By: Ferid Piku

KURBANI, SIMBOL I SAKRIFICËS


Zoti ynë thotë në Kuranin fisnik: “..dhe dijeni se tek Zoti nuk shkon as mishi e as gjaku i kurbanit, por tek Zoti arrin devotshmëria juaj, prandaj Zoti ua nënshtroi kafshët që të falënderoni dhe lartësoni emrin e Tij për çka ju ka drejtuar dhe përgëzoji bamirësit”.

Historia ka treguar, se asnjë popull nuk mund të bëjë përpara, kur njerëzit e atij populli nuk bëjnë për njëri – tjetrin, kur secili shikon vetëm interesin e tij. Gjithashtu besimtari nuk mund të jetë egoist, vetëm të kërkojë e të mos japë, vetëm të ankohet e asnjëherë të mos falenderojë Zotin. Egoisti nuk e shijon kurrë ëmbëlsinë e besimit, prandaj Zoti i edukon dhe i nxit besimtarët të mos jenë egoistë. Gjithashtu Ai i shtyn ata, të japin diçka nga vetja e tyre, sepse Zoti sprovon dhe do ta shikojë se sa i sinqertë është besimtari.

Zoti ka treguar në Kuran për njerëz shumë të mëdhenj, të cilët sakrifikuan, dhanë dhe duruan aq shumë, sa neve nuk na e merr mendja, por pas kësaj Zoti i lartësoi ata njerëz. Ata ishin profetët e Zotit.

Zoti tregon në Kuranin fisnik për Nuhun (a.s), i cili sakrifikoi 950 vite nga jeta e tij, duke u folur njerëzve për Zotin, duke i ftuar ata të besonin në Zot dhe për çdo ditë i duronte njerëzit e tij, të cilët nuk e respektuan, madje u tallën me të. Për Zotin nuk është pak të sakrifikosh gati 1000 vite nga jeta jote, edhe pse e di se njerëzit nuk të dëgjojnë.

Zoti tregon në Kuranin fisnik për Ejubin (a.s), që duroi një sëmundje shumë të vështirë për plot 18 vite. Ai nuk ankohej asnjë ditë tek Zoti i gjithësisë, por përkundrazi thoshte: “Zoti më ka dhënë më shumë vite shëndet, sesa vite sëmundje”.

Zoti tregon në Kuranin fisnik për Jusufin (a.s), i cili padrejtësisht kaloi një pjesë të mirë të rinisë së tij në burg, por megjithatë ai nuk pranoi të shkelë mbi nderin e tij. Kjo është pjesë e sakrificës së tij.

Zoti tregon në Kuranin fisnik për babanë e profetëve, për Ibrahimin (a.s), i cili ka bërë një sakrificë, e cila nuk ka ndodhur asnjëherë përpara tij dhe nuk do të ndodhë asnjëherë pas tij. Ai pranoi, që me dorën e tij të bëjë kurban djalin e tij të vetëm, krijesën më të dashur në zemrën e tij, Ismailin (a.s), fëmijën e tij të vetëm, edhe pse vetë ishte në moshë të thyer. Ai pranoi ta bënte këtë sakrificë për Allahun (xh.sh). Zoti e ka treguar në Kuran këtë histori, e cila është e dhimbshme, por për pjesën më të madhe të njerëzve duket si përrallë, që e dëgjojnë vetë, ia tregojnë edhe fëmijëve të tyre, por pak janë ata njerëz që nxjerrin mësim nga historia e Ibrahimit (a.s). Zoti e ka sjellë këtë histori deri tek ne vetëm për të nxjerrë mësim prej saj dhe për asgjë tjetër. Minimumi që mund të mësojmë nga kjo histori është vlera e kurbanit, vlera e sakrificës për Zotin e gjithësisë.

Do flas për kurbanin, sepse për fat të keq në vendin tonë nuk praktikohet ose praktikohet shumë pak tradita e therjes së kurbanit për hir të Allahut (xh.sh). Kjo ka ndodhur ndoshta nga shkaqet ekonomike, ndoshta nga neglizhenca që ne i bëjmë simbolit të kurbanit dhe unë mendoj se kjo është arsyeja kryesore. Njeriu thotë shpejt e shpejt: “Unë s`kam mundësi të bëj kurban”. Të gjithë pyesin: “Kush do të bëjë kurbane sivjet? A do të vijnë kurbane nga jashtë shtetit?” Kjo nuk është gjë e mirë. Kurbani është traditë e besimtarëve dhe kush i thotë vetes besimtar, duhet të bëjë kurban për Zotin. Simboli i kurbanit është afrim tek Zoti i gjithësisë.

Ai që bën kurban, tregon se do që të afrohet tek Zoti i gjithësisë. Ai që bën kurban, tregon se po ndjek rrugën e profetit Muhamed (a.s), i cili çdo vit bënte kurban. Një vit ai theri dy desh dhe tha: “O Zot! Po e bëj këtë kurban për mua, për familjen time dhe për të gjithë besimtarët që nuk kanë mundësi të bëjnë kurban”.

Të bësh kurban, do të thotë të fusësh gëzim në familjen tënde, t`i gëzosh fëmijët e tu dhe ta dinë edhe ata se ç`do të thotë dashuri për Zotin, do të thotë të fusësh gëzim tek njerëzit e tu të afërm, tek komshinjtë e tu dhe tek fukarenjtë, të cilët presin se kush do t`i shikojë ditën e Bajramit.

Kurbani që bën, është shenjë falenderimi ndaj Allahut (xh.sh), i Cili të ka dhënë shumë dhe kërkon pak. Pasha Zotin Ai nuk ka nevojë as për mishin e as për gjakun e kurbanit, por tek Zoti shkon vetëm bindja jonë ndaj Tij. Zoti thotë: “Nëse falënderoni, Unë do t`ua shtoj pasurinë”. Pra le të jemi bujarë me atë që na ka dhënë Zoti, sepse në të kundërt më e pakta që mund të ndodhë, është që Zoti t`ua marrë njerëzve mirësitë që ua ka dhënë.

Në pamje të partë duket, se të bësh kurban është të therësh mish dhe mish therin të gjithë njerëzit, madje ka nga ata që therin kafshë çdo ditë dhe nuk kanë të ngopur me mishin që hanë. Kurbani nuk ka të bëjë aspak me këtë. Kurbani nuk është të therësh mish, por është shenjë falenderimi, është simbolikë e madhe fetare, është lidhje me Allahun (xh.sh).

Profeti (a.s) tregon: “Puna më e mirë që bën myslimani ditën e Bajramit, është kur shkon të therë kurbanin e tij. Në Ditën e Kijametit kurbani i tij do të dalë përpara tij me brirët e tij, me thundrat e tij me lëkurën dhe gjakun e tij dhe do të dëshmojë për këtë besimtar, i cili e bëri këtë kurban për Allahun (xh.sh)”. Profeti (a.s) thotë gjithashtu: “Shpërblimi i kurbanit shkon tek Zoti, para se gjaku i kurbanit të bjerë në tokë”.

E lus Zotin të fusë në zemrat tona bujari dhe le të fusim pak gëzim në familjet tona dhe në shoqërinë ku jetojmë. Le t`i mësojmë fëmijët tanë, që edhe ata të bëjnë kurban, ta falenderojnë Allahun (xh.sh), ta ringjallin edhe njëherë traditën e profetit (a.s) në popullin tonë, i cili për një kohë të gjatë nuk diti apo nuk pati mundësi të bënte kurban. Ne kemi mundësi ta bëjmë këtë dhe po të gjejmë forcë në zemrat tona, do të shohim se do ketë më shumë begati më familjet tona, më shumë bereqet, më shumë mbarësi, më shumë gëzim dhe vallahi ndoshta edhe më shumë pasuri në familjet tona.

Dua të flas për rregullat e kurbanit, pasi Zoti dëshiron që kur dikush bën një punë të mirë, ta bëjë sipas rregullave, sepse kështu ka më shumë vlerë tek Allahu (xh.sh).

1- Kurbani bëhet vetëm për Zotin, nijeti bëhet vetëm për Allahun (xh.sh), sepse krijesës së Zotit mund t`ia derdhësh gjakun vetëm në emër të Allahut (xh.sh). Nuk mund të bësh kurban për njerëz, për varre, apo për të futur kokën e kurbanit në themelet e shtëpisë. Kjo është e ndaluar.

2- Ai njeri që ka vendosur të bëjë kurban, preferohet që qysh në ditën e parë të Muajit Dhul Hixhe, ose 9 ditë para ditës së kurbanit, të mos marrë asgjë nga flokët e tij, nga qimet e trupit të tij dhe të mos presë thonjtë e tij, derisa të bëjë kurbanin për Allahun (xh.sh).

3- Kafsha e therur ka vlerën e kurbanit kur bëhet ditën e Bajramit, pas faljes së namazit të Bajramit. Nëse kurbani theret para faljes së namazit, ai nuk quhet kurban, por thjesht një kafshë e therur. Ditët e kurbanit janë jo vetëm dita e Bajramit, por edhe tre ditë të tjera dhe kurbani mund të bëhet në një nga këto ditë.

4- Kurbani duhet të theret me emrin e Zotit, pra të theret me fjalën “Bismilah, Allahu ekber – Në emër të Allahut, Zoti është më i madhi”. Duhet të kesh mëshirë për kafshën tënde, prandaj mos e tremb atë, duke ia treguar thikën, por drejtoje drejt Kibles dhe mundohu ta rehatosh atë sa të kesh mundësi, t`i dalë komplet gjaku dhe mos ia këput kokën, se kështu mishi është më i pastër.

5- Kurbani ndahet në tre pjesë: një pjesë e mban për veten dhe familjen tënde, që të gëzosh për këtë që ke bërë për Allahun (xh.sh), një pjesë ua jep të varfërve dhe një pjesë ia jep komshiut dhe mikut tënd. Ai është një sais e vogël mishi, por ka shumë vlerë tek Zoti.

6- Kurbani duhet të ketë moshën e duhur. Profeti (a.s) tregon, se të bësh kurban një dele, duhet të jetë të paktën gjashtë muaj e sipër, nëse është dhi duhet të jetë mbi një vjeç, nëse është lopë apo viç, duhet të jetë mbi dy vjeç dhe nëse është deve, duhet të jetë mbi 5 vjeç.

7- Kurbani është sakrificë për Zotin, prandaj kafsha që do të theret për kurban nuk duhet të ketë të meta trupore, se Zoti do që besimtari të nxjerrë më të mirën që ka për Allahun (xh.sh). A e ke parë se kur i jep dikujt një dhuratë të mirë, ai të respekton më shumë. Prandaj mundohu që kafsha të jetë sa më e mirë, sa më e rregullt dhe jo me të meta trupore. E lus Zotin të na bëjë nga ata njerëz që e vlerësojnë kurbanin, sepse Zoti thotë: “dhe dijeni se kush e vlerëson kurbanin, kjo është devotshmëri e zemrave tuaja”.

E lus Allahun (xh.sh) ta shtojë pasurinë e zemrave dhe shtëpive tona, të na bëjë shkak për ta ringjallur këtë traditë në popullin tonë, t`iu tregojmë të tjerëve se muslimanët nuk hanë vetëm për vete, por gëzojnë bashkë me njerëzit e tjerë.

Muslimanët kanë të paktën dy festa, por ata nuk janë kurrë egoistë, prandaj festojnë së bashku me komshinjtë, me të afërmit, madje edhe me fukarenjtë. Zoti na bëftë bujarë e zemërgjerë. Ata njerëz, të cilët nuk kanë mundësi të bëjnë kurban, ta dinë se dera për tek Zoti është e hapur, sepse Zoti nuk e kufizon mirësinë vetëm me kurban apo me haxh. Allahu (xh.sh) ka dhënë 10 ditë e ato janë 9 ditët e para të muajit Dhul Hixhe sipas kalendarit hënor dhe dita e dhjetë është dita e Kurban Bajramit.

Mundohu t`i shtosh punët e mira në këto ditë, sepse kanë vlerë të jashtëzakonshme tek Zoti. Profeti Muhamed (a.s) thotë: “Punët vlerësohen më shumë tek Zoti dhjetë ditëshin e Dhul Hixhes”. Shokët i thanë: “A kanë vlerë më shumë se të luftosh në rrugën e Zotit”. Profeti (a.s) tha: “Po, kanë më shumë vlerë sesa të luftosh në rrugën e Zotit, me përjashtim të rastit kur njeriu del për të luftuar në rrugën e Zotit me shpirtin dhe pasurinë e tij dhe nuk kthehet më”. Këto janë ditët më të mira tek Zoti, ashtu siç janë netët e Ramazanit më të mirat tek Allahu (xh.sh).

Prandaj le t`i shtojmë punët e mira në këto ditë. Kush ka mundësi le të agjërojë 9 ditët e para të muajit Dhul Hixhe e sidomos ditën e Arafatit, ndërsa dita e dhjetë nuk agjërohet sepse shtë Kurban Bajram dhe është festë. Kush ka mundësi, le të japë sadaka, të bëjë kurban, të falë 2 rekate më tepër, të përmendë më shumë Zotin e kështu me radhë. Këto janë ditët kur përmendet Zoti, janë ditët kur haxhilerët falenderojnë Allahun (xh.sh) e të tjerët i mbështesin ata me zemrat dhe gjuhët e tyre.

Zoti e bëftë Bajramin festë në zemrat tona, festë në shtëpitë tona, festë për popullin tonë. I lutemi Allahut (xh.sh), që viti që do të vijë, të na gjejë më afër me Allahun (xh.sh), më afër me shpirtin tonë, më afër me njëri – tjetrin, më larg shejtanit të mallkuar, më larg stresit dhe problemeve.

Zoti e bëftë të sotmen tonë më të mirë se të djeshmen dhe të nesërmen më të mirë se të sotmen. Zoti e bëftë ahiretin tonë më të mirë se dynjanë. Zoti i faltë gabimet tona, të mëdhatë e të voglat, ato që duken e ato që nuk duken, ato që i kemi bërë dhe ato që mund t`i bëjmë. Zoti na mundësoftë ta jetojmë jetën si muslimanë, ta japim shpirtin si besimtarë e të na ringjallë bashkë me profetin (a.s).

        A M I N

Submitting your vote...
Not rated yet. Be the first who rates this item!
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

20/07/2019
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
03:19 05:1912:5416:5020:1622:03

Urtësi Profetike

Gjërat që i çojnë njerëzit

më shumë në Xhennet

janë devotshmëria

dhe mirësjellja.


Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook