Justifikimi i gjynaheve me nijetin e mirë
Pyetje: ”A mund t`i justifikojë gjynahet nijeti i mirë?”
Myftiu: Shejh Jusuf Kardavi
Përgjigje: ”Islami i vlerëson motivet e fisme, qëllimin dhe nijetin e mirë, në çdo dispozitë dhe orientim të tij. Profeti Muhamed a.s thotë: ”Veprat varen nga nijeti dhe çdo njeri shpërblehet sipas nijetit”. (Buhariu)
Nijeti i mirë i shndërron veprat e zakonshme në ibadet, që të afron me Zotin. Kështu, ai që ushqehet me nijetin që të forcojë trupin, me qëllim që të përballojë namazin dhe detyrat karshi Zotit, të ushqyerit i vlerësohet si adhurim dhe ritual, për të cilin shpërblehet. Ai që plotëson pasionin e vet me bashkëshorten dhe i përgjigjet instinktit në hallall, me nijetin që Zoti t`i japë një fëmijë të hajrit dhe të ruajë nderin e tij e të gruas nga harami, meriton të shpërblehet. Prandaj, Profeti a.s ka thënë: ”Edhe për marrëdhëniet tuaja seksuale me bashkëshortet do të shpërbleheni”. Shokët e pyetën: ”O i dërguar i Zotit! A u shpërblekemi edhe kur u përgjigjemi instinkteve me gratë tona?!” Profeti a.s iu përgjigj: ”Po sikur ta bënit këtë në rrugë haram, a do të ndëshkoheshit?! Kështu, nëse e bëni në hallall, shpërbleheni”. (Buhariu dhe Muslimi)
“Kushdo që i kërkon të mirat e kësaj bote, me nijet që të mos lypë, të plotësojë nevojat e fëmijëve dhe të ndihmojë komshiun, do të dalë para Zotit me fytyrën si hëna e plotë”. (Taberaniu)
Çdo vepër tjetër e zakonshme, e cila kryhet nga besimtari, e shoqëruar me nijet, ajo shndërrohet në ibadet. Kurse harami mbetet haram, cilido qoftë nijeti dhe motivi i vepruesit, sado i fisëm qoftë qëllimi i tij. Islami refuzon, që harami të përdoret si mjet për një qëllim të fisëm, pasi ai i kushton rëndësi të madhe si qëllimit ashtu dhe mjetit. Sheriati ynë nuk e pranon në asnjë mënyrë thënien “Qëllimi e justifikon mjetin” apo “Përmbushjen e të mirës, duke përdorur të ligën”.
Përkundrazi, Islami i obligon ithtarët e tij, që të arrijnë tek e mira, vetëm në rrugë të ndershme. Kushdo që mbledh para duke përdorur kamatë, vjedh, me bixhoz apo çfarëdo forme tjetër të ndaluar, për të ndërtuar një xhami, apo për ndonjë projekt bamirës etj... qëllimi i mirë nuk i mjafton dhe nuk i ndërmjetëson tek Zoti. Në Islam, harami nuk justifikohet në asnjë mënyrë me nijetin apo qëllimin e mirë. Profeti Muhamed a.s thotë: ”Zoti është i mirë dhe pranon vetëm të mirën. Ai i ka urdhëruar besimtarët, me atë që ka urdhëruar dhe të dërguarit: ”O të dërguar! Hani nga të lejuarat dhe bëni vepra të mira! Vërtet, Unë e di mirë çfarë bëni ju!” (Muminun: 51), si dhe “O besimtarë! Hani nga ushqimet e lejuara që ju kemi dhënë dhe, nëse jeni adhurues të Allahut, falënderojeni Atë!” (Bekare: 172)
Pastaj, Profeti a.s përmendi një udhëtar të lodhur me flokë gjithë pluhur (mund të ishte nisur për Haxh), i cili duke ngritur duart lart qiellit dhe thoshte: ”O Zot! O Zot!”
Por si mund t`i pranoheshin lutjet, kur ishte ushqyer me haram dhe veshur me haram?!” (Muslimi dhe Tirmidhiu)
Në një hadith tjetër, Profeti a.s thotë: ”Kush mbledh pasuri, pastaj e jep sadaka, nuk fiton sevap”. “Kush mbledh pasuri haram dhe e jep sadaka, nuk i pranohet. Ajo që jep sadaka nuk ka asnjë bereqet. Ajo që lë pas (nga harami, fundi i saj është drejt zjarrit. Zoti nuk e fshin të ligën me të ligë, por fshin të ligën me të mirë”. (Ahmedi)
Zoti e di më mirë!
Shenim: Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.
