mund të përfitojë. Nëse ai flet fjalë të lejueshme me pjesëtarët e familjes apo me miqtë, kjo nuk përbën ndonjë problem, sepse Safija (r.a) ka thënë: “Një natë, shkova tek profeti (a.s), i cili kishte hyrë në itikaf. Ne biseduam me njëri-tjetrin”.[7]

           

           

           

           

           

           

 

 

           

 

 


[1] Transmetojnë imam Buhariu dhe imam Muslimi.

[2] Sure El Bekare: 178.

[3] Transmetojnë imam Buhariu dhe imam Muslimi.

[4] Është qëllimi për marrëdhëniet intime mes bashkëshortëve.

[5] Transmeton imam Ebu Daudi. Imam Albani e ka saktësuar këtë hadith.

[6] Jo të gjithë juristët islam janë të këtij mendimi. (shënim i autorit)

[7] Transmetojnë imam Buhariu dhe imam Muslimi.

Perktheu: Elton Harxhi

Submitting your vote...
Not rated yet. Be the first who rates this item!
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

14/12/2017
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
05:13 06:5311:4213:5816:1817:47

Urtësi profetike

“Ai që e agjëron Ramazanin

dhe gjashtë ditë të tjera nga muaji Sheval,

është sikur të ketë agjëruar gjithë vitin”.

(Hadith)

Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook