By: Dr Selman Aude

Kemi kontradikta…por!


Një i ri i zgjuar më pati thënë dikur:”Ke njëzet vite që flet për kontradiktat në mexhliset e tua, programet televizive, mësimet dhe librat. Cili është konkluzioni me të cilin ke dalë?”

I thashë:”Nuk e kam një të tillë akoma!”

Interesi për kontradiktat dhe menaxhimi i tyre me urtësi dhe moral, vazhdon të zërë një vend të rëndësishëm tek unë, pasi lidhet me projektin e rilindjes dhe reformës. Unë, si ndjekës i betejave në rrjetet sociale, e gjej veten të mbërthyer nga dhjetë kthetra:

1 – Tekfirizmi i verbër dhe i pabazuar në bazat islame. Kjo shtresë personash i injorojnë tekstet që e dënojnë një akt të tillë, saqë në disa prej tyre, nëse nuk është qafir personit që i adresohet akuza, kjo akuzë i kthehet personit që e nxori nga goja. Të gabosh në besimin se tjetri është besimtar, është më e lehtë sesa të gabosh duke e nxjerrë nga feja. Nuk di ndonjë tekst nga Kurani apo tradita profetike, i cili bën thirrje për ti nxjerrë nga feja myslimanët, apo këdo që pretendon se është mysliman dhe identifikohet me islamin. Çështja e gjykimit si qafir i përket vetëm shtresës së dijetarëve të thellë (rasihun), e kur bëhet fjalë për një individ konkret, këtë çështje e zgjidh vetëm një gjykatë e drejtë.

2 – Degjenerimi, i cili është shoku i tekfirizmit dhe i adresohet njerëzve me gjynahe të rënda nga të  cilat nuk heqin dorë.

3 – Akuza e bidatit dhe humbjes. Një vepër mund të jetë  bidat dhe risi tek një popull, ndërkohë që nuk është e tillë tek një tjetër. Ajo mund të jetë dhe sunet (traditë profetike) por që nga disa shihet si bidat, ashtu siç mund të jetë risi por që personi që e vepron nuk quhet bidatçi, pasi ajo vepër është më pranë sunetit.

4 – Akuza si mynafik, një akuzë e  cila u qëndron në majë të gjuhës personave euforikë, sikur ta kishin marrë nga Hudhejfe ibnu Jemame listën e mynafikëve. Ata japin verdiktin dhe gjykimin sa hap e mbyll sytë, madje të bëjnë dhe be e rrufe, duke harruar se Zoti përmend si tipar të mynafikëve pikërisht betimin dhe zotimin rrejshëm dhe se nuk e përmendin Zotin veçse pak.

5 – Sharjet dhe ofendimet më banale të cilat një njeri normal nuk shqipton dot. Banalitete të tilla nuk i njohin gjuhët e njerëzve të mirë. Zoti e urren banalitetin dhe refuzon që ai të shndërrohet në mekanizëm për forcimin e fesë.

6 – Akuza për injorancë dhe mungesë dijesh për këdo që kundërshton mendimin e tyre. Zakonisht këto akuza dalin nga goja e dikujt që sapo ka hedhur hapat e parë në rrugën e fesë, por që ka zellin dhe pasionin e papërshkrueshëm për aq pak sa di rreth saj.

7 – Tradhtia. Kjo është akuza që të bëhet kur flet për çështje që prekin atdheun. Kushdo që ka rezerva ndaj vendit të tij, menjëherë akuzohet si tradhtar dhe agjent i një shteti armik, sikur besnikëria ndaj vendit tënd është vetëm ajo që është e verbër, se vendi yt duhet përkrahur në çfarëdo rasti, se i duhet duartrokitur me sy mbyllur!

8 – Etiketimi me emra kafshës, hajvan, gomar, lopë, majmun, qen etj... por edhe me emra shpendësh të urryer si sorrë, lakuriq nate, kukuvajkë etj... Zoti e ka nderuar njeriun dhe e ka përzgjedhur nga të gjithë krijesat e tjera, duke e privilegjuar me shumë gjëra.

9 – Kërcënime, shantazhe dhe kanosje se nëse do i biesh në dorë, i mjeri ti. Njëkohësisht, kanosjet e hakërrimet lidhen edhe me botën tjetër, se do të dalësh para Zotit, gjë për të cilën nuk kam dyshuar asnjëherë. “Thuaju (o Muhamed): “Me siguri, edhe të parët, edhe të mbramët, 50. do të tubohen në një ditë të caktuar.” (Vakia, 49-50)

S’ke përse i hakërrehesh një tjetri me qëndrimin para Zotit, sikur ti vetë je i përjashtuar nga ky qëndrim.

10 – Mallkimi dhe e nëmura, gjë e cila është prodhim i urrejtjes, mllefit dhe fanatizmit. Profeti Muhamed a.s lutej:”O Zot udhëzoje fisin Deus dhe silli këtu si besimtarë!” Dikush i tha:”A nuk i mallkon qafirat?” Profeti a.s iu përgjigj:”Nuk jam dërguar mallkues, por mëshirë.”

 

Sakaq, dhjetë rrugët që përdoren për tu shpëtuar këtyre dhjetë kthetrave janë:

1 – Virtytet, qoftë dhe me kundërshtarët më të egër. Profeti Muhamed a.s u dërgua mëshirë për të gjithë njerëzimit, ai u dërgua për të përsosur moralet më sublime. Këshilla e tij ishte që butësia të depërtonte në çdo gjë.Ky virtyt u dhurohet vetëm atyre që durojnë dhe vetëm atyre që kanë një fat të madh.” (Fussilet, 35)

2 – Fjala e ngrohtë është sadaka dhe është baza mbi të cilën ngrihet ftesa hyjnore.

3 – Debati me mënyrën më të mirë, edhe me ithtarët e Librit. Këtu bëjnë përjashtim zullumqarët, abuzuesit dhe ata që kanë shkelur nderin e njeriut.

4 – Zhveshja nga egoja dhe pranimi i të vërtetës. Prandaj dhe Amar thoshte:”Kush ka tre gjëra, ka besimin: Drejtësia me veten, përhapja e paqes me  botën dhe dhënie në nevojë.” Pasioni dhe fanatizmi janë pengesa që nuk të lejojnë të jesh neutral dhe të pranosh të vërtetën. Shumica e njerëzve janë fanatikë ndaj trashëgimisë në mënyrë të verbër.

5 – Dëgjimi dhe vënia vesh. Vetë Profeti a.s e dëgjonte elitën mekase teksa i ofronin pasuri, poste dhe gra, në këmbim të heqjes dorë nga mesazhi i tij. Vetëm pasi përfunduan u foli mbi pikëpamjen e tij. Në momente debati të ashpër fashiten virtytet dhe shumica e njerëzve e humbasin kontrollin e vetes dhe durimin.

6 – Heshtja, kur gjërat dalin nga kuadri shkencor, duke ia lënë vendin sharjeve dhe banalitetit. Një të mençuri nuk i shkon për shtat që të hahet me një idiot.

Në tekstet e shenjta gjen pasazhe ku heshtja pranohet si formë reagimi ndaj sharjes. Kur një grua akuzohej për tradhti, ajo nuk thoshte gjë tjetër veçse:”Më mjafton Zoti që është garantuesi më i mirë!” Gjithashtu, Zoti e urdhëroi Merjemen të heshtë dhe të mos flasë kur të shkonte me foshnjën e porsalindur. “Unë jam betuar në të Gjithëmëshirshmin se do të agjëroj, prandaj sot nuk do të flas me askënd.” (Merjem, 26)

7 – Falja, duke e pastruar zemrën dhe shpirtin nga mllefi dhe urrejtja ndaj atyre që të kanë hyrë në hak, të kanë sharë dhe ofenduar, duke i kapërcyer kufijtë. Kjo, duke shpresuar shpërblimin e Zotit dhe duke u lartësuar me moralet e tua.

8 – Kthimi me atë që është më e mirë, gjë e cila ceket në tre vende në Kuran. Në fakt, një akt i tillë tregon besimin dhe kontrollin e vetes. I fortë është ai që mban veten në momente nervozizmi.

9 – Lënia në dorë të Zotit. Njeriu nuk ka përse të flasë për çdo çështje, nuk ka përse të komentojë gjithçka që thuhet për të.

10 – Lutjet në mungesë për vëllain tënd besimtar, që Zoti ti japë nga të mirat e kësaj bote dhe të botës tjetër. Si këmbim, për ty do të luten engjëjt e Zotit.

“Edhe ata që erdhën pas tyre, thonë: “O Zoti ynë, falna neve dhe vëllezërit tanë, të cilët kanë besuar para nesh dhe mos lejo që në zemrat tona të ketë asnjë të keqe ndaj besimtarëve! O Zoti ynë, Ti je vërtet i Butë dhe Mëshirëplotë!” (Hashr, 10)

 

Përktheu: Elmaz Fida

 

 

 

 

Submitting your vote...
Not rated yet. Be the first who rates this item!
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

06/04/2020
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
04:3406:1112:5016:2519:1720:42

Urtësi Profetike

Gjërat që i çojnë njerëzit

më shumë në Xhennet

janë devotshmëria

dhe mirësjellja.


Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook