Koha e kryerjes së haxhit


Pyetje: Nëse njeriut i krijohet mundësia që të kryejë ritualin e haxhit, a është i detyruar që ta kryejë atë menjëherë, apo i lejohet që ta kryejë atë më vonë?

Përgjigja: Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin për Profetin Muhamed (a.s) dhe për të gjithë ata që e pasuan dhe do ta pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Në lidhje me këtë pyetje dijetarët kanë dhënë dy mendime të ndryshme:

Mendimi i parë:

Pjesa dërmuese e juristëve (xhumhuri) janë të mendimit se në momentin që njeriu i plotëson kushtet për të kryer haxhin, atëherë ai e ka për detyrë që ta kryejë atë menjëherë. E nëse ai e lë detyrimin e haxhit që ta kryejë më vonë, ai ka bërë mëkat. Të këtij mendimi janë jursitët si imam Ebu Hanifja[1], imam Ebu Jusufi, imam Maliku dhe imam Ahmedi. Argumentet e tyre janë sa më poshtë:

1 - Ajeti kuranor: “Për hir të Allahut, vizita e shtëpisë (Qabes) është obligim për atë që ka mundësi udhëtimi tek ajo.”[2]

2 - Profeti (a.s) ka thënë: “Kush dëshiron të kryejë haxhin, atëherë le të nxitojë!”[3]

3 - Profeti (a.s) ka thënë: “Kush posedon furnizim të mjaftueshëm dhe mjet transporti që ia mundësojnë vizitën për tek Shtëpia e Allahut (Qabja), mirëpo ai nuk e kryen Haxhin, atëherë çfarë problemi është nëse ai vdes si  hebre apo i krishterë.”[4]

4 - Në zanafillë, urdhri për diçka është dëshmi se ai duhet të kryhet menjëherë, përderisa nuk ka ndonjë argument me verdikt ndryshe.

Mendimi i dytë:

Imam Shafi’ij, Imam Muhamed ibn Hasen dhe disa selefë janë të mendimit se personit që i krijohet mundësia për të kryer haxhin më vonë, i lejohet që ta shtyjë atë për më vonë dhe në këtë rast, ai nuk bën mëkat, por me kusht që të vendosë me gjithë zemër se ka ndërmend ta kryejë atë. Argumentet e tyre janë sa më poshtë:

1 - Profeti Muhamed (a.s) e çliroi Mekën në vitin e 8 – të hixhri. Sakaq ai e kreu haxhin në vitn e 10 – të hixhri. Nëse kryerja e haxhit do të ishte obligim që të kryhej menjëherë, atëherë Profeti (a.s) do ta kryente atë në vitn e 8 – të dhe jo të 10 – të. Në këtë kontekst vlen të përmendim se Profeti (a.s) nuk pati as edhe një pengesë për kryerjen e haxhit në vitin e 8 – të.

2 - Nëse njeriu e vendos që ta kryejë haxhin më vonë dhe vërtet e kryen atë më vonë, në këtë rast, haxhi i kryer prej tij nuk konsiderohet kaza, por që është kryer në kohën e vet. Padyshim që ky është një argument mjaft i fortë që tregon se haxhi lejohet që të kryhet më vonë.

3 - Kurse në lidhje me ajetin kuranor (të larpërmendur) se kryerja e haxhit është obligim për atë që ka mundësi, ata kanë thënë se në këtë ajet kuranor nuk është përcaktuar koha se kur duhet të kryhet haxhi. Dhe si rrjedhojë ai mund të kryhet në çfarëdo lloj kohe dhe nuk është detyrë që të kryhet menjëherë. Të thuash se ai duhet të kryhet menjëherë duke e përcaktuar atë (nga ajeti kuranor) është një mendim që duhet të mbështetet tek një argument, e në rastin konkret argument nuk ka.

4 - E në lidhje me hadithet e lartpërmendura, ata kanë thënë se ato hadithe janë të dobëta dhe si rrjedhojë nuk merren për bazë.

Si përfundim themi se njeriu është i lirë që të zgjedhë njërin prej mendimeve, sepse që të dy janë të konsiderueshme, megjithëse mendimi që do të preferonim është mendimi që njeriu ta kryejë atë menjëherë sapo t’i krijohet mundësia.

Allahu e di më mirë.

 

 



[1] - Sipas një transmetimi.

[2] - Sure Ali Imran: 97.

[3] - Ahmedi (1833). Hadithi është Daif.

[4] - Tirmidhiu (812). Hadithi është Daif.

Submitting your vote...
Not rated yet. Be the first who rates this item!
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

13/08/2022
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
03:5405:4112:5316:4219:5221:27

Hadithe

Transmetohet nga

Ebu Hurejra radijAllahu anhu se:

I Dërguari i Allahut sal-lAllahu

alejhi ue sel-lem ka thënë:

Umra nga umra janë fshirje

për mëkatet që bëhen midis tyre,

ndërsa haxhi i pranuar nuk

ka shperblim tjetër për të

veç xhenetit.”

Buhariu (1773) dhe

Muslimi (1349)

 


Haxhi 2022 / 1443

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook