By: Doktor Jusuf Kardavi

Komentimi i sures “El Kadr”


Allahu i Madhëruar thotë: “Vërtet, Ne e kemi zbritur (Kuranin) në Natën e Kadrit. E kush mund të ta shpjegojë ty se ç’është Nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e mirë se njëmijë muaj. Engjëjt dhe Shpirti (Xhebraili), me lejen e Zotit të tyre, zbresin në këtë natë me të gjitha vendimet. Paqe është ajo deri në shkrepjen e agimit.”[1]

 

Komentimi i ajetit: “Vërtet, Ne e kemi zbritur atë (Kuranin) në Natën e Kadrit”

 

Në këtë fjali (ajet kuranor) hasim në disa pohime:

Pohimi i Parë: Sipas rregullave të gjuhës arabe, fjalia e cila fillon me emër[2] konsiderohet më pohore se fjalia që fillon me folje.

Pohimi i Dytë: Një pohim tjetër është përdorimi i pjesëzës “Inne” që në shqip përkthehet “Vërtet”

Pohimi i Tretë: Një pohim tjetër është se përemri ka ardhur në veten e parë në numrin shumës (Ne), ç’ka tregon për glorifikimin e Atij që e ka shpallur Kuranin.

Kurse kallëzorja e përemrit dëftor ai, ajo që në rastin konkret është “atë” nënkupton Kuranin, megjithëse Kurani nuk është përmendur fare. Mirëpo Kurani është i pranishëm e prezent në mendjen e gjithë muslimanëve, sepse ai është Libri që është shpallur.

E Allahu e zbriti atë në një natë që nuk është si të gjithë netët e tjera, e zbriti atë në Natën e Kadrit. E fjala: “Kadr” do të thotë: pozitë dhe rang. Kështu që nata e Kadrit është një natë që ka një pozitë dhe rang të lartë, ashtu sikurse thotë Allahu i Madhëruar në suren Ed Duhan: “Ha Mim. Betohem në Librin e qartë! Ne e zbritëm Kuranin në një natë të bekuar. Vërtet, Ne gjithmonë kemi qenë paralajmërues. Në atë (natë) vendoset çdo punë e urtë, me urdhrin Tonë! Ne gjithmonë kemi nisur të dërguar.”[3]

Të gjithë intepretuesit e Kuranit kanë rënë dakord se Kurani është zbritur në natën e Kuranit. E në lidhje me përemrin “atë”  në vend të fjalës “Kuran”, ata kanë thënë:

1 - Ky përemër është i bashkangjitur[4] me zbritjen e Kuranit nga Allahu, çka nënkupton se Kurani është zbritur vetëm prej Allahut të Lartësuar dhe jo nga dikush tjetër.

2 - Është tregues i popullaritetit dhe reputacionit që ka Kurani

3 - Tregon për madhështinë e kohës në të cilën ka zbritur.

Në lidhje me zbritjen e Kuranit në Natën e Kadrit, dikush (me të drejtë) mund të pyesë: Çfarë do të thotë që Kurani ka zbritur në Natën e Kadrit, teksa ne e dimë se Kurani ka zbritur pjesë pjesë, kohë pas kohe?!

Në lidhje me këtë pyetje, disa dijetarë janë përgjigjur duke thënë se zbritja e tërë Kuranit është zbritur pikërisht në muajin e Ramazanit. Kështu që nisur nga ky fakt ata e kanë përcaktuar se Nata e Kadrit është në natën e 27 – të të muajit të Ramazanit. Argument për këtë është citati i Ibn Abasit i cili ka thënë: “I tërë Kurani është shpallur në qiellin e Dynjasë në Natën e Kadrit dhe pastaj është zbritur në Tokë pjesë pjesë herë pas here.”[5]

 


Komenti i ajetit:E kush mund të ta shpjegojë ty se ç’është Nata e Kadrit?”

 

E kush mund të ta shpjegojë dhe të ta mësojë ty realitetin dhe madhështinë që Nata e Kadrit ka tek Allahu? Vlerën dhe pozitën e kësaj nate e di Allahu dhe askush tjetër.

Fjala arabe “Ue ma edrake” që në shqip do të thotë “E kush mund të ta shpjegojë ty” përdoret në ato fjali që shprehin gjëra madhore në kontekstin e shpresës apo të frikës. E në këtë ajet kuranor kjo fjalë është përdorur në kontekstin e shpresës, sepse veprat e mira që kryehen në këtë natë janë madhore ashtu sikurse edhe shpërblimet janë të mëdha. E kjo fjalë përdoret edhe në kontekstin e frikës së madhe, si për shembull në ajetet kuranore: “Ç’është e Vërteta e Pashmangshme?”[6] “Ç’është Gjëmimi i tmerrshëm?”[7]

 


Vlera e kësaj nate madhështore:

 

Komenti i ajetit: “Nata e Kadrit është më e mirë se njëmijë muaj.”

 


Në këtë ajet kuranor, Allahu i Madhëruar tregon për vlerën e kësaj nate madhështore, në të cilën ka zbritur Kuranin. E kjo vlerë është se veprat e mira dhe adhurimet që njeriu kryen janë më të mira se njëmijë muaj, pa përfshirë këtë natë.

Duke qenë se njerëzit në disa prej popujve të mëparshëm kanë jetuar më gjatë se njerëzit e Umetit musliman, nëpërmjet kësaj nate atyre ju jepet mundësia që të fitojnë më shumë shpërblime se sa njerëzit që kanë jetuar shumë gjatë.

Vlera e Kadrit është më e mirë se njëmijë muaj, ose thënë ndryshe më e mirë se 83 vite dhe 4 muaj.

 

Diversiteti i mendimeve në përcaktimin e Natës së Kadrit:

 


Në lidhje me faktin se kur është kjo natë, dijetarët muslimanë nuk ndajnë të njëjtin mendim. Pavarësisht mendimeve të shumta që janë thënë, pjesa më e madhe e dijetarëve kanë thënë se ajo është në 10 – të netët e fundit të Ramazanit në netët teke, ashtu siç është përcjellur nga Profeti (a.s) në hadithet e sakta.

Duke qenë se data e fillimit apo përfundimit të muajit të Ramazanit ndryshon nga një vend në një vend tjetër, askush prej nesh nuk mund të thotë me siguri se kur është kjo natë, prandaj besimtari i kalon të tëra këto netë me adhurim e përkushtim.

Sekreti i mospërcaktimit të Natës së Kadrit qëndron në faktin që besimtari përgjatë gjithë muajit të Ramazanit dhe veçanërisht në 10 -të netët e fundit të Ramazanit ta kërkojë atë duke falenderuar Allahun për mirësinë e zbritjes së Kuranit.

 


Komenti i ajetit: “Engjëjt dhe Shpirti (Xhebraili), me lejen e Zotit të tyre, zbresin në këtë natë me të gjitha vendimet.”

 


Një vlerë tjetër e kësaj nate është se në këtë natë zbresin engjëjt nga qielli në tokë, grupe – grupe duke marrë pjesë në evenimentin sezonal të robërve të Allahut duke i përgëzuar me myzhde.

Në këtë natë, zbret edhe “Shpirti” e ndoshta këtu bëhet fjalë për engjëllin e madh, Xhebrailin (a.s) për të cilin Allahu i Madhëruar ka folur në suren Esh Shuara: “Atë e zbriti Shpirti i besueshëm (Xhebraili) në zemrën tënde që të jesh nga ata që paralajmërojnë. E zbriti në gjuhën e qartë arabe.”[8]

E zbritja e engjëjve nga qielli në tokë është me rregull dhe ndodh me lejen e Allahut.

Në këtë natë, engjëjt dhe Xhebraili (a.s) zbresin për shkak të marrjes së vendimeve në atë ç’ka është e mirë dhe e dobishme për njerëzit.

Folja arabe “Tenez zelu” që në shqip do të thotë “zbresin” ka ardhur në kohën e tashme për të treguar madhështinë e kësaj nate.

 


Komenti i ajetit: "Paqe është ajo deri në shkrepjen e agimit.”

 

Kjo natë është nata e paqes nga çdo e keqe, bela dhe frikë qysh në fillim të saj deri në agim, për shkak të lutjeve dhe ngazëllimit të engjëjve për robërit besimtarë. Kështu që adhurimi dhe përkushtimi ndaj Allahut në këtë natë është shkak për paqe dhe shpëtim nga të gjitha frikërat dhe brengat e Dynjasë dhe Ahiretit. Zbritja e engjëjve grupe-grupe tek robërit e Allahut vazhdon deri në agim.

Sa natë e bereqetshme  dhe sa madhështore është kjo natë për çdokënd që i krijohet mundësia për ta përjetuar atë me adhurim derisa t’i falen të gjitha gjynahet e mëparshme.



[1] - Sure El Kadr: 1-5.

[2] - Në rastin konkret fjali fillon me përemrin: “Ne” dhe përemri luan rolin e emrit.

[3] - Sure Ed Duhan: 1-5.

[4] - Gjithmonë sipas rregullave të gjuhës arabe.

[5] - Nesai (11038) dhe Hakimi (2/222). Hadithi është Sahih.

[6] - Sure El Hakka: 2.

[7] - Sure El Kariah: 2.

[8] - Sure Esh  Shuara: 193-195.

Submitting your vote...
Not rated yet. Be the first who rates this item!
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

13/08/2022
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
03:5405:4112:5316:4219:5221:27

Hadithe

Transmetohet nga

Ebu Hurejra radijAllahu anhu se:

I Dërguari i Allahut sal-lAllahu

alejhi ue sel-lem ka thënë:

Umra nga umra janë fshirje

për mëkatet që bëhen midis tyre,

ndërsa haxhi i pranuar nuk

ka shperblim tjetër për të

veç xhenetit.”

Buhariu (1773) dhe

Muslimi (1349)

 


Haxhi 2022 / 1443

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook