By: Sean William White

Kushtetuta e Medinës


Përplasja e qytetërimeve, kulturave, etnive dhe feve duket të jetë motiv mbizotërues përgjatë gjithë historisë. Historia ofron shembuj të njëkohshëm konfliktesh dhe përpjekjesh titanike për të zgjidhur tensionet dhe ndarjet që ushqejnë armiqësi përmes ndërmjetësimit, diplomacisë dhe dialogut. Disa konflikte janë shumë të ndërlikuar për t’u përmbyllur me një marrëveshje të thjeshtë, pavarësisht nëse konflikti është territorial, religjioz, ose pasojë e diskriminim etnik. Atëherë cila është përqasja më e mirë për të ndërmjetësuar problemet e një bote bashkëkohore ku ekonomiksi, burimet natyrore, ideologjitë fetare dhe etnike luajnë një rol të rëndësishëm? Kushtetuta e Medinës na ofron një shembull të zgjidhjes së konflikteve ku paqja dhe qasja pluraliste u arrit jo përmes sukseseve ushtarake dhe formave të tjera të imponimit, por përmes respektit, pranimit dhe mohimit të luftës – aspekte që reflektojnë disa nga parimet bazë që Profeti Muhamed, paqja qoftë mbi të, promovonte dhe zbatonte. Përmes shqyrtimit të Kushtetutës së Medinës, do të tregoj sesi pluralizmi u rrënjos dhe u forcua në Medinë duke ndihmuar në shmangien e ndarjeve dhe keqkuptimeve që sot kanë pllakosur retorikën dhe ligjërimin mediatik mes muslimanëve, të krishterëve dhe hebrenjve në të gjithë botën.

Kur Profeti a.s u detyrua të migronte në Medinë, popullsia që gjeti aty ishte një përzierje mes shumë fiseve të ndryshme (kryesisht arabë dhe hebrenj) që kishin pothuajse një shekull që luftonin duke shkaktuar “tension civil”. Pikërisht për këtë arsye Profeti u ftua atje. (Peters 1994, f.4) Lufta mes fiseve dhe mungesa e autoritetit qeveritar në Medinë rezultonte në zgjidhjen e të gjitha mosmarrëveshjeve me “tehun e shpatës”, çka thellonte ndarjen dhe ushqente konfliktet. Karen Armstrong shpjegon qartë mentalitetin dhe funksionimin e sistemit fisnor të shpërndarë nëpër të gjithë arabinë e copëtuar, ku Profeti po bënte përpjekje titanike për të garantuar paqe (Armstrong 2006, f. 19). “Fisi, edhe pse nuk adhurohej, ishte vlera më e lartë, dhe çdo pjesëtar duhet t’ia nënshtronte nevojat dhe dëshirat e tij mirëqenies së grupit dhe të  luftonte deri në vdekje, nëse kjo ishte e nevojshme për të garantuar mbijetesën e tij.” (Armstrong 2006, 24) Një sistem i tillë, në sensin politik, ishte pasqyrim i bashkëpunimit të vakët mes fiseve të Medinës. Në këtë rajon mbizotëronin strategjitë e fuqizimit ushtarak, ndërsa armëve dhe luftës u kushtohej rëndësi e tepruar. Ekzistonte bindja se ndërmjetësimi i drejtpërdrejtë ishte i pamundur. Ai mund të realizohej vetëm përmes një personi të jashtëm që nuk kishte lidhje me fiset e konfliktuar. Profeti a.s jo vetëm që plotësonte këto parakushte, por ambicia e tij personale, ashtu siç Zoti kishte përcaktuar, ishte të përhapte paqe dhe unitet, për të krijuar një komunitet (umet) të përbërë nga grupe të ndryshme, por të bashkuar nga mësimet e Kur’anit në emër të Islamit.

Kur’ani pohon se Zoti “mëson me anë të penës” (96: 1-5). Ky është një paralajmërim i Kushtetutës së Medinës sepse ajo është reflektim i këtyre ajeteve, që tregojnë se Zoti po i edukon njerëzit dhe po ua ndryshon strukturat e të menduarit përmes diskutimit. Në këtë rast, diskutimet rezultuan në arritjen e paqes përmes arsyetimeve dhe marrëveshjeve. Fiset u ndjenë përfitues nga kushtetuta e nënshkruar, dhe jo të dëmtuar në statusin e tyre apo viktima të një antagonizmi të pazgjidhur të së shkuarës. “Shumë rituale islame, filozofi, doktrina (interpretime të teksteve të shenjta) dhe vende të shenjta janë shpesh rezultat i meditimit vetë-kritik dhe të përvuajtur të ngjarjeve politike në shoqërinë Islame.” (Armstrong 2006, f. 14) Islami e vendos theksin tek arsyeja – arsyeja që sundon universin, jetën dhe fenë gjithashtu. Al-Gazali (1058-1111) thotë, “Dyshimi shërben për të gjetur të vërtetën. Ata që nuk dyshojnë nuk mund të mendojnë. Ata që nuk mendojnë, nuk mund ta gjejnë të vërtetën.” Megjithëse ky citim është një referencë e drejtpërdrejtë nw aspektin filozofik të Islamit, ai thekson rëndësinë e arsyes që luan rol qendror në këtë fe. Yetkin Yildirim, në lidhje me përdorimin e dijes vetjake dhe akordimit të një roli të një roli të rëndësishëm arsyes shkruan, “Nëse përgjigjja nuk gjendet në Kur’an, hadith ose sunet, atëherë nevojiten përpjekje intelektuale të bazuara tek arsyeja (ixhtihadi)” (Yildirim 2006, 109-117). Pra Profeti a.s, gjatë hartimit të Kushtetutës së Medinës po praktikonte Islamin me vepra. Falë arsyes, diskutimeve dhe meditimeve u arrit të formulohej një traktat paqeje.

Formulimi i Kushtetutës dhe arritja e paqes ishin akte historike. Përmbajtja e Kushtetutës e reflekton këtë rëndësi. Formimi i një umeti të themeluar mbi respektin dhe pranimin çka rezulton në pluralizëm na tregon një nga rrugët përmes të cilave Profeti luftoi injorancën – mënyrën e të menduarit që shkaktonte dhunë dhe terror (Armstrong 2006, f. 19). Analizimi i klauzolave të veçanta të kësaj Kushtetute na mundëson të kuptojmë sesi Profeti arriti të luajë rolin e prijësit duke garantuar paqe të qëndrueshme. Neni i parë, “Ata përbëjnë një komunitet të vetëm” (Sajoo 2009, 94) përshkruan mesazhin thelbësor dhe qëllimin e pjesës tjetër të kushtetutës. Ai shënon krijimin e një komuniteti dhe Kushtetuta shërbeu si një dokument unifikues në një qytet me grupime, kultura, fe dhe gjuhë të ndryshme. Profeti a.s erdhi në Medinë me frymën e tolerancës, një aspekt themeltar i Islamit gjatë ndërveprimit të tij në territore të huaja. “Falë tolerancës së Islamit muslimanët kanë respektuar besimet e popullsive të rajoneve të pushtuara. Ata nuk kanë ndërhyrë në besimin e tyre dhe as nuk kanë prekur objektet e kultit” (Can 2005, f. 172). Neni 25 shpreh më së miri nivelin e lartë të tolerancës dhe shërben si një shembull i qartë i praktikimit të duhur të Islamit. “Hebrenjtë… janë një komunitet me besimtarët. Megjithatë, ata kanë fenë e tyre dhe besimtarët të tyrën.” (Sajoo 2009, 96). Kjo deklaratë është derivat i një ajeti Kur’anor (2: 256) që thotë, “Nuk ka imponim në fe.” Kur’ani thotë se “…ata që besojnë, hebrenj, të krishterë, sabinë…dhe bëjnë vepra të mira, do ta gjejnë shpërblimin tek Zoti” (2:62)

Kushtetuta e Medinës reflekton frymën e pluralizmit si në përmbajtje po ashtu edhe në historikun e saj si dokument me rëndësi. F.E. Peters shpjegon se “palët kontraktuese, edhe pse nuk përqafuan Islamin, pranuan autoritetin e Profetit, duke e konsideruar si prijësin e komuniteti dhe duke iu bindur vendimeve të tij politike.” (Peters 1994, f. 199) Fakti që në librat e historisë nuk regjistrohet zhvillimi i ndonjë kryengritjeje dhe që Profeti e luante rolin e tij duke u bazuar në pranimin e të gjitha fiseve, tregon se ai nuk u refuzua kurrë. Falë ligjeve të rinj që ai adaptoi, grupet ekzistuese nuk u ndjenë aspak të kërcënuar nga prania apo qeverisja e tij. Shoqëria ishte pluraliste, dhe aspak shtypëse. Profeti, siç e tregon edhe neni 25, nuk ua imponoi Islamin banorëve të Medinës, çka do të thoshte  se ata mund të vazhdonin të praktikonin besimet dhe traditat e tyre, si dhe çdo aspekt tjetër jetësor që për ta ishte i rëndësishëm. Ai nuk krijoi një umet duke mohuar mënyra e tjera të jetesës përveç Islamit, ose duke njohur Islamin si fenë e vetme; përkundrazi, ai i bashkoi të gjithë banorët e qytetit në frymën e të jetuarit etik dhe sipas parimeve morale – diçka e përbashkët kjo për të gjitha qeniet dhe besimet hyjnore.

Profeti a.s iu referua thelbit të unitetit, respektit, tolerancës dhe dashurisë për të krijuar një komunitet pluralist. Neni 40 e ilustron më së miri këtë, “Fqinjët e mbrojtur gëzojnë të njëjtat të drejta për aq kohë sa nuk lëndojnë kënd dhe nuk kryejnë akte tradhtie” (Sajoo 2009, f. 97) Njerëzit ishin të sigurt dhe të lirë të ushtronin besimet e tyre. Muslimanët kishin për detyrë t’i mbronin këto të drejta. Megjithatë, kjo mbrojtje nuk shtrihej në rastet e tradhtisë ose shkaktimit të dëmeve.

Kushtetuta e Medinës mund të konsiderohet me të drejtë si kushtetuta e parë që trupëzoi të drejtat fetare dhe politike (Yildirim 2006, f 109-117). Edhe pse politika e rajonit ka ndryshuar shumë që nga koha kur kjo kushtetutë u shkrua, kohët e fundit për keq, vlerat islame kanë vazhduar të përhapen dhe të zbatohen në të gjithë botën islame. Pavarësisht pushtetit të tepruar që disa qeveri kanë mbi popullin e tyre, fytyra e ndritur e Islamit shkëlqen në mënyrën si njerëzit jetojnë dhe komunikojnë mes tyre. Flas nga përvoja personale të cilën e përfitova gjatë udhëtimeve nëpër Iran, Turqi dhe Irakun verior në janar të vitit 2009. Pavarësisht raportimeve mediatike për banorët e këtyre tokave, kohën time atje e kalova në shtëpitë e panjohurve të cilët me mirëpritën në një mënyrë që as e kisha imagjinuar. Edhe pse trupat qeverisëse kanë ndryshuar, nenet e Kushtetutës së Medinës dhe parimet e Islamit të predikuar nga Profeti Muhamed a.s vazhdojnë të ekzistojnë mes njerëzve. Trashëgimia ime u pranua me kuriozitet dhe respekt, njësoj siç Profeti veproi me fiset e ndryshme të Medinës. Pozita ime në shoqëri u mirëprit me entuziazëm të sinqertë, dhe unë u ndjeva pjesë e komunitetit, njësoj si në komunitetin e krijuar në Medinë nga Profeti a.s. U prezantova me Islamin e zakonshëm, për të cilin dëgjojmë aq pak në mediat perëndimore për shkak të konfuzionit të krijuar prej shoqërimit të Islamit me ekstremizmin. Njoha muslimanë tolerantë të cilët më shikonin si një të huaj paqësor dhe të respektuar, jo si të pabesë. Kjo është pikërisht ajo që Profeti arriti në Medinë, një komunitet i ngritur jo mbi ndarjet fetare apo etnike, por mbi unitetin dhe pranimin. Një komunitet i ngritur mbi tolerancën. I ngritur mbi paqen. Duket se Profeti ishte i ndërgjegjshëm që përjetimet shpirtërore dhe feja nuk mund të qeverisen, dhe pikërisht për këtë arsye, ai luftoi për unitet dhe pranim duke kundërshtuar sjelljet diskriminuese mes fiseve dhe besimeve të tyre.

Sot, në kohët moderne, analizimi i Kushtetutës së Medinës mund të na ofrojë disa urtësi islame dhe pluralizmin religjioz (Sachedina 2001). Medina shënoi bashkëjetesën e parë të vërtetë mes feve dhe grupeve të ndryshme etnike nën hijen e Islamit. Ajo pasqyron Kur’anin “që në tërësinë e tij ofron material të bollshëm në mbështetje të teologjisë përfshirëse dhe pluraliste”(Sachedina 2001, f. 26). Kur’ani është zbulesa e padiskutueshme; si rrjedhim ai është thelbi i të kuptuarit të pluralizmit fetar në Islam. Neni 39 i Kushtetutës së Medinës pohon, “Lugina e Jethribit është e shenjtë për nënshkruesit e këtij dokumenti” (Sajoo 2009, f. 97). I tillë është edhe universi, i shenjtë për të gjithë njerëzimin. Kur’ani shpall se “ të gjithë njerëzit janë një komunitet” (2:213), prandaj përderisa jemi një në botë dhe në univers, pavarësisht fesë tonë, është mëshira e Zotit dhe dhembshuria e tij që do të na shpëtojë. Duke diferencuar besimet, ne neglizhojmë faktin se nën të njëjtin diell ne i lutemi një qenieje madhështore. Të gjithë jemi krijuar nga Zoti, prandaj unifikimi është jo vetëm praktik, por edhe i pashmangshëm.

Kushtetuta e Medinës merr një rëndësi të veçantë nëse mbajmë parasysh tensionet ekzistuese mes muslimanëve, hebrenjve dhe të krishterëve. Fatkeqësisht, injoranca dhe frika, dyshimet dhe harbutëria mes këtyre tre feve abrahamike ka atrofizuar çdo formë bashkëpunimi. Në periudhën pas 11 shtatorit, një valë e re antagonizmi u ndje në ajër, dhe njerëzit në perëndim filluan të ndihen të frikësuar nga Islami. Trishtueshëm mund të themi se njerëzit ngatërrojnë veprimet e nacionalistëve dhe ekstremistëve, të cilët padenjësisht fshihen pas Librit të Shenjtë duke pretenduar se rruga e tyre është ajo e Zotit, me atë çka feja promovon në të vërtetë. Siç Rumi besonte, thelbi i të gjitha feve është i njëjtë, sepse të gjitha mësojnë dashurinë. Mësimet e thella filozofike dhe shpirtërore të Rumit bazohen në një mënyrë të menduari që kërkon vizon dhe dialog reciprok, që unë shpresoj se do të arrihet një ditë. Një tjetër ajet i Kur’anit thekson rëndësinë e dialogut, unitetit dhe tolerancës: “Sigurisht që ju jeni një komunitet dhe unë jam Zoti juaj, prandaj më adhuroni Mua” (21:92)

Sjellja e Profetit në Medinë na nxit të përdorim arsyen në qasjen tonë ndaj besimeve të ndryshme dhe të shumta të botës, nga Evropa në Azi, në Amerikën qendrore, veriore dhe jugore, si dhe në Afrikë. Na nxit të kuptojmë “sesi hapësira shpirtërore e Kur’anit shërben edhe për besimet e tjera” (Sachedina 2001, f. 23). Ky kuptim zbulon se Islami është një besim monoteist që respekton të drejtën e ekzistencës së feve të tjera (Stewart 1994, f. 207). Në një botë të globalizuar ku komunikimi është kaq i thjeshtë, ndryshe nga çdo periudhë tjetër historike, mirëkuptimi reciprok i besimeve të njëri-tjetrit është mjeti më i rëndësishëm për të arritur paqe dhe stabilitet. Në terma bashkëkohorë mund të themi se në botën e globalizuar ne kemi nevojë për një Kushtetutë si ajo e Medinës. Profeti a.s, gjatë qëndrimit në Medinë u angazhua në diskutime ndër-fetare. Boase shkruan se një ditë të krishterët u lutën në një xhami pasi kishin takuar Profetin a.s (Boase 2005, f. 252). Duhet të mësojmë se për çdo vend, komuniteti, umeti, është mënyra më e sigurt dhe efektive e ndërtimit të një shteti pluralist. Kushtetuta e Medinës ishte një amalgamë cilësish të predikuara nga të gjitha fetë e botës; dashuria, paqja, liria, pranimi dhe toleranca.

Në Medinë paqja u arrit jo përmes forcës së armëve apo pasurisë, por përmes parimeve të palëkundur të Islamit, tolerancës, dashurisë, arsyes dhe besimit në një Zot. Kushtetuta e Medinës, e para e shkruar në histori, tregon se Islami refuzon përdorimin e dhunës në fe. Edhe pas shumë shekujsh të ekzistencës njerëzore, përqasja Kur’anore e zgjidhjes së konflikteve përmes bashkëbisedimit mbetet mënyra më efektive dhe më e shëndetshme. Kushtetuta e Medinës është një shembull që duhet të diskutohet dhe të përdoret si referencë në shqyrtimin e konflikteve aktuale. Krijimi i një komuniteti, umeti, ofron pluralizëm për të gjithë sepse njerëzit nuk paragjykohen për shkak të besimit, por bazuar në veprimet e tyre. Persekutimi është gjenerues i tensionit, ndërsa arsyeja dhe toleranca është esenca e paqes. Njësoj si në rrugët e Medinës, falë tolerancës dhe respektit, edhe ne një ditë mund të ndërtojmë një umet mbarëbotëror, ku i krishteri do t’i thotë myslimanit “paqja qoftë mbi ty” dhe ky i fundit do t’i përgjigjet “edhe mbi ty”.

 

Sean Williams White është diplomuar për histori islame në Universitetin e Monashit, Melburn.

 

Referenca:

 

  • Armstrong, Karen. 2006. Muhamedi: Një Profet për Kohën Tonë, Neë York, HaperCollins.
  • Can, Sefik. 2005. Bazat e Mendimit të Rumiut, Neë Jersey: The Light, Inc.
  • Lecker, Michael. “Kronikat e Uakidit mbi Statusin e Hebrenjve të Medinës: Studimi i Raportimeve të Kombinuara” tek Uri Rubin, Jeta e Muhamedit, Great Yarmouth, 1998.
  • Peters, F. E. 1994. Muhamdi dhe Origjinat e Islamit, Neë York: SUNY.
  • Ramadan, Tariq. 2007. Mesazheri: Domethënet e Jetës së Muhamedit, Londër: Allen Lane.
  • Boase, Roger. Islami Ekumenik: Përgjigjja e Muslimanit ndaj Pluralizmit Fetar, në Roger Boase. 2005.
  • Islami dhe Dialogu Global, Angi, Ashgate.
  • Sachedina, Abdulaziz. 2001. Rrënjët Islamike të Pluralizmit Demokratik, Neë York: OUP.
  • Saeed, Abdullah. 2006.Mendimi Islam: Hyrje, MB: Routledge.
  • Steëart, P.J. Të Shpalosësh Islamin, Liban, 1994.
  • Yildirim, Yetkin. “Paqja dhe Zgjidhja e Konflikteve sipas Kushtetutës së Medinës,” MB: Routledge, Vëll. 18, Çështja 1. Janar 2006.

marre nga: profetimuhamed.info 

Submitting your vote...
Not rated yet. Be the first who rates this item!
Click the rating bar to rate this item.


Shenim:
Komentet duhet te jene vetem ne gjuhen
shqipe dhe duhet te jene brenda normave morale.

blog comments powered by Disqus

Oraret e faljes

20/09/2017
ImsakuL.DiellitDrekaIkindiaAkshamiJacia
04:47 06:2012:4216:0718:5020:13

Urtësi profetike

“Ai që e agjëron Ramazanin

dhe gjashtë ditë të tjera nga muaji Sheval,

është sikur të ketë agjëruar gjithë vitin”.

(Hadith)

Grafika pa koment

Kliko për tu zmadhuar

Kontakt

Emaili juaj:
Mesazhi:

Abonimi

Enter your email address:

Facebook