By: Dr. Muhamed Seid Ramadan El-butij

Koncepti i kauama-s (Autoritetit te burrit)


Ai është një koncept i cili bazohet në ajetin:”Meshkujt kanë autoritet mbi gratë, meqë Allahu u ka dhënë disa cilësi mbi ato dhe, meqë ata shpenzojnë për mbajtjen e tyre.” (Nisa, 34)

Disa njerëz, mendojnë se me këtë autoritet (kauama) të cilin Zoti ua ka njohur si të drejtë burrave, i është bërë padrejtësi dhe është fyer gruaja. Sipas tyre, ai është një tregues i qartë i mungesës së barazisë së pretenduar mes burrit dhe gruas një ligjet dhe dispozitat e sheriatit.

Në fakt, nuk është ashtu siç kanë aluduar, gjë të cilën do e shtjellojmë në disa pika si më poshtë:

Së pari: Kauama (autoriteti) i cili përbën dhe burimin e parë të këtij aludimi, në thelb, nuk është gjë tjetër veçse menaxhimi dhe administrimi i familjes. Kur themi që filanit i është besuar “kauama” e kësaj shtëpie apo institucioni, do të thotë se ai ka në dorë administrimin e tij. Kushdo që udhëheq një organizatë apo lëvizje, ai është përgjegjës për mbarëvajtjen e saj.

Nëse kjo është e qartë, tani shtrojmë pyetjen: Vallë ku buron urtësia e Ligjvënësit të plotfuqishëm, në ligjërimin e “kauamas”, pra menaxhimit dhe udhëheqjes në shtëpi, organizatë, një qendër apo një lëvizje? Autoriteti në fjalë për të cilin po flasim, mos është epiqendra e dinjitetit dhe nderit, të cilin Zoti i lartësuar, Ligjvënësi i Gjithëpushtetshëm, e paska kufizuar vetëm për krijesën e Tij më të privilegjuar, burrin, duke privuar gruan?

Qoftë dhe spontanisht, them që nuk është kështu.

Në fakt, është vullneti i Ligjvënësit dhe përkujdesi i Tij që fryma e sistemit dhe disiplinës të karakterizojë të gjithë shoqërinë në çdo cep të saj dhe në çdo rrethanë. Por, rregulli dhe disiplina dominojnë në një shoqëri vetëm kur funksionojnë rregullat dhe respektohen përgjegjësitë. E këto përgjegjësi nuk do të respektohen siç duhet, veçse nën hijen e një udhëheqësi i cili merret me supervizimin dhe menaxhimin.

Ky interes kaq i madh hyjnor për dominimin e disiplinës dhe rregullit në çdo aspekt të jetës sociale, manifestohet qartë në hadithin profetik:”Çdo tre veta në një udhëtim, të zgjedhin njërin si kryetarin e tyre.” (Bejhakij, Ahmed, Hakim)

Nëse të gjithë ne jemi të ndërgjegjshëm se një shoqëri formohet nga qelizat familjare, duhet të ndërgjegjësohemi që ai që e fuqizon rendin social përfshirë frymën e përgjegjësisë dhe menaxhimit, është pikërisht rregulli dhe disiplina e cila duhet të mbizotërojë në familje. Që aty buron dhe përhapet disiplina dhe rregulli në mbarë shoqërinë.

Ligjvënësi dhe Sovrani i Plotfuqishëm i cili manifeston interes që tre veta mos rrugëtojnë pa e zgjedhur një të parë, manifeston interes më të madh që një familje të mos jetojë pa një administrator i cili kujdeset për çështjet familjare, qoftë dhe një orë në ditë.

“të zgjedhin njërin si kryetarin e tyre” nuk do të thotë domosdoshmërish që ky i zgjedhuri, të jetë më i miri, më i devotshmi, më i përndrituri dhe më i dashuri tek Zoti. Kriteri themelor është që ky person të jetë i përgjegjshëm, të ketë aftësitë e duhura për menaxhimin e individëve sipas normave të shëndosha.

Pra, “kauama” (autoriteti) brenda familjes sipas islamit, është autoritet përkujdesi dhe administrimi, jo autoritet dominimi, pushteti dhe zgjedhe. Veç kësaj, ky autoritet nuk është tregues i vetëepërsisë dhe gradës së lartë që ky person ka tek Zoti. Në fakt, ai duhet të jetë tregues i aftësive që gëzon ai që ka marrë përsipër përgjegjësitë.

Së dyti: Dikush mund të shtojë me kureshtje: Nëse qenka kështu, atëherë përse Sovrani i Plotfuqishëm e ka lënë “kauaman”, pra administrimin dhe përkujdesjen e familjes, vetëm në dorën e burrave? Përse nuk i ka ngarkuar të gjithë familjarët me përgjegjësinë që ata të zgjedhin kë të duan dhe kë shohin më të përshtatshëm? Së fundmi, përse kjo përzgjedhje është justifikuar me fjalët:”meqë Allahu u ka dhënë disa cilësi mbi ato dhe, meqë ata shpenzojnë për mbajtjen e tyre.” (Nisa, 34) Ky pasazh mund të shihet edhe si tregues për epërsinë e burrave në vetvete ndaj grave, pa marrë parasysh vlerat!

Përgjigja: Të thuash që burrat gëzojnë epërsi ndaj grave bie ndesh në mënyrë të mprehtë me shumë tekste të qarta dhe të prera të Librit të Zotit. Vetë Zoti i lartësuar e thekson se burrat dhe gratë janë të barabartë në peshoren e afërsisë me Zotin. Ajo që i dallon dhe i diferencon ata, janë vetëm veprat e mira që bëjnë për hatër të Tij.

Thotë Zoti i lartësuar në Kuran:”Dhe Zoti iu përgjigj lutjes së tyre: “Unë nuk do t’ia humb mundin askujt nga ju që ka bërë vepra, qoftë mashkull apo femër. Ju jeni njëlloj (në shpërblim). Atyre që u shpërngulën, u dëbuan nga vatrat e tyre, u munduan në rrugën Time, luftuan dhe u vranë, Unë do t’ua mbuloj veprat e këqija dhe do t’i shpie në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj, si shpërblim nga Allahu. Shpërblimi më i mirë është tek Allahu.” (Al Imran, 195)

“Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke .qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë.” (Nahl, 97)

“Dhe kushdo që bën vepra të mira, qoftë ai mashkull ose femër, duke qenë besimtar, do të hyjë në Xhenet dhe nuk do t’i bëhet asnjë padrejtësi.” (Nisa, 124)

Për ta sqaruar dhe shtjelluar më tej, Zoti thotë në një ajet tjetër:”Me të vërtetë që për myslimanët dhe myslimanet, besimtarët dhe besimtaret, të bindurit ndaj Allahut dhe të bindurat ndaj Allahut, të drejtët (të sinqertët) dhe të drejtat (të sinqertat), duruesit dhe durueset, të përulurit dhe të përulurat, mirëbërësit dhe mirëbërëset, agjëruesit dhe agjërueset, ruajtësit e nderit dhe ruajtëset e nderit, përkujtuesit e Allahut vazhdimisht dhe përkujtueset, pra, për të gjithë këta Allahu ka përgatitur falje dhe shpërblim të madh.” (Ahzab, 35)

Më tej, deklarata hyjnore e rikonfirmon dhe thekson këtë realitet, duke na e ofruar si formë përfundimtare ligjore:”O njerëz! Në të vërtetë, Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise, për ta njohur njëritjetrin. Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe për Atë asgjë nuk është e fshehtë.” (Huxhurat, 13)

Shohim që urdhri hyjnor i ka hedhur poshtë dallimet mes mashkullit dhe femrës, si dhe ato mes kombeve, popujve dhe fiseve të ndryshme, në kontekstin e lidhjeve me Zotin. Diçka e tillë vihet re lehtësisht në ajetet e cituara më sipër.

Pas gjithë kësaj, a ka sërish vend për ta interpretuar “kauaman” në ajetin:”Meshkujt kanë autoritet mbi gratë, meqë Allahu u ka dhënë disa cilësi mbi ato dhe, meqë ata shpenzojnë për mbajtjen e tyre.” si epërsi që i dhurohet mashkullit kundër gruas? Si mund të lihen pas dore gjithë këto tekste dhe pasazhe Kuranore të qarta, e të shkohet tek interpretime kontradiktore?

Ligji i Librit të Zotit e hedh poshtë një perceptim dhe iluzion të tillë aspak të saktë, duke e dëbuar nga linja konsekuente e interpretimit të drejtë të ajetit ku sanksionohet “kauama”.

Atëherë, cili është kuptimi i duhur i ajetit:”Meshkujt kanë autoritet mbi gratë, meqë Allahu u ka dhënë disa cilësi mbi ato dhe, meqë ata shpenzojnë për mbajtjen e tyre.” (Nisa, 34)

Shkurtimisht dhe në mënyrë të përmbledhur, themi: Është epërsi proporcionale e bazuar tek interesat e përbashkëta që përkon me veprimtarinë dhe obligimet përkatëse.

Le ta shtjellojmë pak më tej këtë realitet të dukshëm. Të menaxhosh çështjet e familjes, të merresh me përkujdesin dhe garantimin e mbrojtjes së saj nga çdo rrezik që i kanoset, përfshirë dhe shpenzimet për një jetë dinjitoze, radhitet tek funksionet sociale më të rëndësishme madje dhe të shenjta. Këto detyra, nuk e cenojnë aspak detyrën tjetër të përkujdesit, faljes së dhembshurisë dhe dashurisë, kushtimin e vëmendjes ndaj fëmijëve dhe kontributin për një jetë bashkëshortore sa më të lumtur.

Sipas mendimit tuaj, cili nga dy bashkëshortët është më i aftë të përmbushë detyrën e parë, në çfarëdo rrethane dhe kushtesh?

Padyshim që asnjë prej nesh nuk ka dhe dyshimin më të vogël që nëse anëtarët e familjes ndihen të kërcënuar nga një hajdut në mes të natës, është bashkëshorti ai që brof drejt rrezikut. Sakaq e shoqja s’mund të bëjë gjë tjetër veçse të struket me fëmijët në një qoshe të sigurt të shtëpisë. E njëjta gjë vlen për rastin kur në derë troket një dashakeq, një armik që bastis shtëpinë apo dhe dikush që kërkon të hakmerret. Po, mund të bëhen përjashtime, por për përjashtimet nuk mund të sanksionohet ligje dhe kode të veçantë.

Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm që është i riu ai që mban përgjegjësinë e familjes, përballet me humbjet dhe garanton vazhdimësinë e zhvillimin e saj. Atij i takon të ofrojë dhuratën martesore gjatë celebrimit, të sigurojë shtëpinë e cila mbledh familjen dhe të garantojë shpenzimet për një jetë sa më optimale me gruan dhe fëmijët.

Ky është realiteti dominant në shoqëritë tona në të gjithë sferat. Madje, mund të them se kjo ndodh tek të gjithë njerëzit me të gjithë mendimet dhe idetë e ndryshme. “Kauama” e urdhëruar prej Ligjvënësit të plotfuqishëm, më shumë sesa thjesht një urdhër dhe një dispozitë, është një aktualitet që praktikohet anembanë.

Nëse ti më pyet: Çfarë na pengon që ta ndryshojmë këtë aktualitet?

Unë të them: Pjesa e parë e këtij aktualiteti, nuk është as në dorën time dhe as tënden për ta ndryshuar. Ajo është një çështje që i takon Atij që e ka pajisur burrin me tiparet burrërore dhe gruan me tiparet femërore. Urtësitë hyjnore në këtë kuadër janë të pafund, për çdo njeri të arsyeshëm.

Kurse lidhur me pjesën e dytë të këtij aktualiteti, sipas të cilit i besohen burrit dhe jo gruas, përgjegjësitë më të rënda të familjes, kjo ka ndodhur për shkak të garancive të cilat sigurojnë feminitetin e gruas, si dhe i ruajnë dinjitetin dhe nderin. Kështu, nëse do të ishte gruaja ajo që i jepte burrit dhuratën martesore, do të ishte ajo që do të kërkonte dorën e burrit më parë, gjë e cila do e ekspozonte ndaj përçmimit. Nëse do të ishte gruaja ajo që mbulon shpenzimet e saj edhe brenda strehës bashkëshortore, siç ndodh sot në perëndim, ajo do të detyrohej të pranojë çfarëdo lloj pune që i ofrohet dhe nuk do të kishte shansin të zgjedhë atë që i përshtatet më shumë. Diçka e tillë cenon feminitetin e saj dhe brishtësinë me të cilën e ka pajisur Zoti i lartësuar, duke e tëhuajësuar siç tëhuajsohet një filiz i njomë pranveror, në një filiz të thatë dhe të pajetë për shkak të dimrit të ashpër. Këtu nuk po flasim për ndonjë fatbardhë të cilës i buzëqesh fati me një punë që përkon me fizikun dhe tiparet femërore. Këtu ne po flasim për atë maxhorancë e cila përballet me punë fizike të rënda dhe do të ishte abuzim nëse sakrifikojmë këtë maxhorancë për hir të një minorance fatlume në gjetjen e punës së përshtatshme.

Prandaj islami e çliroi gruan nga përgjegjësia e punës, edhe pse nuk e privon nga kjo e drejtë. Ai e ka çliruar nga kjo përgjegjësi me qëllim që mos jetë nën presionin e dëshirës për punë në nivel skllavërimi. Por as nuk e ka privuar nga puna, me qëllim që të ketë mundësinë të jetojë në kushte ekonomike më të mira, duke pasur mundësinë të zgjedhë punën që i përshtatet natyrës së saj sipas listës së prioriteteve, ku vendin e parë e zë kujdesi për familjen, e mandej puna.

Prandaj, ajeti: ”Meshkujt kanë autoritet mbi gratë, meqë Allahu u ka dhënë disa cilësi mbi ato dhe, meqë ata shpenzojnë për mbajtjen e tyre.” është në kontekstin e një aktualiteti i cili na imponohet, më shumë se një konfirmim i një kodi ligjor të detyrueshëm.

Ndërkohë që atje, në shoqëritë perëndimore, gruaja është ngarkuar me përgjegjësinë e sigurimit të jetesës, duke e skllavëruar me punë nga më të ndryshmet. E me gjithë këtë taksë të rëndë, akoma nuk e ka fituar “kauaman” (autoritetin) i cili vazhdon të mbetet në duart e burrit. E gjitha që ka ndodhur, është rrënimi i strukturës së familjes e cila i përngjan një rrënoje, ku burrë e grua garojnë për sigurimin e jetesës dhe kafshatës së  gojës. Ndërkohë, bashkëshorti vazhdon të mbizotërorë dhe dominojë.

Më e çuditshmja është kur sheh ca të dehur nga pasioni i verbër, të cilët kërkojnë skllavërimin e femrës ashtu siç ndodhi në perëndim. Ata duan ta çlirojnë burrin nga përgjegjësia e sigurimit të jetesës për gjithë familjen, për hir të një ëndrre për gruan, ëndërr e cila nuk mund të realizohet. Kjo, pasi thelbi i autoritetit kërkon disa tipare dhe cilësi që përkojnë me natyrën e burrit, natyrë të cilën nuk mund ta ketë gruaja edhe sikur të posedojë miliardat, edhe sikur burri të falimentojë dhe të mos gjejë kafshatën e gojës.

Nëse do e çlirojmë gruan nga ky autoritet (kauama) siç hamendësohet, duke e çliruar burrin nga përgjegjësia e sigurimit të jetesës së saj, në fakt e kemi burgosur gruan dhe e kemi skllavëruar në punë të rënda e rraskapitëse. Sërish gruaja nuk do të çlirohet dot nga autoriteti i burrit në administrimin dhe përkujdesin ndaj shtëpisë, ndërkohë që familja ka marrë tatëpjetën. Autoriteti administrues dhe bashkëpunues, do të shndërrohet në autoritet dhe rivalitet për më shumë pushtet, betejë e cila do të zhvillohet në pirgjet e rrënojave të familjes.

Dëshira dhe ëndrra e vërtetë e një gruaje, është të gjejë tek i shoqi mbrojtësin, përkujdesësin dhe siguruesin e jetesës, jo thjesht dikë me të cilin ndan shtratin. E në fakt, autoriteti i ligjëruar nga Zoti, nuk është veçse ai që ëndërron gruaja.

Në fund, më lejoni ti kthehem dhe një herë dhe të përforcoj idenë me të cilën e çelëm këtë artikull. Ne thamë se burimi i këtij autoriteti nuk ka të bëjë me statusin e privilegjuar të burrit tek Zoti, por ka të bëjë me avantazhet fizike të cilat e mundësojnë ta kryejë këtë mision në formën më të mirë. Kjo, shoqëruar me nevojat e familjes për përkujdesje dhe gatishmëri në rast se i cenohen interesat. E njëjta gjë vlen edhe për avantazhin fizik të gruas, lidhur me kujdestarinë, mëkimin dhe edukimin e fëmijës. Ky avantazh nuk e bën gruan më të mirë, pasi ai buron nga struktura fizike e saj dhe jo ndonjë privilegj i dhënë nga Zoti, të cilin ia ka privuar burrit.

Ka burra të cilëve u është besuar e njëjta përgjegjësi dhe autoritet (kauama), e megjithatë ata janë më të shthururit dhe të privuarit nga kënaqësia e Zotit. Po ashtu, ka gra të cilat jetojnë nën këtë autoritet “kauama” dhe që gëzojnë status dhe shkallët më të larta tek Zoti.

 

Përktheu: Elmaz Fida

Submitting your vote...
Rating: 1.0 of 5. 1 vote(s).
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

14/11/2019
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
04:45 06:2011:3214:0716:3017:57

Urtësi Profetike

Gjërat që i çojnë njerëzit

më shumë në Xhennet

janë devotshmëria

dhe mirësjellja.


Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook