By: Dr. Selman Aude

Kultura e një nëpunësi


Në ditë i telefonova një kompanie dhe të them të drejtën u befasova nga mënyra e komunikimit të recepsionistit. Ai u tregua tejet i ashpër në komunikim dhe jashtëzakonisht i nxituar, pa ndonjë arsye. Nuk përjashtohet mundësia të ketë qenë nën presion të punës në ato çaste, por në fund të fundit kjo është detyra e tij. Aq më tepër që nuk është vullnetar, por merr një rrogë në fund të muajit, prej meje dhe të gjithë klientëve.

Për mua nuk tregon ndonjë etikë, nëse kërkon falje kur i kërkon një sjellje me të denjë, ose kur i prezantohesh kush je, duke të thënë:”Kërkoj ndjesë por ju e kuptoni sa presion kemi këtu në punë.”

E ç’më duhet mua presioni i tij?! Kodi etik i punës i kërkon të sillet maksimalisht mirë me klientët, pavarësisht presionit të punës dhe çfarëdo arsyeje tjetër.

Pas një farë kohe bëra një telefonatë të dytë në të njëjtën kompani dhe u befasova nga mirësjellja dhe etika e operatorit. Pasi prezantoi veten, ai më ofroi shërbimin. I mrekulluar i tregova një mikut tim dhe i thashë:”Shyqyr Zotit, njerëzit kanë filluar ta përmirësojnë komunikimin. Edukata dhe etika e nëpunësve duket se ka shënuar përmirësim.”

Por ai ma ktheu:”Aspak, por tashmë telefonatat regjistrohen.”

Megjithatë, cilido të jetë shkaku, rezultati është diçka pozitive. Ky që është i detyruar të flasë me mirësjellje, me kalimin e kohës do i bëhet zakon kjo mënyrë komunikimi. Ai do të fillojë ti vlerësojë dhe respektojë ndjesitë e të tjerëve, do të fillojë të mësohet me gjuhën e mirësjelljes, edhe pse fillimisht ka qenë i detyruar dhe i gozhduar prej saj.

Kamerat që vëzhgojnë performancën do të na bëjnë më të kujdesshëm me fjalët dhe komunikimin tonë, i cili ndonjëherë zhvillohet krejt spontanisht. Lentet e kamerave që regjistrojnë çdo lëvizje, na ndihmojnë të lexojmë dhe nxjerrim në pah të metat tona.

Nëse teknologjia paska këtë efekt, ç’mund të themi për vështrimin e Zotit të cilit nuk i humbet asgjë! Sigurisht që nëse do të ndërgjegjësoheshim për këtë, kushedi ku do të ishim.

Por, ja ku kemi kushedi sa kombe pa fe, të cilët i besojnë kulturës së drejtave të njeriut, respektit maksimal të klientit dhe favorizimit të tij. S’bën vaki tu shkojë një turist, biznesmen, studiues apo i sëmurë, e të mos priten me dashamirësi, mirësjellje dhe kujdes të veçantë. Klientëve nuk u mbetet gjë tjetër veçse të mrekullohen nga kjo sjellje dhe të urojnë që edhe në vendet tona të adaptohet një etikë e tillë.

Në fakt, ajo është një kulturë me të cilën janë rritur dhe edukuar që në vegjëli, ajo është shndërruar në pjesë të pandashme të traditave të tyre sociale, e ushtrojnë spontanisht pa u menduar dhe pa hezituar, me vendasit apo të huajt. Ndërkohë që ne jemi mësuar që mirësjelljen ta rezervojmë vetëm për të njohurit tanë, e me njerëzit e tjetër “zbatojmë ligjin”, e çfarë ligji!

I privuari nga mirësjellja, të cilit i përplaset forca e “ligjit” fytyrës, s’gëzon as të drejtë të pyesë mbi fakte dhe argumente.

Ndonjëherë, nëpunësin e shohim të veshur edhe me xhyben e myftiut, mjekrën e filozofit dhe gjykimin e një këshilltari i cili jep mendimet e tij të ndritura, shoqëruar me këmbëngulje dhe kokëfortësi.

Dikur, një nëpunës refuzoi të regjistrojë emrin e një të porsalinduri dhe kur prindërit insistuan, ai manifestoi një çjerrje zëri ku mezi u kuptua fjala:”Është e ndaluar”. E përse qenka e ndaluar? Cili ligj e ka ndaluar që një foshnje ti vihet emri Jasemin? Mos vallë ka të bëjë me një ligj fetar? Ç’qenkan këto ligje që fuskan hundët edhe në shijet e njerëzve, duke u imponuar prindërve edhe në përzgjedhjen e emrave të fëmijëve të tyre?

Është e kuptueshme dhe e pranueshme që të ndalohen emra për arsye fetare të qarta, por është e papranueshme kur ligji fut hundët në shijet e njerëzve. Ligji është vënë për të organizuar jetën e njerëzve dhe jo për t’ua sjellë në majë të hundës e t’jua nxijë jetën.

Ndonjëherë kur ligjet lënë hapësira interpretimi, disa persona rendin ti interpretojnë dhe mbushin këto hapësira sipas shijeve të tyre vetjake, duke menduar se kjo është përgjegjësi dhe e drejtë e tyre. Përkundrazi, çfarë vlere ka që është nëpunës dhe përgjegjës i atij sektori?

Këshillat e mira janë mision i profetëve dhe mirësjellja e fjalët e buta janë një hap që të çon drejt pjekurisë dhe suksesit. Megjithatë, vetëm këto nuk mjaftojnë, pasi lipset të shndërrohen në program praktik jete, të cilat ushtrohen nga të vegjlit e të mëdhenjtë, pa siklet dhe pa shtrëngim, sepse janë kthyer në pjesë e personalitetit dhe sjelljes së tyre.

Kur mund ti japim fund hezitimit?

Me këtë nënkuptoj që njeriu të jetë i qartë dhe të mos ketë nevojë të pyesë veten nëse i duhet ta pranojë ryshfetin apo jo, nëse mund të vjedhë nga pasuria publike – sepse të gjithë vjedhin – apo jo, nëse duhet ta blejë diplomën dhe dëshminë që i duhet për tu punësuar apo të heqë dorë nga shansi për punë dhe të studiojë për një dëshmi reale; të kopjojë në provim e të marrë notë të mirë, apo të mos kopjojë e të marrë notë të dobët, sepse kush kopjon e mashtron nuk është prej nesh.

Pyetje të shumta dhe të vështira njëkohësisht, por më e vështirë mbetet përgjigja. Shumë prej nesh nuk kanë dhe nuk gjejnë një model të mirë. Ndoshta, shejtani u pëshpërit dhe u mbush mendjen se të gjithë njerëzit vjedhin, mashtrojnë, gënjejnë dhe bëjnë punë të liga, përse duhet që ti të bësh përjashtim në një shoqëri të tillë?!

Unë po shkoj pak më tutje, përse u dashka të shtrojmë pyetje të tilla?! Nuk shoh asnjë arsye që dikush të pyesë hoxhën apo shejhun nëse duhet të kopjojë e mashtrojë apo jo. Përse nuk pyet ndërgjegjen dhe zemrën e tij?! Gjynah dhe ligësi, është gjithçka që të vret ndërgjegjen.

Dikush më tregoi se në makinë mbante një fuçi të cilën e mbushte me naftë, për ta shitur në shtetin fqinj, pasi atje lënda djegëse ishte më e shtrenjtë. Ai pyeste nëse kjo lejohet apo jo. Shembuj të tillë janë me shumicë.

Megjithatë, unë besoj se një pjesë e madhe e njerëzve vazhdojnë të ofrojnë modele të mirë, duke mos hequr dorë nga mirësia. Një njeri që respekton veten, duhet të bëjë ç’mos që gjatë rrugëtimit të tij të marrë me vete qoftë dhe një person të vetëm, duke ia mbushur mendjen me anë të moralit dhe sjelljes së fisme. Për këtë duhet të jemi këmbëngulës të gjithë, sado që ambienti përreth nuk na ndihmon.

 

Përktheu: Elmaz Fida

Submitting your vote...
Rating: 5.0 of 5. 1 vote(s).
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

25/10/2014
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
05:26 06:5812:3215:2417:5319:15

Kujtesë

Ju kujtojmë që

Dt. 25 Tetor

është dita e parë

e muajit Muharrem,

Viti i ri  Hixhri 1436

sipas kalendarit Hënor.

 

--------------------------

 

Ju kujtojmë që

ditën e Dielë

dt. 26 Tetor 2014

pritet të bëhet 

ndryshimi i orës 60' prapa.

Kjo do të ndikojë

në ndryshimin e orareve

të faljes.

 

Urtësi

Kur ia bën dikujt me gisht,

mos harro se vetes

po i drejton tre gishta.

Proverb anglez

Hutbe

Flash is required!

Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook